Identitetet e shuara të diasporës.

Që prej kohës së çfaqjes të emrit shqiptar në Ballkan, ai është shëndrruar me të drejtë a pa të drejtë sinonim i dikujt që braktis vendin e vet për të shkuar e ngulur gjetkë, në pjesën më të madhe të rastit tek fqinjët. Për t’a ngulitur sa më mirë këtë ide, historianët serbë janë përpjekur prej kohësh – qoftë edhe nëpërmjet përsëritjes së parreshtur të « pushtimit shqiptar të Kosovës ». Sigurisht pasi kjo krahinë banohet prej shqiptarëve. Ndërkohë, s’njihet pothuaj fare opinioni i historianëve grekë lidhur me këtë fenomen, të cilët mbeten memecë ndaj invazionit shqiptar të Greqisë, të realizuar që prej kohësh që s’mbahen mend. Ndërkohë, vetë Zoti e di se nëqoftëse rasti i parë i shqyrtuar është tepër i dyshimtë – për të mos thënë krejtësisht imagjinar, rasti i dytë është krejt real. Shkaqet e një heshtjeje të tillë janë krejt të justifikueshme : asnjeri nuk dëshiron të pranojë që kombi i sotëm grek ka mundur të lindë mbi një rrënjë të tillë, aq më tepër që ajo sot është pothuaj e padukshme.
Sidoqoftë, historia mban mend se në mes të shekullit të XIVtë, duke ju përgjigjur thirrjes të fisnikëve bizantinë, frankë, serbë, katalanë ose venedikas, një numër valësh migruese shqiptare ripopulluan rajonet e Thesalisë dhe të Atikës, sikundër dhe një pjesë të Peloponezit. Këta banorë të ardhur rishtas mundën të themelojë një numër të madh qendrash të natyrës bujqësore ose blegtorale, duke kontribuar në këtë mënyrë në rimëkëmbjen e këtyre viseve te vjetra, të shpopulluara nga luftrat, nga uria ose nga epidemitë.
Historia mban mend gjithashtu që një valë e dytë përmbyti viset helene nga fundi i shekullit të XVtë, me shuarjen e rezistencës shqiptare kundër otomanëve, kulmi i të cilës u arrit me Skënderbeun. Me mijra familje shqiptare u instaluan në rajonet e Atikës, të Thrakës dhe në ishujt e Egjeut (Eubea, Andros, Hidra, Specia ose Salamina), të cilat u përforcuan edhe nga një pjesë e atyre shqiptarëve të vjetër të Peloponezit të detyruar të shpërnguleshin përballë përparimit otoman. Valë të tjera migruese të një mase më të vogël u zhvendosën më vonë, gjatë shekullit të XVIItë bile edhe në fillim të shekullit të XVIIItë, të cilat braktisnin vendin për t’i shpëtuar islamizimit ose hakmarrjes së fisnikëve vendas. Këtij rasti i përgjigjet ikja e Suljotëve, të përndjekur nga Ali pashë Tepelena. Kjo përzierje e përsosur mes substratit vendas dhe mbështetjes shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri dhe një gjallëri të habitshme, një aftësi të tmerrshme. Ajo ka mundur të kapërcejë kohrat dhe të befasojë otomanët gjatë të shquarit Revolucion grek. Breza të tërë marinarësh, armatolësh dhe të tjerë kleftë kanë dalë nga ky mjedis tepër shpërthyes, po ashtu sikundër dhe kundërshtarët e tyre bejlerë otomanizues si dhe milicitë e tyre myslimane, shumë shpesh me origjinë shqiptare. Të zhytur me mish e me shpirt në këtë kasaphanë të përgjakshme greko-shqiptaro-otomane, ata mundën të shkruajnë faqet më rrënqethëse të epopesë në Tripolica, në Athinë ose në Misolongji.

Ata Kollokotronët, Bubulinat, Kunduriotët si dhe të tjerë Boçarë, Miaulis ose Kanaris ishin që të gjithë me gjak shqiptar – Arvanitas, që flisnin një idiomë arkaike të dialektit toskë të shqipes. Ata luftuan, vranë dhe u vranë – bile vranë edhe njeri tjetrin – për të bërë atë Greqi të vocërr, por të pavarur mes viteve 1821 dhe 1829. Udhëtarë evropianë të asaj kohe, të cilët duke zbuluar Greqinë, kanë dalluar krejt dukshëm të dyja racat që e përbënin, grekët dhe arvanitasit (1) s’janë gabuar gjëkundi : arvanitasit i kanë ndenjur në kokë Greqisë së re ende në djepe. Ata janë përpjekur dhe kanë dhënë jetën me të njejtën kurajo për të rritur lavdinë e Greqisë, bile edhe në dëm të vendit të tyre të origjinës së dikurshme.
Duke u bashkuar në atë shkritoren ku u prodhua identiteti i sotëm grek, identitetit tjetër – atij shqiptar – ju desh të shkrihej në masën e të parit. Ishte edhe çmimi që duhej paguar për t’u shëndrruar në një qytetar grek autentik. Që prej asaj kohe, arvanitasit e konsiderojnë vehten si një kompozante të qenësishme të shoqërisë greke, duke refuzuar me këmbëngulje të identifikohen me shqiptarët e sotëm. Të kirshterë të mirë, bile edhe ortodoksë fondamentalistë dhe adeptë të kalendarit të vjetër , ata janë diferencuar përfundimisht nga Shteti që është ngritur mbi ato vise që fillimisht ishin edhe të tyret. Mohimi një imazhi të tillë të laicitetit për të mos thënë të myslimanizmit, që me kohë u shëndrrua në simbol të Antikrishtit – komunist dhe ateist, kjo ishte edhe detyra kryesore e Kishës greke, shërbëtorë të bindur të të cilës ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë. Në këtë farë antagonizmi të fshehur që ka vepruar prej kohësh mes fqinjëve ballkanikë dhe që shpesh shëndrrohet në konflikt, arvanitasit kanë zgjedhur një herë e mirë kampin e mbrojtësve të zellshëm të Shtetit grek. Paçka se shpërblimi nuk ka qenë i të njejtës mase me shërbimet (2) ! E vetmja shenjë e origjinës që vazhdon dhe mbijeton është gjuha që, e zhdukur nga sheshi publik, ka mbetur e rrudhur në qarkun familjar.
A përbëjnë arvanitasit një pakicë etnike ose kombëtare në kuptimin e vërtetë të fjalës ? Përpara se t’i lemë rradhën legjislatorit që të japë një përkufizim të qëndrueshëm dhe universal të temit « pakicë etnike », duhet rikujtuar se në tokën greke jetojnë 200.000 arvanitas (1.600.000 sipas vlerësimeve të antarëve të kësaj bashkësie) dhe që çdo përpjekje e rekuperimit të tyre me qëllime nacionaliste është e kotë dhe pa asnjë bazë. Përpara së gjithash; kjo bashkësi dëshmon egzistencën e dy fateve paralele : ai i një kombi të tërë, jetësor dhe në kërkim të vazhdueshëm të identitetit dhe ai i një dege të tij të vjetër, rojtare e një farë forme të kujtesës gjuhësore.
Shërbimi i fundit, por jo më i pakti, që ata i bëjnë Shtetit të tyre helen është roli i tyre i emërhuazuesit : pas emërtimit arvanitas fshihen sot të gjitha popullsitë e tjera me origjinë shqiptare që jetojnë në territorin grek. Rritja territoriale e mbretërisë Helenike në dëm të Perandorisë otomane që po hiqte shpirt, në fundin e shekullit të XIXtë dhe ne fillim të shekullit të XXtë, çoi në aneksimin e territoreve të gjera ku shqiptarët dhe grekët kanë bashkëjetuar prej kohësh. Zgjerimi i Greqisë drejt veriut dhe veriperëndimit ish përgatitur prej kohësh nga ana e qarqeve panhelenike të Athinës që dërgoi në këto vise banda të armatosura që terrorizonin popullsinë lokale, ndërkohë që eliminonin elementët nacionalistë shqiptare më në dukje. Në vazhdën e luftrave ballkanike, Greqia aneksoi territoret e Maqedonisë jugore, rreth liqenit të Prespës, bashkë me gjithë popullsinë e vjetër me origjinë shqiptare rreth e qark Kosturit dhe Konicës, që ishin shqiptarë të rrënjës pa qenë me gjak arvanitas. Paralelisht, Greqia aneksonte dhe territore të gjera të Epirit, duke përfshirë qytetet e Artës, Prevezës, Igumenicës dhe Janinën – pra Çamërinë e shqiptarëve ose Tsamouria e grekëve. Marrja e këture viseve, dhe veçanërisht e Epirit u shoqërua me dëbimin dhe shpronësimin e popullatave lokale shqipfolëse, myslimane në shumicën dërrmuese të tyre. Gjithkush ose thuaj gjithkush në Shqipëri mban mend ato dallgët njerëzore të ardhura nga Greqia, gjatë viteve 20’ dhe 40’ të shekullit të fundit. Bëhej fjalë për dhjetra mijra vetë, familje të tëra, një popull i tërë i quajtur çam që braktisi gjithçka kishte për t’u ngulur në toka të reja ndërmjet Konospolit dhe Durrësit. Një pakicë mbetëse u detyrua të ndrronte fenë, mënyrën e jetesës bile edhe emrat ose mbiemrat për të mbijetuar. Në vitin 1937, statistikat zyrtare greke njihnin egzistencën e 90.000 shqipfolësve, megjithë ndalimin e plotë të përdorimit të gjuhës së tyre. Sot, askush ose thuaj askush në Greqi nuk kujtohet në lidhje me këto fakte, për « pastrimin etnik » që ju kushtoi jetën me dhjetra mijra vetëve (3). Përkundrazi, sipas pikpamjes zyrtare të qeverive të njëpasnjëshme greke, aktualisht nuk egziston asnjë pakicë shqiptare në territorin grek (4). E parë nga Athina, gjithçka duket konforme pasi asnjë statistikë zyrtare nuk lejon të krijohet një ide mbi numrin e saktë të shqipfolësve ose të atyre që e reklamojnë vetvehten si të tillë. Paçka se burime jo-greke, të mbështetura mbi vlerësime të përafërta, avancojnë një numër mes 400.000 dhe 1.000.000 shqiptarësh ose me origjinë shqiptare, mes të cilëve numërohen të paktën gjysëm milioni emigrantë ekonomikë.
Një degë e dytë e diasporës shqiptare është ajo e arbëreshëve të Italisë. Kjo koloni e rëndësishme shqiptare jeton në gadishullin apenin që prej shekullit të XVtë. Një pjesë e arbëreshëve braktisi vendin e lindjes në epokën kur ky i fundit quhej ende Arbëri – vendi i arbërve, pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të qyteteve të fundit (Krujë dhe Shkodër) prej otomanëve. Të tjerë u shpërngulën nga viset greke, arvanitasit, ndërkohë që vala turke përmbytte Greqinë. Arbëreshët janë instaluar në fshatrat e Kalabrisë, Bazilikatës dhe të Siqelisë dhe kanë ruajtur zakonet dhe veçanërisht gjuhën e tyre shqipe arkaike. Nga pikpamja historike bile edhe ajo gjuhësore, arbëreshët janë mjaft të afërt me arvanitasit ; ajo çka i diferencon është lidhja me Shqipërinë : ata jo vetëm nuk kanë mohuar kurrë përkatësinë e tyre, por prej shekujsh kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në zhvillimin e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Numri i arbëreshëve vlerësohet rreth 115.000 – 120.000 vetë, të shpërndarë në 47 komuna, pjesë përbërëse e 9 provincave (Peskara, Campobaso, Avelino, Foxhia, Taranto, Potenza, Kosenza, Katanzaro dhe Palermo) dhe e 7 rajoneve (Abruco, Molize, Pulja, Kampania, Bazilikata, Kalabria dhe Siqelia).
Arbëreshët nuk njihen si pakicë kombëtare. Si rrjedhim edhe gjuha e tyre nuk bën pjesë në grupin e gjuhëve të pakicave, tutela e të cilave sigurohet nga Shteti dhe garantohet nga Kushtetuta italjane. Sidoqoftë, në rrafshin rajonal, gjuha shqipe gëzon një farë njohjeje zyrtare nëpërmjet statuteve të autonomisë së Kalabrisë, të Bazilikatës ose të Molizes.
Së fundi mbetet « la Terza Albania » ose diaspora shqiptare në Evropë dhe në botë. Pa dyshim, Turqia ka qenë prej shekujsh vendmbrritja kryesore e shqiptarëve në kërkim të punës ose të lavdisë. Stër-stërnipërit e atyre zyrtarëve ose e atyre ushtarakve, të atyre artizanëve ose tregëtarëve me origjinë shqiptare – ose arnautëve – llogariten me qindra mijra për të mos thënë me miliona, të shpërndarë gjithandej vendit dhe të përqëndruar në Stamboll, Izmir, Brusë ose Ankara. Të rrallë janë ata që e dinë këtë gjë bile edhe më të rrallë ata që përdorin gjuhën e të parëve për përdorim shtëpijak. Disa dhjetra mijra shqipfolës të tjerë janë instaluar në trojet turke gjatë shekullit të XXtë. Bëhet fjalë për kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë myslimanë të dëbuar nga Jugosllavia mbretërore dhe ajo komuniste e Titos ; bëhet fjalë për shqipfolësit çamër të Greqisë, të shkëmbyer me gërqishtfolësit e Azisë së Vogël ; bëhet fjalë së fundi edhe për shqiptarët e mirëfilltë – panislamistët, antizogistët, antikomunistët, post-komunistët, pro-Berishjanët si dhe plot të tjerë.
Përveç Turqisë, shqiptarët kanë migruar që prej shekullit të XIXtë në një numër vendesh fqinje (Rumani, Bullgari… ) ose të tjera vende të pellgut të Mesdheut (Egjipt) ku kanë krijuar koloni të vërteta, kryesisht me drejtim tregëtar (5). Mbetet gjithnjë tepër e vështirë të përcaktohet numri i tyre, aq më tepër nga fakti se në kohët më të vona, ata nuk kanë hezituar të braktisin vendin e tyre të adoptimit për të kapërcyer oqeanin në zbulim të Botës së Re.
Që nga fundi i shekullit të XIXtë, flukset migratore shqiptare u riorientuan drejt Amerikës së veriut, Argjentinës ose dhe Autralisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë gjithmonë vendin e parë, falë qendrave të tyre të mëdha industriale – Boston, Detroit, Çikago, Nju Jork – konsumatorë të mëdhenj të krahut të punës me çmim të lirë. Aktualisht, numri i shqiptarëve në SHBA llogaritet me pak qindra mijra – të ardhur nga Shqipëria, por njëkohësisht edhe nga Kosova ose nga Maqedonia, ndërkohë që në vendin fqinjë, në Kanada, ky numër mendohet se prek nivelin njëqind mijë.
Natyrisht, Kontinenti i Vjetër nuk mund të shpëtonte nga emigracioni shqiptar, i vjetër dhe i ri. Deri në një datë të vonët, Gjermania dhe Zvicra mbeteshin drejtimet e privilegjuara të kosovarëve ndërkohë që këto kohët e fundit, shqiptarët tentojnë gjithnjë e më tepër Anglinë, duke kaluar nëpër Belgjikë bile edhe nëpër Francë.

(1) Shih : Jean-Claude BERCHET (ed.) – Le Voyage en Orient : Anthologie des voyageurs français dans le Levant au XIXème siècle, Ed. Laffont, Paris 1992.
(2) Mjafton të kqyret shkalla e konsideratës që ka qeveria greke ndaj arvanitasve, të cilët i vendos si grup etnik menjëherë pas romëve. Larg përpara tyre gjenden vllehët, dopit (greko-maqedonët) ose pomakët (bullgarët e islamizuar). Për detaje të tjera, shih faqen zyrtare të Ambasadës së Greqisë në Francë :
http://www.amb-grece.fr/presse/grece/diversites_culturelles.htm.
(3) Zgjedhja e termit të përshtatshëm bëhet e vështirë : mes emërtimit gjenocid të përdorur nga përfaqsuesit çamë dhe « pastrimit etnik » kaq të përdorur në fundin e shekullit të XXtë në viset ballkanike, ka të ngjarë që fitues të jetë i dyti. Vala e parë e tmerreve dhe e masakrave kundër popullatës çame të besimit mysliman preku viset e Çamërisë pas luftrave ballkanike, në vigjilje të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Mes vrasjeve në vend, shpronësimit të tokave, syrgjynosjes së disa mijra të rinjve në ishujt egjeanë si dhe dëbimit me forcë drejt Turqisë, çamët e kuptuan mirë se çfarë çmimi duhej të paguanin për t’u shëndrruar në qytetarë grekë. Vala e dytë ndoqi nënëshkrimin e Traktatit të Lozanës (janar 1923) që parashikonte shkëmbimin e popullsive mes Greqisë dhe Turqisë qemaliste. Përballë protestës shqiptare, Lidhja e Kombeve dërgoi në vend një komision dhe arriti në përfundimin për të përjashtuar nga klauzolat e Traktatit shvendosjen e popullatave shqipfolëse të Epirit. Megjithatë, me dhjetra mijra vetë me origjinë shqiptare u shvendosën me forcë drejt Anadollit ndërkohë që me mijra të tjerë zgjodhën Shqipërinë fqinje ose emigracionin botëror. Vala e tretë, më vdekjeprurësja, ra gjatë verës të vitit 1944, vepër e EDES-it (Lidhja Kombëtare Demokrate Helene) e gjenetalit Napoleon Zerva, edhe ai me origjinë arvanitas veçse i krishterë. Rreth 30.000 myslimanë çamë, të akuzuar për kolaboracion ose mirëkuptim me forcat e Boshtit, u dëbuan drejt kufirit shqiptar. Pastrimi u krye në një deti gjaku, me shkatërrime të shtëpive dhe shpronësime të pronave, në sytë e oficerëve britanikë të ndërlidhjes. Sot, numërohen rreth 200.000 çamë myslimanë në Shqipëri dhe rreth 40.000 çamë të krishterë në Greqi. Për më tepër detaje, shih : Miranda VICKERS – The Cham Issue, Albanian National & Property Claim in Greece – Conflict Studies Research Center, G109, april 2002.
(4) Rregjistrimi i popullsisë së Greqisë, i kryer në vitin 1985, jep tabllonë e mëposhtme : grekë 98,5%, turq (myslimanë) 0,9% – rreth 120.000 vetë që jetojnë në Trakën perëndimore, pomakë 0,3%, armenianë 0,2%. Një një Ballkan ku mbizotërojnë problemet e ndërfutjes reciproke së popullsive dhe të pakicave kombëtare, Greqia përfaqson rastin « unikal » të një vendi thuajse të pastër nga pikpamja etnike,detyra thelbësore e të cilit është ardhja në ndihmë e pakicave greke që ndodhen në mënyrë krejt të natyrshme në çdo vend fqinjë.
(5) Për të krijuar një ide mbi ngulitjet e shqiptarëve në Turqi dhe Rumani, shih : Gilles de RAPPER – Les Albanais à Istanbul, Dossiers de l’IFEA, Nr. 3, Institut Français des Études Anatoliennes, 2000 ; ose : Sébastien GRICOURT – La participation de la communauté albanaise de Roumanie au mouvement national albanais (1878 – 1912), Mémoire de DREA, Institut National des Langues et des Civilisations Orientales (INALCO), Paris – juin 2003.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: