Nën shenjën e gjysëm-hënëzës.

. (Shqiptarët dhe Perandoria Otomane -1)
.
.
.
Pamja e përgjithshme që çlirohet nga vepra e historianëve ballkanikë, duke përfshirë këtu edhe ata shqiptarë, lidhur me periudhën e pushtimit otoman është ajo e një « nate » pa fund, e ndriçuar vetëm nga shkrepëtimat e shkurtra të kryengritjeve dhe të revoltave popullore. « Zgjedha » otomane kthehet në këtë mënyrë në një gjenerator violence, shtypjeje dhe prapambetjeje kombëtare, me fjalë të tjera një burim i pamasë inercie që zotëron fuqinë e ngadalësimit të jetës shpirtërore dhe intelektuale të popujve, të paktën deri në fundin e shekullit të XIXtë.
.
. Ky prezantim sintetiko-patriotik i një periudhe që zgjati disa shekuj ka meritën e justifikimit të një farë vonese politiko-ekonomiko-ideologjiko-kulturore të vendeve të këtij rajoni lidhur me pjesën tjetër të Evropës si edhe të lavdithurjes të të kaluarës heroike të popujve ballkanikë, por ajo mbetet krejtësisht e paaftë të shpjegojë një varg shëndrrimesh socio-ekonomike dhe shpirtërore që ndodhën brenda hapësirës ballkanike dhe që gëdhendën banorin e saj të ditëve e sotme. Një vështrim i jashtëm, më pak i pasionuar dhe më analitik, ve në dukje një pafundësi nuancash hapësinore dhe kohore, një proces të tërë dhe tepër të ndërlikuar të shkëmbimeve reciproke dhe si pasojë, një shkrirje ndërkulturore dhe etnike në gjirin e një perandorie e cila, larg çdo mendimi të parafabrikuar dhe të paramenduar, ishte – bile me tepricë – një Shtet tepër i strukturuar, raportet shoqërore dhe shkalla e tolerancës të të cilit tejkalonin mjaft ato të shteteve të tjera evropiane të epokës të tij.
.
. Po qe se thellojmë kqyrjen e kësaj epoke gjatë të cilës shqiptarë dhe otomanë bashkëjetojnë me dashje ose pa dashje, pra me hir apo pahir, një ngjarje e tillë siç është islamizimi i shqiptarëve nuk mund t’i shpëtojë edhe vështrimit më të shkujdesur. Pasi të merren një nga një – ose në grup – arsyet e mundëshme ose të menduara si të tilla, të afta dhe të mjaftueshme që të ndërtojnë një përgjigje ndaj pyetjes që fillon si zakonisht me një : Përse…. ? një pyetje tjetër e paevitueshme vjen dhe shtrohet : Si është e mundur që tërësia e këtyre faktorëve kaq të zakonshëm nga pikpamja e jetesës së përditshme dhe sipas të gjitha gjasave, të përgjithësuar në të gjithë hapësirën ballkanike, të godasë vetëm shqiptarët duke i « detyruar » të kthehen në myslimanë ndërkohë që « kursen » fqinjët e tyre të drejtpërdrejtë grekë ose serbë ?
Ky shembull, zgjedhja e të cilit nuk është krejt e rastësishme, mer vlerën e një simboli pasi ai lejon sidoqoftë të imagjinohet se përgjigja jo vetëm nuk mund të rrethqarkohet me kufij kohorë, por ajo nuk mund t’i referohet një përbërësi njerëzor pa përmendur edhe grupin e gjerë ku ai bën pjesë dhe aq më pak ajo mund të përfitohet nëpërmjet konsideratave të natyrës utilitariste. Ndërkohë, kjo pyetje sikundër dhe përgjigja e saj ndoshta nuk i përshtatet fort shijeve të atyre të cilët betohen mbi kombin – sikundër të tjerët betohen mbi biblën ose kuranin. Me fjalë të tjera, ai është shembulli vetë dhe më i goditur që ilustron idenë qëndrore të esesë tonë, e cila përmblidhet në frazën e mëposhtme :
.
. në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti (1), nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje, pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit, një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura.
.
.


Që prej kalimit të kalifatit në duart e turqve otomanë, në vitin 1517, Sulltani u konsiderua si Kalif, si « zëdhënësi » i Profetit dhe përfaqsuesi i Allahut mbi tokë (2). Ai ishte zoti shpirtëror dhe kohor i besimtarëve në gjirin e një Shteti mbi-dhe-jashtë-kombëtar dhe detyrat e tij të para ishin mbrojtja dhe përhapja e Islamit. I vetmi pushtet paralel që u tolerua nga ana e Sulltanit ishte ai i kishës ortodokse. Imponimi i Patriarkatit Ekumenik të Konstandinopojës si « qendra e parë dhe e vetme shpirtërore dhe administrative » e të gjithë të krishterëve ortodoksë të Perandorisë (3), sikundër dhe njohja e « imunitetit të tij, të jo-taksimit si dhe të paluajtshmërisë » së tij i dhanë këtij Patriarkati një fuqi të padiskutueshme kohore dhe një juridiksion të drejtpërdrejtë që u shtri mbi pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara. Në shpërblim të këtyre privilegjeve, kisha ortodokse njohu pushtetin politik otoman dhe garantoi besnikërinë e të gjithë të krishterëve të nënështruar, duke ruajtur gjithnjë orientimin e saj anti-latin.
.
. Çdonjeri kishte vendin e tij si dhe rolin e tij të paracaktuar në gjirin e shoqërisë otomane, të udhëhequr dhe të administruar nga ligji qiellor : nga njera anë ishte Mjeshtri i Madh, i vetëm dhe i padiskutueshëm nga pikpamja fetare, po gjithësesi i ndihmuar gjatë ushtrimit të pushtetit të tij nga kasta e ushtarakëve, që mbetej gjithmonë laike. Nga ana tjetër e murit në parim i pakalueshëm, gjendej tufa – raja, të cilës i duhej të shlyente detyrimet : myslimët, besimtarë dhe qytetarë me të drejta të plota duhet të paguanin për mbrojtjen e tyre ndërkohë që zimit jomyslimanë, duhet të paguanin për egzistencën e tyre, duke shlyer xhizjen – blerjen e jetës, ose e thënë ndryshe taksën për kokë. E vetmja mundësi për të përfituar qytetarinë dhe me të njejtin rast mundësinë për të luajtur një farë roli administrativ ose politik ishte kthimi në mysliman. Qytetarë të rangut ose të zonës së dytë, zimit sidoqoftë mund të ruanin fenë e tyre të origjinës, elementët e kulturës dhe të gjuhë së tyre si dhe një farë autonomie lokale. Ishte ky rasti i pothuaj të gjithë popujve ballkanikë, duke përfshirë këtu grekët dhe serbët, fqinjët e afërt të shqiptarëve. Kemi të drejtë të mendojmë se në rastin e shqiptarëve, pushtimi otoman përdori të njejtat receta, çka don të thotë që pushtetit të ri ju desh të përshtatet me permanencën e institucioneve dhe të traditave të mëparshme, pasi një nga shqetësimet e tij kryesore ishte integrimi i popullatave të nënshtruar në gjirin e Perandorisë otomane. Me fjalë të tjera, vendosja e rendit dhe sigurimi i begatisë si kushte të domosdoshme të funksionimit të mirë të sistemit timarial mbizotëronin në lidhje me konsiderata të natyrës thjeshtësisht shpirtërore. Kjo gjë nënkupton që, edhe në rastin e fesë, otomanët duke mbetur besnikë të parafytyrimit të tyre të Islamit klasik, nuk çfaqnin tendenca të rritura ndaj asimilimit ose kthimit në myslimanë të popullsive të nënshtruara. Mjafton t’i besojmë të dhënave të rregjistrave turq të vitit 1520 sipas të cilave vetëm 3% e numrit të përgjithshëm të familjeve shqiptare ishin kthyer ndërkohë në myslimane.
Kontaktet e para të qëndrueshme mes dy botëve (të krishtere dhe myslimane) u vendosën gjatë shekullit të XIVtë (4). Le të kujtojmë se një numur jo i vogël fisnikësh bizantinë dhe latinë ju bënë thirrje reparteve otomane që « shisnin » forcën e shpatës atij që i paguante më mirë, shpesh për të luftuar dhe mposhtur fqinjin e tij të bezdisshëm. Kështu bëri despoti serb i Janinës Thoma Preljuboviçi mes viteve 1380 dhe 1382 për të larguar tej arbërin Gjin Bua Shpata, që rrezikonte pushtetin e tij, ose baronët latinë Açajuoli dhe Toko të qyteteve të Artës dhe të ishujve fqinjë për t’i vënë fre shqetësuesit Gjon Zenebishi mes viteve 1381 dhe 1384. Edhe vetë arbërit nuk mundën të shpiknin receta më të goditura, sipas shembullit të Thopiave të Durrësit që përdorën ushtrinë e mercenarëve otomanë për të hequr qafe Balshajt e Shkodrës.
.
. Rastet e para të kthimit në myslimanë ndodhën në shekullin e mëpastajmë, me vendosjen e fuqisë otomane në Ballkan dhe ato prekën në rradhë të parë aristokracinë vendase. Të diktuara nga nevoja ose nga detyra e bindjes ndaj më të fortit, sipas ritmeve të shëndrrimit të tyre në vasalë të Sulltanit, fisnikët u shtrënguan të dërgonin djemtë e tyre si pengje në oborrin e sulltanit që në moshë të njomë. Të rinjtë, nëpërmjet integrimit në rrethin e ngushtë të sulltanit si pazhë – iç ogllanë, duhej të jepnin prova të bindjes së tyre dhe të nënshtrimit përgjatë gjithë procesit të nxënies të fesë dhe të traditave otomane për t’i shërbyer sa më mirë interesave të Portës së Lartë. Këto ishin edhe kushtet sine qua non që lejonin ngjitjen e shkallëve të pushtetit (5).
.
. Periudha e përplasjes të drejtpërdrejtë mes otomanëve dhe shqiptarëve që praktikisht mbulon gjithë shekullin e XVtë, përtej aspektit të tij të natyrës thjesht ushtarake me sulmet e pandërprera dhe me operacionet ndëshkimore, nxorri në rradhë të parë një formë veçanërisht të urryer të pengmarrjes të praktikuar nga sulmuesit : rrëmbimin e fëmijëve meshkuj. Kjo praktikë mizore, e vendosur nga sulltani Murat i Irë dhe e institucionalizuar nga sulltani Murat i IItë nën emrin e devshirmes, u praktikua mbi të gjithë vendet e krishtera dhe zgjati praktikisht deri në shekullin e XVIItë ; ajo u detyrua nga nevojat e pafundme në burime njerëzore të një Perandorie e cila shtrihej mbi tre kontinente, e pajisur me një makinë lufte të mrekullueshme dhe me një administratë pletorike. Ajo u dëshërua nga ana e një sovrani të vendosur për të mos ndarë pushtetin e tij të pakufizuar me një aristokraci ushtarake të trashëgueshme ; a kish gjë më të natyrshme në këto kushte se sa të thithte kontigjente të tëra djemsh të rinj të talentuar, skllevër anonimë të përkushtuar dhe pa skrupuj të veçantë, në atë rezervuarin e pamasë njerëzor të popujve të nënshtruar ? Të detyruar të ndiqnin një stërvitje intensive dhe një indoktrinim të thellë deri në moshën 20 vjeçare, të rinjtë kul ose ogllan mbaheshin nën vrojtim të kujdesshëm dhe përzgjidheshin sipas kritereve tepër të përcaktuara : më të talentuarit dhe më të devotët mes tyre ishin destinuar të integronin strukturat perandorake (pallati, administrata, garda e afërt e sovranit), të tjerët mbushnin rradhët e ushtrisë së re, trupës së jeniçerëve.
.
. Shtrirja e mëtejshme otomane në kurriz të vendeve evropiane siç ishte rasti i zbarkimit në brigjet italjane, pushtimi i fortesave venedikase në Mesdhe dhe kalimi i Danubit, bëri të nevojshëm një varg koalicionesh mes Papatit, Venedikut, Austrisë dhe Spanjës për të ndalur dhe mundësisht për të larguar rrezikun turk. Kjo situatë përcaktoi edhe fillimin e një ofensive perëndimore me përmbajtje të theksuar të krishtere drejt vendit shqiptar, dhe veçanërisht drejt zonave autonome të Malësisë me qëllim krijimin e terrenit të përshtatshëm për zbarkime të mundshme. Kështu mendohej se kryengritjet lokale do të përgatisnin bazën e nevojshme të nisjes. Në këtë kontekst shkruhet kryengritja e vitit 1537 e banorëve të Himarës dhe të Labërisë kundër ushtrisë turke që përgatiste sulmin drejt brigjeve të Puljes, lëvizja « guerrilje » e viteve 1570 – 1571 që ndezi zona të tëra të shqipërisë (Dukagjin, Shkodër, Lezhë, Elbasan et Himarë), në vigjilje dhe pas betejës detare të Lepantos (6). Të njejtit qëllim i shërbyen edhe një varg kuvendesh të përgjithshme të mbajtura në truallin shqiptar : i pari në Mat, në nëntor të vitit 1594, i dyti në Dukagjin në vitin 1601 – në prezencë të më tepër se 2.600 pjesëmarrësish të ardhur nga 14 krahina të vendit. Emëruesi i përbashkët i këtyre kuvendeve ishte zgjedhja e Papatit në rolin e bashkëbiseduesit të privilegjuar për të mos thënë të vetëm.
. Më tepër se sa një refleks i thjeshtë i natyrës identifikuese, thirrja e drejtuar Papës përfaqëson shqetësimin që mbizotëronte në zonat e thella katolike të vendit ndaj përparimit të fesë myslimane si dhe nënvizon gjendjen shpirtërore të parisë dhe të njerëzve të thjeshtë, të trashëguar nga periudha skënderbejane : ajo përcakton njëkohësisht edhe konturet e aleancave politike të cilat, duke përjashtuar Republikën e Venedikut që ruhej të mos shkelte traktatin e paqes të nënshkruar me Konstandinopojën, nuk arrinin të kalonin atë linjën që kalonte nëpër Romë dhe Napoli. Sidoqoftë, në planin rajonal dhe ndërrajonal, marrëveshjet mundën të krijonin një dinamikë të re, e cila lejoi dëbimin e spahinjve nga këto zona ndërkohë që prodhoi sulme të njëpasnjëshme mbi garnizonet lokale gjatë periudhës 1607 – 1610.
.
. Fillimi i shekullit të XVIItë njohu një fenomen të ri : kuvendet e përgjithshme ndërballkanike. Një kuvend i tillë u mbajt në Kuç të Malësisë së Madhe më 15 korrik të vitit 1614, i ndjekur nga një i dytë në 8 shtator të po këtij viti. Dy vjet më vonë, në 11 nëntor të vitit 1616, përfaqsuesit e zonave perëndimore të Ballkanit u rimblodhën në Prokuplje. Si dhe më parë, ideja ishte gjithmonë e njejta : nga njera anë thirrjen nën armë të malësorëve shqiptarë dhe malazezë (me shpresën e krijimit të një force të armatosur prej 40.000 burrash) dhe nga ana tjetër, kërkesën për ndërhyrje të princave të krishterë (Duka i Parmës, princi i Neverit). Plani i aksionit parashikonte pushtimin e disa kështjellave ballkanike si Kruja e Skënderbeut, Shkodra dhe më tej Novi në Herzegovinë ose Shkupi në Maqedoni, përpara se sa ushtria ballkanike dhe trupat evropiane të drejtoheshin drejt Adrianopojës – dhe përse jo drejt vetë Stambollit (7). Megjithë mungesën e plotë te një koordinimi evropian, potenciali ushtarak dhe veçanërisht njerëzor i malësorëve shqiptarë u vlerësua si mjaft shqetësues, gjë e cila vuri në lëvizje Portën e Lartë. Në nëntor të vitit 1638, nën drejtimin e pashait të Bosnjës, trupat otomane sulmuan Malësinë e Madhe me qëllim nënshtrimin përfundimtar të kesaj vatre tensioni. Dështimi i kësaj ekspedite si dhe bisedimet që ndoqën vulosën një statu quo i cili zgjati deri në shekullin e XIXtë, nëpërmjet të cilit malësorët shqiptarë mundën të ruanin privilegjet e tyrë autonomiste.
.
. Akti i fundit i madhështisë së Perandorisë otomane që luhej në Evropën qëndrore, me finalen e tij të rrethimit të Vjenës (korrik – shtator 1683), vuri në dukje gjithë thellësinë dhe gjerësinë e krizës në të cilën ajo ishte zhytur që prej disa dhjetëvjeçarësh. Tronditjes dramatike të shtyllave dinastike, ushtarake dhe fetare që ishte ndjerë në të gjithë hapësirën perandorake, ju shtua rreziku i jashtëm i lindur si pasojë e ndryshimit të raportit të forcave në këtë pjesë të Evropës. Ju deshën vite të tëra Austrisë së Habsburgëve për të rimarrë Hungarinë dhe përfundimisht, në shtator të vitit 1688 trupat e para austriake hynë në Beograd. Një vit më vonë, ushtritë perandorake vërshonin drejt brigjeve dalmate, në Bosnjë dhe çfaqeshin në zemër të Ballkanit : ato triumfonin në rrugët e Nishit, të Prishtinës dhe të Prizrenit dhe preknin në këtë mënyrë rajonet e banuara nga shqiptarët. Veç mund të imagjinohet shpresa e lindur mes fiseve katolike të Kelmendit si dhe mes banorëve të Kosovës, të cilët rendën për t’ju ofruar Austriakëve shërbimet e tyre (8). Shumë shpejt ata u zhgënjyen dhe dëshpërimi i tyre ishte po aq i madh sa edhe shpresa e fillimit. Mes qëndrimit të prerë dhe të ftohtë, për të mos thënë armiqësor, të oficerëve austriakë dhe kundër-ofensivës të rrufeshme otomane, ata ditën të zgjedhin shpejt kampin e tyre dhe u tërhoqën në malet e tyre të lindjes.
.
.
. —————————————-
.
. (1) Duhet falenderuar historiani Noel Malcolm për idenë e labirintit të cilin, forcërisht, i është dashur t’a përshkojë gjatë odisesë së tij shqiptare « duke ditur se si hyhet brenda por pa mundur të shihet dalja ». Shih : Noel MALCOLM – Kosovë, një histori e shkurtër (Kosovo, a short story), Bot. Koha, Prishtinë, 1998.
.
. (2) Sidoqoftë, pas vdekjes së sulltanit Selim i Irë, titullari i fundit abasid, egjiptiani al-Mutawakkil III, nuk i braktisi prerogativat e tij në fushën fetare dhe vazhdoi t’i mbante edhe pas vdekjes të atij që e shkarkoi. Megjithë faktin që ai nuk i përkiste familjes së Profetit, Sulltani u njoh de facto nga bashkësia e princave sunitë si “mbrojtës i Islamit”, gjë e cila i jepte funksionet e rojtarit të Sheriatit, ndërkohë që i vetmi që mund të ushtronte të drejtën e vështrimit ishte cheykh-ül-islâmi.
.
. (3) Georges CONTOGEORGIS – Histoire de la Grèce. Collection Nations d’Europe. Hatier 1992.
.
. (4) Disa historianë islamikë ose të islamizuar mbrojnë tezën e kontakteve të hershme mes arbërve dhe Islamit. Duke cituar burime bizantine, ata tregojnë se një fis arab i Banu Ghasan i krishterizuar dhe e udhëhequr nga Jabal bin al-Ayhan l’ Arna’ut, braktisi Sirinë gjatë periudhës së Muslim al- futuhat (ndriçimi mysliman). Të përkrahur dhe të strehuar prej perandorit Konstandin i IItë (?!) (ndoshta i IIItë), ky fis u vendos diku në Maqedoni. Kontaktet në fjalë u rimëkëmbën pas rrëzimit të shtetit islamik të Siqelisë (viti 1077). Pas tre shekujsh mbretërimi në territoret siqeliane, arabo-berberët dhe myslimanët hispanikë u shfarosën më në fund nga normanët e Robert Guiskardit ndërkohë që njerëzit e fundit të Amir Abadit (Benaverti) i njohur me nofkën Al-Mirabetto, paskëshin gjetur strehë të fundit në Arbërinë fqinje. Për detaje të tjera shih : Ataullah Bogdan KOPANSKI – Islamization of Albanians in the Middle Ages. The Primary Sources and Predicament of the Modern Historiography, në: Islamic Studies, Vol. 36, No. 2/3, Islamabad 1997.
Përveç epizodit të “pelegrinëve” arabo-kristianë dhe interludit të “të refugjatëve” arabo-berbero-hispanikë, arabët kanë patur raste të tjera për të shkelur brigjet shqiptare në mos si miq të paktën si pushtues. Që nga shekulli i IXtë, duke u nisur nga bazat e tyre kalabreze, saraçenët rrënuan bregdetin arbër dhe u vendosën në Amantia, pothuaj në qendër të Shqipërisë së sotme si edhe në qytetet e bregdetit prevalitan. Ata u dëbuan nga Perandori Niqefor Fokas i cili mundi të çojë në fund veprën e nisur nga i ati i tij, Bardas. Shih: Jean – Claude FAVEYRIAL – Histoire de l’Albanie. Robert Elsie ed. Dukagjini Balkan Books, Pejë 2001.
.
. (5) Rasti më i shquar është padyshim ai i katër djemve Kastrioti duke përfshirë edhe Gjergjin – Skënderbeun e ardhshëm, të ndjekur nga ai i dy djemve Muzaka, mes të cilëve mbahet mënd Jakupi i përmendur në kapitullin e shkuar. Mes të tjerëve, mund të përmendim dy djemtë e Gjon Zenebishit, i biri i Shpatajve, pa harruar edhe Arianitin ose Dukagjinin.
.
. (6) M. LESURE – Lépante, la crise de l’empire ottoman, Collection archives, Julliard, 1972.
.
. (7) Kuvendet ndërballkanike të Kuçit mblodhën drejtuesit kryesorë të të gjitha vendeve që ndodheshin nën sundimin otoman : Shqipëria e Epërme, Bosnja, Maqedonia, Bullgaria, Serbia, Herzegovina dhe Dalmacia. Shih : Nicolas IORGA – Byzance après Byzance, Ed. Balland, Paris, 1992. Kryetarët ballkanikë i ofruan ndihmën e tyre të armatosur dukës së Neverit që përgatiste një kryqëzatë kundër Turqve. Burimet shqiptare vërejnë se në Kuvendin e dytë të Kuçit merrte pjesë edhe Patriarku ortodoks serb i Pejës Shih : Kolektiv autorësh – Historia e Shqipërisë. Tiranë 1959.
.
. (8) Historianët shqiptarë, të mbështetur mbi burimet austriake, të Papatit dhe ato angleze të epokës, këmbëngulin së pranë gjeneral Pikolominit, komandant i përgjithshëm i forcave perandorake, gjendeshin mbi 20.000 shqiptarë të armatosur : 5.000 nga Prishtina, 3.000 nga Peja, 6.000 të tjerë nga Klina dhe Drenica si edhe 8.000 nga Prizreni.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: