Identitetet e thërmuara krahinore

Tradita ka dashur që shqiptarët etnikë të ndahen në dy grupe kryesorë : Gegët që sipas rregullit të përgjithshëm shtrihen në territoret veriore të vendit sikundër dhe në një pjesën dërmuese të Kosovës dhe Toskët që jetojnë në jug si edhe në një pjesë të Maqedonisë perëndimore. Zona qendrore e vendit, mes lumenjve Erzen dhe Shkumbin, përbën « kufirin » natyror, atë zonë të ndërfutjes dhe të shkrirjes reciproke, banorët e të cilës nuk janë në gjendje të thonë me saktësi kujt kategorie i përkasin.

E njejta traditë na mëson se Gegët ndjekin zakonet e të parëve të tyre dhe respektojnë organizimin e tyre fisnor në një formë më këmbëngulëse se sa bashkëatdhetarët e tyre toskë. E njejta gjë mund të thuhet lidhur me ligjin e tyre zakonor Kanunin. Siç është përmendur edhe më sipër, ky i fundit përbën shprehjen më të pastër dhe më të plotë të marrëdhënieve morale dhe psiko-emotive në fuqi prej shekujsh, kodin që përcakton fillin e jetës ose pragun e vdekjes për pjesën më të madhe të tyre.
Antropologët e parë që patën rastin t’i kqyrin në mjedisin e tyre natyror kanë vënë re karakterin asketik të gegës : të izoluar ndaj ndikimeve të huaja dhe të angazhuar në një përleshje të vazhdueshme kundër një natyre të ashpër dhe armiqësore. Robër të dyfishtë – fillimisht në gjirin e strukturave patriarkale të ngurta, dhe më tej në brendësi të fisit ku bëjnë pjesë – ata jetojnë në një vigjilencë të përhershme në banesa të izoluara, kështjella në miniaturë. Me kohë, pena e shkrimtarit ka krijuar një portret unik : këmbëngulës, bile edhe kokëfortë, fort të prekshëm dhe veçanërisht krenarë, gega reflekton imazhin e një luftëtari të palodhur, të ashpër dhe të pamëshirshëm. Mikpritja e gegës është tashmë proverbiale : bujtja e të huajit kalimtar që mbrohet nga besa e bujtësit, i cili ndoshta s’ka gjë tjetër për t’i ofruar veç bukës dhe kripës por që është gati të japë edhe jetën për t’a mbrojtur. Përfundimisht, nga pikpamja fizike gegët përqasen me tipin dinarik shtatlartë (mesatarja e shtatit mbi 1,70 metra) dhe me elemente të shumtë bjondë.
.
Pjesa tjetër e popullatës, toskët, përshkruhen si qenie më të hapura, me komunikues dhe më me imagjinatë se sa gegët. Ndoshta kjo vjen nga fakti që ata kanë vuajtur më pak izolimin gjeografik, thjesht për shkak të kontaktit të gjerë me kulturën e huaj. Megjithatë, jo gjithmonë këto shenja kanë gëzuar vlerësim të lartë të palës tjetër dhe aq më pak janë marrë për patriotizëm të flakët, pasi toskët kqyren si të prirur për bashkëjetesë dhe marrëveshje me të huajt për të mos thënë të pajisur me një shpirt lehtësisht të korruptueshëm nga pikpamja e atdhetarisë. Njëkohësisht, ata imponohen si punëtorë të pashoq, si administratorë të shkathët, pra si materialistë që nuk përtojnë të bredhin rrugët e botës për të fituar jetën.


Në këto vise jugore më mikpritëse, strukturat fisnore dhe sistemi klanik ishin zhdukur të paktën qysh prej shekullit të XIXtë. Kështu, njerëzit jetojnë në fshatra, të ndërtuara herë herë në fushë herë herë në mal dhe të drejtuara që prej kohësh nga struktura vetëadministruese të natyrës komunale. Toskët çfaqin karaktere fizike të tipit alpin : brakiocefalë dhe hiperbrakiocefalë brunë me shtat mesatar (1,67 m).
Përtej diferencave të strukturave familjare dhe shoqërore sikundër dhe trajektoreve politiko-historike të ndryshme, Gegët dhe Toskët dallohen gjithashtu në rrafshin gjuhësor, të kulturës dhe të çfaqjeve të saj etnografike, të folklorit si dhe të shprehjeve të tij artistike* :
Mund të shtojmë gjithashtu se struktura shoqërore (qëndrushmëria më e madhe e strukturave të familjeve të zgjeruara, bile në disa raste edhe e strukturave fisnore në Veri të vendit), besimi fetar (mbizotërimi i myyslimanëve sunitë dhe e të krishterëve katolikë tek Gegët, prezenca e shënuar e myslimanëve bektashi dhe e të krishterëve ortodoksë tek Toskët), ndikimet kulturore (italjane dhe sllave tek Gegët, greke tek Toskët), çekuilibri i flukseve të migracionit përtej kufijve shtetërorë (më i theksuar tek Toskët) dhe së fundi autonomia më e madhe e një pjese të Gegëve përkundrejt administratës perandorake (otomane) kanë ndikuar njëkohësisht për të thelluar tjetërsimin mes Gegësh dhe Toskësh.**
Një mënyrë tjetër për të vënë në dukje dallimet rajonale është shkalla e pjesëmarrjes dhe e ndikimit të etnisë mbi fuqinë politike. Që në kohën e tyre, otomanët kishin mundur të bënin diferencën mes elitave të zbutura toske, të gjendura në të gjitha katet e godinës parandorake, dhe kastës së bajraktarëve të paepur gegë, shpesh të pandjeshëm ndaj thirrjeve të Xhihadit islamik.. Që përpara krijimit të çdo shteti shqiptar, edhe i famshmi Skënderbej – një dibran nga Kruja, ndjeu nevojë për forcën e toskëve-lebër dhe u zgjodhi pêr nuse vajzën e Arianitit të madh. Lidhja e Prizrenit, ky simbol i pjekurisë autonomiste shqiptare nuk mund të konceptohet ndryshe përveç atij toskut monumental Abdyl Frashëri mes një deti gegësh dhe kosovarësh. Me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, tashmë është pushteti që gjendet në qendër të një gare të pamëshirshme ndërmjet gegëve dhe toskëve, të përvijuar nga një ndryshueshmëri e vazhdueshme : në këtë vit të largët 1912, Ismail Qemalit pashait të Vlorës, ju vodh pushteti nga një pasha tjetër Esad Toptani, kësaj here i Tiranës. Një dhjetëvjeçar më pas, Kryeministri Ahmed Zogolli, me origjinë nga Mati, braktisi gjithçka për shkak të një kryepeshkopi gjysëm toskë – gjysëm vlleh Fan Noli, të cilit gjithashtu ju desh të merrte rrugët për shkak të këmbënguljes së matjanit të shquar, që përfundoi Mbret i shqiptarëve.
Pas dyzet vjet pushteti komunist me origjinë gjatë viteve të ashpra të Luftës së dytë, shoku Enver – një toskë i Gjirokastrës, nuk mundi të gjejë kandidat më të përshtatshëm për PPSH-në e tij të dashur se sa Ramiz Alia, një gegë treçerek shkodran një çerek kosovar. Bile edhe demokracisë së re ju desh të respektonte rendin e përhershëm : Presidenti Berisha, me origjinë nga Tropoja në qendër të Gegërisë, i la vendin Fatos Nanos – një toskë i traditës dhe Kryeministër i llojit të vet.
Çfarë përfaqson aktualisht kjo skemë drejtuese Gegë – Toskë ? Ç’është e drejta fare pak gjë. Megjithë përputhjen e saj lineare me atë thyerjen e përhershme Veri – Jug, megjithë argumentat e saj të natyrës etnografike, gjuhësore ose kulturore, ajo mbetet një anakronizëm. Kjo mënyrë të lexuari të botës shqiptare e cila sipas gjasave e ka origjinën në shekullin e XVIIItë, u ripunua dhe u stërhollua nga fundi i shekullit të XIXtë për t’u imponuar si « standard » etnosociologjik i deshifrimit të këtij kombi të harruar, për të mos thënë të injoruar prej kohësh. Por dikotomia e dukshme mes këtyre tërësive njerëzore, e forcuar sadopak nga mendimi intelektual dhe artistik që mundohej të shprehej në dialektet përkatëse, morri një goditje serioze me vendosjen e kufijve shtetërorë. Këto vende imagjinare, Gegëri dhe Toskëri që egzistonin më tepër në kokat e njerëzve se sa në terren, u zëvendësuan nga tërësi të tjera, kësaj rradhe të prekshme pasi territoriale : nga njera anë Shteti shqiptar dhe nga ana tjetër, krahina e Kosovës si dhe viset e Maqedonisë perëndimore – të bashkuara me Jugosllavinë, sikundër dhe Çamëria – e gëlltitur nga Greqia.
Goditja e dytë po aq e fuqishme erdhi nga ana e qeverive kombëtare shqiptare. Megjithë ato simpatitë e tij natyrore ndaj bajraktarëve të tij besnikë, Mbreti Zog gjithmonë ka preferuar t’i besojë administrimin e vendit bejlerëve toskë ndërkohë që zëvendësonte Kanunin me një varg ligjesh alla evropiane. Komunizmi qe edhe më i pamëshirshëm. Hoxhës dhe shokët e tij me origjinë jugore ju është dashur të fshijnë një herë e mirë gjithçka që rikujtonte rendin e vjetër, për të kryer veprën e tyre madhore – krijimin e Njeriut të Ri. Natyrisht, përveç disa kostumeve folklorike, disa këngë dhe valle popullore, herët a vonë gjithçka tjetër ose përfundoi në kosh – ishte rasti i Kanunit dhe çfaqjeve të tij morale, të baraktarëve dhe të tjerë bejlerë – ose u riciklua dhe u rivu në shijen e kohës. Gjatë kësaj përleshjeje të pabarabartë mes traditës dhe pushtetit, Gegët e kishin humbur davanë para kohe. Asnjeri, dhe ca më pak diktatura komuniste, nuk mund t’i harronte prirjet e tyre monarqike, entusiazmin e tyre të pakët gjatë luftës nacional-çlirimtare sikundër dhe rezistencën e tyre instiktive ndaj çdo strukture shtetërore. Shumë shpejt, pushteti ju kundërvu letërsisë gegë, sigurisht për shkak të letrarëve të saj ende gjallë, që të gjithë katolikë të flakët dhe si rrjedhim antikomunistë të vendosur. Duke humbur në këtë mënyrë shpirtin e saj, variantit gegë të gjuhës ju desh të tërhiqet dhe të rrudhet për t’u katandisur në një dialekt të çfarëdoshëm të të folurit lokal, përpara se të varroset njëherë e mirë si pasojë e një Kongresi të paharruar të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, në vitin 1972. Një qindëshe e vogël leksikografësh, gramaticienësh dhe të tjerë filologë të shqipes zgjodhi si normë linguistike variantin tosk të gjuhës, e cila me këtë rast zbulonte dhe normën e saj të adhshme të standardizimit***. I gjymtuar në këtë formë, dualizmi tradicional që kish vulosur historinë e vendit ju besua asaj pjese të historisë që zakonisht ruhej në muze, i zëvendësuar nga një identitet bashkëformues gjerësisht artificial por në përputhje me dëshirën e rregjimit.
Sidoqoftë, goditja fatale erdhi nga demografia. Mjafton të ndiqen statistikat : Para Luftës së Dytë botërore, vendi kish njohur veçse dy rregjistrime të popullsisë pak a shumë të plota : i pari, i kryer gjatë vitit 1927, kish mundur të numëronte diçka më pak se një million shqiptare – më saktësisht 833.000 vetë. I dyti, ai i vitit 1939 avancoi shifrën prej 1.200.000 vetësh. Që prej asaj kohe, popullsia ka njohur një rritje të papërmbajtshme me një shkallë rritjeje vjetore demografike prej 2,7% që bie në 1,96% gjatë periudhës 1960 – 1990. Kështu, nëqoftëse që në vitin 1960, vendi kishte 1.626.000 banorë, ata do të jenë 2.430.000 në 1975, 2.761.000 në vitin 1981 dhe përfundimisht 3.335.000 në korrik të vitit 1991****. Me fjalë të tjera, brenda gjashtëdhjetë vjetësh popullsia u katërfishua dhe aktualisht vetëm një pjesë fare e vogël e saj (5 deri 6%) ruan në mendje diçka që rikujton periudhën e para luftës. Në këto kushte, kujtimet mbeten të pafuqishme përballë indoktrinimit të thellë ideologjik sikundër dhe pamundësisë për të ruajtur një kontakt qoftë dhe minimal me atë literaturë origjinale gegë, të vënë në indeks nga rregjimi komunist që në ditët e para të tij.
Aktualisht, koncepti Gegë – dhe si rrjedhim ai Toskë – çfaqet si një misticizëm i pakryer. Kjo shkrirje pothuaj e përsosur e Qenies tradicionale me idealin e tij njëjtësues, tashmë të demoduar, mbetet një kimerë dhe vetëm disa shkrimtarë guxojnë t’a reklamojnë ende. Vullnetit të tyre të ndrojtur për të reklamuar përdorimin e gjuhës gegë i duhet të ndeshet me indiferencën e sjellshme të burokratëve ose me falimentimin e plotë të sistemit të arsimit kombëtar. E parë nga ky kend vështrimi, skema jonë drejtuese bën pjesë tashmë në galerinë e imazheve të shenjta – diçka sikundër ikonat e dikurshme të gjyshes, të ndriçuara nga një kandile drithëruese me vaj mbi dollapin e qoshes – paçka se ajo vazhdon herë pas here të ushqejë analizat, mbi të cilat ndërtohet edhe arketipi shqiptar.
Çfarë mbetet kështu nga identiteti kolektiv territorial ? Pa asnjë dyshim, nên-kategoritê e ansambleve tê mêdha gegê dhe toskê – identitetet krahinore. Prej kohësh, shqiptari i mesëm preferon të nxjerrë në dukje referencat e tij lokale : krahinên e tij tê origjinês, ose qytetin mê tê afêrt. Ai është në rradhë të parë shqiptar, kosovar ose çam, një këmbë më tutje ai nxitohet t’a quajê vehten lab, dibran ose matjan dhe së fundi ai mburret si tiranas ose vlonjat, korçar ose
shkodran – përpara se të kujtohet për burimin e mirëfilltë të fshatit ose të lagjes.
Diku në nën-ndërgjegjen e tij, të gjitha origjinat nga më të vjetrat deri në më të rejat përzjehen dhe kryqëzohen për t’i kujtuar që më të qëndrueshmet dhe si pasojë më të vlefshmet janë ato të gjakut – familja e afêrt ose e zgjeruar – dhe të fisit – lidhjet martesore, miqêsitê, aleancat, ose lidhjet e klientelês – tarafet.


* Shih : Rrok ZOJZI – Ndamja krahinore e popullit shqiptar ( la division régionale du peuple albanais), në : Etnografia shqiptare ,V.1, Tiranë 1962.
** Shih : Nathalie CLAYER – Aux origines du nationalisme albanais : la naissance d’une nation majoritairement musulmane en Europe. Éd. Carthala, Paris 2007.
*** Për të krijuar një ide lidhur me ndërhyrjen e Shtetit totalitar në fushën e gjuhës dhe të kulturës sikundër dhe lidhur me perspektivat e ringjalljes së gjuhës letrare gegë, shih : Arshi PIPA – Géopolitique de la langue albanaise, në : Michel ROUX (nën koord.) – Nations, États et Territoire en Europe de l’Est et en URSS. collection « Pays de l’Est » l’Harmatan 1997 ; ose dhe : Ardian VEHBIU – Standard Albanian and the Gheg Renaissance: A Sociolinguistic Perspective, në : International Journal of Albanian Studies (IJAS), vol 1, issue 1, fall 1997, N Y.
**** Ritmet e shpejta të rregjistrimeve që kanë rifilluar në 1945 (çdo pesë vjet deri në 1960, më tej praktikisht çdo dhjetë vjet) vazhduan deri në 1989. Rregjistrimi i fundit ishte ai i vitit 2001. Mes dy rregjistrimeve të fundit, një varg ngjarjesh ekonomike dhe politike – rënia e komunizmit dhe rrebelimi i 1997 – si dhe fenomemensh demografike – emigracioni i shfreuar – kanë tronditur thellë procesin natyror të zhvillimit të popullsisë së vendit. Shifrat e fundit zhgënjyen projektimet dhe vlerësimet e Institutit Kombëtar të Statistikës (INSTAT). Sipas këtij të fundit, vendi duhej të numëronte 3.248.836 banorë në vitin 1995 ose përfundimisht 3.368.600 banorë në dhjetor 1998. Por, sipas rezultateve të rregjistrimit të 2001, vendi numëronte vetëm 3.069.275 banorë nga të cilët 10.8% nën pragun e 6 vjeçëve dhe 7.5% mbi atë të 65 veçëve. Përsa i përket shtatëdhjetvjeçarëve dhe më sipër, ata përfaqsojnë vetëm 2.6%.

1 Responses to Identitetet e thërmuara krahinore

  1. £IB€RTA$ thotë:

    remarquablement bien écrit

Lini një koment