Metafizikë estetike.

 

Shopenhauer: ” njeriu është një kafshë metafizike

 


Për dikë si puna e ime, i lindur dhe i rritur në një vend të tillë si Shqipëria – dikur laborator i socializmit të vërtetë – dhe njëkohësisht, thellësisht i ndjeshëm ndaj letërsisë dhe artit, një pyetje e tillë si : « Në ç’raporte qëndron Artisti ndaj Artit të tij, kur pushteti kontrollon çdo qelizë të jetës publike dhe mbarështron jetën kulturore nëpërmjet një doktrine ? » mbetet gjithmonë jo vetëm aktuale por edhe pa përgjigje. Horizonti ndriçohet menjëherë, pas zëvendësimit të fjalës pushtet me rregjim komunist.
.
. Tashmë gjithkush e di se Realizmi Socialist i përgjigjet doktrinën në fjalë, postulati kryesor i të cilës jepej nga Neni 1 i statutit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik në vitin 1934 :
.
. « Realizmi socialist, duke qënë metoda themelore e letërsisë dhe e kritikës letrare sovjetike, kërkon nga artisti një përfaqësim të vërtetë, historikisht konkret, të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar. Nga ana tjetër, vërtetësia dhe karakteri historikisht konkret i përfaqsimit artistik të reales duhet të kombinohen dhe t’i përshtaten detyrës së transformimit dhe të edukimit ideologjik të punonjësve në përputhje me shpirtin e socializmit ».
.
. Megjithë kornizën tejet të ngushtë doktrinore, është për t’u habitur se metoda tërhoqi në gjirin e vet artistë dhe krijues të mirëfilltë, gjurma kohore e të cilëve ka tejkaluar imperativat e epokës (Majakovski, Gorki, Einstein, Barbus…). Ndërkohë, të tjerë gjetën në të tema dhe frymëzime, krijuan vepra bile edhe kryevepra (Shollohov, Breht, Kadare…).Cila është hipoteza që ndriçon këtë realitet kontradiktor : utopi shoqërore e Njeriut, në kërkim të një mirëqënieje kolektive, universale dhe të përjetshme ? apo konstruksion intelektual i Artistit, adept i një Feje të re, në të cilën e Ardhmja transhendente zëvendëson Zotin tradicional, tashmë të vdekur ?
.
.
.
. Artisti dhe Pushteti.
.
. Raporti mes Artit dhe Realitetit është një çështje po aq e vjetër sa edhe vetë filozofia dhe mendimi njerëzor. Megjithëse është realiteti që sugjeron temat dhe furnizon modelet, intuita njerëzore i druhet “grackës” tejet të dukshme dhe kërkon diçka tjetër, të fshehur. Ndoshta, çdokush që e ndjen vehten Artist kupton intuitivisht atë çka sociologu Barthès e thotë shkoqur: « forca lëvizëse e artit gjendet në mospërputhjen thelbësore mes formës dhe reales ».
.
. Sidoqoftë, realiteti dhe realja imponohen vetvetiu, qoftë si skicë fillestare mbi të cilën punon imagjinata pjellore e artistit, qoftë edhe si pasqyrë e ndërsjelltë, me të cilën krahasohet vetë krijimi. Edhe Aristoteli kur vlerësonte tragjeditë antike si katarsis të nevojshëm për spektatorin dhe shoqërinë, ngulmonte se edhe ngjarjet mitike që qëndronin në bazë të tyre duhet të paraqiteshin me “vërtetësi” : ja pra, problematika reale përballej me përgjigjet imagjinare. Është po i njejti Aristotel që ka thënë : “është padyshim e pamundur të kenë egzistuar njerëz sikundër i ka pikturuar Zeuksis (një piktor fort i çmuar i Antikitetit), por ai i ka krijuar më të mirë se sa kanë qenë, pasi ajo çka jepet si shembull duhet të jetë e shkëlqyer”.
.
. Ja pra, realiteti « i përmirësuar », « i përpunuar », « i përshtatur » ; thjesht « i orientuar » për të mos thënë « i ideologjizuar ». Pasi të gjithë të fuqishmit e kësaj bote – që nga Filozofi deri tek Kisha, nga Princi tek Partia – kanë kuptuar se Arti është njëkohësisht një forcë, një mjet që zotëron një ndikim të fuqishëm mbi shoqërinë. Artistit vetë i mbetej zgjedhja e epitetit që mund të vinte mbi realizmin e tij : mistik, klasik, romantik, natyralist, fantastik, kritik sikundër dhe su- ose sur-… Ndërkohë, më të maturit prej tyre janë munduar të rrinë sa më larg pushtetit.
. Le të tregohemi shpirtgjerë duke thënë se zgjedhja individuale është e vështirë – për të mos thënë e pamundur : në një krah të kandarit qëndron pavarësia aq e çmuar e krijimit, ndoshta edhe harresa dhe nga ana tjetër, paraja dhe lavdia personale, zvetënimi material ose moral.
. Sejcili sipas meritës, sejcili sipas moralit !
.
. Antifashist i bindur por komunist ende i pavendosur, Bertold Brehti estet, një nga « baballarët » e realizmit socialist, në shkrimin e tij « Popullaritet dhe Realizëm » të botuar në vitin në 1938, shpall se :
.
. «Realist do të thotë : ai që zbulon shkak-pasojën e ndërlikuar të raporteve shoqërore, ; ai që denoncon idetë mbizotëruese si ide të klasës mbizotëruese ; ai që shkruan nisur nga pikpamja e klasës që i ka gati zgjidhjet më të gjera lidhur me vështirësitë më të ngutshme në të cilat përpëlitet shoqëria e njerëzve ; ai që nënvizon momentin e evolucionit të gjithçkaje ; ai i cili është konkret, gjithë duke lehtësuar punën e abstragimit », ose pak më tej : « .. duhet kritikuar realiteti duke i dhënë këtij të fundit një formë, ai duket kritikuar në nje mënyrë realiste. Është pikërisht elementi kritik i cili mbetet vendimtar për dialektikun, pasi në brendësi të tij qëndron edhe angazhimi ».
. Pikërisht, fakti i të qenit jashtë pushtetit lejoi Bertold Brehtin qytetar, babain e teatrit epik dhe krijuesin e konceptit të « distancimit » – marrëdhënies së re mes aktorit dhe spektatorit « kufi të estetikës dhe të politikës » – t’i drejtohej udhëheqjes së partisë, në qershor 1953, me rastin e revoltës së puntorëve në RDGJ :
.
. Populli, për shkak të fajit të tij, ka humbur besimin e Qeverisë së tij.

. Dhe, veçse duke dyfishuar përpjekjen, ai mund t’a rifitojë atë rishtas.
. A nuk do të ishte më e thjeshtë për Qeverinë,
. Të shpërndante popullin dhe të zgjidhte një tjetër ?
.
. Nuk besoj se distanca me pushtetit ka qenë preokupimi kryesor i epigonit të tij të shquar shqiptar Kadare, i cili një çerek shekulli më vonë, nënëshkruan artikullin : « Realizmi socialist-arti i madh i revolucionit » në gazetën « Zëri i Popullit » të datës 13 janar 1974, ku mes të tjerash lexojmë :
.
. « Realizmi socialist është art i së ardhmes. Asnjë art i gjertanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm më të për nga mundësitë, epiciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli i lartë ideoartistik. Këtë omnipotencë ja jep atij revolucioni komunist. Realizmi socialist [..] nuk u bindet kanoneve, rregullave dhe dogmave, sic pretendojnë armiqtë e tij të hapur, ose miqtë e tij të rremë. Ai u bindet vetëm ligjeve të revolucionit, i njeh dhe i respekton ato ligje, dhe pikërisht në këtë qëndron jo dobësia dhe jetëshkurtësia e tij, por përkundrazi forca dhe pavdeksia e tij. Nganjëherë vetë ne shkrimtarët dhe artistët e realizmit socialist, nuk i njohim, ose nuk i përdorim dot mundësitë e pakufishme të këtij arti. Marksizmi na mëson që shpesh herë qëllon që shija e parë e klasës së fitimtarëve mbart me vete elementë të shijes së fundit të klasës së të mundurve. Shkëputja nga kjo shije është një detyrë e vazhdueshme e të gjithëve, dhe veçanërisht e ne krijuesve ».

 
 Artisti dhe Liria.
 Duke përshkuar blogun e artistit Toni Milaqi, nuk mund të anashkalosh pa komentuar „kredon“ e tij që shprehet në formën e mëposhtme :
 Nje artist, nje intelektual, s’ka se si te rrije indiferent kundrejt ketyre shfaqjeve te dhunshme te Pushtetit, te cdo tipi. Nje artist s’mund te jete anashkalues! Nuk mund te rrish pafolur kur ndesh kasaphanen e Shtetit , perkundrejt Individit….

 “Prekja e Pushtetit” eshte e eger; dhe fatkeqesisht Individi eshte gjithnje i lakuriqte, i pambrojtur, dhe i vetem, perballe ketyre “perbindeshave social” te krijuar prej vete tij.
 Dashur padashur, mendja më shkon tek shprehja e njërit prej paraardhësve të tij të lavdishëm, Pikaso, i cili jo vetëm realizon pikturën “Guernica” në vitin 1937, por edhe e ilustron me anë të një teksti, të shkruar nga dora e tij :
Ç’mendoni ju se është artisti ?
Një idiot që ka veç sy në rastin e një piktori, veç veshë në rastin e një muzikanti, ose një lirë në çdo kat të zemrës në rastin e një poeti apo që ka veç muskuj në rasti e një boksieri ?
Krejtësisht gabim, ai është njëkohësisht një qënie politike, vazhdimisht në përgjim ndaj të ngjarjeve cfilitëse, të zjarrta ose të ëmbla të botës, që ripërtërin krejtësisht vetvehten në funksion të imazhit të tyre. Si do të ish e mundur ndryshe që ai të çinteresohej në lidhje me të tjerë njerëz, dhe në sajë të cilës shkujdesjeje fildishore, të çkyçej nga ajo jetë të cilën na e sjell me aq bollëk ? Jo, piktura nuk është bërë për të dekoruar apartamentet. Ajo është një instrument e luftës sulmuese dhe mbrojtëse kundër armikut.

Ja pra, përgjatë një shekulli, vështrimi i Artistit ka mbetur pothuaj i pandryshuar dhe angazhimi i tij intelektual dhe politik nuk ka marë asnjë rrudhë. Cilit rend i përket ky angazhim? Çfarë elementë të shpirtit angazhon Artisti në punën e tij krijuese dhe cili është mekanizmi i ngërthimit të këtij angazhimi në veprën e tij, në atë marrëdhënie të vazhdueshme me Tjetrin -spektator?
I lirë të kritikojë, të shprehet – i lirë të shëndrrojë, të krijojë. Artisti paraqitet si një demiurg, i aftë të ngjizë lëndën nga asgjëja. Në mos, si një revolucionar, si një pararendës i të gjithë ndryshimeve – i aftë për të guxuar të gjitha “të pabërat” dhe të gjitha thyerjet me konformizmat e mjedisit. Edhe në këtë rast, dykuptimësia është e dukshme pasi ushtrimi i kësaj lirie të të krijuarit mund të jetë e lumtur sikundër dhe e dhimbshme, ndërtuese sikundër dhe shkatërruese. Një hap ndan artistin gjenial nga atë të mallkuar ndërkohë që si i pari dhe iI dyti, lindin, rriten – bile dhe vdesin – brenda një konteksti institucional (rregulla dhe norma), pësojnë dhe jetojnë presione ose tensione socio-politike (konjuktura), ushqehen me idetë dhe kontradiktat e epokës.
Ndërkohë, Arti i tij dëshmon lidhur me një farë lirie metafizike të formës kantiane: njeriu krijues përpiqet të çlirohet përkundrejt natyrës, artisti përpiqet të çlirohet përkundrejt epokës në të cilën jeton, kritika përpiqet të çlirohet përkundrejt vetëgjykimit të brendshëm dhe perkatësive të momentit… E megjithatë, gjithçka mbetet e dykuptimshme pasi diku krijohet përshtypja e një lloj lirie të pamjaftueshme, të pakënaqshme – ndoshta për shkak të përvojës që mbështjell ushtrimin e lirë të gjykimit estetik, njëkohësisht të bezdisur nga perspektiva e një lirie morale të dyshimtë si dhe nga çfaqjet e dukshme të një determinizmi natyror.
Padyshim, Artisti banohet nga një force të magjishme që tejkalon talentin dhe dhuntitë e tij personale; ndoshta paditur, ai bëhet bartës i një ideje esenciale që regjeneron shpirtin e njeriut, të sejcilit. Dhe është pikërisht ky shartim mes talentit dhe magjisë, mes forcës dhe idesë, mes frymëzimit të vetvetishëm dhe përvojës pasuruese, të pandërgjegjshmes dhe të ndërgjegjshmes që qëndron në thelb të vetë Artit që e shëndrron këtë fundit në një proces unik dhe të papërsëritshëm, të aftë të tërheqë vështrimin dhe të ngjizë reflektimin. Thjesht, të krijojë ndjenjën që i reziston kohës dhe që shtyn tej harresën.
Të shëndrrojë botën në të cilën jeton dhe me këtë rast shoqërinë njerëzore, sigurisht, por në ç’mënyrë? Edhe kur është i bindur se veprat e artit nuk janë thjesht objekte për t’u varur në mur, që dekorojnë parqet publike ose që kënaqin veshin me harmoninë e tyre qiellore, ai dyshon dhe druhet t’u japë atyre maksimumin e kuptimit, në funksion të asaj çka ai percepton, përndjen dhe jeton. Pasi diçka e brendshme i pëshpërit se e veçanta në art është pikërisht ajo çka nuk arrihet të kuptohet ndërkohë që liria e përdorimit të teknikave dhe e mjeteve të shprehjes është shprehja vetë e lirisë, në formën e saj më të pastër.
 “Arti – sikundër thotë edhe Hannah ARENDT – nuk detyrohet nga asgjë, bile edhe nga vetë e vërteta”.  

2 Përgjigje te Metafizikë estetike.

  1. ARTI NE KOHERAT E KOLERES thotë:

    nje analize teper interesante mbi artistin dhe artin, krijuesin dhe shtetin; mbi rolin qe duhet te kete arti, dhe ate qe aktualisht ka, ne jeten tone .

    nje analize-oaz ne blogosferen shqiptare. pergezime!

  2. Toni Milaqi thotë:

    xixa

    sa here lexoj analizen tende te mesiperme, aq me teper bindem ne vertetesine e tere atyre sa thua, si edhe per kendveshtrimin tend zhbirues mbi raportin e artistit dhe te artit ne shoqerite njerezore.

    nje mendim qe me erdhi natyrshem duke te lexuar, ish se raporti “artist + pushtet”, eshte per te gjithe sistemet: i njejte dhe teper konfliktual.

    do te ishte gabim t’a perqendronim mosperputhjen dhe kontradikten e kesaj lidhjeje, vetem ne sistemet diktatoriale.

    lufta eshte po kaq e ashper edhe sot (kur presupozohet rrojme nje epoke pa ideologji); bile edhe me e eger.

    ne sisteme diktatoriale, e njeh armikun. e di se nga te vjen e keqja. lasgushi u mbyll ne kullen e tij imagjinare, dhe rronte realitetin e tij artistik, apo edhe social.

    perkundrazi sot lufta e pushtetit ndaj individit, krijuesit, artistit eshte shume me e rafinuar. prangat sot ekzistojne (s’jane zhdukur aspak), por jane te padukshme.

    jane prangat e tregjeve dhe bursave te artit, prangat e mediokritetit intelektual, prangat e roberise individuale globale, prangat e pergjimit gati-gati total qe i behet jetes sone private ne cdo kohe dhe ne cdo cast, prangat e shifrave dhe te numrave qe kane mbytur jeten tone.

    eshte teper e veshtire sot te krijuarit e nje personaliteti njerezor , apo intelektual, apo artistik; dhe po kaq e veshtire kundervenia, qofte ndaj mediokritetit te turmes, qofte ndaj politikave mbytese dhe mjerim-pjellese qe shteti dhe pushteti (i cdo tipi) mbareshton dhe kultivon.

    gjithesesi, jam teresisht dakort me ty se artisti dashje -padashje eshte nje percues i nevojave,i deshirave,i endrrave njerezore; dhe se se roli i tij eshte teper i rendesishem dhe teper i nevojshem kudo dhe ne cdo kohe.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: