To NATO or not to NATO.

Me hapjen e siparit të Takimit të 59 të NATO-s të Bukuresht, i cili shpalli më së fundi pranimin e Shqipërisë në gjirin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, një barrë e rëndë sikur u shkund nga shpatullat e forcave politike të vendit dhe të gjithë popullit. Natyrisht ishte i djeshmi Gërdec që mund të prishte punë.. Dhe megjithatë, Shqipëria mundi të realizojë ëndrrën e saj të hershme, të formuluar që prej 15 vjetësh – të pranohet antare me të drejta të plota e këtij Traktati të lavdishëm.
. Për hir të vendosmërisë së pashoqe që tregoi vendi në këtë pjekje me Aleancën, le t’I hapim rrugë kuriozitetit që shtyn drejt pyetjesh krejt intuitive : çfarë përfaqson NATO aktualisht ? çfarë shpreson Shqipëria nga pranimi në NATO ? çfarë përfiton NATO nëpërmjet pranimit të Shqipërisë në strukturat e saj ?
.
.
. NATO e sotme si kundërthënie e të djeshmes.
.
. Në epokën kur Shqipëria trokiste në derën e NATO-s, Organizata e Traktatit qëndronte ende brenda kufijve të saj « historikë », të imponuar nga Lufta e ftohtë, nga e cila sapo kish dalë « fitimtare », ndërkohë që kandidatët e rinj s’kishin filluar të shtyheshin në rradhë përpara portës së saj. Mes argumentave që ofronte Shqipëria e asaj kohe, të vetmit që favorizonin kandidaturën e saj iminente ishte armiqësia e saj e vjetër dhe e vendosur ndaj Bllokut kundërshtar të Varshavës – si dhe dashuria e saj e re por e sinqertë ndaj Perëndimit. Të gjitha argumentat e tjera të momentit u shvlerësuan shumë shpejt : demokraci fort e brishtë, thellësisht e ngjyrosur me tone autoritare berishjane ; tranzicion i stërgjatë, i minuar nga ekonomia spekullative e piramidave ; stabilitet i mjerë politik, i sprovuar nga përleshja e paprinciptë e forcave politike ; gjeostrategji e pasigurt, e shvleftësuar nga atomizimi i Ballkanit post jugosllav… Koha nxorri sheshit të tjera variabla negativë : kriminalizim i shoqërisë, korrupsion i administratës, konfliktualitet me fqinjët për shkak të pakicave shqiptare irredentiste (Kosovë, Maqedoni..) ose për shkak të grindjeve të vjetra territoriale (Greqi..), ndërkombëtarizim i trafiqeve…

Rezultati që rrodhi ishte i pritshëm, megjithëse i dhimbshëm për Tiranën : kandidatura e Shqipërisë u shëndrrua në një akt krejt simbolik që ripërtëritej nga takimi në takim ndërkohë që të tjera vende integronin stukturën Atlantiko-veriore. Vendet balltike, Polonia, Çekia dhe « sui generis » i saj Sllovakia, Hungaria dhe Sllovenia ish-jugosllave dhe së fundi, ballkaniket Bullgari dhe Rumani – dikur antarë të bindur të Traktatit të Varshavës dhe « kështjella atomike » të saj. Me një fjalë, motivet që orientuan strategjinë e Aleancës ushtarake ndaj zgjerimit drejt Lindjes ishin thellësisht praktike dhe aspak sentimentale : krijimi i të dikurshmit « kordon sanitar » për të përmbajtur dhe kufizuar ndikimin e Rusisë në Evropën qëndrore dhe në Ballkan. Veçse nuk duhet harruar se vullneti i vendeve të Evropës Lindore për t’u shkëputur nga ndikimi politik dhe ushtarak i të ndjerit Bashkim Sovjetik dhe i trashëgimtarit të tij rus, përputhej vetëm pjesërisht me qëllimet e vetë NATO-s, ndërkohë që pranimi i tyre ndikoi në thellimin e kontradiktës mes polit të interesit anglo-amerikan dhe atij evropiano-bashkues.
.
. Ç’është e drejta, me shëmbjen e Bllokut komunist dhe me zhdukjen nga horizonti të rrezikut sovjetik, objektivat e NATO-s rezultuan të tejkaluara, bile edhe të paadaptuara ndaj situatave të reja. Këto të fundit ripërtëritën idenë se SHBA ishte aktori themelor dhe i parë i përbotshëm jo vetëm si fuqi ushtarake, por edhe si model i një demokracie triumfuese – pa harruar edhe sistemin ekonomik liberal të saj, gjenerator i pasurisë të saj të stëmadhe. Në mungesë të konfliktit të dikurshëm mes Blloqeve perëndimorë dhe lindorë që zhvillohej në kontinenti evropian, të ushqyer nga ideologjitë përkatëse liberale ose komuniste dhe i materializuar në mburojat bërthamore dhe kozmike, Amerika u projektua në një strategji të re të « reekuilibrit demokratik botëror ». Teatri kryesor i kësaj strategjie u gjend në Azinë e Mesme (Irak, Iran, Afganistan) dhe si rastësisht, ai përputhej me gjeostrategjinë e lëndëve të para dhe të burimeve energjetike – një fushë e « re » ndërhyrjeje dhe një zonë gjeografike e mbetur jetime pas vdekjes të « Perandorive » së dikurshme britanike dhe sovjetike. Me hir apo pahir, NATO ndoqi pas dhe u implikua në këtë dinamikë të re, e cila në të vërtetë binte ndesh me principet themeluese të Organizatës, të ngritura mbi reciprocitetin e ndihmës (Neni i 5 i Statutit) si dhe mbi qëllimin e saj mbrojtës :
.
. « Palët i qëndrojnë idesë se një sulm kundër njërës ose disave prej tyre, qoftë në Evropë ose në Amerikën Veriore do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjitha palëve dhe si pasojë, ato pohojnë se, në qoftë se një sulm i tillë do të ndodhë, sejcila prej tyre, në përputhje me principin e mbrojtjes së ligjshme, individuale ose kolektive, të njohur nga Neni 57 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të asistojë palën ose palët e sulmuara kësisoj, duke ndërmarrë menjëherë, individualisht ose të marrëveshje me palët e tjera, atë ndërhyrje që ajo do të gjykojë si të nevojshme, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe siguruar sigurinë në rajonin e Atlantikut Verior […] (1).
.
. Duke kërkuar më kot Irakun e Sadamit ose Afganistanin e talibanëve në hartën e Atlantikut Verior (Evropë ose Amerikë e Veriut) sikundër dhe gjurmën e sulmit të këtyre shteteve mbi territorin e vendeve të NATO-s, na mbetet të themi se, nga një organizëm pasiv, NATO u shëndrrua në një aktor aktiv, nga një stukturë mbrojtëse, ajo u kthye në një skalion sulmues. Me ato divergjencat tashmë të njohura mes antarëve të saj më të spikatur evropianë që u munduan të korrigjojnë trajektoren e re amerikane.
.
. Rezultatet në terren të një politike të tillë u treguan larg atyre të parashikuara – pasi fillimisht u injorua ajo farë përvoje e hidhur e përjetësimit të konfliktit sipas modelit vietnamez dhe më pas, vetë fakti se trupat e armatosura nuk janë vektori më i përshtatshëm i transportit të idealit demokratik. Pasojat më të dukshme në planin botëror të ndërhyrjes masive ushtarake amerikano-natoiste ishin lindja e rrezikut terrorist islamik ndërkombëtar, tashmë në emër të « luftës së shenjtë ». Në të vërtetë, ndërhyrja ushtarake perëndimore për të « korrigjuar » rregjime të pandreqshme si puna e Sadam Huseinit ose e talibanëve si dhe kërcënimi nga larg ndaj rregjimit khomeinist iranian u përdor si motiv dhe si pretekst nga ana e forcave dhe aktorëve të rinj politikë dhe ekonomikë, deri atëhere të nëndheshëm, për të jashtëqendërzuar dhe për të legjitimizuar kundërvënien ndaj hegjemonisë amerikano-perëndimore. Mjafton të përmendim morinë e konflikteve etnike rajonale që gangrenizonin rajone të tëra të Afrikës, të Azisë, të Amerikës latine – bile edhe të vetë Evropës ; lulëzimin e Mafiave politiko-ekonomiko-ushtarake që kërkonin të shtinin në dorë sektorë të tërë të ekonomisë botërore ; strukturat e reja oligarqike të ngritura mbi gërmadhat e të dikurshmeve, në kërkim të hapësirave të reja jetësore… Deri-diku intuitivisht, çdokush kish kuptuar se « boshllëku » ideologjik i krijuar nga shembja e skemës kundërvënëse mes dy sistemeve shoqërore ishte mbushur nga përplasja mes interesave qendërikëse të fuqive ekonomike të përbotshme : SHBA, Bashkimi evropian, Kina dhe të tjera Rusi apo Japoni, në kushtet kur kjo botë që i strehon dhe i ushqen, ofron mundësi të fundme materiale dhe rezerva të shterrueshme energjie. Me fjalë të tjera, aleancat mirëkuptuese ndërshtetëse janë kalimtare përkundrejt kundërshtive të interesave që mbeten esenciale dhe që përbëjnë karburantin e përjetshëm të motorit të zhvillimit njerëzor.
. Duke ju rikthyer NATO-s tonë si etalon matës të një kategorie të interesave të përbashkëta amerikano-evropiane, nuk mund të injorojmë faktin se ajo mbetet fuqia më e madhe ushtarake e përbotshme – por vetëm falë impulsionit amerikan, ndërkohë që evropianët detyrohen të « shpikin » artifica të vazhdueshme për të mos mbetur në bisht të karvanit dhe në rradhë të parë, jashtë sofrës. Si puna e « të drejtës së ndërhyrjes në punët e brendshme për arsye humanitare » alla-Kushner për të justifikuar pjesëmarrjen në Koalicionin anti-Sadam ose në Koalicionin e luftës së fundit në ish-Jugosllavi – qoftë kjo e drejtë edhe në mospërputhje ose në kundërshtim me Parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
.
.
. Dilema e NATO-s dhe ushtari i bindur Shqipëri
.
. Teorikisht, për të gjithë ish-kandidatët evropiano-lindorë, tashmë antarë, dhe për të gjithë aspirantët aktualë gjithmonë lindorë, fakti i pranimit në NATO ka përbërë dhe përbën një nga sprovat më të lodhshme në rrugën e gjatë dhe të mundimshme që çon në Bashkimin evropian. Them « teorikisht » pasi çdokush – dhe në rradhë të parë sejcili nga antarët « historikë » të saj – përsërit pa rreshtur se të qenurit antar i Organizatës parashikon një proces të tërë paraprak, qëllimi i të cilit është arritja e paqes së brendshme, e sigurisë sociale dhe e stabilitetit ekonomik. Pra, e një farë « standardi demokratik » të domosdoshëm që garanton jo vetëm marrjen në dorë dhe rimodelimin e ardhshëm të strukturave ushtarake, por në rradhë të parë sigurinë që vetë strukturat shtetërore, shoqërore dhe ato ekonomike vendase të jenë të afta të ndjekin dhe t’i paraprijnë këtij procesi. Pasi me kohë, NATO është shëndrruar në një paradhomë të Evropës që përdor ushtrinë si laborator të demokracisë, si një « uzinë » e një llojit të veçantë, teknologjia e të cilës pasqyron efektivitetin dhe shkallën e integrimit të ekonomisë kombëtare në funksion të ansamblit ekonomik kontinental. Për më tepër, Aleanca shërben si bartëse dhe garante e vlerave esenciale si demokracia, respekti i të drejtave të njeriut dhe mohimi i terrorizmit ose i trafiqeve, ndërkohë që ajo privilegjon dialogun e brendshëm si mjet të aksionit politik dhe kërkimin e sigurisë së brendshme ose të pavarësisë energjetike si kushte paraprake të stabilitetit ekonomik.
. Në të vërtetë – dhe në praktikë – të rrallë kanë qenë ata kandidatë që i përmbushnin paraprakisht dhe në mënyrë shembullore këto kritere të stabilitetit dhe të demokracisë. Edhe sikur të lemë mënjanë rastin e Turqisë për hir të faktorit të dikurshëm gjeostrategjik, shembujt e mëvonshëm të Bullgarisë dhe të Rumanisë mjaftojnë për të krijuar bindjen se këto vende u pranuan pikërisht antare për t’u shëndrruar më tej në stabile dhe demokratike. Çfarë duhet thënë më tej për vendet e tjera ballkanike ? Edhe më naivi i vëzhguesve e ka të vështirë të mendojë se mjafton t’i vesh etiketën NATO vendeve të tjera ballkanike si Shqipëria – pa folur më tej për Maqedoninë – me qëllim që magjia e demokracisë të veprojë dhe t’i shëndrrojë në modele të përsosura ku paqja dhe drejtësia sociale të konkurrojnë me çinteresimin material të kastës drejtuese, ku ekonomia e tregut të drejtohet nga mekanizma të shëndetshëm antikorruptivë, ku standardi shoqëror të matet me shkallën e pjesëmarrjes aktive të individit të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për rolin e tij në qeverisjen e vendit. Troç, që i sëmuri kronik i djeshëm të shëndrrohet beftas në një qënie të shëndoshë, konstruktive dhe shpresëdhënëse për kontinentin, të cilit i përket me të drejtë nga pikpamja gjeografike dhe historike – thjesht nga pagëzimi me ujin e bekuar të Bukureshtit.
.
. Duke zbritur kështu në nivelin dhe në problematikën konkrete të Shqipërisë, logjika e thotë se këmbëngulja e saj e vazhdueshme për të trokitur parreshtur në portën e mbyllur të Aleancës është udhëhequr nga imperativat e natyrës ushtarake : së pari, venia në krah të miqve tê fuqishëm atlantiko-veriorê pêr tê siguruar Mbrojtjen e vendit – sipas Nenit 5 të famshëm – dhe së dyti, mëkêmbja e tê ndjerês Ushtri Popullore dhe shëndrrimi i saj në një ushtri moderne, operative dhe tê fuqishme – gjithmonë në shêrbim të sigurimit tê mbrojtjes. Cilët janë këta armiq potencialë të egër që rrezikojnë integritetin e Shqipërisë ? Fqinjët grekë dhe italjanë, partnerët kryesorë të shtetit dhe të ekonomisë ku jetojnë me qindra mijra shqiptarë emigrantë ? Serbia që sapo humbi Kosovën ? apo Mali i Zi dhe Maqedonia ?
. Vetë dokumentat themelore të Shtetit shqiptar në fushën e mbrojtjes (Strategjia e Sigurimit Kombëtar (SSK) dhe Strategjia Ushtarake (SU)) theksojnë se
.
.Shqipëria vlerëson se nuk ka asnjë rrezik dhe kërcënim të drejtpërdrejtë që mund t’i vijë vendit tonë nga jashtë dhe se konsideron si rrezik potencial rreziqet asimetrike si terrorizmi, krimi i organizuar, trafiku ilegal dhe në veçanti përhapjen e ADM”. (shiko : tekstin)
.
. Në këtë rast, Shqipëria na ngatërruar portën pasi NATO nuk është as Interpoli, as FBI-a as edhe DEA e Departamentit të Drejtësisë.. Bile, edhe këto rreziqe mbeten diçka më pak se « potenciale » pasi vetë titullarët e Ministrisë së Mbrojtjes nënvizojnë që në vitin 2005 se :
.
. Përsa i përket dimensionit të brendshëm të sigurisë së Shqipërisë: unë me kënaqësi mund të pohoj këtu, se është bërë progres drejt rritjes së nivelit të sigurisë dhe stabilitetit brenda vendit, e parë kjo në termat ekonomike, politike, sociale dhe ushtarake.
Dhe, fokusuar në dimensionin e jashtëm të sigurisë : Shqipëria e konsideron stabilitetin dhe kooperimin rajonal si të një rëndësie kruçiale për krijimin dhe garantimin e klimës së mirëkuptimit, sigurisë dhe stabilitetit; duke shprehur në këtë mënyrë vendosmërinë e saj për të luajtur një rol aktiv në ruajtjen dhe vendosjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët tanë. Shqipëria është transformuar nga një vende konsumator në prodhues të sigurisë
.
.
. Megjithatë, në vigjilje të Takimit të Bukureshtit, kryeministri Berisha nuk harroi të deklaronte :
.
. « Për Shqipërinë dhe për çdo vend tjetër, për qytetarin shqiptar dhe qytetarin e çdo vendi tjetër liria është pasuria më e çmuar e tyre, por njëkohësisht pasuria më delikate. Në këtë kontekst, anëtarësimi në NATO përbën garancinë më madhore të mbrojtjes dhe konsolidimit të lirisë së vendit, të lirisë së qytetarëve. Por liria dhe e ardhmja janë një binom i pandarë. Pa liri edhe mund të mbijetosh, siç kemi mbijetuar ne shqiptarët, madje me shekuj, por pa liri nuk mund të ndërtosh të ardhmen. Në këtë kontekst, anëtarësimi në NATO është garancia më madhore, që kombet të ushtrojnë të drejtën e tyre, për të ndërtuar të ardhmen e sigurtë ».
.
. Si duhet interpretuar kjo deklaratë e fundit, nën dritën e deklaratave të mësipërme të specialistëve ushtarakë ? Ose, Kryeministri është i aftë të shohë të ardhmen në globin e tij të kristaltë – dhe në këtë rast, do t’i lutemi të na japë emrat e agresorëve që kërcënojnë lirinë e Kombit, ose ai zotëron informacione që i mungojnë ushtarakëve – dhe kështu, na mbetet t’i kërkojmë emrat e informatorëve. Që qeveritarët tanë civilë nuk janë në të njejtën gjatësi vale me shefat e ushtrisë, kjo gjë dihet dhe u vërtetua edhe njëherë në rastin e Gërdecit.
. Por edhe ky element konkret nuk është i mjaftueshëm që patetizmi dhe poezia e pushtetit të veprojë me të njejtin efikasitet mbi 94% të popullsisë shqiptare – e favorshme ndaj integrimit në NATO – sikundër arrin të dehë atë pjesë të elektoratit (34%), e gatshme të gëlltisë pa vështruar çdo pilulë blu mjaft që të mbajë inicialet S.B. Zaten, si edhe herë të tjera, sapo që z. Berisha fillon dhe pikturon të ardhmen , atij i ngatërrohen penelat. Ndoshta, antarësimi në NATO përmban garanci të tilla që lejojnë të shquhet më mirë e sotmja dhe të heqësh një psherëtimë nga thellësia e zemrës lidhur me sigurinë e të nesërmes, por cilat janë vetitë e brendshme të NATO-s që sigurojnë « ndërtimin e të ardhmes së sigurt » ? Pasi NATO është një krijim ad-hoc që I përgjigjej një situate të caktuar gjeostrategjike dhe mbetet një Aleancë fondamentalisht ushtarake, e brejtur nga kontradiktat e brendshme dhe e specializuar në konfliktet e armatosura. Në fund të fundit, ajo është një produkt i kohës, i destinuar të zhduket dikur si të gjitha Traktatet dhe aleancat e tjera, ndërkohë që e ardhmja « e sigurt » e një vendi mbetet në duart e popullit të vet sovran – paçka se shpesh ajo lihet në duar të dyshimta që qoftë me qëllim qoftë nga padija arrijnë t’a shpërdorojnë.
.
. Sa për ushtrinë shqiptare, efektivat e përgjithshme të të cilës mbeten më pak se 10.000 vetë (nga të cilët rreth 6.300 forca tokësore), është e vërtetë se ajo ka nevojë për fonde, për kuadro të përgatitur, për modernizim teknologjik dhe konceptual – por në rradhë të parë, për konsideratë politike, për hapësirë të mirëfilltë në marrjen e vendimeve dhe për profesionalizëm të drejtuesve. Pasi të gjitha forcat politike në pushtet nuk i kanë shpêtuar tundimit të vënies nën kontroll të ushtrisë nëpërmjet civilëve tê llojit ish-mësues ish-inxhinier ose ish-mjek, të graduar – për të mos thënë të « shpërblyer » – Ministër të Mbrojtjes. I vetmi evolucion cilësor i kqyrur nê cilësitë “ushtarake” të kêtij Ministri është kalimi nga dega e inxhinierisë mekanike në atë të gjeologjisë, duke përfunduar në ndërtim… Dhe rezultati më i prekshëm i politikave të Ministrave të tillë kompetentë është Gërdeci.
.
. Ç’mbetet nga motivet natoiste të Shqipërisë, nëqoftëse ai ushtarak paraqitet si më sipër ? Motivet politike dhe ekonomike. Nëpërmjet antarësimit të shumëpritur, të gjitha qeveritë e njëpasnjëshme të periudhës post-komuniste kanë shpresuar të sigurojnë petkun e partnerit serioz dhe të besuar në ato bashkëbisedimet e pasuksesshme me Evropën e Bashkuar, ndërkohë që ushqenin shpresën e fshehtë që kreditë ushtarake dhe veçanërisht ato civile do të rridhnin përrua – për të mbushur rezervuarët e shterrur tê buxhetit Bile edhe në kushtet e një dështimi permanent të këtyre përpjekjeve, vetë fakti i të trokiturit në derë ka shërbyer si një argument politik dhe elektoral i çdo partie politike që synonte pushtetin.
.
.
. Mbetet pa përgjigje bindëse pyetja e fundit : çfarë përfiton NATO nëpërmjet pranimit të Shqipërisë në strukturat e saj ? Në pamje të parë kurrgjë, duke patur krahasuar përmasat « mikroskopike » të vendit dhe kapacitetet e tij ushtarake me makinën e stërmadhe të NATOS (3,8 milionë ushtarakët e saj, 7.600 mbushjet bërthamore ose 183 nëndetset gjithashtu bërthamore). Ende s’kemi përmendur, telashet e pashmangshme për shkak të modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe veçanërisht, me likuidimin e stoqeve të vjetra të llojit Gërdec. Paradoksalisht, në qoftë se potencialet njerëzore dhe avantazhet teknike nuk të ndjellin të pranosh Shqipërinë në gjirin e familjes së madhe atlantiko-veriore prej 27 antarësh, ato nuk të shtyjnë tej mase drejt refuzimit – aq të papërfillshme duken edhe përpjekjet që duhen bërë.
.
. Në një tjetër optikë, çdo zell si ai i Shqipërisë meriton shpërblim. Ripërmasimi i pashmangshëm operacional i forcave ushtarake vendase si edhe kalimi drejt shërbimit ushtarak jo të detyrueshëm minimizojnë përpjekjet financiare. Ndërkohë, stoqet e pafundme të ushtrisë amerikane mund të sigurojnë riarmatimin dhe modernizimin e strukturave të mbrojtjes, pa folur më tej për elitën drejtuese ushtarake e cila, e formuar dhe e edukuar në akademitë më të mira të Perëndimit, mund të përbëjë një garanci suplementare – në mos si katalizator i përshpejtimit të stabilitetit demokratik, të paktën si fren dhe mjet kontrolli ndaj makutërisë të politikanëve.
.
. Në fund të fundit askush, përveç forcës ushtarake të NATO-s të shpërndarë në rajon, nuk është në gjendje të garantojë një Ballkan të ardhshëm – vatër të paqes dhe faktor të mirëkuptimit etnik. Sa për trupat e zellshme shqiptare sado të pakta qofshin, bile edhe pa qenë në NATO, ato mbeten gjithmonë të gatshme të pjesëmarrin në fronte të largët të përbotshëm si ai i Afganistanit ose i Irakut ku të tjerë natoistë të shquar janë tërhequr ose nuk duan të shkojnë – për hir të principit ose nga frika se mos lenë lëkurën.
.
.
. Duam apo s’duam, Shqipëria, ushtari më i ri i NATO-s, i ngjan atij kandidati të provimit të patentës, i cili herë-herë ka dështuar në provën teorike, herë-herë në atë praktike, por që mungesën e lejes e kompenson me përvojën e ngarjes së qerres ose të motoçikletës 50 kubikshe. Ndërkohë, policët amerikanë të trafikut janë gati të mbyllin sytë përpara gjendjes pasi, të paktën janë të bindur se sidoqoftë, ajo do t’ja dalë të ngasë Zisin e vet qëndrestar në ato rrugët e shkreta të fshatit edhe për një kohë të gjatë – përpara se të tjerë policë të trafikut evropianë t’a lejojnë të vozitë në autostradë.
.
.
. ———————————————–
.
. (1) Neni 5 i Traktatit të Aleancës Atlantike (OTAN). Teksti i marrë nga revista : Défense, n°95, septembre-octobre 2001, fq. 50 deri 52.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: