Kosovë mon amour (3) – Nën peshën e Mitologjisë nacionaliste.

. (Pjesa e tretë e serisë prej tetë shkrimesh mbi Kosovën)
.
.
.
. Vlimi i popullatës serbe të Kosovës detyroi hyrjen në skenë të përgjegjësve më të lartë serbë të Lidhjes Komuniste (1). Megjithatë, duke ju druajur grackës nacionaliste, Ivan Stamboliçi, padroni i vjetër i komunistëve serbë, tashmë President i Republikës socialiste të Serbisë, dërgoi në vend zëvendësin e tij të ri Sllobodan Millosheviçin, një aparatçik pothuaj të panjohur në këtë periudhë. Asnjeri nuk ish në gjendje të merrte me mend pasojat e këtij akti, bile edhe Stamboliçi vetë injoronte shtrirjen e gjestit të tij. Dashur padashur, ai kish relancuar karrierën e jashtëzakonshme të zotit të ardhshëm të Beogradit, duke varrosur me këtë rast të vetën. Fjalimi i improvizuar i Millosheviçit në Fushë Kosovë, në 24 prill të vitit 1987, mbi mbrojtjen e të drejtave të shenjta të serbëve u shëndrrua në një program politik dhe populli serb, pasi e kish dëgjuar dhe stërdëgjuar nëpërmjet valëve herciane, përfundimisht ndjeu që përpara tij gjendej i vetmi njeri me përmasa kombëtare i aftë për t’a mbrojtur. Një vit më vonë, në dhjetor 1987, Stamboliçi zhdukej nga skena dhe Millosheviçi forconte bazën e tij personale si njeriu më i fuqishëm i Lidhjes së Komunistëve.
.
. Ndërkohë që çështja e Kosovës shëndrrohej në temën kryesore të Pleniumit të IXtë të LKJ, mediat përfitonin nga rasti dhe i kushtonin kësaj ngjarjeje titujt e tyre më të dukshëm. Qerthulli djallëzor ishte vënë në lëvizje : instancat më të larta të partisë dhe të pushtetit kishin marrë çështjen e Kosovës në duart e tyre. Kjo çështje si dhe mënyra me të cilën do të trajtohej do të galvanizonte unitetin e shkundur të komunistëve në dëm të rrymave reformiste që e minonin prej kohësh. Në këtë mënyrë do të krijohej një aleancë e papritur mes ndjenjës nacionaliste, ndërgjegjes shoqërore dhe militantizmit luftarak, pasojat e të cilës do t’i ndrronin faqen situatës kosovare. Kjo gjë i përgjigjej më së miri ndjenjës së përgjithshme të poshtërimit që ndihej mes opinionit publik serb ndaj çështjes kombëtare, humbjes së toruas të shtresave të gjera puntore përsa i përket një politike ekonomike katastrofike (2) që mbretëronte në vend dhe së fundi apatisë së thellë të masës së komunistëve, e shgënjyer nga qëndrimet e çthurura dhe anarkiste që gërryenin aparatin e partisë. Të tërhequra nga fjala e Millosheviçit që premtonte rivendosjen e rendit dhe të madhështisë të popullit serb, populli i tërë nuk donte të kqyrte përzierjen e çeshiteve aq bukur të sajuar, ai dëshironte të jetonte dhe të shihte drejpërdrejt rimëkëmbjen dhe ringjalljen e kombit.
.
. Një nga hapat e para të Millosheviçit drejt rivendosjes të rendit të tronditur ishte homogjenizimi i mendimit politik në hapësirën « gjithëserbe », nëpërmjet imponimit të koncepteve të tij të ringjalljes kombëtare. Metoda e përdorur ishte sulmi kundër instancave drejtuese të tërësive territoriale fqinje. Duke respektuar një skenar tashmë të sprovuar, nëpërmjet manifestimeve publike masive, elementët serbo-malazezë kërkonin me insistim aprovimin nga ana e drejtuesve lokalë të kërkesave të tyre lidhur me Kosovën sikundër dhe ndryshime të natyrës kushtetutore që shkonin në drejtimin e bashkimit gjithëserb. Përballë reksionit legjitim të të zgjedhurve lokalë, Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve për Serbinë hynte në valle për të kërkuar diferencimin (lexo : përjashtimin) e kuadrove partiakë që « kërkonin të ndërprisnin procesin e demokratizimit në Serbi ». Në këtë mënyrë, në tetor 1988 u arrit largimi i gjithë ekipi drejtues i Vojvodinës ndërkohë që diferencimi bënte kërdinë në rradhët e Komitetit krahinor të Kosovës.

. Kësaj rradhe në shënjestër u vu Azem Vllasi, i zëvendësuar nga kryepolici kosovar Rrahman Morina. Reaksioni i popullsisë shqiptare qe i menjëhershëm dhe në 18 tetor, nën impulsin e minatorëve të Trepçës, rreth 100.000 shqiptarë manifestuan në rrugët e Prishtinës. Që të nesërmen, ju erdhi rradha serbëve të Beogradit të dilnin në rrugë : më tepër se 350.000 vetë brohoritën Millosheviçin i cili ju rikujtonte vendin që zinte Kosova në zemrat serbe. Tashmë ora e Kosovës kishte trokitur. Ndërkohë, të gjithë të zgjedhurit krahinorë të Malit të Zi jepnin dorëheqjen përballë manifestimeve gjigande në rrugët e Titogradit. Nga ky moment, asgjë s’mund të pengonte pushtetin legjislativ serb të kërkonte ndryshime thelbësore të Kushtetutës jugosllave të vitit 1974 me qëllim që të riparoheshin « gabimet historike » në dëm të kombit. Realizimi i kësaj ëndrre të vjetër do të realizohet jo më vonë se 23 shkurti i vitit 1989, gjë e cila shkaktoi një valë të re protestash të fuqishme si dhe grevash në Kosovë si edhe një kundër-manifestim gjigand në rrugët e Beogradit. Ndërkohë, ushtria dhe forcat e policisë ndërhynë në mënyrë masive në krahinë dhe pushteti qëndror vendosi gjendjen e jashtëzakonshme. Me mijra vetë u arrestuan nën akuzën e pjesëmarrjes në manifestime antikushtetuese.
. Në 23 mars, i rrethuar nga tanket dhe forcat e armatosura, Kuvendi Krahinor u detyrua të mblidhej në një sesion të jashtëzakonshëm për të votuar dhe aprovuar një seri ndryshimesh kushtetuese të cilat do të shërbenin si bazë e mëtejshme për një Kushtetutë të re serbe. Kësaj rradhe, manifestimet në rrugët e Prishtinës u shëndrruan në përleshje me forcat e armatosura dhe ato të policisë dhe pushteti dekretoi ndalim-qarkullimin (3). Pesë ditë më vonë në Beograd, Asambleja Popullore serbe – edhe ajo e mbledhur në një sesion të jashtëzakonshëm – aprovoi këto ndryshime kushtetuese. Epoka Tito kish përfunduar një herë e mirë dhe bashkë me të, Kosova kish humbur përfundimisht autonominë e vet politike ndërkohë që Federata jugosllave jetonte çastet e saj të fundit (4).
.
. Pasi kish mundur të sigurojë përkrahjen e kishës ortodokse serbe, në 28 qershor 1989, Sllobodan Millosheviçi organizoi një manifestim mbresëlënës të pakicës serbe dhe malazeze në rrugët e Prishtinës për të festuar 600 vjetorin e betejës historike të Fushës së Mëllënjave (Fushë Kosovës). Ky tubim i më se një million serbësh dhe malazezësh të ardhur enkas nga i gjithë vendi shënon edhe momentin kulminant të lëvizjes nacionaliste kundër « sfidës shqiptare » që në të vërtetë merr formën e saj përfundimtare në qershor të vitit 1990, me hyrjen në fuqi të një varg dekret-ligjesh. Kjo përçapje e fundit varroste një herë e mirë autonominë e Kosovës, e cila vihej nën pushtetin e një Ligji të ri të ashtuquajtur të përkohshëm mbi « aktivitetin e organeve të Republikës në kushtet e jashtëzakonshme ». Kjo politikë, e adoptuar pa ja vënë veshin paralajmërimeve të rrepta të Kroacisë dhe të Sllovenisë, prodhoi një reaksion të menjëhershëm : pakënaqsia e popullsisë shqiptare shpërtheu në manifestime dhe protesta të dhunshme, të shtypura me rreptësi tejet të madhe nga ana e policisë dhe e ushtrisë serbe (5) – një fakt i panjohur deri atëhere. Me qindra aktivistë shqiptarë u arrestuan, u ndalua botimi i gazetës « Rilindja » në gjuhën shqipe, gjuha serbo-kroate zëvendësoi tashmë atë shqipe dhe u shëndrrua në një lëndë të detyrueshme në gjithë sistemin e arsimit tetëvjeçar dhe të mesëm. Ndërkohë që trupi pedagogjik ishte pushuar nga puna dhe nxënësit shqiptarë braktisnin mësimin, një numër i madh shkollash u detyrua të mbyllin dyert. Një gjueti e vërtetë ndaj kuadrove me origjinë shqiptare u organizua në administratën lokale, në stacionet e radios dhe të televizionit lokal, në mjediset arsimore dhe universitare, bile edhe në ndërmarrjet publike dhe në mjedisin spitalor.
. Përtej metodës së përdorur dhe mënyrave të zbatimit të direktivave, rimarrja në dorë e Kosovës përputhej me ambicien gjithmonë të gjithëgjendur në mendimin dhe shpirtin e drejtuesve serbë për të cilët politika federative e Titos s’ish gjë tjetër veçse shprehje e dëshirës së tij prej kroati për të dobësuar dhe më tej, për të coptuar Serbinë. Meqënëse vdekja natyrore e Titos e kish fshirë këtë rrezik, ata u nxituan t’i riktheheshin të gjitha arritjeve kushtetuese dhe politike të periudhës së Mareshallit dhe të kryenin atë hapin e madh aq të dëshiruar të shkrirjes së krahinës me vendin amë. Me këtë rast, ata zbuluan edhe shëndrrimin e pabesueshëm dhe të frikshëm të raporteve etnike në favor të shqiptarëve (6) : ndërkohë që ata përbënin 77% të popullsisë së Kosovës në vitin 1981, dhjetë vjet më vonë ky raport kish arritur në 88%.
.
. Zbulimi i faktit që shqiptarët përbënin shumicën, à priori nuk duhet të habiste kërkënd. Rregjistrimi i popullsisë i vitit 1948, i pari i organizuar në Jugosllavinë titiste, kish nënvizuar faktin që ata përfaqsonin 68,5% të popullsisë të krahinës. Bile edhe në atë vitin e largët 1921, që i përkiste tashmë epokës së Karagjorgjeviçëve, shqiptarët përbënin 65,8% (7). Për të patur shansin dhe gjetur një shumicë serbe në Kosovë – në qoftë se ajo ka egzistuar ndonjë herë – dhe si pasojë një pakicë shqiptare, duhej bërë një zhytje e vërtetë në thellësinë e kohrave të pushtimit otoman. Në këtë rast, detyra bëhet gjithmonë e më e vështirë sikundër dhe suksesi gjithmonë e më i diskutueshëm pasi asnjë rregjistrim popullsie i kryer nga autoritetet e Perandorisë otomane nuk mund të sjellë elementë të saktë mbi një territor kaq të kufizuar. Nuk duhet harrruar gjithashtu se statistikat e mbajtura prej otomanëve jepnin të dhëna lidhur me miletet – bashkësitë fetare, dhe jo mbi kombësitë e shtetasve të perandorisë. Atëhere mbetet vetëm që të kryhen spekullime – një detyrë e vërtetë prej historiani – të cilat mbështeten mbi vërejtjet e njerëzve të kishës, mbi kujtimet e udhëtarëve të ndryshëm, mbi raportet rastësore të diplomatëve si dhe kronikat e vjetra të historianëve të tjerë. Që të gjithë pa përjashtim kanë vërejtur prezencën e myslimanëve – shqiptarë, turq si dhe të tjerë sllavë, të ortodoksëve – serbë ose të quajtur si të tillë, dhe së fundi të katolikëve – shqiptarë, pa mundur sidoqoftë të sjellin as rezultate të prekshme as edhe përfundime bindëse.
. Megjithatë, mbetet edhe një mundësi tjetër për të arritur në rezultatet aq të dëshiruara. Duke u nisur nga një shenjë kohore fikse – për shembull beteja e Fushës së Mëllenjave (në vitin 1389), ky monument i mitologjisë që na rikujton momentin kulminant të lavdisë mesjetare serbe dhe me këtë rast, mbizotërimin logjik të fuqisë sllave mbi atë qendrën shpirtërore të kombit (lexo : Kosovë dhe Rrafshi i Dukagjinit), historiani fqinjë mundohet të argumentojë pakësimin e vazhdueshëm, largimin e popullsisë që sikundër zbatica i ikën brigjeve drejt thellësisë. Duke luajtur me anë të instrumentit të tij magjepës, mjeshtri historian na ofron një suitë për të mos thënë një simfoni, kohët e të cilës përvijojnë atë fat tragjik të Kosovës serbe. Pa asnjë lëshim, qoftë në parime qoftë dhe në detaje. Në këtë mënyrë përjetojmë luftën e shifrave.
.
. Ja edhe vështrimi i një historiani bashkëkohës serb mbi lashtësinë e afërt të Kosovës, të cilin ai e quan tempo e Lartësimit :
.
. Gjatë mesjetës, kësaj periudhe të vulosur nga qytetërimi i ndritur i Nemanjiçëve, Kosova ishte në mënyrë mbizotëruese një tokë sllave e banuar nga Serbët – bukrobër, zotërit e të cilëve ishin fisnikët vendas. Kosova, qendra e shtetit serb, strehonte njëkohësisht edhe kryeqendrën e fisnikëve serbë sikundër dhe gjykatat mbretërore. Metohia (Rrafshi i Dukagjinit) gjithashtu, kryeqendra e Kryepeshkopatës serbe e cila më vonë u shëndrrua në Patriarkat, ishte e mbuluar nga një rrjet i dendur manastiresh dhe kishash. Pjesa më e madhe e fshatrave të Metohisë me një popullsi mjaft të dendur ishte në zotërim të manastireve të mëdha, shpesh të dhuruara nga ana e fisnikëve, ose ishin në zotërim të bashkësive të famshme manastike të Malit Atos. Shqiptarët, të cilët janë quajtur gjithmonë Arbanashi nga ana e Serbëve ishin barinj, një popull nomad i cili pa ndonjë pangesë merrej me rritjen e kafshëve të tij në ato malet e errta që ndajnë Kosovën nga Shqipëria. (8)
.
. Ky është edhe kuadri idilik i Kosovë-Metohisë mesjetare, një shoqëri feudale ku jetojnë në harmoni të plotë fisnikë dhe bujkrobër, Mbretër dhe Patriarkë – natyrisht serbë – në mes të një bollëku manastiresh dhe kishash. Edhe pse çfaqen aty këtu disa pak barinj shqiptarë, këta kafshërritës nomadë, përshtypja diçka e pakëndëshme fshihet me një të rënë lapsi nga një tjetër historian-akademik, i cili krejt natyrshëm pohon se :
.
. Rajoni i Kosovës dhe i Metohisë ka qënë banuar qysh prej kohëve të Mesjetës së Hershme nga një popullatë homogjene serbe. Shtetet e para serbe të shekujve të Xtë dhe të XItë shtriheshin mbi tokën e Kosovës. Gjatë sundimit bizantin dhe deri në përfshirjen e tyre të plotë në Shtetin e Nemanjiçëve në fundin e shekullit të XIItë dhe atë të XIIItë, Kosova ishte, nga pikpamja etnike, një tokë serbe ku kish filluar ndërkohë një proces i integrimit politik. Kjo gjë vërtetohet nga dokumentat historike (kodet e sunduesve serbë), dhe në mënyrë të veçantë nga një studim i antronimeve (mbiemrave të familjeve) sikundër dhe të toponomeve origjinale (emrat e vendeve), që në rastin e Kosovës dhe të Metohisë janë kryesisht të origjinës sllave. Grupe nomade të barinjve shqiptarë, kryesisht të besimit katolik roman, ishin një përbërëse e neglizhueshme prej vetëm 2% të popullsisë të përgjithshme dhe ishin përqëndruar në pjesën malore perëndimore, në kufirin e sotëm jugosllavo-shqiptar. Një numër i vogël shqiptarësh ushtronte mjeshtëritë e zejtarit, të minatorit ose të tregëtarit në qytetet e zonës (9).
.
. Cila pra është origjina “etnike” e banorëve të Kosovës në shekullin e XIIItë ? Në mungesë të plotë të të dhënave – qoftë për hir të debatit kontradiktor – le t’i japim krahë imagjinatës dhe të pranojmë për disa çaste si të mirëqenë faktin që në këtë fundshekulli të XIIItë, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit ishin një tokë e banuar nga serbët në 98% të saj. Në këtë mënyrë, të paktën, do të mund të ndjekim fillin e mendimit të historiano-gjeografëve të Beogradit – për të analizuar kontradiktën që qëndron në themel të arsyetimit të tyre.
. Në këtë moment të caktuar të historisë ballkanike, ku merr zanafillën edhe debati ynë, e gjithë popullsia autoktone e kësaj zone të brendshme të Ballkanit ishte e pagëzuar dhe e kunguar që në lindje në fenë e Krishtit. Që prej disa dhjetëvjeçarësh, ortodoksia sllavo-bizantine ishte emancipuar dhe kish krijuar kryeqendrën e saj të re në Pec (Pejë). Përveç ortodoksëve, vetmit antagonistë nga pikpamja teologjike ishin katolikët romanë si dhe heretikët bogomilë. Në këtë mënyrë, në qoftë se përdorim identitetet e mëposhtme : ortodoksë = serbë, katolikë = shqiptarë, bogomilë = të dashurit e Perëndisë = të denjë për t’u shfarosur, biem në skemën e mësipërme, të përshkruar me aq detaje.
.
. Megjithatë, asnjeri nuk na pengon të ngreme një varg dyshimesh të natyrshme dhe të shtrojmë pyetje qoftë dhe instiktive :
. përse konsiderohet Kosova si djepi i « qytetërimit » të Nemanjave ndërkohë që një varg specialistësh të historisë së Mesjetës i vendosin këta të fundit diku mes Rashkës dhe Zetës – në veri të zonës ?
. Përse shqiptarët – arbër të Kosovës identifikohen me katolikët ndërkohë që dihet tashmë që disa hapa më tej, në territoret e Shqipërisë së sotme, pjesa më e madhe e tyre i përkiste ritit ortodoks bizantin ?
. Çfarë instrumenta matës kaq të përpiktë zotëronin murgjit e Kosovës që arrinin të kqyrin deri edhe njësinë e përqindjes të popullsisë – aq më tepër të besimit të ndryshëm ?
.
. S’na mbetet gjë tjetër veçse të admirojmë këtë kryevepër të mitologjisë, këtë tabllo të shquar të Nemanjave, të rrethuar nga murgj të devotë që i këndojnë psallme Perëndisë në ato mijra manastire dhe kisha, ndërkohë që bujkrobërit besnikë shëndrrojnë këtë tokë të bekuar të Kosovës në parajsë. Dhe, përpjekja e admirimit ja vlen barrën pasi ndodhemi në laboratorin e historisë, bash aty ku pamja shtanget për përjetësinë e mëpastajme, ku realja shëndrrohet në pavdekësi.
.
. Pasi fillimisht, koha në këtë çështjen e Kosovës është e burgosur në përmasat e saj metafizike. Në të vërtetë, bëhet fjalë për dy shekuj të shquar të Mesjetës (gjithë gjithë, shekujt e XIIItë dhe të XIVtë), lavdia e të cilëve mundohet të fshijë degradimin e një qytetërimi, dekadencën e një farë ideje të Kombit. Përse të mos shkojmë prapa në kohë dhe të interesohemi për banorin e parë të krahinës : burrë apo grua ? ilir apo dardan ? ardhacakë sllavë apo të fundmit e mohikanëve iliro-romako-bizantinë ? bujq serbë apo barinj shqiptarë ?
. Në emër të cilës së « drejte » – përveç asaj të forcës – nomadët sllavë vijnë dhe ngulen në territoret e Ilirisë gjatë shekullit të VIItë ? Në emër të kujt « arsyeje » – përveç asaj të «Ligjit të numrit më të madh » – një pjesë e këtyre territoreve shëndrrohen në serbe ? Përse së fundi, e drejta e forcës dhe « Ligji i numrit më të madh » janë të « ligjshme » në një moment të caktuar dhe « të paligjshme » në një moment tjetër ? Kështu, veçse mund të bashkohemi me mendimin që shprehet se
.
. Çdo argumentim i natyrës « historike » shkon në kundërshtim me tezën « serbe » pasi Historia na mëson se Serbët, në lidhje me Kosovën, s’janë gjë tjetër veçse pushtues të ardhur me vonesë. (10)
.
. Në rradhë të dytë, vargu i ngjarjeve i kësaj çështjes së Kosovës shkruhet në një logjikë fataliteti, pasi gjithçka fillon mbas disfatës monumentale të Kosovo Poljes. Megjithatë, epoka e Fushës së Mëllënjave u ndoq nga rezistenca kundër turqve – ndërkohë që tenorët më të shquar serbë janë Stefan Lazareviçi dhe Gjergj Brankoviçi – dhe përfundoi me nënshtrimin. Historiani-kompozitor e quan tempo e Derteve, e një dominimi otoman që mes të tjerash solli edhe Islamin në këtë qoshe të Ballkanit. Por, jo cilido pranoi të braktiste fenë e tij të parë të krishtere për t’u shëndrruar në mysliman : nëqoftë se shqiptarët pranuan në fund të fundit, të shëndrrohen në adeptë të rinj të Profetit Muhamet, serbët qëndruan përgjithmonë shërbëtorë të përunjur të djalit të Perëndisë, Jezus. Pikërisht në këtë moment, rendi fillon dhe trazohet pasi, sikundër dhe në Shqipërinë fqinje, Kosova shëndrrohet gradualisht por në mënyrë të pakthyeshme në myslimane. Si shpjegohet që kjo tokë e shenjtë e krishterë – Jeruzalemi i serbëve – e cila strehon mbi 1.500 manastire, kisha dhe të tjera objekte kulti shëndrrohet në tokë myslimane ?
Po qe se ju besojmë historianëve serbë, përgjigja është tejet e qartë : pa diskutim, si pasojë e këmbënguljes inatçore të otomanëve që filluan të thyejnë dhe të prishin gjithçka, të paturpësisë të « atyre shqiptarëve hajdutë që zbritën nga malet e tyre për të plaçkitur », të mungesës së skrupujve të atyre « barinjve të tjerë shqiptarë » që u sulën dhe pushtuan tokat e braktisura nga fatkeqët serbë aq të devotë. Me fjalë të tjera, ishin pra shqiptarët e ardhur prej diku gjetkë që u bënë vektor i përçimit të fesë myslimane.
. Përse Islami zgjodhi pikërisht Kosovën – këtë qoshe të humbur diku në mes të Ballkanit – për të eksperimentuar eksportimin e vet nëpërmjet popullatave të treta dhe nuk veproi në të njejtën mënyrë dhe në rajone të tjera ballkanike, ndoshta edhe më të pajisura me thesare, me toka ose me monumente të tjera të ndritura ? A nuk është më racionale dhe logjike të mendohet se islamizimi u realizua mbi popullata autoktone, sikundër gjithandej në gadishullin Ballkanik ? Kësaj radhe, pyetja mbetet pa marrë përgjigje…
. Fundja, kur paska ndodhur kjo kataklizmë në tokat e Kosovës ?
.
. Invazioni turk vuri në lëvizje masa të tëra etnike në Ballkan dhe shkaktoi kryengritje që shpesh përfunduan tragjikisht. Magjithë faktin që Kosova gjithashtu u përfshi në këto ngjarje, migrimet e para të Serbëve në shekullin e XVtë jo vetëm nuk mundën të prekin në një shkallë të konsiderueshme tokat e këtij rajoni por edhe nuk shkaktuan ndonjë rendje drejt tyre të barinjve shqiptarë nga malet e tyre të Nëmura. Në shekullin e XVItë, rregjistrimet zyrtare turke venë në dukje në vazhdimësi se të Krishterët përbëjnë shumicën dërrmuese ndaj Myslimanëve (turqve dhe shqiptarëve të kthyer në myslimanë). Së bashku me pakicat e tjera të krishtera, të cilat kishin mundur të mbijetonin si rezidentë qytetës ose si barinj (grekë dhe vlleh ortodoksë si edhe shqiptarë katolikë) Serbët përbënin 97% të të gjithë popullsisë (11).
.
. Si ndodhi atëhere që në fund të po këtij shekulli (të XVItë) dhe në vazhdim, pjesa më e madhe e popullsisë të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit infektohet nga virusi i ndrrimit të fesë – gjithmonë sipas të njejtave rregjistra turk ? Historianët serbë (12) do të thonë se shkaku ishin ata barinjtë e famshëm të zbritur nga ato malet e tyre të nëmura, të pajisur « me kapacitete të pabesueshme riprodhuese (sic!) » të cilët, pasi kishin pushtuar tokat e fshatarëve serbë dhe mbushur qytetet e krahinës – pasi qytetet ishin të parat që u islamizuan – ju vunë punës për të islamizuar atë çka mbetej prej serbëve. Ç’janë këta barinj dhe nga cilat male paskan zbritur ? – ngrenë pyetjen historianët e përtej kufirit (13), të cilët nënvizojnë se gjithmonë sipas të famshmëve rregjistra otomanë të epokës, rajonet malore të sanxhakut të Dukagjinit (Iballa, Spasi, Fandi i Madh, Fandi i Vogël et Puka) si edhe rajonet e sanxhakut të Shkodrës (Pulti et Kelmendi) totalizonin 2.014 shtëpi ose hane, një hiçkël përballë rajoneve të Kosovës dhe të Metohisë që së bashku totalizonin 28.000 shtëpi.
.
. Përfundimisht, duket të presim ofensivën austriake e cila preku thellësitë e Ballkanit gjatë shekullit të XVIItë – më saktësisht në vitin 1690 – për të asistuar në egzodin e vërtetë të serbëve, nën frikën e reprezaljeve otomane. Tashmë jemi në tempon e Migracioneve.
. Nën peshën e kryqit, Patriarku Arsenije i IIItë udhëhoqi disa dhjetra mijra vetë – na thonë se bëhej fjalë për 35.000 familje serbe – përtej Danubit. Më pak se një gjysëm shekulli më pas, një aventurë e re fatkeqe e austriakëve detyroi rishtas Patriarkun Arsenije IV Jovanoviç të marrë rrugët ; kësaj rradhe janë 30.000 familje të reja që shpërngulen nga Kosova dhe rrethinat. Çfarë shansi i papritur për ata « shqiptarë myslimanë mizorë » që kësaj rradhe kishin zbuluar një argëtim tjetër – « të shqiptarizonin » komshijtë e tyre serbë, të kthyer në myslimanë nga halli ! Pasi kishin braktisur fenë e të parëve, ata humbën edhe përdorimin e gjuhës së tyre amtare, vetëm e vetëm për t’u bërë shqiptarë – Arnautasi. Për të na bindur, historianët serbë na ofrojnë edhe përfundimet e studimeve antropogjeografike të cilat vërtetojnë përfundimisht që afro 30% e popullsisë së sotme shqiptare të Kosovës (dhe të Metohisë) qënkesh me origjinë serbe (14).
.
. Nga ky moment, hemorragjia nga e cila vuan popullsia serbe si edhe furnizimi me gjak të ri i popullsisë shqiptare shëndrrohet në diçka kronike. Çdo kryengritje, çdo luftë mes otomanëve dhe fuqive evropiane në gadishull, i shtyn serbët t’i kthehen emigracion-hemorragjisë, e cila në mos qoftë arteriale mbetet kapilare. Në të kundërt, çdo manifestim i autonomisë i pashallarëve shqiptarë ndaj Portës së Lartë, çdo rast për të shprehur solidaritetin me çeshtjen otomane kontribon drejt shtimit të shqiptarëve të rinj « varfanjakë » në krahinë. Shpallja e autonomisë dhe më pas pavarësia e shtetit serb përcakton një tjetër kufi kohor, një shkallare të rëndësishme pasi, në vigjilje të Krizave të Lindjes, historianët serbë janë gjithmonë të bindur se bashkësia e tyre etnike ende përbën shumicën, grupin etnik dominant të Kosovë – Metohisë.
.
. Tempo e Shtypjes fillon me luftrat ruso-turke të vitit 1876 – 1878, të cilat përmbysin situatën : ndërkombëtarizimi i çështjes serbe si dhe shprehja e synimeve të monarkisë së Obrenoviçit mbi Serbinë e Vjetër shtyn ushtrinë mbretërore të shkelë tokën e Kosovës. Fundi i luftimeve dhe hyrja fitimtare e ushtrive serbe në Nish detyroi rreth 30.000 shqiptarë të braktisin tokat e tyre dhe të tërhiqen drejt Kosovës, ndërkohë që disa dhjetra mijra serbë marrin rrugën e kundërt.
. Është periudha e Lidhjes së Prizrenit dhe e përplasjeve të armatosura mes shqiptarësh dhe otomanësh, e cila sipas optikës serbe është shkaktare « e viktimave të panumërta mes popullatës serbe të krahinës ». Përballë rritjes së dhunës ushtarake e ndjekur nga një anarshi e thellë, me mijra serbë paskëshin preferuar të braktisin krahinën : rreth 1.500 familje gjatë periudhës 1876 – 1883, jo më pak se 60.000 vetë gjatë periudhës në vazhdim 1890 – 1899, gjithmonë shënimeve të qeverisë së Beogradit. Një valë e re dhune preku krahinën e martirizuar gjatë periudhës 1903 – 1808, një tjetër në vitin 1911. E megjithatë, po qe se vazhdojmë dhe i besojmë thënieve të historianëve të Beogradit (15), pavarësisht atyre 400.000 vetëve që paskëshin ikur nga sytë këmbët nga Serbia e Vjetër përballë tërbimit shqiptaro-turk, pavarësisht atyre 150.000 të tjerëve që kanë braktisur Kosovën – një e treta e popullsisë serbe e krahinës, serbët vazhdonin të përbënin gati gjysmën e popullatës të rajonit në atë vit të paharruar 1912.
.
. Çfarë mund të nxjerrim si përfundim nga vështrimi serb i historisë së Kosovës gjatë periudhës otomane ?
.
. Primo, që prej kohësh që s’mbahen mend, jeta e përditshme e krahinës është vulosur nga antagonizmat mes shqiptarëve dhe serbëve, dy përbërëset kryesore etnike të vendit.
. Secundo, dhuna e lindur nga kjo kontradiktë jetësore shkon gjithmonë me sens të vetëm – ushtrohet nga shqiptarët dhe godet serbët.
. Tercio, në origjinë të dhunës dhe të përplasjes qëndron elementi fetar – Islamizmi kundër Krishtërimit – dhe megjithë gjendjen e tyre prej pakice, shqiptarët kanë mundur të bëjnë ligjin falë bashkëfajësisë otomane.
. Quarto, duke ngulmuar kaq tepër dhe kaq gjatë, kjo pakicë pothuaj e papërfillshme në fillimet e saj mundi së fundi të përmbysë raportin e forcave në fillim të shekullit të XXtë, duke siguruar në këtë mënyrë avantazhet e saj administrative si edhe duke shtënë në dorë pronësinë mbi tokën.
.
. Kjo mënyrë arsyetimi përputhet keq me një realitet tjetër, atë të marrëdhënieve të fqinjësisë të shqiptarëve me popujt e tjerë rreth e qark, për shembull me grekët. Cila është ajo gjëja e veçantë e Kosovës që ka mundur të tërheqë në këtë mënyrë lakminë e shqiptarëve ndërkohë që krejt dukshëm, ata nuk interesohen për zonat fqinje të Greqisë kontinentale ose të thellësisë së Maqedonisë ? Përse këta myslimanë të thekur shfrehen në këtë mënyrë mbi ata serbët « e gjorë » ortodoksë, ndërkohë që bashkëjetojnë pa asnjë problem me ortodoksë të tjerë si brenda vendit të tyre ashtu edhe në zonat fqinje të Greqisë ? Ja edhe një enigmë tjetër që nuk merr përgjigje..
.
. Tempoja që ndjek është ajo e shpresës – Rimëkëmbja. Do të kishim menduar që meqënëse Mbretëria e Serbëve dhe të tjerëve Kroatë mundi të shtjerë në dorë Jeruzalemin e saj – meqënëse kjo « drejtësi » mundi të përmbushej si në rrafshin njerëzor, ashtu edhe në rrafshin historik ose qiellor – punët do të shkonin drejt përmirësimit. Ndodh krejtësisht e kundërta pasi në lidhje me Kosovën, kombi serb me sa duket është dënuar të vuajë « mallkimin » deri në fund. Së pari, atij i kish rënë për hise një provë e tmerrshme : Lufta e Parë botërore si edhe shpartallimi i plotë i strukturave të tij. Sigurisht, bashkësia serbe e Kosovës, tashmë e çliruar, vuajti sikundër edhe pjesa tjetër e serbëve dhe përllogaritja e atyre 250.000 të viktimave ushtarake dhe civile përfshin edhe ato të vetat. Ndoshta kjo luftë e përbotshme është edhe shkaktarja e përmbysjes përfundimtare të raportit etnik të krahinës ? Për serbët, kjo e vërtetë s’mund të vihet në dyshim. Sidoqoftë, komprometimi i raportit tashmë është përfundimtar ; asnjë artificë administrative, asnjë ndërhyrje qoftë dhe e dhunshme nuk mund t’i ndrrojë kahjen.
.
. Që nga rivendosja e mbretërisë në mbarim të Luftës së Parë botërore dhe deri në vigjilje të Luftës së Dytë, pushteti i ri serb dhe më pas ai jugosllav është i detyruar t’a pranojë këtë gjendje dhe t’a integrojë në planet e tij. Pa ndërmarrë « punime të mëdha » në vend – reforma agrare do të jetë kantieri i vetëm – ai u mundua të përmbajë nacionalizmin shqiptar me anë të një logjike thjesht ushtarake. Rezultatet qenë të diskutueshme : sigurisht, u arrit shtypja e lëvizjes irredentiste të « kaçakëve » pa mundur të sigurohet « ripopullimi serb » i krahinës. Të kqyrur nga Evropa, ndoshta « shqiptarët nuk ishin fort të bashkuar » dhe që ata shprehnin « veçse herë mbas here një ndjenjë kombëtare të vërtetë » (16) ; sidoqoftë, që në vitin 1921, kosovarët shqiptarë ju drejtuan Shoqërisë së Kombeve me një peticion prej 72 faqesh, ku ishin renditur emrat dhe adresat e 12.371 viktimave të terrorit jugosllav sikundër dhe 20.000 të burgosurit që prej vitit 1918.
.
. Në vazhdim, rajoni dhe i gjithë vendi u nda në njësi të reja administrative – Banovinat. Kjo gjë kish avantazhin të zhdukte Kosovën e megjithatë, ata 500.000 shqiptarët etnikë të Mbretësisë së Jugosllavisë mbeteshin gjithmonë në vend. Kështu në vitin 1931, ata përbëjnë veçse 3.62% të popullsisë së mbretërisë – 150.062 vetë të përfshirë në banovinën Zetska, 48.300 në banovinën Moravska et përfundimisht 302.901 në banovinën Vardarska ; sidoqoftë, ata përbëjnë shumicën absolute në krahinën e tyre të Kosovës. Përballë këtij fakti, një ide e re fillon dhe hedh shtat : t’i heqim qafe këta shqiptarë, duke përdorur të gjitha mjetet. Kështu lind « monumenti më madhështor » i shovinizmit serbomadh, metoda Çubrilloviç, e cila parashikonte « dëbimin e Shqiptarëve » (17), në vigjilje të Luftës së Dytë botërore.
.
. Peripecitë e kësaj lufte janë tashmë fort të njohura. Mjafton të përmendet se, si pasojë e pushtimit italjan dhe e ndërhyrjes së Rajhut të IIItë, historianët serbë kanë kontabilizuar rreth 100.000 serbë të dëbuar nga krahina. Ata shkojnë edhe më larg duke nënvizuar faktin se ndërkohë, 75.000 deri 100.000 shqiptarë paskeshin braktisur Shqipërinë e tyre të lindjes për t’u instaluar në Kosovë. Të tjerë « vëzhgues » jugosllavë hezitojnë diçka më tepër : sipas këtyre të fundit, numri i shqiptarëve të vendosur gjatë luftës në Kosovë luhatet nga 15.000 në 300.000 – pra në rasti më të mirë, një e katërta e popullsisë së Shqipërisë fqinje kish marrë rrugën e « tokës së premtuar » të Kosovës.
.
. Lëvizja e fundit quhet Komuniste. Një pjesë fort e madhe e popullsisë në vend e njeh mirë pasi e ka jetuar. E megjithatë nuk mungojnë përpjekjet për të bindur njerëzit që gjatë periudhën së dashurisë të sinqertë Hoxha – Tito, një valë e re shqiptarësh u nis nga vendi i tyre i lindjes për të përmbytur Kosovën : 40.000 vetë sipas më të kujdesshmëve, nga 200,000 në 240,000 sipas më të zellshmëve (18). Ai që ka dëshirë mund të shtrojë pyetjen : si ka mundur kjo Shqipëri e habitshme komuniste që brenda një dhjetëvjeçari
.
. – T’i ketë « dhuruar » 100.000 deri 300.000 vetë Kosovës fqinje gjatë viteve të pushtimit nazifashist ;
.
. – të ketë humbur 30.000 të vrarë gjatë luftës ;
.
. – të ketë lejuar largimin e rreth 10.000 vetëve të tjerë që kundërshtonin rregjimin komunist ;
.
. – të ketë masakruar 30.000 vetë të tjerë mes ballistëve dhe « armiqve të popullit » ;
.
. – të ketë « kontribuar » rishtas menjëherë pas lufte ndaj çështjes kosovare me 40.000 vetë, për të mos thënë 200.000 nga ata që i kishin mbetur.
.
. Nga ana e një vendi që numëronte vetëm 1.200.000 banorë në vitin 1939 – megjithë ato kapacitetet e tij riprodhuese të pabesueshme, aq të çmuara nga ana e serbëve – kjo gjë mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet një mrekullie.
.
. —————————————–
.
.
. (1) Ndërkohë në tetor 1985, një peticion i nënshkruar nga 2.000 serbë dhe malazezë të Kosovo Poljes ju ishte drejtuar autoriteteve të Beogradit për të dënuar dhunën që ushtrohej ndaj tyre. Viktima të një « gjenocidi » të ushtruar nga « fashistët shqiptarë », ata lypnin ndërhyrjen e instancave më të larta të Shtetit si dhe përmbushjen e kërkesave të tyre – njâ pesëmbëdhjetë të tilla. Në janar të vitit 1986, mbi 200 intelektualë dhe personalitete serbe bënë të njejtën gjë : nëpërmjet një peticioni, ata mbronin pozitat e serbëve dhe malazezëve të Kosovës. Në prill 1986, arrstimi i dy prej iniciatorëve të peticionit të Kosovo Poljes provokoi një manifestim të disa mijra vetëve. Vitin në vazhdim, incidente të reja dhe manifestime të tjera u përsëritën në Kosovë, gjë e cila shtyu më në fund udhëheqësit e LKJ të ndërhyjnë.
.
. (2) Që prej 1979 – 1980, vendi përjetonte një frenim të rritjes së prodhimit shoqëror (një mesatare vjetore prej 0,7 % gjatë periudhës 1980 – 1985), një inflacion galopant (79,5% në 1985, 92% në 1986, 167,3% në 1987 dhe mbi 250% në 1988), një borxh të jashtëm tepër të rëndë (20 miliardë dollarë) dhe një papunësi endemike (mbi një milionë vetë të papunë). Në 1987, shkalla e papunësisë arriti në 15,8% në nivelin e vendit. Në Serbi kjo shifër ishte 17,6% ndërkohë që në Kosovë situata ishte e dëshpëruar me 55,8% të popullsisë të papunë. Kjo krizë nuk mundi të përmirësohet megjithë adoptimin e një programi të stabilizimit ekonomik, elementët e parë të të cilit u vunë në jetë qysh në vitin 1982. Si pasojë, vendi njohu një rritje të paparë të numrit të grevave të klasës puntore në vitin 1987 dhe 1988. Shih : Yves TOMIC – Slobodan Milosevic et la mutation de la Ligue des communistes de Serbie, du communisme au nationalisme populiste, 1986-1989 L’Autre Europe, n°34-35, mars 1997.
.
. (3) Sipas burimeve zyrtare, përleshjet e marsit 1989 shkaktuan 24 të vrarë dhe disa qindra të plagosur. Të tjera burime jozyrtare përmendën disa qindra të vrarë (200 në mos më tepër) ; mes mijra të arrestuarve, 800 vetë u dënuan me masa të ndryshme burgimi. Shih : Ibrahim RUGOVA – –La question du Kosovo, (entretiens avec Marie-Françoise ALLAIN et Xavier GALMICHE), Editions Fayard, Paris 1994.
.
. (4) E çara në sistemin kushtetues, e provokuar nga vendimi i njëanshëm i Asamblesë popullore serbe i 28 marsit të vitit 1989 për të ndryshuar statusin e Kosovës, provokoi një varg reaksionesh zinxhir në të gjitha nivelet e Federatës jugosllave. Kështu, në 8 prill 1990, u organizuan zgjedhjet në Slloveni të ndjekura nga deklarata e pavarësisë së ish-republikës. Në dhjetor të të njejtit vit, një referendum popullor vuloste këtë deklaratë dhe e shëndrronte në një fakt të kryer. Kroacia i shkoi pasfqinjit të saj slloven, duke organizuar zgjedhje të lira në 22 prill dhe 6 maj 1990. Franjo Tuxhman, i zgjedhur President i Republikës së re kroate, deklaroi në 25 qershor, « ndarjen » e vendit të tij nga Federata. Në 25 janar 1991, i erdhi rradha parlamentit maqedon të shpallte pavarësinë e vendit dhe të drejtën e tij të shkëputjes. Presidenti i ri Kiro Gligorov organizoi një referendum në shtator 1991 dhe në 17 shtator, Maqedonia u shpall e pavarur. Pa dyshim, rasti i Bosnjë- Herzegovinës ishte më i ndërlikuari, për shkak të raporteve jo të kjarta mes popullsive serbe, kroate dhe myslimane : në qershor të vitit 1991, gjashtë zonat e kufizuara serbe të Bosnjes shpallën pavarësinë e tyre, të ndjekura nga një deklaratë e sovranitetit nga ana e koalicionit nacionalist mysliman në Parlamentin boshnjak. Këto qëndrime shkaktuan dhe fillimin e përplasjeve të armatosura në dhjetor mes kroatëve që kërkonin bashkimin e tyre me Kroacinë, myslimanëve që dëshironin pavarësinë dhe serbëve që kërkonin qëndrimin në gjirin e Federatës.
.
. (5) Mbi 3.000 vetë manifestuan në Prishtinë dhe po aq në Ferizaj, ndërkohë që në Podujevë pati shkëmbime me armë zjarri mes manifestuesve dhe forcave të policisë, që shkaktuan një numër viktimash. Minatorët e Trepçës, pasi kishin organizuar një marrshim proteste prej 40 kilometrash deri në Prishtinë, u barrikaduan në galeritë e minierës dhe filluan një grevë urie. Shih : Noel MALCOLM – Kosovë, një histori e shkurtër (Kosovo, a short story), Ed. Koha, Prishtinë, 1998.
.
. (6) Në këtë nivel, debati do të prekë dy grupet kryesore etnike të krahinës, atë shqiptar dhe serbo-malazez nga momenti që së bashku, ata përfaqsojnë rreth 95% të popullsisë së përgjithshme. Mbetja përbëhet nga një panel pakicash të një rëndësie të vogël (myslimanë, romë, turq, kroatë dhe jugosllavë).
.
. (7) Megjithatë, në lidhje me Kosovën statistikat asnjëherë nuk kanë mundur të krijojnë unanimitetin e vëzhguesve – edhe sikur të jenë përpunuar dhe botuar nga autoritetet jugosllave ose serbe. Kështu, sipas Bardos-Feltoronyi, jo vetëm që Kosova në parim i takon gjithmonë Serbisë por popullsia shqiptare përbën shumicën që prej pak kohësh : të nesërmen e luftës së dytë botërore 1939 – 1945, popullata e krahinës ishte gjysëm serbe gjysëm shqiptare. Ekuilibri i brishtë mundi të përmbyset vetëm si pasojë e rritjes shumë të shpejtë demografike të shqiptarëve si dhe e largimit pak a shumë spontan të serbëve drejt krahinave më të pasura të Jugosllavisë. Pak kohë përpara bombardimeve të vitit 1999 – por duke marrë parasysh edhe rrefugjatëve serbë të ardhur nga Kroacia dhe Bosnja – shqiptarët nuk duhej të përbënin më tepër se 65% të popullsisë ndërkohë që serbët ishin aty rreth 10%. Pjesa tjetër përbëhej nga romët (15%) dhe minoriteteve të tjera (10%). Shih : Nicolas BARDOS–FELTORONYI – La question albanaise est-elle à nouveau balkanisée ? në: De la question albanaise au Kosovo (De Waele J.-M. & Gjeloshaj K. sous la dir.), Ed. Complexe, 1999.
. Nga ana tjetër, sipas opinionit të gjeografit Roux, Kosova popullohej nga një shumicë shqiptare që prej vitit 1913. Shih : Michel ROUX – Le calme trompeur du Kosovo, Në: RUPNIK Jacques (sous la dir.) – Les Balkans, paysage après la bataille, Éditions Complexe, Paris 1996.
.
. (8) Dušan T. BATAKOVIĆ – The Serbo-Albanian Conflict: A Historical Perspective.
.
. (9) Dimitrije BOGDANOVIC – The Kosovo question, past and present, Serbian Academy of Sciences and Art, Monographs, Vol DLXVI, Beograd 1995.
.
. (10) Alain DUCELLIER – L’Albanie entre Byzance et Venise X – XV siècle. London, Variorum reprints 1967.
.
. (11) Dimitrije BOGDANOVIC – Ibidem.
.
. (12) Shih : Milos MACURA Ed. – The Migration of Serbs and Montenegrins from Kosovo and Metohija, Serbian Academy of Sciences and Arts, Belgrade 1992, sikundër dhe : Alex N. DRAGNICH and Slavko TODOROVICH – The Saga of Kosovo, Focus on Serbian-Albanian relations, Columbia press, N.Y. 1984.
.
. (13) Selami PULAHA – On the Autochthony of Albanians in Kosova and the Postulate of the Massive Serb Migration at the end of the XVIIth Century, International Journal of Albanian Studies (IJAS), Vol 1, fall 2, New York, 1997.
.
. (14) Dušan T. BATAKOVIĆ– Kosovo Chronicles. Ed Plato, Beograd 1992.
.
. (15) Ndërkohë, Garde kujton se që në vitin 1838, vlerësimet e bëra tregojnë mbizotërimin numerik të shqiptarëve në krahinën e Kosovës (58% e popullatës). Shih : Paul GARDE – Vie et mort de la Yougoslavie, Ed. Fayard, Paris 1992.
.
. (16) Isaiah BOWMAN – Le monde nouveau, Payot, Paris, 1928.
.
. (17) Ja edhe disa receta, të përgatitura nga Çubrilloviç me qëllim që të përshpejtonte largimin e shqiptarëve nga Kosova : « Në qoftë se pranojmë se shtyrja tutje e Shqiptarëve nëpërmjet kolonizimit tonë është pa efekt, nuk mbetet gjë tjetër veçse një rrugë e vetme, largimin e tyre në masë. Për këtë qëllim, janë menduar dy vende : Shqipëria dhe Turqia.. Për të realizuar një transferim në masë, kushti im i parë është përgatitja e një psikoze të përshtatshme : para së gjithash na duhet të fitojmë besimin e fetarëve të tyre… të gjenden sa më shpejt agjitatorët që duhet të bëjnë propagandë lidhur me largimin… Një mënyrë tjetër është shtrëngimi i ushtruar nga ana e aparatit të shtetit në mënyrë që t’ju bëjë Shqiptarëve jetën e padurueshme : gjoba, burgosje, përdorim i rreptë i të gjitha dispozitave të policisë, dënim i çdo lloj kontrabande, i shpyllëzimeve, i shkeljeve… detyrim i një numri sa më të madh të njerëzve ndaj angarive, mosnjohje e titujve të pronësisë, mbledhje e pamëshirshme e taksave dhe shlyerje me detyrim i të gjitha borxheve publike ose private ; rimarrja e të gjitha kullotave të Shtetit dhe të komunave, mbledhja e liçencave të ushtrimit të zanateve, shkarkimi i funksionarëve të shtetit, i nëpunësve privatë dhe komunalë. Më tej, prishja e mureve dhe e rrethimeve të shtëpive, aplikimi me rreptësi i masave veterinare… Meqënëse Shqiptarët janë tepër të ndjeshëm në çështjet fetare, duhet gjithashtu t’i prekim në këtë pikë : duke persekutuar fetarët, duke shkatërruar varrezat, duke ndaluar poligaminë, duke zbatuar në mënyrë të pamëshirshme ligjin e çuarjes me detyrim të vajzave në shkollën fillore. Përfundimisht, mund edhe të ndezim trazira lokale që më tej të shtypen në gjak me mjetet sa më efikase. Mbetet në fund edhe një mjet i vetëm, të cilën Serbia e ka përdorur në mënyrë tepër efikase që prej vitit 1878 dhe që i takon vënies së zjarrit fshehurazi nëpër fshatra si dhe nëpër lagjet shqiptare të qyteteve.. » Shih mbi këtë çështje : Mirko GRMEK, Marc GJIDARA, Neven SIMAC– Le nettoyage ethnique, documents historiques sur une idéologie serbe. Éd. Fayard, Paris 1993.
.
. (18) Në kundërshtim me pohimet serbe, burimet kosovare janë shumë më të rezervuara : duke cituar anketa të kryera nga ana e autoriteteve federale jugosllave, ata nënënvizojnë që gjatë periudhës në fjalë, krahina ka pritur 1.543 vetë të ardhur nga Shqipëria, nga të cilët 704 ndodheshin gjithmonë në vend, në vitin 1981. Shih : Alex N. DRAGNICH and Slavko TODOROVICH – The Saga of Kosovo, Focus on Serbian-Albanian relations, Columbia press, N.Y. 1984 sikundrër dhe : H. ISLAMI – Kosova dhe shqiptarët – çështje demografike (Kosova et les Albanais – questions démographiques), Prishtina 1990.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: