Metafizikë sociale.

Shopenhauer – « njeriu është një kafshë metafizike »
.
Puna si detyrim dhe ndëshkimi i punës.
.
.
Që nga lindja e tij e organizuar dhe e ndërgjegjshme, njerëzimi kuptoi instiktivisht se mundimi dhe puna ishin të barazvlerëshme. Bile romakët e lashtë përdornin fjalën labor për të thënë lodhje. U desh vërtet një mundim – kësaj here intelektual – për të zgjeruar kuptimin e fjalës në sensin e përpjekjes, përgjatë të cilësh lodhesh (bile edhe vuan) por me një qëllim të dobishëm – për të prodhuar një rezultat pozitiv. Në këtë mënyrë, puna hyri në fjalorin e përditshëm si sinonimi i përpjekjes së njeriut për të mbijetuar, çmimi i të cilës ishte tjetërsimi i kohës së tij në favor të të tjerëve.
.
.

Në të vërtetë, kjo faturë ishte fort e rëndë pasi, të tjetërsosh kohën tënde do të thotë të tjetërsosh vetvehten, të zhvishesh nga i vetmi kapital autonom që Zoti ka falur pa kursim dhe brenda të cilit çdokush mund të nënshkruante kujtimet, projektet, dëshirat bile dhe ëndrrat. Thjesht, do të thotë të tjetërsosh ndërgjegjen – atë përvojë intuitive të brendshme dhe unike që ushqehet pikërisht nëpërmjet kohës – e cila nuk përputhet aspak me kuptimin objektiv dhe të përcaktuar të asaj kohe, tashmë të përkushtuar një aksioni i përbashkët mes individëve të ndryshëm.

Të parët që kuptuan anën perverse dhe shnjerëzore të punës ishin grekët e vjetër, të cilët e shihnin si lidhjen e vetme mes njeriut dhe kafshës. Meqënëse puna i kundërvihej mendimit, politikës ose edhe kulturës fizike, atëhere ajo duhej t’i përkiste kafshës dhe në mungesë të saj skllevërve. Aq më tepër, ajo demokracia aq e dashur dhe e preferuar prej tyre nënkuptonte largimin prej përpjekjes fizike – punës për t’ju dhënë aktiviteteve publike, administrimit të qytetit – argëtimit intelektual.
Pra, ndarja e parë sociale e aktivitetit njerëzor i kundërvuri punës – mendimin, lodhjes – argëtimin, skllavit – njeriun e lirë. Argëtimi si liri de puna si mallkim : liri e të menduarit dhe të besuarit, mallkim i të prodhuarit dhe të ndërtuarit (Aristoteli). Ngritja e idhujve – idolë, ndërtimi i godinave të kultit – piramida mund të reduktohet kështu në një ushtrim force shumënjerëzore – ajo e skllevërve – për të zhvendosur masa të stërmëdha (blloqe guri), përgjatë vitesh të tëra. Ja pra edhe ekuacioni i parë i qënësishëm që njeriu-skllav mundi të ngjizë : lidhja e pazgjidhëshme mes kohës, forcës dhe rrugës së përshkuar.
.
.
Veçse, njeriu i parë qoftë i lirë qoftë edhe skllav – ai i lashtësisë – ishte ende i pamësuar dhe ishte jo vetëm besimtar por edhe naiv, pasi besonte ende në sensin e kolektivit. Pikërisht, solidariteti dhe mirënjohja e tjetrit përbënin edhe rrogën e tij të parë, shpërblimin virtual për punën e kryer, për tjetërsimin moral dhe shpenzimin e kapitalit të tij më të çmuar, kohës. Horizonti i tij kufizohej nga objektet, marrëdhëniet me të cilat ishin ende në stadin fillestar dhe administroheshin nga ligjet e nënës Natyrë që prej Evës dhe Adamit. Le të nënvizojmë se bëhet fjalë për të njejtën Natyrë që goditi Njutonin me mollën e sherrit, duke ngjallur me këtë rast jo më pasionin, por mekanikën klasike parasociale.
.
.
.
Puna si vlerë dhe vlera e punës.
.
.
Nga momenti që puna braktis ngastrën idividuale dhe punishten e zejtarit për të integruar çifligun dhe manifakturën, nga momenti që sendi shëndrrohet në mall, njeriu fillon të mendojë lidhur etikën e saj dhe lidhur me vlerën. Puna kështu bëhet teknikë – procedurë që përmban qëllimin, projektin, dhe idenë e përdorimit ; ajo kthehet në prodhim që përgjithëson fabrikimin e serisë së objekteve nëpërmjet makinës ; ajo njëjtësohet me detyrën – detyrim, të imponuar, të cilës nuk mund t’i shmangesh pasi përbën një domosdoshmëri ; ajo shëndrrohet në shërbim, një aktivitet që synon përmbushjen e një kërkese jo-materiale pak a shumë të menjëhershme ku përzihen kënaqësia e një nevoje objektive njërit dhe kënaqësia subjektive e dëshirave të tjetrit. Puna pra, nënkupton nënshtrimin – punën, faktin e të vënit nën urdhrat e dikujt për të krijuar objektin – mall ose shërbimin – detyrë, në shpërblim të rrogës. Ja pra, njeriu që punon është thjesht një mercenar i punëdhënësit, i angazhuar për të kryer një aktivitet të përcaktuar. Në të kundërt, rroga mishëron njëkohësisht kohën, aftësinë, përvojën, pozitën në hierarqinë e strukturës prodhuese, e cila ve gjithçka në lëvizje për të realizuar fitimin.
Vetëm atëhere kur puna piqet me gjeninë, ajo pavdekësohet në vepër, në një realizim tashmë jashtënjerëzor që i reziston shikimit dhe kohës. Pasi ajo mbart një copë të shpirtit, një pjesë të ëndrrës së lashtë të përkryerjes intelektuale, të argëtimit çlirues dhe përtëritës.
.
.
Punë – mall – fitim, inekuacioni ciklik kaq karakteristik i kapitalizmit tërheq në mënyrë të pashmangshme vështrimin etik, aq më tepër kur puna identifikohet në mënyrë intime me mallin (Ricardo, Smith). A është puna (forca e punës) një mall i çfarëdoshëm – dhe si e tillë ajo vlerësohet nga çmimi i saj (rroga) ? apo duket kqyrur njëkohësisht edhe gëzimi ose vuajtja që fshihet prapa kësaj pune ? Nëqoftëse një punë matet nga koha e nevojshme për të prodhuar objektin, si i bëhet në rastin e krijimit artistik ose shkencor ?
.
Pas vështrimit etik vjen vështrimi kritik, sidomos atëhere kur puna ose më mirë të themi mungesa e saj ose pamjaftësia e saj bashkohen me mizerjen sociale, me varfërinë materiale (Marks). Në këtë mënyrë mësojmë se puna, përveç vlerës, ka edhe një mbivlerë dhe është pikërisht kjo e fundit që dallon proletarin nga borgjezi, skllavin nga skllavëruesi. Jo rastësisht, pas mendimit kritik vjen mendimi politik (Lenin), i cili nga pikënisja shfrytëzim arrin në përfundimin revolucion, me rrugët, mjetet dhe veçanërisht pasojat për të cilat nuk po zgjatemi.. Shekulli i XX me hijen e tij të rëndë ende peshon mbi shpirtrat e njerëzve dhe rikujton se dallimet mes shkencës (qoftë edhe ekonomike) dhe eksperimenteve të inxhinierisë sociale nuk janë thjesht të natyrës teknike.
.
Çuditërisht është kjo e fundit – pra teknika – që dikur del në plan të parë dhe që shërben jo vetëm si njësi matëse e nënshtrimit të natyrës nga njeriu, si shkallë njojtëse praktike të natyrës (Dekart), por edhe një mjet dhe shkallë e nënshtrimit të njeriut nga njeriu (Habermas). Ja përse dikush (Heidegger) shkon deri në pohimin se, teknika moderne vërtet shërben për të hulumtuar bile zotëruar natyrën por ajo është tashmë një provokim dhe jo më një prodhim, duke përfunduar me mohimin e plotë të nevojës për të.
.
.
Çfarë mbetet sot si kuintesencë e mendimit, e hulumtimit bile edhe e tërbimit të gjithë atyre bandave të tëra filozofësh, të atyre legjioneve të sociologëve, që, përgjatë dhjetëvjeçarësh, për të mos thënë shekujsh, u përkulën mbi konceptin punë, me qëllim të zbërthenin thelbin e saj, kuptimin e thellë individual dhe shoqëror ?
.
.
– puna ka një karakter të dyfishtë : ajo është njëkohësisht emancipuese – bile edhe esencë e vetë njerëzimit (Hegel), ndërkohë që ajo mbetet tjetërsuese.
.
.
– korolarja e saj, teknika, gjithashtu ka përmbajtje kontradiktore : nga njera anë, ajo është motori i zhvillimit të kapaciteteve konjitive – në të njejtën mënyrë sikundër vegla paraqitet si përzgjatje e trupit njerëzor (Bergson), dhe nga ana tjetër, ajo shkon kundër natyrës së thellë të vetë Natyrës – të cilës në emër të një etike, duhet t’i njihet « e drejta » (Jonas).
.
Duke dashur të tejkalojë sferën e ngushtë të natyrës « φυσικά – phusiká », me anë të meta ta phusika të tij, Aristoteli as që e kish imagjinuar problematikën që mund të ngjallte në botët e mëvonshme, të përkufizuara si sociale.
.
.

.

Puna si qëllim dhe esenca e jetës.
.
.
.
Në qoftëse shoqëria e sotme post-kapitaliste, gjithmonë e bazuar mbi punën, por e përmasuar tashmë nga vlera të tilla si konsumi, teknologjia ose informacioni, ka mundur të tejkalojë konceptet punë – lidhje shoqërore, ose punë – faktor prodhimi, ajo mbetet ende rob e lidhjes punë – krijim i pasurisë. A mund të kufizohemi në përfundimin se ajo do të vazhdojë të mbështetet vetëm mbi ekonominë (sendet, tregun, paren) apo të guxojmë të imagjinojmë se ndërkohë, ajo tërhiqet nga vlera të tjera të qëndrueshme sikundër Natyra (ekologjia), Kultura (argëtimi), Njeriu (humanizmi) ?
Në një plan praktik – bile edhe politik – kjo dilemë e vjetër shprehet nëpërmjet kundërvënies së dy pikpamjeve kontradiktore :
.
.
– punoj më shumë për të fituar më shumë, pra për të jetuar më mirë.
.

.
– punoj më pak për të fituar më pak, pra për të jetuar më mirë.
.
.
Pohimi i parë paraqitet ndërgjegjësisht i vetvetishëm, bile edhe shprehje e evidencës vetë : A ka më të natyrshme se sa fakti që mund të punoj më tepër për të fituar më tepër (me kusht që « pronari » të ketë nevojë për punën time dhe të më paguajë « ndershmërisht » përpjekjen) me qëllim që të jetoj më mirë ? Krejtësisht e natyrshme, me kusht gjithashtu që sistemi (ose Shteti) të pranojë një logjikë të tillë. Pasi, ndërkohë autoritetit rregullues i punës ka vendosur që kohëzgjatja orare e punës gjatë javës (konvencionale) të jetë fikse : 35 orë në Francë, 37 në Gjermani, 38 në Itali, 39 në Irlandë dhe 40 në Greqi – ndërkohë që kqyr me kujdes edhe kohëzgjatjen maksimale javore të punës (mes 40 dhe 48 orë, me një mesatare prej 44,8 për Evropën e bashkuar).
Përse ky autoritet ndërhyn me kaq zell në një fushë të tillë si ajo e punës ? Pasi, fillimisht, tregu i punës nuk është i pafund (kur disa mund të punojnë « pafund » të tjerët mbeten pa punë) dhe së dyti, në emër të mbrojtjes së interesave të punonjësve (të shëndetit të tyre, të luftës kundër abuzimeve, të ndalimit të punës të të miturve etj..). Një kujdes aq më tepër i përkushtuar, pasi në emër të principeve, një seri kategorish sociale (gratë, pleqtë) vuajnë me qëllim që burrat të punojnë në kushte sa më të mira !
.
Në ç’mënyrë pra, mund të realizohet ky pohim « i natyrshëm » ? Duke rivlerësuar orët suplementare, duke ngritur tavanin legal (atëhere kur rritja vjetore e PPB e lejon), dhe së fundi duke lehtësuar taksimin e punës « ekstralegale » – me fjalë të tjera, nëpërmjet rishikimit të mekanizmit ekonomik. Për dikë, kjo rrugë përbën të ardhmen e sistemit (francezi Sarkozi), për të tjerë bëhet fjalë për demagogji të rrezikshme, bile dhe të dëmshme… për më entusiastët (patronati), është vetëm hapi i parë drejt kësaj të ardhmjeje – zhdukjes së plotë të pengesave ligjore drejt liberalizimit të plotë të tregut te punës dhe kohëzgjatjeve legale absurde !
Vetëm se, gjithkush e di se në kapitalizëm, me punë mund të shkosh larg – me punë çan – por asnjëherë kjo punë rrogëtare nuk të lejon të bësh pasuri ! Shumë shumë mund të jetosh mirë. Ndoshta pasuria, ajo e vërteta, materializon dhe integron me të njejtën shpejtësi sa punën edhe spekullimin, sa fatin aq edhe intelektin, sa guximin aq edhe aventurën njerëzore..
.
.
Përballë të parit, « absurditeti » i pohimit të dytë fillon dhe zbehet në qoftëse ai interpretohet nën prizmin :
.
.
– nga njëra anë, punoj më pak për të fituar më tepër kohë – të cilën ja ve në dispozicion familjes dhe fëmijëve,kulturës, jetës shoqërore ose pjesëmarrjes qytetare, dhe nga ana tjetër
.
.
– nëqoftëse fitoj më pak, mundohem të konsumoj më pak – aq më tepër duke ditur se një pjesë e atyre që konsumoj jo vetëm nuk janë sende të domosdoshme, por edhe se kjo përpjekje shkon në drejtim të mbrojtjes së mjedisit rrethues.
.
.
Është e vërtetë se adeptët e kësaj metode numërohen me gishtat e një dore – ose të të dyjave ; është e vërtetë gjithashtu se këta të fundit ngjajnë më tepër me përfaqsuesit e një rezistence rrangallë, të llojit neo-hippie, ish-woodstock ose veteranë të pranverës 68 që qarkullojnë këmbëzbathur mbi biçikleta dhe që preferojnë më mirë të hanë me duar se sa tê pêrdorin pirunin.. Rastësi ose jo, të gjithë jetojnë në vendet më të zhvilluara të globit, që nga Skandinavia në Zelandën e Re – duke kaluar nëpër Angli ose Gjermani. Po aq e vërtetë është edhe fakti se, mentaliteti anti-konsum përputhet me një mendim të ri ekonomik që i bën thirrje frenimit, bile edhe regresionit ekonomik si armë e vetme efikase për të mbrojtur mjedisin dhe ndryshimet klimatike aq të frikshme.
Ndoshta kanë të drejtë, të paktën janë më pak qesharakë se ajo turma e pëshkruara nga gazeta gjermane Die Zeit, ata tetëqind personat që presin me durim gjithë natën dhe gjithë ditën e djelë përpara magazinës qëndrore për të blerë konsolën e fundit PlayStation, thjesht pasi është e fundit… dhe thjesht pasi duhet blerë !
.
Ah, kjo jetë ngjyrë rozë,
Një rozë që na e propozojnë,
Të kesh grumbuj me sende,
Që të shtynë drejt të tjera sende.
.
Ah, na bëjnë të besojmë,
.
Që lumturia është të kesh,
.
Dollape dhe sirtare plot,
.
Tallje me vogëlsinë tonë.
.
.
* * *
.
.
Së fundi, dikush mund të më pyesë : – po Shqiptarët dhe Shqipëria ku ndodhen lidhur me këtë metafizikën tënde sociale ? Instiktivisht mund të përgjigjem se kjo botë specifike që êshtë e tyrja historikisht është luhatur jo mes pohimesh por mes pyetjesh kontradiktore, sa në formë aq dhe në përmbajtje :
.
.
– cila është puna që mund të sigurojë mbijetesën ?
.
.
– çfarë qëndrimi duhet të mbaj ndaj punës ndërkohë që, edhe kur punon edhe kur s’punon, fiton gjithmonë të njejtën gjë ?
.
.
– ku duhet të shkoj për të punuar, shumë ose pak, me qëllim që të fitoj sa më shumë ?
.
.
Ndërkohë, një tjetër mendim, profilohet vetvetiu : – duke qenë shqiptar, jam njëkohësisht një qënie njerëzore, bile edhe qënie sociale, e cila e sheh të tashmen dhe ardhmen e vet jo vetëm të pashkëputur nga ajo e bashkëvendasve por edhe nga ajo e të bashkëngjashmëve. Për më tepër, kjo optikë dhe filozofi lidhur me punën – qoftë si vlerë qoftë edhe si masë universale, me pasurinë – si shkallë vlerësimi shoqëror, ose vetë Njeriun – si esencë e vetë jetës, nuk duhet të ndikohet dhe aq më pak të « ndotet » nga konjukturat e momentit, nga politikat e partive, nga dëshirat e njërit apo të tjetrit ; pra, nga parametrat që karakterizojnë jetën e sotme të vendit.

2 Përgjigje te Metafizikë sociale.

  1. Selfmaderadio thotë:

    nje afrikan po qendronte para kasolles se vet ne breg te detit dhe shijonte jeten. Kalon nje i bardhe atypari dhe e pyet: cfare po ben? Ja po pushoj, thote afrikani. Po pse nuk punon? pyet i bardhi. Isha, pergjigjet afrikani, kapa peshk dhe u ktheva. Po pse nuk kape me shume peshk? – pyet i bardhi. Sepse nuk me duhej me shume, – pergjigjet afrikani, – me arrin per dreken, kaq me mjafton. PSe duhet te kap me shume?
    Sepse, i thote i bardhi, ate pjesen qe te tepronte mund ta shisje dhete fitoje leke. me leket e fituara mund te blije nje rrjete me shume e te kapje me shume peshk. Keshtu fiton edhe me shume para. Me me hsume para ble nje peshkarexhe me te madhe, me motorr, dhe kap akoma me shume peshk e fiton me shume para. Pastaj puneson te tjeret per ty, e ti nuk ke pse punon. Ble nje shtepi dhe rri tek pragu i saj dhe shijon jeten.

    Po a nuk jam duke bere te njejten gje? – pyeti afrikani.

    Me kenaqi artikulli, me kujtoi kete proverb afrikan. shendet

  2. N.Ago thotë:

    E lexova me kureshtje dhe me kënaqësi.
    Thuajse po bindem se shqiparët(në Shqipëri) janë bindur(!) tashmë se, për tu pasuruar,ose fundja, për të jetuar me komoditetet e lakmuara, puna është versioni i fundit që të çon atje.
    Janë mënyra të tjera, më të “thjeshta” ose më të “mënçura” që ne të tjerët që ikëm andej e morëm rrugët, nuk arrijmë ti “kapim”.
    Vetëm ata që janë atje kanë kapur thelbin e së vërtetës.
    Për ne, është akoma herët!
    Le të presim…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: