Kosovë mon amour (4) – Nën magjinë e Rugovës.

.
. Në çfarë mase pasqyrohet e vërteta në këtë mënyrë të të shkruari të historisë, të prezantuar nga specialistët serbë ? Zaten, cili prej tyre po shqetësohet për të vërtetën nga momenti që metoda e përdorur ja ka arritur qëllimit të saj : të paralajmërojë opinionin e vet publik që faktori shqiptar i Kosovës është me origjinë alogjene – i ardhur gradualisht nga Shqipëria fqinje. Lidhur me shqiptarët, mendimi serb është tejet i kjartë : duke bashkuar traditën patriarkale, obskurantizmin fetar mysliman dhe nacionalizmin e brendshëm, kjo popullsi « e huaj » gjithmonë ka synuar të shtjerë në dorë krahinën – nëpërmjet blerjes së tokave, nëpërmjet një përputhje interesash të rastit me autoritetet komuniste titiste dhe së fundi, nëpërmjet një politike të qëllimshme të shtimit demografik.
.
. Përveç shprehjes të një përçmimi dhe përbuzjeje të thellë ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë – një opinion unanimisht i përndjerë mes serbëve – një mënyrë e tillë e të trajtuarit të të kaluarës përputhej me interesat e diktuara nga e tashmja : t’ju kujtonin të gjithë atyre që e kishin harruar dhe t’ju mësonin të gjithë atyre që ende nuk e kishin kuptuar se kush ishte armiku që duhej hequr qafe në Kosovë. Kështu, nuk ishte e mundur të çrrënjosej nacionalizmi shqiptaromadh, ky burim i të gjithë të këqiave, përderisa mbetej qoftë edhe një këmbë shqiptari në vend – gjithësesi i huaj megjithëse përbënte shumicën, mysliman i pabesë dhe folës i një gjuhe barbare jo-sllave, fort i ri në moshë dhe armik i betuar i pushtetit serb.
.

. Duke vënë në këtë mënyrë « objektivitetin » e historisë në shërbim të objektivave të pushtetit, historianë serbë dhanë kontributin e tyre patriotik në ngritjen e një miti të ri : Millosheviçit. Në këtë rast, Millosheviçi s’ish gjë tjetër veçse shpata e ofruar nga vetë fati, shprehja e faktit që durimi i serbëve kish mbrritur kufijtë e tij më të dhimbshëm.
. Në se duam të pranojmë idenë e hedhur nga analistët politikë të asaj kohe që Serbia e Millosheviçit ishte angazhuar në një proces natyror të rindërtimit kombëtar, plotësisht të justifikuar nga pikpamja historike, të nevojshëm nga pikpamja morale dhe të pashmangshëm në lidhje me fatin e këtij populli, nuk duhet të habitemi në qoftë se – nëpërmjet një efekti domino, procesi në fjalë të shkaktonte një homogjenizim kombëtar të të gjithë popujve të tjerë jugosllavë. Në një Shtet me popullsi të përziera në mënyrë pothuaj të pandashme, ky riqendërzim nacionalist drejt njejtësimit etnik nuk mund të çonte tjetërkund përveç një drame (1).
. E kqyrur nën këtë kënd vështrimi, përgjegjësit e kësaj tragjedie të vërtetë që goditi Jugosllavinë posttitiste të viteve nëntëdhjetë dhe që morri jetën e qindra mijra vetëve duheshin kërkuar gjetkë dhe jo mes rradhëve të atyre që e ndezën : fillimisht ishte rregjimi titist i cili e përgatiti – duke manipuluar bombën e konflikteve kombëtare ; në vijim, ishte pesha e kulturave të cilave ju mungonte pjekuria e duhur dhe toleranca politike – të ardhura nga thellësitë otomane dhe ballkanike ; ishte trashëgimia ideologjike e komunistëve – që kishin riprodhuar variantin kroat të jugosllavizmës, federaliste dhe egalitariste në përmasat e një vendi të tërë (2). Sidoqoftë, duke zbritur në terrenin konkret të Kosovës, debati historiografik në vlim derdhej përtej kornizës akademike dhe propozonte një linjë aksioni që synonte në rradhë të parë procesin e « shqiptarizimit » të krahinës dhe çfaqjet e tij më të dukshme : boom-in demografik, tensionet sociale, aspiratat kombëtare. Në shënjestër të ketyre luftëtarëve qytetërues ishte tashmë inteligentsia kosovare, përfaqsuesi i përsosur i të cilit paskish qenë
. « një lloj i veçantë gjysëm-intelektuali, i aftë për të absorbuar një numër të ngushtë idesh, të kufizuara nga horizonti kombëtar dhe modeli ideologjik i Shqipërisë, të cilat i pranon pa mundur të zhvillojë asnjë sens kritik ndaj origjinës së tyre » (3).

. Duke parë « dashamirësinë » me të cilën intelektualët serbë trajtonin të ngjashmit e tyre kosovarë, nuk duhet të habitemi aspak në qoftë se Universitetit të Prishtinës do të detyrohej të mbyllte dyert (4). Në të vërtetë, reaksioni i parë erdhi nga pararoja e intelektualëve – të zgjedhurit krahinorë. Në 2 korrik 1990, një grup prej 114 deputetësh nga 183 që përmbante Kuvendi krahinor i Kosovës, u mblodh përpara godinës së këtij Kuvendi dhe aprovoi një rezolutë që shpallte « Republikën Jugosllave të Kosovës ». Tre ditë më vonë, Beogradi u përgjigj duke shpërndarë Kuvendin si dhe duke shkarkuar qeverinë krahinore. Pjesa më e madhe e deputetëve të vjetër u mblodh rishtas kësaj here në Kaçanik dhe në 7 shtator 1990 aprovoi një Kushtetutë të re e cila shpallte Republikën e Kosovës në gjirin e Jugosllavisë. Një vit më vonë ideja e republikës ishte zhvilluar më tej : ndërmjet 26 dhe 30 shtator 1991, 87% e zgjedhësve të krahinës pjesëmorrën në një referendum klandestin që shtronte pyetjen lidhur me « pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës ». Përgjigja ishte unanime me 99,7% të të shprehurve. Në 19 tetor 1991, Kosova u vetëshpall « Shtet sovran dhe i pavarur ».
. Ky zhvillim i ri në jetën politike dhe shoqërore të krahinës vinte si pasojë e daljes në plan të parë të një brezi të ri të elitës kosovare që ish shkëputur nga rradhët e nomenklaturës së vjetër komuniste. Në pjesën më të madhe të saj, produkt i pastër i Universitetit të Prishtinës dhe e grupuar rreth qarqeve kulturore si Shoqata e Filozofëve dhe Sociologëve ose Lidhja e Shkrimtarëve, kjo klasë e re politike gjeti përfaquesin e saj të përsosur në figurën e Ibrahim Rugovës.
.
. I lindur në Istog, në gjirin e një familjeje të parisë fshatare, fëmijëria e tij u vulos nga humbja e gjyshit dhe e babait, të egzekutuar nga komunistët që në ditët e para të vendosjes së rregjimit të ri. I mbrojtur fort nga struktura familjare për të mos thënë i përkëdhelur si djalë i vetëm që ishte, ai zbret në Pejë për të kryer shkollën e mesme dhe më pas në Prishtinë ku vazhdon studimet universitare. I shtënë pas Sartrit dhe Levi-Strausit, letrari i ri hyn në gazetari përpara se të bëhet asistent – kërkues pranë Institutit të Albanologjisë të Prishtinës. Në qoftë se « fillimet » e tij në politikë kryhen në Prishtinë – ku edhe pranohet në rradhët e Lidhjes Komuniste Jugosllave, qëndrimi në Paris (1976 – 1977) përbën edhe kthesën e madhe në jetën e tij : stazh studimesh në EPHE (Shkolla Praktike e Studimeve të Larta), leksione në Sorbonë. Aty, ai mëson çka don të thotë të jesh i lirë ndërkohë që zbulon – sipas fjalëve të tij – që ndërkohë është « infektuar » nga demokracia.
. Me t’u kthyer në Kosovë, ai i kushtohet rishtas kërkimeve dhe diplomohet Doktor në Filozofi përpara se të zgjidhet President i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1988. Nënshkrues i « Thirrjes së Intelektualëve të Kosovës » kundër ndrrimit të statusit të krahinës autonome, ai përjashtohet nga rradhët e LKJ. I gëlltitur nga lëvizja e protestave, Rugova pranoi të vihet në krye të Lidhjes Demokratike si President i saj. Kështu, nxënësi i drojtur i Bartès, adepti i strukturalizmit, u thirr që të ristrukturonte të ardhmen e Kosovës.
.
. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Rugovës dallohej në mënyrë të ndjeshme mes strukturave të tjera politike të porsalindura. Duke zotëruar tërësisht votimet klandestine të 24 majit të vitit 1992, ajo dominonte « Parlamentin » sikundër dhe « qeverinë » klandestine. Diçka në mes të një partie politike dhe një lëvizje popullore, sikundër dhe Solidarnost i Lesh Valesës, ajo mund të mburrej me numrin jashtëzakonisht të madh të antarëve të saj (gati 800.000 vetë sipas burimeve të brendshme të saj), gjë e cila i lejoi të luante një rol të pazëvendësueshëm në pejzazhin politik të krahinës. Duke ndjekur një strategji të rezistencës pasive por të vendosur kundër pushtetit serb, Rugova u mundua të predikonte një zhvillim gradual dhe një opozitë pa dhunë të shoqërisë kosovare, qëllimi përfundimtar i të cilës ishte fitorja e pavarësisë. Ai, të cilin shpesh e kanë krahasuar me Gandin, gjithmonë ka besuar se bojkotimi i organizuar i institucioneve qëndrore, i shoqëruar me një përpjekje të njohjes ndërkombëtare të gjendjes së Kosovës do të përbënin argumenta madhorë në sytë e fuqive perëndimore me qëllim që problemi i Kosovës të mos mbetej një çeshtje e brendshme e Serbisë. Kështu, nëpërmjet forcës së veprimit dhe vazhdimësisë së aksionit, krahina do të fitonte njohjen unanime të vendeve të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në sfondin e dekadencës dhe të shkatërrimit të Serbisë.
.
. Të gjendur përballë terrorit politik, të ndjekur nga dhuna fizike dhe morale e ushtruar nga policia dhe ushtria serbe, kosovarët mbetën në kuadrin e mosbindjes civile. Ata gjetën mënyrat për t’u organizuar një shoqëri të vërtetë paralele : një sistem i nëndheshëm arsimor, i shëndetsisë dhe shërbime të tjera sociale u vunë në punë, të financuara në pjesën më të madhe nga një « tatim revolucionar » prej 3% mbi të ardhurat e familjeve kosovare si dhe mbi pasurinë e kosovarëve jashtë vendit. Këto shuma mblidheshin nga fondacioni « Vendlindja Thërret » në dobi të qeverisë Bukoshi në mërgim.
. Ndërkohë që, nëpërmjet mediave, bota mbarë zbulonte dhe duartrokiste këtë filozofi jo të dhunshme – kaq të pazakontë dhe të arsyeshme në krahasim me realitetin e përgjakshëm të pastrimit etnik në Bosnje, njohja ndërkombëtare e « Republikës së Kosovës » nuk avanconte pothuaj fare. Përveç qeverisë të Tiranës që e njohu zyrtarisht që në muajin shtator 1991, reaksionet e kryeqyteteve evropiane luhateshin mes atij të Presidentit kroat Tuxhman që e cilësonte Kosovën si një problem të brendshëm të Serbisë dha asaj të Bashkësisë Evropiane që hidhte poshtë kërkesën e shprehur nga ana e Rugovës. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesnin politikën e rezistencës pasive të Rugovës ndërkohë që linin në heshtje çështjen e « Republikës së Pavarur », e asaj demokracie fantazëm hieja e të cilës qëndronte mbi krahinë (5). Në të kundërt, të gjithë qeveritë dhe personalitetet politike shprehnin të njejtat këshilla : nxitje e dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve, mbrojtje e të drejtave të njeriut, ngritje e një shtypi të pavarur dhe vendosje e një sistemi të monitorimit ndërkombëtar për të vrojtuar progreset e arritura në vend (6).
.
. Fundi i krizës boshnjake tregoi fare qartë që e ardhmja e Kosovës nuk i interesonte gati fare kancelarive evropiane. Duke u mbështetur fort mbi Republikën Sërbska të Bosnjë-Herzegovinës, Millosheviçi vuri veton kundër çdo diskutimi të mundshëm të problemit të Kosovës gjatë marrëveshjes së Dejtonit në nëntor të vitit 1995, e megjithatë ai arriti të fitojë mirënjohjen e diplomatëve dhe të qeverive perëndimore të cilët e vlerësuan si një garant të « ruajtjes së paqes » në rajon. Kjo shtyrje sine die e problemit kosovar, që në një farë mënyre shprehte pranimin për të mos thënë aprovimin e kontrollit të plotë serb mbi krahinë, ishte një goditje tepër e rëndë për Rugovën dhe për politikën e tij. Ishte njëkohësisht edhe një llogaritje fort e gabuar nga ana e bashkëbiseduesve perëndimorë të cilët me sa duket injoronin plotësisht potencialin shkatërrues të Kosovës mbi të ardhmen e Ballkanit. Gjithnjë e më tepër, u ngritën zëra të ndryshëm – nga e majta, e djathta bile edhe në gjirin e vetë Lidhjes – që denonconin kotësinë e rezistencës pasive. Edhe ajo iniciativa befasuese e ndërmarrë në shtator të vitit 1996 nga ana e Presidentit klandestin kosovar për të negociuar me Presidentin e zgjedhur serb një marrëveshje lidhur me arsimin publik në Kosovë përfundoi si mos më keq : vetëm disa muaj pas nënshkrimit të saj, çdokush kuptoi që qëllimi i vetëm i Millosheviçit kish qenë diskretitimi i Rugovës.
. Përgjatë këtyre viteve të rezistencës pasive, situata ekonomike e krahinës ishtë bërë e padurueshme : gjatë periudhës 1991 – 1992, parlamenti i Beogradit kish aprovuar 371 rezoluta që synonin marrjen e « masave të përkohshme që synojnë mbrojtjen sociale dhe të drejtat të vetëadministrimit në kolektivat punonjëse » të Kosovës (7). Në rrafshin praktik, udhëheqësit ekonomikë të krahinës ishin të detyruar t’ju lëshonin vendin administratorëve të « përkohshëm » – të mbiquajtur « drejtorë të dhunshëm » nga ana e shqiptarëve. Kështu, falë një ligji « mbi marrëdhëniet mes rrogëtarëve në situata të jashtëzakonshme », këta drejtues të veshur me të drejta speciale të menaxhimit – në rrafshin « e statusit dhe të marrëdhënieve të punës » dhe veçanërisht përsa i përket « personelit të pajtuar në punë » – mund të pushonin në vend çdo punonjës të konsideruar si të dëmshëm ose të rrezikshëm, pa marrë mendimin paraprak të sindikatave ose të këshillave vetëadministrues të ndërmarrjeve. Praktikisht, aplikimi i këtyre kompetencave çoi në pushimin nga puna të 145.000 rrogëtarëve me origjinë shqiptare. Sipas statistikave të Ministrisë serbe të industrisë, rreth 253 ndërmarrje kosovare që i përkisnin sektorit të « mbrojtur nga ana sociale » – ose ndryshe 90% e ekonomisë kosovare, ju nënshtruan procedurave të privatizimit, përfituesit direktë të të cilave ishin rrogëtarët e mbetur në vendet e punës, pra serbët. Ndërkohë, ndërmarrjet e mëdha siç ishte rasti i Kosovar Telekom, minierat e Trepçës ose të tjera uzina të ferronikelit ju shitën sipërmarrësve të huaj (grekë, italjanë ose gjermanë).
. Në një rrafsh tjetër, ai i administrimit dhe i ndarjes territoriale, rregjimi i Millosheviçit kish ndërmarrë rishikimin e rrjetit politiko-administrativ të krahinës me qëllim ngritjen e komunave të reja në përputhje me grupimet pak a shumë homogjene të popullsisë serbe, deri atëhere e tretur në masën e popullsisë shqiptare. Mund të përmendet rasti i Zubin Potokut, i ndarë nga Mitrovica, i Shtërpces të ndarë nga Uroshevaci ose ai i Kosovo-Poljes e ndarë nga Prishtina. Ky veprim ilustron idenë e krijimit të bazave të mbështetjes në rast konflikti për të mos thënë baza të nguljes në rast disfate (8).
.
. Ngjarjet e vitit 1997 treguan se shoqëria kosovare ishte përfshirë në një proces reflektimi të thellë dhe kish filluar të braktiste përkushtimin e saj pa rezerva ndaj optikës Rugova. Politikisht i dobësuar nga grindja me Bukoshin – padroni i egzekutivit kosovar dhe rojtari i « thesarit të qeverisë », udhëheqësi suprem i LDK u izolua gjithnjë e më tepër. Dinamika e ngjarjeve filloi të tejkalonte veprimin politik ndërkohë që ai u detyrua të pranonte largimin e një pjese të shokëve të tij të udhës, të cilët denonconin hegjemoninë dhe monolitizmin e Lidhjes. Mes atyre që u larguan, kryetari i partisë Parlamentare të Kosovës (PPK), radikali Adem Demaçi (9) – Mandela i Kosovës – ishte nga të parët që mbështeste tezën e një përplasjeje direkte dhe të armatosur me pushtetin qëndror. Ideja e braktisjes së rezistencës pasive bëri udhë dhe u adoptua nga përfaqsuesit e Lëvizjes Studentore dhe së fundi nga vetë Rexhep Qosja, përfaqsuesi i Lëvizjes Demokratike të Bashkuar. Këto forca të reja në rrafshin e ideve që përçonin, megjithse mbeteshin minoritare nga pikpamja numerike, bënë që LDK të mbetej në hullinë e pakënaqsisë popullore, të manifestimeve studentore dhe veçanërisht të aksioneve të armatosura kundër serbëve (10), të kryera nga një misterioze « Ushtri Çlirimtare e Kosovës ».
. Përfundimisht, ngjarjet e dhunshme të pranverës të vitit 1997 në Shqipërinë fqinje i shkëputën Rugovës miqësinë e çmuar të Presidentit Berisha, një nga mbështetjet e tij më të sigurta. Humbja personale e pësuar nga Presidenti shqiptar si dhe disfata politike e lëvizjes së tij demokratike minuan pozitat e lëkundura të Presidentit kosovar, ndërkohë që shpërthimi i zemërimit popullor dhe plaçkitja e kazermave të ushtrisë popullore shqiptare vuri në « treg » një sasi të pallogaritshme armësh të të gjitha kalibrave – të vlerësuara nga vëzhguesit mes 750.000 dhe 1.000.000 copë – një pjesë e mirë e të cilave morri rrugën e Kosovës. Ekipi i ri qeveritar socialist i Tiranës shprehu menjëherë qëllimet e veta për të ndjekur një politikë ballkanike të ndryshme në krahasim me atë të pararendësve të tij, prologu më domethënës i të cilës ishte takimi «i përzemërt » mes Nanos dhe Millosheviçit në Kretë në nëntor të vitit 1997, në prapaskenat e Konferencës të kryetarëve të vendeve ballkanike.
.
. ———————-
.
.
. (1) Dušan T. BATAKOVIĆ – Yougoslavie : nations, religions, idéologies. Éditions L’Age d’Homme, Lausanne, Suisse, 1994.
.
. (2) Dusan T. BATAKOVIC — Kosovo à l’époque titiste : entre nationalisme et communisme – Kosovo, Les Annales de l’Autre Islam, nº 7, INALCO – ERISM, Paris, 2000.
.
. (3) Dušan T. BATAKOVIĆ– Kosovo Chronicles. Ed Plato, Beograd 1992.
.
. (4) Në gusht 1991, 430 profesorë shqiptarë të këtij Universiteti u pushuan nga puna. Muajin në vijim, i erdhi rradha 6.000 mësuesve të të gjitha niveleve që të braktisnin vendet e tyre të punës si pasojë e refuzimit të tyre për të aplikuar programet shkollore të përgatitura nga Beogradi. 350.000 fëmijë mbetën në këtë menyrë në rrugë, të përjashtuar faktikisht nga sistemi i arsimit publik, tashmë i zhvilluar vetëm në gjyhën serbo-kroate. Shih : Pierre CABANES, Bruno CABANES – Passions Albanaises, de Berisha au Kosovo, Ed. Odile Jacob, Paris 1999.
.
. (5) Disa zëra serbe, që vijnë nga kampi i disidencës demokratike, mbështesin idenë se Millosheviçi i kish duart e lidhura në Kosovë për shkak të presionit amerikan. Gjithmonë sipas tyre, në vigjilje të Krishtlindjeve 1992, Shtëpia e Bardhë kish dërguar një telegram « tepër të thatë » udhëheqësit serb, duke e paralajmëruar mbi faktin se Shtatat e Bashkuara ishin gati të përdornin forcën në qoftë se një konflikt do të shpërthente në Kosovë me iniciativën e serbëve. Shih : Stanko CEROVIC – Dans les griffes des humanistes, Éd. Climats, Castelnau-le-Lez, 2001.
.
. (6) Megjithatë, Rugova kish avancuar tre « propozime » lidhur me të ardhmen afatmesme të shqiptarëve në ish-Jugosllavi : 1) në rast të mos ndryshimit të kufijve mes Republikave të ish-Jugosllavisë : një Kosovë të pavarur, sigurinë për shqiptarët e Maqedonisë që të njiheshin si komb konstruktiv dhe për shqiptarët e Malit të Zi dhe të Serbisë së jugut, një vetëadministrim. 2) në qoftë se këto kufij do të ndryshonin : krijim i një republike që do të gruponte të gjithë shqiptarët e ish-Jugosllavisë. 3) në qoftë se kufijtë ndërkombëtarë do të ndryshonin : një bashkim me Shqipërinë. Shih : Ibrahim RUGOVA – ibidem.
.
. (7) Frank MUENZEL – What Does Public International Law Have to Say About Kosovar Independence? University of Goettingen Law Faculty, Max-Plank-Institut fur Auslandisches und Internationales Privatrecht, Hamburg, September, 1998.
.
. (8) Që në vitin 1995, ideja e një konflikti ushtarak në Kosovë kish filluar të përpunohej në shpirtin e evropianëve. Kështu, përgjegjësit e UNHCR në Shqipëri punonin mbi hipotezën e një vale rrefugjetësh me origjinë nga Kosova, duke parashikur në këtë rast një kapacitet pritjeje prej 40.000 vetësh. E megjithatë, në këtë kohë askush nuk ish në gjendje të parashikonte lindjen e një lëvizjeje çlirimtare në vend. Shih : Michel ROUX – –Le calme trompeur du Kosovo, Dans : Jacques RUPNIK (sous la dir.) – Les Balkans, paysage après la bataille, Éditions Complexe, Paris 1996.
.
. (9) Pak njerëz kujtohen se shkrimtari Adem Demaçi ka qenë një nga të burgosurit e opinionit nga më të vuajturit në botë – 29 vjet në burgjet e Titos dhe të pasardhësve të tij, pra një vit më tepër se vetë Mandela – dhe ende më pak kujtohen se ai ishte laureat i çmimit Sakarov, i dhënë në vitin 1991 nga Këshilli i Evropës. Në vitin 1998, laureat i po këtij çmimi ishte miku i tij Rugova.
.
. (10) Mes prillit 1993 dhe nëntorit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) morri mbi vehte përgjegjêsinë – me faks, dhe nga kjo gjë rrodhi dhe emërtimi organizata faks – më se 30 sulme të armatosura kundër objektivave ushtarake dhe civile në Kosovë, gjatë të cilave gjetën vdekjen nja 20 serbë dhe po aq shqiptarë, të egzekutuar për bashkëpunim me armikun. Çfaqja e tyre e parë publike u bë në 28 nëntor 1997 : të maskuar, të armatosur dhe me uniforma, ata morrën pjesë në funeralin e një të riu, pranë Prishtinës, në mes të një turme prej 20.000 vetësh.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: