Metafizikë « globalokaliste » post-vlonjate

Shopenhauer : “njeriu është një kafshë metafizike“.
.
. Kohët e fundit, opinioni publik vendas – bile edhe ai i huaj – zbuloi një aspekt të ri të « betejës së energjisë », atë mediatiko-shoqëror që njëkohësisht, tërhoqi dhe tronditi shoqërinë shqiptare. Sigurisht i ngashënjyer prej politikës së re ekonomike të qeverisë dhe nga fjala e z.Berisha, i cili ngulmon se :
.
. ‘Ne ta vazhdojmë përpjekjen tonë për të ndryshuar Shqipërinë në më të lirën dhe më të mirën për investorët e huaj dhe ata vendas. Do tu ofrohet toka me 1 euro, do tu ofrohet kualifikimi punëtorëve me 1 euro, uji teknologjik me 1 euro, shërbime të tjera të tëra me 1 euro, regjistrimi i biznesit me 1 euro, hyrja në Shqipëri me 1 euro.
.
. projekti « La Petrolifera »“ ju shkëput stivës së lartë të simotrave të saj energjetike (termocentrale, hidrocentrale, dhe të tjera bërthamorë) dhe morri udhën e zbatimit në terren. Bëhet fjalë për një një shoqëri italo-rumune e cila filloi ndërtimin e një parku të tërë energjetik në Gjirin e Vlorës – në një terren të premtuar që prej vitit 2004 prej qeverisë shqiptare – dhe siguron se ky i fundit do të shërbejë për depozitimin dhe magazinimin e produkteve të lëngshme me bazë gazi dhe nafte (deri në 50.000 m3). Kjo hallkë e konsideruar si e domosdoshme për vendin kërkon të zbusë efektin negativ të industrisë deficitare të naftës (vetëm dy rafineri të vogla që mbulojnë afro 20% të konsumit lokal) dhe të industrisë munguese të gazit.
. Sidoqoftë, këto deklarata nuk mundën të shuanin shqetësimin e bashkësisë lokale, e cila vëren se po në atë zonë gjendet edhe një termocentral në ndërtim që do të funksionojë po me naftë si lëndë djegëse – pa llogaritur edhe projektet e terminalit ballkanik të gazit natyral AMBO që pritet të kalojë diku afër.
. Me një fjalë, gjiri i Vlorës rrezikon të strehojë një bazë të vërtetë hidrokarburesh – dhe me këtë rast të pësojë të gjitha kusuret e shfrytëzimit të një sipërfaqeje aktive prej afro 32 hektarë – dhe të një sipërfaqeje « tampon » prej 100 hektarë – pajisje, depozita, tubacione, stacione pompimi dhe kondicionimi, vetëm disa dhjetra metra nga bregu i detit dhe disa qindra të tjera nga skaji i qytetit, ndërmjet lagunës të mbrojtur të Nartës dhe pyllit po aq të mbrojtur „të Sodës“.
Përse u zgjodh Vlora për një projekt të tillë ? Përgjigja vjen vetvetiu :
.
. – për shkak të Gjirit të saj të thellë dhe të mbrojtur që me përshtatjet e duhura (porti i Triportit), siguron akostimin e anijeve të tonazheve të mëdha naftëmbajtëse ;
.
. – për shkak të distancës të shkurtër nga brigjet italjane dhe të afërsisë me porte të tilla përballë si Bari, Brindisi ose Ankona.
.
. – për shkak të ndodhjes në udhëkryqin ideal të rrugës tashmë të njohur të transporteve të hidrokarbureve në Adriatik..
.
. Projekti fqinj u kundërshtua me forcë nga popullata lokale e cila, e mobilizuar nga « Aleanca për mbrojtjen e Vlorës », u hodh një lëvizje të hapur proteste bile edhe kundërshtimi që çoi deri në përgjakje me forcat e rendit. Përballë argumentave të natyrës teknike të projektuesve (afëria me portin) dhe ekonomike (krijimi i disa dhjetra në mos qindra vende pune gjatë periudhës ndërtimore, taksat e shfrytëzimit dhe të import-eksportit për ekonominë lokale ose shtimin e kapaciteteve të furnizimit të ekonomisë vendase) ngrihen një varg kundër-argumentash të bashkësisë lokale, kryesisht të natyrës eko-mjedis (ndotja e mjedisit – ajrit nga çlirimet e hidrokarbureve, rreziqet e një katastrofe natyrore, derdhjet industriale) ose ekonomike (shvlerësimi i potencialit turistik të zonës, kufizimi i ndjeshëm i kapaciteteve urbane në veri të qytetit).Pra, logjika industriale e KESH-ëve, AMBO-ve dhe të tjera Petrolifera, vizioni ekonomik modernist i qeverisë, BERD-ëve dhe të tjera Bankave Botërore u ndesh me pikpamjet post-industriale dhe post-moderniste vlonjate. Në qoftë se të parët materializohen në hekur, beton, asfalt sikundër dhe kapitale ose para, i dyti gjallërohet nga laguna, pyje, male, kodra, ishuj, gadishuj, lumenj, dete të pastër, gjire të mbyllur, shpella të piratëve, korale të bardhë dhe pina të kuqe, koce të Dukatit, rërë të bardhë, zall të gurtë, shkëmbinj të thepisur – si dhe me histori të vjetra, tradita të lashta, folklore të pasur… Sipas ambjentalistëve vendas këto elementëtë fundit, në gjuhën e industrisë së turizmit, quhen nivele turistike, potenciale zhvillimi, flukse njerëzish të etur për të prishur euro dhe dollarë, stërlina angleze dhe franga zvicerane, në kërkim të autentikes, natyrores.

. Konflikti qytetar dhe shoqëror i Vlorës zbulon të paktën tre kundërshti kryesore – dhe shtron po aq çështje që kërkojnë zgjidhje, qoftë në planin e ideve dhe në atë konkret :
.
. – së pari, kundërshtia mes individit të ndjeshëm vlonjat, mbrojtës të vlerave autentike dhe trashëgimisë natyrore, dhe shoqërisë civile vendase, kësaj mase amorfe dhe indiferente. e cila rrallëherë ka mundur të ngrejë zërin dhe aq më pak t’i kundërvihet projekteve të tilla industriale, me rreziqe të dukshme ekologjike dhe me përfitime të dyshimta ekonomike.
.
. – së dyti, kundërshtia mes bashkësisë lokale po aq të ndjeshme vlonjate – të mbledhur nën hijen e flamurit të interesave vendore – dhe pushtetit qëndror, defiçitet kronike dhe mungesa e ndjeshme e fondeve të zhvillimit të të cilit e shtyjnë pashmangësisht drejt politikave të « dyerve të hapura » ndaj shoqërive të huaja që begenisin të investojnë në vend.
.
. – së treti, kundërshtia mes mendimit ekonomik lokal që kqyr zhvilimin perpektiv të zonës në lidhje të ngushtë me potencialet rrethanore – industrinë e turizmit – dhe një farë logjike të zhvillimit ekonomik kombëtar, i orientuar drejt përfitimit imediat, prioriteteve industriale me afatshlyerje të shpejtë dhe drejt koncesioneve pa kriter.
.
. Nën këtë kënd vështrimi, Vlora ka të paktën tre herë të drejtë.
.
.
. Njeriu « rrënues », bashkësia “e interesave” dhe qeverisja “e papërgjegjshme”.
.
. Megjithatë, përtej pranimit të bashkëegzistencës të të kundërtave si element përbërës i dialektikës, metafizikës i pëlqen të përsërisë se fakti se dikush ka të drejtë nuk mund të përdoret si argument i patundur i pohimit se, ndërkohë, dikush tjetër e ka gabim. Pra dashur pa dashur, gjendemi në qerthullin e racionalizmit relativ, i cili nënvizon se arsyeja qoftë individuale ose kolektive, qoftë edhe ajo e shoqërisë është e mjaftueshme për të krijuar ose mbrojtur vlera të qënësishme – pavarësisht faktit se bazat e arsyetimit të njerit ose të tjetrit mund të jenë të ndryshme, bile edhe antagoniste – gjithë duke paralajmëruar se as cilësia e arsyetimit as edhe numri i argumentave nuk na ruan nga gabimi.
. Me fjalë të tjera, në se racionalizmi i shtyn vlonjatët të ngulin këmbë në zhvillimin e turizmit si zgjidhje ekonomikisht të qëndrueshme – dhe njëkohësisht të hedhin poshtë industrializimin e zonës si të rrezikshme – është po i njejti racionalizëm që shtyn qeverinë të kërkojë zhvillimin e industrisë si zgjidhje të pëlqyeshme për vendin mbarë – dhe të “sakrifikojë” diçka nga vlerat e turizmit vlonjat si të pashmangshme. Si në njerin rast dhe në tjetrin, relativja lidhet me përmasën ose me “shkallën” dhe s’është aspak për t’u habitur në se efekti lokal i « të sistemit të mbyllur » bie ndesh me logjikën e ndërvarësisë dhe ndërveprimin e pashmangshëm të njësisë me tërësinë.
.
. 1. Sidoqoftë, edhe vlonjati më i zemëruar me pushtetin berishjan dhe plotësisht i bindur se natyra bujare e krahinës së tij bregdetare vlen një tog me para metalike të ndritshme ose një mal me para letër nuk është i gatshëm të jetojë si stërgjyshërit e tij pellazgë ose ilirë që ndriçoheshin me dritën e pishës, që udhëtonin në kurriz të mushkës ose që shkonin gjuanin dhinë e egër në Llogara – thjesht, për hir të ekologjisë. Sikundër edhe më të humburve të turistëve “elitarë”, dashnorë të natyrës, ju nevojitet ujë i rrjedhshëm për dushet e përditshme, rrymë elektrike për frigoriferin ose kondicionerin, benzinë për BMW ose Benzin, fruta-zarzavate të freskëta si dhe bukë e mish me bollëk – për të mos numëruar të tjera “dosmosdoshmëri” që vetëm industria e madhe, bujqësia e zhvilluar – pra teknologjia – mund t’ja sjellin pranë. Troç, çka i duhet Vlorës është deti i kristaltë, rëra e pastër, natyra e virgjër si edhe ushtria e turistëve elitarë (pa harruar edhe ujin e pijshëm me bollëk, rrymën elektrike pa ndërprerje, benzinën dhe naftën me cilësi dhe sasi). Sa për ndotjen dhe katastrofat ekologjike, atë le t’i vuajë dikush tjetër : Kukësi i vjetër i përmbytur nga ujrat e hidrocentralit të Fierzës, Kuçova që noton në gjole të naftës, Fieri që mbytet nga era e amoniakut të Azotikut, Lushnja që qelbet nga era e lopëve … bile edhe për rezervuarët e gazit dhe të benzinës, portet e mallrave, TEC-et me qymyr ose me mazut, ato le të ndërtohen kudo gjetkë, veç jo në Vlorë. Nga ato vise, kësaj i thonë: “larg bythës time..”.
.
. Ç’faj ka vlonjati në këtë mes? Asnjë faj, në qoftë se harrojmë se përpara se të jetë vlonjat, ai është qënie njerëzore dhe si e tillë, nga momenti që nënshtron natyrën për interesat e saj, ajo i shkakton asaj atentatin e parë dhe dëmin e fundit –shpesh të pariparueshëm.
. Edhe sikur të injorojmë thënien e Frederik Engelsit – dikur aq i studiuar nga shoqëria shqiptare dhe ajo vlonjate:
.
. […] Vetëm njeriu ka mundur të vulosë me aktivitetin e tij natyrën, jo vetëm duke shvendosur botën bimore dhe shtazore, por njëkohësisht duke ja shëndrruar pamjen, klimën e mjedisit jetues, bile edhe bimët dhe kafshët, dhe kjo në një pikë të tillë që pasojat e aktivitetit të tij nuk mund të zhduken veçse me zhdukjen e përgjithshme të globit tokësor (1).
.
. thjesht për faktin se emri i tij lidhet me një ideologji tashmë të tejkaluar, dhe si rrjedhim të papërshtatshme për t’u rikujtuar, le të kqyrim thënien e bashkëkohësit të tij, filozofit ekonomist Xhon Stuart Mill, i cili thekson se:
.
. […] të gjithë deklarohen si miratues dhe admirues të fitoreve të mëdha të artit mbi natyrën : bashkimin me urë të dy brigjeve, të ndara prej natyrës ; tharjen e kënetave natyrore ; gërmimin e puseve ; nxjerrjen në dritën e diellit të asaj ka natyra e kish groposur në thellësi të pamata nën tokë ; shmangien e rrufesë me anë të rrufepritses ; përmbytjet me anë të digave ; përmbajtjen e detit me anë të pendave. Por të lëvdosh këto arritje dhe të tjera të ngjashme, do të thotë njëkohësisht të pranosh që forcat e natyrës duhen nënshtruar dhe jo që t’u bindesh atyre ; të pranosh që forcat e natyrës shpesh gjenden në pozitën e armikut përballë njeriut, i cili duhet të përdorë forcën dhe zgjuarësinë për t’ju zhvatur atë pak çka mund për nevojat e tij ; dhe së fundi, të pranosh që njeriu meriton të duartrokitet kur ajo pakogjë që arrin të shkëpusë e tejkalon atë që mund të shpresonte falë dobësisë së tij fizike të krahasuar me ato forca gjigande. Çdo lajkë ndaj qytetërimit, ndaj artit ose shpikjeve s’është gjë tjetër veçse kritikë ndaj natyrës, pohim i faktit që ajo përmban papërsosmëri dhe që detyra dhe merita e njeriut qëndrojnë në kërkimin e vazhdueshëm për t’i korrigjuar ose për t’i zbutur (2).
.
. I takon çdo lexuesi të këtyre rreshtave të kërkojë dhe të gjejë adekuacionin mes vlonjatit ekologjist – mbrojtës i flaktë i të natyrës së Gjirit – dhe vlonjatit racional – ndërtuesit të godinave shumëkatëshe e rrugëve të betonta, bonifikuesit të kënetës, shfrytëzuesit të portit dhe të tjera burime detare.
.
. 2. Krejt natyrshëm, revolta e brendshme individuale u mishërua në lëvizjen popullore, objektivi i afërt i të cilës ishte ndalimi i punimeve në zonën e pyllit të Sodës dhe të Triportit. Duke i tërhequr vëmendjen pushtetit qëndror lidhur me mungesën e konsultimit të nevojshëm me bashkësinë lokale, “Aleanca” vlonjate e udhëhequr nga të zgjedhurit bashkiakë, ngre njëkohësisht edhe një problem të qënësishëm dhe principal të vetë demokracisë, fort pak të rrahur nga shoqëria e sotme shqiptare – fuqinë vendimmarrëse vendore, të shprehur me anë të referendumit lokal, megjithë mungesën e dukshme të bazës ligjore ose kushtetuese (3).
. Në të vërtetë bëhet fjalë për raportet mes pushteteve (qëndror dhe lokal) si dhe për ndarjen e kompetencave qeverisëse ; me një fjalë për decentralizimin demokratik, i cili nuk mund të administrohet në interes të bashkësisë vlonjate me mjetet ligjore aktuale. Pasi, ky decentralizim i kompetencave vendimmarrëse s’mund të konceptohet jashtë decentralizimit të buxhetit dhe të mjeteve të tjera financiare, të domosdoshme për të siguruar edhe efektivitetin e vendimit. Me fjalë të tjera, nuk mjafton të vesh veton ndaj një vendimi të qeverisë qëndrore, në emër të interesave vendore, pa qenë në gjendje të japësh edhe alternativa të qëndrueshme dhe realiste drejt zhvillimit lokal – si edhe të garantosh mjetet financiare të nevojshme në mbështetje të këtij zhvillimi.
. Edhe në këtë rast të fundit, problemi mbetet i hapur ndaj debatit pasi kalimi i kompetencave vendimmarrëse autoriteteve lokale dhe me këtë rast, përdorimi i referendumeve vendosëse me pjesëmarrjen e popullatës lokale, presupozon që pushteti qëndror duhet të heqë dorë vullnetarisht nga një sërë prerogativash të natyrës politike, dhe ç’është më e rëndësishmja, të braktisë plotësisht politikën e tij ekonomike. I mbetur nën mëshirën e pushtetit vendor dhe i kërcënuar në çdo moment nga referendumet lokale vendosëse, në ç’mënyrë ky i fundit mund të vendosë për ngritjen e një fabrike çimentoje në Vorë ose në Fushë Krujë ? të një hidrocentrali në Gramsh ose të një termocentrali në Fier ? të një rruge në Pukë ose të zgjerimit të portit në Sarandë ?
. Bile, edhe vetë pushtetet vendore mund të gjenden në vështirësi bile edhe të paralizohen nga vendimet e sivëllezërve të tyre : çfarë duhet të thotë “qeveria vendore e Vlorës” në qoftëse simotra e saj e Fierit të vendosë papritur e papandehur – me anë të një referendumi të fierakëve – të bllokojë qarkullimin e automjeteve në rrugën kombëtare diku në Levan, për hir të “mbrojtjes së pasurive natyrore të jashtëzakonshme të rrethinave të qytetit” ? ose, sikur simotra e saj e Tepelenës të vendosë – gjithmonë me anë të referendumit të tepelenasve – ndalimqarkullimin e kalimit mbi Vjosë, për të “ruajtur pastërtinë e paçmuar të natyrës” ?
.
. Forma e re e demokracisë, e propozuar në Vlorë – demokracia pjesëmarrëse e bashkësisë aktive – mund të egzistojë dhe të zbatohet vetëm në kushtet e pranimit të një kompromisi : ai i martesës së interesave të individit, të bashkësisë lokale dhe të kombit, që vetëm një demokraci e begatë, e ndërgjegjshme dhe respektuese e Ligjit mund t’a premtojë. E thënë ndryshe : çdo propozim qeveritar duhet të karakterizohet nga fryma e maturisë dhe e konsultimit paraprak me autoritetet vendore, sikundër çdo vendim lokal duhet të mbajë vulën e marrëveshjes mes interesave vendore dhe atyre kombëtare.
.
. 3. Cila do të jetë rruga e zhvillimit të ardhshëm të vendit ? Mbi ç’kritere duhet të mbështetet zgjedhja e saj harmonike, me qëllim që të sigurojë mirëqenien e mbarë popullit, të bashkësisë lokale dhe të individit : shfrytëzimi kapaciteteve bujqësore dhe blegtorale, i pasurive minerale apo i shërbimeve dhe i turizmit ? Kryesisht i njërës prej tyre apo pak nga të gjitha ?
. Cilido prej tyre qoftë, nga momenti që ato karakterizohen nga fitimi material, ato nuk mund të zbatohen pa cënuar mjedisin, natyrën dhe në një perspektivë afatgjatë, interesat e vetë njerut – të njerëzimit mbarë. Edhe në këtë rast, shprehja më e përshtatshme për zbatimin e një politike të mençur mbetet kompromisi. Pasi, çdo zgjidhje që mban epitetin tekniko-ekonomik, s’është gjë tjetër veçse lëshim, përllogaritje e fitimit dhe e humbjes, çështje paresh… dhe jo thjesht çështje teknologjike. Aq më keq, kur politika del në rradhë të parë, ajo i imponon logjikën e vet ndaj ekonomisë e cila përmason teknologjinë – dhe cënon rëndë mjedisin.
. Të gjitha veprat industriale të kohës së komunizmit (Metalurgjiku i Elbasanit dhe Ferrokromi i Burrelit, Superfosfati i Laiçt dhe Azotiku i Fierit, Soda e Vlorës dhe Rafineria e Ballshit, Pasurimi i hekurit të Gurit të Kuq dhe Shkrirja e Bakrit të Rubikut….) mbajnë vulën e politikës dhe dëshmojnë për nënështrimin e plotë të ekonomisë ndaj përparësive, të përcaktuara arbitrarisht nga pushteti qëndror. Nëse përmbysja e raporteve shoqërore dhe ripërcaktimi i përparësive hapi një epokë të re dhe krijoi shpresën e ripërmasimit ekonomik, kjo nuk do të thotë ende se ekonomia shqetësohet automatikisht lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe përdor një teknologji adekuate dhe respekuese. Përndryshe, si shpjegohet ndotja e mjedisit në vendet e zhvilluara perëndimore që karakterizohen nga qeverisje demokratike, mobilizimi i shoqërisë në mbrojtje të tij dhe militantizmi i të Gjelbërve ? Në këtë rast, ajo çka më sipër u quajt kompromis nënkupton një lëshim reciprok, të moderuar nëpërmjet reflektimit afatgjatë :
.
. nga njera anë, industria premton zbatimin e teknologjive të reja dhe investimin e fondeve për kufizimin e ndotjes së mjedisit ose për riparimin e dëmeve të shkaktuara dhe nga ana tjetër, shoqëria pranon cënimin e kufizuar të natyrës – me shpresë se kjo e fundit zotëron vetinë e ripërtëritjes dhe të vetëriparimit.
.
. Mes dy palëve qëndron në ekuilibër – shpesh të paqëndrueshëm – pushteti demokratik që luan njëkohësisht rolin e moderatorit dhe të arbitrit, të gjykatësit dhe të bankierit, duke përkrahur dhe nxitur qoftë kërkimin shkencor qoftë edhe atë çka quhet zhvillim i qëndrueshëm.
.
.
. Post-modernizëm apo post-industrializëm ?
.
. Hezitova shumë për të zgjedhur cilësorin që i përshtatej më tepër metafizikës sime të rradhës : post-moderne, post-industriale… Përtej kundërvënies së natyrshme të termave qëndron së pari një koncept, një përfytyrim i së kaluarës por edhe ai i të sotmes. Për dekada me rradhë, ne ishim mësuar të me një racionalizëm absurd dhe të pashpirt : ai i pushtetit komunist që shprehej si një tërësi koherente, i përbërë nga elementë ngushtësisht të ndërlidhur – një kulturë e tërë. Elementi i parë ishte ideja se shoqëria nuk duhej të udhëhiqej nga zakonet, nga privilegjet dhe nga pabarazia sociale, por nga Ligji i barazisë së masës dhe i nënshtrimit të saj ndaj projektit shoqëror të ndritur. Elementi i dytë ishte se individi nuk duhej të qeverisej nga autoriteti moral, fetar, familiar por që ai duhej t’i bindej një autoriteti të ideologjisë, të arsyes partiake, i cili jo vetëm duhej të kanalizonte pasionet por edhe përmasonte vetë njeriun. Së fundi, që natyra dhe vetë shoqëria udhëhiqeshin nga ligje shkencore, të afta të parashikoheshin dhe të përshkruanin botën rrethuese. Shkurt, ishte imponuar ideja e një bote unike ku individi, shoqëria dhe mjedisi ishin në korrespondencë dhe në përputhje të plotë.
. Sot ky model gjendet në krizë të plotë pasi bota e arsyes kqyret si e shpërbërë – nga njera anë gjendet bota e sendeve, e teknikave, e tregjeve, e sistemeve të shpërndarjes, e informacionit dhe nga ana tjetër, bota e individit – e individëve – i cili megjithëse shfaqet si një konsumator i thjeshtë mes një bote në lëvizje të vazhdueshme, nuk mund të injorojë identitetin e tij, forcën e bashkësisë si dhe traditat, fenë, etninë, kombin – këto përkatësi të vërteta dhe të imagjinuara – dikur në zhdukje për hir të racionalitetit, por që sot paraqiten si të vetmet vlera të qëndrueshme.
. Falimentimi i sistemeve dhe fragmentimi i botës përputhet me tejkalimin e vetë metodës së përvehtësimit të natyrës në shërbim të njerëzimit: koncepti i ekonomisë industriale u zëvendësua nga ai post-industrial, modernia u shëndrrua në post-moderne. Me fjalë të tjera, prodhimi i madh i mbështetur mbi bujqësinë dhe industrinë i le vendin sektorit të shërbimeve, zhvillimi tërhiqet gjthnjë e më tepër nga parametrat e rritjes, krijimtaria dhe informacioni shëndrrohen në “lëndët e para” të ekonomisë bashkëkohore (ekonomia e dijes) ndërkohë që kapitali më i kërkuar është ai i mendjes. Karakteristika e fundit e metodës tonë është tendenca e pashmangshme drejt zhvillimit të qëndrueshëm, e shprehur mes të tjerash nëpërmjet përgjegjësisë shoqërore ose të grupit – si është ndoshta ai i « Aleancës për mbrojtjen e Vlorës ».
.
. Cili nga këta cilësorë i pêrshtatet mê mirë rastit tonë? Më mjaftoi leximi i një shkrimi të këngëtarit të shquar Zhilberto Zhil, për të kuptuar se më fatlumi ishte bash post-vlonjate. Në një intervistë të tij, të dhënë gazetës franceze « Lë Figaro », Ministri-këngëtar brazilian i Kulturës shpreh bindjen se horizonti i së ardhmes quhet : « globalizëm »+ « lokalizëm » = « globalokalizëm ». Paçka se mes këtyre koncepteve ngëthehet politika dhe ekonomia, fshihen bota e teknikës dhe ajo e subjektivitetit njerëzor.
. Në këtë mënyrë, Vlora jonë rend drejt njejtësimit me atë çka e përbashkon me botën – me globalen – duke ruajtur një përmasë të vetën karakteristike – lokale.
.
. Ç’është e drejta, Vlora asnjëhere nuk ka mundur të gjejë vendin e vet në modernizëm : kryeqytet efemer i Shqipërisë qemaliste, koloni e parakohshme e Italisë pre-fashiste, aq pro-komuniste sa edhe pro-balliste, rezervat i fjetur enverist, provincë e largët anti-berishjane… Atëhere, ajo gjeti mënyrën e vet për t’a tejkaluar këtë problem : ajo u shëndrrua në post-moderne para se të bëhej moderne. Këtu qëndron edhe forca vlonjate : e aftë t’i përshtatet realitetit global, gjithë duke imponuar veçorinë e saj aq karakteristike. Ndërkohë që simotrat e saj përpiqen të quhen moderniste, Vlora është e detyruar të vrapojë përpara. E detyruar të kërkojë udhën e saj – aq larg shkëlqimit dhe tangërllëkut të metropolit – ajo eksperimentoi fillesat e asaj ideje që ende në vend nuk guxohej të quhej post-modernizëm.
. Ja përse Vlora përbën edhe një model të ri për t’u marrë shembull, për t’u kopjuar. Nuk bëhet më fjalë për një pushtet, të bazuar mbi traditën luftarake, mbi fuqinë trafikuese ose edhe kapacitetet intelektuale, por thjesht mbi fuqinë për të tërhequr tjetrin, aftësinë e saj ndjellëse – fuqinë e saj qytetare. Duke e karikaturuar, kjo fuqi mund të përshkruhet si një lloj kolonizimi civil i mbarë vendit, sa tronditës aq edhe mësimdhënës.
. Duke perifrazuar rishtas braziljanin, kam dëshirë të theksoj se përshtypja që krijoi përçapja vlonjate në vend është kuptimplotë : ajo pati diçka të vetën për t’ju thënë të tjerëve, për të përcjellë, për t’ju mësuar. Dikur, modelet e ndikimit të metropolit mbi provincën ishin ato të forcës, të ligjit, të pragmatizmit qoftë edhe të lëmoshës. Në të kundërt, modeli i Vlorës është ai i idesë, i ëndrrës, i dëshirës që shembulli i saj t’i imponohet mbarë Kombit jo më si një forcë klasike por si një forcë integruese, paçka se ideali i post-modernizmit në aspektin e vet të eko-mjedisit të Gjirit mund të paraqitet po aq rrënues sa edhe ai i industrializmit në variantin e uzinës së sodës Kaustike.
.
. Pasi, varfëria e dikujt është një lluks që jo gjithkush mund t’ja lejojë vehtes.
.
. —————————–
.
.
. (1) Friederich Engels – Le rôle du travail dans la transformation du singe en homme. shih : http://abu.cnam.fr/cgi-bin/go?roletrav2.
.
. (2) John Stuart Mill – La Nature, ed. La découverte, Paris 2003.
.
. (3) Lidhur me bazën ligjore dhe kushtetuese tê referendumit vendor shih mes të tjerash : ligjin Nr.8652, i datës 31.07.2000 “Mbi organizimin dhe funksionimit e qeverisjes vendore”, Kodin Zgjedhor të Republikes së Shqipërise (ligji Nr.9087 i datës 19.06.2003 dhe ndryshuar me ligjin Nr.9297, date 21.10.2004, ligjin Nr.9341, date 10.01.2005, ligjin Nr.9371, date 14.04.2005 dhe Ligjin Nr.9676, date 13.10.2007), si edhe “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë » e vitit 1998.

3 Përgjigje te Metafizikë « globalokaliste » post-vlonjate

  1. Selfmaderadio thotë:

    Ndosht post-modernizmi ka qene gjithmone mes vlonjateve. Pa kete predispozite, shoqeria civile nuk do e kishte gjetur dot rrugen per ne Vlore. Ashtu sic nuk e gjen rrugen ne qytetet e tjera.

  2. N.Ago thotë:

    Si gjithnjë, i kujdesshëm dhe informues!
    Të përgëzoj për këmbënguljen!

  3. Selfmaderadio thotë:

    globalokaliste = postglobaliste?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: