Trimëria e fundit e diplomacisë shqiptare.

Duke qëmtuar në Internet lajme dhe përmendje të atdheut të shumëvuajtur dhe të shumëdashur, më tërhoqi vëmendjen një blog në frëngjisht “Canoe Info”, nga Kebeku (Kanada) që i bënte eko një përpjekjeje të administratës së George. W. Bush. Ja edhe një përmbledhje e artikullit në disa rreshta:
Këto ditë e fundit (më saktësisht në 30 tetor 2007), Kuba i paraqiti Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, një mocion që synonte dënimin e bllokazhit të përgjithshëm, të imponuar nga Shtetet e Bashkuara pothuaj gjysëm shekulli më parë ndaj ishullit karibean. Që prej tre vjetësh, një shumicë shtetesh e dënon këtë masë ekonomike dhe tregëtare, të ndërmarrë ndaj një vendi të vogël prej 11 milionë banorësh… Kësaj rradhe ishin 184 vende solidare nga 192 antare. Katër vende votuan kundër: SHBA, Izraeli, ishujt Marshall (një arqipelag i Paqësorit me 60.000 banorë, nën tutelën e OKB dhe të SHBA deri në vitin 1986) si dhe republika e Palaos – (një tjetër arqipelag i Paqësorit me 20.000 banorë, nën tutelë deri në vitin 1994). Një vend – Mikronezia – abstenoi. Së fundi, tre vende munguan gjatë votës: Shqipëria, Salvadori dhe Iraku“.


Një varg mendimesh më vërshoi në kokë dhe përfundimisht, disa prej tyre mbetën pa përgjigje. Ja çka më detyroi të ulesha t’i ndaja me të tjerët.

  1. Fillimisht, e forcova vehten të pranoja se analisti-gazetar kanadez donte të mashtronte botën mbarë me këtë histori të shpikur fund e krye – pse jo, për të dëmtuar imazhin e kulluar të Shqipërisë. Aq më tepër që asnjë prej gazetave të vërteta (prej letre) ose virtuale (elektronike) shqiptare, në përgjithësi tejet të mirëinformuara në lëminë e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk e përmendtte një gjë të tillë. Si zakonisht, i bëra thirrje Google – armës lajmkërkuese së pagabueshme, e cila në këtë rast më largoi çdo iluzion duke më sjellë përpara një tufë me gazeta në gjuhën spanjolle që festonin „fitoren historike kubane“ – pra votimin kundër „Jo-së“ amerikane, pa llogaritur Zërin e Amerikës – që e quante „të gabuar“ votimin e OKB“ dhe vlerësonte përpjekjen kubane si njê hap tjetër për „të fajësuar Shtetet e Bashkuara për vështirësitë e saj ekonomike dhe për të larguar vëmendjen nga gjendja e mjerueshme e të drejtave të njeriut në atë vend“. Çka më tërhoqi posaçërisht vëmendjen ishte fakti se votimi i 30 tetorit vinte një javë më pas thirrjes „dramatike“ të Presidentit Bush të drejtuar botës mbarë, me shpresë për të gjetur një mbështetje në fushatën e tij kundër Kubës kastriste. Me këtë rast, Bushi kish kërkuar krijimin e një fondi ndërkombëtar, i destinuar për financimin e subversionit anti-kastrist.
  2. Përse përfaqsuesi shqiptar në OKB nuk ndoqi shembullin e SHBA-së dhe të Izraelit (për të mos përmendur ato republikat mikroskopike të Paqësorit) por e gjeti të udhës të vidhej nga salla e Asamblesë – sikundër kolegu i tij i pashtet irakian? A i bindej ai urdhërit të Ministrit të tij Basha (dhe në këtë rast porosisë së Kryeministrit Berisha) apo diçka e kish penguar të gjendej në sallë në momentin e duhur? Në rastin e hipotezës së parë, cilët janë elementët e rinj cilësorë të politikës së jashtme shqiptare që e detyrojnë këtë të fundit t’i bëjë bisht detyrimeve të pashlyeshme ndaj mikut dhe aleatit të saj të parë dhe të madh? Përse një kthesë e tillë pas asaj pritjeje të paharruar të Bushit në Tiranë? Të gjithë e dimë se Shqipëria ze një vend të veçantë në zemrat amerikane, pasi ajo ka treguar me vepra se është vendi më proamerikan në botë: ajo ishte nga të parat dhe nga të paktat që dërgoi trupa në Afganistan dhe që u bashkua me forcat amerikane në Irak, ajo ju bëri vend edhe atyre tetë të dënuarve të Guantánamo Bay, në Kubë (ah kjo Kuba!) në pamundësi për t’i dërguar në vendet e tyre. A s’ishin gazetat shqiptare ato që i kërkuan Presidentit amerikan “Ju lutemi, na pushtoni“ ? A s’janë burrat politikë shqiptarë ata që dalin kundra të gjithë kritizerëve të botës mbarë që duan të njollosin Bushin si „luftënxitës, unilateral, shkelës të të drejtave qytetare e madje deri tek mbyllja e syrit përballë torturave“? A s’ishte parlamenti shqiptar ai që aprovoi unanimisht një akt-normativ disa kohë më parë, i cili i lejon “forcat amerikane të përfshihen në operacione të çdo lloji, përfshi edhe përdorimin e forcës, me qëllim ruajtjen e sigurisë së presidentit (shqiptar)” ? A s’ishte qeveria shqiptare ajo që ndër të parat –dhe kundër mendimit të të gjithë evropianëve të tjerë – mbështeti refuzimin e Uashingtonit për të njohur autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve (kundër Njerëzimit)? Ç’farë po ndodh kështu me qeverinë e Z. Berisha?
  3. Që nga më i madhi politikan deri në më të voglin e nxënësit të shkollave janë në gjendje të shpjegojnë se origjina e kësaj dashurie pasionale shqiptaro-amerikane është ai vendimi historik i Presidentit Udru Uilson për të mos u bashkuar me përçapjen gllabëruese dhe grabitqare të Evropianëve në Konferencën e Paqes së Parsit në vitin 1918, dhe më tej, përkrahja e tij për antarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si dhe njohja ndërkombëtare e Shtetit të Ri shqiptar. Të tjerë shqiptarë me demokracinë në zemër mund të shpjegojnë gjerë e gjatë se kjo dashuri u ndez në mënyrë të veçantë gjatë vizitës së Bejkërit në Tiranë – në kohën e Bushit baba. Pavarësisht se në kohën e vet, Klintoni i kërkoi Presidentit Berisha të braktiste postin në vitin 1997 – dhe me këtë rast ky i fundit „zbuloi“ komplotin greko-amerikan për të përmbysur pushtetin demokratik në Shqipëri – me mijëra fëmijë shqiptarë morën emrat Bill ose Hillari, falë rolit të administratës Klinton në ndihmë të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Tashmë Kryeministër, Berisha i ka harruar akuzat e tij të vjetra… aq më tepër se Bushi Junior ishte një nga partizanët më të ndezur të pavarësisë së Kosovës! Them „ishte“ pasi aktualisht, ndoshta e lodhur nga kontradiktat e parzgjidhshme me Rusët e Putinit – administrata e tij po distilon një variant të ri të kësaj „pavarësie të kushtëzuar“: atë të shtyrjes në vitin 2020, për të mos thënë në „kalendat greke“. Ja edhe ndoshta arsyeja e fshehtë e mëshefjes së Z. Adrian Neritani, përfaquesit të Shqipërisë në koridoret e OKB-së: t’ju jepte të kuptonte Amerikanëve se Shqiptarët janë në gjendje të protestojnë vendosmërisht kundër qëndrimit të ri të administratës Bush lidhur me Kosovën. Ndërkohë që Presidenti Bush po braktiset nga shokët e tij të vjetër të Shtëpisë së Bardhë, me afrimin e zgjedhjeve të reja që paraqiten si katastrofike, ai po lëshohet edhe nga miqtë e tij të rinj shqiptarë. Mjer për luanin kur plaket dhe i bien dhëmbët – edhe gomari merr guxim dhe i këput shkelmin, thjesht për t’u treguar se nuk i mugon aspak trimëria!
  4. P.S: Këtë shprehje të fundit nuk e kam thënë unë por La Fonteni, në fabulat e tij disa shekuj më parë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: