Kosova paslufte – Dilemat e politikës.

Gusht 6, 2008
Toka e Shenjtë e njërit dhe Palestina e tjetrit përbëjnë
dy faqe të ndryshme të të njejtës dhe të vetmes medalje :
ajo e marrjes së shpagës nga ana një shumice të çliruar dhe
fitimtare, e cila, në emër të historisë ju shkakton të tjerëve po
ato vuajtje që ka hequr vetë, gjatë periudhës së skllavërisë së saj.
« Kosovarizimi » i strukturave administrative – krijimi i rreth njëzet departamenteve qeverisëse si dhe i rreth tridhjetë administratave komunale – zgjoi fërkimet dhe kontradiktat mes forcave politike lokale, ndërkohë të përfaqsuara në CAI. Ideja e investimit të njerëzve të tyre në përgjegjësitë egzekutive donte të thoshte vendosja e gurëve partiakë në fushën të shahut të pushtetit të ardhshëm, ndikimin e vendimeve në drejtimin e pëlqyer të partive politike. Por raportet aktuale të forcës ishin mbështetur në rradhë të parë mbi forcën e pastër, atë të armëve, në vend që ato të ishin raporte të ndikimit politik. E vetmja rrugë e arsyeshme në këtë stad zhvillimi të shoqërisë kosovare ishte rivendosja e ekuilibrit të forcave politike, fort i komprometuar pas depërtimit të partive « nacionaliste », pjella të UÇK-së. Vetëm një ekuilibër i dalë nga kutitë e votimit zotëronte fuqinë për të emancipuar bashkëbiseduesit politikë – duke i i rikthyer sejcilit peshën e tij reale. Kështu mund të diferencoheshin bartësit e një projekti politik afatgjatë, në përputhje me pikpamjet ndërkombëtare dhe të ndjeshëm ndaj problemit të pakicave kombëtare. Si përfundim, të përcaktoheshin ata më përfaqsuesit e shoqërisë kosovare, që zotëronin njëkohësisht frymën e bashkëpunimit si dhe lakueshmërinë e nevojshme ndaj kërkesave të kohës.
Një hap drejt kthimit në ekuilibër në nivelin territorial ishte hedhur me rastin e zgjedhjeve lokale të tetorit 2000, gjatë të cilave kishin dalë në pah tre forcat më të rëndësishme politike të krahinës. Me 58% të votave, LDK tashmë kontrollonte plotësisht 22 komuna nga 30 që llogariste Kosova ndërkohë që, me 27,3% të votave, PDK mundi të kontrollonte vetëm 5 komuna. Përsa i përket, AAK, megjithë ato 7,7% të votave të fituara, nuk kish mundur të merrte asnjë komunë. Ndoshta ishte suksesi i zgjedhjeve lokale, ndoshta euforia e pasluftës… sidoqoftë, e interesuara kryesore, LDK, s’mundi të bënte një bilanc të egzistencës së saj dhjetëvjeçare dhe, ç’është më e rëndësishmja, të krijonte një vizion të ri të jetës politike të Krahinës, tashmë jashtë kontrollit të Serbisë dhe, deri diku, jashtë kontrollit të vetë Lidhjes dhe Rugovës.
Në vigjilje të goditjeve ajrore aleate mbi Jugosllavi, Lidhja Demokratike administronte praktikisht e vetme skenën politike kosovare. Megjithë përpjekjen e dukshme të lëvizjes së Rugovës për të krijuar një imazh pluralist të « parlamentit » fantomatik të Kosovës, nëpërmjet aplikimit të ndarjes së « pushtetit » me partitë e tjera minoritare – partia Social-Demokrate (PSDK), Demokristjane (PDK) dhe liberale (RLK), politika mbetej gjithësesi çështje e personaliteteve të fuqishme të tipit Rugova, Qosja ose Demaçi. Personazh kyç i skenës politike të Kosovës, Demaçi zotëronte një vështrim të ndryshëm të të ardhmes së Kosovës si dhe të Ballkanit, veçanërisht duke predikuar krijimin e një konfederate ballkanike. I afërt me UÇK, përgjegjës politik i të cilit ai mbeti deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, Demaçi u bashkua përfundimisht me partinë Parlamentare të Kosovës (PPK). Partizan i « Shqipërisë së Madhe », Qosja u ngjit në krye të lëvizjes së opozitës të brendshme të LDK dhe krijoi Lëvizjen e Bashkimit Demokratik (LBD), në 6 tetor 1998, gjë e cila shpjegon edhe qënien e triptikut LDK-UÇK-LBD gjatë bisedimeve të Rambujesë. I detyruar nga rrethanat dhe i bindur nga amerikanët që të merrte pjesë në Rambujé, Rugova tregoi një profil tepër modest : ai pranoi njëherësh që t’i linte vendin e parë Thaçit në këto bisedime si dhe të merrte pjesë në gjirin e një « qeverie » provizore, gjithmonë nën drejtimin e UÇK-së. Paradoksalisht, ndërhyrja në shkallë të gjerë e trupave serbe në krahinë rrënoi plotësisht politikën tradicionale të LDK : ndërkohë që « Presidenti » ishte i detyruar të qëndronte në arrest shtëpijak dhe Qosja largohej nga krahina në mes të një kolone rrefugjatësh, një pjesë e bashkëpuntorëve të tij mes të cilëve edhe Hydajet Hyseni u futën në rradhët e UÇK-së. Mbështetja tashmë e vështirë e Rugovës u dobësua edhe më tej pas vrasjes së bashkëpuntorit të tij më të afërt Fehmi Agani, që ndodhi disa ditë pas ikjes së Presidentit kosovar në Romë. Zhdukja e këtij konstitucionalisti të aftë që kish punuar me intensitet drejt bashkimit të rrymave të ndryshme politike kosovare thelloi edhe më tepër hendekun mes LDK-së dhe UÇK-së. Pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, Rugova hezitoi disa javë përpara se të ndërmerrte udhëtimin e kthimit. I brohoritur nga partizanët e tij por i kritikuar rreptë nga shtypi kosovar, i cili e cilësonte si « një baba i mirë por një President i keq », ai u largua rishtas nga vendlindja veçse disa orë më vonë (shënimi 1).

Vetëm tre komunat veriore të kontrolluara nga serbët (Leposaviq, Zubin Potok et Zveçan) i shpëtuan « valës shqiptare ». Meqënëse rezultatet nuk ishin quajtura të vlefshme për shkak të një pjesëmarrjeje të pamjaftueshme të zgjedhësve, UNMIK-u kish ndërhyrë në rrugë administrative për të caktuar këshillat komunale.
Kalimi i autoritetit drejt organeve lokale vetëqeverisëse ishte edhe kantieri i fundit i ndërmarrë nga Kushneri i cili, me sa duket i lodhur dhe i konsumuar, u largua nga Kosova në janar të vitit 2001. Sidoqoftë përpara se të largohej, Kushneri kish vënë në shina një kantier tjetër tepër të rëndësishëm : përpilimin e projekt Kushtetutës, elementin kyç të procesit të vetëqeverisjes së Kosovës. Dokumenti duhej të mbështetej mbi parimet e përputhjes së plotë me Rezolutën 1244 : respekti i standardeve demokratikë, të të drejtave të njeriut, të barazisë mes shtetasve dhe të pakicave etnike dhe së fundi, të mbretërimit të Ligjit. Sipas Kushnerit, ky « pakt »– OKB preferonte t’a quante « kontratë » ndërkohë që për kosovarët mbetej gjithmonë « Kushtetutë » – synonte të vendoste në vend pushtetin legjislativ dhe të përcaktonte kufijtë e pushtetit egzekutiv. Zgjidhja e kësaj çështjeje delikate, e udhëhequr nga një komision i përbashkët mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe atyre kosovarë, u prit me padurim nga UNMIK-u, nga forcat politike të krahinës dhe nga shoqëria civile kosovare, nga qeveria e Beogradit dhe nga « Grupi i Kontaktit » pasi sejcili mundohej të impononte pikpamjet e tij.
Mbrritja e administratorit të ri të krahinës, danezit Hans Hakerup hodhi një hije të ftohtë mbi këtë aventurë aq pasionante : çështja kaloi në duart e një grupi tepër diskret këshilltarësh të cilët mënjanuan çdo mundësi « infektimi » nga ana e të interesuarve të drejpërdrejtë. Në këtë mënyrë, propozimet e kampit kosovar që frymëzoheshin nga koha e « Kushtetutës së Kaçanikut » u refuzuan me dashamirësi ; po ashtu edhe vërejtjet që vinin nga Beogradi kaluan në sitën e grupit të punës. Përfundimisht, Hakerupi nënshkroi në 15 maj 2001 variantin përfundimtar të projektit (shënimi 2), duke hapur në këtë mënyrë rrugën drejt zgjedhjeve legjislative të nëntorit 2001. Ndërkohë, departamentet administrative ishin shëndrruar në departamente të tranzicionit – nga njëzet ato kishin përfunduar në gjithsej dhjetë – të gatshme për të pritur titullarët e tyre lokalë. Nga ana tjetër, UNMIK-u ruante kompetencat e tij pothuaj të plota në fushat e administratës lokale, të çështjeve juridike, të medias sikundër dhe në atë të marrëdhënieve me jashtë.
Zgjedhjet e para legjislative të pasluftës shënuan një sukses « të padiskutueshëm » sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtares sikundër dhe një sukses « të madh » për LDK e cila morri pothuaj 46% të votave (shënimi 3). Sidoqoftë, partisë së Rugovës ju desh të zbriste pêrfundimisht në tokë – dhe të harronte rezultatet e saj të paapelueshme prej 90%, të arritura gjatë zgjedhjeve klandestine të vitit 1998 – ndërkohë që vetë Rugovës ju desh të kalonte nëpërmjet aleancave për t’u zgjedhur President. Në të vërtetë, asnjë kombinacion politik – përveç një aleance krejt të pamundur me partitë serbe – nuk i lejoi që të realizonte shumicën prej dy të tretash të deputetëve, të kërkuar nga Kushtetuta e Përkohshme ; ai s’mundi të realizonte as edhe shumicën e thjeshtë gjatë dy tureve të zgjedhjes në parlament, në janar 2002. Rugovës i mbetej vetëm një rrugëzgjidhje : kompromisi. Pas muajsh të tërë sorollatjesh dhe i vënë nën presionin e administratorëve të paduruar OKBjanë, u lidh një deal mes tre forcave politike kryesore të parlamentit – LDK, PDK dhe AAK – e ashtuquajtura, Marrëveshja mbi Presidentin dhe qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje lejoi të zgjidhej një Kryeministër që i përkiste PDK, i cili si shpërblim duhej të mbështeste zgjedhjen e Rugovës në postin e Presidentit. Përfundimisht, në 4 mars 2002, Kuvendi zgjodhi Presidentin e parë të pasluftës dhe caktoi si Kryeministrin Bajram Rexhepin, mjek dhe ish-kryetar bashkie i Mitrovicës – një i moderuar nga rrethi i afërt i Thaçit. Me caktimin e ministrave, UNMIK-u kish realizuar dhe transferimin e « përgjegjësive administrative » por jo të « autoritetit egzekutiv ». Me fjalë të tjera, administrimi i krahinës ende notonte në një mjergull artistike, të ushqyer nga njëra anë nga Rezoluta e famshme 1244 dhe nga ana tjetër nga vullneti i OKB-së për të ruajtur të drejtën e « vështrimit ndërkombëtar mbi kapacitetet e drejtimit » sikundër dhe kontrollin e saj mbi « disa funksione ». Dualizmi administrativ i kish lënë vendin tranzicionit qeveritar.
Ndërkohë, Hakerupi i thirrur gjetkë, i kish lënë vendin amerikanit Çarls H. Brejshou, i cili shumë shpejt i kaloi stafetën gjermanit Majkëll Stejner. Edhe klasës politike kosovare ju desh të rishikonte planet dhe të vihej me hapin e kohës pasi nga njera anë mjedisi politik i Beogradit kish ndrruar dhe nga ana tjetër, të dhënat fillestare në terren ndryshonim me një shpejtësi marramendëse. Zgjedhjet lokale të tetorit 2002 dëshmonin për një çinteresim gjithmonë në rritje nga ana e zgjedhësve sikundër dhe një gërryerje të bazës elektorale të LDK, veçanërisht në ato zona ku lufta kish bërë dëme më tepër se gjetkë. Gjatë përballjes me PDK, formacioni politik i Rugovës dilte fitimtar me shumicë absolute vetëm në 11 komuna ; në 7 të tjera ajo arrinte të siguronte pushtetin vetëm nëpërmjet koalicioneve të rastit – bile të ngritur me partitë e pakicave kombëtare. Si përfundim, gjatë periudhës 2000 – 2002, LDK pësonte disfatë të rëndë në 9 komuna dhe humbiste terren – nga 10 deri 19 pikë – në 26 komunat shqiptare (gjithsej 30). Rivali i saj i drejtpërdrejtë PDK ruante 6 komunat e zonë së Drenicës, djepi historik i UÇK ; në 4 komuna, ajo përbënte shumicën absolute ndërkohë që dy të tjerat i ruante falë gjëndjes së saj si forcë kryesore. Zaten, në rang krahine PDK realizonte rezultate të ngjashme me ato të zgjedhjeve të mëparshme – 30% përkundrejt 27% në vitin 2000 – ndërkohë që avanconte dukshëm në shtrirjen e saj territoriale – në 15 komuna, ajo realizonte deri 10 pikë më tepër. E papritura vinte nga AAK, e cila realizonte rezultatin e saj më të mirë – një prezencë të fuqishme në 3 komunat e rajonit të Dukagjinit që përbënte edhe bazën e saj zgjedhore. Por fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve ishin partitë e pakicave që në bllok realizonin 15% të votave, duke përfshirë edhe zgjedhësit serbë që morrën pjesë për herë të parë në zgjedhjen e përfaqsuesve të tyre në 5 zonat e mbrojtura ku përbënin shumicën e popullsisë (duke shtuar edhe Novo Brdon et Strpcen në numrin e komunave të tyre). Në mënyrë të dukshme, procesi i demokratizimit, i vendosur me rastin e zgjedhjeve të para vendore të vitit 2000, kish filluar të jepte frutet e tij : nëpërmjet riekuilibrimit të forcave në terren, ai i hapte rrugën konkurrencës mes formacioneve politike në gjirin e pushtetit lokal.
Beteja elektorale në të cilën partitë politike shqiptare ishin hedhur me forca të shumëfishuara mezi fshihte një realitet të hidhur që bezdiste, një pyetje që shqetësonte cilindo : Cili do të ishte statusi i ardhshëm i Kosovës ? Edhe më teveqeli i zgjedhësve mund të shihte kjartë që lidhur me këtë subjekt, të gjitha partitë politike shqiptare afishonin ambicje analoge, të cilat shprehnin dëshirën e përgjithshme të shumicës dërrmuese të trupit elektoral. Nëse çfaqeshin tendenca qëndërikëse, ato motivoheshin nga mënyrat e ndryshme të perceptimit të këtij realiteti, nga llojshmëri të natyrës doktrinare të lidhura me të kaluarën, nga variantet e kulturës politike që dominonte në rradhët e tyre dhe së fundi, nga imperativa të natyrës materiale. Në këtë stad të zhvillimit të jetës politike, çfaqja e mosmarrëveshjeve mes partive i bindej një logjike partizane, e udhëzuar që prej kohësh dhe që synonte veç në mënyrë indirekte rimëkëmbjen e vlerave të tilla sikundër demokracia, qytetaria ose respekti i diferencave – që gjithmonë i kanë munguar botës ballkanike që është e tyrja. Ndërkohë që realiteti i përditshëm kërkonte që të propozonin zgjidhje ndaj problemeve tepër të prekshme dhe të përditshme si papunësia, pasiguria, kriminaliteti ose edhe degradimi i kushteve të jetesës, që të gjitha partitë politike – pa asnjë përjashtim – tregonin me gisht këtë status si përgjegjësin kryesor të të gjitha të këqiave. Asgjë s’mund të zgjidhet pa një status të përcaktuar, askush nuk ngutet për të zgjidhur çështjen e statusit – kjo strategji tepër komode, e adoptuar nga aktorët politikë kosovarë i vendoste këta të fundit jashtë realitetit konkret dhe i pajiste me një përmasë profetike.
Ndërkohë, popullsia e Kosovës, e mbytur nga akumulimi i vështirësive të përditshme, e përhumbur nga mungesa e perspektivave ekonomike në horizont, e zhgënjyer nga ngadalësia dhe nga dualizmi i institucioneve, e shastisur nga shpërthimi i pabarazive sociale dhe nga akumulimi i pasurisë në duart e disa « fatlumëve » u vu në kërkim të dashit të kurbanit. E shtytur nga një rini e shumtë dhe e ngeshme – e mëkuar që në djep me mitin e UÇK – krahina i ngjante tenxheres me presion, gati për të shpërthyer me goditjen më të vogël. Mjaftoi një zhurmë, disa dyshime dhe pak shenja që dhuna të frymëzojë turmën në mars të vitit 2004, duke prodhuar një goditje të tmerrshme : 11 të vrarë mes shqiptarësh dhe 8 mes serbëve, 950 të plagosur, 935 shtëpi dhe ndërtesa publike të dëmtuara ose të djegura, pa llogaritur ato tridhjetë kisha, 4.000 serbë dhe romë të çvendosur drejt zonave të mbrojtura nga forcat e KFOR-it (shënimi 4). Përballë valës së indinjatës të ngritur në mbarë botën, burrat politikë lokalë ndoshta mundën të kuptonin se sa e rrezikshme ishte të manipulonin një lëndë të tillë plasëse.
Megjithatë, ishte rasti që ata të kqyrnin në sy realitetin : atë të një krahine të banuar në 90% të saj nga shqiptarët, ku banojnë gjithashtu – me hir ose pahir – pakica kombëtare serbe dhe malazeze, romë dhe ashkalinj, turq dhe boshnjakë ose dhe goranë, të cilët së bashku bëjnë apo nuk bëjnë 10%. Sipas logjikës së shifrave, pakicat nuk paraqisin asnjë rrezik – bile krejt e kundërta, ato veçse mund të përforcojnë trashëgiminë kombëtare e cila pasurohet me kontributin e larmisë dhe të diferencave, në vend që të mbyllet brenda uniformizmit « të pastër » të etnisë. Asnjë vend evropian dhe ende më pak ballkanik nuk i shpëton prezencës së pakicave – ato historike vendase, të tjera të sjella nga emigracioni ose të krijuara në vend për shkak të pabarazive sociale, të pangjashmërive të rendit moral ose të natyrës fetare. Këtë përvojë të pakicës, kosovarët e njohin mirë si brenda dhe jashtë krahinës së tyre, ndoshta më shumë se dikush tjetër. Së fundi, dinamikat e ndryshme demografike të grupit dominant dhe të pakicave, tepër të favorshme për të parin, sjellin një garanci shtesë dhe një përmasë qetësuese kohore.
Nga momenti që konstatohet një deficit në zemërgjerësinë e njerëzve, një pasiv në lëminë e tolerancës të grupit, një borxh ndaj qytetarisë të komunitetit ose së fundi, një mungesë vlerash të shoqërisë – edhe sikur të jenë vepër e individëve të plagosur nga e kaluara, të shtypur nga dhimbja, të verbuar nga urrejtja ose të asgjësuar nga humbja e njeriut të dashur – i takon atij më të të vetëdijshmit, njeriut politik, që të shmangë tundimin për t’i shëndrruar në një motiv fushate, në një kapital të thjeshtë elektoral. Eshtë gjithashtu në detyrën e këtij njeriu që të ruajë qartësinë e vështrimit dhe të arsyes dhe kur t’i vijë rradha, t’i bëjë thirrje edhe logjikës elementare : pas gjithë atyre çka kish pësuar Kosova, pas atij gjesti të pashembullt të bashkësisë ndërkombëtare që nuk hezitoi të hidhet në luftë të vërtetë për t’ju dhënë mundësi atyre 850.000 kosovarëve të rifitonin nderin, pasurinë deri edhe krahinën e tyre – të vinin në vend dinjitetin, fati i pakicave etnike përbën një referencë. E thënë ndryshe, sipas standardeve të vendosura në Evropë, të cilës jemi krenarë që i përkasim, aftësia e gjithë shoqërisë për t’u demokratizuar dhe për të administruar çështjet e përbashkëta gjykohet në lidhje me shkallën e tolerancës ndaj pakicave, ndaj vullnetit që ajo tregon për të integruar grupe të ndryshme nga pikpamja etnike ose fetare, ndaj forcës të saj për të respektuar të drejtat e njeriut. E parë nëpërmjet këtij prizmi, asgjë nuk është më e rëndësishme se sa e ardhmja e një vendi dhe e një populli.

Zaten, edhe një fije gjykim i shëndoshë mjafton për të vëzhguar kushtet e vështira të jetesës të pakicave. Rikthimi i rrefugjatëve shqiptarë u shoqërua nga një valë dhune të natyrës etnike e cila preku jo vetëm pakicën serbe që ndodhej ende në vend por njëkohësisht edhe pakicat sllavofolëse (goranë, boshnjakë ose rome – shënimi 5), pa mundur të kursejë as edhe popullatat shqipfolëse (ashkalinjtë), shqiptarët katolikë dhe së fundi turqit. Aktualisht, pakica serbe e Kosovës e cila jeton e përqëndruar në territorin e tre komunave të veriut dhe në një pjesë të qytetit të Mitrovicës (rreth 75.000 vetë), në dy komunat e juglindjes (Strpce et Novo Brdo) si dhe në disa zona të izoluara (Kosovo Polje, Graçanica – pranë Prishtinës), nën mbrojtjen e forcave të KFOR-it numëron rreth 130.000 vetë. Në të kundërt, ajo mungon thuaj tërësisht në qytetet e mëdha të krahinës. Vazhdimisht nën presion, herë herë e agresuar por kryesisht tepër mosbesuese ndaj institucioneve të krahinës si për shembull UNMIK-u, ajo është vetëizoluar në një politikë tejflakjeje pasi, megjithë nismat ndërkombëtare, ajo përballon me vështirësi tejet të madhe ndjenjën e saj të të qenit e pambrojtur. Kjo gjë e shtyn të shohë gjithmonë e më tepër drejt Beogradit, të cilin e konsideron si mbrojtësin e saj të natyrshëm dhe të vetëm gjë e cila, natyrisht, nuk lehtëson aspak dialogun në planin lokal.
Bashkësia rom/cigane, dikur fort e madhe në numër (43.000 sipas vlerësimeve evropiane, 60.000 sipas OJQ dhe 200.000 sipas burimeve të saj) është një nga më të dendurat e mbarë Ballkanit – në atë pikë saqë shpesh merrej si shembull kur flitej për integrim, dhe jeton një gjendje tepër të vështirë. Ndërkohë e fragmentuar në disa përbërës – rom, ashkali si dhe egjiptiane – për shkak të interesave të saj të ndryshme, e shpërndarë në një varg zonash të mbrojtura ose në kampe rrefugjatësh, ajo shket drejt mizerjes, fundoset në harresë dhe ëndrra e saj e vetme është të ikë sa më larg, drejt perëndimit për t’u rrënjosur gjetkë.


————————


(1) Shih mbi këtë subjekt : Kolë GJELOSHAJ – La question du Kosovo : instrumentalisation et lutte interne, Confluences Méditerranée N°30 Été 1999. sikundër dhe : Fred COCOZZELLI – Political parties in Kosovo, 2003, Quarterly 11 (Winter 2004).

(2) Përveç Hakerupit, teksti u nënshkrua edhe nga dy përfaqsues kosovarë të CAI-së, Rugova dhe Haradinaj. Thaqi nuk pranoi të vinte nëshkrimin e tij mbi këtë dokument pasi, sipas tij, ai nuk shkonte aq larg sa duhej në vendosjen e mjedisit shtetëror në Kosovë. Duhet theksuar se, jo vetëm se CAI nuk zotëronte pushtet legjislativ dhe si pasojë – nënshkrimet e antarëve të tij ishin të zhveshur nga çdo vlerë juridike, por njëkohësisht kjo procedurë nuk bënte pjesë në praktikat e UNMIK-ut përsa i përket aprovimit të rregulloreve dhe direktivave të veta.

(3) Sipas Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSCE), zgjedhjet legjislative të 17 nëntorit 2001, rregjistruan një pjesëmarrje globale të 64% të zgjedhësve (65% për bashkësinë shqiptare të Kosovës, 46% për bashkësinë serbe – një elektorat që përfaqsonte 1.249.987 të rregjistruar në listat zgjedhore). Ndërmjet 26 subjekteve elektorale, vetëm 4 formacione politike tejkaluan nivelin e 2% : LDK e Rugovës që morri 45,7% të votave, PDK e Thaçit me 25,7%, Koalicioni për Kthimin e Serbëve Povratak me 11,3% dhe së fundi, AAK e Haradinajt me 7,8%. Formacionet e tjera grumbullonin 9,5% të numrit të votave. Projeksioni në vende në gjirin e Kuvendit të Kosovës (120 vende në total nga të cilat 20 të rezervuara paraprakisht për pakicat kombëtare – 10 për serbët, 4 për romët dhe ashkalinjtë, 3 për boshnjakët, 2 për turqit dhe 1 për goranët) dha shifrat e mëposhtme : LDK 47 vende, PDK 26 vende, AAK 8 vende, LKÇK 1 vend, LPK 1 vend, Partia e të Drejtës PD 1 vend, Partia Shqiptare Demokrate e Krishterë PSHDK 1 vend, Koalicioni Povratak (serb) 22 vende, Vatan (boshnjakë/goranë) 4 vende, Partia Boshnjake e Aksionit Demokratik BSDAK 1 vend, Partia Turke Demokrate e Kosovës KTDP 3 vende, Partia Demokratike Ashkali Shqiptare e Kosovës PDASHK 2 vende, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës IRDK 2 vende, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës PREBK 1 vend. Nëpërmjet këtyre shifrave dalin fare qartë përmasat e koncesioneve të bëra ndaj pakicave etnike : me vetëm 5% ose 6% të popullsisë të krahinës, pakica serbe gëzon më tëpër se 18% të vendeve të Kuvendit ndërkohë që gjithë pakicat së bashku (rreth 10% e popullsisë) marrin 35 vende, ose 29% të hapësirës legjislative dhe parlamentare të krahinës.

(4) Lidhur me detajet e ngjarjeve të marsit 2004 në Kosovë si dhe për të kuptuar dinamikën e këtyre ngjarjeve, shih : James PETTIFER – Kosovo Mars 2004- The Endgame Begins, Conflict Studies Research Centre, Balkan Series 04/04, mars 2004.

(5) Numri i të shpërngulurve është çmuar me mbi 200.000 vetë sipas UNCHR, ndërkohë që burimet serbe flasin për 280.000 vetë. Grupi i parë i këtyre të shperngulurve (230.000 vetë) përfaqson ata që jetojnë ende në Serbi ose në Mal të Zi. Bëhet fjalë kryesisht për persona të origjinës serbe dhe malazeze por njëkohësisht edhe romë, goranë ose boshnjakë. Anketat e kryera tregojnë se një pjesë e tyre ka filluar një jetë të re dhe nuk dëshiron të rikthehet prapa (një e treta), një tjetër e tretë prët me padurim krijimin e kushteve për t’u rikthyer në Kosovë. Përsa i përket mbetjes, ata i përkasin kategorisë të të pavendosurve. Grupi i dytë jeton në kampet e Maqedonisë, kryesisht romë, ashkalinj ose egjiptjanë nga të cilët vetëm 3.000 janë të shkruar në listat e UNCHR. Një grup i tretë përbëhet nga persona të çvendosur brenda përbrenda Kosovës ; sipas UNHCR këta të fundit janë 22.500 dhe jetojnë gjithmonë larg vatrave të tyre (serbë, romë, ashkalinj, goranë sikundër dhe shqiptarë). Mbi këtë çeshtje, shih : International Crisis Group (ICG) – Retourn in incertainty ; Kosovo’s Internally Displaced and the Retourn Process, Balkans Report N° 139, Prishtina/Brussels, december 2002

Kosova paslufte – Ground Zero.

Gusht 5, 2008
Toka e Shenjtë e njërit dhe Palestina e tjetrit përbëjnë
dy faqe të ndryshme të të njejtës dhe të vetmes medalje :
ajo e marrjes së shpagës nga ana një shumice të çliruar dhe
fitimtare, e cila, në emër të historisë ju shkakton të tjerëve po
ato vuajtje që ka hequr vetë, gjatë periudhës së skllavërisë së saj.

Lufta e parë e NATO-s në Evropë kundër Serbisë së Millosheviçit mbetet ende për numër të madh evropianësh një akt i nxituar, i parakohshëm dhe me pasoja të rënda për të ardhmen e kontinentit. Të gjithë kundërshtarët e këtij akti nënvizojnê faktin se, edhe kësaj here, Evropa ju nënështrua vullnetit amerikan për të rivendosur rendin ndërkombëtar në një ekspeditë ushtarake në kufij të hapësirës të Evropës perëndimore, motivet e afishuara të të cilës ishin arsyet morale dhe humanitare.

Çfarëdo që mund të thuhet lidhur me arsyet – ose mbi mungesën e arsyeve – të këtij konflikti, mbi interesat (ose mbi mungesën e interesave) strategjike të evropianëve dhe të amerikanëve në këtë qoshe të Evropës (shënimi 1) ose së fundi lidhur me ortekun e ngjarjeve që rrezikonin të shpërthenin në Ballkan, përpara syve të shqiptarëve ishte luajtur episodi më i papritur i historisë së tyre të shkuar ose të tashme : për herë të parë, një koalicion fuqish – më i fuqishmi i planetit mbarë – kish ndërhyrë ushtarakisht në mbrojtje të të drejtave të tyre. Një Kosovë e çliruar nga sundimi serb ishte një dëshirë e madhe dhe e brendshme e kosovarëve që realiteti brutal e kish reduktuar në nivelin e një fiksioni të pastër ; breza të tërë patriotësh ishin sakrifikuar e vetëm pasi kishin guxuar ta ëndërronin. Vetëm prezenca e një ushtrie të NATO-s mbi tokat e krahinës – me ata 40.000 ushtarakët e saj – përbënte elementin që nuk lejonte të përzihej ëndrra me realitetin. Ky argument me peshë përcaktoi edhe rikthimin e atyre dhjetra dhe qindra mijra rrefugjatësh kosovarë në tokat e tyre, në hullinë e trupave aleate.

Ashtu siç mund të imagjinohej, shpërndarja e dispozitivit ushtarak ndërkombëtar mbi territorin e Kosovës – dispozitiv që nisej nga Shqipëria dhe Maqedonia fqinje, në mes të cilit marrshonte dhe UÇK-ja – kërkoi tërheqjen e menjëhershme të trupave ushtarake dhe policore serbe. Kjo tërheqje mori përmasat e një ekzodi por kësaj here drejt veriut, pasi një numër i madh banorësh serbë të krahinës, mes të cilëve paraushtarakë dhe milicë që kishin marrë pjesë në masakrat kundër civilëve shqiptarë, preferoi të braktiste Kosovën nga frika e reprezaljeve. Përpjekja e rregjimit të Millosheviçit për t’i dhënë fund një herë e mirë irredentizmit shqiptar me qëllim rivendosjen e ekuilibrit etnik në Kosovë kish prodhuar rezultate krejt të kundërta ndaj atyre të menduara : ndërkohë tejet i çekuilibruar në favor të shqiptarëve përpara luftës, tashmë ky ekuilibër u komprometua një herë e mirë dhe në mënyrë të pakthyeshme.

Pamjet e transmetuara nga mediat e botës mbarë gjatë muajve të tërë ishin ato të një pikëllimi të thellë : fshatra të tëra të djegura, gropa të përbashkëta të mbushura me kufoma, njerëz që mundoheshin të gjenin reflekset elementare të një jete nën tenda ose mes gërmadhave.

Sipas raportit të depozuar në nëntor 1999, përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Jugosllavinë, Karla del Ponte, në Kosovë kish patur 11.000 të vrarë dhe të varrosur në gropa të përbashkëta si dhe në vende të tjera të shfarosjes, ndërkohë të repertoruara. Gjatë muajve të para të anketës, ishin shvarrosur 2.100 trupa në 195 gropa të përbashkëta ndërkohë që 6.000 të tjerë prisnin që të kqyreshin në gropa të tjera ende të pa vizituara. Raportet e shtypit dhe tregimet e dëshmitarëve prezent në vendin e ngjarjeve vërtetonin tezën e një programi të shkatërrimit masiv, të menduar dhe të egzekutuar nga forcat serbe në Kosovë. Vrasja ishte një nga elementët e aksionit serb, ndërkohë që një element tjetër ishte dëbimi i dhunshëm i kosovarëve : një million persona u hodhën jashtë kufijve ndërkohë që gjysëm milioni të tjerë u çvendosën brenda krahinës. Në total, 90% e popullsisë shqiptare të krahinës u dëbua me dhunë nga shtëpitë dhe nga tokat e tyre. Me dhjetra mijra shtëpi (ndoshta 40.000) në 1.200 qytete, fshatra dhe qendra të tjera të banuara ishin shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Pamja bëhet edhe më e plotë po qe se shtojmë edhe çfaqje të tjera të aksionit të forcave serbe : vjedhja sistematike e pronës private dhe të tregtoreve, internimet dhe burgosjet e burrave kosovarë në qendrat e burgimit në Serbi, egzekutimet e menjëhershme dhe pa gjykim, shvarrosja e trupave me qëllim shkatërrimin e provave, grabitja dhe dhunimi i femrave, dhunimi sistematik i paanshmërisë mjeksore – duke përfshirë edhe shkatërrimin e disa dhjetra ose qindra qendrave shëndetsore, spitale dhe të tjera farmaci dhe së fundi, konfiskimi dhe shkatërrimi i dokumentave personale të kosovarëve – pasaporta, letrat e njoftimit, titujt e pronësisë etj (shënimi 2).

Të lënduar në shpirt, kosovarët kishin filluar të kuptonin shtrirjen e katastrofës gjenocide dhe i vetmi mesazh shprese vinte nga dridhja e dellit të tyre nacionalist, krenarë pasi ishin të lirë.

Më mirë duhej thënë që kishin hequr qafe ushtrinë dhe policinë serbe pasi bashkësia ndërkombëtare dhe shoqëria civile e porsalindur kosovare nuk ndanin të njejtat përfytyrime lidhur me të ardhmen e krahinës. Duke patur të rrënjosur në shpirt principet e shenjtëruara të Kartës së Kombeve të Bashkuara si edhe përgjegjësinë e tyre përkundrejt ruajtjes dhe sigurimit të paqes ndërkombëtare – aq më tepër në kuadrin tragjik të katastrofës humanitare që kish goditur Kosovës – Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kish përcaktuar edhe suazën e ardhshme politike, brenda të cilës do të zhvillohej vendi gjatë viteve të ardhshme. Bëhej fjalë për Rezolutën N° 1244. Ky dokument përcaktonte një autonomi qenësore për Kosovën, duke patur parasysh termat e Marrëveshjes së Rambujesë si dhe principin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Republikës Federative të Jugosllavisë – nën mbrojtjen e një force ndërkombëtare të sigurimit në vend dhe nëpërmjet administrimit të një force të dytë, kësaj rradhe civile. Me qënëse se forcat e armatosura të NATO-s ndërkohë të instaluara në vend mund të konsideroheshin si forcë siguruese, OKB dërgoi në Kosovë Serxhio Vieira de Mello, i shoqëruar nga një grup administratorësh civilë. Shumë shpejt, kjo shtyllë e parë e ndërhyrjes civile ndërkombëtare do të ndiqej nga tre të tjera : ajo e ndihmës humanitare të popullatës (nën tutelën e UNCHR), ajo e rindërtimit dhe e demokratizimit institucional (me mbështetjen e OSCE) si edhe ajo e rindërtimit material (e përkrahur nga BE). E mbështetur kështu mbi këto katër shtylla, ndërtesa OKBjane mund të ngrinte në të ardhmen pushtetet legjislativë, egzekutive dhe gjyqësore të Kosovës së re.

Më pak se tre muaj më vonë, de Mello i lëshoi vendin Bernard Kushnerit, Përfaqsuesit të ri të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, një rol i zgjedhur sipas talenteve të french doctor – babai të drejtës së ndërhyrjes në punët e brendshme për arsye humanitare. Detyra e tij e parë ishte çmontimi i « strukturave paralele », e thënë më thjesht zbutja dhe çarmatimi i UÇK-së, përpara se të « organizonte dhe mbikqyrte vënien në vend të strukturave të përkohshme për një vetëadministrim autonom dhe demokratik, duke pritur gjetjen e zgjidhjes politike, e veçanërisht përgjatë zgjedhjeve ».

Të përfshirë në zallahinë e papërshkrueshme të rrefugjatëve dhe të përmbytur nga ato qindra shoqata humanitare dhe të tjera organizata jo qeveritare (OJQ) që merrnin pjesë në rindërtimin e vendit në gërmadha (shënimi 3), KFOR-i dhe UNMIK-u mundën të shënonin një pikë të rëndësishme nëpërmjet imponimit të çarmatosjes dhe çmilitarizimit të UÇK. Përballë ngurrimit të shqiptarëve, gjenerali Xhakson dhe kolegu i tij Kushner propozuan një rrugëdalje globale : së pari, të ruhej një pjesë e vogël e efektivave në kuadrin e një force lokale ; së dyti, t’i hapej rruga shëndrrimit të saj në një formacion politik dhe së treti, të sigurohej kalimi i pjesës më të madhe të ish luftëtarëve drejt jetës civile. Të parët që e pranuan këtë marrëveshje ishin ushtarakët e vjetër, të cilët dhe e nënshkruan në 20 qershor. Të inkuadruar nga instruktorët e NATO-s, atyre ju desh të shkëmbenin rrobat laramane të luftëtarëve të maleve me uniformën më diskrete të TMK – Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, një trupë prej 3.000 ushtarakësh të përhershëm dhe 2.000 rezervistësh, e armatosur fare lehtë dhe e destinuar përgjithësisht për të kryer misione të natyrës civile. Për të pafatët mbetej një rrugëzgjidhje e fundit : gjysma e vendeve të Shërbimit Policor të Kosovës (KPS) – një trupë e re nën urdhrat e policisë ndërkombëtare të UNMIK-ut.
Përsa i përket elementëve më të politizuar të UÇK-së, ata u grupuan nën drejtimin e Hashim Thaçit dhe në tetor të vitit 1999, shpallën krijimin e një formacioni të ri politik – Partia për Prosperitetin Demokratik të Kosovës (PPDK), e cila në vazhdim braktisi anën e saj « të begatë » për tu shëndrruar thjesht në në parti Demokratike të Kosovës (PDK).

I pari forum konsultativ ndërbashkësior, i krijuar nga ana e OKB në Kosovë, qe Këshillit të Tranzicionit të Kosovës (CTK) (shënimi 4). Ai mblidhte forcat kryesore shqiptare të krahinës – PPDK (2 përfaqsues ndër të cilët Thaqi), LDK (2 përfaqsues ndër të cilët Rugova), LBD (2 përfaqsues ndër të cilët Qosja) – përfaqsuesit e pakicës serbe (2), përfaqsuesit e pakicës boshnjake (1) si dhe turke (1) dhe së fundi 2 personalitete të pavarura. Rugova këmbënguli për të mos marrë pjesë në seancat e CTK-së pasi, sipas tij, Këshilli kish injoruar egzistencën e partive të tjera sipër shembull Demokristiane. Disa ditë më vonë, ishin përfaqsuesit serbë që braktisën Këshillin në shenjë proteste kundër persekutimeve ndaj të cilat ata ishin ekspozuar. Duhej pritur fundi i muajit gusht 1999 për të parë CTK të mbledhur me të gjithë antarët e tij. Në shtator ishte rradha e Thaqit që të bojkotonte seancat për të protestuar kundër zgjidhjeve « arbitrare » të UNMIK-ut si dhe të persekutimeve kundër personit të tij. Vetëm në dhjetor, Kushneri mundi të mbledhë udhëheqësit shqiptare rreth një tryeze për t’ju njoftuar shkrirjen e CTK-së së vjetër dhe krijimin e një Këshilli Administrativ të Përkohshëm (CAI) më të ngushtë, si pjesë përbërëse e një Strukture Administrative të Përkohshme të Bashkëngjitur (SAIJ).

Ndërkohë, roli gjithnjë e në rritje i Thaçit në gjirin e Këshillit të Tranzicionit dhe në mënyrë të veçantë marrja e pozave të tij në rolin e « Kryeministrit » të përkohshëm të një qeverie të vetëshpallur, pezmatuan thellë shokët e tij të vjetër guerrilas. Duke ndjekur shembullin e Bardhyl Mahmutit, i cili ishte i pari që braktisi barkën UÇK, duke krijuar në korrik të vitit 1999 partinë e vet të Bashkimit Demokratik (PBD), dy formacione të tjera politike panë dritën e diellit. Në maj të vitit 2000, një ish-komandant i UÇK, Naim Maloku shpallte krijimin e partisë së tij të Qendrës Liberale (PQLK), dhe me këtë rast ai shprehte edhe synimin që të realizonte një afrim me të moderuarit e Rugovës dhe të maturit e Thaçit. Ndërkohë, një tjetër ish-komandant i UÇK, Ramush Haradinaj shpallte krijimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila tërhoqi me këtë rast gjithë « krahun e majtë » të PDK.

Në maj të vitit 2000, aleanca e Haradinajt përmblidhte disa parti të vogla radikale që ndërkohë kishin braktisur kampin Thaqi. Artizani kryesor i rikompozimit të « të majtës » kosovare ishte Partia Revolucionare Shqiptare (PRSH), një formacion enverist i krijuar në vitin 1992 që qëndronte në kontradiktë të hapur me UÇK-në lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë. Projekti i saj fillestar për të krijuar një hapësirë ballkanike shqiptare nëpërmjet një « Fronti Kombëtar Shqiptar i Përbashkët » u braktis përballë ngurrimit të lëvizjeve të tjera të ngjashme të cilat ishin të mendimit të krijohej një « Front i Bashkuar i të Majtës ». Keto të fundit qenë formacione të vjetra ilegale siç është rasti i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) – e rishkrirë pas vetëshpërndarjes së LPK originale në qershor të vitit 1999, Lëvizje Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), partia Parlamentare e Kosovës (PPK), Partie e unitetit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB) dhe së fundi Partia Republikane Shqiptare (PRSH) – e cila nuk duhet ngatërruar me tjetrën PRSH revolucionare (5).

Sidoqoftë kompromisi fillestar mes strukturave OKBjane dhe UÇK-së tregoi shpejt kufijtë e vet. Duke përfituar nga mungesa e qëllimshme e LDK në gjirin e instancave të qeverisjes së përkohshme të Kosovës dhe nga vetë fakti që UNMIK-ut i mungonin burimet e mjaftueshme njerëzore dhe logjistike për t’u shtrirë mbi territorin e krahinës, partia e Thaçit vuri nën kontrollin e saj ato 27 komunat ku shqiptarët përbënin shumicën absolute. Ky çekuilibër i hapur mes raportit të forcave politike dhe atyre egzekutive favorizoi mes të tjerash shpërthimin e një vargu të gjatë aktesh dhune të ushtruara ndaj shtresave më pak të mbrojtura të popullsisë dhe s’ish për t’u habitur nëqoftë se viktimat e para të kësaj fushate të ishin pakicat serbe dhe rome të krahinës. Pasoja tjetër ishte kriminalizimi i disa segmenteve të shoqërisë kosovare që, duke përfituar nga mungesa e presionit ligjor dhe nga situata politike e krijuar, u implikuan në një varg trafiqesh fitimprurëse. Përsa i përket Lidhjes së Rugovës, asaj ju desh të paguante shtrenjtë çmimin e qëndrimit të saj abstenues : një numër i militantëve të saj duke përfshirë edhe disa përgjegjës të lartë mbetën viktima të atentateve dhe të vrasjeve që nuk mundën të zbardhen kurrë.

Ky shpërthim dhune në nivelin lokal u shoqërua edhe me incidente të rënda në zonat kufitare të Kosovës. Turbulencat e para u sinjaluan që në vjeshtën e vitit 2000 në luginën e Preshevës, në territorin e Serbisë lindore -në një rajon ku jetonte një pakicë mjaft e rëndësishme shqiptare. Në të vërtetë, një formacion i ri ushtarak, Ushtria Çlirimtare e Presheves, Medvegjës dhe e Bujanovcit (UÇPMB) – deklaroi implikimin e vet në vrasjen e disa civilëve serbë dhe shqiptarë, të dyshuar për bashkëpunim, përpara se të sulmonte objektet ushtarake të ushtrisë serbe. Disa mijra rrefugjatë u hodhën në Kosovë dhe në Maqedoni – një epizod i ri i atij ekzodi të filluar në korrik të vitit 1999. Duke ju druajtur një përhapjeje të konfliktit në zona të tjera të Ballkanit, KFOR-i i cili numëronte tashmë 50.000 vetë, të ardhur nga 30 vende të ndryshme të botës, ndërhyri në mënyrë energjike dhe bllokoi kufijtë lindorë të Kosovës ndërkohë që ndërmerrte një varg bastisjesh në komunat e zonës në kërkim të armëve të fshehura. Vatëm një marrëveshje mes rrebelëve të UÇPMB dhe autoriteteve serbe, nën mbikqyrjen e forcave ndërkombëtare si dhe me ndërmjetësimin e Thaçit, mundi t’i japë fund këtij konflikti. Ndërkohë vatra e tensionit ishte çvendosur drejt Maqedonisë.

Që në janar të vitit 2001, zonat e Maqedonisë perëndimore u përfshinë në një dinamikë të re trazirash të brendshme të shoqëruar me akte dhune. Tashmë një UÇK e re (Ushtri e Çlirimit po e po por kësaj rradhe Kombëtare) u hodh në një varg aksionesh të armatosura kundër pushtetit të Shkupit, në përgjigje të « shtypjes të egër të ushtruar mbi pakicën shqiptare nga ana e FYROM-it ». Pas ndërhyrjes së ushtrisë së rregullt maqedonase dhe në vazhdim të ofensivave dhe kundër-ofensivave reciproke që shkaktuan disa qindra viktima dhe disa dhjetra mijra rrefugjatë të rinj gjatë periudhës mars – korrik 2001, NATO vendosi të ndërhyjë duke dërguan njësitë e saj në territorin maqedonas në rolin e forcës distancuese. E parë nga larg, nuk linte pikë dyshimi që zhvillimet e reja në mjedisin shqiptar të Ballkanit kishin një lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me Kosovën si dhe me UÇK-në e vjetër, që pas « shkrirjes » të saj kish nxjerrë në tregun e punës gati 20.000 veteranë të luftës të çmobilizuar.

Sipas pikpamjes të administratorëve ndërkombëtarë, kjo situatë ishte rrjedhim i egzistencës të « strukturave paralele », të trashëguara nga e kaluara dhe tepër aktive në territorin e Kosovës : fillimisht ishte « Qeveria e Përkohshme e Kosovës » e PPDK me « Kryeministrin » e vetëshpallur Thaçi ; pastaj vinte « Parlamenti i Republikës së Kosovës » i kontrolluar nga LDK me « Presidentin » e saj Rugova, pa llogaritur më tej « këshillat bashkiake», të zgjedhura në zonat homogjene serbe. Sejcila prej tyre dispononte infrastrukturën e saj, fonde të vetat deri edhe milici të vetat. Por, pika që mbushi dhe derdhi gotën ishte mbajtja e një sesioni të « Parlamentit të Kosovës » në Prishtinë, në 31 janar 2000, në të njejtën ditë kur UNMIK-u deklaronte vendimin e tij për të shpërndarë të gjitha « strukturat paralele ». Kjo instancë që nuk ish mbledhur kurrë që prej krijimit të saj në vitin 1991, pati rastin të kqyrë « paradën » e Presidentit të tij Rugova dhe të dëgjojë një raport pune të « Kryeministrit » Bukoshi, i shoqëruar nga të gjithë antarët e « qeverisë » së tij në mërgim. Sigurisht, ky manifestim i forcës legjislative të LDK-së u kritikua me zjarr nga antarët e CAI, ndërkohë që Përfaqsuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (RSSG) u detyrua të ndërpriste punimet e CAI-së dhe të SAIJ-së për të detyruar Rugovën dhe Bukoshin që të hiqnin dorë publikisht nga titujt e tyre respektivë. Përsa i përket fondeve të « Republikës së Kosovës », Bukoshi nuk pranoi t’i vinte në dispozicion të UNMIK-ut deri në krijimin e një Fondacioni, i cili përfundimisht u ngarkua me administrimin e tyre.

Duhet zhbërë e kaluara me qëllim që të ndërtohej sa më mirë e tashmja – ja edhe metoda UNMIK, e cila mbështetej në riekuilibrimin e pushtetit egzekutiv ndërkohë që shpallte pavlefshmërinë e sistemit ligjor të vulosur nga Millosheviçi, si pasojë e anullimit të statusit të dikurshëm të Kosovës. Me fjalë të tjera, nga pikpamja ligjore, Kosova rikthehej prapa – në gjendjen që ndodhej në atë vitin e paharruar 1989. Ishte një veprim i guximshëm dhe i domosdoshëm pasi nga njëra anë kjo strategji tërhiqte vëmendjen – dhe mirënjohjen e forcave politike shqiptare – ndërkohë që nga ana tjetër, ajo vendoste kushtet e nevojshme ndaj funksionimit të Strukturave Administruese të Përkohshme të Përbashkëta. Këto të fundit, të përbëra nga personeli ndërkombëtar dhe ai kosovar, duhej të vepronin sipas parimit të bashkëpërgjegjësisë. Arbitrariteti i plotfuqishëm ndërkombëtar i linte kështu vendin dualizmit administrativ.


———————————

(1) Shih : Ignacio RAMONET – Raisons et déraisons d’un conflit, në : La nouvelle guerre des Balkans, Le Monde Diplomatique, mai-juin 1999. Nënvizojmë mes të tjerash që sipas Ceroviç, ndërhyrja ushtarake e forcave të aleancës pasqyron një vullnet të hegjemonisë amerikane mbi Evropën nëpërmjet NATO-s, sipas një mendimi tipik të revanshit të çliruar nga personalitete të tilla politike si Brzhezinski ose Ollbrajt. Shih : Stanko CEROVIC – Dans les griffes des humanistes, Éd. Climats, Castelnau-le-Lez, 2001..

(2) Për detaje të tjera shih : Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting, U.S. State Department Report, December 1999.

(3) Sipas shifrave të publikuara nga Kombet e Bashkuara, gjatë fazës së kthimit të rrefugjatëve dhe dimrit që vijoi, popullsia e Kosovës përfitoi 160.000 tonë ndihmë ushqimore, 60 tonë rroba të ndryshme, 87.000 m3 dru për ngrohje, 55.000 montazhe strehimesh urgjence ose tenda, 45.000 soba ngrohjeje si edhe 4.200 strehime me çati të vërtetë, pa llogaritur përpilimin e një programi të tërë të rindërtimit që duhej të lejonte rikthimin në të banueshme të shtëpive të dëmtuara (120.000 shtëpi të prekura, 50.000 të pariparueshme dhe 50.000 të dëmtuara mbi 50%) Shih : Eric CHEVALLIER – L’ONU au Kosovo : leçons de la première MINUK, Occasional Papers, N° 35, Institute for Security Studies, UE, mai 2002.

(4) Shih : Marcus BRAND – The development of Kosovo Institutions and the Transition of Authority from Unmik to Local-Self Government, Center for Applied Studies in International Negotiations – CASIN Mission Statement, Geneva, january 2003.

(5) Shih mbi këtë subjekt : Andrea FERRARIO – le forze politiche eredi dell’UÇK, rassegna delle forze politiche kosovare dopo le elezioni amministrative, settembre 2000; dans : http://www.ecn.org/balkan/0009kosovaerediuck.html.

Marksi, von Mises dhe Gëzimi.

Korrik 28, 2008
. Mes të tjerë përvjetorësh, viti në të cilin gjendemi shënon 190 vjetorin e lindjes të Karl Marksit si edhe 160 vjetorit të çfaqjes së « Manifestit Komunist », veprës të tij më të përmendur. Një rast i përshtatshëm për një varg kritikësh dhe mendimtarësh nga bota mbarë t’i rikthehen njeriut dhe veprës, të analizojnë dhe të rikqyrin realitetin e sotëm ekonomik dhe veçanërisht, atë çka bashkëkohësit e filozofit dhe sociologut gjerman e quanin dikur « çështja sociale ».
.
. E pra, nëse marksizmi u strukturua dhe u zhvillua si lëvizja më influente « në kundërshtim me cenet e shumta të shoqërive kapitaliste të traditës liberale » – sipas shprehjes të filozofit polak Andrzej Walicki, ai u rrudh dhe humbi terren gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX, pikërisht pasi kjo shoqëri kapitaliste mundi të riparonte defektet dhe të zgjidhte problemet e saj. Mjafton të kujtojmë New Deal-in e Presidentit Ruzvelt pas krizës ekonomike të vitit 1929 ; mjafton gjithashtu të sjellim ndërmend rolin e Shtetit-Providencë në Evropën Perëndimore mes dy luftrave dhe pas luftës së Dytë botërore ; apo së fundi Keynesianizmin
.
. Një tjetër filozof polak, Leszek Kolakowski, mendonte se ideja komuniste kish vdekur –bile edhe ish varrosur – që në vitin 1974 : « .. të vetmet mjekime që komunizmi mundi të shpikte – zotërimi i pasurisë kombëtare nga ana e një Shteti të centralizuar që i shpëtonte çdo kontrolli social si edhe rregjimi i partisë unike – janë edhe më keq se sa ato sëmundjet që ai mendonte të shëronte ». Dhe historia duket se i dha të drejtë kur mendon kthesën e Kinës drejt kapitalizmit gjatë viteve 80’, shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989 – dhe bashkë me të, të vetë Bashkimit Sovjetik në 1991.

.
.
. * * *
.
. Në të vërtetë, kritikat ndaj socializmit u ndjenë që në fillim të shekullit të XX. Evropianët e këtyre viteve patën rastin historik të njihen me argumentat e Ludwig von Mises, ekonomist austriak vizionar për kohën, lidhur me dështimin e pashmangshëm të socializmit. Sipas Mises, në mos për gjë tjetër, socializmi do të shembej të paktën për shkak të mungesës të mekanizmave të fiksimit të çmimeve nëpërmjet tregut : « .. për shkak të shkatërrimit të sistemit të çmimeve, paradoksi i planifikimit qëndron në faktin se është e pamundur të hartohet një plan, pasi mungon çdo llogaritje ekonomike. Ajo çka quhet ekonomi e planifikuar nuk është hiç ekonomi. Ajo është një sistem provash dhe eksperimentesh me sy mbyllur ».
.
. Pakkush i vuri veshin këtij mbrojtësi të denjë të kapitalizmit dhe të liberalizmit, të cilit ju desh të braktiste Vjenën për shkak të origjinës të tij çifute dhe të jetonte i vobekët për vite të tëra në SHBA. Megjithatë, ai prej kohësh paralajmëronte se « .. bashkësia socialiste është një grupim i madh autoritar, i karakterizuar nga dhënia dhe zbatimi i urdhrave. Pikërisht kjo është edhe përmbajtja e shprehjeve « ekonomi e planifikuar » dhe « zhdukja e anarkisë së prodhimit ». Struktura e një bashkësie të tillë socialiste përmblidhet fare mirë nëpërmjet krahasimit me ushtrinë ».
.
. Është e kjartë se në shënjestrën e von Mises qëndronte socializmi që po ndërtohej në BS, por në thelb, kritika e tij prekte vetë mendimin marksist, të cilin ai e kqyrte si një « doktrinë të rreme », e mbështetur mbi konceptin e Marksit se, nga njëra anë « struktura logjike e shpirtit është e ndryshme sipas klasave shoqërore të ndryshme » dhe nga ana tjetër, « .. logjika e proletarëve nuk është thjesht një logjikë klase, pasi idetë e kësaj logjike proletare mbeten emanacion i logjikës së pastër dhe të thjeshtë ». Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një ideologji të krijuar enkas, që ja nënshtronte mjetet qëllimit të saj themelor : rrënimit të prestigjit të shkencës ekonomike dhe krijimit të strukture mendimi të natyrës utilitariste, të veshur me petkun e një ligji universal të zhvillimit historik, të aplikueshëm si në shkencat ekonomike dhe në ato sociale.
.
. « Pohimi se interesat e të gjithë proletarëve kërkojnë uniformisht zëvendësimin e kapitalizmit me socializmin, përbën një postulat arbitrar të Marksit dhe të socialistëve të tjerë. Kjo gjë nuk mund të provohet duke deklaruar thjesht se ideja socialiste është emanacion i mendimit proletar dhe si pasojë, sigurisht e dobishme për interesat e proletariatit si i tillë ».
.
.
. * * *
.
. Në se evropianët nuk arritën të bindeshin plotësisht nga argumentat e von Mises, ne kemi Gëzim Tushin, i cili na siguron se « Marksi nuk vjen më… ». Padyshim – dhe aq më tepër në përvjetorin e 125 të vdekjes të filozofit – ai e ka fjalën për marksizmin, pasi sipas tij « .. koha vërtetoi se teoria e tij ishte aksident teorik dhe historik i pakthyeshëm më në këtë botë që po ndryshon progresivisht, marramendshëm, dhe krejt në të kundërt me ato që ka lënë Marksi ».
.
. Për të bindur atë mikun e tij, « njeri i mirë, por politikisht naiv dhe ende nën influencën e kotë të ideve të vjetra » – dhe nëpërmjet tij, ne, lexuesit e tjerë, Gëzimi zotëron një argument të pagabueshëm :
.
. « .. koha moderne e ktheu përmbys ligjin historik të marksizmit, se kapitalizmi më në fund dhe përfundimisht triumfoi dhe i zuri vendin pa revolucion, por në mënyrë paqësore socializmit. Bota po globalizohet dhe po krijon një rend të ri botëror, që nuk ka nevojë për dogmat e vjetra, idetë arkaike të marksizmit. Në këtë botë të mondializuar, edhe e majta moderne është tërësisht antimarksiste dhe nuk ka asgjë të përbashkët me të. Rekuiemi për marksizmin është kënduar përfundimisht. Sepse duam apo nuk duam, kudo në botë bashkë me ne po ecim duke ndërtuar modelin kapitalist, të cilin koha e vërtetoi se ishte modeli social ekonomik më efikas i njohur deri tani. ». Kush mundet t’a kundërshtojë këtë argument të Gëzimit, aq më tepër kur ai thërret në ndihmë edhe një ekip filozofësh dhe shkrimtarësh, që nga gjermani Dahrendorf deri tek spanjolli Ramoneda – duke kaluar nëpërmjet Mishel Fukosë ?
. Megjithëse, siç e pranon edhe ai vetë, deri vonë s’kish mundur të lexonte asgjë prej tyre…
.
. Sidoqoftë, Gëzimi është i sinqertë kur thotë se nuk ishte aspak i qartë në se mundi të bindtte me të vërtetën e tij mikun e dashur. Mbetet të dihet në se ka arritur të më bindë edhe mua, lexuesin e tij – po aq të sinqertë sa edhe ai. Pasi unë i besoj po aq Dahrendorfit sa edhe Habermasit. Në se Ramoneda paskish thënë « marksizmi është aq i keq, sa dhëntë Zoti të mos kthehet më Marksi, sepse, sipas tij, herët e dyta janë më të këqija se të parat », Zhan Pol Sartri ka shtuar se « marksizmi është thjesht një shpjegim adekuat i kapitalizmit ». E pra, unë i besoj sa të parit aq edhe të dytit.
.
. Jam plotësisht në një mendje me Gëzimin kur ai thotë se : « .. dikur të gjithë kemi qenë të instrumentalizuar nga “madhështia teorike” e marksizmit dhe variantit të tij të deformuar në formë banale si enverizmi dhe mendonim se revolucioni do të ishte “lokomotivë e historisë”, apo “çështje të shtruar për zgjidhje”, ngaqë njohuritë tona ishin të karfosura me dhunë brenda kuadrit të dogmës marksiste » sikundër dhe me faktin se Enveri betohej se ishte marksist autentik, në mos i vetmi marksist i vërtetë i kohës së tij. Mirë se Enveri kish lidhje me Marksin, por nuk arrij të kuptoj se ç’lidhje kish Marksi vetë me Enverin, sikundër dhe me Leninin, Stalinin, Çe Guevarën (?) apo me Fidel Kastron.
. A mjafton të citosh Marksin për të qenë trashëgimtar i tij? Cila është përgjegjësia e Marksit për krimet e Leninit, të Enverit apo të Stalinit ? Në se e bëjmë përgjegjës për Revolucionin e Tetorit apo për Revolucionin kastrist, përse të mos bëjmë edhe Zhan Zhak Rusonë, Volterin dhe Didëronë për Revolucionin francez të 1789 – për të mos shkuar më larg ?
. Ose ndryshe : a mjafton të kesh jetuar – dhe vuajtur – nën komunizmin enverian për t’u bërë ekspert në kritikën kundër Marksit – bile edhe pa lexuar veprën e këtij të fundit ?
. Të paktën në këtë pikë, von Mises nuk mund t’i bëhet asnjë kritikë : vepra e tij prej disa mijra faqesh është ngritur pikërisht mbi leximin dhe studimin e veprës po disa mijrafaqesh të Marksit.
.
.
. * * *
.
. Fundja, çka synon ky shkrim, i cili ve Gëzimin në një plan me von Mises dhe me vetë Marksin ? Të paktën, të nënvizojë idenë se ka shkuar ajo kohë kur lexuesi shqiptar mund të merrej për bagëti, i destinuar të ripërtypë mendimet e të parit shkrues lidhur me figura ose fenomene që mbeten jo vetëm të vështira për profanin por edhe të diskutueshme për vetë specialistët. Cila është diferenca mes shkrimit të Gëzimit që bën zhele Marksin dhe marksizmin dhe ato të Enverit që shpartallonte me një të rënë të lapsit, armiqtë e tyre ?
.
. Objektivisht, të duash apo të urresh Marksin nuk pengon aspak të kesh njëkohësisht një vizion të qartë lidhur me atë çka ai përfaqson, lidhur me mendimin e tij filozofik, ekonomik apo social. Sikundër dhe t’i druhesh gabimit si edhe përgjegjësisë. Pasi në të vërtetë, sot ndodh pikërisht e kundërta e asaj që pohon Gëzimi, kur thotë se « .. bota po globalizohet dhe po krijon një rend të ri botëror që nuk ka nevojë për dogmat e vjetra, idetë arkaike të marksizmit ». Mjafton t’i hidhet një sy shtypit, që nga « Financial Times » deri tek « New York Review of Books », që nga « La Républica » e Montevideos deri tek « Asahi Shimbun » e Tokios – pa folur më tej për një « Vzgljad » të Moskës – për t’u bindur se interesi ndaj veprës së Marksit ka dalë rishtas në plan të parë.
. Do s’do analisti shqiptar, procesi i sotëm i mondializimit – një neologjizëm ende i patretur nga gjuha shqipe – ndoshta ka arritur të nxjerrë nga varfëria e tejskajshme me miliona njerëz, por njëkohësisht ka krijuar kontraste të jashtëzakonshme dhe diferenca të pamatshme mes zotëruesve të pasurisë. Mjafton të citohet OKB kur pohon se, në 2006, vetëm 2% e njerëzimit zotëron mbi 50% të pasurisë botërore ndërkohë që gjysma e popullsisë së planetit zotëron më pak se 1% të saj.
. Po qe se i shtojmë këtij konstatimi faktin e acarimit të dukshëm të konflikteve në nivel botëror lidhur me raportet e shkëmbimeve, delokalizimin e vendeve të punës në ato zona apo vende që paraqisin avantazhe ekonomike si edhe përplasjet e ashpra lidhur me zotërimin e burimeve natyrore, përse atëhere njerëzit nuk paskan më nevojë për « idetë arkaike » të Marksit ? Si shpjegohet – brenda arsyetimit të Gëzimit që në vitin 2005, dëgjuesit anglezë të BBC zgjodhën Marksin si « filozofin më të madh të të gjitha kohrave » ? Së fundi, altermondialistëve dhe ekologjistëve nuk ju intereson aq « lufta e klasave apo interpretimi materialist i historisë » se sa gjykimet e tjera të Marksit kur thotë se « natyra është burimi më i çmuar i pasurisë, bile përpara punës, dhe ky fakt fshihet me shumë kujdes nga borgjezia, e cila monopolizon pronësinë mbi tokën.. ».
. Nê të njejtën linjë qëndron edhe historiani britanik Eric Hobsbawm, i cili mendon se “Marksi mbetet pionier i mendimit modern“, sikundër dhe Zhak Attali kur publikon “Karl Marks ose shpirti i botës“.

.
.
. Mendimi i dytë, i cili i shpëton krejtësisht Gëzimit është diferenca thelbësore mes Marksit, marksizmit, socializmit dhe së fundi komunizmit. Por ai mund të ngushëllohet pasi nuk është as i pari, as edhe i vetmi. Të tjerë tërhiqen nga tundimi për t’i atribuar Marksit shprehje të cilat nuk i ka thënë kurrë – siç ishte rasti i I. Kadaresë në një prej shkrimeve të tij të fundit « Historia e Tjetrit ».
. Ndoshta për kollajllëk, ndoshta me induksion – dhe ndoshta nga një formë beninje e injorancës – konceptet e mësipërme njëjtësohen dhe treten tek njëri tjetri, siç është bërë enkas në paragrafin e parë të këtij shkrimi. Por, ndërsa injoranca nuk përbën argument, këtu nuk është as vendi as edhe qëllimi për t’u marë me analizën e diferencave, po aq problematike sa edhe të debatueshme. Ndoshta në këtë pikë, i duhet vënë veshi vetë Marksit që në pleqëri të tij i përsëriste të gjithë atyre që donin t’a dëgjonin : « Unë, nuk jam marksist ».
.
.
. Elementi i fundit dhe më këmbëngulësi përbëhet nga fakti se Gëzimi sikundër shqiptarët e tjerë njohën Marksin dhe marksizmin nëpërmjet komunizmit dhe socializmit të Hoxhës dhe të partisë së tij. Pa ditur aspak – përveç asaj çka kishin dëgjuar apo lexuar – se çka është në të vërtetë kapitalizmi. Por fati e dha « se kapitalizmi më në fund dhe përfundimisht triumfoi dhe i zuri vendin pa revolucion, por në mënyrë paqësore socializmit », pra gjithkush e pa me sytë vet – dhe u bind se ky lloj socializmi, në të vërtetë kapitalizëm i Shtetit, mund të shëndrrohet në kapitalizëm, në atë të privatit. Ndoshta për momentin, ende një kapitalizëm i tipit rrumpallë në gjirin e një shoqërie që ka humbur strukturën e saj të dikurshme, por gjithmonë në tranzicion – pa mundur të krijojë një strukturë të re, të qëndrueshme. Le të shpresojmë pra, të ndërtojmë përfundimisht atë modelin aq të lakmuar kapitalist, këtë « model social ekonomik më efikas i njohur deri tani » – sipas Gëzimit. Dhe me këtë rast, ndoshta do të arrijmë të kuptojmë më së fundi edhe mendimin e Marksit, kësaj rradhe pa marksizëm dhe komunizëm.
. Pasi, duam s’duam, përderi sa do të ketë kapitalizëm, do të ketë edhe Marks.


Krimi, Mafia dhe Kanuni – (4/4) Zhguni kanunor i krimit.

Korrik 22, 2008

. Nga mesi i viteve 90, Evropa zbuloi e lebetitur egzistencën e një fenomeni të ri kriminel krejtësisht të panjohur deri atëhere, të KOSH-it, i cili kish vrarë syrin e mjaft specialistëve. Nën dritën e raporteve të tyre, ky kriminalitet shumëformësh bashkonte të gjitha vetitë e një superfuqie kriminele, e aftë të shpërndante heroinën – « vdekjen të bardhë » – në të gjitha vendet e Evropës veriore (Gjermani, Austri, Zvicër ose në Vendet e Ulta), të rrënonte moralin e krishterë nëpërmjet prostitucionit në një varg vendesh që nga Italia dhe deri në Suedi ose së fundi, të terrorizonte Spanjën me ato dhjetra komandot e hajdutëve ultra-profesionelë.
. Ndërkohë, gjeneza e KOSH-it ishte kqyrur në detaje nga më të imtat dhe strukturimi i tij ishte deshifruar nëpërmjet etapave të fundit të zhvillimit të vendit dhe të rajonit. më të përmendurat mbeten : shembja e sistemit të vjetër politik që favorizoi fshirjen e të gjitha pengesave ndaj qarkullimit të lirë të njerëzve dhe të mallrave, instalimi i vështirë i pushtetit të ri demokratik si dhe antagonizmi i egër mes forcave politike në vend, mungesat në fushën juridike dhe mungesa e strukturave të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar, faktorët destabilizues lokalë (rrebelimi popullor i vitit 1997) dhe rajonalë (luftrat në ish-Jugosllavi) dhe së fundi, pozita gjeografike e vendit si urë lidhjeje mes Ballkanit dhe Perëndimit (1). Megjithatë, ndihet në mënyrë të pavetëdijshme që esenca e saj i fshihet vështrimit dhe i shpëton analizave – qoftë edhe për t’ju përgjigjur pyetjes : përse Evropa u gjend e çarmatosur përballë kësaj epidemie vdekjeprurëse ?
.
. Më këmbëngulësit e kriminologëve u munduan të kalojnë në sitën e tyre të gjithë faktorët e brendshëm, të gjitha shenjat karakteristike në kërkim të rrënjëve të mekanizmit të tij djallëzor, për të rënë në gjurmët e asaj fare që e ngjizi. Si për çudi – përpikmërisht sikundër udhëtarët e fillimit të shekullit të XXtë – ata zbuluan të njejtat « thërrmija elementare » të nënndërgjegjes kolektive : masën e kulturës arkaike, të ushqyer nga tradita të vjetra dhe nga dhuna, peshën e kodit të nderit – Kanunit (2) dhe së fundi, vlerën e familjes së zgjeruar (3) – fisi, i cili nën penën e zellshme të studiuesve të sotëm shëndrrohet në fares. Përfundimisht, shkretëtira e Saharasë ose Tibeti vazhdojnë të njihen më mirë se sa Shqipëria, sikundër në vitin 1912 në kohën e Delezit (4).
.
. Megjithatë, diferencat mbeten të thella ndërmjet këtyre dy kategorive profesionale kërkuesish. Duke përshkuar « highlands » shqiptare, udhëtarët antropologë kishin mundur të preknin misterin e njeriut dhe i ishin afruar këtij të fundit në majat e këmbëve ; ata kishin bërë atë përpjekjen elementare t’i kqyrnin malësorët në malet e tyre dhe të mësonin qoftë edhe elementët fillestarë të gjuhës së tyre për të kuptuar se ç’farë flisnin. Në kohët e sotme, kjo ndërmarrje duket krejtësisht e demoduar dhe tejet e mërzitshme. Kërkuesit e sotëm kriminologë janë të aftë të masin natyrën njerëzore pa dalë prej zyre : s’ka më nevojë të zbritet në terren, të njihet gjuha e indigjenëve ; mjafton të lexohen çka kanë shkruar të tjerët mbi këta njerëz. Pak rëndësi ka fakti që burimet e shkruara i përkasin të njejtit rrethi, që autorët përsërisin njeri tjetrin, që elementi origjinal humbet nën peshën e shifrave. Rezultati shpesh bëhet qesharak.
.
. Një sërë detajesh tërheqin vëmendjen dhe shërbejnë si argumenta lidhur me opinionin e mësipërm. I pari i takon kodit të nderit, Kanunit, i cili sipas Raufer « me përmbajtje patriarkale, raciale dhe fisnore, është në fuqi të paktën që prej Mesjetës… në malet e veriut të vendit dhe respektohet në mënyrë të rreptë.. veçanërisht nga familjet kriminele ». Diku më poshtë, eksperti shpjegon se ai « parashikon edhe rastet e aksidenteve vdekjeprurëse automobilistike (sic!) ». Mund të bëhet pyetja se çfarë « varianti » të Kanunit ka patur ndër duar autori i këtyre rreshtave, gjithmonë duke qenë të bindur se nuk bëhet fjalë për Kanunin e Lekës. Çka bën përshtypje është fakti se i njejti informacion çfaqet në gjendje të pastër tek një punim tjetër, i destinuar për një publik zanatçinjsh të Ligjit (5). Sigurisht, duke i zënë besë « specialistit » të vjetër, kriminologut të ri nuk i është dukur e nevojshme të shfletojë tekste të tjera.
. Detaji i dytë edhe më zbavitës i përket konceptit « familjeve mafioze », të cilat për një numër të madh vëzhguesish bazohen mbi fares. E marrë fjalë për fjalë – më mirë të themi germë për germë – ky neologjizëm ad hoc me origjinë të dukshme perëndimore nuk gjen asnjë ekuivalent në gjuhën shqipe. Sidoqoftë, procesi i krijimit imagjinohet thjeshtë : pa dyshim, duke u nisur nga fjala farë – fruti mbirës i bimës, substanca ngjizëse e qenies. E marrë në kuptimin e lidhjes familjare për të shprehur një bashkësi sociale të natyrës prindërore ose trashëgimore – dhe pasi i hiqet ajo shenja e pikësimit barbare – ajo shëndrrohet në fare. Në shumës, fjala pasurohet me atë germën tepër perëndimore – s – dhe përfundon në fares. I vetmi problem lidhet me kuptimin e saj : në vendin e vet të origjinës, fjala farë përdoret në një zonë gjeografike dhe etnografike disi të kufizuar– Jug – Juglindje – dhe mes të tjerash, ajo herë-herë përdoret për të treguar lidhje të vërteta dhe të ngushta gjirie, duke insistuar më tepër mbi logjikën e llojit se sa atë të njësisë shoqërore kryesore, siç është rasti me fjalën tjetër – fis, me origjinë nga Veriu i vendit. Kjo gjë duket veçanërisht në përdorimin e njëkohshëm të këtyre dy fjalëve, në neologjizmën farë-e-fis = farefis. Falë zellit dhe shkujdesjes së vëzhguesve, fjala fares çfaqet për herë të parë në një botim të vitit 1997 të Observatorit Gjeopolitik të Drogës (OGD), në rolin e shprehjes përgjithësuese për klanet e gjera të specializuara në një varg aktivitetesh të paligjshme (6). Në vazhdim, të gjithë studiuesit e përsërisin mekanikisht pa u shqetësuar aspak lidhur me kuptimin e saj. Aktualisht, fares është shëndrruar në simbolin vetë të Mafias shqiptare, me të njejtën forcë përgjithësuese sikundër triadat për Mafian kineze, familjet jakuza për Mafian japoneze ose kartelet për për atë gjysëm-mafian kolumbiane.

.
. Duke patur pra përballë një tabelë të tillë qitjeje – si dhe një mendim kaq mirë të paraprerë – a vështirë është të mos qëllohet në të. Shkurt, me një të rënë lapsi, kryeneçësia tradicionale e malësorit ndaj pushtetit qëndror shëndrrohet në mosbesim thuaj strukturor të shoqërisë shqiptare ndaj Shtetit, lidhjet e thella familjaro-patriarkale interpretohen si karakter « rrënjësisht fisnor » i popullit shqiptar dhe së fundi, kodi i nderit stërgjyshor – Kanuni – devijon pashmangshmërisht drejt botës së krimit, duke i furnizuar këtij të fundit piedestalin prej bronxi mbi të cilin ngrihet statuja e Mafias. Ja pra dhe tropizma e shoqërisë shqiptare, predispozita e saj e brendshme e favorshme ndaj depërtimit mafioz (7).
.
.
. Në imagjinarin kolektiv evropian, Shqipëria përmbledh egzotizmin dhe folklorizmin dhe çfaqet diku ndërmjet legjendës dhe realitetit, ndërmjet lindjes dhe perëndimit me një pejzazh të mbushur me male të pakapërcyeshme dhe me pyje të dendura misterioze, stofka e fundit e Lordit të Zi Voldemort, i kërkuar nga gjithë bota e magjistarëve (8). Kjo gjë përputhet edhe me një stereotip të banorit të këtyre viseve, i kqyrur si një përzierje e dhunës dhe e barbarisë, i cili egziston vetëm nëpërmjet derdhjes së gjakut – gjakmarrjes, fjalës së dhënë – besës dhe kodit të nderit – Kanunit. Në formën e tij të gjeneratorit të dhunës dhe burim i vdekjes, Kanuni shëndrrohet në këtë mënyrë si « një çelës universal që mundëson zbërthimin e pushteteve paralele kundërshtare të shtetit, e egërsisë djallëzore të piramidave ekonomike, e dhunës së bandave lokale ose e shumllojshmërisë të aktiviteteve kriminele » pa haruar aspak që ai krijon edhe « sfondin ose dekorin mbi të cilin ngrihet një strategji egzistencialiste ku, çnatyrimi si dhe ndërgjegja e keqe kanë prodhuar stereotipe aq fort të konsoliduar sa që ata vazhdojnë të qëndrojnë më këmbë edhe pas dhjetë vjetësh kontakte, familiarizim, shkëmbime ekonomike, politike dhe kulturore me të gjithë aktorët shoqërorë të Shqipërisë bashkëkohore ». Mbetemi plotësisht të një mendjeje me studiuesen kur ajo vrojton se « zbulimi i Kanunin me kodet e tij të lidhura me fjalën e dhënë – besa, me hakmarrjen, me nderin, ka dashur të thotë për një numër të madh ekspertësh perëndimorë se ata kishin gjetur shpjegimin më të thjeshtë të gjithë fenomeneve të kriminalitetit dhe të dhunës që herë pas here shoqërojnë zhvillimin e vështirë të tranzicionit në Shqipëri » (9).
.
. Cila është shtrirja territoriale e këtyre elementëve – fisi dhe Kanuni – sipas specialistëve, kaq të fuqishëm dhe të gjithëgjendur në vendin e tyre të origjinës ? Të ngjizur që në agim të kohës, ata janë të prirur të përfaqësojnë respektivisht njësinë themelore sociale dhe trupin e ligjeve që duhej të administronte bashkësinë e aktiviteve njerëzore në gjirin e një shoqërie, norma kryesore e të cilës ishte vetëadministrimi. Duke filluar nga shekulli i XIV – XVtë, nën presionin otoman, ndërkohë që një pjesë e madhe e shoqërisë i nënshtrohet ligjit të pushtuesit dhe përqafon fenë e tij, vetë shoqëria fillon dhe « civilizohet » nëpërmjet neglizhimit dhe braktisjes të praktikave saj të vjetra dhe strukturave të saj shoqërore. Në të kundërt, tradita mbijeton në gjirin e asaj popullsie që i që i reziston administratës, tashmë të instaluar në pjesën fushore dhe kodrinore, që i vidhet taksambledhësit otoman, pra në Malësitë – Highlands shqiptare. Nuk është hiç i rastit fakti që ky trup ligjesh gojore mban gjurmën bile edhe emrin e Lekë Dukagjinit ose të Skënderbeut – heronjve të kësaj rezistence.
. Në këtë mënyrë, në vigjilje të pavarësisë së vendit dhe disa shekuj pas kodifikimit të tij fillestar, Kanuni angazhonte vetëm një pjesë të popullsisë malësore të vendit të Gegëve – me fjalë të tjera, as një të tretën e e popullsisë kombëtare. Të paktën kështu i vlerësonte etnologu Carlton Coon gjatë udhëtimit të tij në malet e Shqipërisë veriore, të zhvilluar në vitet 1929 – 1930, i cili shkruante se popullsia e Gegëve fisnorë ishte rreth 250.000 vetë, nga të cilët 160.000 të fesë myslimane dhe mbetja, 90.000 të fesë së krishterë. Na mbetet të nënvizojmë se në këtë kohë, popullsia e përgjithshme e vendit mezi tejkalonte milionin e banorëve. Pothuaj të të njejtës periudhe janë edhe vrojtimet e Steiner, i cili në uniformën e oficerit austriak përshkon Malësinë e Veriut në 1918. Ai vëren ngjithashtu strukturën fisnore të malësorëve, të organizuar në vllazni, të cilën ai e vlerëson në rreth 161.000 vetë (10).
.
. Ky « Ligj i Vjetër » ushtronte juridiksionin e tij mbi një territor që sipas boshtit veri-jug shtrihej përtej lumit Drin deri në thellësi të Malit të Zi të sotëm sikundër dhe mbi territoret të gjendura mes lumenjve Drin dhe Mat. Sipas boshtit tjetër lindje – perëndim, zona e Kanunit shkonte nga malet e Dukagjinit të Kosovës së sotme deri në brigjet e liqenit të Shkodrës, sikundër dhe nga Dibra deri në malësinë e Tiranës dhe të Krujës. Rreth kësaj zone qendrore shtrihej një e dytë, e tretjes, që prekte një pjesë të Kosovës dhe të Maqedonisë perëndimore – në kontakt direkt me kufijtë e vendit – sikundër dhe territore të tjera shqiptare në veri të lumit Shkumbin. Pjesa tjetër e vendit – më tepër se gjysma e territorit kombëtar që gruponte mbi dy të tretat e popullsisë të Shqipërisë të sotme, nuk praktikonte më as organizimin tribal në fise dhe aq më pak i bindej Kanunit. Eshtë rasti i Toskërisë por njëkohësisht edhe e një pjese të kosovarëve si dhe të shqiptarëve të Maqedonisë.
.
. Ndërtimi i gjatë dhe i vështirë i Shtetit shqiptar që kulmoi me monarkinë zogolliane dhe me diktaturën hoxhiane ndikoi fuqimisht drejt zhdukjes së organizimit fisnor tradicional dhe drejt kufizimit të fuqisë juridike të Kanunit që me këtë rast u detyruan të rrudhen dhe të tërhiqen drejt zonave të thella. Por, në qoftë se fusha e manovrimit të mbretit Zog ishte mjaft e ngushtë pasi sipas metodës së tij klasike, atij i duhej njëkohësisht të kqyrte dhinë dhe lakrën, stërnipi i Skënderbeut nga Mati u mbështet gjerësisht mbi strukturat tradicionale të shoqërisë veriore siç ishte rasti i bajraqeve dhe i fiseve për të forcuar bazën politike të rregjimit të tij. Ndërkohë, ai shpallte Ligje të reja, të frymëzuara drejtpërdrejt nga praktikat perëndimore, gjë e cila cënonte drejtpërdrejt fushën e zbatimit të normave dhe të kodeve të Kanunit. Pasardhësit e tij në pushtet, autoritetet komuniste, përdorën metoda radikale për të mos thënë brutale.
. Në këtë mënyrë u zhduk krejtësisht kasta e bajraktarëve, kjo fisnikëri e maleve që luante rolin e babait shpirtëror të fisit, në këtë mënyrë u fundos edhe ajka e klerikëve katolikë, këta rojtarë moralë të Kanunit. Krejt natyrshëm, këtij të fundit ju desh të barrikadohej në kullat e fundit – më mirë të themi në kujtesën e malësorëve, të cilët as nuk mund t’a interpretonin në mes të kuvendeve të tyre tradicionale as edhe t’a praktikonin hapur për të zgjidhur problemet e tyre të përditshme. Ndërkohë, jo vetëm popullsia e vendit ishte katërfishuar por njëkohësisht, pesha specifike e popullsisë qytetare njohu një zhvillim të paparë : nga më pak se 15% të popullsisë së përgjithshme në ditën e pavarësisë, ajo tejkaloi 40% në vitin 1990 dhe arriti në 50% në mesin e viteve 90. Aktualisht, edhe sikur të identifikojmë zonë e quajtur të Kanunit me veriun e thellë të vendit, popullsia potencialisht e interesuar nuk e tejkalon një të pestën e popullsisë kombëtare.
.
. Ashtu siç mund të mendohet, Kanuni riçfaqet si një reminishencë nën gërmadhat e komunizmit. Ndoshta nga që gjurma e tij në nënndërgjegjen e njerëzve është e të njejtës thellësie sikundër dhe shpirti ; ndoshta, pasi shërben si balsam përkundrejt jetës kaotike së përditshme gjatë tranzicionit. Sidoqoftë, megjithë një varg botimesh autentike ose të rreme, ky « jus albanicae » – duke rikujtuar shprehjen e Kadaresë – tërheq gjithmonë e më pak adeptë të ndershëm dhe me sa duket, gjithnjë e më tepër laro në mjedisin e krimit.
.
. Është krejt e mundur që ky habitus sipas Burdiesë (11) të mund të zhgënjejë deri diku njerëzit, aq më tepër që bashkësia e fushave shoqërore, ekonomike, politike ose kulturore të sotme nuk përputhet gjëkund me ato tradicionalet, gjeneratorët e origjinalit. Por, që një ligj të mund të frymëzojë keqbërësit e mbretërisë së jashtëligjit, kjo gjë mbetet sidoqoftë jashtë logjikës.
. Si është e mundur që kjo përzierje eksplozive faresKanun nuk mundi të ngjizë një Mafia në fillim të shekullit të XXtë, për të mos thënë në vitet 30 të këtij shekulli ? Çfarë ju mungonte tjetër atyre dhjetra mijra emigrantëve të varfër shqiptarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të asaj kohe për të ngritur më këmbë ato farët e tyre të tmerrshme me qëllim që të terrorizonin Botën e Re dhe të rivalizonin me Al Kaponen ose të tjerë Cicero të Çikagos ? Përse kosovarëve të tretur në mjedisin perëndimor që në vitet 50 të shekullit të kaluar, ju desh të prisnin shtërzimet e fundit të Shtetit titist për të rendur drejt Mafias shpresëdhënëse ?
.
. Megjithë petkun e tij mesjetar, Kanuni – sikundër dhe pararendësit e tij të shquar (Tora e jahudinjve, Manu brahmanist, ligji romak i Dymbëdhjetë tabelave) dikton ligje dhe shpall një moral ; ai i bën thirrje respektit si dhe ruajtjes së ndërgjegjes dhe të institucioneve të saj (fe, kishë dhe prift), të jetës personale dhe të manifestimeve të saj (familje, martesë, grua dhe trashëgimtarë), të pronës private dhe të atributeve të saj (shtëpi, kafshë, truall), të punës dhe frutit të saj (zanatet, tregëti, gjah dhe peshkim), të shprehjes dhe të mjeteve të saj (fjala, dëshmia dhe betimi), të nderit dhe shenjave të tij (sjelljes vetjake dhe miku) dhe së fundi, të lidhjeve të gjakut dhe antarësisë së tyre (trungu, vllazëria dhe kumbaria). Ajo çka e ka bërë të shquar në të vërtetë është konceptimi i saj procedurial lidhur me respektin e jetës si dhe të vuajtjes së ndëshkimit, gjë e cila pa dyshim, rrënjoset në « konceptimin e vjetër të pastrimit nëpërmjet gjakut », ose e thënë ndryshe Ligji i Shpagës. Gjaku mund të fshihet vetëm me gjak – « Gjaqet i la Leka një për një; Del i miri prej të keqit dhe i keqi prej të mirit ; gjaku shkon për gjak ».
.
. Në qoftë se imazhi i hakmarrjes së gjakut si dhe respekti thuaj fetar i një procedure të komplikuar – kodi i nderit, kanë prekur thellë antropologët, frymëzuar shkrimtarët, vënë në mendime sociologët, indinjuar juristët dhe ndjesuar politikanët, këto struktura fisnore dhe legjislative arkaike, mbetje të një bote tjetër, kanë lumturuar kriminologët.
. Duke u nisur nga emanacioni kriminel i njeriut, ata kanë mundur të sintetizojnë portretin e tij robot : qenie fisnore, e mbushur me respekt ndaj traditave të vjetra, ndaj ligjit të heshtjes, ndaj kultit të shefit, e mahnitur nga armët e zjarrit, biologjikisht e dhunshme dhe mizorisht atavike. Në këtë rast, gjithçka çon drejt origjinës së tij, drejt mjedisit të tij shoqëror dhe familjar, drejt kozmologjisë së tij të marrëdhënieve : Kanuni dhe farët. Vetëm se asnjeri nuk mund të bëjë lidhjen mes farëve dhe ekzodit masiv të shqiptarëve drejt Perëndimit në fillimin e viteve 90, në ç’mënyrë hakmarrja mund të ndihmojë trafikun e drogës dhe së fundi, si interpretohet nëpërmjet Kanunit shpërthimi i prostitucionit.
. Lidhur me këtë aspekt të fundit, më të ndërgjegjshmit mes kriminologëve ndjejnë që egziston një kontradiktë e thellë mes faktit të shfrytëzimit të prostitucionit dhe respektit ndaj Kanunit. Ata vërejnë nga njera anë që strukturat tradicionale mafioze si për shembull ato të Siqelisë, nuk kanë shfrytëzuar kurrë prostitucionin si aktivitet fitimi pasi e kanë konsideruar si një diçka të pandershme dhe njollosëse dhe nga ana tjetër, që familjet tradicionale shqiptare janë të prirura të hedhin jashtë, pra të dëbojnë, ato gra dhe vajza të cilat i kushtohen ushtrimit të prostitucionit. Atëhere, këta specialistë avancojnë hipotezën që koncepti i nderit alla shqiptarçe qënka një variant special, i ndryshëm nga ai që njohin siqeljanët dhe për më tepër i ngarkuar me një kuptim të dyfishtë. Meqënëse vlera të tilla si pushteti dhe pasuria zenë vendin e parë në sferën imagjinare të shoqërisë shqiptare, në dëm të vlerave të mirëfillta të frymëzuara nga kanuni sikundër respekti, familja ose besnikëria, kjo don të thotë se ndodhemi përpara një paradoksi, tipik për KOSH-in (12).
. Por, në vend të ngrihen hipoteza dhe të shpiken paradokse përsa i përket « nderit të korruptuar » të Mafias rinoshe shqiptare përkundrejt « nderit të vërtetë » të gjyshit të tij siqeljan, në vend të ndërmerren fluturime në qëmotin historik, është e udhës të gërmohet e kaluara e afërt komuniste dhe te kqyren përvojat e saj « të inxhinierisë sociale » (12), prodhim i pastër i të cilave është kjo falangë të rinjsh që përbën KOSH-in dhe Mafian shqiptare.
.
. Mes dështimeve më të arrira të rregjimit komunist, fakti që ai nuk mundi të shrrënjosë varfërinë mbetet ai i cili damokosi gjithë epokën. Ç’është e vërteta, edhe varfëria njohu dinamikën e saj sikundër dhe parametrat e tjerë socio-ekonomikë të sistemit : në rrafshin e përgjithshëm, ajo varfëria kronike e kohës së monarkisë shëndrrohet në strukturore ndërkohë që në rrafshin individual, nga materiale ajo u metamofozua në intelektuale – pa mundur njëkohësisht të humbasë emërtimin e parë. Ky fakt asnjëherë nuk ka shqetësuar thellë pothuaj kërkënd, pasi ndërkohë që pjesës dërmuese të udhëheqësve ose të tjerëve ligjbërës politikë as që ju ra në sy – duke ditur që aftësitë e tyre intelektuale nuk e kalonin dot mesataren e përgjithshme – ata më të mprehtët mes tyre e veçuan si një dhunti dhe e integruan në të dhënat themelore të sistemit. Aq më tepër që ky i fundit synonte krijimin e një qënieje shoqërore të bindur ndaj urdhrave dhe sa më pak analitik. Në të kundërt, ata të tejmprehtit – disa shkrimtarë dhe sociologë – vepruan sipas thirrjes së zemrës dhe të ndërgjegjes : më të guximshmit heshtën ndërkohë që pjesa tjetër derdhi lot gëzimi ndaj veprës civilizuese dhe edukative të sistemit.
.
. Gjendja ndryshoi fare pak gjatë ushtrimit të pushtetit demokratik : atmosfera e vendit ishte kaq e mbushur me ndryshime dhe përplasje sa që ishte shumë më interesante të fitohej një kulturë biznesi në vend dhe më pas, të pasurohej kjo kulturë me zbulime të reja jashtë vendit se sa të tentohej çfarëdo përçapjeje që synonte vetënxënësinë. Në këtë mënyrë, mbetet vetëm të merren me mend se çfarë frutash mund të jepte shartimi i kësaj kulture të tregut mbi atë cungun gjëmbaç të përpunuar nga punishtet komuniste të destrukturimit.
. Të rinj – të cilët, përpara se të mësonin të lexonin dhe të shkruanin korrektësisht gjuhën e tyre të lindjes mundoheshin të bënin pazar në gjuhë të huaj ; të cilët, përpara se të njihnin vlerën e parasë ëndërronin të bëheshin pasanikë ; të cilët, përpara se të bëheshin qytetarë në vendin e tyre kërkonin të ktheheshin në qytetarë të botës ; të cilët, përpara se të thelloheshin në kuptimin e vërtetë të jetës bënin tregëti me jetën e të tjerëve.
. Këta lundërtarë të ekstremit, universi kozmologjik i të cilëve përfshinte Perëndimin mbarë – përveç vendit të tyre, këta eksploratorë të parë të Botës së Re, të xhveshur nga trupi dhe nga shpirti, të mangët nga përvoja, nga skrupujt, nga dija dhe nga zanati, sulmuan kështjellën Evropë, të armatosur vetëm me guxim dhe lakmi.
. Një dhjetvjeçar më pas, kontinenti i Vjetër dridhej nën hapat e tyre.
.
.
. ————————–
.
.
. (1) Shih : Philippe CHASSAGNE & Kolë GJELOSHAJ – ibidem. ose : Xhavit SHALA – Krimi i Organizuar dhe Sigurimi Kombetar, në: www.mpo.gov.al/mpo/studime/.
.
. (2) Margaret M. HASLUCK – The Unwritten Law in Albania, J. H. Hutton (ed.), London 1954

(3) Edith DURHAM – High Albania, Edward Arnold (ed.), London 1909.

.
. (4) Francis DELEZ – publicist francez i fillimit të shekullit të XXtë, i cili në 1912 në vigjilje të pavarësisë së vendit kish deklaruar frazën e mësipërme : « .. ne njohim më mirë shkretëtirën e Saharasë ose Tibetin se sa Shqipërinë ».
.
. (5) Shih : Xavier RAUFER (& Stéphane QUERE) – Une menace pour l’Europe, la mafia albanaise – Ed. Favre, Lausanne, 2000; si edhe : Franck NICOUD – La Géopolitique de l’Albanie et l’émergence d’une puissance criminelle balkanique, Mémoire (DEA) « Défense Nationale et Sécurité Européenne », Université des Sciences Politiques, Sociales et Juridiques de l’Université de Lille II, 2001 – 2002. Për ata që janë vërtet të interesuar mbi këtë çështje, rekomandohet varianti origjinal : Shtjefen GJEÇOVI – Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shtëpia Botuese KUVENDI, Lezhë 1999.
.
. (6) Observatoire Géopolitique des Drogues (OGD) – The World Geopolitics of Drugs 1995-1996, Annual Report, april 1997
.
. (7) Bertrand MONNET – La Mafia albanaise: état 2007. Note d’alerte MCC. IMARISC (Institut de Ménagement des Risques Criminels, Lille – Nice 2007.
.
. (8) Sipas Alpion, fakti që J. K. Rowlings ka zgjedhur Shqipërinë si streha e fundit e Lordit Valdemart « s’është gjë tjetër veçse një tregues i arrogancës intelektuale dhe i injorancës së saj, aq shpesh e treguar nga autorët perëndimorë kur ata shkruajnë.. lidhur me ‘popujt inferiorë’. Duke zgjedhur Shqipërinë si strehën e fundit të djallit, Rowlings tregon se sa pak e njeh ajo botën që shtrihet përtej brigjeve britanike dhe në veçanti, këtë Shqipërinë e vogël dhe modeste ». Shih : Gezim ALPION – Image of Albania and Albanians in English Literature from Edith Durham’s High Albania to J. K. Rowlings Harry Potter, dans : Besa Journal, vol. 6, No. 2, Spring 2002, Cornwall, UK.
.
. (9) Shih : Mariella PANDOLFI – Politiche della memoria e nuovi miti identitari nei Balcani contemporanei: il caso Albania, dans Bonifazi, C. (ed.), Le scienze Sociali e la nuova crisi Balcanica, Monography 11, Rome, Consiglio Nazionale delle ricerche, IRP. 2001.
.
. (10) I pari citohet në : Berit BACKER – Behind the Stone Walls Changing Household Organisation among the Albanians of Kosova, Ed. Dukagjini Balkan books, Peja 2003. ndërkohë, i dyti citohet nga : Albert DOJA – Morphologie traditionnelle de la société albanaise, Social Anthropology, 7, 1, European Association of Social Anthropologists, 1999.
.
. (11) Një nga kontributet më origjinalë të sociologut Bourdieu është koncepi i habitus, i cili shpreh mënyrën sipas të cilës strukturat sociale përpunohen dhe shkruhen në kokën dhe në trupin e njeriut, nëpërmjet një procesi brendëzimi të realitetit të jashtëm. Për shkak të origjinës shoqërore, të përvojave vetiake dhe kolektive, dhe më pas të trajektores sociale, krijohen shpesh në mënyrë të pavetëdijshme prirjet për të menduar, për të ndjerë dhe për të vepruar në një farë mënyre ; pra, bëhet fjalë për predispozim dhe dispozim i kushtëzuar për të brendëzuar një farë realiteti në mënyrë të qëndrueshme. Në këtë mënyrë, është habitusi që shpjegon riprodhimin, shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, të raporteve sociale. Lidhur me Kanunin si habitus, shih : Stéphane VOELL – The Kanun in the City. Albanian Customary Law As a Habitus in His Persistance in the Suburb of Tirana, Bathore. Dans : Anthropos (Sankt Augustin) 98 : 1.
.
. (12) Shih mbi këtë subjekt : Jana ARSOVSKA – The Way forward : Code of (dis)honour and men of (no)respect – the evolution of Albanian OC in Europe and the paradox of moral justification of criminal acts; Thesis, Catholic University of Leuven, Belgium, august 2004.
.
. (13) Eno TRIMÇEV – Organised Crime in Albania : An Unconventional Security Threat, Connections, The Quarterly Journal, Vol. 2, no. 2, june 2003.
.
. (14) Mbi motivet që shtyjnë shqiptarët të braktisin vendin e tyre për të mbrritur me çdo çmim në brigjet e Evropës – bile edhe duke e paguar me jetën e tyre, shih : Erind PAJO – Longing and Belonging : the West as Territory of Nationless in Albanian Cosmologies, Anthropologie of East Europe Review, 19(1), spring 2001.


Krimi, Mafia dhe Kanuni – (3/4) Mafia or not Mafia ?

Korrik 18, 2008
. I çliruar nga pesha e tmerrshme e « aktiviteteve terroriste », mbetej sidoqoftë emërtimi Mafia, i cili megjithë magjinë e vet nuk arrin të krijojë unanimitet mes ekspertëve kriminologë. Një kategori e këtyre të fundit mendojnë se KOSH zotëron të gjitha elementët e një Mafie të vërtetë : një aktivitet poli-kriminel (drogë, armë, trafik i qenieve njerëzore, kontrabandë e cigareve ose riciklim i sendeve të vjedhura, proksenetizëm dhe grabitje, rrëmbime si dhe vrasje me kontratë) ; një aftësi të nivelit të lartë për të kryer operacione ndërshtetërore të ndërlikuara dhe ç’është më e rëndësishme, një shkencë të përsosur të mbrojtjes së strukturave përbërëse – të përvehtësuar në shkallën më të lartë.
. Ja edhe një përshkrim mjeshtëror i këtij mjedisi kaq misterioz, i dhënë nga një prej ekspertëve mafiologë më në zë në nivelin evropian, pionieri i fenomenit mafioz shqiptar, vepra e të cilit konsiderohet si « antologji » e llojit të vet :
.
. « … me zhdukjen e rregjimit komunist dy të tretat e agjentëve të Sigurimit paranojak kishin mbetur pa punë. Një numër i madh i tyre u bashkuan me klanet kriminele lokale. Kështu, këta individë lëvizin të fshehur nën pseudonime, emra dhe identitete të maskuara. Edhe më keq, pasi sipas origjinës së tyre lokale, malësorët shqiptarë flasin dialekte plot me fjalë të posaçme që edhe në luginat ngjitur, fqinjët e tyre nuk arrijnë t’i kuptojnë. Mjafton të mbledhim këto vështirësi (pseudonime plus dialekte), që të mundim të imagjinojmë atë policin italjan ose zviceran duke u munduar të dekriptojë rregjistrimin e një bisede në telefon » (1).
.
. Sidoqoftë, megjithë grumbullin e fakteve – dhe të dëshmive – që dëshmojnë për profesionalizmin kriminel të mafiozëve shqiptarë, mendimi i ekspertit tonë është i prerë : për të folur mbi një Mafia stricto sensu, duhen të paktën dy elementë të tjerë esencialë :
.
. – një mjedis natyror pjellor, i aftë për të ngjizur stukturën elementare. Këtë mjedis ai e identifikon pa asnjë mundim, pasi e ka përpara syve :
.
. « .. në Shqipëri dhe veçanërisht në veriun malor të vendit, mbijeton në mënyrë pothuaj kimikisht të pastër .. shoqëria klanike tradicionale mesdhetare, që respekton traditat e lashta të nderit dhe të hakmarrjes.. kodi i të cilës Kanuni gjendet në shitje të lirë » (2)
.
. – një mekanikë e pagabueshme e brendshme, e përveçme për klanin kriminel – një kuadër biologjik, familja e zgjeruar, si dhe një hierarqi brenda të cilës lidhjet e gjakut janë më të fuqishme se ato të martesës.
.
. Lidhur me këtë hierarqi, ekspertit i duhet të verë në lëvizje gjithë imagjinatën e tij dhe kërkimet e çojnë drejt një zbulimi të madh : të famshmet fares – një neologjizëm ad hoc. Sigurisht që bëhet fjalë për analogun e fisit verior, të cilin një zot e di përse ai e ka lënë jashtë skeme, për të preferuar farët jugore. Farë apo fis, bile edhe farefis, profesori-ekspert i mafias dhe i krimit të organizuar, antari i Council on Global Terrorism (Washington DC) ka bindje të plotë se këto « struktura » i binden verbërisht një shefi.

.
. Megjithëse gjithçka duket e vërtetuar, për t’a bërë sa më të besueshme analizën e tij, specialisti ynë ju rekomandon skeptikëve të lexojnë raportet e sintezës të Drejtorisë së Hetimeve Antimafia italjane (DIA) – ndoshta me shpresë se askush nuk do t’i lexojë. Por ja, leximi i këtyre raporteve kaq të përfolura ja vlen barrën pasi specialistët italjanë në anatomi të Mafias kanë mendimin e tyre – që s’ka të bëjë fort me atë të mësipërm. Për më tepër, ata mbeten të rezevuar : ata konstatojnë një aktivitet gjithmonë në rritje të KOSH-it të cilin e quajnë sipas rastit mjedis, vllazëri, shoqatë keqbërësish, organizatë kriminele, banditizëm i organizuar etj, ndërkohë që hezitojnë mjaft t’a « fisnikërojnë » nëpërmjet emërtimit Mafia
.
.
. Në vitin 2000 – vit i botimit në Lozanë të librit « Une menace pour l’Europe, la mafia albanaise », lidhur me KOSH-in, raporti i DIA-s përmend kriminalitetin e organizuar shqiptar dhe e karakterizon si më poshtë :
.
. « janë të shumtë grupet e vogla të dedikuara kryesisht ndaj aktivitetit me femra, nëpërmjet emigracionit klandestin, prostitucionit ose trafikut të fëmijëve.. Këto organizata të vogla në përgjithësi nuk janë të lidhura me njera tjetrën aq më tepër që shpesh ato hyjnë në konflikte reciproke për zotërimin e territoreve… Edhe më e rrezikshme paraqitet prezenca e vërtetuar e disa grupeve kriminele shqiptare me një organizim më të strukturuar, të karakterizuara nga një aktivitet të shënuar në planin ndërkombëtar të biznesit të paligjshëm dhe të drejtuara pothuaj në mënyrë strikte nga Shqipëria ku edhe banojnë krerët e organizatës… Tashmë paraqitet manifeste bashkërendimi i sinergjive në biznes mes grupeve kriminele shqiptare më të fuqishme dhe organizmave dhe konsorciumeve mafioze vendase dhe tradicionale qoftë puljeze, napolitane ose siqeljanne dhe kalabreze në fushat e drogës të cigareve ose dhe të armëve… Mbi territorin kombëtar tendenca është ajo e bashkëjetesës mes grupeve kryesore kriminele dhe e strukturave të vogla të shkathta, kryesisht të natyrës familjare të cilat, sipas rastit, mund të modulojnë aksionet e tyre me kërkesën e kriminalitetit të madh të organizuar ». (3)
.
.
. Dy vjet më pas, në vitin 2002, vërejtjet e DIA-s bëhen më të mprehta :
.
. « … hetimet e shumta të policisë gjyqësore venë në dukje se subjektet kriminele përfaqsojnë situata gjyqësore recidiviste qoftë edhe në distancë në kohë dhe në hapësirë. Kjo tregon forcën qënësore të brendshme të arritur prej disa prej grupeve kriminele shqiptare, te cilat meritojnë me të vërtetë emërtimin e Mafias së Re. Në të vërtetë, aksioni gjyqësor kundër këtyre strukturave çfaqet pjesërisht efikas pasi duke eliminuar një pjesë të organizatës ajo shtrihet shpesh në një kontekst gjeografik evropian. Fluksi i madh i informacioneve të marra ka lejuar të arrihet në përfundim se klanet shqiptare janë ndërtuar mbi bazën e një strukture piramidale – dhe me sa duket – me krijimin e një « këshilli » të përbërë nga kryetarët e familjeve kryesore kriminele të cilat, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, japin urdhrat dhe direktivat drejpërdrejt nga Shqipëria.. » (4)
.
.
. Megjithatë, në 2005, kjo « Mafia e Re » zhduket përsëri në anonimat, në dobi të grupeve kriminele shqiptare të cilat :
.
. « … janë duke u imponuar si referencë kryesore ndaj të gjitha organizatave keqbërëse të huaja, jo vetëm në lidhje me emigracionin klandestin që përfundon në aktivitetin me femra, të përkushtuara drejt prostitucionit, por njëkohësisht lidhur me trafikun e heroinës dhe të kokainës, aktivitete që mes të tjerash ju lejojnë që të kenë lidhje gjithmonë e më të qëndrueshme me Mafian italjane. Trafiku i qënieve njerëzore dhe shfrytëzimi i prostitucionit mbeten aktivitetet kriminele tradicionale të shqiptarëve që veprojnë në gadishullin tonë… Kriminaliteti shqiptar i cili, nga njera anë duket se projektohet drejt Kontinentit të vjetër veçanërisht kur bëhet fjalë lidhur me trafikun e drogës dhe me shfrytëzimin e prostitucionit, mban lidhje të fuqishme me mëmëdheun ku veprojnë administratorët e trafiqeve ilegalë. Territori shqiptar përfaqson kështu qendrën e rëndesës që nga dalin degëzimet kriminele ». (5)
.
.
. Atëhere, Mafia or not Mafia ? Edhe në qoftë se ajo e meriton emrin Mafia, çfarë përfaqson ajo në termat e pushtetit ? Përgjigja vjen nga një raport francez i kohëve të fundit :
.
.
. Mafia shqiptare nuk është vetëm një ndërmarrje kriminele sikundër mund të jenë organizatat e tjera kriminele ndërkombëtare. Në ngjashmëri me homologët e saj italjanë, amerikane, turke, kineze, japoneze dhe te kushërinjve të saj shqipfolës, mafia shqiptare është njëkohësisht një bashkësi kriminele, rrezikshmëria e të cilës vjen nga kombinimi i dy forcave të kundërta : një strukturë e nyjëzuar rreth bërthamave tepër homogjene dhe një kapacitet i madh i rrezatimit jashtë bashkësisë. (6)
.
.
. Pak të shqetësuar në lidhje me çështjet e semantikës, të tjerë specialistë italjanë – ata të botës sekrete – na japin pamjen e tyre të gjendjes si dhe të shtrirjes së fenomenit. Sipas tyre, KOSH pëmbledh
.
. « karakteristika tradicionale – të dukshme nëpërmjet ngurtësisë disiplinuese të brendshme, klanizmit të tij si dhe kyçjes endogame, të cilat favorizojnë papërshkueshmërinë, krijimin e besimit dhe sjelljes endogjene – pa harruar edhe elementët novatorë dhe modernë sikundër ndërkombëtarizimi, përçapja tregëtare si dhe kultura kriminogjene e shërbimit » (7).
.
. Gjithmonë të njejtët specialistë, në planin e brendshëm dallojnë një mpleksje strukturash të llojit :
.
.
.Organizata mafioze, të karakterizuara nga kontrolli i ngushtë i territorit, nga praktika të përplasjes sistematike dhe të projeksioneve « egzogjene »të specializuara, nëpërmjet të cilave, ato sigurojnë zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme ndërkombëtare. Bashkësia e këtyre kompetencave, mundësitë e ofruara nga një mjedis i brendshëm i zhveshur nga tensione të llojit shtrëngues dhe së fundi kushtet e konjukturës rajonale që kanë favorizuar pozitën strategjike shqiptare përkundrejt flukseve ilegale ballkanike, i lejojnë vendit të shëndrrohet në udhëkryq të trafiqeve ndërkombëtare dhe ju japin atyre grupeve lokale më të strukturuara funksione të panjohura të natyrës « bërthamore ». Organizatat mafioze mbeten të natyrës klanike, familjare dhe kryesisht autoktone ; megjithatë, falë prirjes së tyre të lartë oportuniste, ato shkojnë drejt ndërveprimit, drejt krijimit të karteleve funksionale dhe drejt logjikës së « rrjetave », duke zhvilluar me këtë rast edhe sjellje tregëtare të natyrës së shërbimeve ;
.
.
.Banda kriminele, jashtëzakonisht fluide dhe të lëvizshme në të gjithë territorin kombëtar, të pajisura me një polivalencë të madhe dhe shpesh të dedikuara ndaj aktiviteteve që shërbejnë mjedisin mafioz. Këto banda janë kryesisht të natyrës grabitqare, të afta të çvendosin aktivitetin e tyre qoftë në territorin kombëtar qoftë dhe jashtë shtetit, me rakordime tepër precize të natyrës operative dhe të bashkëpunimit me të tjerët. Shpesh, ato adoptojnë për nevojat e tyre module kriminele të natyrës « hipertrofike » jashtëzakonisht të dhunshme, sipas objektivave të rastit ;
.
.
.Agregate kriminele, me strukturë të paqëndueshme dhe të lidhura për shkak të mundësive të krijuara që mbeten të paligjshme dhe të rastit. Ata veprojnë brenda territorit kombëtar dhe janë të specializuara në funksionet kriminele të bazës (skafistë, fallsifikues dokumentash, shoqërues personash etj.) dhe që mund të konvertohen drejt aktiviteteve të tjera ende të panjohure.
.
. I plotësuar në këtë mënyrë në rrafshin funksional dhe operacional, fenomeni KOSH çfaqet mjaft më prozaik, në përputhje me objektivat e tij fillestare : të gjenerojë një fitim sikundër çdo ndërmarrje tjetër private – me dallimin rrënjësor të natyrës së paligjshme të biznesit kriminel me të cilin merret si dhe të « mallit » që tregëton. S’mbetet asnjë dyshim që kjo surrogato e trupit social, shpesh herë e quajtur edhe shoqëri paralele, është e pajisur me kapacitete të larta dëmtuese, në përpjestim të drejtë me mjetet e saj financiare që ve në qarkullim në mënyrë të vazhdueshme për të paralizuar aksionin qeveritar. Asnjë dyshim gjithashtu që qarqet e saj ilegale kanë prirjen të shkrihen me aktivitetet ligjore, qoftë edhe për të « zbardhur » kapitalet ose për të përjetësuar aktivitetin nëpërmjet një materializimi të prekshëm siç është rasti i ndërtimit të godinave ose i komplekseve të hoteleve.
.
. Duke bërë këtë përpjekje elementare për të kufizuar fillimisht fenomenin në brendësi të kufijve shtetërorë – larg efekteve propagandistike të llojit « Mafia e pamëshirshme dhe e përgjakshme që terrorizon Evropën mbarë » – arrihet të përfitohen konturet e një mjedisi politiko-financiaro-shoqëror i cili njeh një shkallë të rritur të kriminalizimit, gjë që është vrojtuar dhe njohur nga një varg studiuesish ndërkombëtare nën emrin « kapje e Shtetit ». Por, sapo që kapërcehen kufijtë shtetërorë, ekspertët e Mafias nuk mund të bëjnë më dallimin mes përbërësve të etnisë shqiptare (shqiptarë të mirëfilltë, kosovarë ose shqiptarë të Maqedonisë) të cilët, sipas tyre, vrapojnë si një trup i vetëm për të pjesëmarrë në projektin kriminel të Mafias mbarëshqiptare. .
.
. A mjafton vallë të flitet e njejta gjuhë – e tejngopur me dialekte, që mezi lejon dy fqinjë të luginave ngjitur të merren vesh – për të garantuar bindjen thuajse të verbër ndaj një shefi ? A mjafton fakti që njerëzit i përkasin të njejtit komb për të siguruar frytshmërinë e veprimit dhe sigurimin e brendshëm të një organizate si puna e Mafias – të një « familjeje » që grupon antarët e saj sipas lidhjeve të gjakut dhe aleatët sipas betimit të besës, të nënshtrimit, të nderit, të lidhjeve familjare ose të solidaritetit klanik ? Atëhere, Mafia shqiptare e bashkuar apo disa Mafia të përveçme shqipfolëse (shqiptare, kosovare, shqiptaro-maqedone) ?
.
.
. Fundja fundit, Mafia autentike apo Mafia e rreme, kriminalitet i organizuar mbarëshqiptar apo banditizëm ndërfisnor, të gjithë – nga më i madhi tek më i vogli – e ka tashmë të qartë që ky « oktapod » i përbindshëm shtrëngon me tentakulat e tij ekonominë e vendit. Ndërkohë, Evropa e Bashkuar detyron Shqipërinë të ndërmarrë përpjekje të mëdha për të shrrënjosur trafiqet dhe krimin e organizuar. Berisha i është vënë kësaj detyre me gjithë vrullin e tij të zakonshëm dhe qeveria e tij mburret për arritje të dukshme. Po qe se ju besojmë shifrave të dhëna prej saj, janë disa qindra mafiozë dhe kriminelë të arrestuar gjatë operacioneve të policisë brenda vendit dhe në vendet fqinje, disa dhjetra funksionarë të lartë të korruptuar që i kanë kaluar drejtësisë, ndërkohë që Parlamenti ka votuar disa ligje kundër kriminalitetit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme (përcaktimi i trafikut të qënieve njerëzore në kategorinë e krimeve, ose ndalimi i lundrimit të anijeve të lehta në ujrat kombëtare teritoriale).
. Sigurisht, kjo politikë e qeverisë Berisha ja ka vështirësuar jetën mafiozëve dhe kriminelëve brenda vendit por është ende shpejt të thuhet se KOSH-i ose Mafia janë duhe hequr shpirt. Mjafton të përmenden shkalla e lartë e depërtimit të krimit të organizuar në rradhët e politikës dhe të pushtetit lokal bile dhe qëndror, lidhjet e shumëfishta të tij me mjedisin ndërkombëtar, forca e stërmadhe financiare dhe kapaciteti i tij i lartë korruptues. Megjithëse qeveria ende heziton të ndërmarrë një sulm në përmasa të gjera ndaj ndërfutjeve mafioze në mjedisin politik dhe financiar vendas, ajo ka mundur ndërkohë të fitojë një farë simpatie dhe besimi të mjediseve evropiane që natyrisht përkrahin dhe nxisin nismën.
.
. Sidoqoftë, qarqet politiko-ekonomike të pushtetit janë të ndërgjegjshme se lufta kondër strukturave kriminele i tejkalon së tepërmi përmasat policore ose ushtarake, gjyqësore ose institucionale, pasi ajo prek në mënyrë të drejpërdrejtë mbijetesën ekonomike të vendit. Në këtë rast, Berisha i ngjan atij tipit që sharron degën mbi të cilën është ulur pasi, në qoftëse mekanizmi i kurbetit ka filluar të ngecë dhe « dhurata financiare » e transfertave të fondeve ka filluar të zvogëlohet seriozisht, përplasja me KOSH-in lokal ka ngadalësuar në mënyrë të ndjeshme ritmet e rritjes së sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë (ndërtim, tregëti) – pra të ekonomisë kombëtare në përgjithësi. Dëmtimi i interesave ekonomike të vendit përbën edhe « kufirin esencial të aksionit të qeverisë Berisha : për shkak të varësisë ekonomike të thellë nga mjedisi kriminel, çdo goditje kundër mafias përbën njëkohësisht një goditje kundër ekonomisë ». (10)
. I kërcënuar nga një fillimkrize e gjerë ekonomike, nga një krizë e vërtetë energjetike, nga një refuzim ndërkombëtar për të dhënë ndihma ose kredi, nga një opozitë politike zemërake, nga një reaksion i dhunshëm i mjedisit kriminelo-mafioz, këto vite që vijnë pushtetit të Berishës i duhet të tregojë një imagjinatë tepër të lartë për të siguruar mbijetesën e tij.
.
. —————————
.
.
. (1) Xavier RAUFER (& Stéphane QUERE) – Une menace pour l’Europe, la mafia albanaise – Ed. Favre, Lausanne, 2000.
.
. (2) Xavier RAUFER (& Stéphane QUERE) – ibidem.
.
. (3) Shih : Direzione Investigativa Antimafia (DIA) – Attivita’ Svolta e Risultati Conseguiti – Ministero dell’Interno, 1 e 2 Semestre 2000.
.
. (4) Shih : Direzione Investigativa Antimafia (DIA) – Analisi in ordine all’Evoluzione delle Organizzazioni Criminali et Linee Progetuali della Futura Azione di Contrasto–, Volume Imo, 2 Semestre 2002.
.
. (5) Shih : Direzione Investigativa Antimafia (DIA) – Attivita’ Svolta e Risultati Conseguiti – Ministero dell’Interno, 1 et 2 Semestre 2005.
.
. (6) Bertrand MONNET – La Mafia albanaise: état 2007. Note d’alerte MCC. IMARISC (Institut de Ménagement des Risques Criminels, Lille – Nice 2007.
.
. (7) në këtë rast, profili strukturor i paraqitur duket se ka ngjashmëri me ‘Ndrangheta kalabreze ndërkohë që ai funksional anon drejt kriminalitetit puljez. Shih : Anonim – Mafia albanese in crescita : dal rischio di area alle grandi alleanze, Italian Intelligence Magasine, GNOSIS n. 4/2005, ottobre-dicembre. në : www.sisde.it/
.
. (8) Shih mes të tjerësh : Drita CEPIKU – Coping with Corruption in Albanian Public Administration and Bussiness, International Public Management Review, Vol. 5, issue 1, 2004.
.
. (9) Franck NICOUD –La Géopolitique de l’Albanie et l’émergence d’une puissance criminelle balkanique, Mémoire (DEA) « Défense Nationale et Sécurité Européenne », Université des Sciences Politiques, Sociales et Juridiques de l’Université de Lille II, 2001 – 2002.
.
. (10) Bertrand MONNET – ibidem.


Krimi, Mafia dhe Kanuni : (2/4) Krimi i Organizuar dhe ngulmimi terrorist.

Korrik 17, 2008
. Pa asnjë dyshim, origjina e Krimit të Organizuar Shqipfolës (KOSH) është e vonët. Shumë shumë, sipas mendimit të atyre që janë përkulur mbi këtë problem, lindja e këtij fenomeni përcaktohet diku rreth viteve 70 – 80 dhe i përgjigjet lidhjeve të hershme të Shtetit komunist të Hoxhës me krimin e organizuar ndërkombëtar. Këto lidhje shpjegohen me vështirësitë e mëdha financiare në të cilat gjendej rregjimi i Hoxhës sikundër dhe me zhvillimet e vrullshme të trafikut të drogës dhe të cigareve në rajonin e Adriatikut jugor. Strukturimi i tij në kohë duket se kalon nëpër tre etapa të pashmangshme :
.
.
. - Pragu i parë kohor përcaktohet nëpërmjet supozimit ende të pavërtetuar se pushteti komunist kish lidhur një marrëveshje me Mafiat italjane në fillim të viteve 80 për të marrë pjesë në një trafik të gjerë cigaresh, me brigjet shqiptare si bazë nisjeje. Pa mundur të sjellin prova të prekshme, autorët e kësaj hipoteze mbështeten mbi burime italjane për të mbrritur në përfundimin se kjo gjë ishte autorizuar në mos e kontrolluar nga Sigurimi i gjithëgjendur. Vërejmë se nuk është e nevojshme të zhbirohen sekretet e Sigurimit për të pohuar se ideja e kondrabandës së cigareve përputhet me logjikën e kërkimit të burimeve financiare nga ana e rregjimit komunist të Hoxhës, veçanërisht pas prerjeve të kredive kineze – aq më tepër në kushtet kur herë pas here plazhet e Durrësit dhe të Kavajës janë mbuluar me paketa cigaresh, bile edhe me arka të tëra, që sillte dallga (1).
.
.
. - Pragu i dytë gëdhendet nga vëzhgues gjithmonë të huaj, të cilët kanë patur rastin të jetojnë në vend gjatë viteve të diktaturës dhe si pasojë, thëniet e tyre besohen pa vërtetim. Gjithmonë « (.. ) sipas disa burimeve, por pa patur mundësi të sigurohen prova, dyshohet se Shteti shqiptar – sikundër edhe Kina – të ketë transformuar kulturën e lulëkuqes për të prodhuar morfinë dhe heroinë e cila i është shitur Mafias italjane me qëllim që të përshpejtohej degjenerimi dhe kalbëzimi i Perëndimit ».
. Përsa i përket lulëkuqeve të hashishit, edhe llogaritja më elementare mjafton për t’u siguruar për natyrën thellësisht fantaziste të hipotezës. Aq më tepër që në këtë fushë vepron « ligji dhjetë me një » që karakterizon shëndrrimet e njëpasnjëshme të lëndës së parë deri në prodhimin e gatshëm : 10 hektarë kulturë = 1 ton opium brut ; 1 ton opium brut = 100 kg morfinë ; 100 kg morfinë = 10 kg heroinë ; me fjalë të tjera, për të prodhuar një ton heroinë nevojiten mesatarisht 1000 hektarë nën kulturën e lulëkuqes.

. Pra, ose na duhet të gërmojmë në arkivat e Byrosë së atëhershme Politike në kërkim të asaj sasisë së nevojshme të heroinës, e aftë të kalbëzojë Perëndimin e largët ose, na duhet të rrëmojmë kujtimet e prindërve – si edhe ato tonat – në kërkim të pamjeve aq magjepëse të atyre dhjetra mijrave hektarëve ku lulëzonte bima, që sigurisht, i kemi marë për luledielli ose për jonxhë. Ndoshta më e thjeshtë është të pranojmë që kemi të bëjmë me një përçartje në diell, një përpjekje virtuoze për të fituar titullin « ekspert i çështjeve shqiptare » ; thjesht, një emanacion i drejtpërdrejtë i skenareve të suksesshme të Kadaresë (2).

.
.
. - Pragu i tretë vendoset nga konstatimet e një specialisti të njohur evropian i çështjeve të UÇK. Ai pohon se « në shkurt të vitit 1982, militantë maoistë partizanë të diktaturës së Enver Hoxhës formuan në Turqi Lëvizjen për Republikën shqiptare të Jugosllavisë (LRSHJ), bashkim i katër gruptheve maoiste : Fronti i Kuq Popullor, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Jugosllavisë, Lëvizja Nacional- Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) si dhe nga Organizata marksiste-leniniste e Kosovës (OMLK) ». Mjafton më tutje të mësojmë se këta militantë ishin të lidhur me « banditizmin kosovar të Zvicrës » për të ngjitur të gjitha copat e mozaikut : Partizanë të Hoxhës që mblidhen në Turqi, vend « i shenjtë » i shpërndarjes së heroinës drejt Evropës, të cilët grumbullohen rishtas në Zvicër, vendi simbolik i trafikut të drogës.
. Ndërkohë, askush nuk shqetësohet lidhur me zamkën që nuk ngjit : së pari, vështirë se mund të gjesh qoftë edhe një kosovar, njëkohësisht edhe maoist edhe adept i Enver Hoxhës në vitin 1982 dhe jo më disa dhjetra për të krijuar një Lëvizje të tërë ; së dyti, nëqoftëse shërbimet e fshehta jugosllave asgjësuan militantët e OMLK dhe të LNÇKVSHJ në Gjermani në janar të vitit 1982 – mes të cilëve edhe Jusuf Gërvallën, nuk ishte për shkakun se ata ishin « bosët e drogës » por se ata përbënin « një kërcënim për sigurinë e brendshme të Federatës ». Në këtë mënyrë mbetemi në rutinën policore-gazetareske : e para vret ndërkohë që e dyta merret me vënien e etiketave mbi viktimat.
.
. Sidoqoftë, këta vëzhgues kaq të vëmendshëm harrojnë të nënvizojnë se ky « kriminalitet shtetëror » – edhe po qe se ka egzistuar – mbetet një përvojë e integruar në strategjinë ekonomike të rregjimit, pra një praktikë elitiste. E parë nën këtë prizëm, ajo nuk mund të merret si « shkollë edukimi » e masave të gjera, si një stazh përsosjeje e elementit mbarëpopullor, kaq frytdhënëse në rastin konkret të zbulimit të vonët të Evropës.
.
. Pionierët e parë të vërtetë i përkasin ose mjedisit shqiptar të vendosur në Shtetet e Bashkuara, ose diasporës së re kosovare të instaluar në Evropë. Mes të tjerash aktivitete, të të dy këto mjedise u orientuan menjëherë drejt trafikut të drogës. Por nëqoftëse të parët filluan karrierën e tyre si ndihmës të padrinove siqeljanë të Mafias italo-amerikane në të shquarën Tri-State zone (Nju Jork, Nju Xhersej dhe Konektikut)(4), të dytët përfituan nga vështrimi babaxhan i padrinove të Mafyas turke, vetë ata me origjinë të largët shqiptare (5). Sidoqoftë, ka shumë të ngjarë që këto përvoja pilote nuk do të kishin patur asnjë eko në mungesë të dy ngjarjeve madhore që tronditën fund e krye botën shqiptare : shembja e komunizmit dhe shpërbërja e Federatës Jugosllave, në kapërcyell të viteve tetëdhjetë.
. Ndërkohë që bashkësia fort e madhe shqiptaro-kosovare e Gjermanisë dhe e Zvicrës filloi të « lutej » me këmbëngulje për të pjesëmarrë në financimin e « Republikës së Kosovës » – gjë të cilën ajo e kreu në mënyra të ndryshme, me hir ose pahir, duke bashkëlidhur ekonomitë e veta dhe paranë e trafikut, shqiptarët e Shqipërisë filluan të instalohen gjerësisht në vendet e Evropës perëndimore. Nëpërmjet lidhjeve të shumta, këto dy mjedise do të krijojnë edhe themelin e KOSH-it : një rezervuar i madh njerëzor, i përbërë nga të rinj të ngeshëm, të papunë dhe të gatshëm për të fituar shuma të mëdha si dhe një bazë e gjerë logjistike, që zotëronte ndërresa dhe pika përforcuese praktikisht në të gjitha qytetet e mëdha të Evropës.
.
. Ç’është e drejta, deri këtu gjendja s’paraqitet fort intriguese pasi, përveç mjedisit shqiptar egzistonin një numër i madh mjedisesh banditeske edhe më të shtrira, edhe më të dendura – pra më të fuqishme, me origjinë nga vendet e tjera të Evropës së lindjes : ajo kroate ose tjetra serbe, një mjedis bullgaro-maqedonas, pa harruar sigurisht atë rumun ose së fundi atë ruso-ukrainas. Ajo çka tejkalon të zakonshmen përmblidhet në pyetjen e mëposhtme :
.
.
. si ndodhi që ky mjedis kriminel në belbëzimet e tij, që zotëronte një njohje rudimentare të kulturës dhe të mënyrës perëndimore së jetesës, mundi të shëndrrohet shumë shpejt në një strukturë të natyrës mafioze – për të mos thënë nË një Mafia të vërtetë, në të njejtin rang ose pothuaj të njejtin me organizata « të respektuara » si Triadat kineze, karteli i Kalit ose Mafia ruse, e aftë të sfidojë « profesionistët » e Kamorrës ose të ‘Ndrangetas në tokat e tyre jugitaljane ?
.
.
. Na duhet të pranojmë se, megjithë një farë numri studimesh të kryera dhe një dorë vrojtuesish që janë përkulur mbi këtë subjekt, përgjigja nuk ka mundur të kapërcejë stereotipet tashmë të zakonshme. Ajo çka i intereson kësaj analize – veçanërisht kur ajo kryhet nga specialistët e krimit – është fakti në vetvehte, fenomeni kriminel ; rrallë herë, ajo mundohet të depërtojë sipërfaqen e tij, për të kqyryr mekanizmin shoqëror. Bile edhe kësaj here, dija e thellë e kërkuesit mezi arrin të mbulojë injorancën e thellë të terrenit dhe të njerëzve, mospërfilljen ndaj dokeve dhe zakoneve, aq më tepër kur kjo dije zgjedhohet me paragjykimet e vjetra dhe formulat e huazuara nga të tjerë vrojtues po aq të pakujdesshëm.
. Vetëm se, kësaj rradhe objekti i kqyrjes e tejkalon së tepërmi kuriozitetin e thjeshtë pasi tema është e një rëndësie tepër të veçantë. Ajo ajo prek një nga rregjistrat më të ndjeshëm të mbarë qytetërimit perëndimor : sigurinë e jetës dhe të pasurisë private, rendin publik dhe respektin e ligjit – pra themelet e demokracisë. Nuk është i rastit që shqetësimi i krijuar dhe pështjellimi fokuson vështrimin e Evropës mbarë mbi vendin. Me fjalë të tjera, kriminaliteti është shëndrruar në kriter gjykimi të një shoqërie të tërë për të mos thënë të një populli, në të vetmin filtër nëpërmjet të cilit mediat sjellin përpara lexuesve ose dëgjuesve të rejat nga vendi i shqiponjave. Në këtë rregjistër, lufta e Kosovës përbën një nga ilustrimet më të goditura.
.
. Ndërhyrja e Aleatëve kundër Millosheviçit dhe shenjtërimi i UÇK-së si forcë ushtarake gjatë luftës dhe më tej, si bashkëbisedues dhe forcë politike në kohë paqeje, ngriti në mënyrë të pashmangshme problemin e lidhjeve të supozuara mes parasë së drogës të rrjetave kriminale shqiptare dhe financimit të organizatës. Shqetësimi në rritje i pushtetit serb dhe pështjellimi i qarqeve politiko-ushtarake të Beogradit ndaj rezistencës kosovare mundi të zgjedhohej krejt natyrshëm me preokupimin e thellë të policive evropiane ndaj aktivitetit kriminel të mjediseve albanofone. Përfundimisht, shkallëzimi i luftës së armatosur prodhoi edhe stereotipin « terrorizëm » që mundi të rrënjosej pa vështirësi në kontekstin e vështirë gjeopolitik ballkanik, evropian dhe botëror.
. Në parim, ky problemi i financimit nëpërmjet « aktiviteteve kriminele » nuk mund të kufizohet në kuadrin brendshëm të UÇK-së, pasi ai prek në mënyrë të pashmangshme të gjithë mjedisin politik të Kosovës, të gjithê burrat politikë të krahinës – nga i ndjeri Rugova deri tek demokrati mê i papërfillshëm. Bashkësia e formacioneve politike kosovare të krijuara gjatë viteve 90 u detyrua të përdornin fondet e diasporës për nevojat e organizimit të luftës së armatosur ose të infrastrukturave të kundërshtimit jo të dhunshëm. Ndërkohë, asnjë prej të interesuarve nuk çfaqi shqetësim lidhur me burimet e fondeve të përdorura. Troç, askush nuk kërkoi – krahas markave ose frangave zvicerane – edhe deklaratën e të ardhurave të « taksapaguesve » tê zellshëm.
.
. Është fort e mundshme që dinamika e konfliktit të Kosovës të ketë tërhequr vëmendjen e një pjese të mjedisit kriminel shqipfolës (KOSH) – sikundër dhe një pjesë të mjedisit kriminel serbo-malazez ; që rezistenca e armatosur kundër armikut të trashëguar serb të ketë ngjallur një ndjenjë nacionaliste edhe në rradhët e keqbërësve të KOSH-it. Është po aq e mundshme që UÇK-ja të ketë përdorur kanalet e trafikantëve për të siguruar transportin e saj të armëve, gjë e cila sugjeron një « implikim të trafikantëve të drogës në trafikun e armëve ». Në këto kushte bëhet e nevojshme të « interesohemi lidhur me ata individë, të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me lëvizjen » (6) ose më tej, të kqyrim nga afër ato grupime interesash të natyrës politike, të afërta me mjedisin kriminel. Sidoqoftë, mbetemi tejet larg nga ato deklarata bombastike të qarqeve zyrtare serbe si dhe të disa « specialistëve » të çështjeve islamo-terroriste (7) sipas të cilave, lufta e udhëhequr nga UÇK-ja ishte një ndërmarrje « ushtarako-mafioze », e drejtuar nga « narko-terroristët » myslimanë të Xhihadit anti-serb që ëndërronin « Shqipërinë e Madhe ».
.
. Mbi këtë çështje, mendimi i studiuesit mbetet krejt i kjartë : « Në qoftë se UÇK-ja është cilësuar si terroriste, kjo vjen nga fakti se ajo nuk ishte njohur si lëvizje e çlirimit kombëtar dhe kjo, pasi Shqiptarët e Kosovës ishin konsideruar si një pakicë dhe si pasojë ata ishin zhveshur nga e drejta e vetëvendosjes. Ky opinion ishte në përputhje me dallimin komb/kombësi të të ndjerës Federatë jugosllave dhe ç’është më e keqja në përputhje me të drejtën ndërkombëtare – e cila ju njeh vetëm « popujve » të drejtën për të vendosur vetë mbi çështjet e tyre me qëllim që të evitohet një coptim territorial i paadministrueshëm i planetit. Në mënyrë të ndërlidhur, principi i paprekshmërisë së kufijve bëhet parësor » (8).
.
.
. Çështja e terrorizmit doli me forcë të madhe pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit të vitit 2001, pasi bota e tërë dhe në rradhë të parë qeveritë kombëtare zbuluan lidhjet e shumëfishta mes terrorizmit dhe me krimit të organizuar. Duke ditur origjinën dhe veçanërisht fenë e kamikazeve, Shqipëria – dhe Kosova – qëndruan gjatë një periudhe në qendër të vëmendjes pasi diku, dikush u kujtua lidhur me atë « çfaqjen e beftë » në këto toka të një farë Bin Ladeni, nga mesi i viteve nëntëdhjetë. Për hir tê personalitetit të spikatur i Bin Ladenit, gjithçka lidhet me tê thuhet me zë të lartë ndërkohë që përgënjeshtrimet pëshpëriten me zë të ulët. Kështu edhe fakti i supozuar i kalimit të Bin Ladenit nëpêr Shqipëri.
. Të nesërmen e sulmit terrorist mbi Kullat Binjake të Nju Jorkut, Çosudovski, një prej kritikëve më të egër të ndërhyrjes së armatosur të Aleatëve në Jugosllavinë e Millosheviçit, bëri bilancin e lidhjeve që sipas tij bashkonin Ballkanin me Muxhahidinët, ose me ushtarët e Bin Ladenit. Lidhur me këtë të fundit, ai mbështetet mbi « Sandi Tajms » të Londrës të datës 29 nëntor 1998 për të pohuar se « Bin Ladeni vetë ka vizituar Shqipërinë. Ai përfaqsonte një nga grupet e shumta fondamentaliste që kanë dërguar njësitë e tyre për të luftuar në Kosovë… Mendohet se Bin Ladeni ka instaluar një operacion të tij në Shqipëri në vitin 1994… Burimet shqiptare pohojnë se Sali Berisha në epokën kur ishte President, ka mbajtur lidhje me disa grupe të cilat, sikundër është provuar më vonë, ishin ekstremiste fondamentaliste ». Muçshke mbetet sidoqoftë më i rezervuar kur, në rolin e tij të zv Drejtorit të Drejtorisë Sekrete Kriminele të INTERPOL-it deklaron se « Shërbimet Sekrete indikojnë që një grup drejtuesish terroristë algjerianë (të GIA-s) kanë qenë prezent në një mbledhje të mbajtur në Shqipëri dhe mendohet se ata priteshin të takonin Bin Ladenin i cili, sipas asaj që mendohej, duhej të ishte në Shqipëri në atë kohë ». Ndërkohë as njëri as edhe tjetri – por në mënyrë të veçantë zv Drejtori i INTERPOL-it, nuk gjetën të arsyeshme të shtonin se që në vitin 1998, arrestimi në Shqipëri i njërit prej togerëve të shumtë të Saudianit aq të kërkuar kish lejuar të shpërndahej misteri i dendur. I arrestuari kish deklaruar se ai ishte flakur tej nga ana e kosovarëve të UÇK-së, të cilëve ai ju kish propozuar armë në emër të Xhihadit, ndërkohë që ai shtonte se shefi i tij s’kish shkelur kurrë tokën shqiptare.
.
. U desh pra, kohë dhe shumë aplikim që përfundimisht ky mister të tretej. Çuditërisht, ndërkohë ishte harruar që, me ardhjen e tij në pushtet dhe pavarësisht etiketës prej « fondamentalisti mysliman », Berisha ishte një prej shtyllave të politikës anti-terroriste amerikane në Ballkan. Ai i hapi praktikisht të gjitha dyert e SHIK-ut të tij ekspertëve të CIA-s me qëllim që këta të fundit t’a modernizonin dhe që të stërvisnin kolegët e tyre shqiptarë me metodat e tyre. Një grup specialistësh të Agjensisë ishte vendosur në Shqipëri që prej vitit 1992, me qëllim që të survejonte aktivitetin e OJQ-ve islamike.
. Ajo që nuk dihej i takonte zbulimit të një celule të Xhihadit egjiptian të instaluar në Tiranë që prej vitesh. Pas ngjarjeve të vitit 1997, Klosi – drejtori i ri i SHIK-ut, nën shtytjen amerikane urdhëroi kapjen e antarëve të celulës. Ata u arrestuan njëri pas tjetrit nga ana e agjentëve shqiptarë duke filluar nga date 25 qershor 1998, në kushte « fare pak të justifikueshme nga ana ligjore », sipas të thënave të vetë padronit të Shërbimeve të Fshehta shqiptare.
.
. Në të vërtetë, shumë shpejt dhe pa ndihmën e kolegëve të tyre shqiptarë, amerikanët kishin vënë re prezencën në Shqipëri të një Zavahri, vëllai i vogël i të shquarit Ajman al-Zavahri dhe mê tej mêsuan se egjiptiani i ri ishte në origjinë të celulës « shqiptare ». Ata vunë në përgjim antarët e kësaj celule gjatë muajve të tërë dhe ndiqnin me kujdes të gjitha lëvizjet e tyre. Operacioni, i filluar qysh në periudhën e Berishës nuk njohu ndërprerje edhe në ditët më të turbullta të ngjarjeve të vitit 1997 dhe vazhdoi me ardhjen e socialistëve në pushtet. Ajo u morr në dorë nga Shërbimet e Fshehta të Klosit dhe u mbyll në vitin 1998.
. Nga momenti i përfundimit të operacionit shqiptar të CIA-s, një gazetë arabe e Londrës botoi një letër të datës 15 gusht 1998 të nënshkruar nga Fronti Islamik Ndërkombëtar i Xhihadit. Letra bënte thirrje për hakmarrje ndaj viktimave të anti-terrorizmit të kapura në Tiranë dhe shprehte kërcënime kundër amerikanëve « në një gjuhë që ata do t’a zbulonin shumë shpejt ».
. Dy ditë më vonë, ambasadat amerikane të Kenias dhe të Tanzanisë u hodhën në erë dhe shkaktuan vdekjen e 24 vetëve. Në fillim të vitit 1999, një grup prej 107 integristësh, pjesa më e madhe e të cilëve të arrestuar në Shqipëri, u transferua në Kajro, nën fshehtësinë e sekretit, dhe u gjykua gjatë njërit prej proceseve më të mëdha gjyqësore të organizuara në Egjipt.
.
.
. ——————————
.
.
. (1) Lidhur me hipotezën e parë, shih : Philippe CHASSAGNE & Kolë GJELOSHAJ – ibidem ; sikundër dhe : Bertrand MONNET – La Mafia albanaise: état 2007. Note d’alerte MCC. IMARISC (Institutde Ménagement des Risques Criminels, Lille – Nice 2007.
.
. (2) Mbi këtë lloj përçartjeje shih : Elisabeth et Jean-Paul CHAMPSEIX – L’Albanie ou la logique du désespoir, La Découverte, Paris 1992; sikundër dhe : Ismail Kadare – le Concert, Ed. Fayard 1989.
.
. (3) Lidhur me këtë hipotezë shih : Christophe CHICLET – Aux origines de l’Armée de Libération du Kosovo, Le Monde Diplomatique, mai 1999.
.
. (4) Në një nga artikujt e parë të shkruar mbi këtë fenomen, Xhudo përshkruan bashkëveprimin e kriminalitetit të vogël me origjinë shqiptare në Shtetet e Bashkuara me Mafian Siqeljane e cila kulmoi në çështjen e quajtur « Pizza Connection ». Shih : Gus XHUDO – Men of Purpose : the Growth of Albanian Criminal Activity, në : Transnational Organized Crime, The Ridgway Center for International Security Studies University of Pittsburgh, Pittsburgh, Pennsylvania, USA, Volume 2, Number 1, Spring 1996.
.
. (5) Thierry CRETIN – Mafias du monde. Organisations criminelles transnationales. Actualité et perspectives, Presses Universitaires de France PUF, Paris 1997.
.
. (6) Philippe CHASSAGNE & Kolë GJELOSHAJ – ibidem.
.
. (7) Me këtë rast shih : BIA (Security Information Agency) – Albanian Terrorism And Organized Crime In Kosovo And Metohija, Belgrade, September 2003 ; sikundër dhe : Alexandre del VALLE – Réalité sur l’UCK, 12.1999, dans : http//perso.cs3i.fr/do/textes/uck-par-del-valle.htm.
.
. (8) Shih mbi këtë çështje : Emeric ROGIER – Sous le signe de Sisyphe : La prévention multilatérale des conflits armés dans les Balkans (Kosovo, Sandjak, Voïvodine, Macédoine) 1991 – 2001, Institut Universitaire HEI, Thèse n° 626, Genève, 2001.
.
. (9) Mbi këtë çështje, shih : Michel CHOSSUDOVSKY – « Osamagate », Centre for Research on Globalisation (CRG), globalresearch.ca, Montréal, october 2001 ; si edhe : Ralf MUTSCHKE – The Threat Posed by the Convergence of Organized Crime, Drugs Trafficking and Terrorism, (Written Testimony), The International Criminal Police Organization – INTERPOL, December 2000. Shih gjithashtu : International Crisis Group – Bin Laden and the Balkans : the Politics of Anti-Terrorism, Balkans Report N° 119, november 2001, Belgrade/Podgorica/Prishtina/ Sarajevo/Skopje/Tirana/Brussels.
.
. (10) Shih mbi këtë çeshtje : Andrew HIGGINS & Christopher COOPER – CIA-Backed Team Used Brutal Means To Break Up Terrorist Cell in Albania, Wall Street Journal du 20 novembre 2001.


Krimi, Mafia dhe Kanuni – (1/4) Tipologjia e krimit të organizuar shqiptar.

Korrik 13, 2008
. Gjatë viteve 1999 – 2000, në vigjilje të Mijëvjeçarit të Tretë, përfundimi i Agjensive ndërkombëtare të krimit të organizuar është i paapelueshëm : në Shqipëri veprojnë në mënyrë aktive disa dhjetra, bile një qindëshe, grupesh kriminele që bashkojnë 500 deri 2.500 vetë (1). Këto struktura kriminele të cilat në origjinë s’ishin gjë tjetër veçse « ringjallje e qelizave të para të Mafias kalabreze, jo të hierarqizuara dhe të grumbulluara rreth lidhjeve të natyrës familjare » me kohë u shëndrruan në « struktura hierarqike, të mbështetura kryesisht mbi vlerat etnike » të cilat funksionojnë mbi bazën e « besnikërisë, të nderit dhe të tjerave zakone fisnore ». Pra diçka e modës së vjetër, sipas mendimit të shumicës së specialistëve, në vazhdën e Mafias italjane të dyzet vjetëve më parë.
. Megjithatë, të tjerë nënvizojnë lulëzimin e strukturave më të sofistikuara, të lakueshme dhe të ndryshueshme sipas llojit të aktivitetit kriminel me të cilën merren, me antarë jo të përhershëm dhe që zëvëndësohen vazhdimisht. Një varg rrjetash krijohen në vazhdimësi sipas kësaj mënyre në territorin kombëtar, me ngulitje të fuqishme lokale, të cilat kanë pika kontakti – bile edhe zona kontakti të përbashkëta. Kjo mënyrë veprimi bën që të identifikohen me shumë vështirësi individët dhe veçanërisht shefat e grupeve drejtues (2).
.
. Mendohet gjithashtu se këto grupe që kontrollojnë praktikisht të gjithë vendin, mbledhin në gjirin e tyre kryesisht qytetarë shqiptarë, mes të cilëve gjenden disa të huaj tepër të rrallë : italjanë dhe grekë, gjermanë dhe të tjerë belgë. Aktiviteti i tyre kriminel tashmë i ka kaluar gjerësisht kufijtë e vendit dhe shtrihet në teritorin e Bashkimit Evropian (Itali, Greqi, Gjermani, Belgjikë, Spanjë ose Angli) ndërkohë që degëzime janë vrojtuar në vende të tjera evropiane (Turqi, Republikë Çeke, Bullgari, Kroaci, Hungari…) (3). Megjithë obsesionin për të ruajtur rrënjët kombëtare, këto organizata kriminele bashkëpunojnë ngushtësisht me simotrat e tyre maqedone, greke, serbo-malazeze, moldave ndërkohë që kanë mundur të krijojnë lidhje me kolombianët e lagët ose dhe me kinezët.
.
. « Tregu » kombëtar i krimit të organizuar paraqet një panel aktivitetesh ilegale sa të ndryshme po aq dhe të shumëllojshme, nga të cilat kemi zgjedhur më pêrfaqsueset :
.
.
. 1. Trafiku i drogës. Megjithë tendencën në rritje të përdorimit të brendshëm (sipas shifrave të qeverisë bëhet fjalë për 30.000 përdorues të rregjistruar), vendi mbetet një pikë e rëndësishme e tranzitit të heroinës. Sigurisht, me origjinë nga « gjysmë-hëna e artë » afgane, malli i ndaluar përshkon Turqinë nga lindja në perëndim dhe depërton territoret ballkanike ku transportuesit përdorin të gjitha rrugët e mundshme, sipas konceptit « mjafton të arrijë në destinacion », ose ndryshe në Evropën perëndimore. Duke ndjekur zhvillimet e fundit të gjeopolitikës rajonale (bllokazhi ndërkombëtar ndaj ish-Jugosllavisë, lufta e Kosovës), gjithçka len të kuptohet se një pjesë e madhe e kësaj substance, çmimi i të cilës është dhjetë herë më i lartë se ai i arit, transportohet nga individë me origjinë shqiptare për llogari të organizatave turke dhe kurde që kontrollojnë pjesën e sipërme të trafikut. Malli përfundon në një zonë të ngushtë, të quajtur jo pa frymëzim « trekëndëshi i artë » i Ballkanit. Ky territor mund të asimilohet me një « trekëndësh », kulmet e bazës të të cilit gjenden mbi bregdetin malazez (Tivar ?), mbi atë shqiptar (Vlorë ?) dhe kulmi i fundit në thellësi të gadishullit (diku mbi kufirin serbo-maqedon – Veliki Trnovac- Tërnoc ?). Në vija të përgjithshme, kjo zonë përfshin një pjesë të Malit të Zi bashkë me liqenin e Shkodrës, me pak elementë mangut, të gjithë territorin e Shqipërisë, pjesën më të madhe të Kosoves dhe Maqedoninë Përndimore ; pra, gati të gjithë hapësirën shqipfolëse (4).
.
. Trafikantët shqiptarë që me sa duket kontrollojnë tashmë 60% të tregut ballkanik të heroinës, sigurojnë rishpërndarjen qoftë në drejtim të Italisë – nëpërmjet Adriatikut – ose të Greqisë, qoftë me anë të klaneve shqiptaro-kosovare në drejtim të Evropës qendrore (Republikë Çeke, Austri). Sipas INTERPOL-it, aktualisht më tepër se 80% e heroinës të destinuar për tregun evropian kalon nga rruga e Ballkanit. Në rajonin në fjalë, rruga tradicionale për një kohë të gjatë e ndërprerë nga konflikti jugosllav, u zëvendësua nga dy rrugë të reja : e para veriore përshkon Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë, ndërkohë që e dyta më jugore, bigëzohet drejt Maqedonisë, Kosovës për të mbrritur në Shqipëri. Në mesatare, rreth një ton heroinë dhe mbi 10 tonë hashish kapen rregullisht çdo vit nga forcat e rendit ballkanikë dhe të tjera ndërkohë që, sipas vlerësimeve të DEA-s, çdo muaj një sasi heroine e vlerësuar mes 4 dhe 6 tonësh del nga Turqia dhe niset drejt Evropës, nëpërmjet Ballkanit (5).
.
. Kohët e fundit, një substancë e re është dukur në tregun lokal, kokaina. E ardhur drejtpërdrejt nga vendet prodhuese si Kolombia ose Venezuela – ose duke tranzituar nëpërmjet Greqisë ose Italisë, ajo ndalet në Shqipëri për t’u rifutur në Evropë. Ndërkohë në një numër rastesh, autoritetet shqiptare kanë sinjalizuar gjurmë të plantacioneve të bimës së kokës në vend. Vështirësitë në rritje të tregut spanjoll të kokainës si dhe situata konfuze në Shqipëri kanë tërhequr kartelet e Amerikës së Jugut në Ballkan, i cili paraqitet tashmë si një nga platformat kryesore të futjes së produktit në kontinent.

.
. Përveç transportit, Shqipëria është shëndruar në një vend prodhues i « barit ose i gjethes » dhe konkurron me Vendet e Ulta (Holandën) për vendin e parë në kontinentin evropian (6). Rritja e kërpit indian ose dhe e marijuanës, të destinuara për eksport, është shëndrruar në një çështje rutine për fshatarët e Beratit, të Fierit ose të Vlorës – pa harruar dhe Tepelenën ; një biznes me të ardhura të mëdha, kultivimi i të cilit s’ka të krahasuar me kulturat e tjera bujqësore. I trajtuar në punishte rudimentare, produkti shpërndahet në vazhdim në Greqi ose Itali – vendmbrritja e tij kryesore – ndërkohë që kohët e fundit, janë çfaqur të tjerë tregje interesantë– siç është rasti i ish–Jugosllavisë, nëpërmjet Kosovës.
.
. Përsa i përket substancave të sintezës – amfetamina ose metamfetaminat, dyshohet se janë ngritur punishte të fabrikimit lokal për të siguruar konsumin e vendit (7). Ndërkohë, stoqe të mëdha të prodhuara në Bullgari ose në Poloni, vijnë në vend përpara se të futen në rrjetin shpërndarës të kontinentit.
.
.
. 2. Kontrabanda dhe trafiku i qënieve njerëzore. Që nga fillimi i viteve 90 dhe falë afërisë gjeografike, Shqipëria mbetet një prej portave kryesore të ndërfutjes në Evropë të një fluksi njerëzor klandestin të rëndësishëm. Ky fluks përbëhet nga emigrantë ekonomikë ose politikë si edhe nga viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, të destinuar të ushqejnë rrjetat e prostitucionit dhe fusha të tjera të shfrytëzimit njerëzor. Në këtë mënyrë, vendi pozicionohet njëkohësisht si origjinë dhe vend tranziti drejt Greqisë ( kryesisht me rrugë tokësore) dhe Italisë (nëpërmjet detit).
. Përsa i përket volumit të këtij transporti, vetëm vendasit të nisur dhe të mbrritur në Evropë janë mbi 700.000 vetë, nga të cilët rreth 300.000 në Itali – pa llogaritur në këtë mes tentativat e dështuara ose kalimet e shumëfishta të një pjese të tyre. Megjithatë, llogaria nuk mbetet në këtë pikë pasi duhen përmendur disa dhjetra mijra kosovarë, romë dhe të tjerë ballkanikë, ata mijra kinezë, srilankezë, kurdë, pakistanezë dhe të tjerë irakienë që kanë shkelur tokën shqiptare. Gjithë kësaj mase njerëzore i është dashur të paguajë « biletën » e udhëtimit në ofiçinat e Vlorës ose të Durrësit – me qëllim që të mbrrinte në parajsën e Perëndimit, po qe se nuk përfundonte ndërkohë në fund të detit. Çmimi gjithmonë është luhatur sipas periudhës dhe në funksion të rrezikut për skafistët ose për gomonistët : ndërmjet 300 dhe 1.500 dollarë për person – 900 euro mesatarisht kalimi (9), bile edhe dyfishin po qe se bëhet fjalë për të huajt.
.
. Fatkeqësisht, ky lloj trafiku përbën një pjesë të ansamblit kriminel që tërheq në hullinë e tij aktivitete të tjera të ndaluara si për shembull, trafiku i dokumentave fallco ose prodhimi i parave fallco, ndërkohë që shërben si vektor për trafikun e drogës. Ndërkohë, ai ndihmon në vendosjen dhe lulëzimin e tregut të zi të punës në vendin që pret klandestinët dhe ushqen rrjetat e prostitucionit me elementë të rinj. Shqiptare në pjesën dërrmuese por edhe mjaft bullgare, rumune, moldave, ukrainase dhe të tjera ruse, masa e vajzave përfundon në Durrës ose në Vlorë, përpara se të paguajë shërbimin e transportit të ndonjë skafisti. Ato që vijnë nga Lindja vuajnë peripeci të panumërta në duart e trafikantëve që i shesin tek njëri tjetri gjatë udhëtimit, etapat e të cilit quhet Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Tetovë ose Prizren. Me kalimin e kohës prostitucioni, krejtësisht i panjohur në epokën e komunizmit, është shëndrruar në zanat për disa dhjetra mijra vajza të reja shqiptare të papuna të cilat, me hir apo pahir çapiten trotuareve dhe parkingjeve perëndimore, sikundër dhe një kapital i vërtetë për trafikantët e të gjitha kategorive që vërtiten rreth e rrotull « puntoreve të industrisë së seksit » : rrufjanë, kodoshë dhe të tjerë përfitues.
.
. Megjithë bollëkun e studimeve të kryera mbi këtë çështje, shifrat globale janë gjithmonë fluide për të mos thënë që mungojnë krejtësisht. Sidoqoftë, duke kryqëzuar shifrat dhe veçanërisht dëshmitë, numri i grave dhe i vajzave me origjinë shqiptare që kurvërohen në Evropë rrotullohet rreth shifrës 100.000, nga të cilat 30.000 me origjinë kosovare. Mund të ngushëllohemi duke ditur se numri i tyre mbetet gjithmonë më i vogël se sa ai i Rumuneve ose i Bullgareve ; po ashtu, në gadishullin Apenin i cili mban dhe ushqen pjesën më të madhe (30.000), ato nuk ngrenë kandar përpara Nigerianeve dhe të tjera afrikane. Sidoqoftë, studimet tregojnë se në vitin 1994 – gjithmonë në Itali, prostitutat shqiptare zinin vendin e parë mes vajzave të vendeve të Lindjes, me mbi 40% të numrit të përgjithshëm. Pas këtij viti, pesha e tyre specifike shkon në rënie : 25,6% të paktën, gjatë periudhës 1996 – 2003, të ndjekura nga Rumunet (22%) ndërkohë që, në 2003, ato përbëjnë veçse 15% të tregut të prostitucionit, tashmë të tejkaluara nga Rumunet (33%) bile edhe Moldavet (19%). Shpjegimi i kësaj rënieje duhet kërkuar në zhvendosjen e tyre drejt vendeve të tjera të Evropës si Gjermania, Holanda, Belgjika, Franca ose dhe Spanja.
.
. Edhe mjetet dhe mënyrat e përdorura prej trafikantëve për të rekrutuar prostitutat e ardhshme ndryshojnë me kohën. Në qoftëse, në fillim të viteve 90, vajzat e para seleksionoheshin mes atyre që ndodheshin ndërkohë në territorin italjan, gjatë periudhës 1994 – 2000, pjesa më e madhe e tyre vinte drejpërdrejt nga vendlindja, pasi ishin rrëmbyer, kërcënuar ose dhe abuzuar me to. Të tjera ishin « shitur » nga të afërmit ose të tërhequra nge premtime të rreme martese ose pune në territorin italjan. Që prej vitit 2003, numri i vajzave « që pranojnë vetë », ose e thënë ndryshe të ardhura në Itali për të punuar si prostituta është në rritje të vazhdueshme. Sidoqoftë, në grumbullin e vajzave dallohen tre profile prostitutash :
.
. · vajzat « nën detyrim » – ato që janë rrëmbyer ose të detyruara me forma të tjera dhune ;
.
. · vajzat « e bindura » – ato që ndjekin një ëndërr si puna e martesës, një punë e paguar mirë ose thjesht të jetojnë jashtë shtetit ;
.
. · vajzat « që pranojnë vetë » – ato që shkojnë jashtë shtetit për të ushtruar prostitucionin me qëllim që të fitojnë mjetet e jetesës ose thjesht të detyruara të punojnë në këtë mënyrë për shkak të mungesës së mundësive të tjera në vendin e tyre. Shtojmë së fundi se problemi i prostitucionit prek në një shkallë tjetër edhe mjedise të tjerë sikundër ai i fëmijëve ose i homoseksualëve (10).
.
. Eshtë rasti të nënvizohet diferenca mes këtyre dy aktiviteteve ilegale siç është ai i kontrabandës dhe i trafikut të qënieve njerëzore. Protokollet e Kombeve të Bashkuara përcaktojnë zyrtarisht kontrabandën e qënieve njerësore si « realizimi, me qëllim përfitimi në mënyrë direkte ose indirekte, i një përfitimi financiar ose material, i ndërfutjes ilegale të një personi në territorin e një Shteti duke mos qenë as shtetas i të cilit as edhe rezident i përhershëm ». Në këtë kuptim, kontrabanda e personave shkel ligjet kombëtare të Shtetit në fjalë. Në të kundërt, trafiku i qënieve njerëzore përcaktohet si « rekrutimi, transporti ose transferimi, strehimi ose pritja e personave të cilët, nëpërmjet kërcënimeve ose mjeteve të tjera të dhunës, të shkuljes, të frikësimit, të zhgënjimit, të abuzimit të pushtetit ose të një situate dobësie ose edhe nëpërmjet mjeteve të pagesës dhe të tjerave marrje të hollash sikundër dhe të tjera përfitime me qëllim që të realizohet pëlqimi i një personi të varur nga një person tjetër, duhet t’i nënshtrohen shfrytëzimit ». Format më të zkonshme të trafikut janë prostitucioni, puna e detyruar, skllavëria ose dhe heqja e organeve. I përcaktuar në këtë mënyrë, trafiku i qënieve njerëzore bie ndesh dhe prek të drejtat e njeriut.
.
.
. 3. Trafiku i armëve. Në këtë fushë aktiviteti, Shqipëria pozicionohet si vend i origjinës, i tranzitit dhe i destinimit të një lëvizjeje të gjerë municioni dhe armësh, kryesisht të lehta. Origjina e këtij trafiku mund të vendoset rreth viteve 90 ku flukset kryesore ishin orientuar drejt Kosovës dhe Maqedonisë, dy krahina të përziera në trazira ndëretnike ; më tej, ai morri përmasa të mëdha me përgjithësimin e konfliktit jugosllav dhe përfundimisht eksplozoi në vitin 1997, pas rrebelimit të armatosur.
. Kujtojmë që në atë periudhë, disa qindra mijra armë të lehta automatike, disa dhjetra miliona granata dhe disa qindra miliona fishekë ranë në duart e njerëzve, ose të grupeve kriminele. Sipas specialistëve evropianë, sasia e armëve në qarkullim të lirë në Shqipëri pas ngjarjeve të vitit 1997 ishte si më poshtë : 750.000 deri 1.000.000 armë të lehta nga të cilat 200.000 automatikë AK-47, 350.000 pushkë gjysëm automatike M44/SKS, 40.000 pistoleta automatike TT, 2.500 granatahedhës kundërtanke, 700 mortaja (ose 80% i stokut kombëtar) et 1.500.000.000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 3,5 milionë granata dhe një milionë mina. Humbjet e shkaktuara pasurisë kombëtare me këtë rast ishin rreth 800 milionë dollarë.
.
. I gjithë ky material ose të paktën një pjesë e madhe e tij, zbriti në tregun lokal të armëve i cili paraqiste çmime tepër tërheqëse : një AK-47 shitej mes 50 dhe 80 dollarësh, shpesh edhe më lirë. Blerësve kosovarë ju duhej të paguanin deri 300 dollarë për të njejtin AK-47 dhe deri në 1.500 dollarë për një mitroloz të lehtë (12). Ndërkohë që lufta e Kosovës absorboi sasi të konsiderueshme armësh, sasi të tjera kësaj rradhe të ardhura nga ish-Jugosllavia dhe nga Evropa hynë në vend për të furnizuar luftëtarët e UÇK-së. Megjithë përpjekjet e qeverisë për të mbledhur këtë « plaçkë lufte », bollëku i armëve në vend nxiti trafiqe të reja me Greqinë ose me Italinë, paralelisht me trafikun e drogës (13).
.
.
. 4. Kontrabanda e produkteve dhe e mallrave me rritje të lartë vlere (cigare, naftë). Përveç naftës, kontrabanda e të cilës ishte në lulëzim gjatë luftës së Bosnjës dhe të embargos ndërkombëtare kundër ish-Jugosllavisë, kontrabanda e produktete të tjera si cigaret, kafeja ose pijet e ndryshme është pjesë integrale e qarqeve paralele që realizojnë evazione fiskale spektakulare (deri në 70%) të të ardhurave të ekonomisë kombëtare (14). Duke parë natyrën e mallit dhe volumet e transportuara, degët e specializuara nuk mund të veprojnë pa bashkëfajësinë e zyrtarëve si doganierët, policët ose të tjerë nëpunës të financës. E njëjta gjë mund të thuhet lidhur me trafikun e sendeve të vjedhura (vetura, audio-video dhe pajisje informatike) për të cilat vendi mbetet një destinacion i rëndësishëm.
.
. Falë fijeve të shumëfishta që lidhin vendin me diasporën e saj të gjerë, bashkësia e aktiviteteve kriminele dhe ilegale që peshon mbi shoqërinë dhe ekonominë kombëtare shtrihet mbi të gjithë rajonin dhe mbi kontinentin mbarë, duke krijuar kështu Kriminalitetin e Organizuar Shqiptar ose shqipfolës (KOSH).
. Ndërkohë që poli-kriminaliteti (prostitucioni, grabitja, vjedhja..) si dhe dhuna që shoqëron këto aktivitete ndikojnë në shkallën e dukshmërisë e saj, vendosja dhe përhapja e gjerë gjatë një kohe të shkurtër – në më pak se një dhjetëvjeçar, si dhe lidhjet e saj të fuqishme me mjedisin e drogës e tregojnë me gisht si një fenomen të pashmangshëm në Evropë (15).
.
.
. ——————————————————
.
.
. (1) European Comitee on Crime Problems (CDCP), Group of Specialists on Criminal Law and Criminological Aspects of Organised Crime – Report on the Organised Crime Situation in Council of Europe Members States, Council of Europe, Strasbourg, december 2000.
.
. (2) UN Office on Drugs and Crime – Results on a Pilot Survey of Forty Selected Criminal Groups in Sixteen Countries, september 2002.
.
. (3) Ernesto SAVONA B. & Federica CURTOL – The Contribution of Data Exchange Systems on the Fight against the Organised Crime in the SEE countries, Final Report, Transcrimine (for the Office of the Special Coordinator of the Stability Pact for the South-Eastern Europe), Regional Center for Combating Trans-Border Crime, november 2004.
.
. (4) Shih : Xavier RAUFER (& Stéphane QUERE) – Une menace pour l’Europe, la mafia albanaise – Ed. Favre, Lausanne, 2000.
.
. (5) Shih mbi këtë subjekt : Ralf MUTSCHKE – The Threat Posed by the Convergence of Organized Crime, Drugs Trafficking and Terrorism, (Written Testimony), The International Criminal Police Organization – INTERPOL, december 2000.
.
. (6) Conseil de l’Europe – Organised Crime situation, Report 2005 – focus on the threat of the economic crime, Octopus Programme, december 2005.
.
. (7) Shih mbi këtë subjekt : Ralf MUTSCHKE – ibidem.
.
. (8) Maria CARELLA et al. – Les émigrations internationales de l’Albanie : une étude comparée des estimations locales et internationales, AIDELF (Association Internationale des Démographies de la Langue Française), annales du 13ème Colloque du Budapest, septembre 2004.
.
. (9) Bertrand MONNET – La Mafia albanaise: état 2007. Note d’alerte MCC. IMARISC (Institut de Ménagement des Risques Criminels, Lille – Nice 2007.
.
. (10) Shih mbi këtë subjekt : Enzo CICONTE (nën drejt.) – I Flussi e le Rotte della Tratta dall’est Europa, Progetto WEST , ref. No. 2A071, Ravenna, giugno 2005 ; sikundër dhe : LEHTI Martti – Trafficking in Women and Children in Europe, The European Institute for Crime Prevention and Control, HEUNI Paper no. 18, Helsinki 2003 ; ose : Francesco CARCHEDI – Considerations of Foreign Prostitution in Italy, a background picture, Papers 60, 2000 ; ose gjithashtu : Marko HAJDINJAK – Smuggling in SouthEast Europe : the Yougoslav Wars and the Development of the Regional Criminal Networks in the Balkans, Center for the Study of Democracy, Sofia 2002.
.
. (11) Shih mbi këtë çështje : Raymo VÄYRYNEN – Illegal Immigration, Human trafficking and Organised Crime. World Institute for Development Economic Research (WIDER), United Nations University, Discussing Paper N° 2003/72, october 2003.
.
. (12) Shih : Chris SMITH – Illegal Arms in Albania and the European Security, Presentation – Seminars in Contemporary Arms Control and Disarmement, september 1998.
.
. (13) Përsa i përket trafiqeve të kryqëzuara të armëve dhe të drogës si dhe implikimin në të mjedisit kriminel shqiptar shih : Glenn E. CURTIS et al. – The nexus among Terrorists, Narcotic Traffickers, Weapons Proliferators and to Organized Crime and Organised Crime Networks in Western Europe, The Library of Congress, december 2002.
.
. (14) Lidhur me përhapjen dhe shtrirjen e kontrabandës në Ballkan, dhe veçanërisht në Shqipëri, lexo : Marko HAJDINJAK – ibidem., sikundër dhe : Nicolas MILETICH – Trafics et crimes dans les Balkans. Criminalité Internationale, PUF, Collection Criminalité Internationale Paris 1998.
.
. (15) Philippe CHASSAGNE & Kolë GJELOSHAJ – L’émergence de la criminalité organisée albanophone, dans : Cemoti, n° 32 – Drogue et politique, mai 2005. http://cemoti.revues.org/.
.
.


Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.