1 Paralele, 2 Metoda dhe 1 Përfundim.

.
1. Një rastësi e kalendarit bëri që në të njejtën ditë, më 25 nëntor 2007, dy Presidentë të dy vendeve evropiane Topi i Shqipërisë dhe Sarkozi i Francës, të marin rrugën e qiellit për të vizituar miqtë. I pari zbriti në Athinë dhe i dyti në Pekin. Që të dy janë të rinj – Topi është veçse dy vjet më i ri se bashkëvllau i tij francez që ka lindur në janar të vitit 1955 – dhe ambiciozë, energjikë dhe simpatikë, i përkasin të njejtës familje politike të djathtë dhe shpresojnë të ngrenë prestigjin e vendeve të tyre. Të rrethuar nga shpura (3 ministra për shqiptarin dhe 7 për francezin) dhe nga një tufë biznesmenësh (47 për delegacionin shqiptar dhe 200 për atë francez), ata përfaqsojnê tipin e misionarit modern, njê pêrzierje e shkathët e diplomacisë dhe biznesit. Por analogjia e datave, e personazheve dhe e shifrave shterron menjëherë pasi kqyret objekti i vizitave përkatëse.
.
.
Presidenti Topi dhe homologu i tij Papulias i përkasin atij lloji politikani figurant, rol që sistemet politike ballkanike i rezervojnë Kryetarëve të Shtetit. Sigurisht ata janë garantë të pavarësisë së vendit, mbrojtës të besimeve fetare, rojtarë të Kushtetutës dhe të Ligjit, tutorë të Forcave të Armatosura – thjesht simbole të demokracisë dhe të bashkimit të Kombit. Bisedimet mes tyre prekin « ndërtimin e urave të miqësisë midis popullit shqiptar e atij grek » ; ata diskutojnë « gjerësisht për nevojën e bashkëpunimit në nivel bilateral dhe rajonal, dhe forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar », ndajnë së bashku të njëjtin mendim « që qindra e mijëra shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Greqi, jo vetëm po konsolidojnë ekonominë dhe familjet e tyre, por po luajnë një rol të çmuar në ekonominë e Greqisë » dhe së fundi shprehin bindjen se « edhe Kosova, edhe Shqipëria, por edhe Serbia, të ardhmen e tyre e kanë në familjen euroatlantike ». Deshifrimi i kësaj gjuhe të koduar që mbulohet nga perdja e shprehjeve protokollore le të kuptohet se sejcili prej tyre premton të angazhojë sinqeritetin e tij si edhe gjithë vullnetin e mirë për të bindur Kryeministrin përkatës, me qëllim që ky i fundit të shkruajë në axhendën e qeverisë së vet masat që duhen ndërmarrë për të konkretizuar këto premtime, pasi të ketë marrë pëlqimin e një Parlamenti, në të cilin mendohet se do të krijojë konsensusin e nevojshëm të deputetëve. Me fjalë të tjera, do të duhen vite që të kqyret ndonjë ndryshim cilësor në marrëdhëniet mes dy shteteve, interesat e të cilëve përputhen veçse në disa segmente të politikës së përgjithshme dhe të strategjisë së tyre reciproke.Ndërkohë, disa mijra kilometra më tutje Presidenti Sarkozi bisedonte kokë më kokë me Kryeministrin kinez Hu Jintao , natyrisht për probleme të një tjetër kalibri. Shprehja më e goditur e atmosferës së krijuar është ajo e një diplomati francez : « kur Mbreti i Francës dhe Perandori i Kinës dialogojnë mes tyre, pjesëmarrësit e tjerë në një dorë mbajnë shkopinjtë e ngrënies dhe në tjetrën stilografin ». Me fjalë të tjera, « ping-pongu » franko-kinez mes shefave nuk pengon aspak nënshkrimin e marrëveshjeve dhe të çeqeve
.
.
2. Çdokush sipas mënyrës së vet, Presidenti francez dhe ai shqiptar përfundimisht kishin marë udhën e tregut.
.
.
– I pari kish veshur petkun e VRP (shitësit shëtitës përfaqsues) për të shitur teknologjinë dhe pajisjet e vendit të vet : dy centrale bërthamorë të gjeneratës së tretë – bashkë me karburantin bërthamor të nevojshëm, prodhim i firmës Areva ; 160 aviona të tipit Airbus ; pajisje të energjisë elektrike të grupit EDF ; pajisje të industrisë të transportit, të telefonisë mobile ose të asaj farmaceutike. Shuma e përgjithshme e kontratave të nënshkruara nga pala kineze i tejkalon 20 miliardë euro.
.
.
– I dyti në rolin e tij të ri të VIP-it (very important personality) kish shkuar për të blerë : premtimin e Greqisë për të përshpejtuar ratifikimin e Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë ; ndihmesën e mëtejshme të Greqisë për të nxitur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ; angazhimin e fqinjit helenik për t’i lehtësuar jetën emigrantëve shqiptar në vend dhe së fundi, dashamirësinë e saj për të mos nxjerrë pengesa në procesin e pavarësisë së Kosovës.
Siç duket, me gjithë përpjekjet e mëdha për tu iniciuar në ekonominë e tregut, përfytyrimet e shqiptarëve ende janë larg të atyre të antarëve të Tregut të Përbashkët. Ndërkohë që francezët i konkretizojnë ato me euro të thata, ata ende kënaqen me fjalë në erë. Sidoqoftë, në këto kohë të vështira, tregu është bërë tepër kërkues dhe sidomos në këtë nivel bashkëbiseduesish. Pra nuk mund të shesësh pa bërë një gjest ndaj blerësit sikundër nuk mund të blesh pa i buzëqeshur shitësit. Nëqoftëse « shitësit » Sarkozi – sikundër dhe të tjerë evropianë të shquar përpara tij – ju desh të mbyllte sytë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë, lirive të shtypit ose problemit të Tibetit, biznesmenët që shoqëronin « blerësin » Topi shërbenin thjesht për t’ju kujtuar grekëve rolin e tyre të pazëvendësueshën në dinamizimin e enonomisë shqiptare si dhe për të përsëritur refrenin « më tepër investime, më tepër ndihma dhe kredi ». Bile për të qenë më i besueshëm, Presidenti i ri u ngarkua me barrën e zgjidhjes së problemit tê varrezave tê ushtarêve grekë si dhe të dhënies së pronave të minoritarêve – natyrisht në përputhje me legjislacionin,
Ja pra çka përqas burrat e shtetit shqiptarë dhe francezë: etiketa, e cila nuk i lejon të fyejnë ndjenjat e bujtësit. Sidoqoftë, Topi edhe Sarkozi do të bëhen bujtës vitin e ardhshëm. Le të shpresojmë që kësaj rradhe dhe për të mirën e sejcilit, ata të kenë guximin për t’ju rikthyer “harresave“.
.
.
* * *

.
.
Si shpjegohet kjo « pranverë » e vërtetë në marrëdhëniet greko-shqiptare në prag të dimrit ?
Lidhur me Greqinë, duhet konstatuar se atj i kish normalizuar këto marrëdhënie qysh në fundin e periudhës së parë Berisha, pra përpara se të vinte epoka Nano. Të mos harrojmë se fillimisht, Greqisë ju desh të përdorte fshesën e saj anti-emigrante dy herë rradhazi në 1993 dhe 1994 për t’i treguar vendin qeverisë demokratike të asaj kohe. Ndërkohë, Presidenti përdredhues shqiptar i epokës arriti të kuptojë deri ku shkonin kufijtë e fuqisë dhe të dobësive të veta. Sipas mënyrës së tij – dhe veçanërisht falë këshillave të mira amerikane – ai ju rikthye çështjes OMONIA që helmonte këto marrëdhënie. Në shenjë shkëmbimi të protokollit, Presidenti grek Stefanopullos vizitoi vendin fqinjë në mars 1996 dhe, siç mund të pritej, kërkesa e tij e parë ishte hapja e një shkolle të gjuhës greke në Tiranë. Por, si vijim i « rrebelimit socialist » të vitit 1997, të gjitha marrëveshjet e shkëmbimeve reciproke u ndërprenë dhe, duke pritur shpërdredhjen e ngjarjeve dhe veçanërisht largimin aq të dëshiruar të Berishës, emisarët e parë të qeverisë greke zbritën në terren – nga ajo anë ku gjendeshin rrebelët. Më tej i erdhi rradha atij repartit ushtarak grek, i dërguar në kuadrin e ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare dhe përfundimisht, zhvillimi i zgjedhjeve të qershor-korrikut 1997 që ju dha pushtetin socialistëve.
Sigurisht Athina përgëzoi vetvehten nga ky përfundim i lumtur, përfitimet e të cilit ishin të shumëfishta : së pari, vendi fqinjë kish pësuar një goditje të pashembullt që e kish rrënuar nga ana ekonomike dhe, duke njohur kapacitetet e tij të brendshme, pasojat ishin afatgjata ; së dyti, ai do të kish më tepër se kurrë nevojë për Greqinë për të rikrijuar imazhin e tij të grisur në planin rajonal dhe evropian ; së treti, zotërinjë e rinj të Tiranës praktikonin një lloj dialogu krejt të ndryshëm në krahasim me të mëparshmit – mbi të gjitha, mes socialistësh ballkanikë, miq të njohur që prej kohësh. Me fjalë të tjera, përveç atij dimensioni të ri socialist që shtonte elasticitet dhe që i lehtësonte detyrën negociatorëve, thelbi i problemit mbetej i pandryshuar : nga njëra anë qëndronte Shqipëria me dilemat e saj të brendshme dhe me nevojat e saj financiare të pazgjidhura, e varur në fatin e atij gjysëm milioni qytetarësh të vet në territorin helen, dhe në anën tjetër qëndronte Greqia e cila shiste influencën e vet, kreditë dhe ndihmat në shkëmbim të të drejtës së vështrimit, për të mos thënë të ndërhyrjes, në favor të pakicës së saj në territorin shqiptar. A ja vlente barra qiranë që Greqia të kopjonte verbërisht politika tashmë të skaduara ose që të riprodhonte skema relacionale, që zinin fillin në epokën e luftrave ballkanike ? Në qoftë se ndonjëherë pyetje të tilla kanë përshkuar mendjen dhe shpirtin e politikanëve grekë, duke lënë të çfaqen gjurmë në sjelljen e tyre, kjo nuk vjen sepse ata kanë ndrruar opinion lidhur me shqiptarët. Për t’u bindur, mjafton të çfletohen mediat helene të cilat, duke mos qenë të prekura nga ajo përmbajtje tipike diplomatike, kanë farkëtuar një stereotip të pashlyeshëm të një « primitivi, të një krimineli gjakatar dhe të hajduti të shkathët… të ardhur në Greqi për të fituar paren lehtësisht » (1). Në të vërtetë, ishte Greqia që ndryshonte, ndoshta dalëngadalë por në mënyrë të sigurt, nën ndikimin e mutacioneve ballkanike dhe nëpërmjet saj, ndryshonte edhe politika e saj e jashtme.
Fundi i luftës së ftohtë dhe vrapi i parezistueshëm i vendeve ballkanike, dikur komuniste, drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut krijoi një gjendje krejt të panjohur në gadishull. Me këtë rast, Greqia u gjend e projektuar në një perspektivë të papritur : përfaqsuesi i vetëm i Evropës në Ballkan shëndrrohej njëkohësisht në një model për t’u kopjuar, në një donator dhe investitor tek i cili vihej për të kërkuar ndihma dhe kredi por njëkohësisht edhe një pikë mbrritje për t’u instaluar vetë ose me familjen. Në të vërtetë ishte pak si tepër për të fundmin e listës së Evropës, i cili nuk dispononte ende mjetet për të zbutur « lukuninë » e vendeve ballkanike. Kështu pra, meqënëse nuk ish në gjendje që të gëlltiste Ballkanin, ishte ajo vetë që u gëlltit nga ballkanikët – ose e thënë ndryshe, në vend që të helenizonte Ballkanin, Greqia u « ballkanizua » nga fqinjët gadishullorë (2).
Sidoqoftë, ky proces kishte anën e tij pozitive : rënie e habitshme e kostos së punës – falë krahut të punës tejet të lirë të emigrantëve shqiptarë, bullgarë dhe të tjerë rusë, ekplozion i prodhimit të sendeve të konsumit me çmime të ulta, rritje eksponenciale e investimeve nga ana e biznesmenëve të saj, pjesëmarrje e rrjetave greke të trafikut në zbardhjen masive të parave me origjinë kriminele. Paralelisht, vendi u detyrua të pranojë shpërthimin e kriminalitetit, të korrupsionit dhe të prezencës së mafiave në territorin e vet. Kjo e dhënë e re tronditi thellësisht shoqërinë greke e cila ndërkohë pësoi një polarizim të fuqishëm. Segmentët e saj të ndryshëm kundërvepruan, sejcili duke zhvilluar argumentat e vet dhe strategjitë e veta për të shfrytëzuar situatën e krijuar : nëpërmjet rrjetave të saj të natyrës klienteliste, klasa politike u hodh me trup dhe me shpirt në një lojë të ndërlikuar që bashkon pushtet politik dhe financë të madhe. Duke përdorur privilegjet, devijimin e fondeve ose duke mbyllur sytë përpara korrupsionit zvarritës, kjo oligarqi politiko-financiare thelloi edhe më tepër shqetësimin e një shoqërie të gërryer nga dyshimi, të cilës i mungonin pikat e orientimit dhe ndjehej e braktisur përballë ofensivës ballkanike. Gjithnjë e më tepër e përmendur dhe e kërkuar në rolin e një vlere të sigurt dhe qetësuese, kisha ortodokse u gjend e përforcuar në rrafshin politik pasi, përveç atyre orientimeve tradicionale antimyslimane dhe antilatine, ajo ka ditur të rinojë fjalimin e saj, duke e pasuruar me tema nacionaliste, të ngërthyera me sharje antievropiane.
I mbrojtur prej kohësh nga ana e strukturave politiko-ushtarake evropiane dhe transatlantike, Shtetit helen ju desh përfundimisht të kuptonte që atij i duhej të administronte komplikimet ballkanike me forcat e veta, duke zhvilluar një politikë të jashtme më të përshtatshme dhe në rradhë të parë më efikase. Por implikimi i tij në krizën maqedonase (1992 – 1995) vuri në dukje një farë ngushtësie pikpamjesh : ndërkohë që vizionet etniciste në planin rajonal nuk përputheshin gjithmonë me konceptet dhe perspektivat evropiane, fakti vetë që ai sakrifikonte interesat e tij të natyrshme në favor të vendosjes të raporteve të forcës me fqinjët, të mbështetur në rradhë të parë mbi grindje të vjetra të karakterit territorial, shëndrrohej në diçka të dëmshme që prekte të gjitha fushat. Pasi kish harruar ndërkohë stadin e arrogancës të një Micotaqis – i tërhequr në rradhë të parë nga reformat e tij strukturore, pasi kish tejkaluar tashmë stadin euforik të një Papandreu – i magjepsur nga « boom -i» ekonomik jashtë çdo rregulli mbarështrimi, administratës Simitis i duhej të jepte prova të një pjekurie më të madhe, duke ekonomizuar energjitë dhe burimet në vend që t’i shpenzonte në mënyrë të panevojshme në konflikte sterile. Lidhur me fqinjin verior, njësoj sikur të thuhet se pas ngjarjeve të zhurmshme shqiptare, Kryeministri grek kërkon të parandalojë efektet shkatërruese të një konflikti të ri që ende profilohet në hapësirën jugosllave dhe që ve rishtas në lojë etninë shqiptare, në rradhë të parë atë të Kosovës. E parë nga Shqipëria, kjo gjë jepte dhe vazhdon të japë përshtypjen e një vullneti të panjohur më parë drejt dialogut, drejt kooperimit dhe drejt forcimit të shkëmbimeve.
Ardhja në pushtet e Kostas Karamanlisit dhe e « Demokracisë së Re » nuk u shoqërua me ndonjë revolucion në politikën e brendshme dhe të jashtme të shtetit helen. Ekonomisë i duhej të absorbonte papunësinë shqetësuese (rreth 11%), të dinamizonte sektorin bujqësor në rënie dhe në rradhë të parë, të absorbonte deficitin publik, nëpërmjet metodave ekonomike të trashëguara nga epoka Simitis. Kartat më të forta në dorën e Karamanlisit mbeten lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe thellimi i reformave tashmë të angazhuara. Në të kundërt, politika e tij e jashtme dhe në rradhë të parë ajo ballkanike gjendet përpara situatave të reja : nga njera anë, pranimi i Bullgarisë dhe i Rumanisë në BE, cënon pozitën e privilegjuar të biznesit grek në këto vende dhe nga ana tjetër, zhvillimet e fundit në sferën ish-jugosllave e detyrojnë të jetë edhe më e matur. Me fjalë të tjera, marrëdhëniet me Shqipërinë – fqinjin e saj verior – detyrimisht fitojnë përmasa të reja, aq më tepër në kushtet e një Kosove që rend drejt pavarësisë, dhe të trazirave në perspektivë në Maqedoni.
Në këto kushte, diplomacisë greke i duhet nga njera anë të bëjë një përpjekje madhore për të « harruar » përfytyrimet e saj atavike lidhur me Shqiptarët dhe nga ana tjetër, të « administrojë » fenomenin Berisha, të cilin nuk ka mundur t’a gëlltisë kurrë. Si njera dhe tjetra paraqisin probleme : mjafton të kujtojmë largimin pa lavdi të Presidentit Papulias – i njejti që pret sot me dashuri z. Topi – nga takimi i parashikuar i nëntorit 2005 me Presidentin Moisiu ; mjafton t’i rikthehemi gjithashtu temave të diskutimit në Athinë mes Kryeministrit Berisha dhe homologut të tij Karamanlis në shtator të vitit të shkuar.
Duke bërë bilancin e arritjeve konkrete në terren – pasi shmangim me diplomaci « gjembin » e çeshtjes çame, lemë mënjanë « kunjin » e problemit të Kosovës dhe harrojmë « çibanin » e dokumentave dhe të trajtimit të emigrantëve, na duhet të konstatojmë se të vetmet probleme që mbeten janë ato të varrezave të ushtarëve grekë, të disa klasave në gjuhën shqipe në Greqi dhe netyrisht, çështja e kthimit të pronave të minoritarëve.
.
.
——-
1) Shih mbi këtë subjekt : Mariana LENKOVA (ed.) – « Hate speech » in Balkans, The International Helsinki Federation for Human Rights, Vienna 1998 ; Maria VIDALI – Living in Policy Vacuum, the plight of the Albanian immigrants in Greece, Central Europe Review,Vol. 1, Nr. 21, 1999 ose më tej : Martin BALDWIN-EDWARDS – Albanian Emigration and the Greek Labour Market : economic symbiosis and social ambiguity , South East Europe Review, 2004.
.
2) Georges PREVELAKIS – Hellénisation des Balkans ou balkanisation de la Grèce, në : YERASIMOS Stéphane (nën drejtimin.) – Le retour des Balkans, 1991 – 2001, Ed. Autrement, 2002.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: