Kosovë mon amour (1) – Nën zgjedhën komuniste.

(Shkrimi i mëposhtëm është i pari i një serie prej 8 shkrimesh që trajtojnë ecurinë e Kosovës gjatë periudhës 1945 – 2007, duke pêrfshirë dhe një analizë të argumentit të përjetshëm të Serbëve lidhur me “djepin e qytetërimit serb”)

.
.

.
. Fundi i Luftës së Dytë botërore në Kosovë pati shijen e hidhur të zhgënjimit dhe të disfatës. Fillimisht për faj të divizioneve partizane të Titos që çliruan provincën – kosovarët do të thonë që e pushtuan, të cilat ndoqën sipas të gjitha rregullave të artit ushtarak adeptët shqiptarë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit si edhe guerriljet e vjetra ish-komuniste, që të gjithë besnikë të « Shqipërisë së Madhe » efemere. Ndërkohë që administrata e re vendosej në qytete dhe që instancat qeveritare përgatisnin statutin e provincës tashmë të gëlltitur, një kryengritje e vërtetë nën Shaban Polluzhën shpërtheu në fillim të vitit 1945 në zonën e Drenicës. Ndërmjet shkurtit dhe marsit 1945, luftimet bënë kërdinë mes kryengritësve dhe njësive të ushtrisë jugosllave, duke shkaktuar me mijra të vrarë mes « rrebelëve » dhe popullsisë civile (1). Megjithë bazën e saj të gjerë popullore, kryengritja i ngjante më tepër një akti të dëshpëruar të kosovarëve përballë kthimit të pashmangshëm në « ferrin serb » ndërkohë që Nëna Shqipëri tashmë nën kontrollin e komunistëve i kish braktisur në fatin e tyre të hidhur (2).
.
. Vendosja e një administrate ushtarake në Prishtinë përbënte vetëm aspektin e dukshëm të gjendjes së shtetrrethimit që mbretëronte në provincë : ndërkohë që ushtria shtypte pa mëshirë lëvizjen popullore me frymëzim « ballist », PKJ spastronte rradhët e komitetit të saj rajonal, i akuzuar për pazotësi dhe për administrim të keq të krizës nacionaliste (3). Zaten, Kosova nuk përbënte ndonjë rast të jashtëzakonshëm pasi e gjithë Jugosllavia gjendej në gjendje shtetrrethimi për shkak të « spastrimit » dhe të « paqëtimit », këtyre procedurave që nuk kursenin asnjë grup social, asnjë krahinë apo pjesë të saj, asnjë kombësi. Fillimisht shpata komuniste ra mbi ata gjysëm-milioni Volksdeutscher – gjermanë të Jugosllavisë, të dënuar nga vetë historia për bashkëpunim me pushtuesin nazist. Ata u zhveshën nga të gjitha të drejtat e tyre të qytetarisë jugosllave përpara se të internoheshin në kampe, të shpërnguleshin ose të dëboheshin jashtë kufijve. Pothuaj gjysëm-milioni ishin edhe hungarezët, edhe ata të urryer pasi kishin shërbyer si ndihmës të rregjimit fashist të Horthit gjatë luftës. Duke ju druajtur reaksionit të Rusëve që ndërkohë kishin marrë në dorë çështjen hungareze, autoritetet e Beogradit i « falën » dhe i grupuan në gjirin e Krahinës Autonome të Vojvodinës, nën përgjegjësinë e serbëve. Ishin gjithashtu disa qindra mijra italjanë, të vendosur në bregdetin dalmat, në zonën e Fiumes (Rijeka), në ishujt sikundër dhe në gadishullin e Istrisë (4). Fajtorë për të vetmin fakt se kishin të njejtën kombësi me pushtuesit fashistë të Duçes, edhe ata duhej të thyenin qafën. Italjanët do të katandisnin në 80.000 vetë në vitin 1948 dhe në më pak se 35.000 në vitin 1953.
.
. Pastaj ishin ata çetnikët serbë të Mihajlloviçit që ende vazhdonin të bridhnin maleve dhe pyjeve të Bosnjës ; ata ushtashët kroatë të Paveliçit të cilët u sollën nga Austria me forcë për t’i çfarosur në vendlindje ; ata territorialët sllovenë ; ata domobrani (xhandarët) rumunë apo bullgarë që bënin përpjekje të kota të bliheshin në sytë e rregjimit ; ata rusët e bardhë që ishin fshehur nëpër vrima përpara ofensivës së Ushtrisë së Kuqe… Duke kombinuar operacionet e spastrimit, egzekutimet pa gjyq, marrshimet e vdekjes dhe kampet e përqëndrimit, ndërtuesit e Jugosllavisë së re kishin përveshur mëngët dhe mundoheshin të vinin rregull në shtëpinë e tyre të vjetër që sapo e kishin marrë në dorëzim.

. Duke lënë mënjanë variantin e autonomisë të plotë dhe të menjëhershme të krahinës së Kosovë – Metohisë, udhëheqja jugosllave gjatë seancave me dyer të mbyllura duhej të zgjidhte mes coptimit së krahinës në dobi të republikave fqinje të ardhshme (Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni) ose ruajtjes së bashkësisë territoriale e cila, duke përfituar nga prerogativa të një autonomie të kufizuar, i bashkëngjitej Serbisë. Varianti i fundit paraqiste avantazhin e mënjanimit të një reaksioni edhe më violent nga ana e shqiptarëve, ndërkohë që qetësonte shpirtrat e pakicës serbo-malazeze në vend. Të kënaqej hegjemonizmi serbomadh dhe të përmbahej nacionalizmi shqiptaromadh (5), gjithë duke pritur zhvillimin e marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë të cilat, sipas të gjitha gjasave dhe duke respektuar skemat e Titos duhej të çonin drejt një lloj bashkimi, ja edhe gjendja shpirtërore që mbretëronte në Beograd në vigjilje të shpalljes së Kushtetutës së re.
.
. Republika Popullore Federative e Jugosllavisë u shpall në 31 mars të vitit 1946, një rast unikal në Evropë në llojin e vet : ajo numëronte gjashtë republika, pesë « popuj », katër gjuhë zyrtare, tre fe të mëdha dhe dy alfabete, sikundër dhe « një parti të vetme » – sipas asaj shprehjes së Titos. Në mes të këtij patchwork të vërtetë, kosovarët paraqiteshin si një element i thjeshtë etnik, pasi nuk kishin mundur të siguronin as statusin e përbërësit të kombit as edhe njohjen zyrtare të gjuhës së tyre. Dhe me të vërtetë : nëqoftëse kosovarët e gjuhës amëtare shqipe përbënin shumicën absolute në Kosovë, ata ishin një pakicë e papërfillshme në nivelin e Republikës së Serbisë (6).
.
. Pa kaluar as edhe dy vjet nga shpallja e Republikës, Federata jugosllave njohu krizën e saj të parë të thellë në planin ndërkombëtar. Grindjet mes Titos dhe Stalinit prekën kulmin e tyre : rregjimi jugosllav u dënua nga mbarë bota komuniste dhe u izolua sikur të ish prekur nga kolera. Me këtë rast të gjitha projektet rajonale dhe ballkanike u asgjësuan : aleanca vllazërore me Shqipërinë u shkri si bora në diell brenda disa ditësh dhe dy vendet fqinje befas u gjendën ballë përballë, sejcili në istikamin e tij, duke u rikujtuar për konfliktet dhe grindjet e dikurshme. Sejcili mbetet sigurisht komunist por i një lloji të ndryshëm dhe meqënëse ishim gjithmonë në Ballkan ku edhe dashuria edhe urrejtja janë të plota dhe gjithëpushtuese, të dy fqinjët shkuan deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Mes të dyve mbetej si gjithmonë Kosova, ndjenjat e të cilës ishin të shpërndara mes ngazëllimit të plotë ndaj faktit që më së fundi vendi amë u vu në krahun e mbrojtësit dhe ankthit të thellë ndaj faktit tjetër se tashmë i duhej të vuante pasojat e gjeopolitikës kontinentale.
. Ndërkohë që ngazëllimi i kosovarëve ishte jetëshkurtër, pasi i vetmi shqetësim i Tiranës ishte të lëshohej në kritika të rrepta kundër Titos dhe « klikës së tij tradhëtare antikomuniste », ankthi i tyre u justifikua plotësisht : sejcila nga palët, duke dashur të destabilizojë tjetrën për llogari të vet ose për llogari të të tretëve, gërmonte në rezervat njerëzore të Kosovës me qëllim që të formonte grupe ndërhyrjeje dhe diversioni. I gjithë aparati administrativ si dhe ai i partisë i krahinës autonome ju nënështrua rishtas pastrimit, në kërkim të « Kominformistëve stalinianë » dhe të « agjentëve të Shqipërisë » ; në të njejtën kohë, fushata e kolektivizimit të tokave bënte viktimat e veta sikundër dhe uria që kërcënonte qytetet. Pjesa më e madhe e fshatrave u krehën deri në themele në kërkim të armëve të fshehura dhe e gjithë popullsia u konsiderua si një mbështetje potenciale e agjentëve të infiltruar nga Shqipëria fqinje. E gjithë periudha 1948 – 1965 karakterizohet nga aplikimi i një politike të shtypjes të pastër dhe të pamëshirshme, e udhëhequr nga i plotfuqishmi ministër i Brendshëm Rankoviç. Kjo politikë kulmoi me dy procese gjyqësore të përmasave teatrale : ai i Prizrenit (7) në vitin 1956 dhe ai i vitit 1964, kundër « Lëvizjes revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve », organizatë ilegale e drejtuar nga Adem Demaçi. Sipas pikpamjes të drejtuesve shqiptarë të krahinës, kjo periudhë shënon edhe nivelin më të ulët të marrëdhënieve mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
.
. Pjesa më e madhe e analizave dhe të studimeve të kryera mbi këtë periudhë pas zhdukjes së Titos dhe rregjimit të tij, tentojnë të « harrojnë » që problemi kombëtar i asaj kohe i nënështrohej një projekti mjaft më të gjerë dhe kompleks : ai i ndërtimit të një modeli bashkësior dhe shoqëror, i frymëzuar thellë nga ideologjia komuniste. Gjithë udhëheqja e atij vendi – që nga krahinat, republikat dhe deri në federatë – ishte e bindur që ky Shtet federal, i përbërë nga njësi politiko-administrative sa laragane aq edhe të ndryshme, të ngjitura njëra me tjetrën nga pesha e vetme e Historisë, mund të egzistonte dhe të mbahej më këmbë vetëm falë një politike që kombinonte forcën dhe manovrat takticiene të shkallës së gjerë, me qëllim që të krijohej një bashkësi lidhjesh të brendshme sikundër dhe një vektor qendërshënjues si të vetmet garanci të mbijetesës (8).
. Pa asnjë dyshim, personaliteti kompleks i Titos jep edhe çelësin e suksesit të kësaj ndërmarrjeje të rrallë. Njëkohësisht komunist e jugosllav por në rradhë të parë kroat, që në vitin 1945 Tito përpunoi dhe filloi zbatimin e politikës së tij, ekuacioni i të cilës integronte një paradoks me përmasat e një kompromisi – ai i principit të « centralizmit demokratik » që pranonte delegimin e dukshëm të pushteteve nga qeveria qëndrore drejt atyre të republikave përbërëse, me një limit të formës së fundme – ndalimi i rimëkëmbjes të dinastisë të Karagjorgjeviçëve, duke varrosur me këtë rast idenë e saj qëndrore të Serbisë së Madhe. Duke i shkaktuar një katastrofë ushtarake çetnikëve të Mihajlloviçit, një disfatë politike përvëluese kampit mbretëror në mërgim dhe së fundi, duke mundur t’i bashkojë projektit të vet partinë komuniste serbe, Tito arriti të zbusë dhe të nënshtrojë nacionalizmin serbomadh, i cili me këtë rast pësoi një goditje të rëndë, përmasat dhe shtrirja e të cilit mund të krahasohen me atë të Vidovdanit të Fushës së Mëllënjave, në të largmin vit 1389.
.
. Përballë ofensivës totale të natyrës politike, ekonomike dhe ideologjike, të ndërmarrë nga rregjimi titist i cili synonte shëndrimin e thellë të vendit drejt rrugës të ndërtimit të socializmit, shoqëria kosovare përdori murin « mbrojtës » tradicional, një zhguall i vërtetë i përbërë nga lidhje familjare, ndërfamiljare dhe fisnore, nga marrëdhënie dhe raporte sociofetare dhe së fundi, nga ndjenja dhe veprime nacionaliste.
. Fshatare në pjesën dërrmuese të saj, kjo shoqëri ka mundur të nxjerrë forcën e saj nga struktura e madhe familjare patriarkale që grupon në gjirin e vet prindërit, djemtë e martuar dhe familjet e tyre, vajzat e pamartuara dhe shpesh herë edhe prindërit e prindërve, gjyshe-gjyshërit e moshuar. Një familje e tillë zakonisht shkon deri në njëzet vetë – herë herë shumë më tepër, ku sejcili kontribon në ekonominë familjare solidare sipas mundësive dhe sipas aftësive ndërkohë që ndan me të tjerët ushqimin, punën dhe fondin material e monetar. Duke ju nënshtruar autoritetit të më të vjetërve, çdokush kujdeset që të ruajë një harmoni të brendshme të përgjithshme – të bazuar mbi respektin e protokolleve të ngurta, ndërkohë që bën përpjekje për t’ju bindur një varg vlerave dhe kodeve sjelljeje të paracaktuara për të mos thënë të parashkruara – ndera, besa, mikpritja, sjellja e mirë – që përcaktojnë të gjitha raportet me botën rrethuese. Kjo e fundit, nëpërmjet forcës së opinionit publik përbën edhe masën e kontrollit shoqëror. Forma më rudementare dhe më e fuqishme e këtij opinioni publik është rrethi, me fjalë të tjera qarku i marrëdhënieve familjare, të farefisnisë, shoqërore dhe të ndikimit. Të sigurohet konformizmi i veprimeve dhe i marrëdhënieve, pa u shmangur nga përdorimi i normave tradicionale të sjelljes – kjo është detyra e përjetshme e individëve si edhe shqetësimi i njëtrajtshëm i familjeve ku ai bën pjesë ; sigurisht, bëhet fjalë për principe thelbësore të cilat kushtëzojnë edhe arritjen shoqërore, grumbullimin e pasurisë dhe ruajtjen e autoritetit personal, gjithçka që lejon të bëhet një jetë e nderuar në gjirin e bashkësisë së vet.
.
. Sidoqoftë, kjo skemë sjelljeje e grupit mbetet e mangët në qoftë se lihet pas dore roli i fesë myslimane. Sigurisht dhe në rradhë të parë, sikundër çdo fe tjetër monoteiste, kjo fe i bindet prirjeve të saj të pandryshueshme për të përmbushur nevojat shpirtërore të individit. Ajo mundohet të qetësojë shpirtrat e trazuar, t’i përgjigjet pyetjeve të natyrës egzistenciale dhe të shoqërojë njeriun përgjatë momenteve më të rëndësishme të jetës së tij – lindje, bërje synet, martesë, vdekje – nëpërmjet riteve dhe shërbesave fetare. Ndërkohë, islamizmi në Kosovë – ndoshta në një masë më të madhe përkundrejt gjithë hapësirës shqipfolëse – ka ngarkuar vetvehten me një detyrë njëjtësore, të vlerësimit të identitetit, duke tejkaluar në këtë mënyrë gjerësisht kufijtë e kultit. Në një formë të tretur, për të mos thënë zakonore, ai ndërfutet në jetën e përditshme dhe le gjurmën e vet në të gjitha fushat shoqërore, duke u shëndrruar në këtë mënyrë në një përbërëse të domosdoshme kulturore – në një farë çimentoje që siguron, forcon dhe këndell ndërfutjen njëjtësore. Feja myslimane justifikon konservatorizmin, racionalizon sjelljen, dinamizon traditën dhe ringjall të kaluarën. Pasi është pikërisht historia që shërben si terren pjellor për të kultivuar virtytet sikundër dinjiteti, sakrifica ose heroizmi – elementë të domosdoshëm për të mbajtur gjallë dhe mbarështruar shpirtin e kombit. Nëpërmjet këtij alambiku kombëtaro-nacionalist distilohet ajo pije dehëse deri në mpirje me anë të të cilës, vuajtja e pashmangëshme në vlerën e saj si simbol shpirtëror ngatërrohet me persekutimin tokësor ndërkohë që papërfillshmëria etnike asimilohet me një lloj veçantie, bile edhe me një epërsi kombëtare. Kështu, duke mos qenë në gjendje të përcaktojë një identitet të përveçëm të vetin në rolin e një simboli etnik, identiteti mysliman ushqen dhe mbarështron ndërgjegjen kombëtare shqiptare, duke përbërë kështu nën-kategorinë e saj kryesore. E thënë ndryshe, nga momenti që çështja kombëtare shqiptare u shëndrrua në projektin kryesor përbashkues të shoqërisë kosovare, feja myslimane nuk qëndron më në origjinën e tensioneve dhe të konflikteve mes shqiptarëve dhe serbëve. Me këtë rast, ajo humbi përmasat e saj politike, pushtetin e saj si nënvizues i identitetit të shoqërisë ; feja është kthyer më tepër në mjedis integrues të shpirtit shoqëror se sa në faktor diferencues të rishpërndarjeve të brendshme.
. Përtej konsideratave të natyrës shoqërore, na duhet të pranojmë se as solidariteti mes pronave familjare as edhe ndihma e natyrshme mes bashkëfetarëve nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur gjallë një bashkësi të gjerë shoqërore pasi kjo e fundit ka nevojë para së gjithash për një mjedis ekonomik të shëndetshëm, për një ind të fuqishëm industrial dhe për një rrjet të dendur shkëmbimesh tregëtare, për një treg kombëtar me qëllim të kënaqë shkëmbimet materiale, monetare dhe të sigurojë rritjen ekonomike. Jugosllavia e viteve pesëdhjetë – gjashtëdhjetë nuk është ai vendi i bollëkut që dëshironte ose mendonte të ishte dhe sejcilit i duhej të përleshej për të mbijetuar. Pasi kish dështuar në përmbushjen e objektivave të planit të saj të parë pesëvjeçar në vitin 1952, planifikimi i centralizuar nuk frymëzonte më askënd : disa vjet më vonë, në 1957, koncepti kyç i ekonomisë socialiste sovjetike i kish lënë vendin « administrimit puntor ». Ky produkt i mendimit ekonomik jugosllav reflektonte drejpërdrejt strukturën federative, nëpërmjet vullnetit të shpërqëndrimit të marrjes së vendimeve ekonomike. Pa asnjë dyshim ai përbënte një kontribut interesant – veçse vlerat e tij mbeteshin thjesht në planin teorik pasi në planin tjetër, në atë të praktikës, ai nuk mundi të tejkalojë stadin e dëshirës : një pushtet unik i cili përqëndronte forcën e partisë komuniste dhe të aparateve shtetërore mund të toleronte efektet e shpërqëndrimit ekonomik vetëm e vetëm përderisa këta të fundit nuk vinin në rrezik projektet e tij të natyrës politike dhe shoqërore. Jo më larg se në vitin 1962, plani i tretë pesëvjeçar i mbështetur mbi ekonominë e shpërqëndruar dhe administrimin puntor u braktis në mes të rrugës në mënyrë krejt të natyrshme. Gjatë kësaj periudhe, e karakterizuar nga idetë e lëvizjes së « vendeve të paangazhuara », prirja ekonomike ishte ajo e garës së lirë me tregjet botërore, e mbështetur kryesisht nga shfrytëzimi intensiv i pasurive natyrore të vendit dhe i aftësive prodhuese të industrisë lokale.
. Pikërisht në fushën e pasurive natyrore, Kosova tërhoqi menjëherë vëmendjen e investitorëve federalë : rezervat e saj të linjitit (10 miliardë tonelata, ose 57% të rezervave jugosllave), burimet e plumbit, të zinkut dhe të stibiumit (50% të rezervave të vendit), minierat e nikelit dhe të kromit (20% të prodhimit kombëtar) përbënin argumenta me peshë që orientonin vetvetiu drejt zhvillimit të një industrie nxjerrëse të përmasave të mëdha, gjë e cila e shëndrroi krahinën në një furnizues të madh të lëndëve të para. Megjithë fillimet premtuese, mjedisi ekonomik u vlerësua si tepër i ndjeshëm dhe i paqëndrueshëm për të kaluar në fazën e dytë, atë të ngritjes të objekteve të mëdha industriale të objekteve gjysëm të gatshme ose të gatshme. Duke pritur grumbullimin e nevojshëm të kapitaleve, kosovarët u ftuan të merreshin me aktivitetet e tyre tradicionale të bujqësisë dhe të tjera artizanate. I frenuar në këtë nivel të zhvillimit ekonomik, s’ish për t’u habitur në qoftë se Kosova zinte një vend nderi mes përfituesve të programit të ndihmës ndaj rajoneve të pazhvilluara. Edhe vëzhguesi më optimist duhej të kënaqej me bilancin e mëposhtëm : një sektor ekonomik i përbërë kryesisht nga aktivitete primare – nxjerrje intensive e xeheve, metalurgji e metaleve të rënda në gjendje brute, bujqësi e mbështetur mbi pronën individuale ose familjare që rrallëherë tejkalonte sipërfaqen prej 3 hektarësh në mbi 90% të tokave të punueshme. Duke i shtuar këtij bilanci edhe varësinë thuajse të plotë ndaj ndihmave federale; prirja e krahinës drejt një zhvillimi të kufizuar dhe të pamjaftueshëm duket se është vulosur njëherë e përgjithmonë.
.

. ————————————————–

.
.
. (1) Mjediset kosovare rikujtojnë se vetëm brenda muajve të parë të vitit 1945, ndërhyrja e ushtrisë popullore jugosllave prej 30.000 vetësh, shkaktoi rreth 50.000 viktima në rradhët e kryengritësve shqiptarë dhe të popullsisë civile, ndërkohë që rreth 1.600 – 1.700 rekrutë të rinj kosovarë u morrën me forcë dhe, nëpërmjet territorit shqiptar, u çuan në Malin e Zi ku u mbytën me gaz helmues.
.
. (2) Menjëherë pas lufte, rregjimi i ri komunist i Hoxhës shprehu qëllimet e tij të prera për t’u mos u marrë më tej me çështjen e Kosovës ; ndërkohë që tre brigada partizane sulmuese shqiptare ndërhynin në teatrin kosovar të operacioneve ushtarake, qeveria shqiptare transferonte në Jugosllavi – pra drejt vdekjes së sigurt – të gjithë pjesëmarrësit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si dhe « kolaboracionistët » e tjerë kosovarë që ndodheshin në burgjet shqiptare, me qëllim që ata të gjykoheshin dhe të dënoheshin në vendin e tyre.
.
. (3) Në muajin mars të vitit 1945, Miladin Popoviçi, një nga artizanët e parë të fitores së komunizmit në Shqipëri dhe përgjegjësi kryesor i komitetit krahinor të PKJ për Kosovën u vra në zyrën e vet nga një shqiptar vendas. Në vend të nënshkrimit dhe përpara se të vriste vehten, vrasësi kish lënë mbi tryezë flamurin shqiptar me nënshkrimin « Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ». Enver Hoxha gjithmonë ka mbështetut tezën se vrasja e shokut të tij të armëve ka qenë vepër e shërbimeve të fshehta jugosllave ndërkohë që jugosllavët këmbëngulin që autori i vrasjes ishte një antar i Ballit Kombëtar.
.
. (4) Në fillim të muajit maj të vitit 1945, ushtria çlirimtare e Titos u hodh në ofensivë në gadishullin e Istrisë dhe pushtoi qytetin e Triestes, duke realizuar në këtë mënyrë një pretendim të vjetër jugosllav mbi këto territore. Trupat aleate të gjeneralit Aleksandër të bazuara në Itali ndërhynë menjëherë duke krijuar në këtë mënyrë një situatë shpërthyese e cila u zgjidh në qershor me tërheqjen e ushtrisë jugosllave. Gadishulli i Istrisë nda në dy zona, të vëna nën vëzhgimin e një force ndërkombëtare.
.
. (5) Vëzhguesit e jetës politike serbe nënvizojnë se, megjithë gjendjen e shtetrrethimit dhe ndërhyrjen ushtarake në Kosovë që në muajin mars të vitit 1945, autoritetet qëndrore morrën një varg dispozitash dhe vendimesh me qëllim « korrigjimin » e padrejtësive të pësuara nga shqiptarët e shtypur nga ana e « Jugosllavisë së vjetër rreaksionare ». Këto masa synonin ndalimin e përkohshëm të kthimit të kolonëve të vjetër serbë në vendet e tyre të dikurshme të banimit, duke vulosur në këtë mënyrë edhe krimet e luftës si dhe pastrimin etnik të kryer nga ana e pushtuesve nazi-fashistë kundër Serbëve të dëbuar nga Kosovë-Metohia (ndërmjet 50.00 dhe 100.000 të dëbuar – sipas vështrimit të analistëve). Shih mbi këtë çështje : Hugo ROTH – Kosovo Origins, Ed. Belgrade, 1996. Sidoqoftë, ja vlen të përmendet se ndalimet e kthimit të të ikurve nuk ishin shpikur për të marrë me të mirë kosovarët pasi ato vepronin njëkohësisht edhe mbi kolonët serbë të vendosur dikur në Maqedoni, në Vojvodinë ose dhe në Srem.
.
. (6) Sipas rregjistrimit të popullsisë të vitit 1948, shqiptarët e Kosovës ishin 498.242 vetë përkundrejt një totali prej 727.820 vetësh, ose 68,5% të popullsisë së krahinës. Në nivelin e Republikës së Serbisë e cila numëronte 6.200.000 banorë, ata përfaqsonin vetëm 8,15% të popullatës. Shih mbi këtë çështje : Dusan T. BATAKOVIC — Kosovo à l’époque titiste : entre nationalisme et communisme – Kosovo, Les Annales de l’Autre Islam, nº 7, INALCO – ERISM, Paris, 2000.
.
. (7) « Procesi i Prizrenit » u organizua kundër një grupi prej nëntë personash në mesin e të cilëve bënin pjesë udhëheqës të lartë komunistë të provincës, të akuzuar për ngritjen e një rrjeti të gjerë agjentësh dhe spiunësh në favor të Republikës fqinje të Shqipërisë. Personat e akuzuar morrën dënime të rënda dhe burgime të gjata. Dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1968, këta persona u konsideruan si të pafajshme dhe u liruan pa rishikim procesi ndërkohë që Kuvendi i Kosovës aprovoi një rezolutë që e cilësonte procesin si « montazh » dhe « inskenim ».
.
. (8) Michael KNIGHT – Yugoslavia 1920s – 1990s: Coalescence and Confederation, Disillusion and Dissolution, American Library of Geneva, November 1999.
.
. (9) Përsa i përket popullit serb, ai e pagoi shtrenjë « bashkimin » e tij me idealin e Titos. Megjithë atë heshtjen pothuaj të plotë të historianëve serbë lidhur me këtë çështje, disa studime dhe sondazhe e vlerësojnë me 150.000 deri edhe 450.000 numrin e çetnikëve, të intelektualëve dhe armiqve të tjerë të klasës të egzekutuar nga pushteti komunist. Përballë avancimit të shpejtë të forcave sovjetike të cilat synonin Beogradin si dhe përballë mungesës së njohur të forcës së rezistencës komuniste në Serbinë e Vjetër, Tito nxitoi të sjellë trupat e veta të Bosnjës dhe të Malit të Zi. Të përbëra në pjesën e tyre dërrmuese nga serbë « të përtej-Drinës », ato ju shkaktuan një ndëshkim shëmbullor vëllezërve të tyre të akuzuar për bashkëpunim.
.
. (10) Nathalie Clayer këmbëngul mbi faktin se nacionalizmi i elitave shqiptare të Kosovës ka qenë kristalizuar në kohën e komunizmit dhe si pasojë në pjesën më të madhe të tij ai është i natyrës « ateizante ». Shih : Xavier BOUGAREL & Nathalie CLAYER – Le Nouvel Islam balkanique, les musulmans, acteurs du post-communisme 1990 – 2000, Editions Maisonneuve & Larose, Paris, 2001.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: