Viti i Mbrapshtë 1997 –2. Kallashnikovët e opozitës.

I shtyrë nga euforia popullore dhe nga shëndeti i mirë i dukshëm i ekonomisë, i llastuar nga mjediset politike dhe financiare evropiane që i ofruan vendit te tij një vend në gjirin e Këshillit të Evropës, Berisha ju përvesh punës për t‘i mbyllur gojën opozitës dhe me këtë rast, ai fshiu nga rruga të gjithë ata që nuk ndanin me të të njejtën ide të demokracisë. Ishte rasti i Zef Brozit – kryetari fatkeq i gjykatës të Kasacionit – megjithëse demokrat i orëve të para, i cili ju bashkua idesë të rishikimit të procesit Nano. Selia e tij u sulmua nga forcat e SHIK-ut, të cilat e dëbuan përpara se sa Parlamenti t’a shkarkonte nga detyra me anë të një procedure të dyshimtë. Ndërkohë, pesëmbëdhjetë « dinozaurët » e fundit të rregjimit të vjetër u nxorrën përpara gjyqit dhe u dënuan për gjenocid. Në këtë numër bënte pjesë edhe ish-Presidenti Alia, i cili ndërkohë ishte gjykuar, dënuar dhe liruar gjatë vitit 1995 ; po ashtu dhe ish-Kryeministrin Ahmeti, edhe ai i akuzuar për shpërdorim fondesh.
.
.
Në këtë atmosferë të neveritshme të « gjuetisë së shtrigave » që mbretëronte në vend, Parlamenti votoi disa Ligje që i përkisnin « Kontrollit të Figurës të Zyrtarëve » si edhe « Gjenocidit kundër njerëzimit për arsye politike, ideologjike ose fetare » ndërsa në shkurt të vitit 1996 ai ndryshoi edhe Ligjin e Zgjedhjeve. Tashmë, antarët e qeverive të dikurshme si dhe zyrtarët e lartë të rregjimit të vjetër komunist nuk mund të shkruanin emrin e tyre mbi listat e kandidatëve për Kuvendin Kombëtar as edhe të ushtronin detyra të larta në administratën publike (1). Përpara këtij realiteti të ri kushtetues, opozitës i duhej të sakrifikonte rreth 140 kandidatë potencialë, të ndaluar të konkurronin deri në vitin 2002 ndërkohë që rreth 100.000 qytetarë, të dyshuar për bashkëpunim me Sigurimin, rrezikonin të zhvisheshin nga të drejtat e tyre civile. Pas një fushate elektorale agresive, të karakterizuar nga teprime verbale të të gjitha llojeve dhe formave mes të cilave shtypi i opozitës cilësonte pushtetin si « hitlerian » që përdorte metoda të denja për Gestapon, ndërkohë që mediat zyrtare e vlerësonin opozitën si « Fronti i Kuq », zgjedhjet për deputetë – të dytat zgjedhje pluraliste dhe të lira në historinë e vendit – u zhvilluan në 26 maj të vitit 1996. Nën vështrimin e vëmendshëm të disa dhjetra vëzhguesve të bashkësisë ndërkombëtare, trembëdhjetë parti politike dhe mbi një mijë kandidatë konkuruan për ato 140 vendet e Kuvendit Popullor të Tiranës.
.
Megjithë vëzhgimet e para që theksonin klimën e qetë dhe paqësore, zhurmat lidhur me një falsifikim masiv qarkullonin gjithandej. Ato u bënë këmbëngulëse pas vendimit të papritur të qeverisë për të zgjatur edhe dy orë të tjera mbajtjen e zgjedhjeve me qëllim që qendrat e votimit të mund të pajiseshin me protokolle të reja votimi. Kjo gjë parashikonte anullimin e një pjese të rezultateve tâ arritura. Në orën gjashtë të pasdites – dy orë përpara mbylljes zyrtare të votimit – të gjitha partitë e opozitës vendosën të tërhiqen nga procesi elektoral. Njëzet e katër orë pas shpërthimit të entuziazmit të partizanëve të PD që festonin me zhurmë « fitoren » nëpër rrugët dhe sheshet e vendit, një turmë modeste prej pothuaj një mijë antarësh dhe simpatizantësh të PS mblidhej në sheshin « Skënderbej » të kryeqytetit për të manifestuar pakënaqësinë e tyre. Ata u shpërndanë me brutalitet nga forcat e policisë e cila qëlloi dhe rrahu pa asnjë dallim ish-deputetë, gazetarë dhe drejtues politikë. Pa dyshim, opozita kish gjetur një mënyrë tepër të zgjuar dhe të shkathët për të administruar një humbje të parashikuar nga të gjitha sondazhet. Ajo kërkonte tashmë të shtynte rregjimin e Berishës drejt një rruge pa krye, duke e vënë në vështirësi përkundrejt donatorëve të tij të shumtë, me të vërtet të shqetësuar përballë shkarjeve autoritare të Presidentit shqiptar.
Turi i dytë i 2 qershorit pati pamjen e një maskarade : duke qenë tashmë e sigurt me ata 95 deputetët e saj të porsazgjedhur me sistemin e drejtpërdrejtë nga 115 të mundshëm, Partia Demokratike i fitoi të gjitha mandatet e tjera. Zaten, përfundimi i zgjedhjeve njihej para kohe – pas tërheqjes së kandidatëve socialistë ose të aleancës – pasi të vetmit kandidatë të mbetur në lojës i përkisnin partive të vogla të spektrit të djathtë (2). .
Duke dominuar në këtë mënyrë jetën politike të vendit me anë të një parlamenti « njëngjyrësh », PD dhe Berisha inauguronin mandatin e tyre të dytë elektoral me një votëbesim ndaj qeverisë Meksi. Por me rënien e euforisë të fitores së paharruar, Presidentit i duhej të zbriste në tokë dhe të kuptonte shkallën e vështirësive të reja, të krijuara nga këto zgjedhje aq të suksesshme. Atij i duhej të përballej me :
.
.
.
– Një opozitë të brendshme të pushtuar nga shpirti i kryengritjes, arma kryesore e të cilës ishte bojkotimi i institucioneve dhe mungesa e saj e shënuar në debatin politik, ndërkohë që një grup jo i vogël i atyre 140 përfaqsuesve të saj më në zë kish filluar një grevë urie tejet mediatike.
.
.
– Një pakënaqsi ndërkombëtare në rritje si pasojë e zgjedhjeve, mungesa e transparencës të të cilave tashmë nuk linte asnjë dyshim. Korit të institucioneve evropiane (Parlamenti dhe Këshilli i Evropës si dhe OSBE) të cilat kërkonin ribërjen e zgjedhjeve, i ishte bashkëngjitur edhe administrata amerikane e Presidentit Klinton, e cila nuk hezitonte më të përdorte shprehjet « mashtrim » ose « falsifikim i rezultateve » dhe të cilësonte zgjedhjet si « një hap serioz prapa në procesin e zhvillimir demokratik në Shqipëri ».
.
.
– Një tentativë tjetër mosbindjeje – të kushedisatën – brenda përbrenda rradhëve të partisë të tij, aftësia e të cilës për të prodhuar skizma gjatë zgjedhjeve nuk kish më nevojë që të vërtetohej. Në të vërtetë, disa nga elementët më të spikatur të PD si puna e ish-ministrit të financave Ruli ose ish-ministri i Ndërtimit Shehi kishin paraqitur një promemorje që vinte në dukje devijimin e djathtë të partisë ose dhe organizimin e saj të brendshëm. Siç mund të pritej, ata u përjashtuan pa asnjë formë procesi dhe pa asnjë keqardhje, duke respektuar në këtë mënyrë një traditë tashmë proverbiale për PD.
.
.
– Zëra gjithmonë e më ngulmues të ardhur nga brenda vendit si dhe nga jashtë tij që theksonin rrezikun në rritje që peshonte mbi ekonominë kombëtare për arsye të aktivitetit të « shoqërive të kreditit ».
.
.
Përballë shumëfishimit të kritikave dhe të paralajmërimeve, Berisha qëndroi i papërkulur dhe përsëriti pa u lodhur aspak deklaratat e tij të mëparshme lidhur me natyrën « fair play » të procesit elektoral të porsapërfunduar në vendin e tij. Bile edhe më mirë se aq : duke zëvendësuar të gjithë antarët e Komisionit Qendror të Votimeve, ai dha një provë tjetër të shkëlqyer të fuqisë së tij. Vetëm disa muaj më vonë, zgjedhjet e reja lokale të zhvilluara në 20 dhe 27 tetor 1996 u shëndrruan në një plebishit të vërtetë për partinë e tij politike. PD mundi të siguronte 88% të votave gjatë procesit të drejtpërdrejtë dhe 52.5% të votave ndaj partive politike (29 rrethe ndaj një totali prej 36, 52 bashki ndaj 65 të mundëshme dhe 261 komuna mbi 309 gjithsej), ndërkohë që rivalja e saj e drejtpërdrejtë, Partia Socialiste – përfundimisht e bindur nga ana e evropianëve për të mos bojkotuar zgjedhjet – arriti të merrte veç 10% të votave direkte dhe 31.3% të atyre sipas listave (6 rrethe, 8 bashki dhe 27 komuna) (3). Një tjetër « test i qëlluar » për demokracinë shqiptare, sipas vlerësimeve të komisionit parlamentar të Këshillit të Evropës, megjithë disa parregullsive serioze që i ndotën deri-diku rezultatet. Duke fshirë në këtë mënyrë opozitën socialiste e cila gjatë muajit gusht, si për të nënvizuar kalvarin e saj, i ripërtperiti besimin Nanos së kryqëzuar në shtyllën e turpit, Berisha mundi të ruajë bazën e pushtetit të tij politik. Mundim i kotë për Presidentin shqiptar pasi ai braktisej nga aleati i tij i parë dhe më i fuqishëm, amerikanët.
.
.
A ishte faji i mashtrimit elektoral të maj – qershorit ? apo, nga shkaku i atij biznesi monstruoz, i mbiquajtur « piramidat financiare » që po hynte në fazën e saj terminale ? Vendi më i fuqishëm demokratik i botës – dhe miku i zemrës i PD – gjithmonë kish ditur në të kaluarën të mbyllte sytë përkundrejt shkarjeve autoritare të Berishës. Por kësaj rradhe, fjalimet e egzaltuara të Presidentit shqiptar nuk arrinin të magjepsnin askënd, aq më keq që duheshin duruar edhe për katër vjet të tjera. As ai lobi grek, aq mirë i rrënjëzuar në mjediset qeveritare amerikan edhe tejet i ndjeshëm ndaj çështjes vorio-epirote as edhe CIA, e preokupuar për të shpleksur fijet e Ballkanit postkomunist, shtatzënë me konflikte etnike të përgjakshme, nuk mund t’a toleronin më. Idili mes Shtëpisë së Bardhë dhe Pallatit të Brigadave kish marrë fund në mënyrë të papritur.
.
.
Vdekja e rregjimit Berisha kundërmonte erë paresh. Që në muajin tetor, FMI kish paralajmëruar pushtetin lidhur me përhapjen tentakulare të fenomenit « piramida » dhe në nëntor, ai kish mundur të marrë si jehonë deklaratat televizive të Presidentit që theksonin « karakterin absolutisht të pastër të parave të këtyre shoqërive të kreditit ». Ndërkohë, njerëzit kishin filluar të shisnin gjithçka kishin – apartamente, truaj apo toka dhe të tjera bagëti – për të investuar paratë në këto shoqëri që premtonin interesa mujore prej 50%, bile edhe 100%, ndërkohë që niveli vjetor i inflacionit në vend nuk e tejkalonte shifrën 20%. Vetëm se, në 10 janar të vitit 1997, Banka Kombëtare e Shqipërisë dekretonte se nuk mund të shbllokonte shuma më të mëdha se 300.000 dollarë në ditë në llogaritë e këtyre shoqërive. Një javë më pas, shoqëria « Gjallica » e ndjekur nga « Sudja » nuk ishin më në gjendje të rimbursonin kapitalin fillestar të atyre mijra kreditorëve, që kishin vrapuar në sportelet përkatëse për të verifikuar vërtetësinë e vendimit të qeverisë. Ato deklaruan se tashmë ishin në pamundësi të paguanin klientët dhe shpallën falimentimin e tyre, duke shkaktuar një sulm të përgjithshëm të të gjithë kursimtarëve të vendit drejt sporteleve të shoqërive të kreditit. « Vefa » dhe « Kamberi » reaguan menjëherë, duke shpallur synimin e tyre të mos paguanin depozitat përgjatë një periudhe prej tre deri në gjashtë muaj. Në 18 janar, policia ndërhynte në Tiranë për të shpërndarë grumbullimet e para spontane të kursimtarëve të mashtruar.
.
.
Pas disa ditësh hezitimi, Banka Kombëtare vendosi të bllokojë llogaritë e këtyre shoqërive, më mirë të themi paratë e tyre të depozuara në kasat e saj : 250 millionë dollarë, pra më pak se 40% të shumave që duheshin rimbursuar me urgjencë. Si mund të qetësoheshin ata qindra mijra vetë që filluan të kuptonin përmasat e katastrofës ? Në asnjë mënyrë nëpërmjet vendimeve të Prokurorisë së Përgjithshme që deklaronte se firmat « Xhaferri » dhe « Populli » s’ishin gjë tjetër veçse skema mashtruese të llojit Ponzi, përpara se të hapte hetimet ndaj drejtuesve të tyre ose të urdhëronte arrestimin e jevgës Sude dhe t’a dorëzonte në duart e drejtësisë. Vetëm të citoje shifrat të merrej mëndja e kokës : më tepër se një e treta e familjeve shqiptare kishin humbur krejt ose pothuaj krejt kursimet e tyre ; paret e humbura shifroheshin me më tepër se një miliard e dyqind milionë dollarë – thuaj gjysma e PBB të vendit ; asnjeri nuk dinte se ku ishin avulluar këto para, të cilat ushqenin një « llotari » makabër, volumi i përgjithshëm i të cilës llogaritej me afro gjashtë miliardë dollarë.
.
Bëhet fjalë pra për një « flluckë financiare » gjiganteske e cila plasi dhe la pa frymë një vend të tërë : ku shkuan paratë ? Kush e kishte fajin ? Qeveria, e cila nuk ka dashur të pengojë me kohë këtë katastrofë kombëtare – ja edhe pikpamja e opozitës. Si shpjegohet që edhe kjo e fundit gjithashtu nuk kish mundur të shihte gjë prej gjëje dhe si pasojë, nuk e kish ngritur zërin me kohë për të lajmëruar opinionin ? Sidoqoftë, kjo verbëri e opozitës nuk e pengoi aspak që të integronte turmën e inatosur në rrugët e Tiranës, në 18 janar, dhe të denonconte me zë të lartë vjedhjen.
.
.
Ndërkohë, vlimi kish pushtuar rrethet ; në 24 janar, dy mijë manifestues sulmonin dhe i vinin zjarrin bashkisë së Lushnjës, pasi kishin marrë peng Tritan Shehun, Presidentin e PD, i cili kish vrapuar në vend për të qetësuar shpirtrat (shih video). Në 25 janar i erdhi rradha Vlorës, Patosit, Fierit… – gjithsej nëntë qytete – për t’u ngritur në manifestime të ngjashme, të ndjekura nga përleshje me forcat e rendit. Në 26 janar, njëzet mijë manifestues marrshonin në rrugët e kryeqytetit duke bërtitur « Berisha – hajdut » ose « Poshtë diktatura (!?) ». Ata u përleshën me njësitë speciale të forcave të rendit të cilave ju desh të tërhiqen, duke bartur mbi 90 të plagosur mes rradhëve të tyre (shih video). Atëhere, i erdhi rradha Presidentit të hidhet në kundërsulm : në 28 janar, ai mblodhi dhjetë mijë partizanë të partisë së tij në Tiranë, të cilët manifestuan duke shprehur mbështetjen e tyre ndaj qeverisë, ndërkohë që policia arrestonte disa qindra opozues përpara se sa t’i rrihte sipas qejfit. Në 30 janar, gjashtë parti të opozitës, nën udhëheqjen e socialistëve deklaronin krijimin e një « Forumi për Demokracinë ». Forcat politike tashmë ishin renditur përballë njerat tjetrës në fushën e betejës.
.
.
Pas deklaratave këmbëngulëse të qeverisë Meksi lidhur me një rimbursim të shpejtë dhe të plotë të të gjithë personave të mashtruar – të ndjekura nga hapja e disa sporteleve të drojtura që fillojnë dhe paguajnë disa fatmirë, u duk se vala e parë spontane e manifestimeve filloi të bjerë. Në të vërtetë, qetësia e vërejtur ishte mashtruese pasi në 5 shkurt, u fol haptazi se « Gjallica » po falimentonte dhe do të mbyllte sportelet. Kjo firmë, selia e të cilës ndodhej në Vlorë – kryeqyteti i të gjitha trafiqeve – ishte krenaria më e madhe dhe ndoshta e vetme e këtij
qyteti. Ajo mbante me bukë disa mijra familje, të cilat kishin vënë në lojë gjithçka që zotëronin për t’u pasuruar shpejt. Përpara se sa ky lajm i tmerrshëm të zyrtarizohej, turma pushtoi sheshet dhe u lëshua në përleshje rrugësh me forcat e policisë. Përgjatë disa ditëve, Vlora u shëndrrua në epiqendrën e revoltës së çorganizuar dhe përfundimisht, në 9 shkurt, mbi dhjetë mijë vetë sulmuan komisariatet e policisë lokale. Në 10 shkurt, qeveria Meksi arriti të kuptojë se ajo nuk e kontrollonte më këtë qytet prej 70.000 banorësh – qyteti i pestë i vendit – i cili kish kaluar në duart e kryengritësve. Ndërkohë që një turmë e paanë merrte pjesë në funeralet e viktimave të para (3 të vrarë dhe afro 150 të plagosur), fillimisht mbarë vendi, dhe më pas mbarë bota filluan të ngrenë pyetjet : cilët janë zotërit e rinj të Vlorës ? Po qe se i zemë besë eruditit Berisha, bëhej fjalë për « kriptokomunistët » e opozitës që kërkonin të zhysnin vendin në kaos, ndërkohë që sipas thënieve të opozitës largpamëse, episodi i Vlorës s’ishte gjë tjetër veçse faqja e pasme e medaljes « të falimentimit të piramidave financiare, përgjegjësi kryesor i të cilës ishte vetë Berisha ». Që të dyja palët kishin të drejtë pasi ajo turma laramane e Vlorës, që kish mundur të grumbullonte të mashtruarit, të zhgënjyerit e të gjitha llojeve, terjaqinjtë e kafeve, shefa të mëdhenj dhe të vegjël mafiozë, nostalgjikët e komunizmit dhe të tjerë oficerë të liruar ose sigurimsa të papunë, ishte tërhequr me zgjuarësi nga përgjegjsat lokalë të opozitës socialiste dhe social-demokrate. Në një mënyrë si të rastësishme, këta të fundit ishin edhe drejtuesit lokalë të « Gjallicave», të « Vefave » ose të « Silvave », hallka të një zinxhiri të gjatë skajet e të cilit gjendeshin në shtabet e partive kryesore politike. Çfarë duhej bërë kundër kryengritësve ? Përgjigja përvëlonte pasi, në 14 shkurt, përleshje të tjera shpërthyen në Fier, i cili ishte duke kaluar në anën e rrebelëve. Tashmë lajmet e kësaj zone vinin me copa : në 20 shkurt, disa dhjetra studentë të Universitetit të Vlorës filluan një grevë urie për të kërkuar kthimin e parave të humbura ; në 27 shkurt, rreth 20.000 vetë marrshonin duke hedhur parrulla anti-Berisha në rrugët e qytetit bregdetar dhe së fundi, në 28 shkurt, një turmë « prej disa mijra vetësh sulmoi një kazermë të ushtrisë, duke rrëmbyer disa qindra armë zjarri, nën vështrimin e pafuqishëm të ushtarakëve ». Në të njejtën ditë, forcat e SHIK-ut kishin dështuar në mënyrë të mjerë gjatë përpjekjes së tyre për të shtënë në dorë qytetin – duke lënë mbrapa me këtë rast gjashtë persona nga rradhët e tyre – të sakatuar dhe përfundimisht të masakruar nga turma. Menjëherë, qeveria dekretoi gjendjen e jashtëzakonshme në qytet. Në 1 mars, qeveria Meksi dha dorëheqjen dhe Presidenti Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin, të shoqëruar me një ndalim-qarkullimi, nga ora 20 e mbrëmjes deri në 7 të mëngjezit. Kësaj rradhe gjendja ishte me të vërtetë tepër shqetësuese pasi, në mënyrë të befasishme, i gjithë Jugu i vendit ishte përfshirë në një ingranazh dhune dhe çmëndurie vrastare : zyrat e SHIK-ut sikundër dhe bankat, bashkitë dhe të tjera gjykata ishin sulmuar në Delvinë dhe në Sarandë ; në Gjirokastër, turma kish përmbytur Prefekturën e qarkut ; në Fier, turma kish sulmuar, plaçkitur dhe djegur depot e municionit përpara se të shpallte se do të marrshonte drejt Tiranës dhe të bllokonte rrugën kombëtare në disa sektorë të saj. Breshëritë e para të armëve automatike ishin dëgjuar në kryeqytet ku banorët, e panikuar, kishin filluar të braktisnin rrugët dhe institucionet publike. Me qëllim që të rimerrte në dorë situatën, Presidenti që tashmë qeveriste vetë shpalli mobilizimin e përgjithshëm dhe dërgoi njësitë e blinduara për të hapur rrugën e Fierit dhe më tej, në Vlorë dhe në Sarandë, ndërkohë që helikopterët e ushtrisë mitralonin Delvinën. Dështimi ishte i të njejta përmasave sikundër edhe shpresat fillestare pasi ushtarakët dhe forcat speciale u detyruan të tërhiqeshin me nxitim dhe t’i linin iniciativën rrebelëve, të cilët shpallën pavarësinë ndaj pushtetit qëndror. Lajmi i fundit ishte krijimi i « Komiteteve të Shpëtimit Publik »” si edhe i « Komunës së Vlorës » – një diçka krejt origjinale në këto ditët e para të marsit. Në të vertetë, lajmet ishin më se alarmante : një numër i madh njësish ushtarake kish dezertuar dhe ishte « vëllazëruar » me kryengritësit që tashmë zotëronin tanke, deri edhe aviona luftarakë pas pushtimit të një baze ushtarako-ajrore të qeverisë. Në këto kushte, Presidenti i porsazgjedhur Berisha (4) u mundua të fitojë kohë : në 8 mars, nën vështrimin dashamirës të Lamberto Dinit, ministrit italjan të Punëve të Jashtme, ai filloi një rreth konsultimesh me përfaquesit e partive të opozitës, e cila – që nga socialistët dhe deri tek republikanët – ishte strukur pas Forumit të saj Demokratik. Në të njejtën ditë, helikopterët e Presidentit sulmonin Gjirokastrën dhe Përmetin. Dy ditë më pas, Presidenti me shpirt të vrerosur i dha bekimin një qeverie të re të Pajtimit Kombëtar, të drejtuar nga Bashkim Fino. Mjaft që ky ish-kryetar bashkie nga Gjirokastra me fytyrë çilimiu, të mundë të mbledhë forcat politike të vendit dhe t’i verë në shërbim të vendosjes së rregullit dhe të rendit publik ! Në terren, punët shkonin keq dhe mos më keq : gjithmonë në 8 mars, nja dhjetë qytete janë shpallur të lira ndërkohë që në 10 mars rregjistrohen përleshje të reja në Berat, në Lushnje, në Kuçovë ose në Korçë. Në 11 mars, për herë të parë, turmat e inatosura sulmojnë dhe plaçkisin kazemat dhe depot e municionit në Veri të vendit – në Kukës dhe në Bajram Curri, ndërkohë që në 12 mars, revolta shpërthen në Elbasan dhe Cërrik si edhe në Shkodër. Tetëmbëdhjetë Komitete të Shpëtimit Kombëtar të qyteteve të jugut mundën të mblidheshin në Gjirokastër dhe krijuan një « Front Kombëtar të Shpëtimit Publik », një kundër-pushtet që afishonte indipendencën e tij nga çdo autoritet tjetër në vend. Në 13 mars, përleshje të përgjakshme mes bandash rivale ndodhnin në Korçë ndërkohë që plaçkitja e kazermave dhe e depove (shih videon) kish arritur kulmin në Shkodër dhe në Durrës ku, turma e eksituar kish mbajtur vrapin në depot e portit. Në Lezhë, grabitja e organizuar kish filluar në degën e Bankës së Shtetit përpara se sa të përhapej në të gjithë qytetin. Të gjitha burgjet e vendit ishin thyer dhe me qindra, bile me mijra të burgosur u kthyen në shtëpitë e tyre, ndërkohë që pjesa tjetër u bashkua me turmat plaçkitëse. Përpara faktit të kryer, Berisha shpalli faljen presidenciale për ata më të shquarit ; kështu, që të nesërmen, Nano çfaqej përpara shtabit të tij të përgjithshëm dhe një turme simpatizantësh socialistë në delir. Në të kundërt, Alia largohej nga vendi për të shkuar në Francë. Në 15 mars, plaçkitjet dhe përleshjet e rrugëve përmbytën kryeqytetin Tiranë.
.
.

Nga momenti i shpalljes së dorëheqjes të qeverisë Meksi, bashkësia ndërkombëtare u vu në lëvizje për të gjetur zgjidhje ndaj krizës e cila po trondiste themelet e vendit dhe që për më tepër, rrezikonte të destabilizonte gjithë rajonin. Më të interesuarit, Greqia dhe Italia kërkuan në 2 mars një mbledhje urgjente të ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian për të debatuar lidhur me mobilizimin e mjeteve të domosdoshme për t’i dhëne fund krizës së “piramidave financiare”. Dy ditë më vonë, OSBE dërgoi në Tiranë një mision vëzhgimi të
drejtuar nga Franc Vranicki, një ish-kancelar austriak, i cili as që u prit nga një Berishë i inatosur. Duke ju rikthyer propozimeve të veta lidhur me një përsëritje të zgjedhjeve parlamentare, Bashkimi Evropian i rekomandoi shtetasve të vet të braktisnin vendin ndërkohë që në 13 mars, të gjithë fqinjët e Shqipërisë mbyllnin kufijtë për të penguar vërshimin e një dallge të re rrefugjatësh. Në 14 mars, qeveria e re Fino kërkoi zyrtarisht dërgimin e një force ushtarake shumëkombeshe të paqësimit, pa mundur të bindë ministrat evropianë të Punëve të Jashtme të ndërmarrin një aventurë të tillë. Përfundimisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të luajnë një kartë tjetër, duke kërkuar dorëheqjen e Berishës. Përgjigja e ketij të fundit qe bubullitëse : ai deklaroi publikisht se rrebelimi komunist i Jugut ishte frymëzuar dhe përgatitur nga CIA dhe nga qarqet helenike (5) të cilat kërkonin të hiqnin qafe një fqinjë të bezdisshëm. Pas disa ditë sorollatjesh, OSBE vendosi më në fund dërgimin e një force ndërkombëtare në Shqipëri. Në të vërtetë urgjenca i kish tejkaluar kufijtë e vendit dhe kish detyruar Italinë të vinte forcat e saj të armatosura – detare dhe tokësore – në gjendje gadishmërie maksimale : brenda javës, mbi dhjetë mijë vetë të nisur nga toka përballë, kishin zbarkuar në brigjet e saj. Për më tepër, këta të ardhur rishtas nga një vend në luftë ishin të armatosur deri në dhëmbë : pistoleta automatike, armë të të gjitha kalibrave, granada sulmi dhe eksplozivë të të gjitha llojeve – bile edhe mitralozë të lehtë, të rëndë deri edhe bazuka, ja kush ishte ngarkesa e zakonshme e barkave që konfiskoheshin nga karabinierët e rajonit të Barit dhe të Brindizit, pa harruar dhe barrën klasike të kërpit indian ose të heroinës. Veç mendimi që një arsenal i tillë mund të binte në duart e rrjetave kalabreze ose puljeze të Ndrangetas ose të « Sakra Korona Unita » shkaktonte djersë të ftohta në Romë. Duke aktivizuar mburojën detare, të quajtur « Operacioni flamujtë e bardhë », qeveria Prodi kish vënë si objektiv të intercepronte dhe të bllokonte të gjitha mjetet e lundrimit që transportonin rrefugjatë potencialë jashtë kufirit prej 20 miljeve detare dhe në rast nevoje, t’i shtynte jashtë ujrave të saj territoriale. Në 28 mars, një anije e vjetër e nisur nga Vlora, e tejngarkuar me rrefugjatë, u interceptua dhe u godit nga një anije luftarake e flotës ushtarake italjane përballë bregut të Leçes : 85 vetë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin gra dhe fëmijë të mitur, u mbytën nën vështrimin e detarëve italjanë (6). Ishte një incident i panevojshëm dhe mizor, e vetmja « meritë » e të cilit ishte përshpejtimi i ngjarjeve. Që të nesërmen e katastrofës, Këshilli i Sigurimit i OKB votoi dhe aprovoi mandatin e një force mbrojtëse ndërkombëtare (FPMN), nën komandën italjane, e ngarkuar për « të ndihmuar dhe të garantojë dërgimin e shpejtë dhe të sigurt të ndihmës humanitare, të ndihmojë në vendosjen e një mjedisi të përshtatshëm për kryerjen e misioneve të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, duke përfshirë edhe ato të ndihmës humanitare ». Dy javë më vonë, ushtarakët e parë të misionit « Alba » zbarkonin në portin e Durrësit. Një ushtri e vërtetë prej pothuaj 7.000 ushtarakësh që i përkisnin një dhjetëshe vendesh evropiane (7), pjesa më e madhe e të cilëve ishin të pellgut mesdhetar, nën komandën e gjeneral Forlanit zuri hyrjet e vendit – portet e Durrësit dhe të Vlorës si edhe aeroportin e Rinasit pranë Tiranës. Kjo forcë ushtarake u aplikua kryesisht në operacione logjistike dhe të shbindjes, për të mos thënë të frikësimit dhe, në raste të rralla u morr me shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe mjeksore të kufizuar (5.500 tonë gjithsej). Mandati i saj fillestar prej 90 ditësh u rizgjat edhe për 45 ditë të tjera, pas negociatave të suksesshme të Vranickit me forcat politike. Në këtë mënyre, të gjitha palët mundën të bien dakord për të zhvilluar zgjedhje të reja legjislative, të parashikuara në 29 qershor dhe 6 korrik të vitit 1997. Megjithë refuzimin e prerë të « turistëve të armatosur » për t’u angazhuar në operacione të ashtuquajtura « policore », megjithë çorganizimin e plotë në të cilën notonte qeveria e përkohshme e Finos, gjesti më i ndritur i të cilës ishte trefishimi i rrogave të policëve, vendi ju afrua dalëngadalë afateve elektorale. Me fjalë të tjera, fantazma e luftës civile mes Jugut – socialkomunist dhe adept i Nanos, dhe Veriut – demokrat dhe besnik i Berishës, aq shumë e përmendur nga gazetarët dhe reporterët evropianë të nxituar në vend, ishte zvenitur dhe avulluar duke i lënë vendin një rrumpalle të papërshkrueshme, të prodhuar nga plaçkitës anonimë të armatosur dhe nga banda rivale keqbërësish. Kjo « luftë e ndyrë » që prodhonte mesatarisht njëzet viktima çdo ditë mes larje hesapesh të të gjitha llojeve, sulmeve plaçkitëse të armatosura, aksidenteve vdekjeprurëse dhe plumbave qorrë, përbënte edhe dekorin e çdo aktiviteti ekonomik, politik bile edhe intelektual të vendit. Nën mbrojtjen e sigurt të atyre mijra ushtarakëve evropianë dhe atyre qindra vëzhguesve ndërkombëtarë, një pjesë e madhe e shqiptarëve (73% e popullsisë) u çvendos në 29 qershor, një të djelë, drejt kutive të votimit – dhe një javë më vonë, në 6 korrik – për të zgjedhur 155 përfaquesit e popullit (8) që do të uleshin në Parlamentin e Tiranës. Rezultatet e dala nga kutitë ishin tejet të qarta : koalicioni i të Majtës, i udhëhequr nga socialistët, realizonte 61,6% të votave në planin kombëtar dhe me ata 118 deputetët e tij siguronte shumicën absolute të Parlamentit (9). Partizanët e të Djathtës, të drejtuar nga demokratët, nuk kalonin shifrën e 31% (30.8%) ose e thënë ndryshe, 30 deputetë. Epoka e demokracisë berishjane kish përfunduar dhe PD, pas pesë vjetësh lavdie, linte dorën dhe shkiste në ferrin e opozitës. Ç’është e vërteta, këto zgjedhje legjislative kishin pamjen e një marrëveshjeje të imponuar. I shtyrë drejt portës të daljes nga ana e një bashkësie ndërkombëtare, e nxituar për t’i dhënë fund një konflikti vetëvrasës në gjirin e shoqërisë shqiptare që rrezikonte t’i vinte zjarrin gjithë rajonit, Berisha kish provuar shansin e tij të fundit. Megjithë epitetet « të pranueshme duke marrë parasysh rrethanat » ose vlerësimet e llojit « ato duhet të shërbejnë si bazë për një sistem demokratik, të fuqishëm dhe të dëshirueshëm nga të gjithë Shqiptarët » (10), gjithkush ishte i ndërgjegjshëm se ato ishin përgatitur me ngut, mbi bazën e listave elektorale të mangëta dhe së fundi, në një atmosferë të përgjithshme kryengritëse. Ndërkohë, pushteti ligjor ishte në duart e një grupimi politik të quajtur « i Pajtimit Kombëtar », në lidhje me të cilin asnjeri nuk ishte në gjendje të thoshte deri ku shtrihej autoriteti i tij. Si duhet të reagonte Berisha dhe partia e tij në lidhje me rezultatet e këtyre zgjedhjeve ? Ti vinte në dyshim, për të mos thënë t’kundërshtonte ? Kjo gjë do të përbënte një akt vetëvrasjeje, aq më tepër që ishte Evropa vetë që i organizonte dhe garantonte rezultatet. T’i pranonte, të tërhiqej – dhe të priste me shpresë që ora e tij do të vinte përsëri – ja një vendim i urtë, i përshëndetur nga mbarë bota. Mjaft që të kish kurajon për të përballuar marrshimin e vetëm nëpër shkretëtirë si edhe hakmarrjen e armiqve të tij, urimi më i sinqertë i të cilëve ishte dalja e Berishës në « pension », largimi përfundimtar nga skena politike.
.
.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve të fundit ishin të kjarta të paktën lidhur me një çështje : forma e rregjimit. Në të vërtetë, zgjedhjet e qershor-korrikut 1997 pëmbanin një kapitull më vehte të natyrës të referendumit me anë të të cilit, qytetarët duhej të shpreheshin në se ata ishin për Republikën ose për Monarkinë. I nisur nga Afrika e tij e Jugut, pretendenti për fronin shqiptar Leka Zogu i ishte përveshur punës në vend që prej muajit prill 1997, i lumturuar që gjendej së fundi mes bashkëpatriotëve të tij, të cilët i kish zbuluar pas pesëdhjetë e tetë vjet në mërgim. Siç mund të imagjinohej, ideja e Monarkisë u hodh poshtë nga dy shqiptarë ndër tre. Sidoqoftë, vetë fakti që Zogu « i ri » kish mundur të bashkonte 33% të popullatës rreth një projekti tërësisht steril si ai i monarkisë (11) ishte për t’u përshëndetur dhe për t’u vlerësuar. Një sovran si Leka, partia e Legalitetit e të cilit kish mundur të çonte në Kuvend vetëm dy deputetë – dhe kjo falë proporcionales, pasi i gjithë vrulli elektoral kish prodhuar një rezultat të vajtueshëm prej 1,29%, fillimisht duhej të habitej dhe më pas të mrekullohej nga ky mister, që vetëm Shqipëria e mban sekretin. Në të vërtetë, i revoltuar nga ky rezultat dhe i neveritur nga kushtet e jetës, Leka braktisi menjëherë vendlindjen për të thelluar reflektimet e tij në veldin e tij paqësor jug-afrikan.
.
.
Përfundimisht, në 23 korrik Berisha dha dorëheqjen, i imituar që të nesërmen nga i përkohshmi Fino. Vendin e të parit e zuri profesor Rexhep Mejdani, një fizikan atomist i sferave të larta, i dalë nga lënda socialiste i cili mandatoi të pashmangshmin Fatos Nano për të krijuar qeverinë e re. Duke repektuar premtimet e bëra ndaj aleatëve dhe partnerëve politikë, Nano shpërndau disa portofole mes Demokratëve të Rinj të Aleancës, Socialistëve të shëndrruar në Demokratë dhe Bashkimtarëve të të Drejtave të grekëve dhe në këtë mënyrë në 25 korrik, qeveria e re u instalua në zyrat e saj të reja. I mrekulluari Nano rigjente në këtë mënyrë vendin e tij të dikurshëm të Kryeministrit, gjashtë vjet më vonë – një vit konvaleshence, dy vjet në opozitë dhe tre vjet në burg. Bashkë me të e Majta e Re rivinte në pushtet – dhe në biznes, pas tre turesh zgjedhjesh legjislative, nga të cilat dy të parakohshme.
.
.
I ngjitur në pushtet pas një vandalizmi primitiv, i ndjekur nga një grabitje e përgjithshme, rregjimi i Berishës largohej nga skena, gjithmonë në mes të një vandalizmi edhe më të frikshëm, të shoqëruar kësaj here me një det gjaku të llahtarshëm. Ai linte pas kujtimin e një shpërdorimi fatkeq, mes të cilit shkëlqenin një varg shifrash të gëdhëndura në memorjen e popullit : disa dhjetra parti politike në përleshje me njera tjetrën – për hir të pluralizmit politik, disa qindra pasanikë të rinj që manipulonin ekonominë kombëtare – falë zemërgjerësisë së demokracisë, disa mijra viktima – dhuratë e revoltës së armatosur, disa dhjetra mijra gra e vajza që kurvëroheshin nëpër Evropë – për të mbajtur gjallë veten dhe familjet e tyre, disa qindra mijra rrefugjatë që rropateshin në Itali dhe Greqi – për të mbajtur gjallë qytete dhe fshatra të tëra, po aq kallashnikovë në qarkullim të lirë – me anë të të cilëve shqiptarët mund të vrisnin lirisht njëri tjetrin, një milion e diçka vetë të mashtruar nga shoqëritë e kreditit – falë syleshërisë apo bashkëfajësisë të PD, një miliard e diçka më tepër dollarë të avulluar në natyrë – çmimi i biletës drejt ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së konsumit.
.
.
———————————-
.
.
(1) Për të bërë një krahasim me praktikat e çkomunizimit, të zbatuara në vendet e tjera të ish-demokracive popullore, shih : Alexander SMOLAR – Les aventures de la décommunisation – Critique Internationale, nr. 5, automne 1999 ; sikundër dhe : Kieran WILLIAMS et al. – Explaining Lustration in Easter Europe : a Post Communist Approach, Sussex European Institute, SEI Working Paper 62, mars 2003.
.
.
.
(2) Njëkohësisht u zhvillua një tur i tretë, në 16 qershor, për të zgjedhur katër deputetë në ato zona, rezultatet e të cilave u çvleftësuan që në turin e parë për çrregullime gjatë zgjedhjeve ose numërimit të votave. Përfundimisht, parlamenti i ri, i dalë prej zgjedhjeve të maj-qershorit të vitit 1996 numëronte 122 deputetë me etiketën e PD, 10 deputetë të Ps – të cilët refuzuan të merrnin pjesë në punimet e tij, 3 deputetë të PR, 3 të PBDNJ dhe përfundimisht 2 të Partisë së Ballit Kombëtar (PBK).
.
.
(3) Mbetja u shpërnda mes koalicionit të Frontit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit (1 bashki dhe 4 komuna), PBDNJ (1 distrikt dhe 8 komuna), PR (6 komuna), Bashkimit Social-Demokrat (2 komuna) dhe së fundi Partisë Kristian Demokrate (1 komune). Ajo çka mbeti i përkiste kandidatëve të pavarur. Shkalla e pjesëmarrjes në këto votime ishte rreth 70%.
.
.
.
(4) Në mes të anarkisë të përgjithshme dhe të violencës së përditshme, në 3 mars 1997, Berisha ishte rizgjedhur President i Republikës për një mandat të ri prej katër vjetësh, me 114 vota pro ndaj 118 votuesve, në gjirin e një Kuvendi Popullor ku të gjithë deputetët i përkisnin partisë së tij Demokratike. Duhet vënë në dukje që, disa ditë më parë një grup prej 14 deputetësh të PD kish depozuar një amendament ku kërkohej dorëheqja e Presidentit, sikundër dhe një kërkesë pranë Këshillit Kombëtar të partisë me kërkesën e përjashtimit të Berishës nga rradhët e lëvizjes.
.
.
.
(5) Nga të parët që përmendi hapur një skenar të destabilizimit të pushtetit Berisha, vepër e qarqeve vorio-epirote dhe të lobit helenik të Shteteve të Bashkuara ishte Gazidede, patroni i Shërbimeve të Fshehta të vendit, gjatë një sance të parlamentit të Tiranës, në 26 mars të vitit 1997. Ndërhyrja e tij, e ruajtur në arshivat e Parlamentit, përmban detaje të « Planit Lotos , të përpunuar që në vitin 1990 dhe i vënë në zbatim sipas tij gjatë rrebelimit të vitit 1997. Kjo ide fillestare u rimorr dhe u ripunua nga disa partizanë të Berishës, të shpëtuarit nga mbytja të shërbimeve diplomatike të ish Presidentit dhe të strehuar në Turqi sikundër dhe këshilltarë të afërm të asaj tepër të djathtës Albanian American Civic League (AACL). Këta të fundit flasin për një « Komplot greko-komunist kundër demokracisë shqiptare », fijet e të cilit tërhiqeshin nga burrat politikë të Athinës ose nga njerëzit e CIA-s, nga greko-amerikanë të kalibrit Xhorxh Tenet.
.
.
.
(6) Mbytja e anijes « Kater i Rades » në Kanalin e Otrantos në këtë 28 mars të vitit 1997, është pa dyshim epizodi më tragjik i një vargu të gjatë tragjedish njerëzore të zhvilluara në ujrat e Adriatikut dhe që shpesh ndodhin pa lënë gjurmë dhe bile pa rënë në sy. Kështu, në 31 dhjetor 1992, një barkë e ardhur nga Shqipëria përplaset kundër një shkëmbi të nënujshëm fare pranë brigjeve italjane. Bilanci i këtij aksidenti: 9 shqiptarë dhe 1 grek gjejnë vdekjen. Gjatë natës së 12 tetorit të vitit 1994, një barkë e lehtë gjashtë metra e gjatë, e bërë prej fibre xhami dhe rrëshire, mbytet nja dhjetë milje larg brigjeve italjane. Bilanci i aksidentit : trembëdhjetë vetë nxirren nga uji, tre gra të mbytura dhe dhjetë të tjerë të zhdukur. Pothuaj njëkohësisht dhe pak milje më larg, dy anije të tjera klandestine japin alarmin : njëzet e pesë vetë mundën të shpëtojnë nga e para ndërkohë që për pasagjerët e të dytës është tepër vonë. Numri i të humburve llogaritet në njëzet vetë. Në 11 shtator 1995, një barkë e tipit gomone merr zjarr në afërsi të brigjeve italjane. Bilanci i aksidentit : 15 vetë gjetën vdekjen, të mbytur. Në 30 nëntor të të njejtit vit, mbytet një tjetër gomone : nëntëmbëdhjetë vetë gjejnë vdekjen. Vetëm disa ditë më vonë, një gomone anonime përmbyset përballë dritave të bregut italjan : mes atyre 22 personave që bien në det, vetëm pesë mundën të shpëtojnë dhe dy trupa të tjerë dalin në breg, të tjerët shkruhen në listën e gjatë të të humburve. Disa muaj më vonë ngjarjes së tmerrshme të 28 marsit, më saktësisht në 21 nëntor të vitit 1997, dy gomone të nisura nga Durrësi mbyten në mes të detit Adriatik, vetëm disa orë pas nisjes : njëmbëdhjetë vetë mundën të dalin gjallë nga rreth tridhjetë të hipur në to. Ata që mundën të shpëtonin, pas katër ditë mbijetese në ujë, të kapur pas mbeturinave të barkave, deklaruan se disa anije që kalonin afër i kishin parë por asnjëra nuk ju kish shkuar në ndihmë. Gjatë pesë vjetëve (1992 – 1997), shifrat flasin për afro 500 vetë të mbytu , gjatë kalimit të Adriatikut. Sigurisht bëhet fjalë vetëm për persona të identifikuar, të cilët përbëjnë një pjesë të vogël të atyre të tjerëve që gjetën vdekjen në heshtje të plotë mes dallgëve, larg çdo vështrimi të rojeve bregdetare. Për detaje të tjera makabre, shih : Antonello MANGANO – Naufaghi. Cronache a sud de la fortezza. Ed. Terrelibere.org, octobre 2003. .
.
.
(7) Operacioni « Alba » është frut i një marrëveshjeje mes Italisë dhe antarëve të tjerë të Bashkimit Evropian, një koalicion ad hoc « i vullnetit të mirë » për të ndërhyrë ushtarakisht, me miratimin e OKB. Duhet nënvizuar se NATO refuzoi të dërgonte trupa në Shqipëri, me pretekst se ishte angazhuar për një kohë të gjatë në Bosnje. Sekretari i saj i Përgjithshëm Solana deklaroi se kriza shqiptare ishte një çështje e brendshme që nuk i përkishte Organizatës. Edhe OKB deklaroi se helmetat e saj të pakta blu ishin ndërkohë në territorin e Sllavonisë kroate dhe në FYROM. Shtetet e Bashkuara kishin bërë të ditur se nuk do të ndërhynin me trupa në Shqipëri : Presidenti Klinton kish deklaruar se i takonte evropianëve të zgjidhnin një çështje për të cilën ata ishin përgjegjsat e saj kryesorë, duke lënë të kuptohej se një nga shkaqet ishin kritikat e pakta pas zgjedhjeve të 1996. Pra çështja mbeti në mes të Bashkimit evropian, e tërhequr në këtë mes nga një Itali në ethe dhe nga një Greqi e paduruar. Gjermania refuzoi menjëherë të angazhonte trupat e saj, e ndjekur nga Britania e Madhe. Sigurisht qeveria e kancelait Kol nuk donte të vinte trupat e saj nën komandën italjane në një zonë fare pranë teatrit jugosllav ndërkohë që Londra ishte e zënë me ndryshime politike të rëndësishme pasi në mars, Xhon Mejxhëri përfundonte mandatin e tij si Kryeministër dhe sipas të gjitha gjasave, fuqinë do ta merrnin laburistët e Toni Blerit. Italisë ju desh të furnizonte pjesën më të madhe të trupave shumëkombëshe – mbi tre mijë veta. E interesuarja tjetër, Greqia, do të furnizonte 700 ushtarakë. E Bezdisur nga nënkuptimet e palës shqiptare lidhur me interesat e saj të drejtpërdrejta, Athina e kushtëzoi dërgimin e trupave me vendosjen e tyre në qendër të vendit, pra larg zonave jugore. Sidoqoftë, përpjekja greke u « neutralizua » nga Ankaraja që vendosi edhe ajo të dërgonte trupa si shenjë miqësie me Shqipërinë. Pa hezituar aspak, Franca ju përhgjigj projektit italjan dhe dërgoi një kontigjent prej 1.000 vetësh ; gjithashtu Spanja qe nga të parat që mbështeti idenë e një ndërhyrjeje në Shqipëri. Rumania me ata 400 ushtarakët e saj krijoi surprizën e rradhës ndërkohë që një panel vendesh evropiane – Danimarka, Austria, Belgjika ose dhe Portugali dhe Sllovenia pjesëmorrën me disa dhjetra ushtarakë. Shih : Gabriel PARTOS – Albania: Conflict Prevention and Crisis Management, The International Security Information Service, December 1997.
.
.
.
(8) Një ndryshim « i minutës së fundit » u krye nga ana e Kuvendit në fund të mandatit, gjatë seancave të tij të fundit të 13 dhe 16 majit 1997. Megjithatë, Ligji zgjedhor egzistues ishte ndryshuar dhe aprovuar në vigjilje të zgjedhjeve të mëparshme të maj-qershorit 1996. Me këtë rast, u adoptua sistemi i përzierë mazhoritar dhe proporcional, një ndarje e re e territorit në 115 zona elektorale sikundër edhe niveli i përfaqësimit të forcave politike prej 4%. Kështu, sistemi elektoral ruante natyrën e tij të përzierë. Në të kundërt, ai zgjeronte bazën elektorale – duke përmirësuar përfaqësueshmërinë dhe ulte nivelin e përfaqësimit për forcat politike – duke rritur shanset e formacioneve të vogla. Burimi i parë mazhoritar përfaqësonte gjithmonë 115 mandate elektorale, të destinuara për kandidatët e partive politike, bile edhe për indipendentët, mbi bazën e shumicës absolute, të zhvilluara në dy ture po qe se ishte e nevojshme, që korrespondonin përfundimisht me ato 115 zonat në të cilat ishte ndarë territori kombëtar. Burimi i dytë proporcional përfaqësonte 40 mandate shtesë (në vend të 25 të mëparshmëve), të destinuara për partitë politike, të paraqitura dhe të rregjistruara në procesin elektoral, dhe që kishin mundur të siguronin më tepër se 2% të votave të vlefshme në nivelin kombëtar. .
.
.
(9) Nga ana e saj, Partia Socialiste grumbullonte 52.7% të votave në nivelin kombëtar. E llogaritur në vende, kjo përfaqsonte 79 deputetë me sistemin mazhoritar dhe 22 me proporcional, pra 101 deputetë socialiste kundrejt 150 gjithsej. Kjo supremaci shëndrrohej në dërrmuese me bashkimin e forcave mes aleatëve të natyrshëm : Social Demokratët (9), PBDNJ (4), PAD (2), Partia Agrare ose PASH (1). Për një analizë të plotë të rezultateve shih : Shinasi A. RAMA – Failed Transition, Elite Fragmentation and the Parliamentary Elections of June 29, 1997 ; në : International Journal of Albanian Studies (IJAS), Vol 1, fall 2, New York, 1997.
.
.
(10) OSCE, ODHIR Election Observation – Albania, Parliamentary Elections, June 29, 1997, EL97/AL1/Ver.1 12-11-1997.
.
.
(11) Ky nuk ish aspak mendimi i Lekës, i cili menjëherë reklamoi falsifikimet, pasi kish deklaruar një moment më parë se ai kish fituar davanë e rivendosjes së monarkisë. Duke dashur t’i verifikojë rezultatet në vend, në 3 korrik 1997, ai drejtoi një kortezh të partizanëve të tij të armatosur dhe sulmoi selinë e Komisionit Qëndror të Votimeve. Përplasja me forcat e rendit shkaktoi një viktimë mes mbretërorëve. Sidoqoftë, Naltmadhënia e Tij mundi të çlirojë një imazh të paharrueshëm : atë të një kokoroçi dy metrosh, me dy dy kobure në brez, që nxiste me britma partizanët e tij në mes të Tiranës.

2 Përgjigje te Viti i Mbrapshtë 1997 –2. Kallashnikovët e opozitës.

  1. N.Ago thotë:

    Iniciatorët dhe realizuesit e skenarit të 97-ës, janë sot ata që mbajnë pushtetin në duar.
    Vit të mbarë!

  2. xixa thotë:

    I nderuari N. Ago,
    Shpresoj se do të lexosh të gjithë serinë e shkrimeve (5 të tilla) për të parë mendimin tim lidhur me iniciatorët dhe realizuesit e skenareve të 1997.
    Jam i bindur se politikanët e djathtë dhe të majtë) janë po aq fajtorë sa të parët dhe të dytët, ndërkohë që jo vetëm morën nëpërkembë një popull të shumëvuajtur dhe papërvojë, por edhe e destabilizuan me politikat e tyre të qëllimshme dhe kriminele.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: