Identitetet shpërthyese jashtëterritoriale

Është thënë bile edhe stërthënë përgjatë gjithë historisë shqiptare moderne se përcaktimi i kufijve veriorë të Shtetit të sotëm shqiptar nga ana e Fuqive të Mëdha në 1913, legjitimoi coptimin e një pjese të konsiderueshme të territoreve të banuara nga një popullsi shqipfolëse, në përfitim të fqinjëve serbë dhe malazezë. Në 1981, këta shqiptarë të Jugosllavisë ishin diçka më tepër se 1,7 milionë vetë, ose 8% të popullsisë të të ndjerës Federatë. Rreth 70% e tyre gjendeshin në Kosovë, 20% të shqiptarëve banonin tashmë në Maqedoni dhe mbetja prej 10% në Mal të Zi. Xhepa pak a shumë të rëndësishëm dhe pak a shumë të izoluar gjendeshin në Sanxhak, në Serbinë e mirëfilltë bile deri dhe në Vojvodinë. Shqiptarët e Kosovës ose kosovarët i përkasin globalisht grupit linguistik gegë. Falë shkallës së tyre tejet të lartë të lindjeve (29,9‰ në vitin 1989), numri i tyre e ka tejkaluar 2.000.000 vetë, në një krahinë ku ata përfaqsojnë mbi 90% të popullsisë të përgjithshme. Për më tepër, kjo popullsi është shumë e re – në 60% të saj, ajo është nën moshën 27 vjeç. Realiteti prezent – një Kosovë nën tutelën e OKB-së dhe në rrugë drejt pavarësisë – fshin lojën e ndërlikuar të shifrave dhe të përqindjeve, këtë ushqim të përditshëm të propagandës zyrtare të Beogradit dhe të kundër-propagandës së Prishtinës. Exit, pra kjo histori e përbashkët disa dhjetëvjeçare mes serbësh dhe kosovarësh, në gjirin e një Jugosllavije hibride, në mutacion të vazhdueshëm.
Si u arrit në këtë pikë ? Mos ishte vallë ajo politikë e qëllimshme të Titos, i cili shfrytëzoi rritjen e nacionalizmit shqiptar për të thyer hegjemoninë e serbëve, në gjirin e Jugosllavisë, që i vuri zjarr barutit (1)? Apo shkaku ishte ai dështim i madh të historisë që quhet teoria marksiste e kombit, e cila në rastin e Kosovës mori formën e një krize të rëndë të sistemit, të ideologjisë së tij dhe të mënyrës së tij të funksionimit (2) ? Këto hipoteza të formuluara nga palët kundërshtare nisen nga një përfundim i njëjtë : falimentimi i thellë i projektit federal jugosllav. Mbetet evidente edhe për vëzhguesin më modest se, që prej vitit 1981, Shteti hoqi dorë turpërisht nga kryerja e detyrës së tij prej moderuesi dhe ndërmjetësi. Dialogu social dhe toleranca ndëretnike i lanë vendin dhunës « legjitime » institucionale ndërkohë që raporti Shtet – qytetar u zëvendësua nga konflikti Shtet kombëtar – bashkësi etnike.

Tellallët e pushtetit qëndror të një Shteti shumëkombësh kritikuan përbërësen minoritare lidhur me përdorimin e lindshmërisë së shfrenuar si armë demografike, paralelisht me ushtrimin e frikësimit dhe të presionit për të përshpejtuar largimin e elementit sllav. Për të frenuar rrezikun e eksplozionit, kjo gjë justifikoi në mënyrë të heshtur përdorimin masiv të dhunës, bashkë me mjetin e fundit të « zgjidhjes finale » – pastrimin etnik të kahinës. Si përgjigje, pakica u organizua në një shoqëri paralele e cila, nën ndikimn e ngjarjeve, u radikalizua deri në momentin e lindjes të një lëvizjeje tashmë të armatosur, të një tendence shkëputëse. Goditja prodhoi një konflikt të përmasave evropiane dhe ndërkombëtare që ndikoi ndjeshëm në ndryshimin e mëtejshëm të kontureve gjeopolitike të Ballkanit.
Për një varg arsyesh, situata e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni (FYROM) është cilësisht e ndryshme nga ajo e kosovarëve. Shkaku i parë dhe ndoshta i vetëm është se masa e tyre njerëzore nuk siguron atë forcë shpërthyese të masës kritike. Në vitin 1948, pak kohë pas krijimit të Republikës Federative të Jugosllavisë – me Maqedoninë në rolin e njërës prej Republikave përbërëse – bashkësia shqiptare numëronte 197.400 vetë, pra 17,1% të popullsisë lokale. Megjithatë, shqiptarët nuk e përfituan statusin e pakicës kombëtare. Ata ishin thjesht qytetarë të zonës së dytë që lakmonin liritë e akorduara ndaj sivëllezërve të tyre të Kosovës ose të ngjashmëve me ta të Vojvodinës, në epokën e Krahinave autonome.
Shkëputja e vështirë e Maqedonisë nga trungu amë në janar 1991 dhe së fundi, njohja ndërkombëtare e këtij shteti të ri në prill 1993, ju dhanë shpresa të reja shqiptarëve për t’u afirmuar nëpërmjet çfaqjes në skenën politike të vendit. Popullsia shqiptare, e përqëndruar kryesisht në pjesën perëndimore, rreth aksit Strugë – Gostivar – Tetovë – Shkup – Kumanovë, fillimisht u ndërgjegjësua për peshën e saj numerike. Falë 440.000 antarëve të saj në vitin 1994 (3), falë gjithashtu shkallës së lartë të lindjeve – praktikisht të njejtë me atë të kosovarëve (29.9‰), ajo përbënte një të katërtën e popullsisë totale të Republikës së Maqedonisë.Shumica maqedone tregoi një sens të mprehtë praktik : në përfundim të zgjedhjeve të para të lira, partitë politike kryesore të saj kërkuan pjesëmarrjen e formacioneve shqiptare në gjirin e qeverisë së parë të koalicionit. Sepse këta të fundit zotëronin një të pestën e parlamenti maqedon ! Kështu për herë të parë, shqiptarët u shëndrruan në aktorë të jetës politike të vendit, me ministrat e tyre, me deputetë dhe të tjerë ambasadorë. Duke shfrytëzuar rastin, pakica zhvilloi atëhere objektivat e pjesëmarrjes së saj aktive në të gjitha nivelet e pushtetit, të ngritur mbi konceptin e barazisë së plotë me shumicën dhe me këtë rast, ajo radikalizoi tonin e ndërhyrjes së vet.
Duke patur frikë shpërthimin e strukturës shtetërore ende të brishtë dhe pasi i llogariti këto çfaqje si shprehje të irredentizmit shqiptaromadh, pushteti qëndror ndërhyri pa ceremoni. Me këtë rast, shqiptarët kuptuan më në fund se ata mbeteshin ndoshta aktorë, por gjithmonë të zonës së dytë.
Mbyllja gjeografike e Maqedonisë ju ofroi shqiptarëve një argument të dytë, kësaj rradhe të paneglizhueshëm : ky FYROM i porsalindur gjendej në mes të Ballkanit dhe ai ishte i detyruar herët a vonë të përdorte rrugët që çonin drejt detit – nëpërmjet Greqisë në jug ose nëpërmjet Shqipërisë në perëndim. Por meqënëse Greqia tregonte në këtë epokë një gjaknxehtësi tepër të rritur, bile dhe ndaj vetë egzistencës së Shtetit maqedon, i vetmi kalim i praktikueshëm mbetej ai mespërmes Shqipërisë fqinje – mëmëdheut të pakicës zhurmëruese. Sidoqoftë, raportet gjeopolitike të sotme në Ballkan nuk paraqesin më atë karakterin e tyre të ngurtë dhe të pandryshueshëm të kohës së para-Murit të Berlinit : e detyruar nga Bashkimi Evropian, Greqia u detyrua të heqë bllokazhin në tetor 1995 ndërkohë që Shqipëria një vit më vonë hynte në një periudhë trazirash të mëdha dhe krizash të brendshme që çuan në pranverën e stuhishme të vitit 1997 dhe që e larguan nga skena e politikave ballkanike. Me këtë rast, shqiptarët e Maqedonisë u gjendën të zhgënjyer në aspiratat e tyre nacionaliste dhe të braktisur në shpresat e tyre mbarëshqiptare.
Qeveria e Shkupit gjithmonë ka qënë e shkalafitur mes nevojës së sigurimit të një njohjeje të plotë ndërkombëtare, detyrës të normalizimit të jetës politike dhe ekonomike të brishtë dhe dëshirës për të ushtruar një pushtet që gjithmonë ka lënë përshtypjen që po i shpëtonte nga dora. Nga ana tjetër, sfida shqiptare është fort e madhe : kjo pakicë që përfaqson një të katërtën ose një të tretën e popullatës kërkon statusin e përbërëses kushtetore ose të kombit kushtetues. Si pasojë, gjuha shqipe duhet të njihet si gjuhë zyrtare me të drejta të plota.
Ajo çka rrezikoi të përmbyste këto raporte force ishte lufta e Kosovës dhe vërshimi në vend i rrefugjatëve shqiptarë. Brenda disa javësh, autoritetet maqedone u detyruan t’u hapnin derën, shpesh edhe kundër dëshirës së tyre, 230.000 kosovarëve. Në qershor të vitit 1999, ky numër u luhat rreth 400.000 vetësh. Pra me fjalë të tjera, numri i shqiptarëve praktikisht u dyfishua. Përsa i përket rrefugjatëve, vetëm ndihma masive ndërkombëtare mundi të zgjidhë një situatë të dëshpëruar, ndërkohë që u desh ndërhyrja e Evropës dhe e SHBA-së për të përmbajtur reaksionet thellësisht negative të qeverisë maqedone. Shkupi zyrtar i frikësohej njëkohësisht barrës ekonomike të pakapërcyeshme, ndryshimit të pakthyeshëm të raportit demografik, përgjigjes së dhunshme të pjesës proserbe të popullsisë së saj dhe së fundi, rritjes së aktivitetit të UÇK-së në territorin e vet.
Pjesa më e madhe e këtyre skenareve katastrofikë u zhdukën shumë shpejt : një a dy muaj më vonë, masa e stërmadhe e rrefugjatëve kosovarë ishte kthyer në tokat e vete, në brazdën e forcave të NATO-s ; ekonomia maqedone krijoi një dinamikë të re tepër pozitive falë ndihmave ndërkombëtare si dhe shpërblimeve për sjellje të mirë ; manifestimet lokale të serbofilëve s’mundën kurrë të shqetësonin dispozitivin e fuqishëm të forcave të NATO-s të instaluara në vend. Vetëm UÇK (4) mundi të shëndrrohej në një rrezik të vërtetë për pushtetin qëndror, në një kontekst fort të ngjyrosur me ndjenja nacionaliste, në mes të një bollëku armësh nga të gjitha llojet dhe së fundi, në kushtet e lulëzimit të një trafiku të gjithëllojshëm. Ndeshja që zgjati disa muaj – nga marsi deri në gusht 2001 – mes një ushtrie të rregullt, të demoduar dhe pa përvojë dhe një guerrilje e vendosur dhe e organizuar sipas modelit kosovar përfundoi në barazim : duke llogaritur humbje pothuaj të njejta në njerëz, sejcila nga palët deklaroi se nuk ishte mundur. Sidoqoftë, pakica shqiptare mundi të tërheqë vështrimin e bashkësisë ndërkombëtare ndërkohë që « impononte » kërkesat e saj për ndryshime kushtetore.
Duke përdorur armën e saj legale më të frikshme – dinamikën demografike – pakica shqiptare llogarit të peshojë gjithmonë e më tepër në të ardhmen e Republikës së Maqedonisë. Po sikur kjo pakicë të shëndrrohet në shumicë (5) në një Shtet që eviton të kqyrë realitetin në fytyrë dhe që gjithmonë shtyn për më vonë afatin e pashmangshëm të çështjes së tij shqiptare ? Këta shqiptarë të Kosovës, sikundër dhe shqiptarët e Maqedonisë, zotërojnë vallë një identitet rajonal të përveçëm, të ndryshëm nga identitetet rajonale shqiptare të mirëfillta ?
Një grup elementësh bashkëveprojnë në favor të një përgjigjeje pozitive (6). Tashmë, Kosova përbën një tërësi territoriale dhe administrative të dukshme dhe të prekshme – që ndoshta nesër do të shpallet « Shtet », e cila zhvillohet dhe do të vazhdojë të zhvillohet paralelisht me Shtetin shqiptar. Sigurisht, në bazë të sejcilit nga këto formacione shtetërore gjendet një bashkësi e dalë nga e njejta origjinë, me zakone dhe gjuhë të themi të përbashkëta për të mos i quajtur të njejta, indiferente ndaj kufijve. Por pikërisht nëpërmjet vendosjes së këtyre kufijve, historia ndau njerëzit, familjet ose fiset të cilave ju desh të rikrijohen për të jetuar një realitet të ri : atë të një pakice etnike në sensin e gjuhës dhe të fesë, në gjirin e një shumice tjetër, mbajtëse të pushtetit në Shtetin e vet.
Pashmangshmërisht, raportet e reja çojnë në rikrijime të reja të brendshme shoqërore, duke gjeneruar qëndrime dhe praktika të ndryshueshme. Mjafton të ndiqet evolucioni i shoqërisë kosovare gjatë viteve Tito, më pas gjatë viteve Millosheviç për të mos thënë gjithashtu gjatë viteve Rugova. Kosovarëve ju desh të ngjizin përvojat e tyre politike dhe ekonomike, vizionet e tyre specifike, të krijojnë elita të dallueshme, koncepte shoqërore të ndryshme dhe së fundi, sisteme vlerash të përveçme. Ajo çka është më e rëndësishme, që prej momentit që kosovarët arritën të kuptonin se ishin në gjendje të vendosnin vetë mbi fatin e tyre, morri fund miti kozmogonik sipas të cilit Shqipëria e mirëfilltë përbën qendrën e gjithësisë shqiptare. S’ka më « nënë Shqipëri » dhe « vajza e saj Kosovë» ; tashmë ka vetëm « motra » dhe « vëllezër » – pra të gjithë të barabartë.
Një proces tjetër paralel zhvillohet në Maqedoni ku frika e të qënit një pakicë e pagojë gjen ekuivalentin e saj në kryelartësinë e përçimit të një lloj kulture të përveçme, megjithëse shqiptare. Mirëqenia materiale relative e bashkësive shqipfolëse, e përforcuar nga pesha e myslimanizmit në jetën shoqërore i shtyn shqiptarët e Maqedonisë të kqyrin « vëllezërit » e tyre nëpërmjet një optike diferencuese ku përçmimi ndaj « prapambetjes » ekonomike të Shqipërisë pas-hoxhiane përzjehet me llahtarinë e « shthurjes » së zakoneve në Kosovën fqinje (7).
Sidoqoftë, angazhimi i vendosur në një proces të tërë përvetimi njëjtësor, i shprehur në lëminë politike – krijimi i partive politike dhe pjesëmarrje aktive në qeverisjen e vendit, sikundër dhe kulturore – çelja e Universitetit të Tetovës, dëshmon për një vullnet tashmë të formuar që synon të gjejë vendin e vet të merituar në familjen « e madhe » shqiptare.Ky vështrim i ndryshëm mbi vetvehten çoi në mënyrë të pashmangshme edhe në një vështrim të ri ndaj Tjetrit, ndaj atij që nuk bën pjesë në familje.
Vetë Shqipëria fqinje me ata gegët dhe toskët e saj të përjetshëm aplikon një kqyrje diferenciale mbi botën rrethuese : ndërkohë që të parët preferojnë Italinë përballë dhe Malin e Zi fqinjë (8), të dytët paraqiten si të dashuruar ndaj Greqisë bujare. Përsa i përket Kosovarëve, ata projektohen drejt Evropës qëndrore – gjithmonë në qoftëse Gjermania e tyre e dashur dhe Zvicra e pasur vazhdojnë të bëjnë pjesë në të, pa harruar edhe Serbinë e rrezikshme. Të gjithë kosovarët e botës e dijnë se tashmë fleta serbe është kthyer një herë e mirë. Megjithatë, Serbia mbetet fqinji i fuqishëm dhe kërkon të drejtën e kqyrjes në mos më tepër, mbi ata dhjetra mijra serbë që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë. Më tej, është edhe ajo pakica tjetër shqiptare e Serbisë së jugut – e përqëndruar në zonën mes Preshevës, Medvegjes et Bujanovcit (9), ndaj të cilës Kosova ndjen ndërkohë instiktet mbrojtëse të nënës.

1) Dushan T. BATAKOVIC– Kosovo : la spirale de la haine. Ed. L’Age d’Homme, Lausanne, 1993.
2) Muhamedin KULLASHI –
Humanisme et haine, les intellectuels et le nationalisme en ex-Yougoslavie. L’Harmattan, Paris, 1998.
3) Një nga aspektet më të dukshme të marrëdhëneve të ndera mes shumicës maqedone dhe pakicës shqiptare është « lufta » e shifrave të rregjistrimeve të popullsisë. Të përdorur në rradhë të parë si argument politik nga njëra palë dhe nga tjetra, rezultatet e këtyre rregjistrimeve jenë hedhur poshtë rregullisht. Veçanërisht shqiptarët kanë bojkotuar një varg rregjistrimesh dhe kanë vënë në pyetje rezultatet. Kështu, rregjistrimi i vitit 1994, i zhvilluar nën kontrollin ndërkombëtar dhe i financuar nga Bashkimi evropian dhe nga Këshilli i Evropës vuri në dukje se popullsia e vendit përbëhej nga 67% maqedonë sllavë, nga 23% shqiptarë si dhe nga pakica të tjera : turq (≈ 4%), romë (≈ 3%), serbë (≈ 3%) dhe të tjera pakica (1%). Sidoqoftë, shqiptarët konsiderojnë që numri i tyre ishte zvogëluar qëllimisht me 10% për të mos thënë 20%, si rrjedhim i përdorimit të mekanizmave juridikë të ligjëruara nga Parlamenti i vendit. Mbi këtë subjekt, shih : Christophe CHICLET, Bernard LORY (nën drejt.) –
La République de Macédoine, nouvelle venue dans le concert européen, l’Harmattan, Paris 1998.Rregjistrimi i fundit i popullsisë, i kryer në 2002, dha një tabllo më të plotë dhe më të kjartë të përbërjes etnike të Republikës maqedonase. Rezultatet tregojnë se maqedonët sllavë janë 1.297.981 vetë, ose 64,18% të popullsisë së përgjithshme (2.022.547 banorë). Në të kundërt, shqiptarët « e pastër » janë 509.083 vetë, ose 25,17%. Mbetja prej 10,65 % i takon pakicave të tjera etnike.
4) Autoritetet maqedone gjithmonë kanë denoncuar një farë ndërhyrjeje të mjediseve politike kosovare në punët e saj të brendshme, veçanërisht në rastin e UÇK. Pa harruar lidhjet e shumëfishta dhe të ngushta mes dy bashkësive shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë, është për t’u shënuar se pjesa dërrmuese e intelektualëve shqiptarë të FYROM-it është produkt i Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 80 dhe 90, gjë e cila shpjegon edhe një ndikim të qartë të lëvizjeve politike kosovare të periudhës pas Titos. Përsa i përket UÇK-së, duhet precizuar se ajo u çarmatos dhe u shkri zyrtarisht sipas kërkesave të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, e aprovuar në 21 qershor të vitit 1999. Në shtator të vitit 2000 çfaqet një strukturë e re ushtarake, UÇPMB (Ushtria e Çlirimit të Preshevës, të Medvegjes të dhe Bujanovcit) që vepronte në jug të Serbisë, 10 ose 20 kilometra nga kufiri maqedon dhe vetëm disa muaj më pas, në janar të vitit 2001, çfaqet hapur një UÇK e re (Ushtria e Çlirimit Kombëtar) në Maqedoni.
5) Mjafton të ndiqet dinamika demografike e Shqipërisë dhe e Kosovës për të parashikuar momentin që do të ndryshojë përfundimisht natyrën e Shtetit maqedon. Në Kosovë, popullsia shqiptare u dyfishua brenda 20 vjetëve : nga 646.805 vetë në 1961, ajo kaloi në 1.226.736 vetë në 1981. Në Shqipëri, asaj ju deshën 30 vjet : nga 1.626.000 në 1960 numri i saj arriti në 3.335.000 vetë enë 1991. Duke patur parasysh treguesit demografikë që mbeten thellësisht të ngjashëm (shkalla e lindjeve, e vdekjeve ose e vdekjes foshnjore) për të tre zonat e banuara nga shqiptarët, dhe duke mbetur në hipotezën që popullsia sgqiptare e Maqedonisë do t’a ruajë tendencën e sotme, mund të hedhim hipotezën që përpara 2030 (ndoshta që në 2025) ajo do të tejkalojë milionin dhe që rreth 2050, ajo do të shëndrrohen në shumicë. Të mos harojmë se në bazën e këtij vlerësimi mbeten shifrat e rregjistrimit të popullsisë të vitit 1994, dhe si pasojë skenari i parashikuar është më i favorshmi për maqedonët pasi, sipas shifrave të deklaruara nga vetë shqiptarët, mund të themi pa u gabuar se kjo ngjarje muns të arrijë një dhjetëvjeçar më përpara. Ish-Presidenti Kiro Gligorov ieshte edhe më pesimist ndërkohë që predikonte se shqiptarët e Maqedonisë do të përbëjnë gjysmë e popullsisë së vendit që në vitin 2015.
6) Shih mbi këtë çështje : Antonina ZHELYAZKOVA –
Albanian Identities, International Center for Minority Studies and Intercultural Relations, Sofia, 2000 ; ose dhe : Antonina ZHELYAZKOVA – The Three Albanian Communities And Their Prospects – Six Months Later, International Center for Minority Studies and Intercultural Relations, Sofia, 1999.
7) Shih : Nadège RAGARU –
Questions albanaises, Critique Internationale Nr. 13, octobre 2001 ; në :
www.ceri-sciencespo.com
8) Përveç lidhjeve tepër të vjetra që bashkojnë Gegët me Malazezët, egziston edhe një pakicë e rëndësishme shqiptare në Malin e Zi. Shqipfolësit janë përqëndruar në disa fshatra dhe qytete kufitare të maleve të Grudës, mbi bregun e e djathtë të Bunës si edhe në disa qytetet bregdetare si Ulqini dhe Tivari. Me afërsisht 50.000 vetë, kjo bashkësi përfaqëson 7 deri 8% të popullsisë të përgjithshme të Malit të Zi. Shpërngulja e kosovarëve gjatë luftës dyfishoi numrin e popullsisë shqiptare, pa mundur sidoqoftë të verë në vështirësi të veçantë egzistencën e kësaj ish-Republike të Federatës jugosllave. Që prej kohësh e harruar, për të mos thënë e detyruar të heshtë, egzistenca e pakicës shqiptare u « rizbulua » nga Presidenti Gjukanoviç në kërkim tâ aleatëve potencialë, gjatë përpjekjeve të tij autonomiste. Pas ngjarjeve të fundit që çuan në pavarësinë e Malit të Zi, kjo pakicë shëndrrohet në aktor të jetës politike lokale – një faktor i rëndësishëm që ndikon në zgjedhjet orietuese të shtetit të ri ballkanik. Lidhur me pakicën shqiptare të Malit të Zi, shih : Jovan NIKOLAIDIS – Multiculturalism in Monténégro and the city of Ulcinj, Dans : Managing Multiethnic Local Communities in the Contries of the Former Yugoslavia, Nenad Dimitrijevic (éd.), LGI/OSI, Budapest 2000.
9) E shkëputur nga pikpamja administrative nga Kosova që në vitin 1945, kjo zonë përmbledh një bashkësi prej 80.000 ndoshta dhe 100.000 shqiptarësh, të cilët përbëjnë edhe shumicën (70%) të këtyre lokaliteteve. Gjithmonë nën kontrollin e Beogradit, popullsia shqiptare e këtushme e quan vehten si një vazhdimësi të popullsisë kosovare, sikundër edhe territorin e tyre si një zgjatim të kontinuumit kosovar. Popullsia shqiptare e P-M-B e ndjeu thellë vendimin e forcave të NATO-s për t’u ndalur në kufijtë e Kosovës sikundër dhe vullnetin OKBjan për të mos prekur edhe një herë tjetër kufijtë e tashëm të Ballkanit. Duke u projektuar në një dinamikë qendërikëse, kjo pakicë zhvilloi strukturat e veta ushtarake – UÇPMB – dhe e vuri në një sprovë të vështirë pushtetin qëndror të Kushtunicës, me shpresë se do të tërhiqte vështrimin e fuqive të mëdha mbi kushtet e saj si pakicë e braktisur në mëshirën e serbëve.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: