Atomiku Berisha.

Kësaj here dhe në kundërshtim me vështrimin mospërfillës dhe përçmues që mbulon lajmet që vijnë nga Shqipëria, ndërhyrja e z. Berisha lidhur me gadishmërinë e Shqipërisë për t’u angazhuar në fushën e prodhimit të energjisë elektrike me origjinë bërthamore tërhoqi vëmendjen e Evropës mbarë, për të mos thënë të mbarë botës.Paneli i reaksioneve shkon nga acarimi grek në entusiazmin thuaj fëminor italjan, nga përshkrimi i ftohtë anglez në komentin zbavitës francez. Dhe jo pa arsye : në qoftë se Greqia përqas ëndrrën e fundit bërthamore të z. Kryeministër me programin aq të përfolur bërthamor iranian, Italia ka hapur kapitullin fort të suksesshëm të bashkëpunimit me vendin fqinjë ndërkohë që vendet anglofone si dhe Franca – që administrojnë Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar – janë krejt të ndërgjegjshme për pamundësinë absolute të financimit të një projekti të tillë faraonik. Sidoqoftë, nuk ja vlen të bredhësh Evropën për të analizuar shanset e realizimit të projektit shqiptar megaloman të rradhës. Mjafton të kqyret shtypi lokal, të lexohen deklaratat zyrtare dhe së fundi, t’i bëhet thirrje logjikës – asaj të shkencës – për të kuptuar dora dorës se bëhet fjalë për një vetëmashtrim fatkeq, një njohje e përciptë e mundësive dhe kapaciteteve ekonomike dhe njerëzore të vendit dhe së fundi, një vizion politik cinik që nuk i tejkalon synimet elektorale.

Duke cituar burimet e Kryeministrisë, mësohet se « Kryeministri Berisha priti në zyrën e tij përfaqësues të Westinghouse dhe Camozzi Holding spa që i prezantuan interesin e kompanisë së tyre ..për të prodhuar edhe në Shqipëri energji bërthamore ». Përgjigja e Kryeministrit përmblidhet në disa linja ndërkohë që, sejcila prej tyre përbën një temë të veçantë debati:a. « .. Qeverisa shqiptare e konsideron energjinë bërthamore si pjesë të diversifikimit të burimeve energjetike të saj. Ajo synon që në të ardhmen ta kthejë Shqipërinë në një qendër prodhuese dhe eksportuese të energjisë në rajon » b. « .. Westinghouse është teknologjia më e shkëlqyer e centraleve bërthamore në botë… dhe nëqoftë se kjo kompani gjen interes tregtar për të prodhuar në Shqipëri energji bërthamore me teknologjinë e saj, ajo është shumë e mirëpritur »c. « .. për këtë çështje nuk mund të operohet me buxhetin publik, pasi dihet nga të gjithë që këto janë investime që kërkojnë 3-4 miliardë dollarë dhe buxheti i vendit edhe për shumë vjet nuk do të jetë në gjendje të përqendrojë në një projekt të vetëm kaq shumë para. ».
  • Ështe pak të thuhet se qeveria blu e sotme shqiptare, sikundër edhe ato pararendëse rozë, përballet me një krizë energjetike të pashoqe. Aspekti më i mprehtë i kësaj krizë mbetet paaftësia kronike e burimeve egzistuese energjetike për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike. Me fjalë të tjera, errësira që ka pllakosur vatrat shqiptare që, në këtë fillimshekulli të XXI, i janë rikthyer kandiles dhe pishës si në vitet e para të Mbretërisë.Retrospektiva më përmbledhur tregon se e gjithë baza energjetike ka qenë konceptuar dhe ndërtuar gjatë periudhës komuniste. Prodhimi i energjisë elektrike realizohej në 90% të saj nëpërmjet burimeve hidrike, vepra e fundit në këtë fushë mbetet një hidrocentral i ndërtuar mbi lumin Drin me fuqi të instaluar prej 600.000 kW, i vënë në shfrytëzim në vitin 1985. Në atë kohë, Shqipëria mbante një nga vendet e para në kontinent përsa i përket natyrës ekologjike të energjisë së saj, duke qenë e varur njëkohësisht nga ligjet e rastësishme të motit dhe sidomos nga aftësia e specialistëve të saj për t’i shfrytëzuar këto burime me efikasitet. Në të vërtetë, nga momenti i shembjes së strukturës ekonomiko-politike komuniste, vendi s’ka bërë gjë tjetër veçse ka harxhuar dhe shpërdoruar energjinë që dhurohej nga qielli. Ndërkohë, vargu i dukurive politike, ekonomike dhe shoqërore të çfaqura gjatë tranzicionit demokratik shëndrroi edhe faqen e vendit : industria e vjetër socialiste u zhduk për t’i lënë vendin atyre mijra ndërmarrjeve private dhe dhjetra mijra dyqaneve e magazinave tregëtare ; disa dhjetra mijra ndërtesa private u çfaqën si këpurdha në lagjet e jashtme anarqike rreth qyteteve të vendit ; me mijra godina shumëkatëshe u ndërtuan mbi bregdet sikundër dhe në « megalopolin » Tiranë – Durrës ; gradualisht, familjet u pajisën me aparate elektroshtëpijake dhe nën presionin e shoqërisë së konsumit ato u hodhën drejt zbulimeve të reja siç është rasti i ngrohjes në dimër ose i klimatizimit në verë. Mes prodhimit statik që i bindej ligjeve të natyrës dhe konsumit dinamik që ndiqte trillet njerëzore, rrjeti i dikurshëm i shpërndarjes së rrymës u hodh në erë.Përballë katastrofës, pushteti gjeti një zgjidhje nga më të lirat – meremetimin në urgjencë. Disa transformatorë të djegur u zëvendësuan, një varg linjash të reja ju bashkangjitën të vjetrave. Kjo gjë lejonte të kalohej dimri për të rifilluar verën e ardhshme me të tjera linja, me të tjerë transformatorë, me të tjerë konsumatorë dhe ç’është më e keqja me difekte të reja edhe më të rënda, me ndërprerje të rrymës për lagje të tëra, për qytete të tjera… Kur nuk ishte shiu që bënte tekat e tij të zakonshme – ndodhte që thatësira të vazhdonte me muaj të tërë – ishin vetë njerëzit që zbaviteshin duke hedhur në erë shtyllat e tensionit të lartë.. Troç, situata ka dalë jashtë çdo kontrolli : është tashmë natyra që kontrollon kapacitetet prodhuese, janë konsumatorët që abuzojnë me fuqinë e instaluar ndërkohë që shteti nuk është në gjendje të administrojë rrjetat e shpërndarjes. Sejcili, sipas mënyrës së tij, konstaton gjendjen dhe arrin në përfundime :

Specialisti i energjetikës, ndërkohë që studion zgjidhje të tjera ekonomikisht të pranueshme dhe teknikisht të realizueshme, ëndërron kohën e artë kur çdo gjë zgjidhej me anë të hidrocentraleve. Por sa është e vërtetë që hidrocentralet mbeten një mrekulli e natyrës – aq më tepër kur janë ngritur me ndihmën dhe me kreditë e ish-vendeve socialiste – po aq e vërtetë është se ato nuk janë perpetuum mobile. Ato kanë nevojë për mirëmbajtje dhe në rradhë të parë karakterizohen nga një jetëgjatësi, pra degradim i shtrirë në kohë. Njëkohësisht, edhe rrjetat e shpërndarjes kanë tendencën të degradohen vetvetiu dhe të dalin jashtë përdorimit nëqoftë se nuk ndjekin për të mos thënë të paraprijnë zhvillimin e fuqisë së instaluar – aq më tepër nëqoftë se njerëzit veprojnë aktivisht për t’i dëmtuar me qëllim.

Administratori i energjisë vëren se vetëm 44% e energjisë së prodhuar mbrrin tek konsumatori. Pjesa tjetër humb gjatë transportit (!?) – më mirë të themi se zhduket nëpër ato miliona vrima të linjës, të shpuara nga ana e atyre që konsumojnë pa dashur të paguajnë. Por, meqënëse detyra e tij është të rentabilizojë prodhimin dhe mallin atëhere ai manipulon çmimet. Aktualisht, gjendja egzistuese e « tubacioneve » është përgjegjëse e dyfishimit të çmimit të energjisë.

Politikani bën të ditur që energjia mungon dhe dekreton lehtësimin e barrës, pasi duhet që njerëzit të edukohen të konsumojnë me kursim : dy orë ndërprerje të përditshme të rrymës në Tiranë, gjashtë orë në Durrës, shtatë në Vlorë, nëntë në Fier dhe gjashtëmbëdhjetë në Shkodër. Veç ndërgjegja e tij e din përse ky variacion kaq piktoresk sipas qyteteve ! Përsa i përket zonave jo-urbane, ndërprerjet janë edhe më të rënda : nga katër orë në rrethinat e Tiranës deri në njëzet e dy orë në ato të Fierit.

Konsumatori, ai që paguan – pasi më shumë se një e treta nuk i paguan faturat e saj, nuk e di sa ç’farë përmban kjo faturë e bekuar. Fillimisht, më tepër se 40% e familjeve qytetare (63% të atyre fshatare) nuk kanë « sahatë » ose matës të konsumit – dhe si rrjedhim ata paguajnë një forfe ; më tej, ndërprerjet e përditshme janë më të gjata se sa periudhat e lajmëruara dhe ç’është më e keqja fare të rastit. Hajde merre vesh se kur do të vijë rryma ! Por, meqënëse mungesa e rrymës elektrike sjell me vehte edhe mungesën e ujit të pijshëm, jeta e përditshme bëhet thjesht e pamundur. I vetmi variacion që sjell edhe një grimë origjinaliteti vjen nga stinët : në verë mund të durohet pa ndriçim deri vonë, mund të përfitohet nga freskllëku i hijes së pemëve ndërkohë që është mungesa e ujit që krijon problemet më të mëdha ; në dimër, është uji i shiut që mund të zëvendësojë disi mungesën e ujit të robinetit ndërkohë që këshillohet shtrirja në shtrat që në orën 17 dhe mbështjellja me mbulesa të trasha, për shkak të ngrohjes që bëhet problemi kryesor.

Përfundimisht, sejcili mendon se situata është kritike dhe që duhet të ndryshojë. Vetëm se idetë janë të ndryshme ndaj natyrës së zgjidhjeve : kompanitë e huaja propozojnë burime të reja energjie – diellore, tradicionale bile edhe atomikë, administratori mendon në rradhë të parë të blerë energji jashtë shtetit dhe t’jua shesë konsumatorëve lokalë, politikani vendos të rrisë çmimet dhe të aplikojë pagesën me nivele të konsumimit, me një çmim progresiv dhe së fundi, konsumatori – gjithmonë ai që paguan – detyrohet të paguajë edhe më tepër ndërkohë që asgjë nuk ndryshon – as rrymë më tepër as edhe ujë të pijshëm më të bollshëm. Duke pritur në këtë mënyrë që të bjerë shiu, të fryjë era dhe të ndriçojë dielli, që gazi natyror i cili duhet blerë diku të mund të vijë nëpërmjet tubacioneve që ende nuk janë shtrirë për t’u djegur në termocentralet që ende s’janë ndërtuar ; që atomi i Westinghausit të shëndrrohet në rrymë në centralet bërthamorë që gjenden në kokat a antarëve të qeverisë ; që së fundi, energjia elektrike të mund të prodhohet në sasitë e mjaftueshme, të mund të transportohet në mënyrë korrekte për të siguruar ndriçimin, ngrohjen, forcën motorike dhe ujin e pijshëm – ky konsumator duhet të zgjidhë një problem tjetër të natyrës egzistencialiste : si t’ja bëjë për të kaluar edhe këtë dimër, ndërkohë që çmimi i druve të zjarrit është dyfishuar ndërkohë që rrogat janë po ato ?

  • Askush nuk ve në dyshim namin e mirë që rrethon kompaninë Westinghouse, një prej farëve botërorë të projektimit dhe të ndërtimit të centraleve bërthamore. Po të njejtat shprehje mos edhe më tepër mund të thuhen për kompani të tjera si Framatome (Areva) franceze ose Siemensi gjerman. Por askush nuk mund të mohojë se ndërtimi i një centrali bërthamor është një vepër kapitale, ndërmarrja e të cilës nënkupton njëkohësisht një bashkëpunim aktiv shumë nivelesh mes ndërtuesit dhe vendit pritës, një studim paraprak dhe shterrues të të gjitha problemeve të natyrës së mjedisit, financiare, teknologjike dhe të shfrytëzimit, një vizion afatgjatë të zhvillimit ekonomik të vendit në përgjithësi dhe të energjetikës në veçanti etj, etj…Të vetmet elementë që njihen janë dëshira e qeverisë për të zgjidhur krizën energjetike, vullneti i saj për të përshpejtuar bazën ligjore të domosdoshme si dhe buxheti publik më se i pamjaftueshëm për një investim të tillë. Pra, ndërtimi i një vepre të tillë – po qe se do të bëhet – do t’i lihet kompanive private, gjë e cila nënkupton privatizimin e plotë të të gjithë bazës energjetike të vendit – dhe jo vetëm atë të KESH-it. Në këtë lëmi, të gjitha krahasimet e sjella nga z. Berisha lidhur me vlerën e energjisë atomike si dhe peshën e saj në ekonominë e vendeve të tjera evropiane është thjesht hipokrizi, pasi asnjë nga këto vende nuk ka guxuar ende t’ja besojë gjenerimin e energjisë së tij sektorit privat – në emër të pavarësisë së tij energjetike dhe në emër të pavarësisë të vetë vendit.Një element tjetër jo-zyrtar lidhet me vendin ku mendohet të ngrihet ky central – pranë Durrësit. Duke përjashtuar qytetin, kodrat e Hamallajt dhe vetë plazhin, varianti më i mundshëm mbetet bregdeti i Mamurrasit, diku pranë derdhjes së Erzenit dhe Ishmit. Pra, duhet gjetur një zonë prej 150-200 hektarësh, e stabilizuar dhe jashtë çdo rreziku sizmik, e pajisur me burime fort të rëndësishme uji (disa mijra metra kub në orë për ftohje), mbi të cilën do të ngrihet përgjatë një dhjetëvjeçari – në mos më tepër – një vepër që kushton rreth 1.5-2 miliardë euro (3.5-3 miliardë dollarë), me sa duket i teknologjisë PWR (pressurized water reactor) me kapacitet termik prej 3.100 MW dhe prodhimi energjie elektrike prej 1.000 – 1.100 MW. Edhe sikur kjo vepër të ngrihet – duke importuar nga jashtë që nga bulloni më i thjeshtë ose kilogrami i çimentos me cilësi të lartë deri në shufrat e karbonit të pastër ose të oksidit të uraniumit – të mos harrojmë që pasi ndërtohet, një uzinë e tillë ka nevojë për një ekip prej 800 – 1.000 inxhinierësh dhe teknikësh tepër të specializuar, përveç profesioneve të tjera ndihmëse. Nëqoftëse, sipas shprehjes së z. Berisha « Shqipëria të bëhet një superfuqi të vogël energjetike » do të duhen dy ose tre centrale të tillë, kuptohet se këto shifra duhet të shumëzohen me një koeficient dy ose tre.Ndërkohë, një burim i tillë i stërmadh energjie, fuqia e të cilit manovrohet me vështirësi, duhet të futet në rrjetin elektrik të vendit. Pra, ai duhet t’i besohet për shfrytëzim KESH-it ose pasardhësit të tij privat, preokupimet kryesore aktuale të të cilit janë sigurimi i sahatëve elektrikë dhe pajisja e banesave me to si dhe blerja e energjisë në vendet fqinje. Në këtë pikë, z. Bojaxhi është fare i çiltër : « KESH-i nuk nuk është i aftë të menaxhojë një central të tillë ». Me fjalë të tjera, atyre 2 miliardave euro duhet t’ju shtojmë edhe një ose dy miliardë të tjera për të rimëkëmbur fund e krye rrjetin e tensionit të lartë, transformatorët, rrjetin e tensionit të ulët etj. etj… për t’ju avitur standardeve evropiane që parashikojnë humbje në rrjet dhjetë herë më të vogla se ato të Shqipërisë.Sidoqoftë, edhe naivi më entuziast duhet të ketë parasysh se një central bërthamor është një vepër që ndërtohet, jeton – ose prodhon – dhe së fundi « vdes » pas 40 vjetësh jete në kushtet e teknologjisë së sotme. Pra, ndërkohë duhet menduar se si duhet « varrosur », më mirë të themi se si të zhbëhet ajo që ishte bërë nga brezat e mëparshëm të politikanëve dhe të ekonomistëve. Vendet si Franca ose Gjermania që përballen sot me të tilla probleme e dinë se sa i kushtueshëm dhe sa i ndërlikuar është një veprim i tillë!S’ka asnjë dyshim që njohuritë e z. Kryeministër në fushën e energjetikës s’kanë asnjë pikë të përbashkët me ato të zanatit të tij të parë, kirurgjisë kardiake. S’ka asnjë dyshim gjithashtu se ai i referohet raporteve dhe të dhënave të furnizuara nga këshilltarëve të tij. Do të dëshironim thjesht të dinim se në ç’masë, mendimet dhe përvoja e specialistëve të energjetikës së vendit janë shkrirë në talentin parashikues të Znj. Zana Guxholli, urtësia dhe titujt në ekonomi të të cilës gjithashtu s’kanë të krahasuar me diplomën e saj prej inxhiniereje.
  • Ishte krejt e parashikueshme që frymëzimi i beftë atomik i z. Berisha të ngjallë rreaksionin e gjallë të opozitës socialiste, momenti më prekës i të cilës ishte rikujtimi i skenarit katastrofik të Çernobilit. Megjithë absurditetin e metaforës së Kryeministrit, lidhur me « orët sovjetike dhe amerikane », çdokush është në gjendje të gjykojë se edhe teknologjia më e përsosur s’ka mundur deri më sot të shmangë rreziqet, aq më tepër kur ajo i besohet duarve të papërvoja. Por, ndotja e mjedisit nga hedhjet ose mbetjet radioaktive, të cilat gjenden ndërkohë në vend edhe në mungesë të centralit bërthamor, mund të krahasohet fare mirë me ndotjet masive të centraleve të tjera termike me mazut ose edhe me gaz, të imagjinuara gjatë periudhës socialiste. Çështja kryesore që shtrohet përpara ekonomisë shqiptare mbetet kapërcimi i krizës energjetike dhe në këtë fushë, asnjë nga qeveritë e mëparshme Nano, Meta ose Majko s’ka ngulur qoftë edhe një gozhdë në murin e skëlfitur, të trashëguar nga periudhe Hoxha. Si zgjidhet kjo nyje e koklavitur që është duke i marrë frymën ekonomisë së vendit ? Ja edhe tema themelore e një debati të tërë që fillimisht, duhet të frymëzojë specialistët e energjetikës dhe të tjerë specialistë të fushave anësore, përpara se të shëndrrohet në temë debati mes politikanëve. Sa debate të tilla janë zhvilluar në vend dhe sa ka qenë numri i specialistëve të mirëfilltë që kanë marrë pjesë në to ? Cili është mendimi i pjekur që orienton sot politikën energjetike të vendit, përveç ai i Ministrit Ruli dhe i këshilltarëve të Kryeministrit ?Përfundimisht, dhe vetëm në rradhë të fundit, kjo çështje mund të përvehtësohet nga gazetarët e llojit Mustafa Nano, kënaqësia dhe këmbëngulja e të cilëve për t’a interpretuar si « qasje idiotike » gjen ekuivalentin e saj në lakminë e gazetës së tyre për të gjetur lexues – po aq të zgjuar.Duke ju kthyer edhe një herë projektit bërthamor që ndodhet mbi tryezën e z. Berisha, edhe sikur kjo ëndërr të bëhet realitet – qoftë edhe nëpërmjet një ndërhyrjeje hyjnore që mbetet gjithmonë e mundshme – ka fort të ngjarë që ekonomia shqiptare të marrë pamjen e kamionit të vjetër ZIS, nën llamarinat e ndryshkura të të cilit do të montohet një motor FERRARI. Mbetet sidoqoftë e zorshme që një automobil i tillë, në duar kaq eksperte, të mund të arrijë të çojë bandën gazmore shqiptare në parajsën e Evropës së Bashkuar.

Një Përgjigje te Atomiku Berisha.

  1. Selfmaderadio thotë:

    sa keq me vjen qe e lexova vetem tani kete artikull, por edhe ate mesiper: te dy per energjine berthamore. Une organizova nje interviste per kete teme tek SR, dhe ket oartikujt e tu do ta kishin plotesuar mrekullisht temen.

    Georges,

    e vleresoj jashte mase kontributin tend sepse me duket kontribut i nje njeriu qe kerkon ta nxjerri diskursin shqiptar jashte realitetit “shqiperi tavolinash”; argumentativ, i sakte dhe tre dimensional. Faleminderit!

    Gezuar vitin e ri!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: