« Çështja » Moquet dhe zemërimi i historianëve.

1. Letra.

Nënoçka ime e shtrenjtë,
Vellaçkoja im i adhuruar,
Babushi im i dashur,

Së shpejti do të vdes! Çka ju kërkoj, dhe në veçanti ty nënoçka ime, është që të jeni kurajozë. Une për vehte kam kurajo dhe dua të jem po aq (trim) sa edhe të tjerët që kanë shkuar përpara meje. Sigurisht, do të dëshiroja të jetoja. Por, ajo çka dëshiroj me gjithë zemër, është që vdekja ime të shërbejë për diçka. S’pata kokë të përqafoj Zhanin. I putha dy vëllezërit e mij Rozhe dhe Rino. Përsa i përket të vërtetit, për fat të keq s’mund t’a puth ! Shpresoj që sendet e mija personale do t’i merrni ju dhe ato mund t’i shërbejnë Serzhit i cili, dhe besoj, do të jetë krenar që t’i veshë një ditë.
Ty o babushi im, me gjithëse se të kam shkaktuar dhimbje sikundër dhe mamasë, po të përshëndes për herë të fundit. T’a dish që kam bërë ç’është e mundur që të ndjek rrugën që ke çelur përpara meje.
Një përshëndetje të fundit të gjithë miqve, si dhe vëllait tim që e dua aq shumë. Ai duhet të mësojë shumë që më vonë të bëhet burrë.
17 vjeç e gjysëm, jeta ime paskish qenë e shkurtër ; nuk ndjej asnjë pendim, përveç asaj që të zhdukem larg syve tuaj. Do të vdes bashkë me Tëntënin, Mishelsin. Mamaja ime, çka po të kërkoj, çka duhet të më premtosh, është të jesh kurajoze dhe të mposhtësh dhimbjen.
Nuk dua t’ju rëndoj më tepër. Po ju le të gjithë, ty mama, Serzh, baba, duke ju puthur fort me gjithë zemrën time prej fëmije. Kurajo !

Gija juaj që ju do fort.
Gi.

Një mendim i fundit : juve që do të mbeteni, të jeni të denjë për ne, të 27 që shkojmë drejt vdekjes.

2. Gi Moké dhe epoka e tij.

Kush është Gija ? Një gjimnazist parizian 17 vjeçar, nxënës i liceut Karno të Parisit. Babai i tij ishte deputet komunist i Parlamentit francez, i arrestuar nga qeveria e Daladierit dhe i syrgynosur në një burg të Algjerisë franceze, pas shpërndarjes së Partisë komuniste franceze, në vitin 1939. Pas arrestimit të të atit dhe pushtimit të Parisit nga gjermanët, Gija bashkohet me rezistencën dhe arrestohet duke ngjitur trakte në një nga stacionet e trenit të Parisit, nga policia franceze në shërbim të hitlerianëve. Pasi e torturuan për t’i nxjerrë emrat e bashkëpuntorëve, djaloshin e transferojnë nga një burg në tjetrin dhe përfundon në kampin e Shatobrianit, në Luarë Atlantike. Në 22 tetor 1941, ai u pushkatua së bashkë me 26 të burgosur të tjerë, si reprezalje për vrasjen e një oficeri gjerman.
Është vetë Pushë, ministri francez i Brendshëm i qeverisë Petën, që redaktoi listën e vdekjes, duke u kujdesur që të zgjidhte « mes komunistëve më të rrezishëm, të përqëndruar në Shatobrian » me qëllim që të kursejë jetën « po aq francezëve të vërtetë dhe të ndershëm ». Nën-Prefekti i vendit që asistonte në egzekutim u kujdes t’ju shpërndante të dënuarve me vdekje nga një laps dhe një copë letër. Pak çaste përpara se të pushkatohej, Gija shkruan letrën e mësipërme.

3. Memorja dhe politikanët.

Çdokush pajtohet me mendimin se vrasja e Gisë përfaqson një moment flash të historisë moderne të Francës, e mbetur në memorjen kolektive më tepër për shkak të natyrës së saj emotive dhe prekëse se sa për karakterin heroik. Sidoqoftë, kombi francez e ka përzgjedhur djaloshin komunist përmes atyre dhjetra mijra të tjerëve dhe e ka përkushtuar emrin e tij në nëpërmjet një liceu të Shatobrianit, një stacion metroje në Paris…
Më tej koha bëri të vetën dhe figura e tij u njësua me masën e të gjithë luftëtarëve të rezistencës franceze – komunistë dhe golistë, republikanë dhe demokratë, vendas dhe të huaj – që u përpoqën, u burgosën dhe u vranë gjatë përpjekjes së tyre antifashiste…. deri në momentin kur, Presidenti i porsazgjedhur i Republikës franceze, Nikola Sarkozi, shpalli që « vendimi i tij i parë » si President qe leximi në çdo 22 tetor, në të gjitha licetë e Francës, i letrës së Gisë.
« Një djalosh 17 vjeçar që jep jetën për Francën, është një shembull jo i të kaluarës por i së ardhmes. Për mua, ky lexim përfaqson një simbol të madh ».

Këtë ditë përkujtimore, Franca u zgjua e ndarë në dy kampe :
– ata që gjykonin se logjika e Presidentit të tyre ishte në fazë me idenë e bashkimit të Kombit, të një terapie të memorjes së luftës si dhe të aspekteve të saj të harruara, të një shpirti rezistent, të vlerave të kurajos dhe të angazhimit.
– të gjithë të tjerët që denonconin sipas rastit një instrumentalizim të historisë për qëllime politike (një pjesë e profesorëve të shkollave), që vinin në pah rekuperimin e një figure të komunizmit nga ana e një Presidenti të djathtë që lakmon hapjen drejt forcave të të majtës (partia komuniste franceze), që dënonin efektet e dëmshme të një teksti që fillon me fjalët « së shpejti do të vdes.. » në rradhët e liceistëve të çoroditur (psikologët dhe të tjerë psikiatrë), që rezistonin kundër një urdhri që vinte nga Ministria e Arsimit (sindikatat e profesorëve)….
Ku qëndron thelbi i « çështjes Moké » ? E parë nga larg, kjo çështje paraqitet si një grindje klasike mes përfaqsuesve të pushtetit dhe inteligjencës – një zhurmërim tipik, sekretin e të cilës e zotërojnë me aq talent francezët. E parë nga afër, kjo çështje prek ndarjen e sferave të aktivitetit dhe respektin e arbitrit të lirë : me fjalë të tjera, politika zhvillohet në parlament dhe është çështje e partive dhe organizatave politike, mësimi zhvillohet në shkollë dhe është çështje e profesorëve dhe e programeve. Aq më tepër që, pa arsye, evokohet memorja dhe historia nëpërmjet një teksti që – shkëputur nga konteksti i tij historik – ndoshta i përmban të gjitha ndjenjat njerëzore përveç rezistencës dhe antifashizmit. Në ç’moment gaboi Presidenti Sarkozi ? Përse atij ju desh të « përvehtësonte qoftë edhe një parcelë të Historisë së Francës, që në të vërtetë i përket të gjithë Francezëve » ?
Diçka është e sigurtë : Sarkozi nuk është i vetmi mes Presidentëve që i ka bërë thirrje kujtimit të rezistencës dhe të Luftës së Dytë. I pari dhe më i shquari është Sharl de Goli i cili, proklamon identifikimin e Kombit dhe të rezistencës antifashiste. akti më i përmendur i Gjeneralit mbetet transferimi i eshtrave të Zhan Mulënit, heroit të rezistencës, në Panteon – krahas Hygoit dhe Zhoresit.
Disa vjet më vonë, megjithëse në një formë të ndrojtur, Presidenti Miteran ve në dukje implikimin e rregjimit të Vishisë në çfarosjen e çifutëve ndërkohë që Presidenti Shirak përmend publikisht përgjegjësinë historike dhe fajësinë e Shtetit francez në gjenocidin e Luftës së Dytë. Kjo përgjegjësi sipas Shirakut binte njëkohësisht edhe mbi shoqërinë franceze dhe institucionet e saj. Veçse, asnjë prej Presidentëve të mëparshëm nuk kish shkuar deri aty sa të detyronte shkollën, ose t’ju bënte thirrje historianëve që të merrnin pjesë në këtë proces të rindërtimit të memorjes, të rishikimit të historisë. Ja pra edhe përmbajtja e « çështjes Moké » – tejkalimi i ndërgjegjshëm i prerogativave të Kryetarit të Shtetit dhe përzierja e tij në fushën e marrëdhënieve që i përkasin memorjes, historianëve, shkollës.

4. « E vërteta » zyrtare dhe rrebelimi i historianëve.

Cuditërisht, « çështja » Moké rikujton një skenë tjetër : atë të Kryeministrit Berisha që porosit historianët shqiptarë të rishkruajnë historinë. Pëveç rastësisë rrethanore – si dhe vullnetit zyrtar për të imponuar « të vërtetat » e tij – këto dy episode s’kanë asgjë tjetër të përbashkët. Përkundrazi, Presidenti Sarkozi i drejtohet kombit mbarë dhe i sugjeron brezave të ardhshëm të « masin » përgjegjësinë që peshon mbi çdo qytetar, atë « borxhin » e brezave të sotëm ndaj atyre të shkuar – dhe shkakton zemërimin e profesorëve dhe të historianëve, ndërkohë që Kryeministri Berisha i drejtohet një rrethi të zgjedhur dashamirësh dhe nënvizon përgjegjësinë e historianëve lidhur me shtrembërimet e qëllimshme të tyre si dhe me nevojën për t’a shkruar ndryshe krejt historinë e vendit – dhe nuk ngjall aspak reagimin e këtyre të fundit, pa folur për indiferencën e plotë të Kombit.
E thënë ndryshe dhe duke përmbysur rolet, as që mund të imagjinohet Berisha në rolin e Sarkozisë që të urdhërojë me anë të ministri të tij të Arsimit Pollo, të gjithë mësuesit e Republikës të lexojnë letrën e partizanes Persefoni Kokëdhima, të shkruar përpara varjes së saj nga të njejtët nazistë, sikundër dhe Sarkozinë në rolin e Berishës të urdhërojë historianët e vendit të tij të rishkruajnë historinë e Francës.
E di që do të më thoni se në këtë pikë Shqipëria nuk ngjan aspak me Francën. Është krejt e vërtetë, bile mbetet pak të thuhet, se edhe vetë demokracitë nuk ngjasin aspak me njera tjetrën.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: