Kombi dhe Kombtaria (për të mos e quajtur ende Nacionalizëm).

Hezitova tepër përpara se t’i përgjigjesha një shkrimi si ai « E Majta Nacionaliste », të z. Koço Danaj. megjithë rrezatimin e tij të pazakontë, megjithë magnetizmin provokues..
Që në rreshtat e para logjika fillon dhe kërkon pika mbështetjeje, referenca të qëndrueshme që të mos humbë toruan, një bazë të mirëfilltë për të ruajtur fillin, për të mbajtur sensin. Duke mos patur autorin përballë – me qëllim që ta bëj rrezil – na mbetet teksti si bazë reflektimi, dhe në mungesë të tij mbetet koncepti, i cili në mënyrë të dukshme injoron të paktën dy aspekte :
– bazën kombëtare të nacionalizmit.
– përfytyrimin e Kombit.
Sidoqoftë, mbetet fakti që një shkrim i tillë lëndon dijen dhe fyen përvojën, shkurt provokon përbuzje. Ndoshta, përgjigja më e mirë ndaj shkrimeve të tilla është një shkrim tjetër, një bazë e re reflektimi ndaj temave të tilla…

.

* * *

.
Ndërkohë që shqiptarët shqetësohen për të kaluarën, evropianët ngrenë pyetje për të ardhmen, duke akuzuar të tashmen. Dhe pikërisht, ata gjykojnë të tjerët mbi kriterin e të sotmes. Mjafton të analizohen ato arsyet evropiane të ngurrimit ndaj pranimit të Shqipërisë në Bashkimin evropian. Të gjitha vërejtjet prekin rolin dhe funksionet e Shtetit sikundër dhe kapacitetet e tij për të ndërmarrë reformat e dëshiruara : ekonomi e tregut, institucione demokratike, liri individuale dhe të shtypit, respekt i ligjshmërisë.
Ja pra edhe mënyra më racionale për të çmbështjellë filmin e historisë : të shqyrtohet e kaluara nën dritën e të sotmes.
Pa krijuar asnjë surprizë zbulohet që Shteti ka qenë hallka më e dobët e atij zinxhiri përpjekjesh të vazhdueshme që shënon procesin e ndërtimit identitar :

.

Ai mungon krejtësisht në 1878, në momentin e lindjes së Kombit shqiptar ; ai është fiktiv në 1913, gjatë afirmimit ndërkombëtar të këtij kombi ; ai është efemer ndërmjet 1919 dhe 1925, ndërkohë që identiteti kombëtar merr vetëbesim ; ai është i pafuqishëm ndërmjet 1928 dhe 1939, ndërkohë që vendi i bashkohet koncertit të Kombeve ; ai zhduket nën pushtimin e huaj ndërmjet 1939 dhe 1944, ndërkohë që rilind ideja e « Shqipërisë së Madhe » ; ai gjendet nën serum ideologjik dhe ekonomik ndërmjet 1945 dhe 1990, ndërkohë që ndërmerret përvoja vetëvrasëse e « Njeriut të Ri » ; atij i merren këmbët ndërmjet 1991 dhe 1997, ndërkohë që Kombi bëhet i ndërgjegjshëm se i përket familjes evropiane ; ai është gjithmonë në kantjer që prej 1998, gjatë hapjes së debatit mbi identitetin kombëtar.
.
Mund të përfundojmë se në rastin më të keq, Shteti i ze rrugën këtij procesi dhe në rastin më të mirë, ai nuk arrin të ndikojë mbi të. Përse duhet të habitemi nëqoftë se nacionalizmi shqiptar nuk i thurr lavde Shtetit ? ose, që ky i fundit asnjëherë nuk është kqyrur si mishërimi i plotë i kombit shqiptar ?

Si rrjedhim i një vargu konjukturash, zgjedhjesh dhe ngjarjesh historike, Shteti shqiptar çfaqet në skenën ballkanike i pafavorizuar nga ana njerëzore dhe materiale dhe i mangët nga përvojat e mëparshme zemërdhënëse. Që prej këtij momenti, shqetësimi i tij kryesor ka qenë dhe mbetet gjithmonë sigurimi i mbijetesës ekonomike dhe politike, në një kontekst rajonal armiqësor, gje që e ka shtyrë në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të mbrojtësve të fuqishëm. Nga ana tjetër, të gjitha konstruksionet shtetërore që pushtetet kanë eksperimentuar – Republikë autoritare, Monarki kushtetore, Republikë popullore bile edhe Republikë parlamentare – janë vepër e elitave të saj ushtarake, latifundare ose intelektuale dhe paraqiten si përpjekje volontariste. Ato janë ndërmarrë sigurisht në emër të popullit ndërkohë që në të vërtetë, ato i kanë shërbyer interesave të një klani, të një kaste ose të një grupi shoqëror të ngushtë. Në këtë proces institucional, shoqëria ka munguar gjithmonë. Pa asnjë përpjekje këshillimi, asaj i është kërkuar thjesht pjesëmarrje dhe bindje. Në të shterrur të forcave, asaj i duhet të ngjizë simbole të reja ; ndërsa lidhjet sociale këputen, ajo riprodhon stratifikime të reja ; ndërsa kontradiktat e brendshme përkeqësohen, ajo sjell në jetë elita të reja.
Ndërkohë që trashëgimia e pasur në kujtime, e ardhur nga thellësia e kohrave, i shërben shoqërisë veç si orientim, pushteti përkëdhel ëndrrën e tij për të vendosur një mirëkuptim të përditshëm. Duke mos qenë në gjendje të realizojë atë të famshmen « dëshirë për të jetuar së bashku », s’mbetet gjë tjetër veç dhunës për t’a imponuar. Të bashkuar nga forca dhe nëpërmjet përdorimit të forcës, është gjithmonë e mundur të krijohet të paktën iluzioni i ndarjes së trashëgimisë, i pajtimit shpirtëror mbi principin e të paturit lavdi të përbashkëta në të kaluarën. Asnjë vullnet i përbashkët në të tashmen, asnjë kujtim i bërjes së gjërave të mëdha së bashku ; mbetet vetëm vullneti i pushtetit : ai të kryerit të gjërave të reja. Ku ndodhemi në lidhje me kushtet e domosdoshme për të qenë një popull, sipas Renanit (1) ? Si i bëhet për të bashkuar këto dy gjëra të cilat gjenden, njëra në të kaluarën dhe tjetra në të tashmen, me qëllim që të rikrijohet ky shpirt – ky princip shpirtëror – që përfaqëson Kombi ?
Ndoshta, do të kish qënë më e matur të pranohej që përkufizimi, i vënë në kornizë nga dijetari blasfemues francez, nuk na rikthen imazhin tonë dhe si pasojë, na duhet të zgjedhim një tjetër – në këtë rast, cilën ? Duke shkuar kundër rrymës, drejt burimit, mund të kërkojmë ndihmën e Herderit sipas të cilit, « falë Providencës » kombet paskëshin qenë ndarë « nga gjuhët, nga shijet dhe nga karakteret » ; ose ndihmën e Fichtes i cili ngul këmbë se « njerëzit janë formuar nëpërmjet gjuhës, më tepër se sa gjuha vetë nëpërmjet njerëzve »(2). Sidoqoftë përkufizimet e Kombit – në variantin e tij shqiptar, mund të kuptohen vetëm nën dritën e zhvillimit të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të korolares së tij, kombtarisë. Vetëm nëpërmjet kësaj mënyre deshifrimi mund të përmblidhen në një të vetme përmasat etnike, etike, kulturore dhe politike në këtë konstruksion i cili, pavarësisht thellësisë së tij reale historike, mbetet sidoqoftë i natyrës ideologjike.
Megjithë një farë vonese ndaj fqinjëve ballkanikë, lëvizja kombëtare shqiptare ndjek një rrugë tashmë të rrahur, gjerësisht të shkelur në Evropën qëndrore(3) gjatë shekullit të XIXtë : një fazë e parë e natyrës të pastër kulturore, letrare dhe folklorike, pa implikime të veçanta të rendit politik ose kombëtar ; një fazë e dytë që përjeton krijimin e një trupe pionierësh dhe të militantësh të çështjes kombëtare që investohen në një fushatë politike në favor të kësaj ideje ; së fundi, një fazë e tretë e përpunimit të programeve nacionaliste dhe fitimi i mbështetjes së masave. Sipas historiografisë zyrtare, ky proces kurorëzohet me shpalljen e pavarësisë në 28 nëntor 1912, pas një vargu kryengritjesh të armatosura që tronditën Perandorinë otomane ndërmjet 1910 – 1912.
.
Në të kundërt, dinamika nacionaliste është shumë më e pasur në mësime. Ai rikujton që mendimi nacionalist gjithmonë ka paraprirë konstruksionet shtetërore pa mundur të shëndrrohet në një ideologji dominante, as edhe të prodhojë edhe një program i vërtetë politik në shërbim të shtetit. Mjedisi nacionalist, i përbërë nga mendimtarë, shkrimtarë, nga militantë të talentuar dhe nga burra politikë të dorës së parë, nuk ka mundur asnjëherë të integrojë plotësisht qarqet e pushtetit për një arsye të thjeshtë : nacionalizmi shqiptar i bën thirrje një detyre të pakryer – bashkimin e territoreve të banuara nga Shqiptarët – ndërkohë që Shteti, i zhveshur nga mjetet, pranon dhe justifikon realitetin. Megjithë faktin që ndërmjet këtyre dy mjediseve egzistojnë fije të shumta lidhjeje, ata veçohen nga një linjë ndarëse e pakapërcyeshme : të kërkosh esencën e trashëgimisë politike të burrave të « Rilindjes », automatikisht don të thotë irredentizëm – kundërshtim i kufijve egzistues dhe veprim për të zhgjymtyruar fqinjët. Bëhet fjalë për një politikë që s’mund të pranohet nga ana e pushtetit i cili shpallet si adept i integritetit territorial dhe i vendosjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me botën ballkanike. Për këtë arsye, terreni nacionalist mbetet gjithmonë djerrë dhe shëndrrohet në çiflig të opozitës që arrin të destabilizojë pozitën, duke e vënë në një situatë të paqëndrueshme ndaj dëshirave të masave të gjera popullore.
Si pasojë e tallandive të kësaj natyre, përleshja mes pozitës dhe opozitës gjithmonë ka çuar drejt destabilizimit të jetës politike të vendit, duke tërhequr në hullinë e vet jo vetëm forcat e brendshme por edhe mjediset e jashtme – të prekuar nga larg ose nga afër prej projektimeve nacionaliste.
Ishte rasti i mjedisit radikal verior të « Komitetit të Kosovës », i cili kundërshtoi me armë në dorë qeverinë kombëtare të Zogollit në 1922 dhe në 1924. Ishte rasti i të djathtës republikane pas Luftës së Dytë që u përpoq të rrëzonte qeverinë komuniste të Hoxhës. Është rasti aktualisht i mjedisit monarkist dhe i të djathtës ekstreme që kritikojnë qeveritë demokrate ose socialiste për shitje të interesave kombëtare, në emër të stabilitetit rajonal.
Pushtimi italjan i vitit 1939, i ndjekur nga shembja e Jugosllavisë dhe e Greqisë, i ofroi opozitës republikane antizogiste tê epokës rastin unikal për të paraqitur një program politik krejtësisht nacionalist – « Shqipërinë e Madhe ». Ky konstruksion efemer – i gjeneruar nga boshllëku institucional, i frymëzuar nga coptimi i territoreve fqinje dhe i nxitur nga pushtuesit – u fshi nga vazhdimi i ngjarjeve dhe tërhoqi në rënien e saj gjithë mjedisin nacionalist shqiptar.
Përballë këtij realiteti, pushteti ligjor ka vetëm një rrugëdalje : të ngulmojë në përmasat kulturore të « Rilindjes » – hapje e shkollave në gjuhën shqipe, unifikimi i gjuhës dhe krijimi i një alfabeti të vetëm, zbutje e përçarjeve fetare me anë të formulës së famshme të Vasës. Përsa i përket përmasave politike të kësaj lëvizjeje, ai gjithmonë i shmanget skenës, qoftë dhe me anë piruetash të llojit :
.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse… nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX…. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. (4)
.
Të rrethojë Kombin me një mbështjellje konkrete të natyrës institucionale, t’i nënështrojë identitetin shqiptar projektit shtetëror – ja edhe detyra e parë e « nacionalizmit zyrtar ». E zbrazur nga përmbajtja e saj irredentiste, shqiptaria shëndrrohet në një instrument të pushtetit nëpërmjet ngritjes së miteve njejtësues tradicionalë : kërkim i stërgjyshërve, hyjnizim i historisë, zgjedhje e Heronjve kombëtare. Nga ky moment, Shteti zëvendëson Kombin : ai ushtron sovranitetin në emrin e tij brendapërbrenda kufijve kombëtarë dhe afirmohet jashtë tyre si subjekt historik në gjirin e rendit botëror, të themeluar mbi egzistencën dhe mbi marrëdhëniet mes njësive politike. Paralelisht, ai mundohet të neutralizojë « kombtarinë popullore » ndërkufitar dhe sfidëkërkues kur ai bezdis, ose t’a instrumentalizojë për të dalë nga një rrugë qorre, të imponuar nga historia. Kështu veproi monarkia e Zogut në fillim të viteve 30’, në epokën e kombëtarizimit të shkollava të huaja ; me të njejtën përmbajtje shpjegohet edhe qëndrimi i Republikës popullore të Hoxhës, në fillim të viteve 80’, pas ndërprerjes së ndihmave kineze. Rasti i fundit ishte ai i Republikës demokratike të Berishës që gjeti « kokën e turkut » të OMONIA-s për t’i kthyer kusurin shtetit grek. Çdo herë që mburoja mbrojtëse leskërohet dhe kriset, çdo herë që izolimi çfaqet në horizont, rregjimet i bëjnë thirrje bashkimit të popullit, përmendin virtytet e larta të shqiptarëve. Konceptimi i Kombit shërben si shtrati i Prokrustit një pushteti, i cili vepron mbi identitetin shqiptar në përputhje me qëllimet e tij : ai ja zgjat ose ja shkurton gjymtyrët shqiptarizmës me qëllim që kjo e fundit të mund të përputhet me standardet e tij utilitaristë.
.
Në qoftë se ju besojmë historianëve, « koncepti filozofik(!) » i Kombit është formuluar nga Abdyl Frashëri në vigjilje të krijimit të Lidhjes së Prizrenit. Në atë pranverë të largët të vitit 1878, ai ndërkohë dallonte elementët e tij përbërës :
.
gjuhën e përbashkët, territorin e përbashkët, historinë e përbashkët dhe jetën shpirtërore të përbashkët (të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve, të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta) dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar një shtet të përbashkët. (4)
.
Çka mbetet në ditët e sotme nga ky vizion fillestar ? Gjithçka ose asgjë – varet në ç’krah qëndron vrojtuesi. Po qe se i mbetemi besnikë frymëzimit të parë – ai i Abdylit dhe i shokëve të tij kosovarë ose çamë – ky përkufizim i kundërvihet egzistencës së shtetit të sotëm shqiptar. Në mënyrë kurioze, të dëshirosh të çlirohesh nga përmasat irredentiste, kjo nuk don të thotë të coptosh idenë fillestare, pasi në të vërtetë, në vend të Kombit, ajo përcakton etninë – një « konfuzion » mjaft i zakonshëm në rradhët e atyre që janë munduar të kqyrin problemin, që nga shekulli i XVIItë dhe deri në momentin e lindjes së kombit modern (6).

.
Le të gjykojmë vetë : duke hequr thelbin e polemikës, mes të tjerash, Kombi përcaktohet si « një popullsi e cila identifikon vetvehten në një histori dhe në një kulturë të përbashkët- shpesh edhe në një gjuhë të përbashkët, dhe që pretendon të njejtën origjinë, ose e thënë ndryshe të njejtën “lindje„ ».
Për dikë që kërkon një shkallë reduktimi ende më të fuqishme, Kombi mund të përcaktohet gjithashtu si « një grup njerëzor që karakterizohet nga ndërgjegja e njësisë së tij si dhe nga vullneti për të jetuar së bashku ». Gjëkundi pra nuk ka nevojë për një territor të përbashkët – i përcaktuar nga kufijtë, gjëkundi gjithashtu nuk nevojitet një pushtet qëndror, i qëndrueshëm dhe i përjetësuar – i përfaqësuar nga Shteti, gjëkundi së fundi ajo njësi morale ose politike e banorëve – e përkujtuar nga kontrata mes shoqërisë dhe Shtetit dhe e vulosur nga Ligjet. Duke ju rikthyer realitetit tonë, trupi i këtij Kombi çfaqet diku mes Shqipërisë së Parë – asaj të mirëfilltë – dhe Shqipërisë së Dytë – asaj të përtejkufirit, ndërkohë që konturet e tij shkrihen gjithandej nëpër botë, duke u ngatëruar me kufijtë e Universit.
.
Në këtë mënyrë është prekur edhe zemra e problemit : që prej « Rilindjes » dhe Mjeshtrave të vet mendimtarë, asnjeri nuk ka guxuar t’i përvishet konceptit të Kombit – njëkohësisht i shenjtë dhe tabu. Në mënyrë të ndërgjegjshme ose të pandërgjegjshme, sejcili mundohet të qëndrojë sa më larg kësaj zone të ndjeshme dhe fort të rezikshme e cila, sipas qëndrimit të zgjedhur, mund të ndezë një konflikt kufitar ose rajonal sikundër dhe të acarojë ndjenjat nacionaliste të popullsisë, duke provokuar me këtë rast çarje të thella në strukturën shoqërore. Në këtë mënyrë, preferohet më mirë të vihet theksi mbi elementët etnikë ose mbi « shenjat e jashtme të Kombit » sikundër territori, gjuha, feja dhe të kalohet nën heshtje faktori politik ose, raportet e forcës mes Shtetit dhe shoqërisë civile. Duke vepruar në këtë mënyrë, asnjëherë nuk është guxuar të përcaktohet Kombi si « një bashkësi politike e përbërë nga një grup njerëzor, i vendosur mbi një territor të caktuar ose mbi një bashkësi territoresh të përcaktuara dhe e personifikuar nga një autoritet sovran »
Ndërkohë, mjafton të hidhet një vështrim rreth e qark vehtes. Fqinjët italjanë e përshkruajnë Kombin në terma tradicionale si « një popullatë e cila praktikon, që prej gjeneratash të tëra, një bashkësi të territorit, të jetës ekonomoke, të kulturës, të gjuhës sikundër dhe një kuptim të përbashkët të ngjarjeve historike në mënyrë të tillë që, pjesa më e madhe e individëve që e përbëjnë këtë komb kanë krijuar një konceptim preciz të bazës së përbashkët, duke zhvilluar njëkohësosht një nivel të lartë lidhjeje emocionale me këtë Komb»(7). Evropianë të tjerë më lakonikë shkojnë edhe më larg dhe e përcaktojnë si « një bashkësi politike imagjinare dhe e imagjinuar si pazgjithshmërisht e kufizuar dhe sovrane » (8). Ja pra që s’paska nevojë as për gjuhë të përbashkët, as për territor të përbashkët bile as për etnicitet të përbashkët. Që në fillim të shekullit të XXtë, historiano-sociologo-antropologët Veber dhe Maus guxojnë të pohojnë se karakteristikat e përbashkëta – racë, gjuhë, kulturë – të kombëtarëve (lexo : antarët e një kombi) nuk janë shkaku por rezultat i konstruksionit kombëtar.
Sigurisht, është gjithmonë e mundshme të mbrohet një farë ideje e Kombit në emër të traditave, të vlerave të lashta dhe të një farë njëjtësie. Eshtë po aq e mundshme që të hidhen poshtë të tjera, duke i quajtur egzotike, të dëmshme bile edhe tjetërsuese, për të mos thënë të çmendura. Ndërkohë, për Evropën e sotme ku edhe përpiqemi të hymë, duke fituar besimin dhe vlerësimin e saj, këto koncepte e kanë kaluar stadin e hipotezave dhe imponohen në realitetin e përditshëm me qëllim që të zbusin « tensionin mes universalizmit të kombit demokratik dhe veçorive kombëtare dhe etnike, nëpërmjet formave të tejkalimit të vetë konceptit të kombit »(9). Elementët etnikë që mbeten në bazën e çdo ndërtimi kombëtar tashmë bëhen pre dhe absorbohen gradualisht nga institucionet kolektive të cilat, në vetvehte, shërbejnë si lëndë e parë për një shoqëri civile abstrakte.
.
Mes këtyre dy koncepteve të Kombit – lokale dhe evropiane, përse duhet të habitemi atëhere kur Perëndimi nuk arrin dot të ndjejë egzistencën e një kombi shqiptar ? përse duhet të dëshpërohemi nëqoftë se vëzhguesit, nëpërmjet instrumentave të tyre konceptuale, pranojnë se kombi shqiptar nuk përputhet me kriteret e përcaktimit, që zakonisht përdoren nga sociologët për të vlerësuar këto kategori ? përse së fundi, duhet të pikëllohemi nëqoftëse këta të fundit arrijnë në përfundimin se Shqipëria – në rastin më të mirë – përfaqson një komb pa Shtet dhe – në më të keqin – një Shtet pa komb (10) ?
.
.
———————————–
.
(1) Është rasti të citohet përkufizimi i shquar i kombit nga Ernest Renani, në fjalën e mbajtur në Sorbonë, në mars 1882 : « .. një komb është një shpirt, një princip shpirtëror. Dy gjëra që në të vërtetë bëjnë veç një, e përbëjnë këtë shpirt, këtë princip shpirtëror. Njëra gjendet e të kaluarën, tjetra në të tashmen. Njëra është të zotëruarit e përbashkët të një trashëgimie të pasur në kujtime, tjetra është mirëkuptimi i përditshëm, dëshira për të jetuar së bashku, vullneti për të vazhduar që të vihet në dukje trashëgimia që kemi marrë në mënyrë të pandashme… Të kesh lavdi të përbashkëta në të kaluarën, një vullnet të përbashkët në të tashmen ; të kesh bërë gjëra të mëdha së bashku, të duash të bësh të tjera, ja edhe kushtet e domosdoshme për të qenë një popull… Një Komb është pra një solidaritet i madh, i përbërë nga ndjenja dhe sakrificat që janë bërë dhe nga ato ende janë gati të bëhen. Ai nënkupton një të kaluar, ai përmbidhet sidoqoftë në të tashmen me anë te një fakti të prekshëm : mirëkuptimi, dëshira e shprehur në mënyrë të qartë për të vazhduar egzistencën e përbashkët. Egzistenca e një Kombi është një plebishit i përditshëm, sikundër dhe egzistenca e një njeriu është afrimimi i përjetshëm i vetë jetës.. ». Shih : Ernest RENAN – Qu’est-ce qu’une Nation, në : Discours et Conférences, Calman-Levy, 1887.
.
(2) I njejti shpirt mendimi egziston ndërmjet ideologëve të Rilindjes shqiptare kur ata pohojnë se « … gjuha është dhe shenja e kombësisë, pasi çdo komb mbahet më këmbë nga gjuha.. » Shih : Sami FRASHËRI – Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, bot. 3të Ed. Kristo Luarasi, Tiranë, 1924.
.
(3) Lidhur me strukturimin në përgjithësi të lëvizjes kombëtare dhe fazat e saj të zhvillimit, shih : HOBSBAWM Eric – Nations et nationalismes depuis 1780, Programme, mythe, réalité Paris Ed. Gallimard, 1992.
.
(4) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë – Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- Historia e Popullit Shqiptar v.I e II, Ed. Toena, Tiranë, 1994 – 2002.
.
(5) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë – Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- ibidem
.
(6) Shih mbi këtë subjekt : Dominique SCHNAPPER – La communauté des citoyens. Sur l’idée moderne de nation. Paris, Gallimard nrf essais, 1994.
.
(7) Shih : Franco DEMARCHI et al ( nën drejt.) – Nuovo Dizionario di Sociologia. Paoline éd. Roma 1987.
.
(8) Shih : Benedict ANDERSON – L’imaginaire national : réflexions sur l’origine et l’essor du nationalisme, Éd. La Découverte/Poche, Paris, 2002.
.
(9) Dominique SCHNAPPER – ibidem.
.
(10) Këto reflektime – në formën pohuese – i përkasin Lakshman-Lepain, dhe zhvillohen në studimin e saj mbi ndërtimin e identitetit kombëtar tek shqiptarët. Autori i referohet pikërisht veprës së Marsel Mausit mbi Kombin dhe në rradhë të parë, përkufizimit të tij : « ne kuptojmë me shprehjen Komb një shoqëri materialisht dhe moralisht të integruar, me një pushtet qëndror të qëndrueshëm, të vazhdueshëm, me kufij të përcaktuar, me një njësim relativ moral, mendor dhe kulturor të banorëve që pjasëmarrin në mënyrë të ndërgjegjshme në Shtetin dhe në ligjet e tij ». Pa dashur të analizojmë vlerën e këtij përkufizimi, mjafton të njihet vepra e « babait të antropologjisë franceze » për të kuptuar se përdorimi i kësaj reference merr ngjyra më tepër se ironike. Në të vërtetë, Mausi pohonte në vitin 1920 se « Shqiptarët gjenden në një stad qytetërimi gjithmonë primitiv, edhe më primitiv se sa Indoevropianët në momentin e futjes së tyre në histori ». Shih : Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – L’Albanie : une nation encore à inventer ?, në: DE WAELE J.-M. & GJELOSHAJ K. (nën drejt.) – De la question albanaise au Kosovo, Ed. Complexe, 1999. Shih gjithashtu : Marcel MAUSS – La nation. në : Œuvres. 3. Cohésion sociale et division de la sociologie, Les Éditions de Minuit, Paris 1969.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: