Metagogji elektorale.

Shopenhauer: ” njeriu është një kafshë metafizike”
.
. Ça y est ! Pas kaq e kaq hezitimesh, pas kaq e aq premtimesh të natyrës politiko-rrethanore, reforma zgjedhore aq e përfolur mundi të çajë rrugën mes batakut të reformëzave dhe të pseudoreformave dhe të dalë në ballë të debatit mediatik shqiptar.
. Po t’ju besojmë gazetave të shkruara dhe virtuale që analizojnë çdo fakt dhe gjest të jetës politike, dy partitë më të mëdha të vendit –dhe njëkohësisht përgjegjëse të të gjitha gjëmave që i kanë rënë atij përsipër – janë marrë vesh me njera tjetrën dhe janë të një mendjeje për t’a vënë në jetë, bile sa më shpejt. A janë vallë vetë gjeneralët që janë parë dhe kanë folur me njeri tjetrin ? apo janë kapterët përkatës që diskutojnë në prapaskenë mbi detajet ? Pak rëndësi..
.
. Çka është e rëndësishme shprehet nga konsensusi i plotë mes PS dhe PD – një element thuajse hyjnor, pasi fort i rrallë gjatë këtyre viteve të Republikës së tretë shqiptare. Çka ka bërë vaki që shefat e PS dhe të PD të jenë në një mendje lidhur me një reformë që kërkon të verë rregull në sistemin zgjedhor, në këtë makinë kaotike që prodhon në mënyrë alternative fitues dhe përfitues, pozitë dhe opozitë, kryeministra arrogantë dhe të burgosur opinioni ?
. Fundja, për hajër ju qoftë ! përderisa ata vetë janë të bindur dhe shprehen si më poshtë :
.
. ” Ne jemi të vendosur, që në këtë proces, jo vetëm të qëndrojmë mbi interesat e pjesshme, jo vetëm të ngrihemi mbi atë që mund të jetë një llogari e thjeshtë partiake, por njëkohësisht, të komunikojmë drejtpërdrejtë me shqiptaret dhe shqiptarët, pa rënë në batakun e politikës së vjetër, të diversioneve, të akuzave, shpifjes dhe përbaltjes reciproke. Pasi, sot kjo reformë e rëndësishme është e lidhur me fatin e proçesit të integrimit në NATO, me fatin e ftesës që Shqipëria pret pas ngjarjes historike të Pavarësisë së Kosovës dhe me fatin e zgjedhjeve të ardhshme, të cilat ne i duam të lira dhe të ndershme. – Edi Rama
.
. « […] lidhur me reformën zgjedhore… Pothuajse të gjitha partitë janë dakord që t’i pritet rruga një fenomeni tipik shqiptar të zgjedhjeve, i ashtuquajturi “Dushk”, i cili ka qenë një devijim tërësisht i papranueshëm i votës dhe që ka shtrembëruar rezultatet.. tashme ka ardhur koha te shkeputemi nga nje situate e papranueshme. … Komunikoj qe nga mengjesi deri ne darke me aleatet dhe faktoret politike. Komunikimi eshte nje dhunti shpirterore e imja » Sali Berisha .
.
. I vetmi që moderon disi qëndrimin është Presidenti i Republikës Topi, të cilit nga pozita ku ndodhet s’i mbetet gjë tjetër vese të shprehet se :
.
. « […] Unë në mënyrë absolute nuk duhet të mbaj pozicion për sistemin, sepse është vullneti i partive politike për të përcaktuar sistemin. Sistemi, nëse është e nevojshme të ndryshohet, është vullneti i partive, do të ndryshohet, qoftë edhe duke e prekur Kushtetutën. Mirë është që gjërat të mendohen, të konsumohen brenda vullnetit të të gjitha partive politike dhe nëse nuk ka një marrëveshje absolute, të merret mendimi i përgjithshëm, sepse në fund fare gjithmonë ka një vendimmarrje dhe vendimmarrja është mbi bazën e shumicës së vullneteve, në mënyrë që partitë politike të gjejnë një vullnet harmonik, sepse zgjedhjet politike kanë të bëjnë me vullnetin e të gjithë shqiptarëve ».

Gjendemi kështu në skenarin më fatlum… po qe se lemë pas dore shprehjen tjetër të z. Berisha, sipas të cilës :

.
. « Ka një konsensus të plotë për një sistem proporcional, por ka debate nëse do të jetë modeli spanjoll, bullgar, grek apo proporcional rajonal… Gjithashtu, partitë e mëdha dhe organizmat ndërkombëtarë janë kundër listave të hapura sepse mendojnë se ato dëmtojnë cilësinë e parlamentit dhe dëmtojnë ndershmërinë e zgjedhjeve. Ndërsa partitë e vogla janë kundër, ato janë për listat e hapura. Megjithatë, unë jam i sigurt që do të arrihet konsensusi… »

Pa shkuar më larg nga këto shprehje, merret vesh se :
.
. – « të mëdhenjtë » janë të vendosur të hyjnë në zgjedhjet e reja të vitit 2009 me një një ligj të ri zgjedhor, skica e propozuar e të cilit nuk ju pëlqen gjëkund « të vegjëlve » ;
.
. – kjo skicë parashikon ruajtjen e « proporcionalit » – skemën egzistuese, por parashikon të ndryshojë mënyrën e shpërndarjes së atyre 40 vendeve të paracaktuara, jo më mbi bazë kombëtare por mbi bazë rajoni – duke ju përshtatur një modeli të ashtuquajtur spanjoll.
.
. – Listat e proporcionalit nga të hapura si më parë – të aprovuara pas zgjedhjeve, në funksion të rezultateve të arritura, të bëhen të mbyllura – të përcaktuara njëherë e mirë qysh përpara procesit zgjedhor.
.
. Përse duhet prekur Ligji zgjedhor i sotëm ? pasi Evropa – ndoshta dhe bota mbarë, janë të bindur se ai është shkaktari i të gjitha zullumeve politike ; burim i përhershëm paqëndrueshmërie dhe mosmarrëveshjeje mes aktorëve të politikës shqiptare ; fajtor i një përfaqsimi jo-të barazvlershëm të forcave politike në Parlament falë praktikave egzistuese të votës taktike – alias « Dushku ».
. Përse partitë « e mëdha » kërkojnë me ngulm këto ndryshime ? pasi, fillimisht, bëhet fjalë për një kërkesë të përhershme të Evropës të Bashkuar – për të mos thënë një nga sine qua non, që kushtëzon hyrjen në bashkësinë evropiane ; pasi, së dyti, praktika ka treguar që gjithnjë e më tepër, ato bien pre e « shantazhit » të ushtruara nga partitë e vogla, gjatë përpjekjeve për të krijuar koalicione qeverisëse.
. Përse partitë « e vogla » kundërshtojnë ndryshimet e propozuara ? pasi, në mënyrë të dukshme, ato kuptojnë se mënyra e re e « proporcionalit » sipas rajoneve dhe jo më në rang vendi, ngre ndjeshëm pragun elektoral të përfaqësimit dhe si rrjedhim, ato ndjejnë që do të mbeten do të mbeten fillimisht jashtë parlamentit, dhe më tej jashtë lojës politike qeverisëse.
.
. Qoftë konsensus mes të gjithë forcave politike apo diktat i të mëdhenjve, pejzazhi idilik i dy Kryetarëve që hedhin valle burrërishte nën tingujt e kitarave flamenko, të rrethuar nga ezmere iberike që i përcjellin me rrahje pëllëmbësh, fillon dhe rrudhet nën peshën e disa pyetjeve, disi të bezdishme:
. – përse propozimi për ndryshimin e Ligjit zgjedhor erdhi nga PS dhe jo nga PD, kjo e dyta teorikisht më e interesuara – pasi në pushtet?
. – Cila do të jetë formula magjike që do t‘i lejojë marrëveshjejes mes PS dhe PD për reformë zgjedhore nga njera anë, të eliminojë partitë e vogla bezdisëse dhe nga ana tjetër, të ruajë egzistencën të „të paprekshmes“ por sidoqoftë të voglës PBDNJ – si përfaqsuese e pakicës greke?
.
.
. Brenda çorbës dhe diku në buzë të kazanit.
.
. Si do të ndikojë reforma e re zgjedhore në përmirësimin e jetës politike të vendit? Sipas mendimit të njërit prej arkitektëve të tij kryesorë z. Kastriot Islami, Ligji i ri
.
.ruan mundësinë e përfaqësimit të partive me elitat e vjetra dhe të reja… ndërkohë që bart një sërë elementësh pozitivë siç janë shmangja e fenomenit të “Dushkut”, ruajtja e figurave politike, kontrollin e balancimit të përfaqësimit midis burrave dhe grave, si dhe lejon mundësinë e krijimit të koalicioneve parazgjedhore”.
.
. Po qe se i besohet doktor Kaçit, kemi pra të bëmë me një shans të papërsëritshëm, një ilaç çudibërës që do të shërojë të gjitha sëmundjet e rënda të sistemit dhe do të sjellë fillimisht urtësinë e qeverisjes, më tej paqen sociale dhe pse jo, begatinë ekonomike aq të shumëpritur – paçka se do të zhduken disa parti nga skena politike. Pikërisht, lidhur me fatin e partive të vogla ndahet edhe opinioni i shumicës dërmuese të analistëve – këtyre vëzhguesve aq të vëmendshëm të jetës politike të vendit.
.
. Një pjesë e tyre – mes të cilëve spikat M. Nano – megjithë syçelësinë që i shtyn të pranojnë motivet partiake të PS dhe PD në këtë „kryqëzatë“ kundër partive të vogla, e mbrojnë projektin dhe arrijnë deri aty sa të përgëzojnë vetvehten për zhdukjen e këtyre të fundit. Gjykimi i tyre ndjek formulën: më pak parti = më pak zhurmë, më pak shpenzime = më shumë transparencë, më shumë rezultat. Pjesa tjetër – e përfaqsuar nga A. Stefani – dalin në mbrojtje të viktimave dhe e kundërshtojnë idenë e një Ligji të tillë, pikërisht pasi ai mbron vetëm interesat e „të mëdhenjve“. Dashur padashur krijohet ideja që si të parët edhe të dytët gjenden diku „brenda çorbës“ – sipas shprehjes së shënuar të F. Lubonjës – pra ata shprehin, veçse me forma dhe mjete të ndryshme, dy anë të këtij realiteti, gjithë duke qenë pjesë përbërëse e tij.
. Çka të bëjë „legjitimiteti çarmatosës“ i partive të mëdha, i matur nëpërmjet numrit të madh të mbështetësve të tyre „nga Vermoshi në Konispol“, me vetë demokracinë? A mjafton kriteri numerik për të përcaktuar „vlerën“ e partisë si edhe mesazhin e saj politik lidhur me të ardhmen e vendit dhe të popullit? Rasti i të ndjerës Parti të Punës është mjaft domethënës…
. Në të kundërt, edhe sikur të arsyetohet me cinizëm se „partitë e vogla nuk kanë asnjë vlerë e asnjë funksion; ato thjesht shtojnë erën e keqe e kutërbimin në moçalin politik“, formimi dhe egzistenca e tyre e tejkalon së tepërmi vullnetin e një individi vizionar dhe bartës të projekteve politike pasi para së gjithash, ato janë pjellë e vetë sistemit. Numri i madh i partive të vogla në gjirin e një demokracie belbëzuese si ajo shqiptare mund të shpjegohet së pari nëpërmjet, paaftësisë të partive të mëdha për t‘u dhënë përgjigje problemeve të mprehta të kohës, së dyti nëpërmjet errozionit të brendshëm dhe humbjes së autoritetit të shefave historikë dhe së fundi, nëpërmjet vetë Ligjit elektoral në fuqi. Pra ngado që ta kapësh, të vetmit përgjegjës janë partitë e mëdha, pikërisht ato që duan të ndryshojnë sot këtë Ligj. A mund të pranohet se është pikërisht vullneti i partive të mëdha ai që bën – dhe zhbën – demokracinë?
.
. Krahas opinionistëve të shumtë „të çorbës“, të tjerë mundohen të bëjnë ekulibristin – pra, të qëndrojnë në buzë të kazanit – me lugë në brez – dhe të teorizojnë sipas rastit lidhur me të këqiat e sistemit proporcional korruptues (natyrisht për kushtet tona) dhe të nënvizojnë prirjet tipike shqiptare drejt mazhoritarit.. për të lëvduar avantazhet e sistemi të përzierë, jo më sipas recetës djegëse spanjolle por sipas aromës alla kiwi neo-zelandeze. Jam gati të ndaj me këta shpirtra liberalë bindjen se „ndryshimi radikal i sistemit elektoral do të sjellë transformimin radikal në arenën politike.. një ortek të mirëfilltë në organizimin partive politike shqiptare, përmbysje të traditës politike të deritanishme dhe mosrespektim i nevojës që ka Shqipëria për konsolidim institucional“. Por asnjë element nuk i vjen në ndihmë më të pandreqshmit mes tyre për të vërtetuar lidhjen mes formulës elektorale (mazhoritare, proporcionale, të përzierë) – të zgjedhur nga partitë dhe në dobi të tyre – dhe egzistencës së demokracisë.
.
. Sidoqoftë, përpara se të merren me Ligjin, opinionistët e „çorbës“ dhe ata të „lugës“ duhet të merren me „Maliqin“ – më mirë të themi me dy Maliqët tanë, shqetësimet kryesore të të cilëve mbeten zgjedhjet e ardhshme. Të paktën që prej dy legjislaturash, rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale tregojnë kjartë se çyreku politik është ndarë në tre pjesë ndjeshmërisht të njejta: 1/3 e votave për PD, 1/3 për PS dhe e një e treta e fundit për partitë „e vogla“. Dy pjesë të kësaj të e trete të fundit (rreth 20% të votave) i përkasin partive të spektrit të majtë dhe të qendrës së majtë dhe vetëm një pjesë (10%) i takon partive të spektrit të djathtë. Shihet fare qartë se teorikisht – duke mos marë parasysh numrin e madh të abstensioneve (mbi 45% të votuesve potencialë), PS dhe PD kanë shfrytëzuar plotësisht rezervuarin e tyre elektoral dhe janë shëndrruar në kohorta militantësh. Sidoqoftë, „rezerva“ e majtë ku peshkon PS është më e madhe se sa ajo e PD dhe kështu, shanset e socialistëve për të fituar zgjedhjet janë të mëdha – me kusht që partitë e vogla të hedhin hapin sipas daulles socialiste. Por të mos harrojmë se në këtë mes është LSI e Metës që mundohet të përfitojë nga situata dhe që mund të përmbysë krejt rezultatet – siç ishte rasti në vitin 2005. Ja përse PS propozon këtë formulë të re zgjedhore që ose i nënshtron „aleatët“ e saj zevzekë dhe i lidh pas qerres së saj ose i zhduk fare me atë pragun përfaqsues që rritet ndjeshëm dhe me atë ndarje të re rajonale djallëzore.
. Nga ana tjetër PD nuk mund të presë ndonjë përmbysje nga formula e re në rezultatin e saj të ardhshëm – ndoshta karizma e Berishës do t’ja dalë të mposhtë sex appeal-in e Ramës – pa llogaritur shpresën e përhershme të një mobilizimi të abstensionistëve. Ndërkohë, as që mund të mendohet se ajo mund t’i kundërvihet idesë të një reforme zgjedhore, aq fort të reklamuar nga ana e saj. Të vetmet manovra që mund të tentohen janë pikërisht modalitete zgjedhore të formulës: numri i zonave, kufijtë e tyre territoriale si dhe çelembyllja e listave – duke ju falur njëkohësisht Perëndisë që konjuktura ekonomike dhe politike ndërkombëtare të mos penalizojë politikën e qeverisë, që inflacioni dhe kriza financiare të mos përmbytë sektorin bankar ose së fundi që populli të mos dalë nëpër rrugë për të kërkuar uljen e çmimit të bukës.
.
. Përtej kësaj analize me ngjyra partiake dhe spekullimit me shifrat, ajo çka i intereson mënyrës tonë të vështrimit është vetë demokracia dhe zgjedhjet, si mjet i realizimit të saj. Me fjalë të tjera, çka të bëjë administrimi i zgjedhjeve si një element i qënësishëm i zbatimit të demokracisë – me qëllim përcaktimin e përfaqsuesve të popullit, me egzistencën e vetë partive? Për të mos thënë troç: çka i duhen partitë politike (të voglat sikundër edhe të mëdhatë) demokracisë – dhe me këtë rast popullit të shumëvuajtur?
.
.
. Demokracia, zgjedhjet dhe partitë politike.
.
. Pa dashur të fundosem në Lashtësi, në kërkim të koncepteve athiniote të demokracisë, do të mjaftohem t‘i le fjalën Tokëvilit – një prej etërve modernë të saj, i cili në veprën e tij „ De la démocratie en Amérique ,1835-1840” shprehet kësisoji :
.
. [..] demokracia është një shoqëri ku barazia konsiderohet si një vlerë esenciale, ku garantohet pjesëmarrja në çështjet publike dhe ku lëvizshmëria sociale ndalon formimin e kategorive të privilegjeve. Por demokracia është gjithashtu individualiste. Epoka demokratike nuk ka për princip të saj virtutin sikundër e mendonte Monteskjë por karakterizohet në të kundërt nga lakmia e njerëzve për të mira materiale. Dhe pikërisht fakti që ata kuptojnë interesin e vërtetë lejon egoizmat të vihen në shërbim të mirëqënies së përgjithshme. Kështu, dashuria ndaj mirëqënies, rivaliteti favorizojnë në të vërtetë rendin sicial të qëndrueshëm. Ajo çka kërcënon shoqërinë demokratike nuk është revolucioni por konformizmi, harresa e lirisë në emër të barazisë”.
.
. Nuk është aspak e rastit që në veprën e Tokëvilit mungojnë referencat lidhur me partitë politike – jo sepse ky realitet i mungonte botës së asaj kohe – por kryesisht për vetë faktin që demokracia imagjinohej në formën e saj të drejpërdrejtë, ku qytetarët votojnë çdo ligj dhe pjesëmarrin « në kohë reale » në jetën politike. Bëhet fjalë pra për qytetarë (shtetas) që mblidhen në sheshin publik dhe marrin së bashku vendimet që lidhen me të ardhmen e qytetit të tyre, të zonës, të krahinës.. në një demokraci të tillë, sipas Zhan Zhak Rusoit, qytetarët janë të interesuar drejtpërdrejt dhe zotërojnë një përfaqsim maksimal nëpërmjet votës të sejcilit ; ata pjesëmarrin në administrimin e çështjeve të përbashkëta dhe janë absolutisht dhe krejtësisht të prekur ndaj gjithçka që lidhet me çështjet e Shtetit. Karakteri utopik i kësaj demokracie ndihet edhe në fjalën e Abraham Linkolnit në fushën e betejës së Getisburgut (1863) : « .. që qeveria e popullit, prej popullit dhe për popullin të mos të zhduket nga sipërfaqja e dheut ».
Megjithatë, demokracia mbijetoi dhe u bë e njohur në formën e saj përfaqsuese, ku gjithmonë është populli që zotëron realitetin e pushtetit, veçse kësaj rradhe në kuptimin e bazës së tij, të themelit. Por në kundërshtim me formën e dikurshme, populli zgjedh jo më qeverisësit e tij si në Athinë, por përfaqsuesit, zëdhënësit. Në këtë mënyrë, ai nuk voton tashmë ligjet, as gjykon çështjet gjyqësore, as edhe përcakton drejpërdrejt ata që do të udhëheqin jetën politike. Aq më tepër kur bëhet tashmë fjalë jo më për popullin e një qyteti, të një krahine por për kombin, këtë bashkësi imagjinare dhe të imagjinuar, për këtë abstraksion i cili as nuk vepron as nuk shprehet. Kështu, përfaqsuesit – zëdhënës ngarkohen me misionin fisnik të veprojnë në emër të tij, të shprehen për të.
.
. Ky delegim i pushtetit të masës drejt individit përputhet me lindjen e kapitalizmit dhe vendosjen e të ashtuquajturës demokraci parlamentare. Njëherësh dhe në paralel marrin hov shtrirja e votës « universale » si edhe krijimi i partive të masës, fenomene që jo vetëm ushqejnë dhe përkrahin njeri tjetrin, por edhe shënojnë konfiskimin e pushtetit nga ana e « egzekutivit » dominues që tendon të grumbullojë në duart e tij shumën e pushteteve. E kqyrur në këtë mënyrë, egzistenca e partive politike nuk është aspak një atribut i brendshëm i demokracisë. Ato s’janë gjë tjetër veçse një formë historike që ka mundur t’i adoptohet një farë stadi të zhvillimit të kapitalizmit dhe është pikërisht ky i fundit që ju ka lejuar jo vetëm egzistencën por edhe që ju ka lehtësuar ushtrimin e fuqisë së tyre, pikërisht për të siguruar jetëgjatësinë e vetë sistemit.
. Me fjalë të tjera – dhe sipas një mënyre të shprehuri tashmë të njohur – dominimi i borgjezisë si klasë në gjirin e sistemit kapitalist perëndimor u bë i mundur vetëm nëpërmjet dhënies së të drejtës së fjalës dhe të përfaqësimit të klasave të shfrytëzuara, sipas raporteve të forcave që këto të fundit mundën të vendosin. Por, meqënëse nuk mundi të konkretizohej kurrë në termat e pushtetit, ky përfaqësim mund të vihej gjithmonë në pyetje. Kështu, demokracia në kuadrin kapitalist shërben njëkohësisht si mjet frenimi dhe përmbushje të pjesshme të aspiratave popullore ndaj mirëqenies, një mjet për të zbutur luftën e klasave, për të « civilizuar » raportet e shfrytëzimit nga ana e kapitalit, gjithë duke integruar përfaqsuesit e klasave të shtypura në sistem.
.
. Kjo gjë përbën edhe forcën e politikës kapitaliste, aftësinë e saj që njëherësh të përmbajë, të institucionalizojë dhe të thyejë të gjitha format dhe forcat që ëndërrojnë shkatërrimin e sistemit. Në këtë rast, partitë politike nëpërmjet lojës parlamentare dhe pjesëmarrjes së tyre në jetën ekonomike të vendit shkojnë pashmangshmërisht drejt « borgjezimit » të tyre dhe megjithë përpjekjet e tyre, ato shëndrrohen në mekanizma elektoralë, në makina prodhuese të oligarqive, riprodhuese të elitave, të cilat vetvetiu integrohen në sistem.
. Deri diku, tendencat që karakterizojnë zhvillimin e partive politike ndjekin tendencat e zhvillimit të shoqërisë, pasqyrojnë fragmentimi e pashmangshëm social që favorizon korporatizmin dhe lindjen e interesave të shtresave të larta sociale. Këtij procesi nuk i shpëton asnjë parti, sado social të jetë programi ose baza e saj. Për më tepër, kapaciteti për të ushtruar pushtetin – qoftë edhe ai i përcaktimit të kandidatëve, kërkon një njohje të veçantë, një kompetencë, bile edhe një vetëdije lidhur me mbrojtjen e interesave të grupit. Aq më tepër që në fushën e politikës kërkohet edhe zotërimi i fjalës, i shprehjes, renditje dhe zotërim i argumentave – diçka që e kalon spontanitetin dhe zjarrin militant të masës. Pra, një përzgjedhje të elementit, një formim për të mos thënë edhe një kopjim të modeleve ose të sjelljes të shtresave të larta, së fundi edhe një sens respekti dhe vetërespekti që e tejkalon refleksin e lindur.
.
. Troç muhabetit, ndërkohë që individi partiak rend drejt « përsosjes », drejt shkëputjes nga anonimati, partia e tij rend drejt pushtetit, drejt marrjes së vendeve në organet përfaqsuese. Ky proces i dyfishtë rendjeje çon në shtresëzimin e strukturës partiake në grupe, klika, lobe.. që llogariten sipas influencës, sipas vendeve që mbajnë, sipas funksioneve që ushtrojnë, duke u shkëputur gjithnjë e më tepër jo vetëm nga baza antare e partisë por në rradhë të parë nga zgjedhësit, zëdhenës të të cilëve ata janë në mos teorikisht. Mbyllja e ritualit të votës dhe veshja e të zgjedhurit me pushtetin e popullit përfaqson njëkohësisht edhe shkëputjen e lidhjeve të tij me zgjedhësit – deri herën e ardhshme. Pra, investimi me pushtet i të zgjedhurit është pjesë e strukturës « demokratike » dhe po aq struktural është edhe distanca mes tij dhe masës.
. Duke u munduar t’i « përkufizoj », partitë politike paraqiten si makina elektorale që funksionojnë në dobi të kandidatëve që, për të qenë efikase, mundohen të grumbullojnë pas vehtes shumicën e zgjedhësve. Duke u mbështetur mbi një shtresë militante, ndërkohë që baza e antarëve identifikohet me masën e zgjedhësve, imazhi i shefave del mbi vlerat, idetë, programet të cilat partia është përpjekur t’i përpunojë gjatë kongreseve të saj.
.
. Natyrisht, duke ju shmangur thënies së Leninit, sipas të cilës “… demokracia (borgjeze) është mundësia e dhënë të shtypurve që të zgjedhin për katër ose për pesë vjetët e ardhshëm shtypësit e tyre” na mbetet sidoqoftë të themi se partitë s’janë gjë tjetër veçse « e keqja » e demokracisë, e cila – po qe se i besojmë thënies së Çurçillit – « është më i keqi i të gjithë sistemeve, me përjashtim të të gjithë të tjerëve ».
.
.
. * * *
.
. Diku më lart përmenda se nuk do të merrem me demokracinë athiniote të agorave. Megjithatë, nuk mund të mos ve re se bota e sotme duke i përvehtësuar konceptet dhe praktikat e dikurshme, i ka ndryshuar bile edhe i ka kthyer së prapi. Kështu, Republika e Platonit qëndron në antipod të Republikës parlamentare perëndimore, metafizika e Aristotelit u rimor dhe u shkri në masën e shkencave… bile edhe pedagogu (paidhos – ago) nga një skllav i thjeshtë që shoqëronte fëmijët në shkollë u ngrit në lartësitë e katedrës dhe tashmë mëson studentët, sikundër dhe demagogu (demos – ago) nga një politikan që zotëronte artin e udhëheqjes së popullit u shëndrrua në një gënjeshtar të paturp që mashtron masat e popullit.
. Tek ne, kalimet ishin disa shkallëshe dhe të menjëhershme : ata skllevërit e dikurshëm, të bërë pedagogë braktisën katedrat dhe u shëndrruan në politikanë – demagogë. Deri diku, nuk është faji i tyre por i vetë njeriut modern i cili, i topitur dhe i tmerruar nga boshllëku metafizik që rrethon gjithandej vetminë e shpirtit, strehohet në sistemet e rehatshme dhe iluzioniste të pedagogëve dhe të demagogëve të të gjitha llojeve dhe racave..

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: