Viti i Mbrapshtë 1997 4. Një « tranzicion i dështuar » ?

Çekuilibri mes pushtetit ligjor dhe real – mes Shtetit si bartës teorik i pushtetit politik dhe karizmatikut Berisha, vullneti personal i të cilit fillimisht u njësua me atë të instrumentit të tij PD dhe më pas me vullnetin e vetë Shtetit, shënon me damkën e saj të gjithë periudhën e tranzicionit. Ky faktor u shëndrrua gradualisht në gjenerator paqëndrueshmërie dhe frenoi zhvillimin e ekonomisë nëpërmjet rrugëve institucionale. Në një vend që kish nevojë të madhe për një mjedis ekonomik stabël dhe dinamik, kjo gjë u perceptua si një mangësi serioze nga ana e qarqeve afariste. Këta të fundit atëhere u orientuan në mënyrë krejt të natyrshme drejt aktiviteteve jo formale të cilat, nëpërmjet kapacitetit të tyre për të prodhuar përfitime tejet të mëdha, u shëndrruan në burim korrupsioni. Ky qark vicioz i dyfishtë : çekuilibër politik – gjenerator konfliktesh, dhe çrregullim ekonomik – akumulator përfitimi, shërbeu për të afruar qarqet politike dhe financiare të cilat patën tendencë të shkrihen me njeri tjetrin, duke krijuar në këtë mënyrë një « Mafia » të pushtetit nën mbulimin e demokracisë.
.
.
E parë nën këtë kënd vështrimi, as egzistenca e « piramidave » as edhe përdorimi i kallashnikovëve nuk janë frut i rastësisë ose një ndëshkim hyjnor që goditi këtë qoshe idilike
mesdhetare por praktika, të frymëzuara, të përpunuara dhe të instaluara nga ana e strukturave politike sipas një qëllimi të caktuar. Të parat zëvendësojnë ekonominë kombëtare dhe i shërbejnë pozitës për të frytëzuar, për të zbardhur shuma të konsiderueshme parash me origjina të ndryshme ndërkohë që të dytët zëvendësojnë shprehjen e lirë si edhe të drejtat e tjera qenësore politike dhe ndihmojnë opozitën për të realizuar strategjinë e marrjes së pushtetit. Dhe sigurisht, mes këtyre poleve të strukturuara dhe strukturues gjendet peng shoqëria – ajo turmë shumëfytyrëshe dhe e paemër pasi :
.
.
« pensionista, tregëtarë, policë, studentë, rrogëtarë dhe të papunë ; që të gjithë ishin njëlloj, kishin të njejtat interesa, vetëm funksioni që sejcili ushtronte në shoqëri ndryshonte…. një ushtri kreditorësh e gatshme të përleshet për të ardhurat e saj dhe të transformohet në një njësi ushtarake kryengritësish (1) ».

.
.
Zaten, të gjitha instrumentat « gati për përdorim » duket se kanë gjetur vendin e tyre të parashkruar me qëllim që ajo gjëmë e paralajmëruar (2) të mund të ndodhë, me qëllim që – duke parafrazuar Tokëvilin – « mekanizmi i vjetër të japë prodhimin e tij të ri » : ilegalizmi që vepron në gjirin e shoqërisë, egzistenca e rrjeteve – ato të partisë komuniste ose më mirë socialiste, të ish ushtarakëve të liruar, të keqbërësve dhe të trafikantëve dhe së fundi, amalgama e interesave të njerëzve – që të gjithë kreditorë-viktima-kryengritës. Megjithatë, asgjë nuk na pengon që të shtrojmë pyetjen e mëposhtme : përse ky « serializëm i grupit në shkrirje » sartrian që i vuri zjarrin dhe përgjaku Shqipërinë berishjane, nuk ndezi në Rumani në momentin e shëmbjes së Karitas-it (5 milionë rumunë të mashtruar) ose në Rusi gjatë rrëzimit të perandorisë Mavrodis (3 milionë rusë të plaçkitur) ? Cili nga instrumentat e treshes eksplozive – ilegalizëm, rrjeta, amalgamë interesash – u njom nga uji i Karpateve apo i Uralit në momentin e prodhimit të shkëndijës ? Përfundimisht, ky « përjashtim shqiptar » i pashmangshëm i reziston të gjitha analizave të natyrës esencialiste ose trajtimeve të llojit pragmatik.
.
Destrukturimi i « homo albanicus » shërben si një nga drejtimet për të thelluar kërkimin e së vërtetës. Kështu, mësojmë se ai paskish zhvilluar
.
.
« një jetë shoqërore të mbushur me mangësi dhe padrejtësi… shekuj të tërë nën sisteme politike dhe ekonomike autoritare, me zakone sociale ku mashkulli mban vendin mbizotërues, që shpurris energjinë violente në sensin e një revolte e cila vjen pas një periudhe të gjatë poshtërimi dhe servilizmi. Poshtërimi dhe violenca bashkëjetojnë shpesh nëpërmjet raportesh jo fort të kuptueshme.. »
.
.
Nga momenti që sensi i bashkësisë mbetet ende tepër i fuqishëm, duke bërë në këtë mënyrë të vështirë shqyerjen e trupit shoqëror, s’na mbetet gjë tjetër veçse të pranojmë se violenca përplaset mbi objektet, mbi sendet. Shkurt, kemi të bëjmë me një qënie e cila përdor violencën shkatërruese si një mjet presioni politik dhe, meqënëse për fat të keq, i përket ende një « shoqërie agrare në tranzicion, të rrënuar nga shëndrrimet sociale të vështira » i vetmi mjet që ai gjen për të ngritur zërin, për t’u dëgjuar në mes të kakofonisë politike është të verë zjarrin. Digj që të bëhesh i njohur !
.
.
Sidoqoftë, fshatari ynë zjarrvënës nuk i ngjan gjëkundi stërgjyshit të tij piroman, Erostratit nga Efesi, pasi :
.
.
– Primo, është e pamundur të sintetizohet një profil përfaqsues individual – një portret të tij « robot » – ndërkohë që të gjitha dëshmitë nga terreni flasin për turma, masa, grupime, banda, komitete që manifestojnë, grumbullohen, marrshojnë, sulmojnë, luftojnë dhe sipas rastit thyejnë, plaçkisin dhe së fundi djegin. Objekti ku shkarkohet urrejtja e tyre janë godinat që kanë një lidhje të drejpërdrejtë me pushtetin : bashki, prefektura, komisariate policie, gjykata, seli të partive politike dhe herë herë arshiva, kadastra apo të tjera biblioteka që shpesh gjenden brenda të parave. Në qoftë se zjarrvënësi antik kish nevojë të ndriçonte sadopak gjestin e tij të
errët, me ndihmën e tempullit të Artemisit në flakë, turma e Lushnjës ose e Vlorës nuk ishte e frymëzuar nga ndonjë shqetësim i brendshëm pavdekësie apo ndonjë nevojë për të lidhur dialogun me pushtetin, përfaqësuesit e të cilit rrihen bile edhe masakrohen disa metra më tutje. Ç’ka të bëjë shoqëria agrare me turmën qytetëse të pushtuar nga zemërimi që shkallmon bashkinë, verbëria e të cilës bëhet edhe më e plotë kur brenda saj ngrihen zëra « anonimë » që kërkojnë hakmarrje ndërkohë që duar « të padukshme » ndezin pishtarët ?
.
.
– Secundo, grupi ynë i inatosur plaçkit dhe për më tepër di të zgjedhë objektin e tiij të plaçkitjes :
banka, magazina, depo dhe kazerma, bile pa përbuzur edhe pasurinë e privatëve. Ai rrëmben çdo gjë që përfaqëson një farë vlere malli ose përdorimi, qoftë dhe shfarosëse si puna e armëve dhe e municioneve. Në krahasim me të paharruarin « vit zero » të demokracisë gjatë të cilit turma ish mjaftuar të rrënonte trashëgiminë kombëtare të epokës komuniste, kësaj rradhe ajo diti të pajisej me mjetin më të mirë të presionit që mund të egzistojë, me anë të të cilit mund të shëndrrohej një bashkëbisedues i vërtetë në dialogun politik – forcën e armëve.
.
.
– Tertio, edhe trupi social, sado i mirëformuar qoftë, nuk shpëton pa u lagur dhe numëron në rradhët e tij disa mijra të vrarë, mes të fajshmëve brutalë dhe viktimave të rastit – një « shpikje » tjetër madhore në krahasim me 1991. Pas humbjes së parave individuale, të gëlltitura në operacione të dyshimta krediti, i erdhi rradha trashëgimisë së përbashkët, mobilimit urban dhe
pasurisë së patundëshme për të përfunduar me kapitalin më të paçmueshëm, jetën njerëzore. Të mbërthyer kështu në një spirale djallëzore mes përpjekjes ndërtuese dhe misterit të shkatërrimit (3), njerëzit ndoshta kishin harruar filozofinë e vjetër ballkanike e cila, për të pavdekësuar veprën, mundohej të shtinte shpirtin në përpjekjen njerëzore. E vërteta është se shoqëria « parademokratike » e kohës së Berishës ishte tepër e zënë me problemet e veta financiare për t’u marrë me filozofi ose me shqyrtimin e shpirtit.
.
.
Kjo mënyrë filozofike për të shkoqitur fenomenin, e bazuar mbi psikanalizën e qënies shoqërore,
ndoshta është më tërheqësja por s’është e vetmja që kërkon të zbulojë një shpjegim racional të ngjarjeve të vitit 1997. Zaten, në qoftë se përmbledhja që ajo ofron është e saktë, ajo mbetet sidoqoftë e pjesshme në atë masën që kjo qënie « e vënë në lëvizje nga një ontologji individualiste, bile egoiste, që njeh dhe mbivlerëson unin e vet », ky person « që është ai vetë dhe, njëkohësisht, sipas mentalitetit autoritar të vazhdueshëm, është gjithçka » s’është gjë tjetër veçse pasqyrimi i një shëndrrimi të thellë që prek gjithë shoqërinë. Megjithë vështrimin kritik mbi tipologjinë dypërmasore të botës politike – demokratë kundër socialistëve, çjerrje pompoze antikomuniste kundër thirrjeve inatçore antikorrupsion, kriza e thellë identitare reduktohet në një lloj mospajtimi fatal ndërmjet « fjalimit ideologjizues, ndërtues i projekteve politike si dhe institucioneve që kërkojnë emergjencën e një debati të domosdoshëm social dhe politik ». Si shpjegohet që forcat kryesore politike mbeten kaq të polarizuara dhe të largëta ndaj njera tjetrës, të gatshme të bllokojnë mekanizmin e këmbimit dhe të bashkëjetesës ? Nga vjen kjo përbuzje e thellë për të mos thënë urrejtje e cila i veçon këto forca – të dala nga e njejta baltë, si dhe këta udhëheqës – të dalë nga e njejta shkollë, ajo e rregjimit komunist ?
.
.
Drejtimi tjetër i thellimit të është ai i tjetërsimit dhe i armiqësisë të elitave. Mund të jemi të sigurt se :
.
.
” Elitat e sotme shqiptare jo vetëm janë një produkt hibrid me qëllime institucionale të dyshimta por njëkohësisht ato karakterizohen nga një e kaluar mediokre si një inteligentsia thjesht aplikuese dhe jo krijuese. Elitat shqiptare vuajnë nga një kompleks inferioriteti të pashërueshëm. Sidoqoftë, ato janë treguar të paafta të çlirohen nga difektet themelore që shoqërojnë mentalitetin e një elite autoritare : paaftësia për të vepruar në kushtet e paqarta dhe marrjë vendimesh në mungesë të një praktike rutinore, të dekretuar nga një autoritet karizmatik. Duke qenë kryesisht një prodhim burokratik, tarafet e saj drejtohen një kontrolli total të institucioneve shtetërore, duke e justifikuar këtë mënyrë të vepruari me argumenta ideologjikë tërheqës për momentin.. (4) »
.
.
Nën një shtresë të tillë të tillë acidi, e ardhmja e intelektualit tonë duket fort e komprometuar dhe diagnostika paraqitet si e pashpresë. Por syri vritet edhe më tepër në qoftë se krahasojmë sjelljen e tij të papërgjegjshme me sensin e vërtetë dhe vetëkontrollin e admirueshëm që duket se karakterizon popullin shqiptar. Kjo dikotomi përbën edhe gurin e themelit të kqyrjes së qënies politike : tashmë kontradikta egzistencialiste mes forcës brute dhe veprës njerëzore i le vendin antitezës esencialiste mes paaftësisë intelektuale dhe gjenisë popullore. Përsa i përket argumentave, le t’i drejtohemi periudhës në fjalë.
.
.
Kundër çdo tundimi aq shumë të përfolur, populli nuk ju dorëzua demonëve të vjetër të luftës. Imazhet e ardhura nga pranvera e vitit 1997 flasin për një buçitje të beftë dhe të thellë qytetare, e keqadministruar nga autoritetet, e cila shëndrrohet shpejt në një çmenduri vrastare nga ana e njerëzve, të pushtuar nga gëzimi i zotërimit të armëve në sasi të panumurt. Jemi tepër larg nga fantazmat e llahtarshme etnike dhe fetare që ndërkohë kishin bërë kërdinë në viset ballkanike fqinje. Në mungesë të elementëve të domosdoshëm të analizës dhe pas hezitimeve të gjata për t’i pagëzuar ngjarjet, një numër i madh gazetarësh të ngutur si dhe të tjerë analistë evropianë menduan se kishin zbuluar stigmatët e « urrejtjes të brendshme » që ziente mes jugorëve ndaj « rregjimit të urryer malok të Berishës ».
Në të vërtetë, rrebelimi ishte i zhveshur nga çdo përmbajtje etnike. Në mes të rrugës që lidh një Greqi « etnikisht të pastër » me « mozaikun e kombësive » jugosllave, vendi përmbante një pakicë të shëndoshë helene, një përbërëse të papërfillshme maqedone, një popullatë të papërcaktuar rome dhe së fundi, një element të pavendosur vlleh protorumun. E çmuar me diçka më pak se sa një e dhjeta e popullsisë së përgjithshme, kjo bashkësi e shpërndarë nga pikpamja territoriale as nuk u linçua as edhe nuk u vu përpara ndonjë përgjegjësie nga ana e turmave të armatosura. Rastësi e lumtur, bile edhe llogaria e atyre mijra viktimave të konfliktit nuk vuri në dukje përkatësinë e tyre etnike.
.
.
Në vazhdim, askush nuk mundi të vërejë as edhe hijen e kallëpit fetar. Sigurisht, që prej rënies së komunizmit, faktori fetar kish fituar të drejtën e qytetarisë ndërkohë që vetë qytetarët e kishin ende diçka të vështirë të mund të identifikoheshin në larminë e besimeve : myslimane dhe të krishterë, sejcili i shprehur në variantet e tij tradicionale (sunite dhe shiite-bektashi për të parin apo ortodokse dhe katolike për të dytin). Që prej disa vitesh tashmë, ndërgjegja fetare kish kaluar nga faza e saj e parë rizbulimit të një identiteti të thërmuar një proces ristrukturimi shpirtëror, me Islamin si « violinë e parë ». Përpara vitit 1997, praktikisht ky proces s’kish peshuar fort mbi jetën politike të vendit : duke respektuar një traditë të gjatë laike, Presidenti demokrat Berisha me origjinë myslimane kish zgjedhur Kryeministrin e tij Meksi mes të krishterëve ortodoksë dhe Kryetarin e Kuvendit Popullor Arbnori mes katolikëve. Megjithëse në pamje të parë, kjo mund të interpretohej si një manovër e shkathët politike me thekse populiste, duhet të pranojmë se në gjirin e një Ballkani ku urrejtja fetare vazhdon të shkaktojë viktima të përditshme ja vlen barra qiranë. Si rastësisht, përvoja përsëritet me ardhjen e socialistëve në fuqi, pas trazirave të vitit 1997. Legjislatura e re i beson rolin e Kryeministrit të krishterit Nano dhe zgjedh myslimanin Mejdani si President të Republikës. Po qe se kujtohemi që kjo përzierje çeshitesh fetare të përfaqsuesve të pushtetit ishte inauguruar që në kohën e Kongresit të Lushnjës në atë vit të largët 1920, që ndërkohë ajo ishte një praktikë e zakonshme gjatë Republikës së Parë dhe më pas, e Monarkisë së Zogut – e ndjekur nga qeveritë në pushtimin e huaj gjatë Luftës së Dytë, hipoteza e lojës ose e llogarisë politike s’qëndron më këmbë. Ajo pasqyron një realitet të padiskutueshëm, atë të një shoqërie gjithëfetare e cila përshkon dhjetëvjeçarët dhe që përjetësohet në një pandjeshmëri të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ndaj dallimeve fetare, pavarësisht nga natyra e pushtetit politik. Kjo shoqëri sigurisht ka njohur çekuilibre të thella strukturore, nuk i ka bërë ballë tundimit të karizmave të diktatorëve dhe është përçarë deri edhe shqyer për arsye ideologjike ; sidoqoftë, asnjëherë ajo nuk ka rënë pre e « gëzimit » të larjes së hesapeve të natyrës fetare.
.
.
Elementi i fundit – por jo më i pakti, edhe ajo hipoteza aq ndjellëse e ndarjes tradicionale rajonale (Gegë – Toskë) u shëmb, si për inat të partizanëve të saj të flaktë. Përtej atyre dallimeve për të mos thënë pabarazive kulturore të padiskutueshme mes Jugut dhe Veriut, skenari katastrofë që mundohej të dallonte « repartet besnike gegë » që derdheshin nga malet në mbrojtje të Berishës së rrethuar nga « bandat rrebele toskë » ishte më tepër një manovër politikane se sa një realitet i prekshëm. Megjithë një mbështetje dhe shtrirje rajonale mjaft të spikatur të dy formacioneve politike kryesore të vendit – Partia Socialiste në zonat jugore dhe Partia Demokrate në zonat e veriut – ja vlen të përmendet se, ndërkohë që Vlora festonte disfatën e Berishës në korrik të vitit 1997 dhe që Shkodra e pranonte pa e prishur zemrën – i gjithë vendi kishte votuar masivisht për një qeveri, të përbërë kryesisht nga socialistët jugorë. Elementët e fundit që mbështesnin pak a shumë tezën e mësipërme u fshinë gjatë ndrrimit të dorës së pushtetit : bëhet fjalë për ata burra dhe gra, me origjinë nga viset veriore – mes të cilëve Tropoja zinte vendin e nderit – që kishin mundur të ngjiteshin në shkallët më të larta të pushtetit qëndror, sigurisht për t’i sjellë Presidentit flladin e freskët të maleve të tij. E vetmja shenjë e rregjimit tashmë të vjetër ishte ai numri i papërcaktuar – por sidoqoftë mjaft i madh – i familjeve malësore që kishin braktisur viset e tyre tepër mikpritëse por fort të ashpra për t’u vendosur në tokat e reja jo fort mikpritëse por tepër komode të rrethinave të kryeqytetit. Duke pushtuar në mënyrë ilegale terrenet bujqësore djerrë ose zonat industriale të shëndrruara në djerrina, ata kishin kontribuar në dyfishimin e numrit të banorëve të metropolit, në mospërfillje të plotë të rregullave të urbanizmit, të normave të higjenës ose të standardeve të shërbimeve publike.
.
.
Çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga ky debat ? Të kqyrur me sytë e politologut, tashmë shqiptarët janë
« politikisht të pjekur dhe të përgatitur për të jetuar nën pushtetin e ligjeve demokratike, gjë e cila përbën një arsye të vërtetë për të qenë krenarë dhe për të patur besim në të ardhmen.. ata e kanë treguar me vepra se janë të pjekur lidhur me një sistem partiak vërtetësisht demokratik dhe një sistem politik modern dhe stabël, gjë e cila mund të avancojë debatin politik të dominuar nga ndarjet e trashëguara nga Lufta e Ftohtë drejt një shprehjeje fluide dhe bashkëkohore të konceptit politik (5) »
Nga ana e tij, filozofi zbulon me habi se, megjithë fazën e tranzicionit demokratik, qenia sociale ka
«ruajtur pothuaj të paprekura traditat e veta mendore, të farkëtuara në kontekstin e tij autoritar, patriarkal, nacionalist dhe komunist »
.
.
Në të vërtetë, i habitshëm do të ishte pohimi i kundërt me shprehjen e mësipërme ; u desh një brez i tërë përpjekjesh dhe sakrificash me qëllim që praktika komuniste të mund të sublimohej dhe të gjente vendin e vet mes traditave mendore, të trashëguara nga shoqëritë tradicionale. Mos ndoshta duhet jeta e një brezi tjetër që më në fund shoqëria të quhet civile ? Si mund të ëndërrohet jetesa nën mbretërimin e demokracisë, nën triumfin e rendit liberal, pa egzistencën e shoqërisë civile (6) ? Dhe pikërisht në fushën e marrëdhënieve mes shoqërisë civile dhe Shtetit ndërhyn një interpretim tjetër, ai i institucionalistit (7).
Sipas një metodologjie të përpunuar mjaft mirë, sapo vihet re se Shteti s’ka mundur të kryejë funksionet e tij dhe të përmbushë përgjegjësitë e tij themelore : ushtrimi i autoritetit ligjor, mbajtja e rendit dhe së fundi, mbledhja e produktit fiskal, ai klasifikohet në kategorinë e « Shteteve të dështuara » – në anglisht, failed states. Duke respektuar skemën konceptuale empirike ne fuqi, të gjithë dështakët fatkeqë përzgjidhen nëpërmjet dy principeve të pagabueshme : një proces formimi shtetëror jo i plotë, si pasojë e trashëgimisë koloniale – është rasti i vendeve afrikane sikundër Somalia dhe Liberia, ose shpërbërje të strukturave shtetërore, si pasojë e problemeve të brendshme të natyrës etnike – është rasti i ish-Jugosllavisë multietnike ose i ish-republikave sovjetike të Azisë së Mesme dhe të Kaukazit. Siç mund të pritet, rasti shqiptar mbetet diku jashtë skemës dhe instikti sugjeron se shkaqet duken kërkuar në realitetin specifik të vendit. Duke vepruar në këtë mënyrë, shfaqen menjëherë para syve dy të vërteta : së pari, kjo gjë ndodh gjatë periudhës së tranzicionit nga një pushtet totalitar drejt një pushteti demokratik, periudhë gjatë të cilës funksionet tradicionale shtetërore kanë tendencën për t’u dobësuar ; së dyti, për të çrrënjosur dobësinë e tij e përkohshme strukturore Shteti tentohet nga metodat ndaluese dhe frikësuese, duke kryer në këtë mënyrë një farë « kthimi mbrapa ». Po qe se do të shtojmë ndikimin e dëmshëm të mjedisit ndërkombëtar, presioni i të cilit rritet ndërkohë që fuqia e Shtetit dobësohet, krijohet iluzioni sikur jemi duke skicuar siluetën e vagët të krizës që tronditi vendin gjatë vitit 1997. Tabloja e pikturuar në këtë mënyrë emocionon fare pak pasi nëpërmjet saj, përmes galerisë së portreteve të dala nga akullnaja komuniste, pothuaj asgjë nuk të sjell ndër mend tiparet e përveçme të Shqipërisë. I vetmi mjet për t’ja arritur qëllimit të paracaktuar është forcimi i kontrastit, vendosja e shtresave të njëpasnjëshme të ngjyrave, sipas postulateve që kanë bërë vend në kokën e artistit : dobësia e procesit të tranzicionit është në proporcion të drejtë me shkallën e totalitarizmit të rregjimit të dikurshëm, shtrirja e krizës se parashikueshme socio-ekonomike është në proporcion të drejtë me shkallën e kontrollit dhe të centralizmit të rregjimit të vjetër, autonomia e burokracisë shtetërore – sikundër edhe autonomia e shoqërisë civile – është në përpjestim të zhdrejtë me shkallën e totalitarizmit…
.
Në mënyrë të ngadalshme dhe tinëz, i afrohemi atij paneli vlerash (ose variablash) të pashmangshme që lejojnë përfundimisht të hapet debati, në pikënisje të të cilit gjenden raportet mes institucioneve dhe shoqërisë civile. Sidoqoftë, një përpjekje e fundit del e domosdoshme për të siguruar suksesin e kësaj ndërmarrjeje : të bindim dëgjuesin – ose më mirë vetvehten – që objekti ynë i studimit ka mundur të rrethohet nga të gjitha kushtet e nevojshme. Për t’a patur shpirtin në paqe, mjafton të shfletohet « literatura që trajton ish-vendet socialiste » për të zbuluar se Shqipëria është vendi « me shkallën më të lartë të depërtimit të ideologjisë (të partisë) në gjirin e aparatit shtetëror sikundër dhe me prezencën më lartë të Shtetit në jetën shoqërore ».
Në qoftë se na duhet pranojmë se, duke gërmuar nëpër togun e ngjarjeve në kërkim të logjikës, institucionalisti ynë duket se ka cekur thelbin e problemit, na duhet të pranojmë njëkohësisht që metoda e përdorur habit me guximin e saj pasi, me një ose dy detaje mangut, ajo shkruhet në vazhdën e një tjetre që dikur quhej determinizmi historik. Me fjalë të tjera, për të ditur në se një Shtet i dobësuar nga krizat dhe nga spazmat e tranzicionit do të dështojë ose jo, mjafton të sondohet e shkuara e afërt për t’ju përgjigjur pyetjeve të mëposhtme : cila është shkalla e pavarësisë së burokracisë ndaj pushtetit ? Cila është shkalla e ndarjes të shoqërisë civile nga Shteti ? Në çfarë konteksti gjeopolitik ka ndodhur ky tranzicion ? Duke kërkuar më kot vlerat e
referencës, etalonin e artë të sistemit politik tranzicional, me ndihmën e të cilit taksonomisti politolog arrin të lexojë fatin, e vetmja rrugëzgjidhje mbetet nuhatja – the feeling. Ja pra, përse është e nevojshme të vendoset Shqipëria në pragun më të ulët të shkallës ngjitëse ku janë renditur ish-vendet komuniste. Të paktën në këtë mënyrë mund t’i qajmë hallin Berishës së ngratë, i cili pa ditur dhe pa dyshuar aspak, mori në dorë komandat e një anieje të dehur, e cila shkonte drejt mbytjes së saj të « paraprogramuar ».
.
.
Pas këtij vështrimi rrethqarkullor të fundit, s’mbetet më pikë dyshimi se qoftë uni i qënies sociale qoftë qënia politike e elitave nuk mund të ngërthejnë në vetvehte edhe kuintesencën e problemit edhe çelësin që lejon deshifrimin e sistemit – edhe shkakun edhe efektin, për të vetmen arsye që ato janë produkte të vetë sistemit. Ky i fundit, i përfshirë në një dinamikë zhvillimi të njohur me emrin tranzicion, strukturohet rreth dy boshteve të pavarur – institucionet dhe shoqëria civile – aktiviteti i përbashkët dhe i sinkronizuar i të cilave përcakton mekanizmin e brendshëm të demokracisë, forcën e fushës magnetike rreth të cilës orientohen njerëzit, grupet, shtabet sikundër dhe interesat, lëvizjet, programet. Në këtë mënyrë i vjen rradha të kqyret nga afër vetë « procesi i tranzicionit », me qëllim që të ngrihet qoftë edhe qoshja e vellos të trashë të misterit që gjithmonë e ka mbuluar.
.
.
Nga momenti që rënia e komunizmit ishte kthyer në një konstatim banal, asnjeri nuk dyshonte më se e vetmja zgjidhje që i ofrohej ansamblit të vendeve ish-komuniste ishte ajo e vendeve të tjera të Evropës, pra kapitalizmi. Në të vërtetë, frazeologjia zyrtare evitonte me kujdes përdorimin e këtij termi të fundit, qoftë për shkak të një bestytnie të vjetër që rikujtonte pa dyshim atë shprehjen e dashur të Marksit lidhur me « shfrytëzimin e njeriut nga njeriu », qoftë për arsyen tjetër që dy sistemet nuk ofronin të njëjtat barazvlera, veçanërisht në termat e ideologjisë, të vlerave të pastra morale ose të idealeve sociale. Ndërkohë që pjesa dërrmuese – politikanët – preferonin të flisnin kryesisht lidhur me referenca të reja sikundër ishte rasti i tregut dhe i demokracisë, pjesa tjetër – ekspertët ekonomistë – këmbëngulnin lidhur me aftësitë e çuditshme të adaptimit të sistemit kapitalist, që e lejonte të çfaqte mes të tjerash edhe një fytyrë njerëzore.
.
.
Menjëherë pas përcaktimit të kësaj diagnoze, u duk në mënyrë të kthjellët që pas një gjysëm shekulli të egzistence të veçuar në gjirin e sistemeve politike antagoniste dhe ndarjeje me perde ose me mure, çdo sekondë që kalonte ishte e tepërt dhe që sa më shpejt të bëhej bashkimi – për të mos thënë shkrirja – aq më mirë do të ishte për të gjitha palët. Në këtë fazë fillestare, sejcila nga këto palë bënte llogaritë e veta dhe numëronte përparësitë : vendet e përëndimit mund të përgëzonin vetvehten për zhdukjen përfundimtare të kërcënimit ushtarak që vinte nga Lindja, nga perspektivat që i krijoheshin ekonomisë civile nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve të kushtuara sistemit të tyre të mbrojtjes, nga përparësitë ekonomike në drejtim të investimeve që kërkonte tregu i vendeve të Lindjes ndërkohë që kampi tjetër, ai i ish-vendeve komuniste,
mund të ëndërronte lidhur me mundësitë që do të ofroheshin për të rindërtuar ekonomitë kombëtare, për të ristrukturuar shoqërinë mbi bazën e vlerave të reja dhe së fundi, për të rritur nivelin e jetesës të qytetarëve të tyre. Duke shembur atë mur të frikshëm në fundin e viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, njerëzit e thjeshtë i kishin dhënë mundësi elitave të tyre të skiconin konturet e një porte që do t’i shpinte në parajsë ndërkohë që si kundërvleftë të hyrjes, atyre ju duhej të braktisnin çdo gjë që ju kujtonte epokën e vjetër.
.
Në planin praktik, problemi kryesor paraqitej reformimi i sistemit socialist në agoni : strategjitë më të mira që duheshin ndjekur, më të adaptuarat për të realizuar shëndrrimet e domosdoshme, në rradhë të parë në fushat ekonomike dhe politike (8). Pra mënyra e trajtimit makro-ekonomik që synonte rikapjen e vonesave, të diferencave të natyrave institucionale dhe teknologjike përbën edhe thelbin e procesit të tranzicionit. Që në përpjekjet e para ra në sy naiviteti i perceptimeve fillestare – veçanërisht të idesë bazë për t’i futur të gjitha vendet e interesuara në të njejtin thes, për t’ju vënë të njejtën etiketë :
.
.
– Së pari, meqënëse përdorimi i « normës » së tranzicionit e përpunuar nga ana e FMI jepte rezultate të ndryshme, sipas llojit të vendit të Evropës Qëndrore dhe Lindore, kjo gjë sugjeronte që kalimi nga socializmi në kapitalizëm mund të ndjekë rrugë të ndryshme – në vend të një tranzicioni standard, ishte e udhës të flitej për pluralizëm tranzicionesh (9).
.
.
– Së dyti, ky model një-përmasor, i bazuar mbi Konsensusin e Uashingtonit përshtatej fort keq me realitetin e vendeve ish-komuniste në fazën e tranzicionit. ; për të qenë konform qoftë edhe me përvojën e dikurshme të vendeve të Amerikës Latine ose të Evropës jugore, ai duhej imagjinuar si një tranzicion i dyfishtë (ekonomi e tregut dhe demokraci). Por dobësitë e institucioneve dhe shkrirja e Shtetit, aq karakteristike për vendet e interesuara, sugjeronte një përmasë suplementare – atë të shoqërisë civile – duke kaluar kështu në një tranzicion të trefishtë, bile edhe në një të katërfishtë po qe se do të marrim parasysh zgjimin e problemit kombëtar dhe etnik.
.
Ja pra, vetëm pak vite më vonë, çështja e tranzicionit çfaqet jo vetëm me kohëzgjatje të madhe,
por goxha më e shtrenjtë dhe ç’është me e keqja, mjaft më e ndërlikuar se sa dukej : në vend të një porte, kalimi drejt parajsës aq të dëshiruar kish marrë pamjen e një grille ku për të kaluar duhet të jepje prova të progreseve të kryera, sipas normave të vendosura nga të zotërit e parajsës.
.

.
Përse ky tranzicion ishte kaq i zorshëm dhe i lodhshëm për dikë ndërkohë që ecte pothuaj vetë për një tjetër ? Përtej interesit akademik, përgjigja duhet të sjellë elementë të njohjes me qëllim readaptimin e politikave të ndjekura dhe optimizimin e instrumentave të ndërhyrjes pasi, një varg treguesish konfirmonte dyshimin se ky proces mund të çonte drejt situatave vështirësisht të kontrollueshme për të mos thënë kritike. Evropës do t’i duhej të mësohej me mospërputhjen flagrante ndërmjet fjalimit zyrtar të aktorëve politikë lokalë, premtimet e të cilëve janë në proporcion të drejtë me ndihmat financiare, dhe realitetit prezent fort pak të përshtatshëm për zbatimin e vlerave, të normave dhe të praktikave demokratike (10).

.
U desh së fundi që edhe institucionalistët të zbresin në terren për të nënvizuar rëndësinë e veçantë të peshës të të kaluarës dhe me këtë rast, të propozonin përdorimin e konceptit të ndikueshmërisë të udhës, të path-dependency. Tashmë, me marrjen parasysh të veçorisë
historike hapet një kapitull i ri : ai i rolit të infrastrukturës politike publike, të Ligjeve dhe të politikave lokale. Ndërkohë që « shkenca e tranzitologjisë » fillon dhe interesohet për Shtetin pas-komunist jo sikur të ishte një karkasë e destinuar të flaket në hedhurinat e Historisë por si një strukturë në kantier (11) , institucionet evropiane ishin të detyruara të ndërronin fund e krye metodën. Sikundër ato « dadot », ata duhej të kujdeseshin nga afër për « çamarrokët » e pabindur, njëkohësisht duke ju mësuar sjelljet e mira, duke i përgëzuar për arritjet dhe duke i ndëshkuar për gabimet, bile bile duke i shtrënguar që të mos i përsërisin për të dytën herë. Ai kalimi aq përgjëruar tashmë kish katandisur në një vrimë gjilpëre, e zvogëluar me qëllim që të pengonte kalimin e gamiles pasi në të vërtetë, ajo parajsa që mezi shquhej diku larg ishte vetëm për të pasurit (12).

.
.
Në të vërtetë, Shteti pas-komunist kish fare pak gjëra të përbashkëta me modelin e llustrosur të sivëllait të tij perëndimor. As i qëndrueshëm as edhe i konsoliduar ; i tërhequr drejt një dinamike të paqëndrueshme nga forca politike, nga grupe interesi, bile dhe nga individë të veshur me pushtet ; i pompuar me direktiva që vijnë nga larg dhe që i kërkojnë njëkohësisht, korrektësi financiare, praktika ligjore transparente si dhe qëndrime të arsyeshme në planin lokal, rajonal bile edhe internacional ; në mungesë të vazhdueshme të mjeteve të veta të prekshme për të ndërmarrë aksione ekonomike ose sociale afatgjata ; i detyruar të pranojë moskokëçarjen e funksionarëve, harbutllëkun e burokratëve, kapriçot e udhëheqësve dhe pisllëqet e biznesmenëve të tij, ai segmentohet në një mori qendrash ku merren vendime ndërkohë që sejcila prej tyre për llogari të vet, ushtron autoritetin, aplikon politikat e saj dhe rrezaton ndikimin e saj. I coptuar dhe i shpërbërë në këtë mënyrë, ai shëndrrohet në një gjah i lehtë për partitë politike që ripërtërijnë papushim strukturat e tyre sikundër dhe funksionarët,
sipas ritmeve të ambicioneve elektorale dhe të praktikave të tyre partizane.
Nga momenti që Evropa kish ndezur fitilin e shpresës, kjo makinë e brishtë të cilës i tundeshin të gjitha vidat dhe rrotullat u vu në lëvizje, duke ndjekur me nuhatje erën e parave. Në rast se do të ngatërronte rrugën dhe nuk do të gjendej në hyrje të atij udhëkalimi të lumtur, ajo rrezikonte të përfundonte në të tjera « parajsa të humbura » ose do të përplasej kundër murit, siç ishte rasti i Republiës së Tretë të Berishës që u thye kundër murit të revoltës popullore.
.
.

—————————————————————–
.
.
.

(1) Artan FUGA –Albanie, pourquoi les murs tombent-ils chaque soir ? në : Transeuropéennes n° 10 – Mouvements de Rue 1996 – 1997.
.
.
(2) Shprehja është e K. Barjabës sipas të cilit «që nga Ilirët deri tek Bizantinët, nga Bullgarët deri tek Otomanët, nga revoltat turke deri tek luftrat ballkanike, nga Mbreti Zog tek Enver Hoxha, nga Ramiz Alia tek Sali Berisha, historia e Shqipërisë s’është gjë tjetër veçse historia e një gjëme të paralajmëruar ». Shih : Kosta BARJABA – Albania in Transition : Elite’s Role and Perspective, Final Report, NATO Research Fellowship Programme 1996 – 1998, Tirana 1998.
.
.
(3) Ideja vjen prej A. FUGËS i cili e përshkruan si « sindroma e Rozafës ». Bëhet fjalë për atë legjendën e vjetër shqiptare sipas të cilës, tre vëllezër mundohen pa sukses të ngrenë çdo ditë muret e një fortese – atë të Rozafës, që ngrihet mbi qytetin e Shkodrës – të cilat mure shëmben çdo natë, për shkak të një force të keqe që prish natën atë çka është ndërtuar ditën. Mesazhi që çlirohet është ai i mospërputhjes mes reales, forcave të gjalla të historisë – puna e ditës, dhe rezultatit të ngurtësuar, të shkruajtur në realitetin rrethues – institucionet, këto mure të fuqishme. Në këtë mënyrë sindroma përmbledh atë kontradiktë mes përpjekjes së tashme – kësaj force të pakryer, dhe punës të materializuar – kësaj përmbajtjeje të institucionalizuar ; ajo shpreh atë shqetësim të thellë që prek njeriun, i cili « dëshiron të njohë vetvehten në rezultatin përfundimtar të punës së tij ndërkohë që ai identifikohet vetëm dhe nëpërmjet punës së tij ». Shih : Artan FUGA –ibidem.
Përse filozofi kufizohet vetëm në dallimin e një sindrome në këtë legjendë e cila, në tërësinë e saj përçon një mesazh universal, dhe jep njëkohësisht edhe zgjidhjen e dilemës të « mureve që shëmben çdo natë » ? Le të gjykojmë vetë, nëpërmjet kësaj mënyre tjetër të lexuari : në një Vëllazëri – Shoqëri klanike, e cila nuk njeh gjëkundi babain – Autoritetin, gjërat shkojnë keq e më keq – Sindroma e Rozafës, deri në momentin e çfaqjes të gruas – Bindjes. Kjo e fundit pranon që t’a murosin për së gjalli për t’i dhënë fund mallkimit – me kusht, që njëri nga gjinjët e saj të mbetet jashtë murit për të vazhduar të ushqejë fëmijën e saj. Pas kryerjes së sakrificës, muret tashmë qëndrojnë më këmbë dhe fortesa ndërtohet pak nga pak. I shprehur në këtë mënyrë mesazhi është fare i qartë : forca brute dhe efemere sublimohet dhe fisnikërohet në punën e qëndrueshme vetëm nëpërmjet shpirtit. E thënë ndryshe, me qëllim që vepra njerëzore të mund t’i rezistojë kohës që rrjedh dhe shkon, duhet sakrifikuar një pjesë e vetvehtes me qëllim që të shtihet, të shkrihet brenda rezultatit. Vetëm nëpërmjet këtij dhurimi të vetvehtes, të këtij automishërimi, ky rezultat mund të përjetësohet dhe të frymëzojë brezat e mëpastajmë.
.
.
(4) Formula është e Shinasi A. RAMËS të cilit i përket njëhohësisht edhe shprehja « tranzicion i dështuar » Për detaje të tjera, shih : Shinasi A. RAMA – ibidem.
.
.
(5) Shinasi A. RAMA –ibidem.
.
.
(6) Ralf DAHRENDORF – After 1989 : Morals, Revolution and Civil Society, St Martin Press, N. Y. 1997.
.
.
(7) Gert GURI – The failure of a Post-Totalitarian State : the Albanian Crisis of 1997, Project proposal for a thesis, University of Trento, School of International Studies, december 2005.
.
.
(8) Është interesante me këtë rast të kqyren parashikimet e politikës ekonomike, të përpunuara nga ana e FMI, në formën e « Paradigmës standarde të Tranzicionit » ose PST. Duke rreshtuar të gjitha ekonomitë e interesuara nëpërmjet një norme të vetme – treguesi i tranzicionit – PST i është paraqitur ansamblit të vendeve në tranzicion, të cilët kishin pranuar bashkëpunimin me institucionin botëror. Modeli tranzicional mbështetet mbi tre objektiva, të konsideruara si të pandashëm nga procesi vetë i tranzicionit : « të rritet efektiviteti kompensues i aktiviteteve ekonomike, në mënyrë të të tillë që të rrisë nivelin e jetesës të popullsive të interesuara ; të mbështetet qëndrueshmëria financiare e reformave, duke realizuar një ekuilibër dinamik të bilanceve të pagesave publike dhe të jashtme sikundër dhe një inflacion të ulët ; të sigurohet qëndrueshmëria politike e reformave nëpërmjet vendosjes së mekanizmave ekonomike, që të kufizojnë rrezikun e kthimit mbrapa të reformave në kontekstin e demokratizimit të shoqërisë ». Paralelisht objektivave, janë përcaktuar tre masa të quajtura si të domosdoshme për të arritur objektivat e mësipërme : « liberalizimi, që i lejon tregut të zëvendësojë planin në shpërndarjen e burimeve dhe në përcaktimin e çmimeve relativë ; stabilizimi që kufizon shpenzimet publike dhe rritjen e masës monetare, gjithë duke siguruar stabilitetin e shkallës së shkëmbimit të monedhës kombëtare ; restrukturimi i cili parashikon privatizimin dhe shëndrrimin e mënyrave të qeverisjes së ndërmarrjeve si dhe të disa administratave me qëllim adaptimin e tyre me procesin e tregut dhe detyron aktorët ekonomikë drejt një riorganizimi prodhues, gjithë duke ndërtuar sisteme të mbrojtjes sociale të afta për të mbeshtetur të ardhurat e individit, të vëna në vështirësi nga procesi i tranzicionit ». Cituar nga : Julien VERCUEIL – La « grande transition » à l’Est, nouvel espace du capitalisme, Rue Descartes, N° 49, dans : http://www.ci-philo.asso.fr/.
.
.
(9) Petr PAVLINEK – Alternative Theoretical Approaches to Post-Communist Transformations in Central and Eastern Europe. Në : Acta Slavica Iaponica, Vol 20, 2003.
.
.
(10) Arolda ELBASANI – Albania in Transition : Manipulation or Appropriation of International Norms ? SouthEast European Politics, vol. 5, Nr. 1, june 2004.
.
.
(11) Anna GRZUMALA-BUSSE, Pauline Jones LUONG – The Ignored Transition : Post Communist State Development, Paper nr. 02 – 02, Weatherhead Center for International Affairs, Harward University, march 2002.
.
.
(12) Të gjithë ata shqiptarë që nuk i kanë harruar referencat e tyre myslimane – bile edhe të tjerët që nuk i kanë njohur kurrë – duhet të kujtohen për atë proverbën e Kuranit që shprehet diku se : « ..është me e lehtë për gamilen të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës se sa për të pasurin që shpreson të shkojë në Parajsë ».

Një Përgjigje te Viti i Mbrapshtë 1997 4. Një « tranzicion i dështuar » ?

  1. N.Ago thotë:

    Rasti i Shqipërisë duhet të jetë me siguri më uniku në rruzullin tokësor.
    Zgjatje e “tranzicionit” për 18 vjet, ngjan më shumë me urën e Rozafës sesa me një fenomen ekonomikopolitik!
    Eshtë me siguri, dukuri e pangjashme dhe e pakrahasueshme me ndonjë tjetër.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: