Mesdheu i Bashkuar : kur ëndrra piqet me utopinë.

Qershor 30, 2008

. Pas një heshtjeje të gjatë, më së fundi, kancelaritë e Republikës shpallën lajmin aq të mirëpritur :
.
. « Kryeministri Sali Berisha ka marrë një ftesë nga presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy, për të marrë pjesë në Samitin e vendeve të Mesdheut dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky Samit zhvillohet më 13 korrik 2008, në Paris. »
.
. Përse kjo heshtje e dyshimtë deri në mes të qershorit – krahasuar me zhurmën shurdhuese të pranimit në NATO – lidhur me këtë takim kaq të rëndësishëm që do të mbahet vetëm tre –katër javë më pas ? Pasi, deri në momentin e marrjes së ftesës së shumëpritur asgjë nuk ishte e sigurt : as pjesëmarrja e Berishës në këtë takim, as edhe pjesëmarrja e vetë Shqipërisë në këtë Samit. Prova më e mirë është pasaktësia flagrante e kreut të Shtetit, kur vlerëson këtë « projekt », nga tribuna e Forumit të Krans Montana-s që zhvillohej në Monako, nga 26-29 qershor (Rilindja Demokratike) :
.
. « … Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi rëndësinë e një iniciative të tillë, të drejtuar nga Presidenti francez Nikola Sarkozy dhe e mbështetur plotësisht nga vendet europiane, veçanërisht Gjermania, për ridimensionimin e procesit të Barcelonës. Berisha e konsideroi këtë iniciativë si një projekt të rëndësishëm historik. “Unioni Mesdhetar paraqet në fakt një realitet historik që duhet respektuar dhe nxitur për të zgjeruar marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve mesdhetare, si dhe bashkëpunimin e vendeve mesdhetare me vendet europiane”… Berisha përshëndeti rëndësinë e krijimit të këtij Bashkimi Mesdhetar, për të mundësuar realizimin e projekteve të propozuara në fushën e shfrytëzimit të potencialeve të energjisë diellore, të zhvillimit të infrastrukturës detare, të bashkëpunimit në mbrojtjen kundër ndotjes së brigjeve detare të vendeve mesdhetare, të sigurisë së vendeve mesdhetare, si dhe të rëndësisë së bashkëpunimit universitar ndërmjet vendeve të Bashkimit Mesdhetar [..] Bashkimi Mesdhetar, një projekt i iniciuar si një iniciativë europiane nga Presidenti Sarkozy, do të kontribuojë jo vetëm në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, por synon të japë kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe në veçanti të konfliktit izraelito-palestinez. Ky projekt synon gjithashtu të jetë një mbështetje e fuqishme në luftën kundër terrorizmit. »
.
.
. Kur qëllimi francez justifikon mjetet sarkoziane.
.
. Bota mbarë si edhe vetë vendet mesdhetare dëgjuan për herë të parë shprehjen Bashkimi Mesdhetar në korrik 2007, ndërkohë që nga Tuloni jugor Presidenti i sapozgjedhur francez Sarkozi bënte të njohur planin e tij ambicioz për vitet e ardhshme. Ideja kish lindur në mjedisin e afërt politik euroskeptik të kandidatit Sarkozi, që kërkonte një zgjidhje globale lidhur me një sërë konstatimesh shqetësuese :
. – dështimi i plotë i të ashtuquajturit Proces i Barcelonës (Projekti EUROMED i parashikuar për të ndihmuar zhvillimin e vendeve të rrethqarkut mesdhetar) ; rivendosja e një dinamike politike franceze jashtë kuadrit të Bashkimit Evropian ; oferta e një alternative serioze dhe ndjellëse ndaj Turqisë, pasi Sarkozi është një nga kundërshtarët më të vendosur ndaj pranimit të saj në Bashkimin Evropian.

.
. Gjatë serisë së gjatë të vizitave në vendet e Mesdheut jugor – të quajtura të Magrebit – por dhe gjatë takimeve në Francë me udhëheqësit e këtyre vendeve, Presidenti Sarkozi çfaq elementët përbërës të këtij projekti :
.
. « Bashkimi Mesdhetar do të jetë para së gjithash një bashkim projektesh. Por me një qëllim : të shëndrrojë Mesdheun në laboratorin më të madh ne botë të bashkëzhvillimit, ku zhvillimi të vendoset bashkërisht dhe të mbikqyret bashkërisht, ku liria e qarkullimit të njerëzve të ndërtohet dhe të kontrollohet bashkërisht, ku siguria të organizohet dhe të garantohet bashkërisht. ». (Tanger, 23 tetor 2007). Por, gjithmonë sipas Sarkozisë :
.
. « Bashkimi mesdhetar nuk ka të njejtën qëllim si Bashkimi Evropian. Nuk bëhet fjalë të realizohet bashkimi politik i Mesdheut por të organizohet një bashkëpunim sa më i ngushtë për të themeluar kushtet e pajtimit ». (Tunis, 230 prill 2008).
.
. Në se nuk do të jetë një Bashkim politik si ai evropian, për çfarë bashhkim bëhet fjalë ? Eshtë Sekretari i Shtetit francez për bashkëpunimin evropian që saktëson idenë dhe deklaron përpara Parlamentit francez në dhjetor 2007 :
.
. « Përse ky projekt ? Pasi [..] Mesdheu përbën zonën tonë të dytë të solidaritetit pas Evropës. Por kjo zonë mbetet e vetmja në botë pa organizma shumëpalëshe dhe pa bahkëpunim rajonal. Duhet pra të përdoret përçapja që përbën edhe origjinën e ndërtimit të Evropës për të zhvilluar solidaritete konkrete dhe për të përpunuar projekte federuese ».
.
. Bashkim i ri shumëpalësh konkurrent i Evropës së Bashkuar, nën udhëheqjen franceze, apo strukturë federative, e bashkëngjitur me Bashkimin egzistues ? Përfundimisht, këshilltari lidhur me çështjet mesdhetare pranë Presidentit Sarkozi është edhe më i sakti :
.
. « .. Bashkimi mesdhetar mbështetet mbi një parim : të mbushet hendeku mes një Veriu të pasur dhe një pellgu mesdhetar shumë më të varfër. Qëllimi ? Rivendosja e ekuilibrit duke siguruar një hapësirë të paqes dhe të sigurisë. Troç, ne kërkojmë të përmirësojmë dialogun mes dy brigjeve ».
.
. Nevojë riekuilibri gjeostrategjik apo dialog miqësor mes të interesuarish ? Ndoshta, para së gjithash një partnership :
.
.
. « të bindur nga fakti se Mesdheu, shkritore kulturash dhe qytetërimesh, duhet të rimarrë rolmin e vet si zonë paqeje, begatije dhe tolerance, Presidenti i Republikës franceze, Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë dhe Presidenti i Qeverisë së Spanjës, mblidhen në Romë në 20 dhjetor 2007 për të menduar së bashku lidhur me drejtimet kryesore të Bashkimit për Mesdheun. Ky Bashkim ka si synim të mbledhë Evropën dhe Afrikën nëpërmjet vendeve kufitare të Mesdheut dhe të themelojë një bashkëpunim mbi baza të barabarta mes vendeve të rrethqarkut mesdhetar ». (Romë, 20 dhjetor 2007).
.
. Në se është kështu, përse drejtimet kryesore të këtij Bashkimi vendosen gjatë dialogut tripalësh Francë-Itali-Spanjë, në mungesë të plotë të të interesuarve të tjerë ? Në ç’masë vende të tilla të pasura evropiane të bregut verior janë në gjendje të përcaktojnë atë çka ju intereson të varfërve afrikanë të bregut jugor ?
.
. Në këtë botë të pamëshirshme ku jetojmë, e vënë në lëvizje vetëm nga interesat ekonomike, ku të mëdhenj dhe të vegjël udhëhiqen nga objektiva financiarë dhe gjeostrategjikë, shprehje të tilla ngjallin buzëqeshje – pasi është fort e vështirë të besosh në filantropinë e vendeve evropiane ose të Evropës së Bashkuar. Ajo çka fshihet pas këtyre rradhëve është vullneti për të krijuar një zonë të tërë të shkëmbimeve të lira – si ai MERCOSUR i Amerikës Latine ose ASEAN i Azisë, me qëllim zgjerimin e Tregut të përbashkët dhe zgjidhjen e krizës energjetike. Sikundër dhe nevoja për të kontrolluar flukset migruese, nëpërmjet programeve të zhvillimit të vendeve nga vijnë flukset, duke orientuar dhe përzgjedhur krahun e punës së përshtatshëm për një Evropë tashmë të plakur.
.
. Në një gjuhë krejt të kuptueshme mes specialistësh të zanatit, ku pragmatizmi ka zëvendësuar plotësisht diplomacinë, një nga përgjegjësit e Institutit të Perspektivave Ekonomike të Mesdheut shprehet se :
.
. « .. është krejt e natyrshme… ne duam të afrojmë dy brigjet e Mesdheut nëpërmjet ekonomisë… sipas parrullës të njohur – ekonomia afron, politika përçan dhe kultura diferencon. Ekonomia është një gjuhë universale dhe Evropa vetë, fillimisht është ngritur në këtë mënyrë.. interesi është reciprok ».
.
. Ndoshta më mirë duhet shtuar « .. dhe nga ky interes reciprok, Evropa del veçse e fituar, pasi bregu jugor do të verë në kandarin e shkëmbimeve krahun e lirë të punës, naftën dhe gazin, tregjet. Pra gjithçka ka nevojë Evropa e sotme ». Krejt i natyrshëm ky afrim mes brigjesh. Diçka si marrëdhëniet aktuale të Shteteve të Bashkuara me vendet e ALENA-s.
.
.
. Nga Bashkim Mesdhetar në Bashkim për Mesdheun.
.
.
. Projektet mesdhetare të Francës sarkoziane hasën në kundërshtimin e vendosur të Evropianëve të tjerë dhe në rradhë të parë, të partnerit të saj të parë, Gjermanisë së Kancelares Merkel. Kjo e fundit i kundërvihet me forcë idesë së krijimi të një zone influence franceze në Mesdhe, në qendër të të cilës do të ndodhen ish-kolonitë franceze në Afrikën veriore – si kundërpeshë e zonës së influencës gjermane në Balltik. Sikundër dhe idesë tjetër se, ngritja e një kati të tillë shtesë mesdhetar do të trondisë themelet e brishta të godinës evropiane. Aq më tepër që projekti fillestar propozonte një bashkëpunim shumëpalësh dhe shumëformësh, pa marë parasysh faktin se mes të interesuarve mesdhetarë gëlojnë rregjimet autoritare dhe thuaj-diktatoriale, të cilat as që venë ujin në zjarr për të drejtat e njeriut – këtë parametër konstant të politikës së jashtme evropiane.
. Me një vendosmëri të paparë ndonjëherë, në mars 2008, nën frymëzimin e Angela Merkel, Këshilli i Evropës ratifikoi projektin francez por arriti t’a shëndrojë rrënjësisht : ambiciet, drejtimet e ndërhyrjes dhe objektivat, pjesëmarrjen financiare.. Tashmë, ai paraqitet si një kopje e zbehtë e Protokollit të Barcelonës, në një « Barcelona bis » – sipas shprehjes së zyrtarëve të Brukselit.
.
. – së pari, u ndryshua emërtimi. Tashmë Bashkimi mesdhetar do të quhet Bashkimi për Mesdheun. Bile, saktësisht – Protokolli i Barcelonës : Bashkimi i Mesdheut. Një detaj mes të tjerash që i ka shpëtuar krejtësisht Kryeministrit tonë Berisha. Nuk është fjala thjesht për një saktësim terminologjik, por për ripërmasim rrënjësor të dispozitivit përbërës. Ndërkohë që në projektin fillestar, ky Bashkim shihej si një klub i mbyllur i 22 vendeve që lagen nga Mesdheu, tashmë ata mund të jenë 44 (27 vendet e Bashkimit Evropian dhe 13 vendet e Procesit të Barcelonës (bashkë me Shqipërinë) si edhe disa vende të tjera të bregut lindor si Kroacia ose Bosnja). Me një masë të tillë vendesh, që e tejkalon atë të inercisë, vetëm mrekullia mund të prodhojë martesë interesash dhe qëllimesh mes një Suedie dhe një Finlande « mesdhetare » dhe një Mauritanie dhe Jordanie « pothuaj evropiane ».
.
. – së dyti, u rishikua me themel çështja e buxhetit. Në asnjë mënyrë, ky Bashkim për Mesdheun nuk do të kërkojë fondet e tij në arkën thuaj të zbrazur të Bashkimit Evropian, i cili mezi arrin të financojë projektet për vendet e pranuara rishtas nga Evropa lindore. Pra, nuk do të ketë « Plan Marshall » për Mesdheun, pasi subvencionet do të mbeten po ato të Procesit të Barcelonës. Veçse, nëqoftë se investitorët privatë fillojnë dhe magjepsen nga projekti dhe venë fondet e tyre në shërbim të Bashkimit ! Bile edhe ideja e një Banke euromesdhetare nuk arrin të enthusiazmojë antarët, të cilët këshillojnë fillimisht « një ridimensionim të hapësirës egzistuese financiare rajonale ».
.
. – së treti, Evropa i vuri një fren ambicjes franceze të kryesimit të këtij Bashkimi. Kështu Sarkoziu nuk mund të shpresojë të bëhet President i këtij Bashkimi për vitin 2008, megjithë zemërgjerësinë e tij pak të zakonshme kur propozoi të ndajë Presidencën me një prej udhëheqësit e bregut jugor. Për shembull, me egjiptianin Husni Mobarak. Në të vërtetë, në përputhje me Traktatin e Lisbonës (pikërisht ai që u hodh poshtë nga Irlandezët), presidenca e një strukture të tillë i besohet Presidentit të ardhshëm të Bashkimit evropian, Presidentëve të Komisioneve si dhe Përfaqsuesit të Lartë për Politikën e jashtme të Evropës. Një objekt tjetër debati krijoi edhe përcaktimi i selisë së këtij Bashkimi, fillimisht e menduar të gjendej në Tunis. « Të paktën të zgjedhim Marokun për seli, pasi është më i prezantueshëm » – pohojnë eurokratët e Brukselit.. Vështirë të gjesh kandidat më të përshtatshëm në mes të atyre vendeve jugore mesdhetare ku, përveç Izraelit asnjë tjetër nuk i përmbush normat e demokracisë alla evropiane.
.
.
. Një ëndërr e vjetër, një utopi e re.
.
. Një nga shprehjet më domethënëse në fjalën e mësipërme të Kryeministrit Berisha është « realiteti historik… i Unionit mesdhetar ». E dalë nga goja e një eksperti të tillë historian, i specializuar në rishkruarjen e historisë, ajo humbet përmasat e një lapsusi të thjeshtë dhe paraqitet si sinteza më e goditur e utopisë mesdhetare. Pasi, në të vërtetë ky Bashkim mesdhetar kaq i dëshiruar ka egzistuar që prej kohësh të lashta.. në formën e Perandorive. Veçse perandoritë e dikurshme zotëronin mjete të tjera bindjeje dhe nënshtrimi, pasi vepronin mbi të tjera logjika – ndërkohë që ju mungonte retorika evropianizuese si edhe hipokrizia institucionale.
.

. Stërgjyshërit helenë të Grekëve të sotëm ishin të parët që e konceptuan si hapësirë qytetesh-shtete tregëtuese, të shpërndara mbi brigjet mesdhetare. Nga Athina në Marsejë, nga Dyrrakiumi në Aleksandri, nga Hellesponti në Kartagjenë. Paraardhësit romakë të Italjanëve e quajtën Mesdheun « Mare Nostrum » dhe patën kurajon politike t’u jepnin qytetarinë romake të gjithë banorëve mesdhetarë. Në të tjera kohë, Spanjollët e Filipit të IItë u munduan të ripërtëritnin idenë e vjetër të Bashkimit mesdhetar. Pa sukses dhe kryesisht për shkak të Otomanëve që – edhe ata – arritën të institucionalizojnë hapësirën mesdhetare nën flamurin e Islamit dhe nën autoritetin e Sulltanit.
.
. Lirizmi mitologjik që shtyn drejt njohjes së Mesdheut si « djep i qytetërimit njerëzor », për më tepër, i krijuar nga vetë Veriorët, fsheh keq realitetin e sotëm të një rajoni që shquhet për gjithçka, përveç fuqisë dhe bashkimit. Të një iluzioni që karakterizohet nga përçarja, rivaliteti dhe nga dhuna. Mjafton të vihen ballë përballë parametra të tillë si fuqia e saj demografike – i vetmi që veçohet nga tufa – dhe fundosja e fuqisë së saj ekonomike – nga 20% të PIB botërore në fundin e shekullit të XIX, në më pak se 11% në ditët e sotme. Pa harruar edhe « minën me sahat » që e pret në të ardhmen : ky diferencial demografik, në kuadrin e pabarazive të theksuara ekonomike e shoqërore, të rrallimit dramatik të burimeve ushqimore, ujore apo energjetike, që frymëzon konflikte etnike, fetare ose kulturore dhe që gjeneron rrezikun e ballkanizimit të krejt rajonit.
.
.
. Për të matur shkallën e utopizmit të projektit mesdhetar të rradhës, mjafton të kqyren reaksionet e vendeve jogore të rrethqarkut – à priori, më të interesuarit.
.
. Libia e kolonelit estravagant Kadafi është deklaruar menjëherë kundër këtij projekti. Sigurisht, pasi një ide e tillë nuk përputhet aspak me kontrastin flagrant mes rezervave të saj të stërmëdha të naftës dhe të gazit si edhe potencialin e neglizhueshëm njerëzor. Përveç humbjes, Libia nuk sheh asnjë interes tjetër në ëndrrat mesdhetare të Sarkozisë. Për t’i rritur vlerën vehtes, Kadafi flet në emër të Lidhjes së Vendeve të Magrebit dhe të Bashkimit të vendeve Afrikane : « .. ne nuk jemi as të uritur as edhe qenër që të na hedhin kocka të tilla.. nëpërmjet një projekti të tillë poshtërues ».
. Entuziazmi i egjiptianit Mubarak dhe i tunizianit Ben Ali ftohet disi nga pavendosmëria e algjerianit Buteflika që vazhdon të shprehë rezerva të thella për pjesëmarrjen në Samitin e Parisit. Sebepi i hapur është prania e Izraelit, me të cilin Algjeria nuk mban asnjë marrëdhënie. Ai i fshehur ngjan me atë të Libisë fqinje. Ndërkohë, prania e Mauritanisë dhe e Marokut krahas Algjerisë ngjall konfliktin e vjetër të Saharasë perëndimore.
. Turqia gjithashtu, rezervon përgjigjen për takimin themelues. Ajo nuk është e bindur as për vendin që i takon në një bashkim të tillë as edhe për rolin që duhet të luajë. Ndërkohë, është e vështirë të pranohet një projekt i tillë kur vjen nga ana e një Presidenti si Sarkozia.
.
. Libani nuk di si të sillet ndërkohë që mësoi se në tribunën e nderit do të gjendet siriani Bashir Al Assad. Bile jo vetëm Libani por edhe të gjithë të pranishmit evropianë që nuk dëshirojnë të kenë asnjë marrëdhënie me rregjimin sirian. Prania e Izraelit dhe e Palestinës që ende s’ka krijuar dot shtetin e saj, gjithashtu krijon një problem për të pranishmit arabë, të cilët kërkojnë « sqarime » dhe « kjartësim të situatës » përpara se të shprehen për pjesëmarrje.
.
. Fundja, përse duhet të habitemi nga shprehje të tilla pakënaqësie ndaj një projekti fort të mjergullt që paraqitet krejtësisht i paaftë për të konturuar kufijtë « gjeografikë » të këtij Bashkimi, ndërkohë që karakterizohet nga varfëria e tejskajshme e përmasave politike ? A ja vlen barra të mblidhen 44 kryetarë shtetesh në Paris për të diskutuar energji diellore apo bashkëpunim universitar, autostrada mesdhetare apo kuota peshkimi ?
.
. Utopia e projekteve si ai i Bashkimit për Mesdheun kujton thënien e filozofir Rikër (Paul Ricoeur), i cili shprehet diku :
.
. « Utopia bazohet mbi përçmimin ndaj logjikës së aksionit [..] si dhe paaftësinë themelore për të përcaktuar hapin e parë që duhet bërë drejt realizimit të saj duke u nisur nga realiteti egzistues [..]. Logjika e metodës « ose asgjë ose gjithçka » zëvëndëson logjikën e aksionit ».
.
.
. * * *
.
.
. Pavarësisht motiveve ëndërruese ose përmasave utopike, jam i bindur se prania e Shqipërisë në këtë Bashkim dhe veçanërisht, prania e z. Berisha në Samitin e Parisit, përbën jo vetëm një nevojë por edhe një domosdoshmëri. Jo thjesht pasi Shqipëria është një vend mesdhetar si të tjerët, megjithëse ky element esencial arriti dhe u bë i dukshëm vetëm para pak kohe, kur më në fund Shqipëria ju bashkëngjit Protokollit të Barcelonës, tashmë të cofur. E thënë më saktë, kur e pranuan në një projekt të tillë.
.
. Kur mendon se në horizontin 2020, axhenda e Bashkimit për Mesdheun përmban iniciativa të tilla vitale si shfrytëzimi i energjisë diellore, ndërtimi i autostradave mesdhetare që sipas shprehjes së Presidentit Sarkozi « mund të lidhin mes tyre porte të mëdha si Port Saidi, Pireu, Tunisi, Algjeri, Tangeri, Barcelona dhe Marsejë », ose hapja e një agjencie mikrofinance për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, menjëherë të shkon në mendje se e kundërta do të ishte një fatkeqësi e vërtetë për vendin, një katastrofë ekonomike me përmasa të papara.
.
. Mbetem pra plotësisht i një mendjeje me studiuesen Ilda Mara kur thotë se «.. Shqipëria me pozitën e saj gjeografike dhe me ambicien e saj evropiane duhet të sigurojë me çdo kusht një vend çelës në këtë ndërmarrje të re të udhëhequr nga Franca [..] pasi, Bashkimi për Mesdheun ështe një urë e re për të mbërritur më shpejt në Bruksel.. ». Vetëm se dyshoj fort se vlera të tilla si kultura e saj, apo trashëgimia shekullore mesdhetare mund të jenë në lartësinë e ambicieve të saj evropiane apo të përbëjnë parametra të mjaftueshëm për të siguruar çelësin e artë mesdhetar.
.
. Fundja fundit, edhe sikur t’i besojnë vetëm kyçet e kashtës, edhe në mos qoftë një urë drejt Brukselit për Shqipërinë, të paktën do të jetë një urë e re drejt Francës për Berishën. Një rast i papërsëritshëm për heroin e Kryengritjes popullore të 1997 për të integruar klubin selekt të burrave të shtetit evropiano-mesdhetarë, të mbledhur në meshën solemne pariziane. Pikërisht ata që hezitonin t’i shtrëngonin dorën burrërisht pas kthimit të bujshëm në pushtet, në 2005. Sidoqoftë, është një shans i madh të pozosh mes grupit aq piktoresk të demokratëve dhe autokratëve nga Evropa dhe Mesdheu, të puthadorëve dhe të diktatorëve të nxirë nga dielli aq bujar i këtyre viseve. Sa për atë kockën aq të dashur të Kadafit, jam i mendimit se duhet të tregohemi sa të matur aq edhe relativistë. Pasi, ajo çka mund të duket e pamjaftueshme dhe e pangrënshme për kolonelin, mund të jetë e bollshme dhe e shijshme për ushtarin e thjeshtë. Aq më tepër që i pari, mund të gabohet lehtë nëpërmjet syzeve të tij të zeza, veçanërisht kur shqetësimi i tij i përditshëm është numërimi i milionave të fuçive të naftës dhe i miliardave të dollarëve.
.
.
. Nuk mjafton të bësh pjesë në një pellg që bashkimi të krijojë një masë të qëndrueshme, gjenerator stabiliteti dhe begatie. Shembulli më flagrant janë karavidhet, që kur vihen së bashku në një shportë japin një shportë karavidhesh.


Lumi i marrë, njerëz të mençur.

Qershor 24, 2008
. Përgjatë pesë ditësh, ujrat e Danubit vërshuan me vrull në shtratin e Garonës. Shëtitësit e shumtë tuluzanë u lumturuan, megjithëse nuk bëhej fjalë për ato ujrat e bukura blu të Vjenës por për ujrat e turbullta të Danubit të poshtëm ballkanik. Një vazhdimësi vorbullash muzike, një varg çfaqjesh të virtuozitetit ballkanas, një marramendje tingujsh, zërash dhe pamjesh… Një varavingo e pandërprerë turme deri në orët e vona, një buçitje ritmesh të djallëzuara, një mozaik refleksesh mbi lumë, një dehje festive kolektive… e ndezur nga ballkanikët që kishin pushtuar bregun e majtë të lumit me instrumentat e tyre, jo të luftës por të muzikës.
.
. Me atë zgjuarsinë e tyre të natyrshme – dhe për të larguar syrin e keq nga një projekt i tillë, tuluzanët menduan t’i japin lumit epitetin « i marrë ». Më tej, për të fshehur gjurmët e herezisë, zgjodhën t’ja thonë në gjuhën e fqinjëve spanjollë. « Rio Loco » – Lumë i marrë – i vrullshëm, i papërmbajtshëm, turbullues, eksitues dhe ndjellës.
.
. Projekt i marrë, ndoshta dhe i çmendur, por një marrëzi që i reziston kohës. Pasi vitin që shkoi ishin ujrat e Ebros që rridhnin në qendër të qytetit ndërkohë që Spanjollët ndiznin atmosferën me ritmet iberike ; një vit më parë ishte Senegali me Afrikanët e tij të gëzuar ; një tjetër vit ishte rradha e Amazonës së pafund që vërshonte brigjeve – dhe në kurriz të saj Brazilianët e papërmbajshëm ; një tjetër-tjetër vit ishte rradha e Papaloapanit me Meksikanët festivë; më parë ende ishte Cauto me Kubanët, Misisipi me Amerikanët, Vollga me Rusët, Gangu me Indianët…
.
. Kësaj rradhe ishte Danubi dhe Ballkanikët e marrë. Kaotikë, të dhunshëm, të përgjakshëm por edhe patetikë, emocionues, muzikantë në embrion, të çartur deri në varr. Të vendosur të luajnë dhe të këndojnë deri sa « edhe peshqit të kërcejnë në breg » – siç thonë Bullgarët.
.
.
. Vitin e shkuar, Spanjollët e Ebros, të Guadalquivirit dhe të Douros mblodhën 167.000 spektatorë. Sivjet, vetëm gjatë koncertit kryesor të ditës së parë, Serbo-boshnjakët e Kusturicës thirrën mbi 25.000 spektatorë. 3 skena mbi lumë dhe dhjetra të tjera në mjediset e qytetit, 18 koncerte gjatë « zemrës së festës » – xhaz, rok, muzikë cigane, elektronike, tradicionale – mes 50 koncerteve të programuara, 100 manifestime kulturore… 300 artistë të ftuar : Emir Kusturica & the No Smoking Orchestra, Shantel & Bucovina Club Orkestar, Fatima Spar & the Freedom Fries, Florin Niculesku & Bireli Lagrene (Gipsy Project), Taraf de Hajduks, Mahala Raï Banda, Martin Lubenov & Jazzta Prasta Quartet, Besh o Drom, Boban i Marko & Markovic Orkestar, Kal, Toni Kitanovski Quartet, Ivo Papasov & Weding Band, Balkan Beat Box, Goran Bregovic & Orkestre des Mariages et des Enterrements, Liliana Butler & Mostar Sevdah Reunion… nga Budapesti në Stamboll, nga Sarajeva në Sofje, nga Beogradi në Athinë, nga Bukureshti në Shkup.. Ballkani i tërë kish lënë takim në Tuluzë. Thuaj i tëri, pasi mungonin Shqiptarët.
.
. * * *
.
.
. Paksa i bezdisur dhe belbëzues, komisioni organizues nuk diti të japë një përgjigje racionale. Ndoshta pasi publiku francez – dhe ai evropian – ende nuk vibron nga koncertet e artistëve nga vendi, pasi disqet e tyre ende nuk kanë gjetur rrugën e tregut dhe të amatorëve, sigurisht pasi revistat dhe gazetat e specializuara ende nuk ju kanë kushtuar kolona të tëra talentit të tyre. I vetmi element kulturor shqiptar që kish tërhequr vëmendjen e organizatorëve e festës ishte filmi « Parrullat », i cili do të çfaqej në kinemanë e mesnatës, pas një ditë të lodhshme dhe të zhurmshme. Sigurisht, pasi ky film kish bërë ndërkohë xhiron e Francës. Në se marrëzia ballkanike do të vinte me dallgë dhe do të dehte trurin nëpërmjet timpanit të veshit, ajo shqiptare ishte një valëz që mundohej të prekte shpirtin nëpërmjet syve. Fundja, më mirë një se asnjë !
.
. Një s’është keq, dy ca më mirë ! Nëse hiçi material prodhon vetëm hiç, boshllëku artistik arrin të prekë telat e ndjeshëm të nacionalizmit kulturor dhe prodhon ide. Pse jo, vendin vakant të Shqiptarëve të Shqipërisë (dhe atyre të Kosovës) t’a mbushin shqiptarët e Tuluzës. Përderisa artistët grafistë nga Bullgaria apo nga Rumania do të pjesëmerrnin në festë me krijimet dhe instalimet e tyre vizive, edhe grupi i plasticienëve shqiptaro-francezë lokalë mund të sillte ato të tyret – bile, ai propozonte të realizonte një freskë me motive shqiptare aty, në vend, gjatë koncerteve. Një vepër më shumë se kolektive – masive dhe evolutive, pasi ajo do të realizohej nga vetë spektatorët, dita ditës, në mes të produkteve të tjera kulturore nga vendi – libra, revista, foto, objekte të artizanatit. Pjesëmarrja ngjall interes, interesi krijon debat dhe ky i fundit sjell përgjigje pyetjeve ndaj të Panjohurve të përjetshëm – bile edhe atyre pyetjeve që lindin nga çfaqja e filmit. Për çudi, një ide e tillë e çmëndur u pranua nga organizatorët dhe u integrua në program. Kush më mirë se i marri mund të kuptojë të çmendurin ?
.
. Një iniciativë e tillë kërkon mjete, larmi sjelljesh… dhe dikush u kujtua : po sikur të kërkojmë ndihmën e Ambasadës së Shqipërisë në Paris për të siguruar plaketa informative mbi vendin, fletë palosje mbi turizmin, foto apo afishe ? Pra, një gjurmë vizive të aktivitetit, një përzgjatje kohore të bisedës së çastit, një kujtim të takimit me vendin…
.
. Një telefonatë që duhet përsëritur disa herë rradhazi, një tog përgjigjesh standard nga rregjistruesi i Ambasadës që të informon ëmbël se ndërkohë je brenda orarit të tyre të punës dhe ja, këmbëngulja shpërblehet më në fund me zërin e një vajze, tashmë plot jetë në frëngjisht, pastaj në shqip. Iku ajo kohë kur nga ana tjetër e fillit lehte vrazhdë kafazi i Ambasadës !
. Tashmë të dëgjojnë me durim, të përgjigjen me buzëqeshje – dhe të tregojnë internetin : « Dërgojini një e-mail. Domosdo, ajo do t’ju përgjigjet. Sapo të kthehet ». Pasi sekretarja kulturore e Ambasadës ndjek ndërkohë një stazh. Sa për Ambasadorin as që bëhet më fjalë. Dikur, përgjigja ishte qenërishte por ama, sigurimsi kafaz të kalonte shefin. Tashmë të tregojnë internetin.
.
. Kontakti me internet rezervonte një surprizë të këndshme : Ambasadori i ri i Shqipërisë në Paris quhet Ylljet Aliçkaj. Babai i filmit « Parrullat » që do të çfaqet në festival. Një motiv më tepër për të kërkuar një ndihmë. Surpriza e dytë ishte se Ambasadori nuk ka adresë e-mail, pra duhet komunikuar me sekretaren kulturore, nëpërmjet një teksti që përmban prezantimin e Shoqatës së Tuluzës, informacionin bazë për festën si edhe ftesën për Ambasadorin. Me guximin e të marrit e ftonim Shkëlqesinë e tij të pjesëmarrë në këtë aktivitet si krijues-shkrimtar dhe si përfaqsues i Shtetit – me lutjen e kthimit të një përgjigjeje « po » ose « jo ». Me qëllim që të lajmërohet me kohë komisioni organizator dhe Kryetari i Bashkisë së Tuluzës. Një muaj përpara se të fillonte festa.
.
. Dy javë më pas, asnjë përgjigje. Një ditë përpara fillimit të aktivitetit, i rashë telefonit të Sekretares kulturore. Kësaj rradhe pata me të vërtetë fat. Pasi dialogu ja vlente barrën :
.
. – (pas prezantimit të rastit) ju kam nisur një e-mail, lidhur me një aktivitet që fillon në fakt nesër..
.
. – më thoni edhe një herë për çka është fjala? (edhe një shpjegim tjetër i « Rio Loco-s »)
.
. – Më thotë diçka, por unë kam qenë gjetkë dhe vetëm disa ditë kam që jam kthyer.. ( a keni parë dikë që të hapë kutinë e mesazheve personale kur gjendet gjetkë dhe jo në zyrë ? Ja pra, në Ambasadë presin të kthehen në punë për t’a hapur). Më rimerrni në telefon pas dhjetë minutash.
.
. – (pas dhjetë minutash) është gjithmonë i njejti person nga Tuluza, për atë aktivitetin..
.
. – po, tashmë jam në dijeni të plotë (natyrisht, dhjetë minuta mjaftojnë për të lexuar pesë rreshta). Çfarë kërkoni prej nesh ?
.
. – të na ndihmoni.
.
. – Mjerisht, Ambasada nuk disponon asnjë fond.
.
. – Kush ju foli për fonde ? Në se kërkojmë ndonjë gjë, bëhet fjalë për fletë palosje, për plaketa informacioni..
.
. – Mjerisht, ne nuk kemi asgjë të tillë. Por do t’ju jap adresën e një faqeje internet (gjithmonë interneti !) ku mund të telengarkoni materiale të tilla. Janë të mrekullueshme.
.
. – (as që dyshoja për këtë mrekulli të telengarkueshme por mjerisht nuk kisha as kohë për t’a parë jo më për t’i ngarkuar – dhe shumëfishuar në dhjetra kopje). Sidoqoftë, si shpjegohet që të tjera shoqata si ato kroate, bullgare.. – dhe kur them shoqata, shoh pas tyre Ambasadat përkatëse, paraqiten me paketa të tëra materialesh « propagandistike » ?
.
. - Çështje fondesh. Ne nuk kemi. Dëgjoni përse nuk lidheni direkt me Ministrinë e Kulturës, bile me vetë Ministrin. Pasi ata kanë me tonelata materialesh të tilla.
.
. – Çka duhen tonelatat në Shqipëri kur në Francë ju nuk keni as edhe një gram? Kaq e vështirë është të furnizoheni me ato tonelatat e Kulturës? Pse jo, ndoshta duhet të marr në telefon Presidentin e Republikës z. Topi dhe t’i kërkoj disa kilogram? Si mendoni ?
.
. - Pse jo. Mund t’a merrni edhe atë. Sa për Ambasadorin, t’ju them të drejtën ai s’mund të vijë dot.
.
. – Kur e mësoi Ambasadori përmbajtjen e mesazhit tonë ? Sot ?
.
. - Po, sapo e bisedova me të dhe e ka të pamundur të vijë.
.
. – Natyrisht, në se e ka mësuar sot. Ndërkohë ne e kemi nisur mesazhin që prej një muaji.
.
. - Po, por unë isha në stazh. Vetëm pak ditë kam që jam kthyer. Pastaj, po ju them se ky aktiviteti juaj qëlloi pak keq pasi Ambasada është e mobilizuar për të pritur delegacione nga vendi të nivelit të lartë.
.
. Ja pra edhe surpriza e fundit. Ambasada organizonte pritjen e personaliteteve të larta nga vendi në Paris. Me pak imagjinatë, mund të bëhej lidhja me takimin e organizuar nga Presidenti francez lidhur me inaugurimin e Bashkimit për Mesdheun. Në se ështe kështu, priten të vijnë Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha – që do të ngjiten në tribunën presidenciale të festës kombëtare të 14 korrikut.
.
. Çka më normale në këto kushte se sa mospërfillja e të marrëve nga Tuluza ? Pasi në Paris, të mençurit prisnin të urtët mes të urtëve të Shqipërisë për t’jua prezantuar të fuqishmëve të Francës. Për një çast mu fanit vargu i familjarëve seriozë që çojnë nusen e mbuluar tek dhëndurët e kollarisur – ndërkohë që diku tutje, turma e marrë dhe gazmore feston dhe hedh valle, duke pritur të bukurën. T’i lemë të mençurit mes tyre…
.
. * * *
.
.
. Ndërkohë, disa qindra kilometra më tej, të marrët festonin. Pa Ambasadë dhe pa Ambasador por ama, me nuse. Si dhe me dasmorë : një djalosh shqiptar i Gostivarit që kish lindur në Los Anxheles dhe që gjeti të tijët në dasmë ; një grup të rinjsh nga Perigori që kishin kaluar një vit në Korçë, në një projekt evropian ; një familje arbëreshe nga Kalabria që kërkonte rrënjët e saj të lashta – si edhe një fjalor të shqipes ; një tuluzane që strehonte një refugjate kosovare të përhumbur, e cila mendonte se ishte e vetmja shqiptare në Tuluzë ; një çift bullgarësh me origjinë të largët shqiptare ; boshnjakë që kërkonin sivëllezërit e tyre myslimanë ; një student në histori që nuk dinte ku gjendej Shqipëria… si edhe me dhjetra prindër dhe fëmijë, të rinj dhe të reja që kërkonin penela dhe bojra për të shtuar diçka mbi freskun shqiptar.
.
. Një drithërimë e pafund ku edhe francezët harruan se ishin francezë, ku argjentinasit i shitën empanadat e tyre për ballkanike, ku edhe haletë rreatonin ngjyrat e ndezura si ato pallatet e Edi Ramës, ku edhe shqiponja me dy krena mbi freskë – sipas shprehjes të një vizitori – ngjante me një pëllumb paqeje.


« Ishulli » i Blushit, ishullarët dhe vështrimi i të verbërit.

Qershor 19, 2008
. Për një varg arsyesh nuk kam mundur të lexoj romanin e Ben Blushit « Të jetosh në ishull ». .
. « Sepse na mungojnë këmbanat » – i përgjigjej kryebashkiaku i trembur prusian i anekdotës Perandorit Napoleon të zemëruar që e kërkonte të dinte përse nuk po binin ato të uruara. Mua më mungon libri.
.
. Duke mos e patur këtë të « uruar këmbanë » dhe duke mos qenë as Napoleon me Blushin përpara, vendosa të « lexoj » librin nëpërmjet komenteve që janë shkruar mbi të. Zoti vetë është dëshmitar se sa të tilla janë shkruar ! Me fjalë të tjera, e vura vehten në rolin e një të verbëri që ju kërkon të afërmve t’ja lexojnë. Por, meqë bëhet fjalë për një libër me mbi 400 faqe (po qe se ju besojmë komenteve), sejcili prej lexuesve të sjellshëm lodhet ende pa e filluar dhe preferon të tregojë përmbledhjen, pikpamjen e tij mbi librin. I bie barra të verbërit të shkojë tek vepra me anë të mendjes, nëpërmjet syrit të të tjerëve.
. Dhe për të qenë sa më afër të vërtetës i kërkova ndihmë disa lexuesve sa të kujdesshëm aq dhe të rreptë – Fatos Lubonja, Olsi Jazexhi, Nexhmedin Spahiu dhe Arbër Xhaferri. Me shpresën e dukshme se, me të vërtetë, ata e kanë lexuar librin dhe me shpresën e fshehur se ata janë seriozë në ato çka thonë mbi të.
.
. * * *
.
.
. 1. Më asnjanësi i komentuesve – Shtëpia e Librit – përkulet përpara talentit të shkrimtarit-politikan, i cili braktisi përpjekjen civilizuese të popullit për të ndriçuar mendjen e lexuesve ; një rast unik përgjatë këtyre viteve të tranzicionit ndërkohë që shumë të tjerë braktisën penat për t’ju përkushtuar politikës. « Në një rrëfim e stil jo të zakontë në letrat shqipe ». Mësoj se autori qëmton Historinë e Shqipërisë të shekujve XV – XVIII « duke e trajtuar artistikisht si rrallëkush e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe ». Duke i renditur këto konsiderata në raftin e furçave të dhëmbëve, ajo çka më tërhoqi dëgjimin ishte vijimi : « tema themelore e romanit do të mbesë procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, debatet për të cilin vazhdojnë të jenë në qendër të polemikave edhe në ditët tona dhe i kanë ndarë studiuesit, historianët, analistët, etj. në kampe me pikëpamje të ndryshme ». Befas, interesi u ngjit katër shkallë njëherësh pasi bëhet fjalë për një temë që më intereson posaçërisht. Procesi i gjatë shoqëror i islamizimit ! Hajde pra të shohim se si e ka përtypur Blushi ynë këtë proces kaq misterioz ku plot të tjerë kanë thyer dhëmbët dhe ndoshta më mirë fillimisht, është të dëgjojmë vetë autorin.

.
.
. 2. Ata që ishin prezent ditën e prezantimit të librit nga vetë autori – sot ky proces quhet promovim, një fjalë fort e bukur dhe e re e gjuhës shqipe – thonë se ai e filloi fjalën me një falenderim: « … dua të falenderoj… Edi Ramën! Ne nje moment te caktuar, qe jane shume ne jeten tone politike, pa dashje, pa dyshim, ai me dekurajoi te merresha me politike dhe kjo eshte arsyeja qe une lash politiken dhe u ula 6 muaj te shkruaja romanin ». Mbresëlënëse dhe fort prekëse ! jo aq përmendja e Edi Ramës se sa fakti që atij ju deshën 6 muaj për të shkruar këtë vepër voluminoze, ku « çdo rresht ka mendim ». Vetëm 6 muaj për të ndërtuar një vepër që zhytet 500 vjet pas në histori. Gjashtë muaj të lumë, nga të cilët 100 ditë shkrim intensiv dhe pjesa tjetër dokumentim, hulumtim – pra fifti-fifti, e gjitha në kohën e krizës energjetike ! Po kriza energjetike ç’hyn këtu ? Për të nënvizuar vështirësinë e leximit me qiri apo e shkrimit me llampë vajguri ? Apo për të thënë se në kushte të tjera normale do të duheshin vetëm dy muaj – një muaj hulumtim, një muaj shkrim ?
.
. Për një moment, mbylla veshët me duar dhe rashë në mendime të zeza, dekurajuese : më ishin dashur dhjetë vjet për të shkruar « Përjetësisht të Panjohur » me 600 faqe – 7 vjet lexim dhe 3 vjet shkrim në frëngjisht dhe përkthim në shqip, pra vetëm 60 faqe në vit. Bile duke patur dritë dhe ujë, ngrohje dhe përkujdesje, internet dhe kompjuter, ndërkohë që Blushi nxinte ato 400 faqet e tij për 3 muaj, në errësirën berishjane.
. Duke patur parasysh që të shkruarit nuk është krejt njëlloj me pjekjen e simiteve – bile edhe këto të bekuarat kërkojnë kohën e tyre në mënyrë që brumi të vijë – i bie pak a shumë që një e treta e kohës të shkojë për të ngjizur « brumin » letrar, një e treta për të prodhuar mendimet-simite në letër dhe ajo çka mbetet, nevojitet për pjekjen : lexim, rilexim, korrigjim, pra, për t’i dhënë dorën e fundit. Me një fjalë, një mesatare prej 10-15 faqe në ditë. Edhe sikur të arrijë të flerë, të çlodhet dhe te regjenerojë neuronet gjatë gjysmës së ditës, duke llogaritur këtu edhe të ngrënët, të dhjerët të pirët – dhe Shvejku do të shtonte : edhe të tjera bëma që rimojnë me të parat – dhe të ulë bythën në karrike pa lëvizur për dymbëdhjetë orë të tjera, i bie mesatarisht 1 faqe në orë ! përgjatë 100 ditësh rresht ! Një mesatare e ndershme për një kampjon të vërtetë të mendjes dhe të penës – dhe të marketingut pasi arriti të shesë 1400 kopje të librit të tij për një javë ! Sikur të kisha edhe unë atë fat, këtë të marketingut ! Ishte zëri i Toçit, botuesit të Blushit që më zgjoi nga këto ëndrra, ndërkohë që thoshte : « .. filli kryesor i tij perpiqet qe te shtellize disa nyje mbi procesin e gjate dhe teper te ngaterruar te islamizimit te shqiptareve pas pushtimit nga perandoria otomane. I paqte a i dhunshem ishte ky proces, Blushi e thote te verteten e tij ne faqet e romanit voluminoz ». Që Blushi thotë të vërtetën e tij në faqet e romani të vet, kjo gjë s’kish asnjë dyshim, e vetmja e panjohur mbetej në se kjo e vërtetë përputhet me atë tjetrën, të vertetën « objektive ». Ja vlente më mirë pra, të braktisja Blushin dhe të dëgjoja në këtë pikë rrëfimin e çmitizuesit Fatos Lubonja.
.
.
. 3. Ndonëse nuk kam patur fatin të njoh Blushin e ri, ngushëllohem me faktin se « njoh » Fatos Lubonjën. Çmoj vështrimin e tij kritik dhe vlerësoj seriozitetin e analizës, shtjellimin e argumentave, saktësinë e përfundimit. Dhe Lubonja më mëson se veprës i mungon koherenca dhe nga ky shkak, « ngjarja humbet besueshmërinë që është një nga elementë kryesorë të artit të të rrëfyerit ». Më tutje Lubonja e ngul gozhdën edhe më thellë, pasi « historia (sipas Blushit) është interpretuar sipas disa klisheve ideologjike të njohura nacional romantike shqiptare të rimarra në kontekstin e zhvillimeve nacionaliste tona të periudhës pas komuniste ». E thënë nga goja e Lubonjës, ky përfundim merr formën e një note negative. Bile edhe të një verdikti, kur ai fillon dhe shtjellon « qasjen esencialiste (blushiane – plotësimi është i imi) ndaj identitetit kombëtar shqiptar ». Arritur në këtë stad mund të « braktis » qetësisht Lubonjën dhe t’i kthehem për konsultim disa komenteve dhe teksteve të miat, lidhur me identitetin shumëformësh shqiptar – për të rikqyrur raportet mes shqiptarisë dhe fesë, mes procesit të ndërlikuar të krijimit të identitetit kombëtar gjatë shekullit të XIX – që jo vetëm nuk shoh të piqen gjëkund me përfytyrimin artistiko-historik të Blushit (ashtu si ma përshkruan Lubonja), por që hera herës nuk përputhen forcërisht as edhe me ato të vetë Lubonjës.
.
. Për fat është vetë Blushi që më vjen në ndihmë, kur thotë : « Unë vendos historinë në funksion të imagjinatës sime dhe kjo është një histori e rikrijuar dhe e stilizuar ». Pa e patur përpara për t’i drejtuar pyetjen, nuk mund të them se si i kupton Blushi raportet mes historisë së vendit të vet dhe imagjinatës së tij. Por sidoqoftë, do s’do Blushi, edhe kur pretendon se e rikrijon ose e stilizon, nga momenti që i përvishet punës të shkruajë një « roman historik » të mesjetës së vonë dhe të fillimit të kohës moderne, pra të shekujve XV-XVIII, atij i duhet të hulumtojë në mjegullnajën e shkrimeve dhe të dokumentave. Këtë gjë ai e thotë vetë – dhe çdo lexues është në gjendje të vlerësojë përpjekjen titaneske. Vetë shifra 3 (muaj) dëshmon për seriozitetin e ndërmarrjes dhe thellësinë e reflektimit..
. Por hulumtim do të thotë jo vetëm shfletim ose lexim por edhe përzgjedhje. Me fjalë të tjera, ai rrethohet me ato vepra që i konsideron si të « të vërteta » dhe flak tutje ato të tjerat që atij i duken si të sajuara, për të mos thënë tendencioze dhe të gënjeshtërta.
.
. Pasi hulumton epokën – pra pasi përzgjedh dhe flak tej, pasi fikson kornizën historike, autori fillon dhe pikturon tabllonë, skicon personazhet mbi këtë tabllo dhe i çvendos ata në kohë, si ato bimët që shkojnë drejt dritës. Të paktën kështu bëjnë të tjerë autorë… dhe kur dëgjoj se ai tregon sagën e Aranit Komnenit dhe të familjes së tij, mendoj se kjo zgjedhje nuk është as e pafajshme as edhe krejt e rastit. Sikundër dhe portretet e skicuara apo shprehjet që ai ve në gojën e tij apo të bashkëkohësve të tij – që jo vetëm kanë dalë nga koka e Blushit por edhe i përgjigjen nivelit intelektual, imagjinatës artistike dhe botëkuptimit historik-shoqëror të vetë autorit.. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, pasi është shkrimtari Blushi i sotëm që rrëfen Komnenët e asaj kohe dhe jo Komnenët e lashtë që i rrëfejnë jetën e tyre kronikanit Blushi.
. I vetmi rrezik që duhet përballur është shkalla e ngjashmërisë mes të vërtetës të Voskopojës voskopojare të shekullit të XVII-XVIII dhe përfytyrimit voskopojar nga Tirana e shekullit të XXI – si edhe tallanditë reale ose të sajuara, por sidoqoftë mbijetuese, të « ishullit ortodoks të qytetëruar vllaho-shqiptaro-çifut » mes detit valëshumë, fanatik dhe përpirës mysliman. Në këtë moment kaq pasionant të tregimit më duhet të ndahem – me keqardhje – nga Fatos Lubonja pasi më ndjell zëri bubullitës i Olsi Jazexhiut, « Fortis athtleta et verus propugnator fidei musulmanæ ».
.
.
. 4. Nuk mund të them se e njoh Olsi Jazexhiun, megjithëse dikur, për të më përshëndetur lidhur me një shkrim timin lidhur me islamizimin e Shqiptarëve, më ka dërguar një mesazh të përzemërt. Mesazhi kthyes mbeti pa përgjigje.. Ndoshta, për shkak të shprehjes time se historiani dhe militanti zakonisht nuk përbënin një çift të përsosur. Por nejse ! Kësaj rradhe, kisha nevojë për zërin e tij si udhërrëfyes, për të depërtuar në labirintin e mendimit Blushian.
.
. Që në fjalët e tij të para mësova se, i joshur nga komentet e mira te lexuesve, Jazexhiu kish kërkuar t’i nisnin librin me ugjencë deri në Italinë ku ndodhej për të ndjekur fillin e mendimit të një autori racist dhe ksenofob. Një e tillë parti pris nga ana e lexuesit-historian i qytetërimeve myslimane nuk ndillte asgjë të mirë për një « të verbër » si puna e ime. Një listë e tërë citimesh nga teksti i Blushit që fyejnë ndjenjat myslimane si dhe dhe një katalog i tërë kundërsharjesh nga pena e Jazexhiut që fyejnë dhe poshtërojnë vllaho-grekët dhe shqiptarët ortodoksë. Bir Selman i nënes ç’të të qaj më parë – thosh dikur populli i viseve të Blushit dhe të Jazexhiut që rastësia i ka vënë karshi-karshi. Duke i lënë mënjanë këto detaje të militantit Jazexhiu, u mundova të ndjek fillin e historianit Jazexhi, deri sa ndesha me shprehjen « arsyeja pse personi do të bëhet musliman… (është) triumfi teologjik të Islamit ndaj Krishtërimit » dhe jo ajo « teoria e vjetër greko – sërbe kundër shqiptarëve e dhunës turke, taksave turke.. ».
. Aferim Olsi ! Sidoqoftë, dhelpra të rrezikshme mbeten këta greko-serbët që përpunojnë teorira të tilla kasten për shqiptarët ndërkohë që ata vetë, megjithë dhunën turke dhe taksat turke – pasi m’a merr mendja që kanë rënë edhe mbi ata – realizuan të kundërtën : triumfin teologjik të Krishtërimit ndaj Islamit.
.
. Nuk e di mirë cilës kategori i përkas – shqiptar mysliman, ateist dhe patriot të Jazexhiut apo shqiptar ortodokso-vllaho-grek, besimtar të Blushit – por një gjë qënka e sigurt : të gjithë duhet të lexojnë librin. Të parët për të kuptuar kërcënimin fondamentalist greko-ortodoks dhe të dytët për të kuptuar kërcënimin fondamentalist turko-mysliman. Në se është kështu, si thjesht shqiptar që flet shqip nuk jam pishman që s’paskam dëgjuar zërin e Blushit, ama mallkova vehten që dëgjova atë të Jazexhiut. Pasi më dha dhimbje koke ! Dhe në vend të aspirinës, vura shiritin me zërin e Nexhmedin Spahiut. Me plot shpresë se gjykimi i tij do të më zbulonte të tjera horizonte. Aq më tepër kur vetë Spahiu përmend se i kish dhënë mend deri edhe Ismail Kadaresë lidhur me mbylljen e të spikaturit « Prill i thyer ».
.
.
. 5. Arsyetimi i Nexhmedin Spahiut mbështetet mbi një këmbë të vetme, e cila përmblidhet me një shprehje, bile me një fjalë – trend. Francezët do t’a kishin përkthyer effet de mode. Shqiptarët, ata që nuk zotërojnë as metodën koncize angleze as edhe elegancën franceze të të shprehurit, do t’a kishin quajtur – të qenit në rrymë, në temën e ditës. Dhe tashmë dihet (të paktën nga ana e Spahiut) që tema e ditës në vend është – shfrimi ndaj myslimanëve. Pra me fjalë të tjera, nuk duhet parë Blushi si një qënie e skëterrshme që shfryn zjarr nga hunda dhe mban erë squfur, por thjesht si një shkrimtar snob që ndjek rrymën e përgjithshme. Përse ? për të fituar famë ose për të fituar para. Sikur i mungonte fama dhe paratë ! Por duke ndjerë se kjo këmbë, si e vetme që është, mbetet e pasigurt, Spahiu i shton arsyetimit të tij edhe një patericë – sillogjizmin. Dhe meqënëse ky i fundit ka tre këmbë, tashmë me katër jemi të sigurt që godina e arsyetimit nuk do të bjerë.
. Në se arsyetimi fillestar i Spahiut ka pamje kandide, në të kundër sillogjizmi i tij është fort i thellë. Le të gjykoj si i verbër që jam, mbi ato çka dëgjoj nga goja e tij :
.
.
. Termi i parë : asnjëherë, një popull i zhvilluar nuk mund të sundohet nga një popull më pak i zhvilluar.
.
.
. Termi i dytë : Në kohën kur Perandoria Osmane ishte në kulmet e saj ajo ishte shoqëria më e përparuar e kohës dhe « pushtimi Osman, përjashto këtu shkatërrimet që sillte lufta, sillte kulturë e civilizim ».
.
.
. Përfundimi : Shqiptarët në përgjithësi (dhe Blushi në veçanti) s’kanë asnjë arsye të qahen nga Perandoria Osmane, e cila jo vetëm nuk është është shkaktare e prapambetjes shqiptare por edhe i nxorri ata në dritë.
.
.
. Për fat të keq, nuk i njoh kriteret e Spahiut që e lejojnë të përkufizojë një « popull të zhvilluar » dhe një tjetër « të pazhvilluar », por kam dëgjuar se kur erdhën Osmanllinjtë në Ballkanin e shekullit të XIV-XV në vend të tregonin kartën e tyre të vizitës me fjalën « i zhvilluar » – në turqisht – për të legjitimuar pushtimin, ata zhveshën shpatën. Pra, fitorja e Osmanllinjve mbi Ballkanasit ishte çështje raporti forcash. Dhe historia dëshmon se jo gjithmonë raporti i forcave ka të bëjë me zhvillimin. Për të na bindur, ajo na jep rastin e Gotëve dhe të « barbarëve » gjermanikë që jo vetëm pushtuan Romën në shekullin e V p.e.s. por edhe administruan Perandorinë romake gjatë shekujve në vijim ; ajo na jep gjithashtu shembullin e Mongolëve që pushtuan Kinën dhe instaluan dinastitë e tyre gjatë disa shekujsh.
.
. Sa për pohimin tjetër, ndërkohë që pranoj me dëshirë se në kulmet e saj, Perandoria osmane ishte një nga fuqitë më të mëdha të epokës, ende e kam të vështirë të mësohem me idenë se ajo përfaqsonte shoqërinë më të përparuar të kohës. Mbi ç’baza ngrihet ky kategorizëm ? Mbi strukturën autokratike me Sulltanin në krye ? Mbi kastën laiko-ushtarake që administronte jetën civile apo mbi kastën e ulemave që kontrollonte jetën shpirtërore të subjekteve ? Zaten, kujt periudhe historike i përgjigjet kulmi i Perandorisë otomane ? Pasi, në gjatë asaj periudhe që na intereson posaçërisht – shekulli i XVII, kur ndodhi edhe islamizimit masiv të Shqiptarëve, ylli i saj kish filluar të perëndojë. Aq më tepër, ky proces kaq i përfolur s’ka të bëjë me kulmin e madhështisë së Perandorisë « mëmë » por me kushtet e brendshme politiko-ekonomike të viseve shqiptare. Së fundi, edhe sikur t’i referohemi sumumit të kulturës osmane – fesë islamike, duhet të kujtohemi së pari se Muhamedi nuk ishte turk por arab dhe së dyti se islamizmi i përqafua prej Turqve disa shekuj pas vdekjes së Profetit. Pra, sikundër dhe subjektet e tyre të mëvonshme të islamizuar arbër-shqiptarë, edhe Turqit vetë ishin « renegatë ». Veçse këtu natyrisht nuk bëhet fjalë për krishtërimin, por për braktisjen e besimin e tyre të parë – një përzierje e habitshme mes paganizmit të stepave mongole, arianizmit iranian, hinduizmit dhe zoroastianizmit, gjurmët e të cilit mbeten në ndërgjegjen popullore deri sa riçfaqen në formën e skizmave alevite.
.
. Sa për përpjekjen civilizuese në « dar-el-harb »-in arbëror, pasi kish përfunduar përpjekja shkatërruese, mbetem fort skeptik pasi nuk më shqitet nga mendja fakti se edhe pas largimit të osmanit të fundit, Shqipëria ishte vendi më pak i zhvilluar i Ballkanit.
. Duke ju kthyer së fundi sillogjizmit sokratik, më mbetet të them se edhe Aristoteli, babai i saj grek, hezitonte shpesh përpara se t’a përdorte. Pasi i druhej namit të sofistit. Ndërsa unë vura re se u mora më shumë me sofistin tim të rradhës se sa me vetë Ishullin e Blushit.
.
.
. 6. Mitrovicën e Spahiut një vrap pele e ndan nga Tetova, nga më vjen jehona e zërit të akademikut Xhaferri. Arbër Xhaferri e thotë shkoqur : ato 200 faqet e para të librit të Blushit kishin qenë të mjafta që ai njëherësh të bindej për erudicionin dhe për guximin e autorit për të ndërmarrë « një viviseksion, një introspekcion (një inspektim të brendshëm) të asaj çka ka ndodhur me ne në një periudhë historike ». Fjalë politikani të vjetër, i cili sikundër dhe shumë shqiptarë të tjerë, e ndjen vehten të « kontaminuar me.. paragjykime », nevojtar « për një zbrazje, për një çlirim, për një katarsis ». Ja përse ai e rendit veprën në rradhën e përpjekjeve për lirinë e fjalës, të diversitetit të mendimit, të opinionit ndryshe. Shkurt, një pikë pozitive në favor të Blushit.
.
. Përse fundja-fundit, një libër i tillë ngjall të tilla ndjenja pendese një politikani të rregjur si Xhaferri ? Pasi ai vëren që të ngjashmëve të tij ju mungon toleranca veçanërisht në fushën fetare, çka dhe i shtyn të zhurmërojnë kur hasin në vepra të tilla. Ja përse ai i këshillon të kqyrin botën nëpërmjet prizmit të sistemit të vlerave perëndimore. Nëpërmjet një « aparature të tillë » libri i Blushit, nga roman historik, shëndrrohet në eliksir që shëron paragjykimet, bile edhe ato të trashëguara. Po a është në gjendje të korigjojë edhe sensin e vetë historisë, dhe të sjellë përgjigje pyetjes : pêrse Shqiptarët mbetën vetëm përballë dilemës së apostazisë ? Dukshëm jo, po qe se i referohemi pêrgjigjes së vetë Xhaferrit, i cili shpjegon : .. pasi ishin të vetmit katolikë të rajonit, ndërkohë që dihej urrejtja reciproke mes ortodoksëve dhe katolikëve si edhe fakti që, për shkak të bizantinizimit të tyre, Turqit u renditën në pararojë të armiqve të papatit të Romës.
.
. Në këtë pikë erudicioni dhe guximi nuk i takon më Blushit por vetë Xhaferrit, pasi ndërkohë ka harruar se myslimanët shqiptarë të konvertuar rishtas ishin po aq të shumtë, në mos më tepër, në jugun ortodoks se sa në veriun katolik. Në emër të kujt urrejtjeje ndodhi apostazia e toskëve jugorë ? A mos ishin vallë të gjithë katolikë në origjinë, arbër-shqiptarët e Maqedonisë, sot myslimanë?
.
. * * *
.
.
. Ngado që ta marrësh, ky dialog i shurdhër nuk i tejkalon dot caqet e horizontit të verbër. Pasi edhe për syrin e largët është e qartë se « Utopia » e Blushit është një ishull i krishterë brenda ishullit mysliman – ishull brenda ishullit. Vetvetiu më vjen ndërmend shprehja e historianit Fernand Braudel, specialistit më të shquar të hapësirës mesdhetare, i cili viset malore ballkanike i kqyrte si « ishuj në tokë të thatë » ku « shoqëria, qytetërimi, ekonomia, pra gjithçka mban vulën e arkaizmit dhe të pamjaftueshmërisë ».
.
. Ishuj dhe ishullarë, ishullarë të mendjes – mendimtarë ishullarë. Sejcili mendon se ishulli i tij është kontinent dhe vetë kontinenti s’është gjë tjetër veçse ishulli përballë, ndërkohë që e trajton historinë sikur të ishte jasteku puplor i gjyshes që sa herë shkundet, prodhon një pendë gjithmonë të ndryshme, herë të kuqe herë të zezë, herë të drejtë herë të harkuar….


E mjera Evropë…

Qershor 15, 2008
. Gjithçka rrodhi sipas skenarit më të zi, më katastrofik ! Evropa e madhe, e bashkuar, me 27 antarë-shtete, me 495 milionë banorë, fuqia e dytë ekonomike e botës dhe aktori i parë politik i planetit, kapaciteti më i rëndësishëm elitar, intelektual dhe artistik që historia e njerëzimit ka parë ndonjëherë u gjend papandehur në një fundudhe, përballë portës së mbyllur. Dhe kjo portë quhet Irlandë.
.
.
. Në të vërtetë, që prej kohësh shumëkush dyshonte se çelësi i artë evropian, Traktati i Lisbonës, mund të shërbente si çelës kopil për të hapur portën e fundit irlandeze. E megjithatë, shumëkush besonte se politikanët vendas do të ishin aq të aftë sa të bindnin zgjedhësit e tyre për të mirat e asaj Evrope që i kish nxjerrë në dritë, për perspektivat e ndritura të asaj bashkësie interesash të përbashkëta që quhet Evropë, për begatinë e tejskajshme materiale që do të çelej përpara tyre… E pra, jo. Kokëfortët gaelikë u bënë gardh mbi të cilin mbetën rreckat e pantallonave të evropianëve të habitur… të më falni, faqet e çjerra të Traktatit të Lisbonës.
.
.
. Nga Treg i Përbashkët në Bashkim Politik : një histori krizash.
.
. Lipset të japim shpjegimet e rastit, për ata që nuk e kanë ndjekur episodin e fundit irlandez. Që prej disa vitesh, ky konstruksion politiko-ekonomik që quhet Evropë e Bashkuar kërkon të farkëtojë një legjitimitet për të sotmen dhe të ardhmen nëpërmjet ndërtimit të instrumentave të tij institucionalë (Parlamenti evropian, Presidenti i Evropës), kuadrit juridik të funksionimit të institucioneve bashkësiore egzistuese (Komisionet evropiane), metoda pune dhe rregulla të votës (pjesëmarrjen e Parlamenteve kombëtare dhe vendosja e shumicës së « kualifikuar »), atribute juridike për qytetarët e tij (modalitetet e votës së qytetarëve) etj… etj. Si mund të imagjinohet ndryshe jashtë këtyre kornizave institucionale dhe kushtetuese një Evropë vlerash dhe të drejtash, një Evropë e lirisë, e solidaritetit dhe e sigurisë për antarët e vet, një aktor i dorës së parë në rrafshin botëror ?
.
. Të mos harrojmë se kjo Evropë e sotme egziston vetëm që prej një gjysëm shekulli dhe historia e saj luhatet mes sukseseve dhe dështimeve. Dora dorës, Bashkësia Evropiane e qymyrit dhe e çelikut prej 6 antarësh (Franca, Italia, Republika Federale Gjermane dhe Beneluksi), e krijuar nga Traktati i Parisit i vitit 1951, u shëndrrua në Bashkim Ekonomik evropian nga Konferenca e Mesinës, në qershorit 1955. Ndërkohë, ky Bashkim njohu krizën e parë pasi Franca refuzoi të nënshkruante projektin e Bashkësisë evropiane të mbrojtjes, një nga elementët e Traktatit themelues.Sidoqoftë, Bashkësia egzistuese u ligjërua prej Traktatit të Romës të 25 marsit 1957, dhe u konceptua si hapësirë e qarkullimit të lirë të mallrave. Për fat të keq, ai mbeti një Treg i Përbashkët evropian dhe për një kohë të gjatë ai s’mundi të gjente përmasat e tij politike. Vetëm pasi perëndoi ylli i Gjeneral De Golit, në dhjetor 1969 Franca ju bashkua politikës bujqësore të përbashkët dhe pranoi të ulej në karriken e saj në Këshillin e Evropës. Me këtë rast, Presidenti i saj i ri Pompidu pranoi edhe idenë e rritjes, pra të hyrjes së Britanisë së Madhe në këtë Bashkim vendesh. Një erë e re fillon të fryjë mbi kontinent : zgjerimi i bashkësisë, sipas shprehjes së njohur – Bashkimi bën fuqinë.

.
. Në 1 janar 1973, tashmë janë 9 vende që diskutojnë në Parlamentin evropian në Strasburg (6 themeluesit si edhe Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda jonë trime). Shprehja « diskutim » përmban në vetvehte edhe farën e grindjes pasi, në nëntor 1979, Kryeministrja Theçër përplasi grushtin mbi tavolinë dhe thirri “I want my money back“, pra kërkoi rishikimin e kontributit financiar anglez në buxhetin evropian. Pavarësisht zëmërimit anglez, në 1 janar 1981, Greqia e lashtë integroi familjen evropiane dhe pesë vjet më vonë, i erdhi rradha të rilindurave Spanjë dhe Portugali – post diktatoriale. Tok, të Dymbëdhjetët mblidhen në Shengen, në qershor 1985, dhe inagurojnë një erë të re : Bashkimi Ekonomik Evropian (CEE) vendos të fshijë kufijtë mes vendeve antare dhe të çelë faqen politike të bashkëpunimit. Disa muaj më vonë, në shkurt 1986, Akti Unik evropian bën korrigjimet e para mbi Traktatin e Romës dhe parashikon krijimin e institucioneve të përbashkëta (Parlamenti evropian, Këshilli i Evropës, Gjykata evropiane..) dhe zgjerimin e kompetencave dhe fuqive të tyre. Ky akt merr formën përfundimtare në vitin 1992, gjatë takimit të Maastrishtit, nëpërmjet ratifikimit të një Traktati të ri, i cili inauguron krijimin e Bashkimit Evropian (CE). Tashmë, kjo Evropë premton të ketë një politikë të jashtme si dhe një politikë sigurimi të përbashkët, forca të armatosura në një komandë unike, bashkëpunim gjyqësor, policor si edhe një politikë monetare të përbashkët – me euron në krye të rrugës. E pra, jo të gjithë mbetën të kënaqur dhe në rradhë të parë Danezët që nëpërmjet referendumit e hodhën poshtë këtë Traktat. Vetëm pasi u plotësuan kërkesat e tyre lidhur me shtyrjen e afatit të euros, të sistemit të mbrojtjes evropiane, të drejtësisë dhe një varg të tjerash, ata i kthehen rishtas referendumit dhe ratifikojnë Traktatin e Mastrishtit. Ndërkohë, në vitin 1995, Suedia, Finlanda dhe Austria i bashkohen ekipit, që tashmë numëron 15 antarë.
.
. Forcimi i kompetencave bashkësiore, ridimensionimi i fushave të bashkëpunimit, krijimi i instrumentave legjislativë.. ja edhe problematika e çastit e Evropës së bashkuar që mblidhet në Amsterdam, në vitin 1996 dhe nënshkruan Traktatin homonim, me synimin e dukshëm të zgjerimit drejt Lindjes. Por edhe ky traktat nuk mundi të evitojë problemet që kësaj rradhe prekin ekipin udhëheqës : në mars 1999, Komisioni evropian jep dorëheqjen kolektivisht, i pasi akuzohet për « përgjegjësi të rëndë » në një shpërdorim fondesh. Vetëm disa muaj më vonë, në dhjetor 2000, të Pesëmbëdhjetët mblidhen në Nicë dhe diskutojnë lidhur me zhvillimin e sistemit institucional, në perspektivën e një Evrope me 25 ose me 27 antarë. Menjëherë pas nënëshkrimit të Traktatit të Nicës (2001), dhe megjithëse ky traktat në vetvehte ishte një gjysëm dështim – pasi u konsensusi i arritur ishte krejt minimal – Irlandezët e hedhin poshtë me anë të një referendumi popullor. Frikë ndaj zgjerimit, mosbesim ndaj institucioneve apo kërkim i garancive suplementare ? Vetëm pasi Evropa ju siguron neutralitetin ushtarak të ishullit, në 2002, Irlandezët i rikthehen referendumit dhe e aprovojnë Traktatin e ri. Ndërkohë në 2004, Bashkimi evropian pret krahëhapur Poloninë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë, Hungarinë dhe Republikat balte, si edhe Qipron greke dhe Maltën dhe tashmë familja numëron plot 25 antarë. Të mos harrojmë se ende na mungojnë dy të fundit e listës : Rumania dhe Bullgaria.
.
. Por, nëse bashkimi bën fuqinë, fuqia shton euforinë dhe kjo e fundit ushqen rrumpallën. Në se është e zorshme bashkëjetesa për një familje « të ngushtë » me 15 antarë, ç’mund të thuhet për familjen e zgjeruar me 27 syresh ? Aq më tepër që kjo e fundit mbledh të vjetër dhe rishtarë, të pasur dhe të varfër, të ngopur dhe të uritur, të urtë dhe rrëmujaxhinj, të cilët jo vetëm nuk janë të një mëndjeje por edhe janë gati t’i hidhen në fyt njëri tjetrit për fonde, për tregje, për influencë ; troç, sejcili për interesat e veta. Në këto kushte, kryetari i familjes duhet të verë rregull – nëpërmjet ndalimit të pranimeve të reja, dhe të imponojë një rregullore loje. Në rolin e këtij kryetari ngrihet çifti themeltar Francë – Gjermani, i cili hera herës tërheq pas vehtes Italinë ose Spanjën, pasi Britania e Madhe preferon të sodisë rrëmujën kontinentale nga ishulli. Ndërsa rolin e rregullores e luan projekt-Kushtetuta evropiane, e përpunuar në kohën e vet nga një ekip konstitucionalistësh të shquar me në krye ish-Presidentin francez Zhiskar d’Esten.
.
. Vetëm se projekt-Kushtetuta monumentale prej disa qindra faqesh do të quhej Kushtetutë në se aprovohet unanimisht nga të gjithë antarët. Por ja, në vitin 2005, 54% e francezëve të Zhiskarit e hodhën poshtë gjatë referendumit popullor, të ndjekur nga hollandezët disa ditë më vonë dhe përfundimisht projekti përfundoi në kosh. I pakuptueshëm, i papërdorshëm, tepër teknik dhe aspak praktik, i rrezikshëm dhe autokratik – ja edhe disa nga argumentat e përdorura kundër këtij projekti. Në 2007, Presidenti i ri francez Sarkozi u bë katër copësh për të vënë në vend nderin e përdhosur dhe u vu në qendër të procesit të përpunimit të një varianti të ri të kushtetutës, sipas tij më të thjeshtë dhe më të reduktuar – a priori, më afër interesave të evropianëve të thjeshtë. Bëhet fjalë për Traktatin e fundit të Lisbonës, që u kundërshtua edhe një herë tjetër – gjithmonë me referendum – nga Irlandezët.
.
.
. Quo vadis Europa ?
.
. Pas një debati të vërtetë, të çelur në Bruksel në korrik 2007, Këshilli evropian i mbledhur në dhjetor në Lisbonë aprovoi teksti përfundimtar të Traktatit Evropian, i ashtuquajtur i Lisbonës, i cili u nënëshkrua nga 27 kryetarët e qeverive ose presidentët dhe i kaloi për ratifikim vendeve antare. Ndoshta për të mos i lodhur shtetasit e tyre me leximin e Traktatit të ri (145 faqe, disa qindra nene dhe kapituj, i shoqëruar me 36 protokolle, 26 deklarata dhe të tjera anekse), ndoshta për të evituar komplikime të panevojshme – aq më tepër që vetë popujt e interesuar kërkonin të vendosnin me referendum (76 % të Gjermanëve, 75 % të Britanikëve, 72 % të Italjanëve, 65 % të Spanjollëve dhe 63 % të Francezëve) të gjithë vendet antare vendosën të ratifikojnë tekstin me votë parlamentare. Të gjithë përveç Irlandës, që për një arsye të panjohur preferoi referendumin.
.
. Ndërkohë që 18 Parlamente kombëtare e aprovuan Traktatin pa më të voglën vështirësi dhe 8 të tjera prisnin rradhën për të bërë të njejtën gjë, diçka më pak se gjysma e 3 milionë zgjedhësve irlandezë (45%) shkuan të votonin në 13 qershor dhe 53,4% e tyre u shpreh kundra. Mjaftoi pra « jo-ja » e afro 100.000 votuesve nga ishulli i gjelbërt për t’i dhënë dërrmën Traktatit të Lisbonës dhe për të shtyrë në kalendat greke çështjen e Kushtetutës evropiane. Si shpjegohet kjo krizë e re e konstruksionit politiko-ekonomik kontinental ?
.
. Më gazmorët mes analistëve ja venë fajin emrit : do ish më mirë të ishte quajtur i Dublinit se sa i Lisbonës ; më supersticiozët nëmin datën e zgjedhjeve : e premte 13 ; më realistët vërejnë që s’është hera e parë që Irlandezët votojnë « jo » gjatë një referendumi evropian. I parë nga Evropa, rezultati i këtij Referendumi shpjegohet me gjendjen aktuale të vendit : ky ishull, sa tërheqës aq edhe misterioz, sa dinamik aq edhe konservator, dikur tokë e mallkuar që dëbonte banorët e vet drejt parajsave të largëta amerikane, njeh një valë të paparë emigracioni që i ka lejuar disa qindra mijra polakëve, baltëve dhe të tjerë lindorëve të instalohen si në vend të tyre. Pra, Irlandezët nuk po njohin më vendlindjen që transformohet nga dita në ditë, që po çnatyrohet. Ndërkohë, edhe ekonomia aq e vrullshme që deri dje siguronte një rritje prej gati 10% në vit ka hyrë në një fazë stagnacioni dhe po tregon shenja papunësie, varfërie, pasigurie…
. E pra, vazhdojnë Evropianët, jazëk ju qoftë këtyre Irlandezëve bukëshkalë pasi edhe kjo pasuri dhe begati ju ka ardhur nga Evropa, që është bërë copë për t’i ndihmuar me kapitale, me investime, me lehtësira fiskale – pra me para, ndërkohë që sot ata dalin kundër bamirësit të djeshëm.
.
. Rrini mirë aty ku jeni – përgjigjen irlandezët – pasi edhe në se është e vërtetë se dikur na keni ndihmuar, merita kryesore është e jona që kemi ditur të shfrytëzojmë me efikasitet dhe me tru këto ndihma. Pa hidhni sytë rreth e rrotull dhe kqyrni të tjerët që kanë marë ndihma edhe më të shumta, lehtësira edhe më të mëdha dhe që kanë mbetur gjithnjë në vend numëro ! Së fundi, the last but not the least, kemi nga të marrim shembull : shihni francezët në vitin 2005 ; shihni bile edhe danezët në vitin 1992 !
.
. E vërteta është se debati lidhur me Traktatin s’mundi t’i tërheqë Irlandezët masivisht drejt kutisë së votimit, ndërkohë që këta të fundit dolën kundër vullnetit të klasës së tyre politike, e cila pavarësisht ngjyrave dhe bindjeve, u mobilizua si një trup i vetëm në favor të « po-së ». Vetë Irlandezët thonë se nuk kuptuan asgjë nga ky Traktat. « Si mund të ve firmën time në një tekst nga i cili nuk kuptoj gjë prej gjëje ? Në këto kushte, unë vendos të them jo !». Ç’faj kanë irlandezët e gjorë në se vetë baballarët e këtij Traktati nuk arrijnë të gjejnë në të elementë pozitivë ? Sipas Valeri Zhiskar d’Estën, ky Traktat s’është gjë tjetër veç një « kopje e zbehtë » e Traktatit të mëparshëm të Kushtetutës evropiane – ai që u hodh poshtë nga francezët, pasi për të « veglat brenda janë krejt të njejtat. Vetëm renditja e tyre ka ndryshuar në kutinë e veglave. Vetë kutia është zbukuruar disi, sipas një modeli të vjetër me tre sirtare në të cilët duhet gërmuar gjatë për të gjetur atë çka kërkon ».
.
. E parë në këtë prizëm, përvoja e këtij referendumi irlandez tejkalon së tepërmi problematikën lokale dhe shtron të paktën një pyetje dhe dy probleme ndaj Evropës mbarë.
.
. Primo, si shpjegohet që klasa politike e një vendi, klasa politike e mbarë kontinentit shprehet në favor të Kushtetutës evropiane apo të Traktatit të fundit të Lisbonës, ndërkohë që vetë populli shprehet kundër ? Kjo Evropë e bashkuar është një Evropë për politikanët apo për qytetarët e thjeshtë ? Përse ky hendek kaq i thellë mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve ?
.
. Secundo, Evropa e Bashkuar, feneri ndriçues dhe modeli universal i demokracisë në botë, ka një problem me vetë demokracinë. Pasi, nga njera anë, ata që përpunojnë tekstet institucionale apo ligjore dhe që kqyrin aplikimin e tyre i druhen shprehjes popullore dhe bëjnë çmos për t’ju shmangur referendumit dhe nga ana tjetër, kur ky referendum arrit të realizohet dhe shkon ndesh me imagjinatën dhe dëshirat e tyre, guxojnë dhe përgojojnë popullin që s’është në gjendje të kuptojë përmbajtjen e teksteve. Me fjalë të tjera, populli vyen vetëm në se shprehet pro mendimit të të zgjedhurve të tij, në të kundër janë ata vetë që shprehen pro projekteve dhe teksteve të tyre. Pra, modeli i demokracisë të të zgjedhurve nuk përputhet me modelin « standard » të demokracisë që frymëzon zgjedhësin anonim.
.
. Tercio, Evropa e Bashkuar ka një problem të madh me modelin e saj politik, me projektin e saj ekonomik që qëndron në bazë të çdo përpjekjeje institucionale, të çdo kodifikimi ligjor, të çdo ndërtimi shoqërizues. Si mund të jetë ndryshe kur në këtë hapësirë gjeografike që quhet tashmë Evropë et të 27-tëve konkurrojnë dhe bashkëjetojnë doktrina dhe teori të ndryshme që shkojnë nga socializmi në liberalizëm, nga komunizmi në fashizëm ; praktika të shumëllojshme që kërkojë të pajtojnë bile dhe të shartojnë fitimin e stërmadh dhe solidaritetin e gjerë, ekonominë e tregut ndërkombëtar dhe prodhimin artizanal lokal, shfrytëzimin masiv të krahut të punës dhe politikat e mbrojtjes sociale, konkurrencën e shfrenuar dhe proteksionizmin, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kozmopolitizmin ?
.
. Sidoqoftë, vota e Irlandezëve e ka vënë Evropën në një situatë të ndërlikuar lidhur me të ardhmen e saj dhe përpara një zgjedhjeje të vështirë : ose të detyrojë Irlandezët t’i rikthehen kutive të votimit dhe t’i thonë « po » Evropës ; ose Irlandezët duhet të largohen nga Bashkimi Evropian, në mos, të tërhiqen nga vendimarrja ; ose Evropa duhet të kënaqet me tekstet egzistuese, pra pa tekste sintetike; ose së fundi ajo duhet të ndërmarrë një aventurë të re të natyrës kushtetuese, me gjithë rreziqet si ato të vjetrat. Sejcila nga këto zgjidhje kërkon kohë dhe përpjekje ndërkohë që Evropa nuk di se si të administrojë këtë bashkëjetesë mes të 27.
. Le të presim dhe të shpresojmë në të tjera përpjekje – dhe në të tjera kriza !

* * *

.
. Jam i bindur se titulli « E mjera Evropë… » është një titull që i përshtatet të gjithë palëve, të interesuara dhe spektatore. Kështu, eurofilët mund të thonë me dëshpërim : « E mjera Evropë që e zuri belaja nga disa Irlandezë të pisët », eurofobët shprehen me ironi dhe ligësi : « E mjera Evropë që u ngatërrua me këmbët e veta » dhe së fundi spektatorët shqiptarë mund të shfynë « « E mjera Evropë… dhe të mjerët ne që shpresojmë në të. Ne të na rrojë sa malet Amerika, se vetëm ajo mund të na nxjerrë në dritë ».


Metafizikë krijimi.

Qershor 11, 2008


.

. Shopenhauer – “Njeriu është një kafshë metafizike“.

.
.

. Një tullë në çaçkë të kokës ! Një e tillë ndjesi m’u krijua kur një miku im më hodhi, ashtu si nëpër të, pyetjen, në pamje të parë të pafajshme : Ç’ka po t’vyen blogi ?
.
. Pas gjithë atyre gysmanetësh pa gjumë, pas gjithë atyre orësh të vjedhura nga të tjera ditë dhe netë, pas gjithë atyre përpjekjesh për të shkruar diçka që ja vlente barra – dhe pas atyre zhgënjimeve të vërteta apo të sajuara, pasi më dukej se askush nuk interesohej për shkrimet – doli më në fund njëri që me siguri s’kish marrë mundimin të lexonte qoftë edhe një fjalë nga ato që kisha shkruar, për të më bërë këtë pyetje asgjësuese. Bile dyshoj fort në se gjatë jetës së tij, ai ka lexuar qoftë edhe një faqe nga fillimi në fund. Duke dashur të fshij përshtypjen e keqe, mendova me ligësi se kontaktet e tij me fjalën e shkruar ishin këputur që nga dita kur letra higjenike zëvendësoi ato copat e gazetave ZP, të prera me aq kujdes, në një format dore…
.
. Megjithatë, edhe kjo imagjinatë s’më dha asnjë kënaqësi, pasi e pata të vështirë t’i ktheja një përgjigje bindëse. A mund t’i thuhej atij njerimiku se unë shkruaja për kënaqësinë që jep të shkruarit ? për drithërimën që provokon gjetja e një fraze të qëlluar ? për përleshjen me vetvehten ndërkohë që përzgjedh fjalën që përshtatet mes dhjetra sinonimesh apo të tjera të përafërta ? për lezetin që ndjen duke pirë cigaren e fundit të natës, ndërkohë që çon ndër mend me sytë gjysëm të mbyllur fundin aq të gjetur të shkrimit të sapobotuar ?
. Thjesht për të qetësuar vetvehten mendova se mendimi që fshihej pas kësaj pyetje ishte : a fiton ndonjë pare që po shkruan për këtë blog ? Zaten, ç’motiv tjetër – veç përfitimit – mund t’a shtynte për të më bërë këtë pyetje ? A nuk ishte ai që sikundër dhe plot të tjerë, pyetjes sime të atëhershme : a dëshiron të bëhesh antar i Shoqatës së shqiptarëve në Tuluzë ? i ish përgjigjur me kundërpyetjen : a fitojmë ndonjë gjë po të bëhemi antarë ?
.
. Disa ditë më vonë, nuk ishte një tullë por e tërë shtëpia që më ra përsipër. Kësaj rradhe, ishte ime shoqe, që në një moment rrëmbimi më qëlloi me një pyetje vrastare : Ç’po na lipset ky blog ?
. Ja pra, pavarësisht horizonteve të kithta intelektuale, pavarësisht raporteve radikalisht të kundërta me shkrimin, pavarësisht implikimeve personale të pakrahasueshme ndaj fatkeqit autor, dy persona të ndryshëm vinin pikpyetje të barazvlershme mbi të njejtin subjekt – natyrisht me ngjyrat vetiake dialektale. Por ajo çka më tërhoqi vëmendjen në sfondin e invariancës së shprehjes ishte loja e përemrave : vetor-dhanori njëjës i mikut ty, të = t’, i cili sipas gjasave vinte në pah (mos)vlerën në pare të përpjekjes intelektuale, dhe vetor-dhanori shumës i gruas ne, na që pa dyshim, theksonte shpërdorimin e vlerës kohë – të asaj kohës të paçmuar që duhej t’i destinohej familjes.
.
. Mes idealistit ëndërrimtar që s’kish kapur kuptimin e thellë të adekuacionit kohë = pare dhe egoistit horizontngushtë që neglizhonte qëniet më të shtrenjta, zgjedhja nuk ishte aspak e lumtur.
.
. * * *
.
.
. Krejtësisht i paaftë për të zgjidhur dilemën vetiake, u mundova të vetëngushëllohem nëpërmjet një procesi fort të goditur : përpjestimit të masës së « fajësisë » me numrin e « fajtorëve ». Pra, nëpërmjet mendimit se të gjithë ata që marrin guximin dhe shkruajnë – duke qenë njëkohësisht etër dhe me një familje mbi shpatulla – gjenden në të njejtën situatë. Për më tepër, bëhet fjalë për miliona individë që në këtë pikë, i ngjajnë njeri tjetrit. Mjafton t’i hedhësh një sy blogosferës.. A thua, egziston ai që ka mundur të gjejë « mesin e artë » midis investimit kohor dhe mungesës së interesit material ? Cila është ajo forcë që shtyn krijuesin anonim, për të këmbëngulur në përpjekjen e tij shprehëse, megjithëse është i bindur për mosinteresimin e plotë financiar ?
.
. Një nga shpjegimet e rralla të këtij fenomeni thuaj të pakuptueshëm është ai i dhënë kohët e fundit nga Fatos Kongoli, i cili të shkruarit e konsideron « fenomen metafizik » dhe ata që shkruajnë i kqyr si « të prekur nga virusi ». Edhe në se të shkruarit mos qoftë krejtësisht metafizik, më duhet të pranoj përmasën e tij ezoterike, egzistencën e frymës së mistershme që thyen barrierën thuaj të pakapërcyeshme të mbajtjes së penës në dorë dhe të të shkruarit të rreshtit të parë mbi letër, këmbënguljen kryeneçe për të sublimuar ndjenjën në frazë…

.
. Në të vërtetë, epiteti « metafizik » i përshtatet jo aq të shkruarit vetë se sa atij që shkruan : një gjallesë absurde dhe pakuptimtë për shumicën e vdekatarëve, pasi karakterizohet nga vetia e të menduarit dhe thuaj gjithmonë jashtë realitetit fizik dhe racional. Si mund të jetë ndryshe kur bota përqark është e prirur të kuptojë dhe të tolerojë më kollaj varfërinë e mendjes se sa pasurinë e shprehjes, shpërdorimin e pasurisë se sa mungesën e interesit për të. Pa folur më tej për të tjera principe fort të larta të natyrës shoqërore, ato në emër të të cilave, në vitin 1964 në Leningradin e tij të lindjes, një farë Josip Brodski – shkrimtar thuaj anonim në vendin e vet, u gjykua si « parazit social » dhe u internua në ato kampet e famshme të edukimit nëpërmjet punës sociale. Vetëm pas një « stazhi » të tillë kuptimplotë – dhe tashmë larg një mjedisi të tillë – ai mundi të gjente qetësinë e mendimit dhe të krijimit, si edhe kurorëzimin suprem me Nobelin e letërsisë në vitin 1987.
. Edhe pse shembulli i mësipërm nuk mund të shërbejë si alibi, të paktën ai mund të përdoret si argument. Bile edhe si nxitje, pasi ai ngroh bindjen se që të gjithë shkrimtarët – nga më i madhi Nobel deri tek më i zakonshmi fletënxirës – dikur kanë dalë nga ai mjedisi i krijuesve anonimë të nëpërkëmbur dhe të përbuzur, të atyre metafizikëve të fjalës dhe të mendimit që luhaten mes harresës dhe lavdisë, të atyre anti-alkimistëve që s’kanë mundur kurrë të shëndrojnë kohën në flori..
.
. Përsa i përket « prekjes nga virusi », jam i bindur se ajo s’është gjë tjetër veçse një figurë retorike, një eufemizëm, forca bindëse e të cilës mbetet sekret i shkrimtarëve të vërtetë – pikërisht i atyre që zotërojnë vetinë e shëndrrimit të « mikrobit » në para. Kam frikë se në rastin e zakonshëm, patologjia çfaqet në forma të tjera, më pak të frikshme por sidoqoftë, preokupuese : një farë krisjeje ose çarjeje në kontinuumin hapësirë-kohë, në errësirën çlodhëse të të cilës shkojnë dhe struken mendimet, nga ku buron imagjinata ; një dyzim i qenies, një pjesë e të cilës mundohet të qëndrojë në prani të të tjerëve – ajo që provokon ato buzëqeshjet pa lidhje dhe që kthen përgjigje disi të vonuara atyre që rrinë pranë, dhe pjesa tjetër – ëndërruese, fluturuese që ndërkohë, gjendet me qindra kilometra-vite larg. Troç, një farë idiotie e herahershme, një lloj hutimi i fajshëm dhe i pazëshëm që shkruhet në fytyrë dhe ndjell shpirtmadhësinë e turmës dhe bezdinë e të afërmve. A mund t’i kërkohet një të përhumburi të tillë që ngatërron shkëlqimin e yjeve me atë të arit, të vrapojë me ritmin e çmendur të njerëzve normalë, të zotërojë mekanizmin e stërhollë të harxhimit të kohës nëpër supermarkete ?
.
. * * *
.
.
. Ç’duhet të bëjë ai që ëndërron të jetë filozof ose artist i penës apo i furçës, apo ai tjetri, talenti i të cilit pret stinën e pjekjes, sikundër qershia në degë ? Në mos qoftë i martuar, duhet t’i ikë dashurisë që ndjell drejt vatrës familjare, Në të kundërt, duhet të planifikojë ndarjen. Në se i besojmë filozofit Gilles Deleuze (lexo : Zhilë Dëlëzë) – ai vetë i martuar – beqarnia është një « prodhues intensiteti » ndërkohë që mbetet një « nxitës i skicofrenisë ». Por, në fund të fundit, a nuk është më mirë të prodhosh intensitet dhe me atë rast, disa grimca arti sublim, gjithë duke rrezikuar skizofreninë vetiake se sa të prodhosh asgjë – dhe të ndash skizofreninë kolektive ? Duke mos patur një qendër të tillë rëndese apo komplekse zotëruese (grua, fëmijë, shtëpi, trashëgimi…), pra duke u çliruar nga një institucion i tillë ndërmjetës dhe vështirësisht i administrueshëm si familja, artisti ynë mund të përballë shoqërinë, botën mbarë – për të mos thënë Historinë. Kur nuk ka asgjë familjare për të mbrojtur, krijuesi ynë individual mund të matet me vetë Krijuesin universal.
.
. Jam i sigurt se, shumica e atyre që lexojnë këto rradhë në mos buzëqeshin, të paktën picërrojnë sytë : të shesësh familjen për një pjatë thjerza ? të braktisësh vezën e përditshme për imazhin e pulës së artë ? Fundja, asgjë nuk na pengon të imagjinojmë, të fatazmojmë vetminë që, me që ra fjala, përbën edhe gurin e themelit të filozofisë judeo-kristiane. Strategjia e Kishës dhe betimi i priftit ! Për të qënë inteligjent, duhet të përballësh vetvehten, për të qënë i përkushtuar duhet të jesh i vetëm. Veçse kur reflekton qoftë edhe vetëm, reflekton për të tjerët. Pasi, edhe sikur të vetëquhesh Zot dhe të jesh i aftë të krijosh ex nihilo, ky krijim rezikon tredhjen në se nuk nënështrohet vështrimit të të tjerëve. Me fjalë të tjera, në mos në zemër diku gjetkë, duhet të ndjesh dashuri – për të vërtetën, të provokosh ndjellje – për të bukurën, të ndash emocionet – për vetë veprën. Përfundimisht, i vetëm por për të tjerët – dhe përpara se qarku të mbyllet për t’u shëndrruar në djallëzor, në spirale pa fund – po ngutem të shtoj, me të tjerët.
.
. * * *
.
.
. Vetëm, i çartur dhe i përçartur, për të tjerët dhe me të tjerët. Një qënie e tillë psikosociale, megjithëse brehet nga dyshimet, digjet nga dëshira për t’u kuptuar dhe për t’u shprehur. Sidoqoftë, një lutje fort profane, të cilën vetëm Zoti i teknologjisë mundi t’a përmbushë duke ju hapur portën e vogël virtuale të Internetit, ndërkohë që ai tjetri i njerëzimit ju kish mbyllur portën e madhe, reale dhe të lavdishme të shtypshkronjës. Në këtë mënyrë, krijuesi anonim mund të jashtëqendërzohet, të shpresojë dhe hera herës të lumturohet nga kontakti me një publik po aq anonim sa ai vetë. Mjaftoi një fjalë magjike – blog – për të shembur hegjemoninë e botuesve, diktaturën e redaktorëve, dhunën e kritikëve dhe për të hapur erën e demokracisë pjesëmarrëse të individit të paemër, pseudonimist. Liria virtuale dhe interaktive e bazuar mbi filozofinë e ndarjes së mendimit dhe të opinionit në blogosferë i përgjigjet ëndrrës më të vjetër të Ikarit mendimtar : arratisja nga burgu i të përditshmes, braktisja e rutinës vetëvrasëse dhe budallallepsëse, largimi nga tufa.
.
. Metafizika e krijimit që piqet me metafizikën e lirisë. Liri metafizike.


Pekin – Tiranë 66’- 68’ : revolta kondër Zotërve.

Qershor 8, 2008
. Pas atyre viteve 1961 – 1964, « vitet më të tmerrshme pas atyre të luftës » – sipas shprehjes së vetë Enver Hoxhës, ekonomia shqiptare njohu një stabilitet relativ. Sigurisht, udhëheqësit e vendi ishin të siguruar për mbështetjen ekonomike dhe financiare kineze, por megjithatë, fjala ishte gjithmonë për ndihma. Përpjekja kryesore mbetej të bëhej në vend, duke siguruar një mobilizim total të të gjitha burimeve materiale dhe njerëzore të vendit.
. Në këtë pikë, bilanci i rezultateve ishte jo gjithmonë i kënaqshëm : gjatë këtyre njëzet vjetëve, një energji e konsiderueshme ishte harxhuar për të siguruar mbijetesën e rregjimit – nëpërmjet sorollatjeve të natyrës ideologjike – si edhe për të riparuar pasojat e natyrës politike, ndërkohë që situata ekonomike dhe shoqërore e vendit mbetej gjithmonë problematike. Tablloja kombëtare tregonte kontraste të thella mes sektorëve ekonomikë apo mes qytetit dhe fshatit, një shkëputje ende të dukshme mes Veriut dhe Jugut, diferenca mjaft të theksuara mes punës fizike dhe intelektuale dhe së fundi, distanca të pakapërxyeshme mes dogmës komuniste që ushqente pararojën dhe frymës shpirtërore tradicionale që gjallëronte një popull të tërë. Në kërkim të një ekuilibri të ri, PPSH duhet të rimerrte në dorë situatën dhe të kryente një ringadhënjim të vendit, për të mos thënë një « ripushtim » të tij.
.
. Të mos harrojmë se bëhej fjalë për një detyrë, asnjëherë të kryer që nga koha e ardhjes në pushtet dhe gjithmonë të shtyrë për më tutje, në pritje të kohëve më të mira. Duke i bërë besim instiktit të tij, Hoxha mendoi t’a fillonte së pari këtë luftë në elementin që njihte më mirë : brenda partisë dhe aparateve të saj.
.
. Shtrirja e paanë e botës komuniste dhe variacioni i pafund i problematikave të saj, ka përbërë gjithmonë një minierë informacioni dhe metodash për çdo udhëheqës të mirë, detyra kryesore e të cilit qëndronte në adoptimin e duhur dhe të zgjuar të formulave, duke i kthyer në të përdorshme sipas situatës konkrete që paraqitej. Duke qenë një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve në Kinën popullore, udhëheqësi shqiptar me siguri që kish vënë re se Timonieri i Madh e kishte vijëzuar tashmë rrugën që çonte drejt të ardhmes, ndërkohë që predikonte se « ..Shoqëria socialiste shtrihet një një periudhë historike mjaft të gjatë, gjatë të cilës vazhdojnë të egzistojnë klasat, kontradiktat mes klasave si edhe lufta e klasave, në të njëjtën kohë që egziston edhe lufta mes rrugës socialiste dhe asaj kapitaliste, apo edhe rreziku i një restaurimi të kapitalizmit… ». Kështu që, mjafton të bëheshin planet e kantjerit të ri, të përcaktoheshin objektivat dhe të vendosej kryqi mbi shenjën që duhej goditur; gjithçka tjetër mbetej në funksion të shkallës së angazhimit si edhe të peshës së influencës së tij mbi njerëzit.
.
. Në 4 mars 1966, dy muaj përpara se dazibao e parë të çfaqej mbi muret e universitetit të Pekinit, Enver Hoxha botoi në faqet e gazetës së partisë « Zëri i Popullit » një letër të hapur, drejtuar të gjithë komunistëve dhe popullit, e cila u vu në origjinë të asaj lëvizjeje të gjerë të epokës të quajtur revolucioni ideologjik. Reforma e propozuar shënjonte të gjitha institucionet : ushtrinë, strukturat e Shtetit dhe të partisë dhe së fundi, ekonominë. Me një frymëzim populist dhe egalitar, ajo mundohej të bënte edhe më të frytshëm kontrollin e drejtpërdrejtë të Partisë mbi institucionet.

.
. E para që u vu në shënjestër ishte ushtria popullore të cilës ju desh të braktiste të gjitha gradat dhe dallimet ushtarake, të çlirohej nga uniformat me lajle dhe me lule apo nga mbetjet e tjera të periudhës sovjetike. Oficerat, këta « bij të popullit » tashmë duhej të jetonin në mes të trupës dhe të ndanin me ushtarët kushtet e vëshira të jetesës, nën vështrimin vigjilent të komisarit politik që bëhej kështu pjesë pandarë e çdo njësije ushtarake. Shumë shpejt, vala goditëse u përhap nëpër dikasteret dhe organet administrative. Duke luftuar mentalitetin « e jakave të bardha dhe të duarve të pastra », autoritetet partijake vendosën një nivelim të rrogave për kuadrot e larta dhe i detyruan këta të fundit të dilnin nga zyrat për të marrë pjesë aktive në ndërtimin e socializmit, me qëllim që të njihnin më mirë përpjekjet dhe shqetësimet e masave. Një sistem i tërë qarkullimi u imagjinua dhe u vu në jetë : të gjithë ata që kishin mbushur një numur të caktuar vitesh në gjirin e administratës qëndrore duhej tashmë të shkonin dhe të drejtonin në vend sektorët prodhues. Më tej, nën emrin e një rifreskimi moral dhe fizik, ata duhej të kryenin një periudhë të përvitshme pune fizike në uzinat dhe fushat bujqësore. Struktura administrative u shkund dhe u lehtësua, duke provokuar shkrirjen ose shpërndarjen e ministrive, siç ishte rasti i asaj të Drejtësisë.
.
. Gradualisht, lëvizja u çvendos drejt sektorit më jetësor të ekonomisë shqiptare, bujqësisë, e cila u nxit me këmbëngulje drejt kolektivizimit të zonave veriore dhe malore të vendit. Reforma preku njëkohësisht edhe sistemin arsimor, qoftë duke rishikuar fund e krye programet dhe tekstet mësimore, qoftë duke fshirë referencat ende të dukshme ndaj mikut të madh të djeshëm – Bashkimin Sovjetik. Në kalim, ajo fshiu mjediset disidente të kulturës dhe të artit. Të gjitha këto ndërhyrje në fushat e kulturës dhe të arsimit i shërbenin ruajtjes dhe mbrojtjes së shoqërisë nga « influencat e huaja » et forconin izolimin e Shqipërisë në lidhje me pjesën tjetër të Evropës.
.
. Në nëntor të vitit 1966, PPSH thirri Kongresin e saj të Vtë që zyrtarizoi dhe i dha zemër revolucionit ideologik, duke angazhuar kështu vendin në një rrugë të re. Partia Komuniste kineze (PKK), e zhytur në vorbullën e revolucionit të saj kulturor, dërgoi një përfaqësues të nivelit të lartë, Kan Shenin. Mes të tjerash, përgjegjësi i sektorit të marrëdhënieve ndërkombëtare të PKK, vuri në dijeni Enver Hoxhën lidhur me zhvillimet e fundit të Revolucionit të Madh Kulturor. Ky fakt, në dukje i parëndësishëm, mund të kalojë për një detaj thjesht historik, po qe se harrojmë që njëkohësisht Kan Sheni ishte patroni i plotfuqishëm i Shërbimeve Sekrete kineze, i të tmerrshmes Tevu (1).
. Jo vetëm në këtë kohë por edhe deri në ditët e sotme, pak shqiptarë e dinin që ky njeri – artizani i prishjes mes kinezëve dhe sovjetikëve dhe mik i shtrenjtë i Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos i epokës të Bukureshtit dhe të Moskës – kish dërguar ndërkohë në Shqipëri emisarin e tij Xie Fu Xhi, për të ndërlidhur aktivitetin e Tevu-së së tij me atë të Sigurimit, organin gjysëm – polici politike, gjysëm – shërbim sekret të Kadri Hazbiut. Vite më vonë, në dhjetor të vitit 1975, me rastin e vdekjes së Kan Shenit, Enver Hoxha do të përshkruajë dhimbjen e tij të thellë në ditarin e tij politik përsa i përket kësaj humbjeje të madhe të « mikut të sinqertë të popullit dhe të partisë shqiptare » si edhe të « marksistit –leninistit të shquar » (2).
.
. Viti 1967 shënoi një etapë të re në radikalizimin e revolucionit ideologjik pasi, me iniciativën e gjimnazistëve të Durrësit, një stuhi e tërë antifetare filloi të frynte mbi vend. Duke u nisur nga një konstatim i natyrës historike – pluralizmi fetar si dhe mungesa e lidhjeve të forta mes fesë dhe kombit, të rinjtë kritikonin fetë e ndryshme që praktikoheshin në vend sikur ato ishin shkaku i dasive apo i ndarjeve mes shqiptarësh. Ata shkonin ndesh veçanërisht atij aspekti të errët apo « obskurantist » të fesë e cila, në mbështetje të traditave të prapambetura, gërryente fshatin shqiptar dhe veçanërisht zonën malore të Veriut. Në të vërtetë, rregjimi komunist e kish kqyrur fenë si një armik potencial, një kundër-pushtet paralel i cili asnjëherë nuk i kish rreshtur përpjekjet e tij për të ruajtur « pronën » e tij të shumëlakmuar, atë të jetës shpirtërore të njerëzve. Feja ndikonte psikologjinë kolektive, ndërfutej mes traditave dhe bënte një presion të madh në dobi të ruajtjes së strukturave patriarkale. E gjithë kjo, në mënyrë të natyrshme, i dilte ndesh asaj politike të mobilizimit pa rezerva të popullit, të asaj bindjeje të plotë që ai duhej të tregonte dhe pjesëmarrjes së tij në planet e partisë për shëndrrimin e vendit, pasi sektorë të tërë të shoqërisë shqiptare mbeteshin të ngujuar dhe jashtë ndikimit të partisë. Sipas opinionit të udhëheqjes së partisë, kish ardhur koha që ky « opium i popullit » të çrrënjosej, me qëllim që t’i jepej fund asaj rënieje vlerash që konstatohej në gjirin e shoqërisë.
.
. Lëvizja antifetare e nisur nga të rinjtë kaloi shpejt nga faza e saj e parë e fletë rrufeve, të ngjitura mbi muret e shkollave, në fazën e manifestimeve publike nëpër rrugët e vendit dhe të pushtimit të objekteve të kultit. Megjithë protestat i izoluara që vinin nga mjedise të ndryshme, bile edhe nga vetë rradhët e komunistëve, pothuaj të gjitha xhamitë, kishat, manastiret apo edhe institucione të tjera fetare të vendit u zbrazën nga objektet që ato mbanin, që në shumicën e rasteve kishin vlera të mëdha artistik, historike apo thjesht sentimentale, dhe u shkatëruan apo u degraduan. Në disa raste të rralla, duke i shpëtuar turrit shkatërrues të njerëzve, vendet e kultit u shëndrruan në depo, në kinema apo salla sporti. Kështu përfunduan një numur i madh monumentesh të kulturës bizantine të shekujve XItë dhe XIItë apo edhe objekte të tjera të kulturës myslimane, pa llogaritur ato të periudhës së vonët romake. Gjatë gjithë vitit 1967, brigadat antiklerikale të të rinjve gjimnazisë apo studentë të flakët përshkuan mbarë vendin, duke denoncuar të këqiat e fesë dhe duke ju bërë thirrje njerëzve që të hiqnin dorë nga bindjet e tyre fetare stërgjyshore.
. Më në fund rregjimi doli nga prapaskena : gjatë një ndërhyrjeje publike, në 6 shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha justifikoi, mori në mbrojtje pozitën e të rinjve dhe i përgëzoi për iniciativën e tyre. Në vazhdim, qeveria botoi një dekret të posaçëm i cili shfuqizonte kartën e mëparshme që rregullonte mbarëvajtjen e bashkësive fetare të vendit. Kjo ishte njëkohësisht edhe pika kulmore e kësaj fushate që u udhëhoq në mënyrë shumë të vrullshme gjithandej në vend, dhe përbënte edhe bazën kryesore të pohimit të mëpastajmë që Shqipëria ishte bërë vendi i parë dhe vetëm ateist në botë.
.
. Pasi u shtyp në këtë mënyrë feja, aksioni revolucionar u çvendos në fushën shoqërore, duke prekur në mënyrë të veçantë familjen. Struktura tradicionale e shoqërisë së dikurshme shqiptare, e qendërzuar mbi familjen patriarkale dhe e udhëhequr nga një varg kodesh morale apo shoqërore si puna e Kanunit, ishte prekur ndërkohë nga shëndrrimet e reja që kishin ndodhur pas lufte si për shembull, kolektivizimi i bujqësisë, industrializimi i vendit, shtegëtimi i popullatës fshatare drejt zonave urbane apo qyteteve të reja dhe së fundi, nga shtypja e fesë. Kjo strukturë patriarkale kish marrë goditje të rënda nga ana e rregjimit që nga momenti i parë i marrjes së pushtetit ; këtij të fundit nuk i ishte dridhur dora aspak për t’a shpronësuar ose për të asgjësuar fizikisht kastën e bajraktarëve apo të kryetarëve të fisit. Tashmë, aspekti më i prapambetur i marrëdhënieve shoqërore shprehej nëpërmjet gjendjes së gruas shqiptare. Në mënyrë tradicionale, ajo barte peshën e riprodhimit dhe rritjes së fëmijëve, të kryerjes së punëve shtëpijake në gjirin e familjes dhe për më tepër, ajo kryente edhe punët më të rëndomta dhe më të rënda në fushë, pa llogaritur faktin që ajo kish mbetur pothuaj analfabete. Gjendja e grave ishte edhe më e vajtueshme pasi, sipas zakonit, pjesa më e madhe e fejesave ishin organizuar nga familja, pa marrë aspak parasysh mendimin apo dëshirën e të interesuarës dhe ç’është më e keqja, kur kjo e fundit ishte ende në moshë të mitur, për të mos thënë në djepe. Kështu, martesat shërbenin më tepër si një mjet lidhjeje mes familjeve apo edhe për të nderuar premtime të vjetra, ndërkohë qä ato ishin të shoqëruara me ngarkesa tepër të rënda financiare.
.
. Gjatë fazës së fundit të revolucionit kulturor dhe ideologjik, PPSH i nxiti gratë dhe vajzat që të mos e linin fatin e tyre në duart e të tjerëve por t’a administronin vetë. Partia kërkoi njëkohësisht që ato të luanin një rol aktiv në gjirin e shoqërisë, duke u orientuar më shumë drejt prodhimit, dhe të kërkonin të drejtat e tyre me të njejtën forcë sikundër edhe burrat. Aq më tepër që këto të drejta të barabarta ishin të shkrojtura në ligj. PPSH ju kushtoi grave një Plenum të posaçëm, në qershor të vitit 1967. Ato u ftuan të ngriheshin kundër zakoneve të prapambetura, të prishnin fejesat e tyre të lidhura që në fëmijëri dhe të mos pranonin më martesat e detyruara nga kreu i familjes. Këtej e tutje, ju takonte atyre dhe askujt tjetër që të vendoste për fatin e tyre, pasi ato ishin qytetare me të drejta të plota. Thirrja mobilizoi një pjesë të konsiderueshme të popullatës femërore të vendit dhe shkaktoi reaksionin e natyrshëm të mjediseve konservatore. Përballë një gjendjeje të tillë, Enver Hoxha u ngrit publikisht dhe mbajti një pozitë të prerë, duke kërcënuar se do t’i « priste dorën » dhe do të « hidhte në zjarr » cilindo që do të guxonte të prekte « ligjin e shenjtë të Partisë në mbrojtje të të drejtave të grave dhe të vajzave ».
.
. Revolucioni ideologjik morri një vrull të ri me rastin e fjalimit të Enver Hoxhës « Mbi revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës », të mbajtur në 7 mars të vitit 1968. Idetë qëndrore të këtij fjalimi programatik qëndërzoheshin në prioritetin absolut të edukimit ideologjik të bazuar mbi marksizëm – leninizmin, i cili duhej të adoptohej sa më parë nga shkolla si një lëndë e detyrueshme, sikundër edhe në lidhjet tepër të ngushta që duhej të krijoheshin mes mësimit; punës prodhuese dhe stërvitjes ushtarake – trekëndëshi revolucionar i famshëm i Hoxhës.
.
. * * *
.
.
. Meqënëse propozohet nga vetë epoka në të cilën ai ka ndodhur, bëhet i nevojshëm për të mos thënë i domosdoshëm një kërkim i raporteve apo i lidhjeve mes kësaj lëvizjeje ideologjike – kulturore si edhe Revolucionit të Madh Kulturor Proletar kinez : të dy vendet janë aleatë dhe partnere, të dy shtabet komuniste mbajnë lidhje të ngushta të natyrës ideologjike dhe së fundi, kronologjikisht ngjarjet pothuaj mbivendosen. Megjithatë, përtej disa paraleleve që mund të bëhen përsa ju përket aktorëve që marrin pjesë në këto ngjarje apo edhe disa inciativave të ngjashme që prekën ushtarakët, shumë pak elementë të tjerë mund të sillen në dobi të vendosjes të një analogjie të thellë. Përsa i përket njëkohshmërisë së ngjarjeve, e përmendur aq shpesh për të nënvizuar nënshtrimin pothuaj të verbër të nxënësit kundrejt Mjeshtrit të Madh apo më mirë të themi mungesën e imagjinatës të Hoxhës, mjafton të ndiqet dinamika që mbetet e veçantë për sejcilin vend ose të analizohen objektivat që sejcili kërkonte të arrinte për të kuptuar menjëherë se sa të pakujdesshme për të mos thënë të përcipta janë këto mendime të shprehura dhe sa e pabazë mbetet kjo hipotezë. Në shumicën e rasteve, gjatë pohimeve të kësaj natyre urrejtja ndaj Hoxhës dhe veprës së tij është krejt e pamjaftueshme për të maskuar injorancën e plotë të autorëve jo vetëm ndaj ngjarjeve të Revolucionit të Madh Kulturor Proletar aq të largët por sidomos ndaj motiveve dhe burimeve të atij Revolucioni Ideologjik e Kulturor, në rrjedhën e të cilit ata kanë jetuar.
.
. Motivet e brendshme të udhëheqësit shqiptar i binden logjikës së tij marksiste apo leniniste e cila është e njejta me atë që frymëzon Maon ; ky i fundit, nëpërmjet aksioneve të tij s’bën gjë tjetër veç ngroh apo ushqen veprën e Hoxhës dhe sipas rastit, i ofron njëhohësisht endhe ndihmën materiale apo financiare aq të nevojshme.
.
. Pasi pësoi një gjysëm-dështim të iniciativës së tij, të quajtur « kërcimi i madh përpara » – të ndërmarrë në vitin 1956 dhe që synonte të vendoste pavarësinë e tij ekonomike dhe teknologjike, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, Mao lëshoi një kryqëzatë të re kundër « katër të vjetrave » – ideologji e vjetër, kulturë e vjetër, zakonet e vjetra edhe veshjet e vjetra. Ishte një mënyrë e tij origjinale për t’u ndarë përfundimisht me gjithçka që kujtonte rendin e vjetër në Kinë. Me fjalë të tjera, duke i ndenjur besnik vizionit të tij marksist dhe si dialektik i përsosur që ishte, Mao donte të rreshtonte në të njejtin plan « superstrukturën sociale me infrestrukturën ekonomike socialiste » (3). Gjatë kësaj sprove të re force, ai pati rastin që të vrojtonte dhe të kuptonte që idetë e veta ideologjike binin ndesh jo vetëm me zakonet stërgjyshore por njëkohësisht edhe me praktikat e përditshme të një burokracie të panumurt dhe ç’ishte më e keqja, edhe me një pjesë të shokëve të tij të idealit që ndërkohë ishin kthyer në adeptë të një farë « rruge kapitaliste të zhvillimit ». Në këtë mënyrë, përpara tij fillon dhe merr formë një komplot i tërë : konfucianistë, intelektualë borgjezë, burokratë deri edhe komunistë të pabesë, pra gjithë pushtetet e vjetra si edhe fraksionet e reja deviacioniste kishin paktizuar së bashku me qëllim që të nxirrnin revolucionin nga shinat, që të sabotonin ndërtimin e socializmit. Vetëm një mobilizim i përgjithshëm i masave, vetëm nje lëvizje e gjerë revolucionare radikale mund të ndalonte këtë sulm të forcave reaksionare, mund të pastronte rrugën që çonte drejt suksesit, t’i jepte hov të ri reformave të thella të domosdoshme për transformimin e shoqërisë.
.
. Përtej asaj tronditjeje të thellë, përjetësisht të gëdhendur në memorjen popullore nga detashmentet e « gardistëve të kuq » që merrnin me sulm uzinat dhe universitetet, diçka më tej edhe se portretet ikonografike të Maos me atë uniformën e tij ushtarake që përshëndeste turmat duke tundur librin e kuq të citateve të tij nga ballkoni i sheshit Tjenanmen, bile dhe më tutje se ajo dhunë kolektive që shkaktoi me qindra mijra viktima, Revolucioni i Madh Kulturor Proletar kinez ishte njëkohësisht një gjest i menduar mirë – një aksion antiburokratik – dhe një anarshi gjigande popullore – një pastrim kolosal (4). Në mes të kaosit, Mao paraqitet si udhëzuesi, si frymëzuesi dhe së fundi, si arbitër. Ai çliroi këtë « lëvizje të madhe demokratike » të të rinjve për të kritikuar revizionizmin, vizatoi me dorën e vet ideogramin e famshëm « të bombardojmë shtabet », më tej ai i bëri thirrje ushtrisë së Lin Biaos për të qetësuar shpirtrat e trazuar dhe për të përmbajtur dallgën shkatërruese që kish dalë jashtë çdo kontrolli.
.
. Disa mijra kilometra më tutje, revolucioni ideologjik që zjeu në Shqipëri gjatë viteve 1966 – 1968 përfaqëson një lëvizje të gjerë dhe të koordinuar mirë, të ngjizur dhe të pilotuar nga PPSH, me objektiva të qarta të natyrës politike, ideologjike dhe kulturore. Gjatë fazës së saj të parë, kjo lëvizje u zhvillua brenda përbrenda aparateve shtetërore dhe vendosi kontrollin e plotë të Partisë në fusha të ndryshme siç ishte rasti i ushtrisë, i administratës qendrore apo edhe i kulturës, deri në atë kohë të zotëruara nga grupe profesionistësh pak të politizuar. Qëllimi i tij është shumë i qartë : të krijohej një lloj i ri kuadri drejtues, i orientuar drejt problemeve bashkëkohore, i cili duhej të bashkonte në vetvehte veti të larta profesionale, një militantizëm të spikatur dhe një nivel të lartë ideologjik – me fjalë të tjera, një ushtar i aftë dhe i bindur i Partisë, me aftësi të një oficeri të karierës. Në asnjë moment, Enver Hoxha nuk ju drejtua masave popullore për të kërkuar ndihmën e tyre ose për të vënë në jetë konceptet e tij të reja ; aq më pak, ai pati nevojë për masat për të rivendosur rendin brenda partisë së tij, siç veproi Mao për të eliminuar fraksionet rivale.
.
. Nga ana tjetër, Hoxha ju drejtua drejtpërdrejt të rinjve dhe grave të vendit me rastin e fazës së fundit që u zhvillua brenda shoqërisë shqiptare. Këto dy kategori sociale që përfaqsonin dhe përfaqësojnë më shumë se tre të katërtat e gjithë shoqërisë, tradicionalisht të harruara ose të lëna pas dore nga pushtetet e mëparshme, u vunë nën dritën e prozhektorëve dhe u ftuan të dalin në rrugë, ndërkohë që partia, e mbështetur nga levat e saj të organizatave të masave si edhe të aparatit shtypës – bënte çmos që t’i çlironte nga zgjedha e traditës. Ky revolucion i habitshëm zakonesh nuk ka asgjë të vetvetishëm apo anarqik ; ai karakterizohet nga një suazim i vazhdueshëm dhe një kontroll i rreptë të lëvizjes popullore që pothuaj asnjë herë nuk doli nga shinat – përveç rasteve kur vetë partia e dëshiroi dhe e nxiti një gjë të tillë.
.
. Revolucioni i Madh Kulturor Proletar kinez sikundër edhe sivëllai i tij i vogël shqiptar ndodhën brenda një konteksti tepër të veçantë të viteve gjashtëdhjetë. Thellësisht e ndikuar nga shkatërimi i sistemit kolonial dhe nga lindja e lëvizjeve revolucionare apo çlirimtare në vendet e « botës së tretë », nga thyerja e prodhuar brenda botës komuniste si edhe nga çfaqja e tendencave të reja kundërshtuese, kjo epokë prodhoi dhe i dha jetë një seri ngjarjesh sa të ndryshme po aq edhe të rëndësishme për kohën e mëpastajme : revolucionin à la Guevara apo Pranverën e Pragës, fenomenin palestinez apo edhe Majin e vitit 1968 në Francë.
.
. _____________________________________________
.
.
. (1) FALIGOT Roger, KAUFFER Rémi – Kang Sheng et les services secrets chinois. Robert Laffont, Paris, 1987.
.
. (2) Duke heshtur mbi « cilësitë » e Kan Shenit si antititst dhe antikroshovian i dorës së parë, si babai i padiskutueshëm i shërbimeve sekrete kineze ose edhe mbi « kontributin » e tij në zhdukjen e miliona njerëve, Hoxha tregohet tepër kritik ndaj Maos dhe Çu Enlait. Shënimeve personale të Hoxhës, të mbajtura gjatë vitit 1976, me rastin e vdekjes të Mao Ce Dunit, dhe më tej të Çu Enlait, nuk ju mungojnë as vërejtjet therëse as edhe dyshimet lidhur me vlerat e tyre të vërteta apo edhe mbi kontributin e tyre lidhur me çështjen marksiste. Shih mbi këtë çështje : Enver HOXHA – Shënime mbi Kinën, Tiranë 1980.
.
. (3) Therese HOFFMAN – The Chinese Cultural Revolution : Autobiografical Accounts of a National Trauma, Dept. Of Sociology and Justice Studies, Sylvania OH. USA.
.
. (4) Jackie SHEEHAN – The Cultural Revolution in Chinese Politics – ICCS/IAPS Research Seminar, february 2002.


The « Postman » always rings twice.

Qershor 2, 2008
. Le të zhgënjehen amatorët e flaktë të filmave hollivudianë.
. Pasi në këtë shkrim nuk bëhet fjalë aspak për filmin e Tay Garnett-it të vitit 1946 me Lana Turner dhe John Garfield, i cili solli në ekran romanin eponim të James M. Cain. Nuk bëhet gjithashtu fjalë për remake-n e tij aq të sukseshëm të vitit 1981 të Bob Rafelson-it, me të paharruarit Jack Nicholson dhe Jessica Lange.
.

. Postuesit tanë të rradhës gjenden në redaksitë kulturore të gazetave të vendit, mes redaktorëve shterpë në ide vetiake që kthejnë së prapi gur e guriçkë të Cergës së Gjerë Botërore (cgjb – alias www), në kërkim të artikujve zbavitës për lexuesit e tyre të dashur. Duke gjykuar nga përmasat – dhe nga reaksionet e lexuesve, kjo maskaradë intelektuale që luhet në mjediset aq studiuese të gazetarisë lokale jep përshtypjen e një procesi krejt të zakonshëm – aq banal saqë thuaj nuk i bën më përshtypje askujt.
.
. * * *
.
. Të martën, në 27 maj, botova një shkrim në blogun tim (http://www.albanie-albanais.com/) me titullin « Letër e hapur plaçkitësve të « Shekullit ». Ndoshta me rrëmbim – por sigurisht i indinjuar – denoncoja kopjimin nga ana e një gazete të madhe të një përkthimi origjinal, botuar në një blog të vogël, të ndërhyrjes së shkrimtarit Fatos Kongoli me titull « Çarja gjeografike », të çfaqur në faqet elektronike të gazetës franceze « Le Monde ».
. Në të vërtetë dhe përtej problemit personal të « autorësisë », ajo çka më shqetësonte thellësisht ishte pikërisht procesi i « anonimatizimit » të krijimit, të praktikuar dhe të kultivuar nga mediat e mëdha, të cilat mjaftohen me dy germa-iniciale në fund të tre-katër rreshtave komentesh rrethanore, për të absorbuar dhe më tej, servirur si të vetën, një krijim të dikujt tjetër. Edhe më keq, shkrimi paraqitet nën një titull të ri – që shlyen edhe kontaktin e fundit me origjinalin…
.
. A duhet të egzistojë një praktikë e tillë? Sigurisht jo, dhe aq më pak e përdorur nga peshat e rënda të shtypit, si puna e « Shekullit ». Pasi së pari, ligji mbi të drejtën e autorit dhe mbi pronësinë intelektuale e dënon shprehimisht një praktikë të tillë, pasi deontologjia e profesionit aq të nderuar të gazetarit nuk përmban idenë e plagjiaturës – dhe aq më pak atë të kopjimit, pasi vetë zanati i redaktorit kulturor ndërtohet mbi krijimtarinë vetjake dhe kontributin personal, pasi së fundi edhe mjetet financiare në dispozicion të një gazete të tillë janë të pakrahasueshme me ato të fletushkave të tjera që mund të justifikohen pikërisht me mungesën e tyre.. Çka pengon një gazetë si ajo e mësipërmja të kontaktojë këtë farë autori dhe t’i propozojë botimin në faqet e saj të atij shkrimi? Çka e pengon këtë gazetë edhe duke neglizhuar kontaktin e drejpërdrejtë me autorin e largët, të botojë këtë farë shkrimi dhe të përmendë si « kalimthi » referencat e origjinës? Mister i vërtetë, që vetëm ata gazetarë mund t’a shpjegojnë. Bile ndoshta edhe vetë gazetarët nuk janë në gjendje t’a shpjegojnë dhe ftoj lexuesit të gjykojnë faktet :

.
. Përpara se të botoj atë shkrimin e zëmëruar, atë ja nisa Drejtorit të gazetës z. Thano, i cili m’u përgjigj thuaj menjëherë :
.
. « ..ne blogun tuaj lexova letren qe fliste mbi kopjimin e nje perkthimi ne faqet tona te kultures. Per shkak se ndodhem larg Tiranes per nje kohe relativisht te gjate, i shkeputur thuajse totalisht nga pergjegjesite redaksionale te postit, ju lutem te kontaktoni me kryeredaktorin xxxxxx dhe redaktoren e kultures yyyyyyyy lidhur me pretendimin tuaj. Une nderkohe po ua percjell nje info baze. Perzemersisht… »
.
. Edhe pa ditur përmbajtjen e asaj info-s bazë, mjafton fakti se Drejtori i gazetës sonë më përpara informohet nëpërmjet blogut në fjalë se sa nga mesazhet në kutinë e postës së tij private për të hipotekuar suksesin e ndërmarrjes. Me të vërtetë, disa orë më vonë, redaktorja e kulturës yyyyyyy më nis një mesazh, nëpërmjet të cilit ajo lan duart si Pons Pilati, pasi ajo shprehet :
.
. « .. Mora sot e-mailin tuaj dhe nepermjet tij indinjaten tuaj. Duke qene se nuk kam qene ne Shqiperi gjate kohes qe eshte botuar shkrimi ne fjale nga kolegia ime A. M., eshte kjo e fundit qe do t’ju jape nje pergjigje sqaruese qysh sonte. Ju shpreh keqardhjet e mia ne rast se vertet ju kemi demtuar ».
.
. Një minutë më vonë, është A.M. dora vetë që më shkruan tekstin e mëposhtëm :
.
. « .. Quhem A. M., jam gazetare kulture prej 5 vjetesh, vetem tek gazeta “Shekulli”. Ose nese preferoni me mire, jam “plaçkitesja” e perkthimit tuaj. Te them te verteten, nuk me ka ndodhur ndonjehere te ndodhem ne nje situate te tille, jo sepse hereve te tjera ia kam hedhur paq e askush nuk eshte ankuar, por sepse asnjehere nuk me eshte dashur te “plaçkis” punen e dikujt. Eshte e vertete qe shkrimin e z. Fatos Kongoli, te cilit i kam marre shume here intervista dhe e vleresoj shume, e kam gjetur te perkthyer, faqe, pas faqeje interneti. (Me vjen keq t’ju zhgenjej, por blogun tuaj nuk e njoh dhe nuk jam frekuentuese) Ashtu siç gjeta edhe versionin frengjisht ne faqet e “Le Mondit”, bashke me informacionin per aktivitetin, apo fjalime te shkrimtareve te tjere. Sigurisht, une nuk jam ndonje “cipeplasur” te them qe shkrimin e kam perkthyer une, edhe pse mund ta kisha bere (perkthimin), por mund t’ju them sinqerisht qe emrin tuaj e lexova per here te pare tek e maili, qe me kishte ardhur sot. Nese perkthimi do te kishte nje emer, apo do te kisha nje adrese tuajen, sigurisht qe do t’ju kisha shkruar.(Deri me sot askush nuk ka mundur te me akuzoje per vjedhje, apo shtremberime fjalesh. Kjo eshte lehte e testueshme). Perveç 10 rradheve te hyrjes, ku kam shkruar inicialet e mija, nuk i kam marre meritat askujt. Dhe nese nxitova ta botoj ne gazeten “Shekulli”, thjesht prej entuziazmit, qe nje shkrim i Kongolit eshte botuar tek “Le Monde”. Gjithsesi ju kerkoj shume ndjese per kete situate. E kuptoj edhe mllefin tuaj, sepse e kam provuar kur shkrimet e mija jane marre pa dijenine time nga blogje e faqe te ndryshme interneti. Qellimi im nuk ishte t’ju merrja meritat. Duke shpresuar ne mirekuptimin tuaj, ju uroj gjithe te mirat! Sinqerisht A. M. »
.
. M’u desh t’a lexoja dise herë këtë mesazh të A. M për të arritur të kuptoja diçka në të. Ja edhe dekriptimi që kam mundur t’i bëj :
.
. Primo : është hera e parë që gazetares tonë i ndodh të « plaçkisë » pronësinë intelektuale të dikujt dhe të nëpërkëmbë të drejtën e autorit. Bile, përkundrazi, asaj i ka ndodhur të jetë herë pas here viktimë e procedurave të tilla (m’a merr mendja nga kolegë të tjerë gazetarë). Sa herë duhet përsëritur kjo procedurë në zanatin e gazetarisë, që përfundimisht ajo mund të quhet e pandershme ?
. Secundo : Edhe në se e ka ndërmarrë këtë veprim, motivi kryesor i gazetares ka qenë admirimi pakufi dhe entuziazmi i paanë për shkrimtarin F. Kongoli, të cilin ka dashur t’jua sjellë sa më afër lexuesve të gazetës, në gjuhën e tyre të nënës. A mund të përdoret admirimi si alibi për të pohuar « nuk i kam marë meritat askujt », lidhur me një shkrim që haptazi, nuk i përket gazetarit ?
. Tercio : çfarë ka bërë ajo në fund të fundit ? Një kërkim banal në internet (një punë e vërtetë krijuese prej gazetari kompetent) dhe – faqe pas faqeje, blog pas blogu – rasti e solli të bjerë në një përkthim anonim pa emër, pa adresë, pa asnjë referencë. Cili është koncepti i anonimatit të Web, ku çdo germë është shkruar nga një dorë njeriu, ku çdo faqe identifikohet nga një link, ku çdo adresë shoqërohet nga një numër IP?
.
. Në këto kushte, cili mund t’a akuzojë se ajo i ka marrë meritat dikujt ? Kërkush, pasi kërkushi është emri tjetër i askushit. Aq më tepër që ajo na siguron se është në gjendje t’a përkthejë vetë shkrimin e Kongolit nga frëngjishtja, aq më tepër që ajo ka shkruar me dorën e saj ato dhjetë rreshtat e para shpjeguese të artikullit – pa llogaritur atë titullin fatkeq « Vepra fillon ku mbaron historia ».
.
. Mosbesues nga natyra dhe racional nga përvoja, e vura vehten në rolin e A.M. dhe vendosa të bëj të njejtën gjë si ajo : kërkimin në internet gjethe pas gjethe, degë pas dege –për të shkuar tek rrënja – pasi, pse jo, dikush tjetër përpara saj mund të ish në origjinë të « plaçkitjes » dhe në këtë rast, gazetarja jonë kish plaçkitur plaçkitësin. Zbulova atë që mund të imagjinohet: të tjera faqe elektronike tê informacionit si puna e BesianaInfo ose LajmeInterneti e transmetonin shkrimin me referencat e “Shekullit”, sikundër dhe të papriturën – o kryevepër e gazetarisë kulturore – një plaçkitje tjetër, paralele megjithëse disi të vonuar pasi i botuar në datën 30 maj. Simotra ose sivëllai i A.M, militon në rradhët e gazetës « 55 » dhe karakterizohet nga imagjinata fort e zhvilluar, pasi « shkrimi » i tij tashmë quhet : Çarja gjeografike ndihmoi letërsinë të mbijetonte nga ferri i diktaturës.
.
. Befas, kuptova absurditetin e ndërmarrjes time : diku më parë i kërkoja « Shekullit » të bënte një apologji publike! Ndërkohë që përpiqesha ti jepja indinjatës së mësipërme një përmasë disi tragjike, tashmë ndodhesha përpara një farse! A duhet të vazhdoja dialogun me « Shekullin » apo të filloja një të ri me « 55 » ? Fundja fundit, a ja vlen të merresh me të tillë tillë postues ?
Përballë një realiteti të tillë gazetaresk, vetvetiu del urimi i mëposhtëm :
.
. T’u çaftë kaptina o gazetari anonim i gazetës « 55 », se ndoshta kështu do të ndihmohet edhe krijimtaria të mbijetojë nga kllounlliqet e gazetave tuaja.


Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.