Kosovë mon amour (2) – Nën hijen e « Vllazërim-Bashkimit ».

. (Shkrimi i mëposhtëm është i dyti i serisë prej 8 shkrimesh që trajtojnë ecurinë e Kosovës gjatë periudhës 1945 – 2007)
.
.
.
. Mbetej sidoqoftë një rrugë e hapur për t’i bërë ballë problemit të pazgjidhur të zhvillimit ekonomik si edhe pasojave të pashmangshme shoqërore : kurbeti. Falë një marrëveshjeje të re të nënshkruar ndërmjet Federatës jugosllave dhe Turqisë, një numër i madh myslimanësh « u ftua » të merrte rrugën drejt vendit « të origjinës ». Burimet jozyrtare flasin për 246.000 myslimanë që braktisën Jugosllavinë ndërmjet viteve 1945 dhe 1966, mes të cilëve rreth 100.000 nga Kosova. Rregjistrimet e popullsisë të zhvilluara në 1948 dhe 1951 lejojnë të shihet një rritje e paparë e numrit të njerëzve që e deklarojnë vetvehten « turq » ; vetëm në Maqedoni, nga 95.940 të tillë të rregjistruar në vitin 1948, tre vjet më vonë numri i këtyre turqve të fshehur shkon në 203.000 vetë.
.
. Nuk është e vështirë të kuptohet se pjesa më e madhe e tyre s’ishin gjë tjetër veçse shqiptarë që e jetonin fort keq gjendjen e tyre prej pakice ose që s’mund të duronin më gjendjen e tyre edhe më të vështirë ekonomike. Diferenca e nuancës mes turqve « të gënjeshtërt » dhe shqiptarëve « të vërtetë » nuk duket të ketë shqetësuar tej mase administratën titiste pasi në sytë e saj si në njerin rast dhe në tjetrin bëhej fjalë për myslimanë të bindur. Ndërkohë, si pasojë e papunësisë të pashembullt prej 70% që prekte popullsinë me origjinë shqiptare të Kosovës, një numër ende më i madh zgjodhi kurbetin klasik me motive ekonomike, drejtimet tradicionale të të cilit ishin Gjermania dhe Zvicra (1).
. Pak nga pak, diaspora e bollshme perëndimore u bë një faktor i dorës së parë, së pari në rrafshin ekonomik dhe më pas në atë politik. Në origjinën e tyre, hyrjet e vazhdueshme dhe të rregullta të devizës së huaj të fortë shërbyen për të rrafshuar diferencën e ndjeshme të të ardhurave lokale në krahasim me republikat e tjera pasi qëllimi i tyre kryesor ishte pikërisht përmirësimi i jetesës së përditshme. Më tej në praktikën e zakonshme, markat gjermane dhe frangat zvicerane bënë që të zbulohen horizonte të reja, ai i shitoreve dhe i shërbimeve, ndërkohë që sasi të mëdha devize investoheshin drejt blerjes së tokave dhe në ndërtimin e shtëpive. Kjo gjë jo vetëm i dhuroi një shkallë më tepër lirie popullatës shqiptare lidhur me kompozanten serbe e cila duhej të organizonte jetën veç me anë të rrogave, por edhe dobësoi gjithnjë e më tepër vartësinë e saj nga pushteti qendror (2), duke thelluar diferencimin shoqëror dhe ekonomik. Kjo dikotomi ndërmjet trajektores ekonomike të imponuar nga pushteti me atë të zgjedhur prej grupit, mes logjikës shoqërore individuale dhe asaj bashkësiore – e kqyrur në kontekstin ku konceptet shumicë/pakicë ushqehen nga një paqartësi e natyrës ideologjike, shërben si terren i përshtashëm për kërkesa të ardhshme të natyrës politike.
.
. Nga mesi i viteve 60, Jugosllavia kaloi rishtas një periudhë mjaft të vështirë. Kësaj rradhe, në thelb të krizës së re ishte « rreziku » nacionalist që shprehej nëpërmjet vënies nën kontrollin serb të aparateve shtetërore, të ushtrisë dhe të partisë. Edhe një herë u desh ndërhyrja e Titos për të mbyllur këtë kapitull të ri të luftës mes fraksioneve nacionaliste në gjirin e pushtetit : gjatë pleniumit të Brionit të vitit 1966, kryetari i partisë serbe Aleksandër Rankoviç u vu në bankën e të akuzuarve dhe u përjashtua nga Byroja politike ndërkohë që u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i Zv-Kryeministrit dhe i ministrit të Punëve të brendshme (3). Duke përfituar nga situata e krijuar, intelektualët e Zagrebit kërkuan publikisht njohjen zyrtare të gjuhës së shkruar kroate. Kërkesa acaroi thellësisht qarqet serbe të Beogradit që e interpretuan si një mesazh të hapur që synonte autonominë e plotë të Republikës së Kroacisë dhe si zakonisht çështja u shtrua përpara Titos. Duke e gjetur të drejtë pretendimin e Zagrebit, ai i hapi rrugën zgjerimit të kompetencave të njësive federale (4).

. Gjatë periudhës 1967 – 1968 u aprovuan një varg amendamentesh kushtetues të cilat rrisnin në mënyrë të dukshme autonominë e republikave të federuara. Në vijim, Lidhja Komuniste jugosllave (LKJ) adoptoi një program të ri të decentralizimit administrativ dhe partijak i cili parashikonte mes të tjerash raporte barazie mes republikave dhe krahinave autonome në rrafshin federal sikundër dhe inkurajimin e e identitetit të përveçëm etnik. Kështu, topi kish mbetur në fushën e kosovarëve të cilët pushtuar rrugët dhe sheshet e Prishtinës në 27 nëntor të vitit 1968 me parrullat « Jo kolonizimit të Kosovës »si edhe « Ne duam Republikën ». Ndërkohë që njësitet e ushtrisë federale dhe tanket vinin nën kontroll kryeqytetin krahinor dhe ndërhynin për të shpërndarë manifestuesit, manifestime të ngjashme shpërthenin në Shkup të Maqedonisë dhe detyronin drejtuesit e kësaj republike t’u njihnin shqiptarëve të kësaj pjese të Jugosllavisë disa të drejta. Një fllad i ri frynte tashmë në Prishtinë, ai i konçesioneve ndaj shqiptarëve të krahinës. Më i rëndësishmi nga të gjithë këto konçesione ishte pa dyshim përcaktimi i ri i Kosovës si « njësi politiko-shoqërore », i njëjti përcaktim që përdorej për republikat e tjera të Federatës. Në këtë mënyrë, Kosova vihej në të njëjtin rang – ose pothuaj në të njejtin rang – në mes të korales jugosllave, duke ruajtur sidoqoftë obligimet e saj origjinale ndaj Republikës së Serbisë. Konsideratat e përsëritura të Titos lidhur me « barazinë e vërtetë » të shqiptarëve me përbërësit e tjerë etnikë kushtetues shërbyen si nxitës të aspiratave lokale lidhur me mundësinë e vetme që ofronte realiteti i asaj kohe : Kosova – Republikë.
.
. Duke e përjashtuar me këmbëngulje idenë e republikës, gjatë periudhës 1969 – 1971, pushteti qëndror aprovoi një varg amendamentesh dhe dekretesh, që deri diku zyrtarizonin dëshirën e kosovarëve. Sipas kësaj suaze ligjore u parashikua krijimi i një sistemi gjyqësor të përveçëm për krahinën, pushtete gjithnjë e më të gjera autonomiste për administratën lokale, barazia në rrafshin lokal të gjuhëve serbo-kroate, shqip dhe turqisht sikundër dhe krijimi i Universitetit të Prishtinës. Për herë të parë në historinë e tyre të përbashkët me serbët, kosovarët kishin të drejtë të përdornin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, të ngrinin flamurin e tyre kombëtar në fasadë të ndërtesave publike. Një fllad i ri frynte gjithashtu edhe në marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Pa bërë asnjë lëshim të principtë në politikat e tyre reciproke, të dy vendet kishin mundur të gjenin një gjuhë të përbashkët drejt zhvillimit të transportit dhe të tregëtisë, ndërkohë që me dhjetra profesorë dhe të tjerë pedagogë të Universitetit të Tiranës morrën rrugën për të siguruar mësimet në Universitetin e porsakrijuar të Prishtinës. Një vatër e vërtetë e rilindjes kulturore dhe shpirtërore për shqiptarët – një uzinë e vërtetë që shërbente për të fabrikuar masën kritike të gjysëm-intelektualëve dhe të studentëve të pakënaqur sipas serbëve, ky institucion në vitet e tij të lulëzimit paraqiste një numër mbresëlënës të të rregjistruarve : pothuaj 30.000 studentë (45.000 sipas burimeve shqiptare të krahinës), nga të cilët 72% me origjinë etnike shqiptare.
.
. Në vitin 1974, lobi slloveno-kroat i pushtetit qendror hodhi një hap të ri tejet të rëndësishëm për të ardhmen e Federatës. Në kuadrin e forcimit të strukturave federale të Shtetit jugosllav, ai vendosi dhe realizoi një zgjerim të kompetencave kushtetuese të Republikave, duke krijuar me këtë rast Krahinat autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës, nën tutelën e Serbisë. Përveç atij përfaqsuesit të saj të përhershëm në gjirin e Presidencës të Federatës, Kosova tashmë fitonte të drejtën të krijonte qeverinë e saj krahinore, Kuvendin krahinor për të mos thënë Parlamentin e saj, Këshillin Egzekutiv si edhe Gjykatën e saj Supreme. Krahina autonome pajisej me këtë rast edhe me një Kushtetutë të saj lokale, prerogativat kryesore të të cilës i hapnin udhën zgjerimit të kompetencave dhe të drejtave në një varg fushash tepër të rëndësishme që preknin ekonominë ose arsimin dhe kulturën dhe që shkonin deri në elementët e politikës së jashtme, që në tërësinë e tyre shëndrroheshin në kompetenca dhe prerogativa të të njejtit rang si ato të republikës. Entusiazmi kosovar i këtyre viteve u kqyr me një sy tepër kritik nga ana e qarqeve serbe të Beogradit, të cilat në mënyra të ndryshme manifestuan vuajtjen e tyre të thellë shpirtërore ndaj formave të lirisë politike dhe të fjalës që çfaqeshin në Prishtinë. Këto qarqe nuk munguan t’i interpretojnë si një formë të fshehur të revanshit kroat që nëpërmjet këtyre « dhuratave » të natyrës kushtetuese dhe politike i çelte rrugën përpjekjeve separatiste dhe qendërikëse të shqiptarëve.
.
. Ashtu siç mund të pritej, rritja e kompetencave dhe të të drejtave sikundër dhe marrja në dorë e levave administrative të drejtimit të pushtetit nga ana e një ekipi lokal, i përbërë kryesisht nga kuadro me origjinë shqiptare, lejoi që të konstatohet shtrirja e katastrofës ekonomike në të cilën ishte zhytur krahina. Njëhohësisht, doli në pah edhe shkalla e ndërlikimit të problemeve shoqërore, sikundër dhe kufijtë e fushës së veprimit. Edhe analiza më e përciptë ishte në gjendje të zbulonte atë realitet të prekshëm të një krahine të reduktuar në një prodhues të thjeshtë të lëndëve të para për republikat e tjera ndërkohë që jeta ekonomike e saj mbahej gjallë falë subvencioneve të shtetit (5), pa folur më tej për peshën shtypëse të një burokracie pletorike që përbënte një të katërtën e të gjithë rrogëtarëve të krahinës. Thjesht, krahina e Kosovës zinte vendin e fundit mes antarëve të Federatës jugosllave. Përveç çekuilibrit të thellë ekonomik, të trashëguar nga e kaluara dhe të thelluar nga politika e dy dhjetëvjeçarëve të parë të Republikës Federative Socialiste, krahina vuante pasojat e një demografie të çfenuar që keqësonte edhe më tepër gjendjen tepër të vështirë të tregut të punës, duke patur si sfond kontrastet dhe dallimet e thella mes botës rurale dhe qytetëse sikundër dhe çfaqjet e qëndrueshme dhe të thella të urrejtjes ndëretnike. Mbipopullimi i fshatit shtynte popullsinë dhe në mënyrë të veçantë të rinjtë drejt qyteteve dhe jashtë vendit në kërkim të një pune dhe të kushteve sa më të mira të jetesës, duke krijuar me këtë rast edhe probleme të panumërta të natyrës urbanistike. Një sy edhe më i vëmendshëm mund të dallonte mungesën e një demokracie të vërtetë, fenomen ky i përgjithshëm për çdo vend komunist, sidoqoftë i thelluar nga veprimtaria aktive e një aparati shtypës, gjithmonë i gatshëm për të ndërhyrë dhe ndëshkuar çdo shmangie nga mendimi zyrtar ose së fundi për të përndjekur armiqtë e socializmit, në rradhët e të cilit përfshiheshin edhe partizanët nacionalistë të « Shqipërisë së Madhe » (6).
.
. Sigurisht, brenda një kohe të shkurtër, krahina autonome kish realizuar arritje të padyshimta në fusha të ndryshme që shkonin nga politika në arsim, duke kaluar nga kultura ; veçse, përmirësimi i kushteve ekonomike nuk mund të matej as me numrin e shkollave në gjuhën shqipe as edhe me numrin e gazetave, të revistave ose të tjerë institute historie. Të gjitha dëshmitë e emancipimit, provat e vetënjohjes, shprehjet e arritjeve – që rridhnin nga fakti që Kosova zotëronte rangun e një Krahine autonome, i shërbenin në rradhë të parë klasës politike lokale, përfaqsuesit më të shquar të të cilës ishin kooptuar në sferat më të larta të jetës politike federale sikundër dhe intelektualëve kosovarë shqipfolës, tashmë të lirë për të shprehur ndjenjat e tyre letrare ose historike. I shëndrruar në zot të fateve të veta, ky brez intelektualësh – kjo inteligentsia qytetëse, e hapur dhe kozmopolite – i detyrohej thellësisht Titos, i cili e kish angazhuar nga pikpamja politike dhe e kish përgjegjësuar nga ana ekonomike, duke i besuar ushtrimin e pushtetit si dhe përdorimin e fondeve të ndihmave dhe të zhvillimit. Situata ishte krejt e ndryshme për parinë rurale, e cila të gjithë forcën e saj e merrte nga lidhjet e klientelës dhe të rrjetave ndërfamiljare. Besnike ndaj bindjeve të tyre antikomuniste dhe nacionaliste, të farkëtuara në kohën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kjo pari kish mbetur thellësisht mosbesuese ndaj të gjithë pushteteve lokalë dhe qëndrorë dhe bënte thirrje për një rikthim drejt vlerave tradicionale të shoqërisë kosovare sikundër lidhja me pronën tokësore, me Islamin, me forcën e familjes së bashkuar ose dhe rezistencën ndaj serbëve.
. Ky diferencim i parë në gjirin e shoqërisë kosovare, kjo thyerje mes zotërve të rinj të qyteteve dhe parisë së fshatit la gjurmë të thella mbi rininë kosovare e cila fiksoi elementët më të rëndësishëm të këtij antagonizmi : hapja intelektuale dhe shpirtërore e të parëve ndaj arsimit dhe dijes e shtyu masivisht drejt Universitetit të Prishtinës ku ajo u radikalizua thellësisht, duke adoptuar me këtë rast qëndrimin mospërfillës dhe përbuzës ndaj autoriteteve si edhe nacionalizmin e të dytëve.
.
. Pasi i kish kaluar të tetëdhjetat dhe me shëndet të brishtë, Tito ish në apogje të pushtetit të tij : udhëheqës i padiskutueshëm në vendin e vet, figurë e madhe e komunizmit botëror, mbajtës i aureolës së njërit prej themeluesve të lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Nëpërmjet një loje tepër të hollë me qarqet e pushtetit, duke administruar me aftësi të veçantë pastrimet dhe premtimet, shtypjen dhe lëshimet, ai kish realizuar synimin e tij, në pamje të parë krejt të pamundur : të fitonte luftën çlirimtare dhe të merte pushtetin, të çante rrugën e tij origjinale drejt socializmit, të ndërtonte një shtet federal të njohur dhe të respektuar nga bota mbarë. Ai kish mundur të realizonte gjithçka kish menduar dhe ndërmarrë, përveç asaj ëndrre që kish rrëfyer në atë vit të largët 1952 :
.
.dëshiroj të jetoj për të parë atë ditë kur Jugosllavia do të jetë amalgamuar në një bashkësi unike – jo vetëm në një bashkësi në kuptimin ligjor të fjalës, por në një bashkësi reale dhe të gjallë në gjirin e një kombi jugosllav, një e të vetëm. Ja kush është edhe aspirata ime…
.
. Në rolin e një ngadhënjyesi dhe të një krijuesi të vërtetë ai kish mundur të thyejë maqinën e vjetër mbretërore dhe të varrosë elementin e saj aktiv – shovinizmin e vjetër serbomadh ; duke ndjekur idealin e tij komunist, ai kish ngritur një aleancë të re të popujve jugosllavë mbi një bazë barazie ; në përputhje me bindjet e tij reformuese, ai e kish pajisur me një model ekonomik dhe zhvillimi të shpikur po nga ai vetë – vetëadministrimin. Por, nëpërmjet kultivimit të diferencave të përbërësve etnikë të kësaj familjeje jugosllave, nëpërmjet zbatimit të politikave thellësisht pragmatike, Tito arriti të krijojë njëkohësisht një ansambël laragan, ku kontrastet në nivelin e jetesës dhe shkallët e ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe kulturor zgjuan reflekset qendërikëse, ringjallën demonët e vjetër ballkanikë. Vetëm personaliteti dhe karizma e tij përbënin gurin e qemerit të kësaj strukture oligarqike, siguronin mbijetesën e shtëpisë së përbashkët jugosllave, e krisur nga të gjitha anët nga pesha e nacionalizmave të rinj, të cilët ai vetë i kish zbutur dhe ndërsyer ndaj njeri tjetrit kur ishte paraqitur nevoja. Josip Brozi i mbiquajtur Tito mbylli sytë në 4 maj të vitit 1980, në moshën 88 vjeç, pas një sëmundjeje të gjatë dhe tepër të mundimshme.
.
. Në mars të vitit 1981, në Kosovë shpërthyen trazira të përgjakshme studentore në një sfond varfërie (7), të mjerimit ekonomik, të papunësisë dhe të mërive etnike dhe fetare. Tanket e ushtrisë popullore jugosllave pushtuan rishtas rrugët dhe sheshet e Prishtinës ndërkohë që qeveria federale dërgonte trupat e saj të armatosura për të rivendosur rendin. Zyrtarisht, manifestimet kishin shkaktuar 11 të vrarë. Burime të tjera, kësaj rradhe shqiptare, bënin fjalë për qindra viktima. Si përfundim, numri i të arrestuarve llogaritej në disa mijra vetë mes të cilëve gati një mijë u dënua me burgime të rënda. Lidhja Komuniste ndërhyri menjëherë për të dënuar manifestimet duke i cilësuar si « kundërrevolucionare dhe irredentiste ». Gradualisht, një fushatë e tërë pastrimesh preku mjediset politike dhe më pas, Lidhja Komuniste kreu një pastrim fund e krye të rradhëve krahinore. Ky proces, i njohur nën emrin e « diferencimit » mundësoi dëbimin e ekipit të vjetër udhëheqës të Krahinës. Kështu u zhdukën nga skena njëri pas tjetrit Xhavid Nimani, Presidenti i Këshillit krahinor dhe Mahmut Bakalli, padroni i Lidhjes për Kosovën, duke i lënë vendin një ekipi të ri kuadrosh të supozuara më elastike dhe më të përpunueshme, në rradhët e të cilit shkëlqente Azem Vllasi.
.
. Pak kohë më pas i erdhi rradha përfaqsuesve kosovarë në gjirin e instancave më të larta federale : Fadil Hoxhës ju desh të linte vendin në Presidencën kolektive jugosllave, antar i të cilës ai ishte që prej vitit 1984 ndërkohë që Sinan Hasani u shkarkua nga funksionet e tij të nën-Presidentit të Kuvendit federativ. Nën një presion të vazhdueshëm dhe të fuqishëm, Universiteti i Prishtinës u detyrua të rishikojë të gjitha programet e tij të historisë, të gjuhës dhe të lëndëve shoqërore dhe të zvogëlojë në mënyrë të ndjeshme kuotat e rezervuara ndaj studentëve me origjinë etnike shqiptare.
.
. Kriza e rëndë e fillimit të viteve tetëdhjetë si edhe mënyra radikale me të cilën Beogradi u mundua të verë rregullin në vend, ngjalli një konflikt të vjetër mes dy përbërsve kryesore të shoqërisë kosovare – shqiptare dhe serbo-malazeze. Duke përfituar nga situata e krijuar, serbët hapën në mënyrë publike debatin lidhur me ikjen e njerëzve të tyre që braktisnin masivisht Kosovën – një subjekt pothuaj tabu në të gjallë të Titos. Një varg i gjatë akuzash dhe kundërakuzash, i rikapur dhe i përsëritur në të gjitha nivelet, i dha mundësi kësaj « lufte kulturore » që të ndezë opinionin publik të Jugosllavisë mbarë. Kjo atmosferë eksplozive përshpejtoi edhe më tepër largimin e serbëve dhe të malazezëve nga Kosova, një tendencë e cila kish rënë në sy që prej fillimit të viteve gjashtëdhjetë. Ndërkohë që analizat e thelluara të deficitit demografik serb nxirrnin në pah lidhjen e ngushtë dhe komplekse mes faktorëve frenues të lindjeve me ato të karakterit ekonomik, kanalet qeveritare ngulnin këmbë mbi përmasat politike të problemit dhe vinin në plan të parë ndikimin e presionit të ushtruar nga ana e etnisë shqiptare. Sidoqoftë, faktet mbeteshin kokëforta : si njëra palë edhe tjetra kishin tendencë të largoheshin dhe të braktisnin Kosovën, por, të favorizuar nga një shkallë rritjeje demografike të popullsisë që mbetej një nga më të lartat e Evropës, kosovarët shqiptarë ishin duke u shëndrruar në një shumicë dërrmuese. Numri i personave me origjinë serbe dhe malazeze të larguar gjatë periudhës 1961 – 1981 vlerësohej rreth 80.000 deri 100.000 vetë, të cilit i duheshin shtuar edhe nja 60.000 të tjerë të larguar mes periudhës 1981 – 1991 ; nga pala shqiptare, rreth 45.000 kosovarë kishin braktisur krahinën vetëm gjatë periudhës 1971 – 1981.
.
. E magjepsur nga fantazma e nacionalizmit shqiptaromadh, qeveria serbe shumëfishoi përpjekjet për të përmbajtur lëvizjen politike lokale e cila përmblidhej tashmë në një parrullë të vetme : « Kosova – Republikë ». Një opinion publik i tërë në Serbi u përgatit për të mos thënë u manipulua nëpërmjet shtypit të Beogradit, i cili po mbytej nga rrëfimet dhe nga të ashtuquajturat fakte lidhur me presionet që pësonin serbët e krahinës : trembje, kërcënime, dhunë seksuale, vrasje, grabitje… Në terren, një bërthamë aktivistësh dhe militantësh të bashkësisë serbo-malazeze të Fushë Kosovës u organizua për të mbledhur nënshkrime për peticione sikundër në vitin 1985 ose për të organizuar manifestime publike si dhe marrshime proteste në vitin 1986, gjatë të cilave kërkohej me ngulm ndërhyrja e vendosur dhe urgjente e Republikës të Serbisë. Ndërkohë, një grup akademikësh të Beogradit, nën drejtimin e njërës prej figurave më në zë të jetës intelektuale serbe, shkrimtarit Dobrica Qosiç, u shpreh nëpërmjet një « Memorandumi » lidhur me shtrirjen e « gjenocidit » që godiste serbët e krahinës, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një strategjie afatgjatë të përpunuar nga mjediset nacionaliste shqiptare. Ky manifest i politikës së ardhshme të « Serbisë së Madhe » u ndoq me përpikmëri gjatë dekadës në vazhdim, gjatë konflikteve të përsëritura me natyrë etnike që tronditën fund e krye Republikat e ish-Jugosllavisë.
.
. ———————————-
.
.
. (1) Në fillim të viteve 90, përgjegjësit t LDK mbështesin idenë se 350.000 kosovarë jetonin në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës : gati 100.000 në Gjermani, 120.000 në Zvicër, 40.000 në Belgjikë, rreth 60.000 në vendet skandinave dhe 20.000 në Austri. Përpara fillimit të bombardimeve ajrore nga ana e vendeve të NATO-s mbi Jugosllavinë e Millosheviçit, të tjera burime jozyrtare shqiptare të krahinës e vlerësonin numrin e kosovarëve në Gjermani me rreth 400.000 vetë dhe atë në Zvicër me 200.000 të tjerë. Organizmat evropianë si Këshilli evropian për Rrefugjatët dhe Azilantët (CERE) ose organizmat e Emigracionit të vendeve antarë tregohen diçka më të rezervuar : sipas tyre, gjithmonë para shpërthimi të konfliktit në Kosovë, Gjermania strehonte rreth 300.000 kosovarë ndërkohë që në Zvicër numri i kosovarëve i tejkalonte 250.000 vetët. Shih mbi këtë subjekt : Bashkësia e dokumentave të difuzuara nga Organizata France Terre d’Asile, gjatë pritje së rrefugjatëve kosovarë në Francë, maj – korrik 1999.
.
. (2) James PETTIFER – Kosovo Economy and Society after 1945 – Some Observations, Conflict Studies Research Centre, G 103, January 2002.
.
. (3) Në qershor të vitit 1966, shërbimet e brendshme të partisë zbuluan rastësisht një numër mikrofonash sekretë në apartamentin personal të Titos. Hetimi i çështjes nxorri në dritë implikimin e drejpërdrejtë të Rankovoçit, sekretar i Shtetit për Punët e Brendshme gjatë periudhës 1945 – 1953 dhe President i Punëve të Brendshme gjatë periudhës 1953 – 1963, me fjalë të tjera padron i shërbimeve sekrete jugosllave, të njohura me inicialet UDB-a. Në korrik të vitit 1966, Rankovoçi u përjashtua nga rradhët e Byrosë Politike dhe u detyrua të japë dorëheqjen edhe nga postet qeveritare. Një hetim i thelluar mbi aktivitetin e tij vuri në pah një numër të madh shkeljesh të rënda të ligjit dhe shpërdorime të kompetencave shtetërore, që në mënyrë të vazhdueshme kishin prekur Republikën e Serbisë si edhe krahinat autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës.
.
. (4) Udhëheqësit komunistë kroatë recidivuan në vitin 1971, duke bërrë thirrje lidhur me sovranitetin e Kroacisë. Duke deklaruar me këtë rast se « nacionalizmi kroat është çmendur », i pashmangshmi Tito ndërhyri gjatë vitit në vazhdim për të dënuar rreptësisht « pranverën kroate » – në referencë të dukshme me « pranverën e Pragës » të vitit 1968. Sipas modelit të pastrimeve sovjetike në rradhët e udhëheqjes, një numër i madh antarësh të shquar të PK Kroate u larguan nga detyrat dhe u përjashtuan nga rradhët e Lidhjes së Komunistëve, ndërkohë që të tjerë si Franjo Tuxhman u burgosën.
.
. (5) Analistët e periudhës post titiste tregohen kategorikë : duke filluar nga viti 1970, ndërkohë që përfaqsonte vetëm 8% të popullsisë jugosllave, vetëm Krahina autonome e Kosovës thithte më tepër se 30% të fondeve federale të zhvillimit – 150 milionë dollarë të përvitshëm, përgjatë një pesëvjeçari. Në këtë mënyrë, rreth 240 milionë që vinin nga një kredi prej 1 miliardë dollarë, të akorduar nga Banka botërore për Zhvillim përfundoi në këtë mënyrë në kasat e Kosovës. Vetëm brenda një dekade, ekonomia e Kosovës paskish gëlltitur gati 2 miliardë dollarë. Shih mbi këtë çështje : Alex N. DRAGNICH and Slavko TODOROVICH – The Saga of Kosovo, Focus on Serbian-Albanian relations, Columbia press, N.Y. 1984.
.
. (6) Në 1974, një proces gjyqësor u organizua në Prishtinë kundër një grup studentësh, të akuzuar se kishin krijuar një « Lëvizje të Çlirimit Kombëtar të Kosovës ». Kjo lëvizje kish si qëllim bashkimin e krahinës me zonat e banuara nga shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Në vitin 1976, një proces tjetër u organizua kundër shkrimtarit Adem Demaçi dhe 18 shqiptarësh të tjerë, të akuzuar se kishin kritikuar udhëheqësit e Lidhjes Komuniste jugosllave si edhe sistemin socialist të vetëadministrimit. Ata morrën dënime të rënda deri në 15 vjet burgim – megjithë rrethanat lehtësuese, pasi në të vërtetë të akuzuarin nuk kishin bërë thirrje për përdorimin e dhunës kundër rregjimit.
.
. (7) E ardhura pro capita e krahinës ishte më e ulta e Jugosllavisë titiste. Në 1979, Kosova afishonte një të ardhur prej 795 dollarë/banor – ose 6,5 herë më të vogël përkundrejt të ardhurës së Sllovenisë (5.315 dollarë/banor) ose 3,3 herë më të vogël se ajo e Federatës jugosllave (2.635 dollarë/banor). Papunësia zyrtare prekte 30% të popullsisë së aftë për punë. Pothuaj të gjitha mjetet financiare të dhëna nga fondet federale, ndërmjet 30% dhe 40% të buxhetit krahinor, shkonin drejt industrisë (nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve) i cili realizonte vetëm 3% të prodhimit industrial jugosllav. Vetëm bujqësia e vetëkonsumimit dhe të ardhurat nga emigracioni lejonin ekuilibrimin e jetesës së banorëve të krahinës.
.
. (8) Michel ROUX – Les Albanais en Yougoslavie, minorité nationale, territoire et développement, Paris 1992.
.
. (9) Milos MACURA Ed. – The Migration of Serbs and Montenegrins from Kosovo and Metohija, Serbian Academy of Sciences and Arts, BEOGRAD 1992.

Një Përgjigje te Kosovë mon amour (2) – Nën hijen e « Vllazërim-Bashkimit ».

  1. N.Ago thotë:

    Me shumë interes!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: