Vështrimi i tjetrit.

Ata ushtarakë, fetarë, gjeografë dhe të tjerë udhëtarë, të ardhur në këtë qoshe të Ballkanit për të ngadhënjyer, pagëzuar, zbuluar ose përshkuar, vrojtuan banorët dhe eksploruan terrenin. Sipas epokës dhe mënyrës së vet, sejcili na ka lënë dëshminë e tij, konform përfytyrimit e tij të botës dhe mënyrës së tij të jetesës dhe në fund të fundit, sejcili prej tyre pa atë që kish dëshirë të shihte.
Kështu, hyjnorët helenë vrojtuan barbarë të egër ; falanga maqedone u përball me Enkelej luftarakë dhe Taulantë këmbëngulës ; fitimtarët romakë shpartalluan Ardianë krenarë dhe Pirustë pothuaj të pamposhtur ; apostulli Pal dhe dishepujt e tij pagëzuan paganë të pafajshëm ; gjakatarët gotë masakruan deri më një autoktonë romakë ; sllavët këmbëngulës absorbuan deri edhe ilirin e fundit ; perandorakët bizantinë dalluan Arbërit e parë ndërkohë që turqit myslimanë kuptuan se kishin të bënin me shqiptarët trima. Siç mund të pritet, vargu mbyllet me historianët, të cilët na sigurojnë se të gjitha këto çfaqje s’janë gjë tjetër veçse aspekte të ndryshme të të njejtit thelb : vazhdimësisë njerëzore që provon autoktoninë e shqiptarëve, ndërkohë që, në përputhje me bindjet dhe botëkuptimin filozofik dhe politik, ata sintetizojnë një realitet historik dhe e paraqesin si realitet kohor objektiv që i bindet një varg ligjesh shoqërore. Pretendimet janë po aq të mëdha sa edhe vështirësitë e ndërmarrjes : pothuaj asnjëri prej tyre nuk i shpëton tundimit për të shkruar historinë me H të madhe dhe aq më tepër në formë të shquar – Historia e Shqipërisë – sikur të ishte e vetmja dhe e fundit në llojin e vet.
Ciladoqoftë epoka, vështrimi i tjetrit mbi këtë grup njerëzor ka ruajtur një aspekt të pandryshueshëm, që njëkohësisht sjell ndër mend diçka të egër, të paepur, rrebele, të lirë.. sikundër dhe të varfër, të izoluar, të thjeshtë.. – një vështrim i pushtuar nga forca që çlirohet nga masa e maleve dhe nga karakteri i malësorëve. Zaten në të tilla vise – Mesdheu dhe veçanërisht Ballkani njohin disa vise të tilla ku « shoqëria, qytetërimi, ekonomia, pra gjithçka mban vulën e arkaizmit dhe të pamjaftueshmërisë*» ndërkohë që gjithçka në to mbetet e pakapshme, për t’u pushtuar, për t’u ripushtuar.
Malësorë – ja pra edhe cilësori që ka karakterizuar shqiptarët në jetë të jetëve. E megjithatë, ata kanë privilegjin të lagen nga dy detra nga më të përmendurit e Mesdheut, t‘i gëzohen një bregdeti të hapur që strehon disa porte të dorës së parë, të njohur që nga Lashtësia. Si shpjegohet atëhere që ky popull mbetet i maleve dhe jo i detit ?
Nëqoftë se ai, sipas mendimit të përgjithshëm, preferoi malet për hir të lirisë, të rezistencës, pra për të mbijetuar, me këtë rast ai i ktheu shpinën detit dhe dashur padashur u izolua, u shëndrrua në ishullor brenda tokë së thatë. Pra, sipas kësaj logjike, agresionet dhe armiqtë vinin nga deti – nga Perëndimi. Si ja bënte atëhere ky popull në lidhje me agresorët që vinin nga Lindja – nga luginat mes maleve, po aq vrastarë dhe gjakatarë sa edhe të parët, në mos edhe më tepër ? Në fund të fundit, përse shërbejnë spekullime të tilla përballë fakteve që flasin vetë ?
Shqiptarët e sotëm, sikundër edhe pararendësit e tyre arbër ose ilirë kanë jetuar në një vend vërtet malor por që nga ana tjetër ofron një ultësirë bregdetare, të pashoqe në të gjithë faqen perëndimore të gadishullit. Historikisht, zgjedhja e zonës kodrinore, e pllajave ose e gjysëm lartësisë nuk ka ardhur as nga arsyet e mbipopullimit as edhe për t’ju larguar në mënyrë të qëndrueshme rrezikut të huaj. Mjafton të përmendim që ditën e pavarësisë, i tërë vendi numëronte më pak se një milion banorë – shumica dërmuese e të cilëve banonte në thellësi të territorit, ndërkohë që ditët e sotme, vetëm pellgu Tiranë – Durrës – krejtësisht mbi ultësirën bregdetare – përmbledh gati një milion vetë. Pra njerëzit kanë qenë të detyruar të vendosen në brendësi të vendit, të zgjedhin klimën e shëndetshme të malit, thjesht për t’ju larguar atmosferës mbytëse dhe helmatisëse të fushës bregdetare ku mbizotëronin moçalet dhe kënetat, ku pinte gjakun kunupi, ku merrte shpirtin malarja, ku kalbeshin këmbët në ujë – ku vetëm disa pak përqind (8 ose 9%) e saj mund të kultivohej. Zaten, qytetet e vetme të kësaj zone – Durrësi, Vlora, Lezha – të ngritura mbi një brez të ngushtë toke ngjitur me detin – qoftë edhe Shkodra pranë liqenit, kanë ardhur deri në ditët e sotme si një trashëgimi e kohëve më të lashta. Ato kanë mbijetuar falë tregëtisë dhe transportit, falë këmbënguljes të fuqive tregëtare mesdhetare që kanë bërë çmos për t’i mbajtur gjallë ; fillimisht Korinthi dhe Kërkyra antike, më tej Roma dhe Konstandinopoja, diçka më vonë Venediku… Ato s’kanë qenë kurrë plotësisht ilire, arbër ose shqiptare – deri edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit në shekullin e XXtë.
Në të kundërt, të gjitha qytete e tjera të vendit, të themeluara gjatë antikitetit të vonët dhe mesjetës e hershme – qendrat më të shquara të artit, të kulturës, të artizanatit – Berat, Elbasan, Krujë ose Gjirokastër – janë ngritur mbi shpatet e maleve që kufizojnë ultësirën perëndimore. Kjo e fundit mbetet thuajse e braktisur për një kohë të gjatë ; qytetet fillojnë dhe çfaqen gjatë shekujve të fundit, pasi që ndërhyrja njerëzore ka mundur të rrethqarkojë vatrat e infeksionit, të kufizojë vërshimet e lumenjve, të kanalizojë ujrat e qelbura. Kështu çfaqet Tirana rrëzë Dajtit, Fieri në skaj të Mallakastrës… Çfarë duhet thënë për masën e fshatrave, të katundeve, të grupshtëpive që instalohen nëpër kodra, që kacavirren nëpër shpate, që i ngjiten përpjetë luginave, që vendosen nëpër pllaja : pra, që i largohen bregdetit sikur të ishte murtaja ? Një bregdet adriatik çuditërisht i shkretë që nga Velipoja deri në Nartë, përgjatë dyqind kilometrash, i cili përveç atyre tre-katër qyteteve të sipërpërmendur nuk njeh pothuaj asnjë fshat, asnjë qendër detare ose peshkatare.
I vetmi përjashtim që vërteton rregullin vjen nga Joni shkëmbor – dhe si pasojë i kursyer nga kënetat dhe pellgjet bregdetare. Bëhet fjalë për fshatrat dhe qytezat e Bregut të Detit : Dhërmiu, Himara, Qeparoi që, megjithëse të ngritura në shpat, e kanë orientuar jo vetëm pamjen por edhe jetën drejt zanateve të detit – lundërtarë, peshkatarë, tregëtarë.. Pra, shqiptari është një malësor i shtyrë nga nevoja dhe jo nga dëshira, blegtor nga halli, druvar ose thëngjilltar nga e keqja… Në përputhje me imazhin që çliron vetë vendi – « një fasadë bregdetare me një brendësi të tërë malore »** shqiptari është përfundimisht, mesdhetar më shumë për emër, ballkanik me mish e me shpirt !

Përsa i përket këtyre trojeve, megjithëse gjenia njerëzore s’ka rreshtur të shëndrrojë pejzazhin – duke alternuar përpjekjen e ngadalshme ndërtuese me tërbimin e shpejtë shkatërrues, ai i ngjan gjithmonë atij territori të ilirëve – ashtu siç e zbuluan romakët e parë dhe siç e lanë bizantinët e fundit : të njejtët male, lumenj ose liqene, të njejtët detra që lagin brigjet.
Ajo që ka ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme është vendi që i jepet në gjirin e asaj kozmologjie të çuditshme njerëzore që klasifikon vlerat e qytetërimeve të ndryshme në funksion të drejtimeve kryesore të horizontit : veri, jug, lindje, perëndim. Për një kohë të gjatë, e pavetëdijshme ndaj faktit se jeton mbi një lloj sfere qiellore, urtësia njerëzore e hemisferës tonë sidoqoftë ka mundur të përcaktojë origjinën e një korrelacioni të parë mes boshtit Veri – Jug, klimës dhe shkallës së zhvillimit të një shoqërie njerëzore : Veri = dëborë, errësirë, ftohtë = fise dhe tribu barbare ; Jug = diell, dritë, ngrohtë = qytetërime rrezatuese. Një imazh i tillë plotësohet dhe pasurohet ndërkohë që tregëtia shëndrohet një formë shkëmbimi po aq e rëndësishme sa edhe lufta në gjirin e shoqërive pagane, bile edhe politeiste. Historia na furnizon shembujt dhe autorët e lashtë sjellin dëshmitë e tyre më të mira.
Në qoftë se Egjipti i lashtë, i verbuar nga dielli i Faraonit, nuk ka qenë tunduar nga vizione të tilla – ndoshta nga që krejt bota rreth e qark mbetej në hije, Greqia e lashtë e dominuar nga policentrizmi i qyteteve-Shtete, po aq tregëtare sa edhe luftëtare, e adoptoi si një përfaqësim të botës ; vetëm se, Veriu i egër i grekëve fillonte menjëherë përtej kufirit të dukshëm të qyteteve të tyre të dashura. Në vazhdim, Roma republikane e ndjekur nga ajo perandorake e adoptoi dhe e ngriti në një vlerë universale : duke qenë qendra e botës së qytetëruar, e gjithë periferia e saj jo e romanizuar u asimilua me një hapësirë barbarizuese, e cila duhej të qytetërohej me të gjitha mjetet. Me gjithë këtë forcë përgjithësuese, imagjinatës njerëzore gjithmonë i kanë munguar shenjat dhe simbolet për t’u orientuar në aksin tjetër Lindje – Perëndim : dielli që lind mbi një mal – gjithmonë i ndryshëm, në vartësi të vetë vëzhguesit – ose që shkon dhe zhduket diku në det – në cilin det ? Ata që e kanë ndjekur me sy nuk janë në gjendje të përgjigjen me saktësi. Sikundër edhe arabët, të cilët e quajtën horizontin e përflakur ereb = « aty ku perëndon dielli »***.
Kjo dykuptimësi jashtëpersonale mund të zhdukej veçse nëpërmjet përcaktimit të një pike orientimi jashtë çdo norme, të një qendre jashtëkohore : feja. Me të vërtetë, sapo që bota e porsalindur judeo-kristiane mundi të gjejë një qendër shpirtërore të denjë, Konstandinopojën, njerëzimi mbarë duhet të ketë hequr një psherëtimë të thellë çlirimi dhe kënaqësie. Tashmë dihej për shembull, që Roma ndodhej në perëndim (të Konstandinopojës) dhe Jeruzalemi në lindje. Por edhe ky sistem nuk mund t’i shpëtonte vesit : mjaftoi që Roma të ngrihej në një qendër të pavarur – dhe aq e fuqishme sa që të eklipsonte Konstandinopojën – dhe menjëherë, një krah i tërë i botës së vjetër (bashkë me Konstandinopojën) u internua në lindje.
Ajo vertikale imagjinare që lindi dhe u ngrit në sheshin e katedrales Shën Pjetër përfaqëson edhe linjën e parë të vërtetë që ndau në dysh Evropën tonë të vjetër : meqënëse tashmë Dielli i Kishës qëndron gjithmonë në zenit, ai krah i botës ku njëherë e një kohë dielli i qiellit shkonte të shtrihej pas një dite të lodhshme – occidensi i romakëve shëndrrohet në Oksident, ndërkohë që lindja – oriensi mbetet Orient. E gjithë përpjekja e mëvonshme s’është gjë tjetër veçse çështje kufijsh : nga njëra anë, vendosja e kufijve të rinj brenda hapësirës së vjetër – duke ndarë me këtë rast Shtetet, dhe nga ana tjetër, shtyrja sa më larg e kufijve të njohur të botës. Në këtë mënyrë, Oksidenti shtrihet edhe më tej në perëndim ndërkohë që Orienti shtyhet gjithnjë e më larg drejt lindjes – me atë vijë ndarjeje mes këtyre dy botësh që përshkon jo vetëm hapësirën por edhe kohën për t’u imponuar si një pengesë virtuale, si një mur ose si një Perde e Hekurt e cila gjithmonë ka ndarë kulturat, ideologjitë, sistemet politike dhe në fund, vetë njerëzit.
Ky vend i cili na intereson kaq tepër gjendet fare pranë Romës por gjithmonë në lindje të saj. Me këtë rast, i përket ai lindjes-Orient apo perëndimit-Oksident ? Historia sjell mjaft elementë për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, shoqëria sjell të tjera argumenta, mentaliteti i njerëzve gjithashtu mund të ndriçojë aspekte të veçanta ndërkohë që kuadri brenda të cilit ai rrethshkruhet nuk ka ndryshuar dhe nuk ka për t’u ndryshuar kurrë. Ai mbetet njëkohësisht pjesë përbërëse e botës mesdhetare – e pjesës së saj lindore – dhe e familjes ballkanike – antari i saj më perëndimor. Duke qenë një element i këtij kompleksi – sigurisht origjinal dhe jetësor por pa dyshim i pafuqishëm – atij i është dashur t’i nënshtrohet të papriturave të historisë, të krijuara nga fuqitë ushtarake apo ekonomike të pellgut ose të rajonit. Ja përse, përgjigja ndaj pyetjes së mësipërme nuk është as gjithmonë e njejtë as edhe përfundimtare, mjafton të ndiqet realiteti përgjatë shekujve : vendi i përkiste perëndimit në kohën e romakëve, lindjes në kohën e bizantinëve, përsëri perëndimit gjatë ofensivës mesjetare latine, edhe një herë lindjes në epokën e otomanëve. Me fjalë të tjera, që prej kohësh të lashta vendi është përfshirë në një luhatje ciklike ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, perioda e të cilës matet me shekuj të tërë.
Për syrin e historianit vendas, elementi më qenësor i popullit që ka banuar në këto vise ka mbetur rezistenca që ai i ka paraqitur pushtuesit, shpirti i tij i paepur luftarak. Ky fill i kuq përshkon kohërat dhe shëndrrohet në një natyrë të dytë ; heroizmi popullor përbën indin e qënies së tij të lavdishme, ndërkohë që gjaku i derdhur ka ngjyrosur flamurin e tij kombëtar. Duke i rezistuar armiqve të panumërt, ky komb i ka rezistuar njëkohësisht edhe kohës : ja përse ai ka mbrritur deri në ditët e sotme dhe shpalos të gjitha karakteristikat e tij të papërsëritshme. E megjithatë, përtej imazhit vetëlavdërues, profilohet një element tjetër po aq qenësor sa edhe i pari : nëqoftë rezistenca përbën faqen e sipërme të medaljes, përzgjatjen e natyrshme të çdo agresioni, ajo nuk ka mundur të shmangë as pushtimin as edhe instalimin e maqinës së huaj, përpjekja kryesore e të cilës gjithmonë ka mbetur integrimi i burimeve materiale dhe njerëzore të vendit. Pas agresionit, luftës – jetës në lavdi, vjen pushtimi, nënshtrimi – jeta e zakonshme. Pra, mbijetesa e këtij populli sikundër dhe e gjithë popujve të tjerë evropianë është para së gjithash bashkëjetesë – ja edhe faqja e prapme e medaljes.
Magjia që çlirohet nga ajo tabllo e paharruar e një populli të vogël – David, që përball agresorin e përbindshëm – Goliath, mund të funksionojë vetëm atëhere kur ndërgjegja dhe nën-ndërgjegja pranojnë se pas djaloshit qëndron Zoti ; fillimisht ai i jep misionin dhe më tej bekon edhe dorën e bariut. Në këtë pikë, realiteti ndryshon nga legjenda : Davidi ynë e përfundon betejën duke përqafuar fenë e pushtuesit. Historia ka mbajtur mend islamizimin e Shqiptarëve ndërkohë që ajo pothuaj ka harruar se ilirët braktisën paganizmin për t’u konvertuar në fenë e krishterë të romakëve, se ilirët e fundit gati të romanizuar zgjodhën ritin lindor nën ndikimin e bizantinëve, se arbërit u kthyen rishtas në katolikë nën nxitjen e latinëve.. e gjithë kjo, përpara se shqiptarët të përfundojnë në myslimanë nën trysninë e otomanëve.
Përballë variablave që ofron historia (përkatësia Perëndim – Lindje, larmia e zgjedhjeve fetare), gjeografia përcakton të vetmen konstante përgjatë mijëvjeçarësh : përkatësinë në gadishullin ballkanik. Mjafton emri i këtij të fundit për të shtënë dridhmat, aq i rëndë është kuptimi i tij, aq të rënda janë edhe kontradiktat që ai bart në vetvehte****.
Kjo « urë » kalimi mes Perëndimit dhe Lindjes, ky « udhëkryq » rrugësh s’është gjë tjetër veçse djepi i qytetërimit evropian ; kjo « sallatë » popujsh, ky « melting-pot » i kulturave përbën humusin e njerëzimit mbarë ; kjo « fuçi baruti » e Evropës, kjo « arenë ndeshjeje » e Fuqive të Mëdha përbën njëkohësisht pasqyrën ku reflektohet një farë ndërgjegje e fëlliqur kontinentale dhe spektrin e pasioneve më atavike që ndriçojnë natyrën e Njeriut. Pa Ballkanin dhe ballkanikët, Evropa nuk do të ishte kurrë ajo që është sot.

* Fernand BRAUDEL – La Méditerranée et le Monde Méditerranéen à l’époque de Philippe II, Éd. Armand Colin, Paris 1986
** Gabriel LOUIS-JARAY – Au jeune Royaume d’Albanie (Ce qu’il a été – Ce qu’il est), Hachette et Cie, Paris 1914.
*** Me anë të këtij emri, arabët përshkruanin atë tokë të largët që shtrihet në horizontin e pafund : ishujt egjeanë ose Rodin dhe Qipron. Ndoshta bëhet fjalë për variantin më të pranueshëm nga të gjithë të tjerët që mundohen të shpjegojnë origjinën e emrit Evropë. Sidoqoftë, bëmat e Zeusit të grekëve ishin edhe më trimërore : ai rrëmbeu të renë Europa, vajzën e fenikasit Agenor, për t’a çuar në Kretë dhe për t’a shnderuar. Si pasojë e kësaj dashurie të pamundur doli Minosi i tmerrshëm. Pra, Evropa e helenëve paskish ardhur nga Azia dhe për më tepër, ajo ishte e zezë ! Përtej mitologjisë, Herodoti i Halikarnasit, « babai i historisë » dinte ndërkohë se Evropa ishte e banuar – përveç grekëve – edhe nga iberët, nga keltët dhe nga skithët, ndërkohë që Azia e tij përmban Libinë, Etiopinë, Arabinë, Asirinë, Persinë dhe Indinë. Në këtë mënyrë kuptohet se boshti i tij Evropë – Azi i përgjigjet më tepër boshtit Veri – Jug se sa Perëndim – Lindje. Romakët ishin gjithashtu gjeografë mjaft të zot por njëkohësisht po aq konfuzë mbi këtë çështje : në veprën e tij De Linguæ Latinæ me pesëmbëdhjetë volume, Varro që në shekullin e parë p.e.s sugjeron se « toka është e ndarë nëpërmjet viseve të qiellit në Azi dhe Evropë. Azia shtrihet në të vërtetë drejt jugut dhe Austerit, Evropa drejt veriut dhe Akuilonit ».
*** Predrag MATVEJEVITCH – Contradictions balkaniques, Lettre Internationale, n° 3, Paris, septembre 2000.

Kredit foto: V.Karaj (Krasta-Krau)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: