« Epokë biznesi »

(tragjedi me epilog, një mini-akt dhe një prolog)
.
. Në modelin e teatrit të dikurshëm, po mundohem të ndërtoj skenarin e asaj çka përgatiti Gërdecin tragjik, të shpirtërzoj disa nga personazhet, t’i jap jetë parangjarjes – tashmë që tymi i këpurdhës të përbindshme ka rënë mbi fushat e Vorës dhe që vaji i të gjallëve ka shterrur – që në rradhë të parë të mos harrohen të vrarët dhe në rradhët që vijnë më pas, të mos vriten të tjerë.
.
. Epilog :
.
. Vendngjarja : Një zyrë diku në Tiranë – elementë të dekorit : një tavolinë, mbi të cilën gjendet një tog me dosje, një abazhur dhe një telefon. Rreth e qark tavolinës gjenden tre kolltuqe të zinj. Mbi murin përballë, një fotografi e Presidentit Topi. Një perde e gjerë fsheh fundin e skenës.
. Gërdec – i panjohur thuajse krejtësisht nga mbarë shqiptarët përpara katastrofës, ky fshat pranë qytetit të Vorës – vetëm disa kilometra larg Tiranës, strehonte dikur një repart ushtarak tankesh (ky detaj i fundit do të jetë vendimtar ndaj implikimit të sipërmarrësit – njërit prej personazheve kryesorë në ngjarje). Lokalet e repartit ushtarak të dikurshëm, të braktisur nga « banorët » e tij dhe të shëndrruara në mjedise pune për firmën « Albdemil », përbëjnë edhe skenën ku do të luhet akti i dytë i tragjedisë tonë. Si dekor shërbejnë disa mure të rrjepura gazerme, një dysheme betoni dhe një tog arkash municionesh diku në qoshe, mbi të cilat dallohen hieroglife kineze.
.
. Personazhet :
.
.Perëndia (alias Berisha) – « pronari » i gjithë vendit dhe si rrjedhim përgjegjësi virtual i gjithkaje që ndodh. Ai nuk zbret asnjëherë në skenë, vetëm zëri i tij dëgjohet herë pas here.
.

.Sipërmarrësi (alias Delijorgji) – pronari i « Albdemil », biznesmen i njohur i hekurit, pronar i disa firmave të begata në fushën e metaleve si dhe i Klubit Dinamo.
.
.Punëdhënësi (alias MEICO) – fasada gjysëm civile e administratës ushtarake shqiptare. Herë-herë ai materializohet nëpërmjet Pinarit (drejtori i MEICO-s), herë-herë nëpërmjet Mediut (Ministri i Mbrojtjes).
.

.Daja Sam (alias kushëriri amerikan) – megjithëse deri-diku i dorës së dytë, është personazhi çelës i tragjedisë. Ai mban një valixhe në dorë, ku sipas gjasave gjenden dollarët që motivojnë të gjithë personazhet e tjerë.
.

.Gazetari (alias Shekulli) – personazh misterioz, kësaj rradhe i veshur me një kostum të prerë keq nga ata të ShIK-ut. Ai shfaqet me një celular në dorën e djathtë.
.

.Rrufjani (alias Albano-Amerikani matrapaz) – Ndërmjetës i tregut të armëve. I veshur me kostum Versaçe, që për fat të keq fotografia e rradhës nuk e tregon.
.
.Kori : një përzierje sipas të gjitha rregullave të artit të shoqërisë civile shqiptare, e partive të opozitës dhe e mjediseve të tjera aktive (p.sh : Peshkupaujë).
.
.Figurantët : Gërdecarët (disa qindra burra, gra dhe të mitur) – fshatarë të rrethit të Tiranës dhe të rretheve të tjera veriore, banorë të Gërdecit. Varfëria dhe halli i shtyu të trokisnin në portën e ndërmarrjes « Albdemil », të instaluar në territorin e fshatit të tyre dhe që zyrtarisht merrej me riciklimin e stoqeve të municioneve të ish-ushtrisë popullore. Një pjesë e këtyre figurantëve (disa dhjetra) do të sakrifikohen në fund të tragjedisë, me qëllim që ajo të marrë ngjyra sa më reale.
.
.
. 1. Akti i parë.
.
. (Sipari hapet mbi zyrën e Tiranës. Pas tavolinës së punës shihet Punëdhënësi që shkruan në një dosje. Në qoshen përballë të dhomës, në të kundërt të perdes është vendosur Kori).
.
.
. Kori : Diçka e keqe po vjen vërdallë. Mban erë barut, mban erë dollarë. Korba të zinj i rrinë sipër. Emra të njohur, të rinj pronarë…
.
. Punëdhënësi (ngjesh maskën e Pinarit në fytyrë dhe ngre telefonin): më thërrisni këtu Sipërmarrësin.
. (Bie dera dhe hyn Sipërmarrësi)
.
. Sipërmarrësi : T’u rritë ndera patron. Si është puna ?
.
. Punëdhënësi : Ulu aty ! Kësaj rradhe kemi punë me Dajë Samin. Kërkon fishekë për Afganistan. Nga ato të depove të armëve që ti i di. Prandaj mendova për ty. E merr përsipër apo jo ?
.
. Sipërmarrësi : Sigurisht, pasi të mësoj pazarin.
.
. Punëdhënësi : S’ka pazar. Çmimi është fiks : 22 dollarë për arkë me 1000 fishekë. 20 dollarë për Shtetin dhe 2 për ty. Duhen nxjerrë nga amballazhet e vjetra kineze dhe të shtihen në të reja, prej druri. OK ?
.
. Kori : Ka pazar, ka pazar.. gjetkë ai thuret. 22 i thuhet Qeverisë, 40 do të nxjerrë nga xhepi Daja… Ku shkon diferenca ?
.
. Sipërmarrësi : Punë me rrezik kjo..
.
. Punëdhënësi : Kush po të thotë t’i prekësh ti me dorë. Merr punëtorë nga fshatrat afër.. Unë të siguroj lëndën e parë, kamionat e ushtrisë do t’i transportojnë deri në fabrikë. Kamiona privatë vijnë dhe tërheqin mallin. Ku e sheh rrezikun ti ?
.
. Sipërmarrësi : Po të ndodhë gjë, mua do të më zenë për koqesh. Për dy dollarë të qelbur..
.
. Punëdhënësi (disi i nxehur) : Mblidh mendjen. Janë 100 milionë fishekë, pra 100 mijë arka. Bëje vetë llogarinë… Kur mblidhen bashkë dollarët ju del edhe ajo farë ere. Fundja, po s’deshe po thërres tjetrin, atë të Mjekësit, bile kanë dalë edhe ca amatorë andej nga Korça..
.
. Sipërmarrësi ( me ngut dhe me një farë buzëqeshje servile) : OK, OK, s’thashë gjë..
.
. Punëdhënësi : Hë se desh harrova. Në fakt, ato dy dollarët janë vetëm një dollar e gjysëm, pasi gjysma tjetër e dollarit na duhet për vaj, për të lyer rrotën.
.
. Sipërmarrësi (kinse i pezmatuar, ngrihet më këmbë) : Pse, edhe rrotën unë duhet t’a lyej. S’mjaftojnë gjobat që paguaj rregullisht..
.
. Punëdhënësi : Ulu more spurdhjak aty dhe më dëgjo se s’kam mbaruar. Kondicionimi i fishekëve është njëri prej bizneseve. Krahas tij, ti do të merresh me çmontimin e predhave të kundërajrorëve dhe të artilerisë : 37, 100, 122 dhe 152 milimetroshe. Ti rekupero çelikun dhe tunxhin, barutin ndaje veç. Ke nevojë të të rikujtoj çmimin e tunxhit në treg ?
.
. Sipërmarrësi : Jo, jo s’ka nevojë..
.
. Punëdhënësi : Dhe thuaj faleminderit Perëndisë që na e solli municionin në derë !
.
. Sipërmarrësi : Dhe që të vuri zotrote në këtë kolltuk.
.
. Perëndia (vetëm zëri) : Kush e përmendi emrin tim aty ?
.
. Sipërmarrësi : Askush.. (duke ju rikthyer Punëdhënësit) sa për vendin, po të le dorë të lirë, zgjidhe vetë, vetëm më lajmëro.
.
. Punëdhënësi : Më shkoi menjëherë mendja në Gërdec, aty pranë Vorës.
.
. Sipërmarrësi (qesh) : Pasi ja shkrive tanket për llogari të Mercedesit, kërkon të përdorësh kapanonet e repartit ushtarak për punishte ? Dakord, për hajr i qoftë Gërdecit.
.
. Kori : të mjerët Gërdecarë, i mjeri Gërdec.. Bomba do t’ju bjerë, do t’i bëjë përshesh.
.
. Punëdhënësi : Kam edhe kunatin, mjeshtër nga ana teknike.
.
. Sipërmarrësi : Mos më lodh kokën me të tilla pisllëqe. Shiko këtu : ky biznesi i dytë e ka pazarin ndryshe nga i pari. Nuk është më ai i mëparshmi, i kohës së socialistëve. Mos harro se ç’hoqe nga ish-Kryeministri. Kujdes dredhat, po t’u qepëm pas, kësaj rradhe do të jetë ndryshe.
.
. Punëdhënësi : Ti më njeh, unë jam i besës. Më njofto vetëm taksën dhe do të shohësh vetë.
.
. Sipërmarrësi : Hiqmu sysh tani… (bie telefoni) Alo ? Po ? (vazhdon një bisedë telefonike disa minutëshe, e cila ndërpritet nga disa yes dhe disa no. Ndërkohë ai i bën shenjë me dorë Punëdhënësit që po mundohet të dalë nga zyra) – Prit aty, mos u largo. Ishte vetë Daja. Paska dalë një problem, punë paresh, dhe ai kërkon të vijë të bisedojë me ne. Ti do të bësh dëshmitarin, aty prapa perdes. (Punëdhënësi fshihet)
.
. Dajë Sami (hyn pa trokitur me valixhe në dorë. Ai shoqërohet nga Rrufjani dhe fillimisht i drejtohet këtij të fundit) : Ti do bësh dëshmitarin, shko aty prapa perdes. Dhe kujdes, rregjistro bisedën.
. (pastaj i kthehet Sipërmarrësit që ndërkohë ka ngjeshur maskën e Ministrit të Mbrojtjes) Si është kjo puna e kontratës të fishekëve të Afganistanit ? Pse ka hipur çmimi ? Fillimisht, ne ramë dakord për 22 dollarë, apo jo ? Pastaj, ç’është ky qipriot që na hyri në mes ?
.
. Sipërmarrësi : Jetojmë kohë të vështira, Çmimet rriten nga dita në ditë. Shih atë të benzinës, apo të vajit të lulediellit.. Ndërkohë dollari bie. Sa për qipriotin, se mos është hera e parë që po e shihni.. Kur thua qipriot, ke thënë grek. Na duhet greku për t’i dhënë përmasa biznesit. Bile edhe ai ortaku juaj Punëdhënës grek është, nga nëna dhe nga baba.
.
. Kori : Qipriot, grek… na mungon veç serbi që ta quajmë konspiracion.
.
. Dajë Sami : Mblidhni mendjen dhe rishikoni çmimet, në mos po shkoj t’i ble fishekët në Serbi. (si me vehte) Ç’mu desh që i hyra asaj lufte për hatrin e këtyre, përndryshe do të gjeja fishekë me okë atje tej.
.
. Sipërmarrësi : Shko po deshe edhe në Maqedoni. Sa për muhabet, përse nuk i blini fishekët në Kinë ? Apo se Kinezët ju shesin Talibanëve ? Nejse, ishte shaka..
.
. Dajë Sami : Listen.. A ka mundësi të rregullohemi ndryshe ? Për shembull, sikur të ndahej disi ajo diferenca.. Jam biznesmen i ndershëm dhe Perëndia është dëshmitare.
.
. Perëndia (vetëm zëri) : Ju thashë ndërkohë të mos e përmendni emrin tim.
.
. Sipërmarrësi : Sorry… Takimi po përfundon, jam tepër i zënë.. Diferenca është ndarë ndërkohë. Janë sa e sa gojë që duhen ushqyer.
.
. Dajë Sami : Ku rashë edhe unë në këtë Mafia.
.
. Sipërmarrësi : Mafian mbajeni aty në Amerikë. Ne jemi të pastër si bora e bjeshkëve të Perëndisë.
.
. Perëndia : Lerini bjeshkët e mia mënjanë, mos i përzjeni me këto bizneset tuaja.
.
. Sipërmarrësi : Jo, jo.. ishte veç shembull, nga ato tonat të republikanëve. Daja i kupton. (Duke ju kthyer këtij të fundit) Mister, valixhen lereni mbi tavolinë. Bye, bye…
.
. (ndërkohë ngrihet perdja e fundit të dhomës. Rrufjani dhe Punëdhënësi mbeten në hije. Ndriçohet vetëm Gazetari, ky i fundit me celular në dorë).
.
. Gazetari : (i drejtohet Dajë Samit) Biseda u rregjistrua nga Rrufjani, i cili më dha celularin e vet. Një provë, në rast se ndodh ndonjë gjë… (i kthehet Sipërmarrësit) Procedura klasike e përgjimit të telefonave, apo jo ? Gazeta jonë shquhet për paanshmëri dhe për ndershmëri profesionale.
.
. Kori : një biznes u mbyll, varre do të hapen. Dollarë për të pasurit, lotë për të varfrit..
.
.
. Prolog.
.
. (Sipari hapet në Gërdec. E gjithë skena është e mbushur plot me figurantë të heshtur që ppunojnë pranë njeri tjetrit. Dikush hap arka dhe nxjerr fishekët, disa burra tërheqin arka zvarrë, disa gra kruajnë me thikë grason nga predhat, disa burra të tjerë godasin me çekiç mbi gëzhojat, disa fëmijë derdhin barutin në thasë. Një ish-ushtarak me uniformë të vjetër është mbështetur pas një muri dhe po pi cigare. Nga ana e kundërt shihet Kori).
. (Ndërkohë në paraskenë kalon një veturë e madhe, brenda të cilës dallohen Dajë Sami, Rrufjani dhe Punëdhënësi)
.
. Punëdhënësi : Ja edhe Gërdeci, me fusha dhe me male që na mban dhe na ushqen..
.
. Dajë Sami : Praktike, pranë Tiranës, pranë Aeroportit.. (i kthehet ish-ushtarakut figurant) Mos pi cigare në orar të punës ti, aq më tepër pranë barutit.
.
. Rrufjani (i drejtohet Punëdhënësit) : të presim në Miami për pushime. Dhe kujdes numrin ditor të kamionëve. All right ?
.
. Kori (duke u larguar nga skena) : Këshilla amerikane, dhurata greke. Kali i Trojës, viktima Shqiptare.
.
. (vetura del nga skena. Ndërkohë dëgjohet një krismë, e ndjekur nga një uturimë ; Skena mbushet me tym dhe figurantët shtrihen përtokë. Fiken dritat. Një rrëke hemoglobine fillo dhe rrjedh në një skaj. Bie sipari).
. (dëgjohet një zë i largët me akcent amerikan) Sigurisht ajo cigarja… Shqiptarë të pandreqshëm… vetëm varri..

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: