Identitetet e krasitura të pakicave

Me ato 5 ose 6% të pakicave kombëtare ose etnike mbi territorin e saj, Shqipëria është një rast pothuaj i veçantë në gjirin e bashkësisë ballkanike, e njohur për shkapërderdhjet e përgjakura të natyrës etnike. Kjo shpjegohet në rradhë të parë për arsye historike, të lidhura me krijimin e Shtetit shqiptar.
Antari më i ri i familjes rajonale, i lindur në vigjiljen e luftës së Parë Botërore, vendit ju desh të pranonte zgjidhjet territoriale që përputheshin më tepër me lakmitë e fqinjëve grabitqarë se sa me dëshirat e shqiptarëve. Rezultati s’ka nevojë për koment : kufijtë u vendosën në brendësi të zonës së populluar nga etnia shqiptare, gjë e cila e zvogëloi së tepërmi mundësinë e përfshirjes të popullsive të huaja në strukturën kombëtare. Megjithatë, duke parë përzierjen e pandashme dhe karakteristike ballkanike, Shtetit të ri shqiptar ju desh të pranonte disa dhjetra mijra grekë, disa mijra maqedonas, disa qindra malazezë dhe një numër të papërcaktuar vllehësh ose romësh (disa mijra ose dhjetra mijra shpirtra për sejcilën nga këto bashkësi ?) – në fund të fundit gati hiçgjë në krahasim me ata qindra mijra shqiptarë të detyruar të mbeten jashtë kufijve.
Sipas shkallës së nguljes dhe lidhjeve me vendet e tyre të origjinës, dallohen pakicat kombëtare – të përqëndruara (grekë, maqedonas dhe malazezë) dhe pakicat etnike – të shpërndara (vllehë dhe romë, çifutë dhe armenianë).Pakica greke, më e dendura dhe më e organizuara e vendit, ka rrënjë të vjetra për të mos thënë të lashta, në krahinat jugore të vendit – rrethet e Gjirokastrës, të Delvinës dhe të Sarandës, ndërkohë që grupime pak a shumë homogjene të greqishtfolësve jetojnë në rrethqarkun kufitar jugor sikundër dhe në bregdetin jonian (Himarë). Në emër të kësaj pakice, Greqia ka kërkuar gjithmonë të drejtat e saj territoriale mbi një zonë të gjerë jugore të Shqipërisë – Epiri i Veriut – që të nesërmen e shpalljes së pavarësisë së vendit. Megjithë vendosjen përfudimtare të kufijve jugorë në vitin 1914 dhe korrigjimeve të fundit të vitit 1923, Shteti helen nuk ka rreshtur të kërkojë « gjënë » e vet, pa dyshim i nxitur nga dobësia kronike e fqinjit të tij verior. Kjo ka shkaktuar një tension të vazhdueshëm në marrëdhëniet reciproke dhe ka shtyrë në mënyrë të pashmangshme autoritetet e Tiranës të ndëshkojnë pakicën greke.


Sa individë përmbledh në gjirin e vet kjo pakicë ? Vlerësimet kanë qenë gjithmonë kontradiktore : në vitin 1922, një anketë e udhëhequr nga Lidhja e Kombeve vlerësoi se greqishtfolësit e Shqipërisë ishin 22.500 vetë (1)
. Në vitin 1989, burimet zyrtare shqiptare raportonin shifrën prej 59.000, ose 2% të popullsisë së përgjithshme(2). Pa asnjë hezitim, qarqet epirote të Athinës u përgjigjën që këto shifra janë të falsifikuara, pasi sipas vlerësimeve të tyre, Shqipëria strehonte 400.000 grekë për të mos thënë edhe më tepër, pra 12% të popullsisë. Në rolin e arbitrit, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës avancoi « me maturi » shifrën prej 266.000 vetë, ose 8% të popullsisë. Nëpërmjet këtyre shifrave, çdokush do të komentonte a priori se qeveria shqiptare minimizonte prezencën e pakicës greke në territorin e vet, se qarqet shoviniste greke kërkonin të mbifrynin efektivat për të mbështetur sa më mirë kërkesat e tyre territoriale mbi shtetin fqinjë dhe se amerikanët të çinteresuar, mbeteshin me siguri objektivë.
Kush duhej besuar ? Një diktaturë komuniste që mbretëronte nëpërmjet terrorit politik, një demokraci evropiane ende belbëzuese që mundohet të mbrojë pakicën e vet kombëtare të përbuzur apo vendi i parë demokratik i botës që mbronte me këmbëngulje të drejtat e njeriut ?
Sidoqoftë, « fajtori » dukej nga larg : bëhej fjalë për më të çinteresuarin dhe më asnjanësin Lidhje të Kombeve, pasi ishte e pamundur që brenda 67 vjetësh popullsia grekofolëse e Shqipërisë të ishte shumëfishuar me 17,8 herë siç pretendonte Athina ose qoftë dhe 11,8 herë siç pretendonte Uashingtoni. Në ketë rast, Tirana dilte me ndërgjegje të qetë pasi sipas saj, rritja e pakicës greke mbetej brenda kufijve të rritjes së popullsisë së përgjithshme të vendit (2,65 herë përkundrejt 2.80 herë për atë shqiptare brenda të njejtës periudhe).
Mënyra më e mirë për të zbuluar të vërtetën është kqyrja nga afër e kësaj pakice greke. Është e vërtetë se që prej vitesh, ajo kish pësuar shtrëngesa dhe ndalesa të ndryshme të të drejtave të saj fetare, gjuhësore dhe kulturore, Më e keqja ishte se ajo nuk mund të komunikonte me botën helenike, që mbetej dy hapa më tej kufirit, që ajo nuk mund të rigjenerohej në kulturën e stërgjyshërve. Megjithatë, ajo mund të shprehej lirshëm në mjediset shtëpijake dhe private si edhe publikisht në gjuhën e vet të origjinës, ajo zotëronte shkollat e saj fillore si edhe disa botime në gjuhën greke, një degë të formimit të mësuesve gjithmonë në këtë gjuhë, përfaquesit e saj uleshin në instancat më të larta politike të vendit. Ç’ishte më interesantja, ajo gëzonte njohjen e egzistencës së vet. A nuk ishin pajisur antarët e kësaj pakice me letërnjoftime që vërtetonin kombësinë greke paralelisht me nënshtetësinë e tyre shqiptare ? Asnjë nga këto elementë nuk ishte i mjaftueshëm për Athinën, sipas të cilës fqinji i saj përpiqej të mohonte identitetin shpirtëror të pakicës greke. Elementi kryesor që mbështeste këtë tezë ishte fushata antifetare e Shtetit shqiptar, e filluar në vitin 1967, e kqyrur para së gjithash si një ndërhyrje voluntariste që synonte njëkohësisht edhe fshirjen e identitetit kombëtar.
Në këtë mënyrë kemi prekur edhe rrënjët e problemit. Përveç faktit të vënies ballëpërballë të dy sistemeve shoqërore antagoniste, çështja e pakicës greke zbulon kontradiktën mes dy konceptimeve kombëtare konkurruese, dy opinioneve kulturore të kundërta, dy mënyrave të ndyshme të leximit të historisë.
– E para – ajo komuniste shqiptare – shpërngul diferencat (gjuhë, kulturë) në sferën private ndërkohë që sfera publike i rezervohet shprehjes politike konformiste, e përveçme për një shoqëri të uniformizuar dhe të brigadëzuar nga një ideologji mbizotëruese. Kjo skemë e përjashton fenë ; së pari, pasi historia i ka lënë si trashëgim një tufë fesh që çfaqen si faktorë përçarës të shoqërisë dhe së dyti, pasi që ideologjia marksiste nuk mund të tolerojë një « ideologji » konkurruese. Nën këtë optikë, një pakicë kombëtare s’është gjë tjetër veçse një kompozante shoqërore si të tjerat : të gjitha së bashku, ato pjesëmarrin në projektet shtetërore të ndërtimit të socializmit, pësojnë shtrëngimet dhe vuajnë pasojat. Pak i interesonte diktaturës së proletariatit nëqoftëse kundërshtarët e saj ishin shqiptarë të rracës të pastër ose antarë të pakicës greke.
Përsa i përket shkollave në gjuhën greke ose shënimit të « kombësisë greke » mbi letrën e njoftimit, rregjimi i Hoxhës s’kish shpikur asgjë të re : ai veçse ndiqte një traditë të vendosur në kohën e monarkisë zogolliane, të aprovuar nga vendimet e Lidhjes së Kombeve si dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës rreth viteve tridhjetë. Në këtë rregjistër të fundit, Hoxha bënte edhe më pak se pararendësi i tij i shquar pasi, asnjëherë ai nuk guxoi të ngrinte çështjen e pakicave kombëtare shqitare që jetonin në tokën greke. Duke zgjedhur një taktikë mbrojtjeje, ai vuante pasojat shkatëruese të një propagande tepër aktive e cila asgjësonte edhe ato pak përpjekje të ndërmarra në drejtim të pakicës helene.
– Praktika e dytë, ajo demokratike greke, niset nga principi i pandryshueshëm i asaj padrejtësie të madhe që i ish bërë vendit dhe kombit helen nëpërmjet shkëputjes së Vorio Epirit nga trungu amë si edhe dhënies së tij Shqipërisë, në mënyrë krejt arbitrare. I shpallur publikisht në sheshin publik ose i diskutuar me zë të ulët në mjediset politike, ky mendim përshkon në mënyrë të vazhdueshme të gjitha iniciativat politikë të ndërmarra nga Athina. Me fjalë të tjera, Greqia nuk sheh një pakicë greke të instaluar tek fqinji por një vazhdimësi natyrore të « popullsisë së vet », e cila jeton « në territoret e saj » dhe që legjitimon vetëm nëpërmjet egzistencës së vet, pretendimet territoriale greke mbi jugun e vendit shqiptar.
Subjekti i dytë i grindjes mbetet feja. Në mënyrë tradicionale, Greqia konsideron se mes shtetësisë dhe fesë egziston një adekuacion i përsosur. E thënë ndryshe, çdo besimtar aktiv i ritit ortodoks – bile edhe ata pasivët ose thjesht çdo subjekt që mban një emër me tingëllime fetare ortodokse – është me origjinë greke. Hapi tjetër i menjëhershëm, është zgjerimi i këtij koncepti mbi territorin e banimit të ortodoksëve që në mënyrë krejt të natyrshme i bie të jetë pjesë e territorit grek Kjo mënyrë të menduari përmban komoditetin e trefishtë të përfitimit të mbështetjes së pushtetit shpirtëror të Kishës si vektor nacionalist, të konsiderimit të të gjithë ortodoksëve shqiptarë sikur janë grekë të rrënjës dhe së fundi, të përjashtimit të të gjithë mmyslimanëve të Greqisë si jo-grekë. Ja përse demokracisë helene i mungojnë pakica të qenësishme kombëtare në territorin e vet, sikundër të gjitha vendet e tjera ballkanike, ndërkohë që ajo hidhet në kërkim të fëmijëve të saj të humbur në territoret fqinjë.
Në qoftëse ju kthehemi së fundi dëshmive të përfaqsuesve të vetë kësaj pakice në Shqipëri, para së gjithash kuptohet se ata janë burra dhe gra si të gjithë të tjerët, të ngecur keq mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mes tyre ka patur dhe vazhdon të ketë besimtarë, integristë të kalendarit të vjetër dhe ateistë ; monarkistë, republikanë dhe komunistë ; ish-partizanë antifashistë, indiferentë dhe kolaboracionistë, agjentë të Asfalias greke dhe spiunë të Sigurimit shqiptar. Rradhët e tyre janë shtuar me kundërshtarët e diktaturës së Metaksasë, me të shpëtuarit e luftës civile të 1946 – 1949. Jemi tepër larg atij bllokut homogjen të përshkruar nga Athina zyrtare, të asaj tufe dhensh të përhumbur që tërhiqej me zor në kasaphanën e Hoxhës. Kjo bashkësi jetoi të gjitha peripecitë e ndërtimit të shoqërisë së re komuniste ; ajo pati viktimat dhe heronjtë e saj, të internuarit në kampet e punës dhe vullnetarët e saj në kantieret e vendit. Ajo furnizoi teknikë dhe inxhinierë të panumërt, profesorë dhe letrarë, ushtarakë dhe politikanë të cilët i shërbyen rregjimit, pa mohuar as origjinën as edhe gjuhën e tyre amtare. Nuk është i rastit fakti që, jashtë asaj zone që grupon disa dhjetra apo qindra fshatra pranë kufirit, qyteti që numëronte përqëndrimin më të madh të grekofolësve ishte Tirana, kryeqyteti i vendit.
Pas rrëzimit të komunizmit, minoritarët grekë u rishëndrruan në pronarë të tokave të tyre dhe mundën të hapin kishat me ndihmën e Greqisë. Ata mundën gjithashtu të shkelnin tokën e të parëve për të rigjetur familjet dhe të afërmit e tyre, ose thjesht për të punuar – me shpresë për t’u pasuruar. Si rrjedhim, ata mundën të zbulojnë edhe faqen tjetër të medaljes : që ata mbeten grekë të vërtetë vetëm atëhere kur rrijnë në Shqipëri pasi, me të shkelur në tokën greke, ata janë thjesht rrefugjatë të ardhur nga përtej kufirit.
Pakica e dytë e vendit është ajo maqedone që banon në një dyzenë fshatrash të vogla rreth e qark liqenit të Prespës së Vogël, mes rrethit të Korçës dhe të Devollit, sikundër dhe pranë qytetit të Peshkopisë, më në veri. Zona e parë i përgjigjet një rripi territori të lëshuar nga Shteti grek në vitin 1922, në vijim të një vendimi të marrë nga Konferenca e Ambasadorëve, pas ripërcaktimit të kufijve shqiptarë ndërkohë që zona e dytë është përzgjatimi natyror popullsisë sllavofolëse të Gorës, aktualisht e përfshirë në Kosovë. Kjo gjë shpjegon njëkohësisht edhe përkatësinë fetare të këtyre popullatave : maqedonët e Korçës janë ortodoksë ndërkohë që goranët e Gollobordës janë myslimanë. Burimet zyrtare shqiptare përmendin rreth 5.000 vetë me origjinë maqedone (3), të shpërndarë mes Prespës dhe Dibrës. Nga ana tjetër e kufirit, autoritetet e Shkupit duke ju referuar burimeve evropiane të paidentifikuara, avancojnë shifrën prej 30.000 vetësh – një vlerësim gjithmonë indirekt. Kohët e fundit, përfaqsuesit e shoqatave maqedone në vend, gjithmonë duke pranuar që shteti shqiptar ofron shumë më tepër në lidhje me ligjin se fqinjët e tyre grekë ose bullgarë, vërejnë me keqardhje që ky shtet e ka kufizuar njohjen e kësaj pakice në zonat e ngushta të Prespës. Duke i bërë jehonë qëndrimeve të qeverisë maqedone dhe deklaratave të Kryeministrit nacionalist Gjeorgjevski, ata nuk hezitojnë të afirmojnë zyrtarisht që mbi territorin shqiptar jetojnë rreth 350.000 maqedonë etnikë, nga të cilët 20.000 vetëm në qytetin e Tiranës dhe dhjetra mijra të tjerë në Korçë, në Elbasan dhe gjetkë. Në mënyrë të çuditshme, këto deklarata pak të skrupullta ngjajnë me ato të mjediseve vorio-epirote dhe kanë një qëllim të vetëm : t’u kthejnë kusurin kërkesave të popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Së fundi disa qindra vetë me origjinë malazeze ose serbe jetojnë ende në qytetin e Shkodrës dhe në Vrakë, mbi brigjet e liqenit, fare pranë Malit të Zi. Numri i tyre është reduktuar së tepërmi pas riatdhesimit të një numri antarësh të kësaj pakice në Jugosllavi, që në fillim të viteve 90.

Mes atyre pakicave të ashtuquajtura të shpërndara, me e shumta në numër dhe më e integruara në jetën e vendit është ajo arumune ose vllehe, e afërt me rumunët e sotëm. E gjendur të paktën prej katër shekujsh në këtë pjesë të Ballkanit, kjo popullsi e vjetër gjysëm-shtegëtare e cila dikur jetonte nëpërmjet blegtorisë, është sedentarizuar në një shkallë të tillë saqë aktualisht është shëndrruar në pjesë integruese të popullsisë vendase. Sidoqoftë, asaj asnjëherë nuk i kanë munguar referencat kulturore ose gjuhësore dhe aq më pak, ato historike. Mjafton të përmendet vendimi i Portës së Lartë në vitin 1905 që zyrtarizonte njohjen e miletit arumun ; të kujtohen ata burrat e biznesit, të penës ose të shkencës arumunë, ata « qytetarë të përsosur të Ballkanit, të aftë të ruanin kulturën e tyre pa patur nevojë t’i bënin thirrje as luftës as edhe politikës, as dhunës as edhe pandershmërisë » (4).
Sa arumunë-vllehë jetojnë sot në territorin e Shqipërisë ? Askush nuk është të gjendje të përgjigjet me saktësi. Megjithatë, dëshmi të hershme të dala nga mjedisi arumun pohojnë se bashkësia vllehe e Shqipërisë është e dyta në Ballkan nga numri i antarëve të saj dhe që ky numër i afrohet 100.000 vetësh. Të tjerë hedhin hipoteza që ky numër është edhe më i madh : mes atyre që nuk e dinë as vetë se i përkasin kësaj bashkësie dhe atyre të tjerëve që nuk marrin vesh asnjë fjalë në gjuhën arumune ose çobançe, numri i përgjithshëm duhet të jetë rreth 200.000 vetë (5)
. Vllehët – ose çobenjtë sipas llagapit lokal – gjenden të përqëndruar kryesisht në jugun e vendit : në një zonë të gjerë që shkon nga Pogradeci deri në Ersekë – duke kaluar nga Korça, nga Përmeti në Sarandë – duke i rënë qark Gjiokastrës, sikundër dhe në një zonë të gjerë bregdetare që shkon nga Vlora në Durrës – duka kaluar nëpër Fier, Lushnje dhe sigurisht, në të paevitueshmen Tiranë. Për shkak të besimit të tyre fetar ortodoks dhe zonës së shpërndarjes që i prek kufirin me Greqinë, Athina zyrtare i numëron në rradhët e grekëve ndërkohë që për autoritetet shqiptare, problemi vlleh asnjëherë nuk ka egzistuar si i tillë. Arumunët janë quajtur thjesht qytetarë shqiptarë të kombësisë shqiptare, pavarësisht atë « hobby-n » e tyre për të folur herë pas here një gjuhë tjetër, e cila ngjan në mënyrë të çuditshme me rumanishten. Duhet thënë se në fushën e pakicave kombëtare ose etnike, politika e autoriteteve shqiptare ka ndjekur domosdoshmërisht praktikën marksiste (6). Egzistenca e të tilla pakicave është e parashikueshme vetëm në qoftëse bëhet fjalë për elementë të kombit, të cilët deklarojnë se i përkasin një bashkësie gjuhe dhe kulture të ndryshme dhe të dallueshme, bashkësi e cila tregon të gjitha karakteristikat e një grupi mjaft homogjen dhe të paneglizhueshëm nga ana numerike. Për më tepër, kjo bashkësi duhet të tregojë lidhje të qenësishme me një territor të « vetin », që gjendet në afërsi me një Shtet fqinjë, popullsia e të cilit tregon karakteristika të përbashkëta si dhe lidhje me këtë bashkësinë tonë. Në këtë mënyre, grekët e Shqipërisë krijojnë një pakicë kombëtare ; po ashtu dhe maqedonët. Nuk është rasti i arumunëve-vllehë të cilët nuk kishin as homogjenitetin e kërkuar, as një gjuhë standarde, aq më pak një lidhje të çfarëdoshme me një vend fqinjë (7).
Vetëm pas shembjes së sistemit totalitar, arumunët mundën të organizohen në shoqatat e para të natyrës kulturore, nën emrin e një identiteti arumun.Shteti pas-komunist shqiptar i njohu përfundimisht si një pakicë të përveçme dhe të dallueshme ndërkohë që Rumania « amë », në një hov të vërtetë patriotizmi, ju premtoi bursa studimesh nga arka e Shtetit rumun, me kusht që të vinin në dukje origjinën e tyre vllehe. E konsideruar nga autoritetet e Tiranës si një iniciativë në kufijtë e ndërhyrjes në punët e brendshme, kjo lloj politike u braktis shumë shpejt. Megjithatë, ajo çka ju mungon në mënyrë mizore vllehëve është pikërisht ky identitet : ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre e përcaktojnë vehten si shqiptarë me referenca arumune, pjesa tjetër heziton mes arumun pro-grek dhe arumun pro-rumun. Diferenca mes tyre përcaktohet nga fakti se të parët kanë zgjedhur Greqinë për të punuar ndërkohë që të dytët kanë preferuar Rumaninë si vend studimi për fëmijët e tyre.
Pakica më e injoruar dhe më e shpërndarë është pa dyshim ajo e romëve. Ajo jeton mbi tokën shqiptare që prej shekujsh, ndërkohë që dëshmitë e para vijnë nga shekulli i XVtë. Të njohur nën një varg emrash të ndryshëm, shpesh përbuzës (gabel, magjyp, arixhi, kurbat, katal apo dhe qifto), kjo pakicë është instaluar në periferi të qyteteve të mëdha si Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër ose Korçë, shpesh në lagje të jashtme të veçanta, sikundër dhe ne një varg fshatrash të fushës së Myzeqesë ose të Beratit. Romët shqiptarë grupohen një gjirin e katër tribuve kryesore : Meçkarët, Kabuzitë, Kurtofët dhe Cergarët (8), nën këtë emrin e fundit fshihen në të vërtetë dy tribu diferente : “Shkodranët” dhe “Besaqe Roma”. Njëkohësisht, në territorin shqiptar jeton një grup tjetër njerëzor, i afërt me romët, jevgjit, të cilët ndajnë me të parët një fat të përbashkët dhe një përbuzje pothuaj të njejtë – megjithëse ky grup i dytë refuzon me këmbëngulje të identifikohet me të parin. Sipas specialistëve, në këtë rast bëhet fjalë për individë me origjinë egjyptiane, bile dhe kopte, të ardhur në Ballkan që prej shekujve të parë të epokës sonë. Çka mbetet tepër e vështirë, eshtë shifrimi i këtyre pakicave. Sidoqoftë, sipas vlerësimeve të sotme numri i përgjitshëm i tyre luhatet nga 10.000 deri në 150.000 vetë (9). Gjatë egzistencës së tyre të gjatë mbi tokën shqiptare, romët kanë mundur të realizojnë një bashkëjetesë përgjithësisht të qetë dhe paqsore me grupet e tjera etnike ose me popullsinë vendase dhe s’kanë pësuar persekutime masive ose të programuara për shkak të origjinës së tyre. Ata janë lënë mënjanë edhe gjatë viteve të luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që të ngjashmit e tyre kërkoheshin gjithandej në Evropë dhe dërgoheshin në kampet naziste të çfarosjes.
Romët nuk janë njohur asnjëherë si pakicë etnike gjatë rregjistrimeve të popullsisë. Vetëm duke filluar nga viti 1989 dhe me kërkesën e tyre, një pjesë e popullsisë rome u rregjistrua në atë kategorinë e ashtuquajtur « të tjerë », në listën e kombësive të gjendura mbi territorin kombëtar. Aktualisht, romët janë një pakicë ligjërisht e njohur, megjithëse kjo njohje nuk ka asnjë karakter publik. Ata vuajnë ende nga një « defiçit imazhi », të farkëtuar nëpërmjet kohës, ku mosbesimi shpesh i le vendin përbuzjes, ndërkohë që shkalla e dobët e shoqërizimit të tyre shërben si shkas për t’i përjashtuar edhe më tepër nga shoqëria.
Përfundimisht, më e tërhequra nga pakicat është ajo çifute, e lashtë prej disa shekujsh dhe e përbërë nga disa qindra vetë, të përqëndruar sa në Tiranë aq edhe në Vlorë. Tejet e matur, ajo mundi të mbijetojë gjatë viteve të pushtimit fashist dhe nazist të vendit dhe më pas, të shkrihet në masën njerëzore të periudhës komuniste. Mes viteve 1991 dhe 1992, pothuaj e gjithë kjo bashkësi morri rrugën e Izraelit, duke ndjekur thirrjen e Shtetit Hebre, sigurisht edhe me bekimin e autoriteteve lokale.
Pas kësaj paraqitjeje të gjatë të gjendjes së pakicave kombëtare ose etnike mbi territorin shqiptar, nën dritën e deklaratave të përfaqsuesve të vetë pakicave, ajo shifra prej 5 ose 6% e dhënë prej autoriteteve shqiptare paraqitet fort e dyshimtë, për të mos thënë e falsifikuar. Mjafton të aplikosh aritmetikën e thjeshtë ! Në rastin më të keq, bëhet fjalë për 400.000 grekë për të mos thënë më shumë, për 350.000 maqedonë, për 200.000 vllehë dhe për 150.000 romë dhe të tjerë jevgj – pa llogaritur disa mijra të tjerë që i përkasin pakicave të parëndësishme : në total, 1.100.000 vetë të këtij vendi të shtrenjtë, pra një e treta e popullsisë. Përveç gjysmës së romëve, që të gjithë të tjerët janë të besimit ortodoks dhe jetojnë në pjesën jugore të vendit. Ç’duhet bërë me atë shifrën 20% të ortodoksëve që del në mënyrë të pagabueshme, sa herë që flitet për këtë vend ? Në qoftë se besojmë pakicat – si dhe ata që shpesh fshihen pas tyre – a egziston dikush në territorin e Shqipërisë që të jetë njëkohësisht edhe shqiptar « i pastër » edhe ortodoks ? Sidoqoftë, na mbetet të lumturohemi që të paktën turqit nuk kanë hyrë në këtë valle nën emrin e ndonjë identiteti të çfarëdoshëm mysliman, pasi do të na duhej të pajiseshim me një kandile – nën shembullin e cinikut Diogjen – me qëllim që të mund të kërkonim shqiptarin !
Vështrimi i fundit i takon kuadrit të pashmangshëm analitik të pjesëmarrjes së pakicave kombëtare në lojën e pushtetit politik. Tashmë pranohet si një postulat se suksesi i komunistëve pranë popullsisë lokale jugore gjatë viteve të luftës së Dytë ka qenë favorizuar falë pjesëmarrjes masive të pakicave në rradhët e rezistencës së armatosur. Ishte rasti i arumunëve, i maqedonëve sikundër dhe i grekëve të cilën jo vetëm sollën mbështetjen e tyre por dhanë njëkohësisht edhe elementët më të mirë. Mjafton të kqyret përbërja e udhëheqjes së PKSH gjatë luftës : një Koçi Xoxe i ardhur nga Negovani pranë Follorinës – me origjinë maqedone, një Nako Spiru nga Durrësi me prindër vllehë ose dhe i një Spiro Koleke, i zbritur nga Himara me namin greke. Tradita ripërtëritet nga PPSH pas luftës : në vend të Xoxes që përfundoi në litar ose të Spirut që preferoi plumbin e kobures së vet, të tjerë të rinj arumunë dhe maqedonë ngjisin shkallët– në krah të një Koleke që duket i përjetshëm. Eshtë fakt se një e katërta, bile dhe një e treta e Byrosë Politike përbëhet nga minoritarët – sigurisht për shkak të mizorisë së tyre të veçantë, aq të vlerësuar nga komunistët shqiptarë, me të cilën trajtohej populli – të paktën kështu mendojnë vëzhguesit(10). Ky lloj terreni paraqitet fort i rrëshqitshëm pasi, përveç kësaj ndjenjë antikomuniste të thellë dhe natyrore – thuaj të lindur – të shprehur me aq bindje nga një përfaqsues i shquar i letërsisë kombëtare, egziston edhe një farë tradite që tejkalon thyerjen politike dhe konsideratat ideologjike. Edhe sikur të jetë harruar që një nga pionierët e « Rilindjes Kombëtare » ishte Naum Veqilharxhi-Bredhi, që autori i hymnit kombëtar ishte Asdreni (Aleksandër Stavre Drenova) dhe që në fund Fan Noli (Imzoti Theofan), në kohën e vet kryepeshkop i Kishës autoqefale shqiptare dhe më pas Kryeministër disamujor, që të gjithë ishin më tepër çobenj se sa shqiptarë, mjafton të kqyret edhe përciptas realiteti pas-komunist. A mund të përdoret kriteri i « mizorisë së veçantë » për të interpretuar faktin që një ish-Kryeministër si Nano që vjen nga një mjedis i greqizuar zëvendëson një tjetër ish-Kryeministër Majko që s’mund të fshehë referencat e tij vllehe, ndërkohë që si njëri dhe tjetri marrin bekimin e një Presidenti si Mojsiu – gjithashtu arumun « i pastër » ?

(1)James PETTIFER – Greek Minority in Albania in the Aftermath of Communism – ose: PETTIFER: A New Ruling Elite ?, Conflict Studies Research Centre, G 97, July 2001.
(2) Mbi këtë çështje sikundër dhe mbi pakicat e tjera kombëtare në territorin e Shqipërisë, opinioni i sotëm i Shtetit shqiptar është shprehur në: United Nations (International Convention for the Elimination of all Forms of Racial Discrimination CERD) – – Repports Submited by States Parties Under Article 9 of the Convention – Addendum Albania : CERD/C/397/Add.1, march 2003.
(3) Shih : RAPPORT soumis par l’Albanie au Conseil d’Europe conformément à la Convention – Cadre pour la Protection des Minorités Nationales – juillet 2001.
(4) David BINDER – Vlachs : a Paceful Balkan Peuple, Mediterranean Quarterly, 15. 4, 2004.
(5) Stephanie SIEVERS – SCHWANDNER – The Albanian Aromanians’ Awakening :Identity Politics and Conflicts in Post-Communist Albania, European Center for Minority Issues, ECMI Working Paper nr. 3, March 1999.
(6) Për shkak të natyrës së saj delikate, çështja e pakicave kombëtare ose etnike asnjëherë nuk është shëndrruar në debat publik. Pikpamja e komunistëve shqiptarë lidhur me këtë çështje ka qenë frymëzuar nga tezat staliniane, të shtjelluara në veprën e njohur « Marksiszmi dhe çështja kombëtare » ku pakicat konsiderohen si vazhdimësi të popullatave kombëtare që jetojnë në vendet fqinje. Kjoi gjë korrespondon gjithashtu me praktikën jugosllave të narodnost – kombësi, sipas të cilës shqiptarët e Kosovës sikundër dhe hungarezët e Vojvodinës nuk mund të konsideroheshin si popuj përbërës të Federatës, sigurisht për shkak të lidhjeve me Shtetet fqinjë, emanacion i të cilëve ata ishin.
(7) Kjo nuancë në shprehjet pakicë kombëtare dhe pakicë etnike është fshirë nga Evropa e cila, sidoqoftë, ka hequr keq për të gjetur një përkufizim të vërtetë ndaj shprehjes përmbledhëse. Megjithë fatin që tashmë përdoret një koncept i vetëm në dokumentat e ndryshëm zyrtarë dhe në mënyrë të veçantë në marrëveshjen-Kornizë të Këshillit të Eropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare (e hapur për nënëshkrim që prej vitit 1995), ajo ende s’ka mundur të gjejë unanimitetin e kërkuar. Sipas Rekomandimit 1201, të adoptuar në 1 shkurt 1993 nga Asambleje Parlamentare e Këshillit të Evropës, shprehja « pakicë kombëtare » përcakton një grup njerëzish brenda një Shteti, antarët e të cilit : a) jetojnë brenda këtij Shteti duke qenë qytetarë të tij ; b) mbajnë lidhje të vjetra, të fuqishme dhe të qëndrueshme me këtë Shtet ; c) paraqesin karakteristika etnike, kulturore, fetare ose gjuhësore specifike ; d) janë mjaftueshmërisht të përfaqësueshëm, gjithmonë duke mbetur një pakicë lidhur me pjesën tjetër të popullsisë së Shtetit ose të një krahine të Shtetit ; e) janë të frymëzuar nga një vullnet për të ruajtur së bashku atë çka përbën identitetin e tyre të përbashkët dhe npë mënyrë të veçantë kulturën e tyre, traditat, fenë ose gjuhën e tyre.
(8) Për detaje të tjera lidhur me pakicën rome, shih raportin : Roma of Albania – Minorities of Southeast Europe – Center of documentation and information on minorities in Europe – Southeast Europe në adresën internet : http://www.greekhelsinki.gr/english/reports/CEDIME-Reports-Minorities-in-Albania.html.
(9) Në qoftë se romët konsiderohen si pasardhës të tribuve nomade me origjinë nga India, të ardhur nga Azia përpara turqve otomanë, jevgjit konsiderohen si pasardhësit e emigrantëve koptë, të ardhur nga Egjipti në shekullin e katërt. Lidhja kryesore mes këtyre grupeve qëndron në faktin se shqiptari i thjeshtë s’arrin dot t’i diferencojë lehtësisht, duke i quajtur shpesh me të njejtin emër njëjtësor jevgj, i cili në përgjithësi ka një karakter përbuzës. Në të vërtetë, në qoftë se romët arrijnë të shprehen dhe të merren vesh nëpërmjet gjuhës së tyre Romani, e cala njeh një varg dialektesh dhe nën-dialektesh, jevgjit janë vetëm shqipfolës, pasi ju mungon krejtësisht gjuha e tyre e përveçme. Përsa i përket të dhënave demografike lidhur me këto popullsi, në qoftëse universitarët e Merilandit këmbëngulin që ata janë ndërmjet 10.000 dhe 120.000, MRGI (Minority Rights Group International, 1995) e vlerëson numrin e romëve nga 90.000 deri në 100.000 vet, Departamenti i Shtetit i SHBA-së pohon se ata janë 100.000 vetë ndërkohë që burimet rome e vlerësojnë numrin e tyre mes 80.000 dhe 150.000 vetë. Shih mbi këtë subjekt : European Roma Rights Center – No Record of the Case : Roma in Albania. Country Report Series, n° 5, june 1997.
(10) Shih : Ismail KADARE – Printemps albanais – Chronique, lettres, réflexions. Ed. Fayard, 1994.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: