A jemi gati të vdesim për Afganistanin?

Asnjëherë s’më kishte shkuar mendja të ngrija një pyetje të tillë, megjithëse e dija se nja 150 ushtarakë shqiptarë gjenden ndërkohë në vendin e talibanëve – ndërkohë që rreth 120 të tjerë gjenden në Irak. E pra, pyetje të tilla tashmë mund të ngrihen me plot gojën pasi, së pari mund të krenohemi se bëjmë pjesë në NATO – dhe si pasojë, na takon të shkojmë aty ku na thërret detyra – dhe jo më dëshira e mirë, dhe së dyti, pasi Kryeministri z. Berisha njoftoi lajmin e gëzuar se kontingjenti shqiptar në Afganistan do të rritet me rreth 100 ushtarakë të tjerë, ndërkohë që një njësi do të shkojë në Darfur për të përforcuar forcën shumëkombëshe. Meqënëse ende të rrallë janë ata që e njohin mirë Sudanin – dhe Darfurin, ja përse zgjodha Afganistanin për t’a vënë në titull.
.
. Sidoqoftë, tashmë që hymë në NATO, “teorikisht” edhe zgjedhja e vendit ku mund të shkojmë për të vdekur është më e gjerë. Pasi nga ana tjetër, vetë logjika thotë që është më interesante të vdesësh për Italinë, për Francën, Gjermaninë ose Anglinë – pa përmendur Shtetet e Bashkuara ose Kanadanë që përbëjnë edhe must-in e zgjedhjes. Një këmbë më poshtë duhet të rradhiten kandidatët që shkojnë për të vdekur për Norvegjinë ose Islandën (s’besoj të jetë fort e këndshme të vdesësh në një të çarë akullnaje ose në një gejzer) si edhe ata që do të zgjedhin vendet balltike ose fundja, Poloninë. Së fundi, s’ma merr mendja që kandidatët të shtyhen për të vdekur për Bullgarinë ose Rumaninë – aq më tepër që gjyshërit e tyre kurbetqarë kanë lënë kockat në këto vende edhe përpara se NATO-ja jonë të shihte dritën e diellit. Ama, ata që shkojnë për të vdekur në Afganistan duhet të jenë jashtë kategorisë, pasi ky i uruar vend që prodhon veç hashish dhe opium s’bën pjesë as në NATO!

.
.
. Me gjithë karakterin fisnik të gjestit, të vdesësh për NATO-n është njëra anë, por ama me kusht që të të ftojnë të vdesësh për vendet e mësipërme. Pasi si mund të vdesësh pa qenë i ftuar? Tani për tani në listë është veç Afganistani, Iraku – si edhe Darfuri, ndoshta nesër lista e vendeve që do të na e akordojë këtë nder mund të zgjatet. Ama, kush të garanton se Amerika ose Italia do të na e japë këtë të drejtë kaq legjitime?
. Imagjinoni kapterin shqiptar që i shkruan letër komandantit dhe i kërkon se është gati të vdesë për Italinë, sigurisht në kuadrin e NATO-s. Komandanti i togës ja përcjell kërkesën, të themi, komandantit të bataljonit i cili kontakton Komandën e brigadës. kjo e fundit njofton atë të divizionit, ajo e divizionit ja përcjell asaj rajonale dhe përfundimisht, kërkesa sublime mbrrin në Shtabin e përgjithshëm. M’a merr mendja, se edhe Shtabi nuk vendos vetë por kontakton Ministrinë. Dhe ja, letra e ushtarit tonë arrin në dorën e Ministrit. Ministri gjeneral-inxhinier sigurisht ja raporton atë Presidentit Komandant-i-Përgjithshëm veteriner që sipas protokollit duhet t’ja përcjellë Presidentit të Italisë. Nga ky moment, kërkesa aq e çmuar e ardhur nga Shqipëria aleate fillon edhe zbret shkallët e hierarqisë italjane për të mbrritur në hallkën e duhur – dhe në këtë rast, duke mos patur informacion të mjaftueshëm për shkallëzimet e ushtrisë italjane, le të themi se përfundimisht ajo arrin mbi tavolinën e zyrtarit që do te marrë vendimin. Si do t’i përgjigjet ai kësaj kërkese?
.
. M’a merr mendja se fillimisht, ai do të habitet dhe më pas do të mrekullohet. Ja një ushtarak shqiptar, i gatshëm të vdesë për Italinë në kuadrin e NATO-s. Por sidoqoftë, protokolli e kërkon të pyesë fillimisht : a ka ndonjë ushtarak italjan i gatshëm të vdesë për Shqipërinë? Jo për gjë, por të paktën të ruhet reciprociteti… Dhe pikërisht në këtë moment, çështja ndërlikohet. Imagjinoni vetë : në 3 prill, me rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO, një farë Marcello FOA botoi një shkrim të titulluar « “Siamo pronti a morire per l’Albania? » i cili brenda tre-katër ditësh tërhoqi 130 reaksione. Reaksionet e shkruara nga shqiptarët (90% të numrit të përgjithshëm) shkonin në të njejtin drejtim me atë të kapterit tonë, ndërkohë që asnjë prej italjanëve që u përgjigj s’mori guximin të shkruante « jam gati të vdes për Shqipërinë ». Fort e çuditshme mes te tjerash, pasi baballarët dhe gjyshërit e tyre pra kishin vdekur në Shqipëri – ndoshta jo për Shqipërinë por për Duçen, sidoqoftë në Shqipëri… A jua merr mendja se përgjegjësi italjan i « të vdekurit në Itali » do t’i akordojë një përgjigje pozitive kërkesë së kapterit tonë trim? Personalisht, mendoj se jo.
.
. Ç’do të ndodhte vallë sikur ky kapter të kish patur idenë estravagante të vdiste për Luksemburgun? Cilin nga ata pesë ushtarët e tij do të kish dërguar Duka i Madh si shkëmbim të vdiste në Shqipëri? Ç’do të ndodhte vallë sikur, krahas kapterit thanatofil, të dilnin edhe nja një mijë ose dy mijë ushtarakë të tjerë, të gashëm të vdisnin sipas dëshirës kush në Kanada – bile në Toronto, kush në Belgjikë – mundësisht në Anderleht, pse jo pranë stadiumit të famshëm, i treti në Gjermani – Mynih dhe në krah të birrarisë gjigande, i katërti në Danimarkë – në Kopenhagë pranë statujës së Sirenës së vogël, i pesti në Hollandë diku pranë lopëve laramane ndërkohë që kolegu i tij preferon mullinjtë me erë… dhe i fundit në bregdetin kroat? Do të duhej një Ministri e re në Tiranë, ajo e NATOS, me drejtoritë përkatëse mes të cilave ajo «e « të vdekurit për NATO-n ». Ja pra, natyra e problemeve të reja që mund të krijohen!
.
. Le të tregohemi disi racionalë edhe në fusha të tilla metafizike si ajo e të vdekurit: tingëllon disi fallco të kërkosh të vdesësh qoftë edhe me dëshirë dhe me entuziazëm për dikë që është më i fuqishëm se sa ti. Pasi gjithkush mund të mendojë se në origjinë të kërkesës qëndron interesi material. Larg qoftë!
. Ja përse ndoshta edhe ai FOA italjani nuk e shtron pyetjen e tij “Siamo pronti a morire per l’America?” por gjen dikë të cfilitur si Shqipëria për të bërë debat…. Në nivelin tonë modest, na mbetet të kqyrim më poshtë se ne.. dhe me këtë rast të pyesim dhe të debatojmë lidhur me Afganistanin.
.
.
. * * *
.
. Sidoqoftë, tash për tash, kemi vetëm Afganistanin si shesh lufte dhe vdekjeje. Të shpresoj gjithsesi, se ushtarakët tanë nuk do të kenë idenë e rrezikshme të marrin me vehte kallashnikovët e tyre legjendarë pasi, larg qoftë, ja ju mbaruan fishekët.. Atëhere, ka shumë mundësi të bien në ato fishekët delijorgjianë të MEICO-s dhe nuk guxoj të imagjinoj hatanë.

Një Përgjigje te A jemi gati të vdesim për Afganistanin?

  1. tropoja thotë:

    kendveshtrim interesant dhe brenda caqeve te realizmit!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: