Surprizat e paralajmëruara të zgjedhjeve të Kosovës.

Në qoftë se ndonjë ditë historia do t’i hedhë vështrimin zgjedhjeve të 17 nëntorit në Kosovë, do t’a ketë të vështirë të hasë në komentet entuziaste të analistëve të sotëm, të ngujuar në një pritje të bezdisur. Megjithatë tendenca u pa që në orët e para pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe u vërtetua të nesërmen : në treshen e kryes renditen PDK e z. Thaçi me 34% të votave, e ndjekur nga LDK e zz. Sejdiu dhe Kryeziu me 22% dhe nga Aleanca Kosova e Re (AKR) e milionerit kosovar z. Pacolli me 12%. Në vijim dhe sipas rradhës renditen Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) e z. Daci me 10,5%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e z. Haradinaj me 10% dhe partia Reformiste « Ora » e z. Surroi me 4%. Ende nuk njihet projeksioni i këtyre rezultateve në nivelin e Kuvendit të Kosovës por tashmë kartat janë hapur dhe pritet që ditët e ardhshme, me gjetjen e kombinimeve të përshtatshme politike, z. Thaçi të formojë egzekutivin e ardhshëm.
Sikundër pritej, këto zgjedhje legjislative, që si kurrëherë zhvilloheshin paralel me zgjedhjet lokale, tërhoqën vëmendjen e opinionit publik evropian dhe botëror. Vëzhguesit në vend dhe të tjerë përshëndetën « zhvillimin e tyre demokratik dhe në përputhje me standardet ». Me një gjuhë më popullore, kqyrëm nga larg zgjedhje « të qeta », të ndjekura nga 25.000 vëzhgues dhe të siguruara nga 7.000 policë dhe të tjera forca të armatosura ndërkombëtare. Ndoshta më të qeta se ç’duhej pasi qetësia e tyre i përngjan fort indiferencës, asaj të zgjedhësve. Në të vërtetë, vetëm rreth 40-45% e zgjedhësve të Kosovës morri udhën e kutive të votimit për të shprehur preferencat ndaj udhëheqjes politike të viteve të ardhshme, për aktorët e shumëpritur të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Përsa i përket surprizave që këto zgjedhje na ofruan, ato ishin paralajmëruar me kohë. Nuk bëhet fjalë këtu për « surpriza » të tilla si mospjesëmarrja thuaj e plotë e zgjedhësve serbë të krahinës ose për « suksesin » relativ të z. Pacolli që i kish bërë thirrje popullit « t’i bënte besim » sensit të vet politik po aq bindës sa edhe ai i biznesit. Çka na tërheq posaçërisht vëmendjen është ndeshja mes LDK dhe PDK si dhe shkalla e ulët e pjesëmarrjes së zgjedhësve.

  1. Përplasja madhore disavjeçare e skenës politike kosovare mes Lidhjes Demokratike të të ndjerit Rugova dhe Partisë Demokratike të z. Thaçi përfundoi me fitoren e këtij të fundit. Një retrospektivë sado e përmbledhur tregon qartë se që nga krijimi i saj, LDK – kjo shëmbëlltyrë e « Lidhjes të Komunistëve jugosllavë » sipas kritikëve të saj të shumtë dhe të pamëshirshëm – ka pësuar veçse hemorragji. Partia monolitike e Rugovës, e cila në ditët e para të krijimit të saj numëronte rreth 800.000 antarë sipas vlerësimeve, dominoi në mungesë të çdo konkurrenti jetën politike klandestine të vendit deri në vitin 1999 dhe mblidhte pothuaj të gjitha votat e qytetarëve (mbi 90%).
    Ballafaqimi i saj i parë publik në Kosovën e pasluftës me forcat e reja politike, trashëgimtare të UÇK, dëshmoi për polarizimin e ri jetës politike rreth dy këndvështrimeve të ndryshme të së kaluarës dhe të ardhmes. Filozofisë së kundërdhunshme të Rugovës ju desh pranonte realitetin dhe përfundimisht të rrudhej përballë legjitimitetit të grykës së pushkës dhe të përfaqsuesve të saj të zbritur nga malet. Zgjedhjet e para legjislative shumëpartiake të 17 nëntorit 2001 vunë edhe caqet e reja të ndikimit të partive mbi zgjedhësit : megjithëse LDK fitoi bindshëm, me mbi 46% të votave, partisë së Rugovës ju desh të zbriste në tokë – dhe të harronte rezultatet e saj të paapelueshme të mëparshme – ndërkohë që vetë Rugovës ju desh të kalonte nëpërmjet aleancave për t’u zgjedhur President. Përballë saj, partia e Thaçit tërhiqte gati 26% të zgjedhësve ndërkohë që vëllezërit e saj « armiq » të AAK së Haradinajt çfaqeshin në skenë me gati 8%.
    Tre vjet më vonë, skenari përsëritej : megjithë bemolin e zënkës sentimentale të të pakorrigjueshmit Bukoshi, LDK siguronte 45% të votave, PDK 29% dhe AAK 8,4%. E vetmja surprizë shkaktohej nga një lëvizje e re qytetare « Ora », e cila grumbullonte 6,2% të votave. Ndërkohë, një temë e re ishte çfaqur në horizontin politik : « standardet përpara statusit ». Me fjalë të tjera, pavarësimi i mundshëm i krahinës, gjithmonë nën administrimin e UNMIK-ut OKBjan. Kush mund të parashikonte në vitin 2004 këtë përmbysje politike gjatë zgjedhjeve të ardhshme ?
    Në të vërtetë, shenjat e kësaj përmbysjeve nuk mungonin dhe ndoshta e fundit ishte « hemorragjia » dardane e z. Daci. Grindja e demokratëve të Lidhjes së vjetër lidhur me trashëgiminë e të ndjerit Kryetar që çoi deri në shqyerje të brendshme (nuk e di përse por kjo ndarje hasmërore më rikujton një tjetër – atë të socialistëve safi të Nanos dhe socialistëve integrues-përçarës të Metës), është një nga shkaqet e disfatës por ndoshta jo i vetmi. Shkaqet e tjera ndoshta duhen kërkuar në sklerozimin e strukturave të bazës, në zhdukjen drejt horizontit të pasurisë dhe të prosperitetit të shefave dhe zhytjen në dëshpërimin e thellë të përditshëm të antarëve të saj, në mosvlerësimin e realitetit të ri politik të krahinës që vibron me ritmin e pavarësisë së shumëpritur… Pra, pas 10 vjetësh që prej fillimit të « betejës së Kosovës », LDK detyrohet të lëshojë pushtetin, pozitën dhe ç’është më e rëndësishmja, ndoshta humbet edhe shansin historik të shkruajë emrin në panteonin e Kombit si nënshkruesja e parë e Aktit të ardhshëm të Pavarësisë.
    Cilat janë meritat e konkurrentit të saj të drejtpërdrejtë PDK dhe të udhëheqësit të saj Thaçi, që i siguruan këtë fitore kaq të shumëpritur dhe të vyer ? Vështirë është të bësh bilancin e një force politike të opozitës,që i është afruar pushtetit veçse në momente krize. Ndoshta, ajo nuk i është nënshtruar ende konsumimit të pashmangshëm të pozitës ; ndoshta, shoqërimi i emrit të saj me atë të biznesit ende nuk është i tillë sa t’i errësojë namin… Sidoqoftë, shpirti i saj i dikurshëm i luftës, vetë mendimi që një luftë e tillë në mos është e parashikueshme, është gjithmonë e mundshme, mjafton që zgjedhësit t’i besojnë votën dhe njëherësh përgjegjësinë për të ardhmen.
  2. Hupësi tjetër i madh i këtyre zgjedhjeve është vetë demokracia. Nuk bëhet fjalë këtu për demokracinë e çastit të procesit zgjedhor por për atë të qëndrueshme dhe të përditshme – “demos” = popull, dhe”kratos”, pushtet : pra, demokracia e ardhshme të Kuvendit të ri të Kosovës, i cili u zgjodh vetëm nga 40%, le të themi 45% të zgjedhësve. Çfarë pushteti do të ushtrojë masa prej 60% të atyre që nuk shkuan të votonin ? Mbi ç’bazë të gjerë mbarëpopullore, udhëheqësit e rij politikë të vendit do të mbështesin zgjidhjet e tyre për vitet e ardhshme ?
    Është e vërtetë se, me pak përpjekje, ky nivel nuk duket krejt katastrofik. Aq më tepër kur përfaqsuesi zviceran i rradhës që administron Kosovën na rikujton se në vendin e vet, kjo është një mesatare e zakonshme, që prej 40 vjetësh, dhe që nuk e ka penguar aspak demokracinë zvicerane të ushtrohet. Ashtu është, veçse Zvicra nuk është Evropa, sikundër dhe Kosova nuk është Zvicra dhe aq më pak kosovarët janë zviceranë. Megjithatë, le t’i rikthehemi shifrave të fundit :
    – e marë në kufirin e saj të sipërm, shifra 45% e projektuar mbi trupin elektoral prej 1.500.000 zgjedhësish kosovarë përfaqson 675.000 votues efektivë, nga të cilët 34% votojnë për PDK e Thaçit. Pra 230.000 vetë ose 15,3% e krejt zgjedhësve (8% e popullsisë së përgjithshme). Ja pra edhe « shumica fituese » e sotme e politikës së Kosovës. Përballë saj ndodhen 148.500 partizanët e Sejdiut, 81.000 ithtarët e Pacollit dhe 71.000 ndjekësit e Dacit. Ndoshta, këto shifra kanë vetinë të përfaqsojnë edhe ndjenjat e vërteta dhe preferencat politike të të gjithë kosovarëve por edhe në këtë rast, nuk mund të mos pyesim se cili është pragu i përfaqsueshmërisë së demokracisë së popullit ? 30% apo 20% i masës së zgjedhësve ? Ja si duhet interpretuar mes të tjerash edhe shqetësimi i z. Solana ose i znj. Pack kur shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet e fundit.
    – Megjithatë, edhe kjo pjesëmarrje mediokre bën pjesë në ato surprizat e paralajmëruara. Shifra prej 85,5% e pjesëmarrjes në zgjedhje, në atë vit të largët 1998 i përket tashmë kujtimeve pasi Kosova e pasluftës voton gjithnjë e më me kursim : 65% të votuesve shqiptarë i qasen kutive të votimit në vitin 2001, vetëm 49,5% në 2004. Sa do të jetë niveli i pritshëm i zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2010 ? Ajo çka bën përshtypje të thellë është qëndrimi i forcave politike, i KQZ dhe i medias që përshëndesin frymën e qetë dhe që lenë në heshtje abstenimin masiv. Kanë harruar ndërkohë që, falë bashkërendimit ad hoc zgjedhje legjislative-zgjedhje lokale, ky fenomen dobëson njëkohësisht edhe themelet e pushtetit lokal, edhe ky i krijuar mbi përfaqsueshmërinë më se të lekundur të 40-45% ?
  3. Përse kosovarët nuk dolën të votonin ? Dikush përmendi kohën e keqe, të ftohtin ose shiun… Kur mendon se shtator të vitit 1991 ata votuar njëzëri në referendumin popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, kur kujton se në maj 1992 ata ata dolën masivisht zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale, kur sjell ndër mend se në mars të vitit 1998, kosovarët votuan thuaj të gjithë për deputetët e tyre – e gjithë kjo, në mes të terrorit shtetëror dhe policor serb – argumenti i shiut, borës dhe i erës së marrë shëndrrohet në qesharak, për të mos thëne fyes për shpirtin e gjerë të njerëzve të thjeshtë. Në qoftë sa ata përballën rrezikun Milloseviç dhe i besuan votën Rugovës, kjo ndodhi thjesht pasi në atë kohë ata kishin shpresë, shpresën e një të ardhmeje më të mirë, shpresën e të qenit zotër në shtëpinë e tyre Kosovë. Tashmë që janë zotër të vërtetë të saj, ata kanë humbur shpresën tjetër që ndjek të parën : atë të punësimit dhe të drejtësisë sociale, të mirëqenies së përbashkët dhe të perspektivës ekonomike, të pjatës së mbushur që i pret në vatrat e tyre të ngohura, pranë fëmijëve të nginjur, të veshur mirë të shkolluar… Në mungesë të Millosheviçit të urryer, ndërkohë që edhe z. Rugova ka ndrruar jetë, cili është përgjegjës për këtë zhgënjim të thellë ? Për të qenë zemërgjerë, le të themi se është faji i statutit dhe i mungesës së pavarësisë kaq të dëshiruar. Le të presim pra krijimin e qeverisë së re demokratike Thaqi – në bashkëpunim ose jo me demokratët e Sejdiut ; le të presim edhe shpalljen e Pavarësisë që sipas gjasave mund të kryhet që më 10 dhjetor. Së fundi, le të presim edhe ndërhyrjen qiellore gjithmonë të mundshme për të krijuar botën e re kosovare në ditët dhe javët që pasojnë…
    Përfundimisht, le të presim dhe sidomos të shpresojmë që këto zgjedhje të kthehen në zgjidhje – sipas shprehjes së z. Leka – shih:
    http://www.panorama.com.al/index.php?id=7652, pasi në rast të kundërt, është po ai popull që sot nuk vendos të votojë që do të zbresë në rrugë – në qoftë se ndërkohë, nuk ka marrë rrugët e gurbetit për të shkuar në Zvicër. Aty, ndoshta njerëzit nuk votojnë por ama, jetojnë mirë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: