Viti i Mbrapshtë 1997: — 5. Mekanizmi i Revoltës.

Le t’i rikthehemi edhe një herë orëve të të fundit të demokracisë berishiane për të kuptuar dinamikën e crash-it të frikshëm :
.
.
.
…Vetëndezja e trupit elektoral ishte bërë shqetësuese, ndërkohë që vendimi i opozitës për t’u tërhequr nga gara elektorale nën pretekstin e dënimit të mashtrimit të zgjedhjeve shërbeu si pikënisje e shqyerjes së indeve të tij më të ndjeshme. Në këtë stad, fundosja e shoqërive të kreditit ishte shkëndija që i vuri flakën pakënaqësisë së brendshme dhe që mobilizoi turmat në manifestimet e rrugës. Përleshja politike mes pozitës dhe opozitës braktisi sallat dhe u shëndrrua në çështje të militantëve të ndezur ndërkohë që dhuna verbale, aq karakteristike për Republikën e Tretë tashmë duket fëminore përballë brutalitetit të forcave të rendit. Të gjithë elementët janë gati me qëllim që grumbullimet të shëndrrohen në përleshje, që mërmëritja e shurdhër të kthehet në urrejtje dhe që turma të saldohet nën magjepsjen e gjestit shkatërrues individual. Nga momenti që forcat e rendit fillojnë dhe tërhiqen, që Shteti tregon shënjat e para të dobësisë, kampi i kryengritësve bëhet i ndërgjegjshëm për forcën e tij dhe hidhet në kundërsulm. Shkallëzimi prek cakun e pakthyeshmërisë sapo që njerëzit vihen në zotërim të armëve : revolta popullore merr tiparet e një revolucioni….
.
.
Duke çmontuar mekanizmin e makinës djallëzore, shpërthimi i të cilës fshiu rregjimin e Berishës, është e pamundur të mos vihen re një mori rrotullash dhe sustash, elementë të detonatorit – në rastin tonë, të famshmit « Komitete të Shpëtimit Publik ». Megjithëse tashmë dihet që filli dhe butoni ndezës përfundonte në zyrat e Partisë Socialiste, ishte vetë rregjimi demokratik që furnizoi pjesët përbërëse të bombës – mes të tjerash, dezintegrimin e ushtrisë shqiptare.
Ushtarakët bënin pjesë në kategoritë profesionale nga më të
prekurat e reformave të para të qeverisë Meksi. Ministri i ri i Mbrojtjes, Safet Zhulali – një mësues i vjetër matematike nga Peshkopia, bëri të njohur në vitin 1993 planin e tij të riorganizimit të ushtrisë që parashikonte mes të tjerash, reduktimin e numrit të divizioneve të këmbësorisë si dhe rishkrirjen e armëve të tjera – aviacionin dhe forcat ushtarako-detare. Të gjithë komisarët dhe të tjerë puntorë politikë duhej të braktisnin trupën dhe ushtrinë ndërkohë që trupa e oficerëve reduktohej në mënyrë të ndjeshme. Riorganizimi preku njëkohësisht edhe kazermat dhe qendrat e tjera të grumbullimit sikundër dhe depot e armëve dhe të municionit. Mbi ç’kritere u ndërmorr ky riorganizim ? Në mungesë të asaj që quhet « doktrina e mbrojtjes » ose të dokumentave të tjera themelore të përgatitura nga shtabet, s’mbetet gjë tjetër veçse të imagjinohen motivet strategjike, ushtarake, ekonomike dhe politike.
.
.
Aleancat e reja politiko-ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet evropiane sugjeronin një rishikim të thellë të koncepteve të vjetra të mbrojtjes kombëtare, të përpunuara gjatë epokës komuniste. Tashmë ishte krejt e qartë për sejcilin se ideja e të mbrojturit, e mbështetur mbi konceptin e « forcave të veta » ishte një mashtrim trashanik :
.
– vendi nuk dispononte mjete njerëzore dhe materiale të mjaftueshme për të përmbajtur një agresion të mundshëm, të ardhur nga fqinjët ;
.
– vetë koncepti i « armikut potencial » kish ndryshuar pasi vendi nuk i përkiste më botës komuniste ;
.
– teknologjia e saj më e përparuar e fabrikimit kinez i takonte viteve shtatëdhjetë, asaj i mungonin pjesët e këmbimit, mirëmbajtja e rregullt dhe asnjeri nuk ishte në gjendje të përgjigjej për funksionimin dhe gatishmërinë e saj ;
.
– vetë ushtria ishtë shëndrruar në një barrë tepër të rëndë për financat e Shtetit demokratik, i cili nga ana e tij mbahej në këmbë falë ndihmave ndërkombëtare ;
.
– struktura e saj e brendshme dhe në rradhë të parë, kuadrot e saj përbërëse të formuara dhe të edukuara gjatë rregjimit komunist, ishin ose komunistë ose dyshoheshin si të tillë. Për të gjitha këto arsye, ushtria ishte paracaktuar si një strukturë që duhej shembur dhe asgjësuar.
.
Me fjalë të tjera, pyetja kryesore që shtrohej fare qartë përballë zotërve të rinj të vendit ishte ajo e mëposhtmja : çfarë duhet bërë me një ushtri të trashëguar nga një rregjim tashmë i shembur, e cila është njëkohësisht tepër e madhe në numër, e paadaptuar me situatën, e papërdorshme, e kushtueshme dhe së fundi e rrezikshme ? Përgjigja e parë që vjen vetvetiu është : ajo duhet shpërndarë, duhet çmontuar ose më mirë duhet thyer. Kjo përgjigje është edhe më instiktive kur ndërkohë ajo është sugjeruar prej këshilltarëve të shumtë ushtarakë dhe civilë amerikanë ose evropianë të cilët, nga ana e tyre, premtojnë përkrahje, ndihma dhe në rradhë të parë zgjidhje të gatshme. Zaten, zbërthimi, çmontimi sikundër dhe thyerja janë procese, teknika e të cilave zotërohet në mënyrë të përsosur ndërkohë që praktika është eksperimentuar me sukses të plotë në fusha të tjera si ekonomia kombëtare ose dhe administrata shtetërore. Veçse, të zbërthesh dhe të çmontosh një ushtri nuk është krejt e njejta gjë sikundër një ministri ose një uzinë pasi, përpara se të fillosh punën, duhet t’i kesh dhënë zgjidhje të paktën tre problemeve të reja :
.
– ç’do t’i bëjmë ushtarakët, dija e vetme e të cilëve është përdorimi i armëve dhe mënyra e vetme e jetesës është disiplina ?
.
– çfarë do të bëjmë me armët dhe me municionet të cilat, megjithë vjetërsinë dhe teknologjinë e tyre të tejkaluar, janë gjithmonë në gjendje pune dhe shërbejnë gjithmonë për të vrarë njerëz (1) ?
.
– Si i bëhet për të ngritur një ushtri të re njëkohësisht më të adaptuar, më të pajisur, më operative dhe më pak të kushtueshme ?
.
.
Sikundër dhe mund të imagjinohet, ky problemi i tretë mbeti pothuaj i pazgjidhur : mes inercisë të zakonshme të administratës ushtarake, çorganizimit të administratës qëndrore, ndërhyrjes së politikanëve për t’a vënë nën kontrollin e civilëve dhe në rradhë të parë, mungesës mizore të mjeteve financiare dhe materiale, ushtrisë shqiptare ju desh të zbriste në ferr. Mjafton të thuhet se në vitin 1995, pjesa e buxhetit e dedikuar ushtrisë nuk tejkalonte shumën prej 50 milionë dollarë, një krodhe e vërtetë e krahasuar me nevojat jetësore që i nevojiten një mase njerëzish prej 26.000 vetësh vetëm për të mbijetuar (pagesa e trupës, ushqimi, veshmbathja dhe furnizimet personale, energjia – rryma, uji, ngrohja, karburanti, kancelaria etj…). Përsa i përket riorganizimit organik, formimi dhe përgatitja e kuadrove, ripajisja, riarmatosja – shkurt modernizimi i trupës dhe bazës materiale, vështrimi ishte kthyer në mënyrë të vendosur drejt aleatëve të rinj të fuqishëm, me Shtetet e Bashkuara në krye.
.
Në të kundërt, problemi i parë u zgjidh pothuaj menjëherë, bile me një lehtësi befasuese : në mungesë të çdo « plani social », sejcilit nga ushtarakët e liruar mund të merrej me çka t’i donte e bardha zemër – të pushonte pas gjithë atyre viteve lodhje dhe mundimi, të konvertohej në biznesmen, të shkruhej në listat e të papunëve ose së fundi, të merrte rrugët e kurbetit. Përfundimisht, problemi i dytë paraqiste disa faqe të ndryshme pasi, përveç stokut egzistues, ishte njëkohësisht edhe industria e armatimit – e shpërndarë ndërmjet disa qendrave të prodhimit të armëve (kryesisht të armëve gjysëm automatike ose automatike me në krye përfaqsuesin e shquar AK-47, alias kallashnikov), të prodhimit të municioneve (fishekë, predha, mina dhe të tjera ngarkesa eksplozive) dhe së fundi të kimisë ushtarake (nitroglicerinë, barut). Me kusht reduktimin e prodhimit bile dhe të mbylljes së uzinave, reduktimi i stoqeve mund të realizohej qoftë nëpërmjet asgjësimit të tyre – e gjykuar si tepër e kushtueshme, qoftë nëpërmjet shitjes. Ndërkohë, armët egzistuese duheshin rimagazinuar, kondicionuar, në përputhje me rregullat e reja të sigurisë. Në të vërtetë, vetëm kapitulli tregëtar eci deri diku. Sipas burimeve zyrtare, diçka më tepër se një qind mijë armë të lehta si dhe një çerek miliard fishekë të kalibrave të armëve mundën të gjejnë blerës, duke gjeneruar një « fitim » prej 30 millionë dollarësh , ndërkohë, nga burime të brendshme doli lajmi se shitja përfaqsonte vetëm pjesën e dukshme të « ajsbergut » Zhulali që paskish organizuar një trafik të tërë armësh me Bosnjën në luftë.
.
Në këtë mënyrë, në prag të rrebelimit, ushtria e « re » shqiptare ishte njëkohësisht jooperacionale, e çorientuar dhe pakrye. As komanda e saj e përgjithshme ose e lartë, as edhe komandat e saj rajonale (Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër et Tiranë), gjithmonë të zënë me probleme të panumërta dhe të pazgjidhshme të logjistikës dhe të rishpërndarjes së trupave as nuk panë as nuk morën vesh gjë. Bile edhe më keq, edhe pas sulmeve të para kundër kazermave dhe depove të saj të armatimit në fund të muajit shkurt – fillimi i marsit, shtabet mbetën inerte ndërkohë që trupa luhatej rreth indiferencës, bashkëpunimit pasiv me plaçkitësit, vëllazërimit me sulmuesit dhe dezertimit. I zënë në befasi, Komandanti i Përgjithshëm Berisha shkarkoi përgjegjësit kryesorë ushtarakë dhe ja dorëzoi gjykatave ushtarake, ndërkohë që komanda e operacioneve në terren kaloi nga duart e matematikanëve të llojit Zhulali në duart e fizikanëve të variantit Gazidede.
.
Duke mos patur asnjë përvojë të kësaj natyre, duke mos qenë e stërvitur të ndërhyjë në situata të tilla të brendshme (2), Ushtria Popullore, ky objekt i krenarisë kombëtare përgjatë një gjysëm shekulli, e krijuar enkas për të përmbajtur çdo agresion të jashtëm deri edhe superfuqitë botërore, u mund dhe u asgjësua nga disa grupe civilësh leckamanë dhe fillimisht të çarmatosur. Por, nëqoftëse sulmuesit ishin civilë leckamanë bile edhe të veshur me tesha me marka, shtabet e kryengritjes – Komitetet e Shpëtimit Publik – zjenin nga ish ushtarakët e pushuar nga puna.
.
Komiteti i parë i këtij lloji thuhet se u çfaq në Sarandë, gjatë ditës së 4 marsit të vitit 1997. Pasi kishin pushtuar me sulm bazën ushtarake të qytetit, çliruar tre qind të burgosurit nga qelitë lokale, plaçkitur dhe djegur disa godina publike dhe masakruar një polic të gjorë, vegjëlia e qytetit më jugor të vendit, i shquar deri atëhere vetëm për shijen e agrumeve dhe ngjyrën blu-gurkali të detit, vendosi të krijojë një « Bashkësi komunale autonome ». Ky grumbullim virtual i të zgjedhurve të gëzuar të partive politike dhe përfaqsuesve të zemëruar të popullit kërkonte në rradhë të parë t’i jepte shembullin mbarë vendit. Në pamundësi, ishin qytetet fqinje që e morrën shembullin sarandjot : Delvina, Memaliaj, Himara dhe në rradhë të parë vatra e kryengritjes rrebeluese, Vlora, e cila më vonë do të kërkonte bile edhe autorësinë dhe parësinë e ngjarjes.
.
Qysh në fillim, ky vullnet popullor afishonte një përmasë politike. Ideja vetë e autonomisë shprehte këputjen e lidhjeve me pushtetin qëndror, një shkëputje të shquar aq më tepër që ajo vinte nga një distrikt kufitar, i banuar nga një pakicë mjaft e rëndësishme grekofone. Kjo gjë përbënte dhe një sinjal të fuqishëm ndaj vendit fqinjë i cili u nxitua të deklaronte që pakica e tij nuk kish të bënte fare me këtë konflikt « mes forcave qeveritare dhe bandave të armatosura ». Ky saktësim mezi arrinte të fshihte hipokrizinë : edhe pse bindja e qarqeve qeveritare të Tiranës për të parë hijen e grekut pas çdo rrebeli mund të merret për obsesion, ishte e qartë për çdokënd që largimi i Berishës përputhej me dëshirën më të zjarrtë të fqinjit jugor, i cili asnjëherë nuk i kish fshehur preferencat e tij për kundërshtarët politikë të rregjimit të Tiranës. Problemi qëndronte tek vetë Berisha : kësaj rradhe trimi i madh por pa shokë nuk arrinte të vinte rregull në rradhët e veta (3) ndërkohë që kish humbur kontrollin mbi një çerekun e vendit ; me fjalë të tjera, asnjeri nuk e dëgjonte më – aq më pak bota e jashtme – pasi ai kish humbur krejtësisht forcën e tij bindëse.
.
.
Gjatë kësaj javës së parë të marsit 1997, procesi i vlimit së turmave jugore kish arritur kulmin. Në Vlorë, ato mblidheshin dy herë në ditë në sheshin e Flamurit për të dëgjuar oratorët profesionalë dhe të improvizuar si dhe për të vendosur se çka duhet të bënin – dhe çka nuk duhet të bënin – deri në mbledhjen e ardhshme të rradhës. Çfarë kërkonin këta njerëz ? Kthimin e parave të tyre – sigurisht – dhe ndëshkimin e fajtorëve pasi sipas tyre, vendi kish nevojë për një « demokraci të vërtetë, një demokraci pa Berishën ». Mbetet e vështirë të imagjinohet dhe aq më pak të pranohet një kërkesë e tillë, e shprehur nga ana e atyre që për t’ja arritur këtij qëllimi fisnik, nuk kishin hezituar aspak të shkelnin një nga principet themelore të vetë demokracisë. Mjafton ti kthehemi teksteve për të zbuluar se « demokracia garanton që procesi i ngjitjes në pushtet si dhe ushtrimi dhe rrethrotullimi i pushtetit lejojnë një konkurrencë të lirë politike dhe të shprehur nëpërmjet një pjesëmarrjeje popullore të hapur, të lirë dhe jo diskriminuese, të ushtruar në përputhje të plotë me rregullin e ligjit, sikundër në shpirtin e tij dhe në zbatimin e tij fjalë për fjalë » (4).
.
.
Shumë shpejt, në mes të kakofonisë së përgjithshme, disa zëra të përveçëm fillojnë dhe dëgjohen fort kjartë. Ky grusht burrash dhe grash të vendosur ngarkojnë vetvehten me detyrën e vështirë të përfaqsimit të turmës – që në këtë moment ka lindur Komiteti i Shpëtimit. Ai duhej të organizonte vetëmbrojtjen territoriale, të siguronte administrimin e çështjeve komunale, të zgjidhte grindjet ; shkurt, t’i vinte fre anarkisë popullore dhe në rradhë të parë të kanalizonte pakënaqsinë e turmës. Nëpërmjet elementëve të saj kryengritës të orëve të para dhe antarë të komiteteve, ky kundërpushtet u morr plotësisht në dorë dhe u zbut nga ana e opozitës, e përbërë kryesisht nga forca të të majtës. Gjëja më zbavitëse në këtë mes është fakti që ndërkohë kjo opozitë e majtë kish hyrë në bashkëbisedime me Berishën për të krijuar një qeveri të tranzicionit.
.
Në këtë mënyrë, e majta luante një lojë kurioze mbi disa fusha njëherësh : ndërkohë që përfaqsuesi i saj kryesor Fino merrte në dorë qeverinë e « Bashkimit Kombëtar » dhe që presidenti i Partisë Socialiste Nano priste me durim që kryengritësit të thyenin burgun e tij të Bënçës, drejtuesit e saj më radikalë gjendeshin në Vlorë dhe të Gjirokastër, në mes të turmave të armatosura dhe në gjirin e Komiteteve. Pikërisht, njëmbëdhjetë përfaqsues të këtyre Komiteteve u mblodhën në Gjirokastrën e Finos për të shpallur krijimin e « Frontit Kombëtar të Shpëtimit të popullit », i kryesuar nga një kolonel i çmobilizuar që kërkonte largimin e Presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja legjislative. Ky pol i ri presioni funksiononte për mrekulli : çdo herë që Berisha tregohej i vendosur, mjaftonte një shkelje e syrit të Finos dhe të miqve të tij të kryeqytetit që Fronti të ngrinte zërin dhe të kërcënonte se do të marrshonte drejt Tiranës – një kërcënim i përsëritur kushesaherë por asnjëherë i vënë në jetë.
E shprehur në termat e pushtetit, në planin kombëtar kjo gjendje prodhonte skemën e mëposhtme :
.
– Presidenti kontrollonte legjislativin por s’kish asnjë mjet për të kontrolluar egzekutivin i cili drejtohej nga opozita. Legjitimiteti presidencial ishte vënë në pikpyetje qoftë nga rezultatet e përfolura të zgjedhjeve të fundit të prill – majit 1997, qoftë dhe nga një procedurë e dyshimtë e zgjedhjes presidenciale në mungesë të të zgjedhurve të opozitës. Pasi kish humbur mbështetjen e ushtrisë, Presidenti mund të mbështetej vetëm mbi forcat e policisë, të njësive speciale si dhe mbi të egzaltuarit e lëvizjes të vet demokratike. Kjo gjë i lejonte të ruante një farë rendi në Tiranë dhe në rajonet veriore, pak të prekura nga rrebelimi, por ai s’mund të merrte iniciativën e aksionit qoftë për shkak të dobësisë së tij qoftë edhe për faktin se atij i duhej të bashkëpunonte me qeverinë.
.
– Opozita mbetej gjithmonë jashtëparlamentare dhe megjithatë, ajo ishte ngarkuar të drejtonte një egzekutiv të përkohshëm që s’kishte pushtet real. Zyrtarisht, ajo bënte thirrje për vendosjen e qetësisë dhe të rendit publik si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative të parakohshme.
.
– Në gjysmën jugore të territorit të vendit, pushteti ishte në duart e Komiteteve të Shpëtimit, të mbledhur në gjirin e Frontit Kombëtar. Megjithë faktin që ky i fundit ishte pajisur me një forcë ushtarake të krahasueshme për të mos thënë edhe më të madhe se sa ajo e kampit presidencial, ai nuk merr iniciativën dhe mbetet në pritje, i ngujuar në llogoret e tij jugore.
.
Në ç’mënyrë mund të merren vesh me njëri tjetrin një President legjitim, kokëfortë dhe në shterrim të forcave, një opozitë jashtëparlamentare, e vendosur dhe e zhurmshme dhe një Front Kombëtar ilegal, i fuqishëm por i heshtur ? Nga momenti që një bashkësi e tërë ndërkombëtare ishte vënë në kërkim të zgjidhjes, gjëja më e mirë ishte rritja e ankandit të pretendimeve dhe vënia në pritje. Rezultati i kësaj loje është një inerci e përgjithshme dhe një stabilitet i brishtë. Të gjithë palët janë prezent, presin ndërkohë që askush nuk merr përgjegjësi për gjendjen. Ja më në fund edhe situata ideale e shumëpritur nga çdo trafikant për të treguar talentin e tij, nga çdo qënie e armatosur për të imponuar forcën e tij, nga çdo bandë individësh për të vendosur ligjin e terrorit. I gjithë vendi zhytet në pasiguri të përgjithshme ndërkohë që disa dhjetra mijra vetë lëshohen drejt brigjeve italjane ose qyteteve greke. Ja përse të gjitha vështrimet kthehen vetvetiu drejt qeverisë Fino, e cila si rrugë shpëtimi gjen ndërhyrjen e armatosur evropiane.
.
Megjithatë, të shumtë janë ata që kërkojnë të merren vesh drejpërdrejt me rrebelët, duke filluar që nga ambasadori italjan Foresti, padrino i qeverisë Fino. Në 14 mars 1997, gjatë kthimit të tij nga Vlora, ndërmjetësi negociant evropian Vranicki u mburr se kish marrë mendimin e tyre pozitiv lidhur me përdorimin e forcës ndërkombëtare. Disa ditë më vonë, Fino dora vetë mori rrugën e Vlorës dhe u rikthye krenar në Tiranë pasi kish futur në xhep mbështetjen e tetëmbëdhjetë komiteteve. Por fatkeqit kryeministër të përkohshëm ja kishin kaluar në shpejtësi grekët : në 18 mars, i ardhur nga ana tjetër e kufirit, zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme helen Kranidiotis ishte ulur këmbëkryq me përgjegjësit e bashkësisë grekofone si edhe rebelët e Gjirokastrës. Edhe atij ja kish marrë në kthesë shefi kryesor i « Demokracisë së Re » helene që kish bërë një vizitë rrufe « private » në Gjirokastër. Jugu shqiptar ishte kthyer në një mulli të vërtetë ku mund të hyje pa i marrë leje mullixhinjve të Tiranës. Dy javë më vonë, në 2 prill, Kryeministri italjan Prodi vizitoi edhe ai Gjirokastrën por ai të paktën i kish marrë leje Finos. Megjithë atë, Prodi rikthehet në 13 prill, kësaj rradhe në Vlorë, dhe pati rastin të përshëndetet me popullin heroik : 10.000 vetë thërrasin njëzëri « Ne kërkojmë paratë tona » si dhe « Berisha jashtë ». Ishte mënyra e re vlonjate për të përshëndetur mbrritjen e ushtarëve italjanë në tokën shqiptare.
.
Nën vështrimin e paepur të paqëtuesve evropianë në vend, politika rihyri në rrjedhën e saj « normale » dhe qendra e interesit u çvendos në Tiranë. Sidoqoftë, me shpresë që të shmangin përplasjen me bandat e armatosura, edhe vetë ushtarakët detyrohen të bisedojnë me çarmatosësit e tyre komitetaxhinj të cilët janë gjithmonë prezent – ndoshta, për t’u siguruar që Berisha nuk do të tentohet të qëndrojë në pushtet. Duhej të priteshin rezultatet e zgjedhjeve, largimin e mbarëdëshiruar të Berishës, përshëndetjet e përmallueshme të qeveritarëve provizorë që ndërkohë kishin gjetur nga një vend në Kuvendin e ri si deputetë të PS ose të PAD, më tej betimin e qeverisë Nano, fundin e vapës së verës dhe ardhjen e shirave të parë që këto Komitete të avullohen në natyrë pa lënë gjurmë. Nanos i duhej t’ju ndizte nga një qiri dhe nuk është fare e rastit që qeveria e tij e parë numëronte mes antarëve të tij dy nga përfaqsuesit më të shquar të komitetit të Vlorës : Arben Malaj dhe Sabit Brokaj, respektivisht ministër i Financave dhe i Mbrojtjes.
.
Të ardhur nga një qytet si Vlora, « kryeqyteti » i parave të pista të trafiqeve dhe përgjegjësi kryesor i shpartallimit të ushtrisë popullore shqiptare, kjo gjë tejkalonte vlerën e simbolit.
.
.
Mbi të gjitha – mbi ato difektet e tij, përfytyrimet e tij politike naive, prirjet e tij autoritare –Berisha mbetet një vegimtar. Emri i tij është sinonimi i pluralizmit politik, i lindjes së PD, i zgjedhjeve të para të lira, i fitores të të djathtës, shkurt i shëmbjes së komunizmit dhe i përvojës së parë demokratike (1992 – 1997). Në të kundërt, vepra e tij mbetet e kontrastuar : shkëlqimi i arritjeve zbehet nga hieja e dështimeve ndërkohë që karakteri i tij i plotë shëndrrohet në pengesë si brenda ashtu dhe jashtë partisë dhe vendit. I dashur ose i urryer, një analizë objektive e pesëvjeçarit të tij në krye të pushtetit paraqet bilancin e mëposhtëm :
.
1. lindja e Republikës së Tretë. Pa asnjë dyshim dështimi më i madh i Berishës pasi, megjithë disa arritje të shënuara (rikrijimi legjislativ dhe gjyqësor, përsosja e sistemit elektoral, rivendosja e lirive individuale) ekuilibri i pushteteve mbetet i papërcaktuar. Përderisa pushteti i Presidentit të Republikës nuk është rregulluar nga Kushtetuta (e mbajtur në trajtën e saj më embrionare), pavarësia e pushteteve – legjislative, egzekutive dhe gjyqësore – mbetet e cënuar dhe nën kërcënimin e shkarjeve autoritare. Kjo gjë peshon mbi ripërtëritjen institucionale që vazhdon të jetë e ngadaltë dhe hezituese.
.
2. çfaqja e një klase të re politike. E përbërë kryesisht nga intelektualë, nga burokratë dhe opozitarë të rregjimit të vjetër dhe e rreshtuar brenda partive politike, ajo mbetet tejet e polarizuar. Megjithë përpjekjet për të ecur me hapin e kohës, ajo karakterizohet jo vetëm nga një violencë verbale të paparë ndonjëherë por njëkohësisht edhe nga mungesë kulture të vërtetë politike.
.
3. vendosja e një ekonomie të tregut. Megjithë një varg masash çliruese (braktisja e centralizimit dhe e planifikimit, privatizimi masiv i bujqësisë, të shërbimeve dhe të tregëtisë, forcimi i monedhës lokale dhe liberalizimi i çmimeve) Shteti duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të rimarrë në dorë kontrollin e mekanizmave ekonomikë ndërkohë që vuan nga shpërpjestime të rënda strukturore – papunësi endemike, sektor industrial në bllokim të vazhdueshëm, deficite fiskale dhe tregëtare kronike.
.
4. rikthim në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Ndoshta, arritja më e madhe e rregjimit të Berishës, pas një gjysëm shekulli izolimi dhe aleancash të diktuara nga ideologjia. Por kjo arritje errësohet për shkak të tensioneve mes fqinjësh ndërkohë që figura ndërkombëtare vuan pasojat e dallgëve të migracionit, të trafiqeve, të korrupsionit dhe të tjera Mafia, për të cilat vendi thyen rekorde.
.
5. krijimi i shoqërisë së njerëzve të lirë. E lutur në mënyrë të vazhdueshme për të qenë motor i ndryshimeve demokratike, ajo tregoi se vuan nga një varg « sëmundjesh » : një bashkëlidhje të brendshme shoqërore të brishtë, një ind të pamjaftueshëm prej organizatash dhe shoqatash, një pjesëmarrje pasionale dhe partizane në jetën politike lokale dhe kombëtare, një reflektim kolektiv të cekët.
.
I parë në këtë mënyrë, ky proces i gjatë dhe ndryshueshëm i natyrës institucionale, politike dhe ekonomike që synon shëndrrimin radikal të shoqërisë, i quajtur shpesh « tranzicion » nuk ka dështuar. Pas një nisjeje me fanfarë, ai ngadalësoi hapin në mes të rrugës për shkak të një voluntarizmi të papërgjegjshëm përpara se t’i fundosen këmbët në baltë për të mos thënë të ndalojë në vend për shkak të një eksplozioni shoqëror, në origjinë të të cilit qëndronin piramidat financiare. Sidoqoftë, as arritjet as edhe vlerat e krijuara nuk u vunë në dyshim as nga kryengritja e armatosur as edhe nga ngritja e socialistëve në pushtet. Në vend të trajtohet si i « dështuar » është e udhës që të quhet thjesht « një tranzicion i pakryer ».
.
.
—————————–
.
.
1) Nga epoka e vet komuniste, vendi kish trashëguar 22 divizione këmbësorie që përbënin njëkohësisht edhe 90% të efektivit të tij të forcave të armatosura ; pjesa tjetër ndahej mes forcave ajrore dhe detare. Në pikpamje të efektivit, kjo përfaqësonte 45.000 ushtarë në shërbim të rregullt dhe 19.500 oficerë dhe nënoficerë aktivë, pra një e treta e trupës. Forcat tokësore ishin përqëndruar në 2.500 njësi ushtarake, të shpërndara gjithandej në çdo qoshe të territorit kombëtar, sipas ndarjes territoriale ushtarake që përputhej në vija të përgjithshme ne ndarjen administrative në rrethe. Nga ana tjetër, armatimi i rëndë dhe i lehtë ruhej në më tepër se 2.000 depo armësh. Në përputhje me reformën e re, në vitin 1993, numri i divizioneve u reduktua deri në 9 syresh (plus një të dhjetë që gruponte forcat speciale) për të mbrritur në 5 në vitin 1995. Në 1997, ushtria shqiptare përmban më në fund pesë divizione këmbësorie, njëzet e një brigada të transportueshme, katër brigada tankesh, katër distrikte – ndarje territoriale – navale si edhe tre baza ajrore. Numri i oficerëve aktivë ka zbrritur në 5.000, pa llogaritur gjithashtu edhe 4.000 nënoficera. Pjesa që mbetej u vu në lirim të parakohshëm (ata që ishin 39 vjeç e sipër) ose u çmobilizua, duke përfituar dëmshpërblime të qenësishme. Së fundi, u përpunua dhe u ngrit në këmbë një program i tërë për grupimin e armëve dhe të municionit. Ai parashikonte një zvogëlim të dalëngadalshëm të numrit të kazermave dhe të depove, sikundër dhe një zvogëlim fizik të stokut të armëve. Mes viteve 1992 – 1996, Shteti ka shitur një stok prej 100.000 armësh inidviduale si edhe një stok tjetër fishekësh, si plotësim të parit, për një shumë prej 30 milionë dollarësh. Lidhur me elementë më të thelluar mbi këtë çështje, shih : Denison C. LANE – Once upon an Army : The Crisis in the Albanian Army, 1995 – 1996, Conflict Studies Research Centre, G 114, Septembre 2002. Shih njëkohësisht : Halit DACI – ibidem.
.
.
2) Në të vërtetë, dokumentat themelore të Shtetit parashikonin ndërhyrjen e forcave të armatosura, në mbështetje të operacioneve të policisë ose të forcave të tjera të rendit, për të kundërshtuar përpjekjet ose rreziqet e natyrës që mund të vinin në rrezik egzistencën vetë të vendit ose të rendit kushtetues : « disa nga elementët e forcës ushtarake mund të përdoren për të ndihmuar forcat e policisë në rrethanat e mëposhtme : për të përmbajtur dhe neutralizuar grupet separatiste aktive që përdorin forcën e armatosur për të vënë në rrezik Shqipërinë dhe integritetin e saj territorial ; për të përmbajtur dhe shtypur përpjekjet që synojnë fundosjen e rendit kushtetues, të ardhur nga ana e formacioneve ilegale të armatosura ». Shih : – The Sécurity and Defense Policy of Republic of Albania, Tirana 1995.
.
.
3) « Kryengritja » e deputetëve demokratë në Kuvend s’ish gjë tjetër veçse fillimi i një vargu shqetësimesh të brendshme që do t’a ndjekin Berishën përgjatë gjithë kohës së krizës. Kështu, një numër i ministrave të tij të vjetër do braktisin kampin demokratik që nga momenti i shpalljes të rezultateve të zgjedhjeve qershor – korrik 1997. Mjaft kritikë ndaj Berishës dhe politikës së tij, ata do të vihen në origjinë të një lëvizjeje të re politike, bile dhe të një partie të re demokratike, të deklaruar gjatë vitit 1997. Sidoqoftë, goditja më e rëndë do të vijë nga ana e përgjegjësve të mbrojtjes dhe të forcave të sigurimit kombëtar. Ministri i vjetër i Mbrojtjes Zhulali dhe banda e tij e mësuesve të matematikës do të braktisë vendin për t’u strehuar në Itali, ndërkohë që Gazidede dhe ithtarët e tij islamistë do të fluturojnë drejt Turqisë, etapa e parë drejt një varg vendesh arabe.
.
.
4) Union interparlementaire de Genève – Déclaration universelle sur la démocratie, 161ème Session Conseil interparlementaire, Le Caire, 16 septembre 1997.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: