Islamizimi i Shqiptarëve.

. (Shqiptarët dhe Perandoria Otomane -2)
.
.
.

. Sipas baticave dhe zbaticave të kryengritjeve dhe të nënshtrimit, shekulli i XVII-të njohu një valë të tërë kthimesh të shqiptarëve në myslimanë. Islamizimi preku fillimisht katolikët romanë që banonin në veri, në pllajën e Kosovës dhe në zonat qendrore të vendit. Popullsia ortodokse e jugut nuk mundi t’i shpëtojë këtij fenomeni, ndonëse sipas një dinamike të ndryshme. E ekspozuar që herët drejt pushtimit otoman, ajo kish njohur prej kohësh peshën e administratës si dhe barrën e detyrimeve, bile përpara krijimit të sanxhakut të Arvanit-ilisë në vitin 1417. Arsyet e lëshimit të besimit të parë dhe përqafimit të fesë së re janë sa të ndryshme po aq dhe të shumëllojshme, ndërkohë që rezultati përfundimtar nuk ka të krahasuar me viset e tjera të Ballkanit. Sidoqoftë, shtrirja si dhe shkalla e arritjes së këtij procesi çliron një mister ende të pazgjidhur përfundimisht në kohët e sotme, pra një ezoterizëm më tepër që shoqëron etninë shqiptare dhe që, në mungesë të argumentave bindës, krijon idenë që mund të lidhet me terrin e gjenezës së saj.
.
. Përsa i përket historiografisë bashkëkohore vendase e cila asnjëherë nuk i ka zënë besë mrekullive, skema e deshifrimit të këtij fenomeni mbetet krejt racionale : në fillim, pushtuesi ngriti më këmbë një farë mekanizmi politik (1) i cili u favorizua nga rënia e Kishës katolike bile dhe nga armiqësia e përjetshme që gjithmonë i ka rezervuar homologu i saj ortodoks, pa harruar atë më të rëndësishmin – faktorin ekonomiko-shoqëror ose me mirë, peshën e taksave dhe të tatimeve mbi jetën shpirtërore të popullit

.
.
. Pranimi dhe përthithja e popullatave jo-myslimane në gjirin e një Perandorie që administrohej sipas ligjeve të Shariatit shtroi problemin e statutit të tyre të veçantë por njëkohësisht edhe rregullimin e veçorive të tyre fetare, kulturore dhe morale, gjë e cila sugjeroi sistemin e bashkësive vetëadministruese – mileteve.
.
. Interpretimi i termit milet ka qenë gjithmonë subjekt i debateve dhe i kundërthënieve. I përkthyer dhe i interpretuar në origjinën e vet si – komb, ai ka ngjallur një debat mjaft të ashpër për shkak të paralelizmit të vënë mes përkatësisë kombëtare dhe përkatësisë fetare. Mjaft më elastik, interpretimi si – bashkësi jep një kuptim më afër realitetit, po qe se do të kufizohemi në fushën e besimit fetar. Analiza të tjera kanë nënvizuar mungesën e homogjenitetit të trupavet të miletit në nivelin e një vendi, ku ato silleshin si “bashkësi lokale që gëzonin një farë autonomie ndaj përfaqsuesve periferikë të qeverisë” (2).
. Sa për historiografinë shqiptare, nuk ka asnjë pikë dyshimi se « duke zbatuar parimin fetar në përcaktimin e përkatësisë etnike të popullsisë, qeveria osmane nuk e njihte kombësinë shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar, në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme: myslimane, ortodokse dhe katolike. Si pasojë, sipas sistemit mesjetar e obskurantist të “miletit” (të kombësisë), të vendosur nga sulltanët osmanë, për turqit myslimani shqiptar, si i çdo kombi tjetër, ishte turk, ortodoksi grek e katoliku latin (italian) ».
.
. I pari milet që u njoh dhe me siguri më i njohuri mes të gjithë të tjerëve për shkak të peshës së tij qe « Rum mileti » – mileti grek (3) i cili fillimisht, përveç popullatave të krishtera lindore, gruponte të gjitha popullatat e krishtere të viseve ballkanike : grekë, serbë, bullgarë, shqiptarë dhe vllehë. Siç mund të pritej ai u vendos nën përgjegjësinë e lartë të Patriarkatit Ekumenik të Konstandinopojës. Krahas tij, dy qendra të tjera arqipeshkopale – ose qendra të Primatëve të kishës – pak a shumë autonome, kishin zgjedhur selitë e tyre në afërsi direkte të hapësirës shqiptare dhe i bënin hije « Kishës së Madhe » : Metropolia e Ohridit dhe Patriarkati i Pejës. I pari ishte themeluar që në kohën e ungjillëzimit të sllavëve të parë (shekulli i IXtë) dhe e mbante vehten si përgjegjës të bullgaro-maqedonëve megjithëse mbetej i varur nga ana hierarqike nga Konstandinopoja, ndërkohë që i dyti, garant i besimit të serbëve, kish rilindur në vitin 1557, si pasojë e përkujdesit të Vezirit të madh Sokolloviç.
.
. Viset shqiptare paraqesin një veçori krejt origjinale në krahasim me krahinat e tjera ballkanike nën otomanët : një pjesë e konsiderueshme e popullatës ishte e besimit katolik. Në nivelin e Perandorisë, kjo pakicë fetare, e përjashtuar nga sistemi i mileteve, për një kohë të gjatë mbetet e izoluar dhe mbijetesa e saj varet në shkallë të madhe nga lidhjet më se hipotetike të saj me Selinë e Shenjtë. Që prej kohësh, Papati kish zgjedhur kampin e armiqve të betuar të Portës së Lartë. Të vetmit përfaqsues në vend mbeteshin kryepeshkopata e Tivarit me « degën » e saj të Durrësit që përkujdeseshin lidhur me shugurimin e priftërinjve ose me administrimin e pasurive të kishës. Për më tepër, ata gëzonin një status të veçantë i cili i njihte lirinë e ushtrimit të ceremonive fetare. Bashkësia e këtyre lirive, të dhëna me anë të një dekreti perandorak – berat, në të vërtetë i siguronte këtij institucioni një farë jetëgjatësie, megjithëse këto « privilegje » nuk ishin në gjendje të rivendosnin as autoritetin e saj, të tronditur nga sulmi i homologut të saj lindor, as edhe të ndalnin krizën e rëndë që përshkonte Kishën katolike dhe që kish filluar përpara mbrritjes së otomanëve në viset ballkanike. Në terren, grigjës së besimtarëve, thellësisht të turbulluar nga vënia në jetë e kalendarit të ri gregorian – i cili në 1582 zëvendësoi atë julian – i duhej të kënaqej me ceremoni fetare gjithmonë dhe më të reduktuara, të zhvilluara në kisha gjithmonë dhe më të rrënuara dhe të celebruara nga priftërinj gjithmonë e më të pakët dhe gjithmonë e më injorantë (4).
.
. Lulëzimi i poleve kishtare, ndërkohë që çdonjëri prej tyre sillte vizionin e vet politik, misionin e vet ungjillor dhe së fundi liturgjinë e vet, në gjuhë të ndryshme dhe të pakuptueshme në lidhje me dialektet e vendit, nuk mund të mos kishte një efekt të dëmshëm mbi një popullatë sigurisht besimtare por njëkohësisht tejet të çoroditur dhe të çorientuar mes grindjeve ndërkishtare, që e tejkalonin së tepërmi karakterin teologjik. Ndërkohë, përpara besimtarëve shpirtplasur ishte çfaqur një zgjedhje e re : përqafimi i dogmës islamike e cila, përveç shëmbëlltyrës të përjetësisë mjaft të ngjashme me atë që ofronin dogmat e vjetra të krishtera, kish edhe avantazhin e pamohueshëm të përmirësimit të jetës të përditshme.
.
. Predikuesit e parë të fesë së re qenë bektashinjtë – antarët e urdhërit homonim. Këta mistikë sufi, adeptë të një doktrine mjaft kurioze e cila mblidhte rreth Kuranit ndikime dhe praktika të krishtera, hindu dhe zoroastriane, përshkonin rrugët e Ballkanit disa dhjetëvjeçarë përpara nënshtrimit të bullgarëve dhe të Serbëve, shpesh të veshur me zhgunin e murgjve shëtitës.
. Nëpërmjet predikimit të një islami të thjeshtëzuar, heterogjen dhe eklektik që shprehte ngjasime turbulluese me mësimet e Kishës lindore, ata mundën të kapin vëmendjen e të krishterëve heterodoksë ballkanikë, adhuruesve të filozofisë manikene të njohur nën emrin e Bogomilëve, Patarenëve ose Babunëve. Ishte ndoshta herezia që kish depërtuar kaq thellë në viset malore shqiptare (5) apo ndoshta qe krishtërimi kaq sipërfaqshëm në shpirtrat e shqiptarëve që lejuan elementët e paganizmit të gjenin refleksin e tyre në gnosën vegimtare të Bektashinjve ? Cilidoqoftë « fajtori », kulti i misionarëve sufi sipas shembullit të Sari Salltikut (6) u rrënjos thellë në vend dhe u shëndrrua në pjesë të folklorit lokal ; ky personazh u shkri në memorjen kolektive dhe çfaqet më tej nën aureolën e një shenjtori saqë shpesh merret për Shënkollin. Falë militantizmit fanatik të saj dhe prozelitizmit triumfues, kjo heterodoksi myslimane që do të shëndrrohej në fenë zyrtare të jeniçerëve, përgatiti terrenin për mbjelljen e Islamizmit.
.
. Një faktor tjetër, shpesh herë i përmendur dhe i mbajtur si përgjegjësi kryesor i procesit të braktisjes së fesë së krishtere dhe përqafimit të asaj myslimane, është ai ekonomik. Otomanët kishin ngritur më këmbë një sistem të tërë taksash dhe tatimesh, qëllimi kryesor i të cilave ishte furnizimi i thesarit perandorak dhe i qeses së spahiut, që rëndonte mbi rajanë pa bërë dallim lidhur me besimin e tij fetar. Në dobi të thesarit, zimive malësorë ju duhej të shlyenin haraçin – një lloj takse mbi trojet, diçka si vergjia, ndërkohë që pjesa tjetër e zimive shlyente xhizen – taksën individuale ose për kokë, natyrisht përveç të dhjetës – ushyrit – e cila shkonte në dobi të të zotit të tyre, spahiut. Nga ana tjetër, spahiu merrte një të ardhur nga shfrytëzimi tokës së « tij » të dhënë me qira – ispenxhen et të krishterëve që gjente ekuivalentin e vet tek resm-i çift i myslimëve dhe duhet thënë që lista e taksave ende s’ka përfunduar pasi për të qenë në rregull, duhet të përmendim një varg taksash dhe tatimesh, pagesash dhe angarish të natyrës individuale dhe kolektive, të zakonshme dhe të jashtëzakonshme dhe më në fund që ndryshojnë në kohë (kohë paqeje ose kohë lufte) dhe në hapësirë (sipas grupeve të popullatave, sipas lokaliteteve, sipas vendeve…). Në këtë lloj skeme gjithçka luhet mes kredos qiellore dhe realitetit tokësor. Në rasti kur ky i fundit fiton davanë, bile edhe pa patur nevojë të ushtrohet dhuna, mjafton t’i japësh kohë kohës dhe të presësh që inflacioni dhe zhvlerësimi i parasë të veprojnë mbi përshpejtimin e ritmeve të kthimit në myslimanë.
.
. Elementi i fundit, dhe me sa duket një nga më të rëndësishmit, lidhet me veçorinë e qënies shqiptare, me psiken e tij, një portret mahnitës i të cilit është dhënë si më poshtë :
.
.
. « .. Shqiptari sypatrembur, krenar, egoist dhe grindavec nuk mund të konceptojë përuljen, shprehjen “duajeni armikun tuaj”, e të tjera si këto që janë për shpirtra të varfër dhe të nënshtruar ; ndaj as që ka durim te presë për të marrë atë që i përket, në një jetë qiellore të pasigurt. Përveç gjithë këtyre, as që ka ndër mend t’i kthejë dhe faqen e majtë atij që do të guxojë ta godasë tek e djathta… Feja e krishterë mbështetet tek mëshira. Shqiptari nuk e do mëshirën, por admirimin. Kështu mund të themi se ndryshimet e feve nga ana e shqiptarëve kanë si shkak interesin ekonomik për të pasurit dhe karakterin e traditën e lashtë për të varfërit. Por pjesa dërrmuese e Shqiptarëve ishin gjithmonë të varfër. Nga i nxirrnin paratë ? Me artin më të bukur – shpatën dhe dyfekun… Feja myslimane… ishte më pranë karakterit të tyre luftarak » (7).
.
.
. Pa vënë aspak në dyshim sinqeritetin e autorit, duhet thënë që në fillim se ky përshkrim lapidar paraqet një problem qenësor lidhur me thellësinë e ndjenjës fetare tek shqiptarët dhe mund të pranohet vetëm në hipotezën e një krishtërimi sipërfaqsor që prek më shumë sjelljen e tyre se sa shpirtin. Sidoqoftë, sado sipërfaqsore të ketë mbetur doktrina fetare edhe hieja e saj është e mjaftueshme për të nënvizuar faktin që një i konvertuar para së gjithash është një rrenegat, i cili edhe nëqoftëse braktis një kod trimërie për t’a zëvendësuar me një doktrinë nënshtrimi siç është feja – qoftë edhe ajo myslimane – mbi të gjitha ai shpreh një qëndrim frikacaku. Mjafton të mendosh që vetëm një shekull më parë, ky kod trimërie lulëzonte nëpërmjet rregullave të Lidhjes së Vjetër të Skënderbeut, në luftë për jetë a vdekje kundër të pafeve !
.
. E reduktuar në këtë mënyrë në shprehjen e saj hobesiene, revolta e vetvetishme që qenia individuale shpreh ndaj pushteteve (shoqëri, fe, Shtet), fara e luftës që ajo mban në vetvehte, shëndrrohet në një kod me anë të të cilit mund të zbërthehet një sjellje sociale e tërë, pasi nuk duhet harruar që përtej zgjedhjes individuale, bëhet fjalë për një qëndrim të një bashkësie të tërë. Gjithmonë në këtë temë, është mjaft interesante të nënvizohet fuqia tepër relative mbi shqiptarin tonë e kësaj « vlere universale » që karakterizon njeriun në gjendjen e tij natyrore. Kështu, kjo vlerë e shtyn të veprojë në mënyrë të diferencuar vetëm mbi fuqinë fetare ndërkohë që ai i bindet fuqive të tjera pa krijuar probleme ; ajo është e vlefshme mbi disa zona dhe krahina ndërkohë që kuk vrojtohet në të tjera syresh. Shembujt janë të panumurt, mjafton të kesh dëshirën për t’i krahasuar :
.
. – Si shpjegohet që malësorët e Matit dhe të Krujës « urrejnë » me kaq zjarr fenë katolike ndërkohë që fqinjët e tyre më të afërt Mirditorë janë shërbëtorët e saj më të devotë ? Duhet të kuptojmë që të parët janë më të dhënë ndaj artit të bukur të luftës se sa të dytët apo që të dytët duan më tepër armiqtë e tyre se sa të parët ?
.
. – Përse Kurveleshasit e varfër të shtyrë nga uria zgjodhën të ktheheshin në myslimanë « dhe të mbeteshin gjallë »(8) ndërkohë që Himarjotët, të cilët veç një mal i ndan nga të parët, megjithëse po aq të uritur dhe të varfër preferuan të mbeteshin të krishterë ? Nga pikpamja e karakterit, të dytët jo vetëm ngjasin si dy pika uji me të parët por vështirë se mund të përdoren kritere të tilla si vetëadmirimi ose mungesa e mëshirës për të dalluar njërin nga tjetri.
.
. – Nga çfarë kënd vështrimi duhet të kqyrim së fundi lidhjen e ngushtë me krishtërimin të Arbëreshëve ose të Arvanitasve, të cilët lëshuan vendin e tyre gjatë pushtimit otoman për t’u vendosur në Itali ose në Greqi, në krahasim me apostazinë e përgjithshme të sivëllezërve të tyre shqiptarë që mbetën në vend ? E pra, megjithë shtrëngimet e përdorura nga pushtuesi – të cilat a priori janë të njëjta me ato të të gjithë Ballkanit, masa e Arvanitasve të Greqisë nuk pranoi të mohonte fenë e tij të origjinës sikundër ishte rasti i masës së shqiptarëve.
.
.
. ————————————————-
.
. (1) Ky mekanizëm politik nënkupton mes të tjerash, arsenalin e mjeteve të shtrëngimit dhe të ndjelljes të ushtruar ndaj aristokracisë vendase (islamizimin e fisnikëve të rinj, ndarjen e pushtetit në nivelin lokal) si edhe aplikimin e vendosur dhe të përgjithshëm të devshirmes, të shoqëruar me dëshirën për të qeverisur vendin me anë të funksionarëve, të dalë nga rradhët e të rrëmbyerve. Kjo seri masash, e vënë në jetë në një vend të shkretuar nga lufta dhe e braktisur nga pothuaj gjysma e banorëve të tij, ka nxitur islamizimin ; të paktën, ajo ka mundur të krijojë një prirje drejt apostazisë të përgjithshme të shqiptarëve që ndodhi gati dy shekuj më vonë.
.
. (2) Shih mbi këtë çështje : Georges CASTELLAN – Histoire des Balkans (XV – XX siècle), Ed. Fayard 1991 ; si edhe : Ernest WEIBEL – Histoire et géopolitique des Balkans de 1800 à nos jours, Ed. Ellipses, coll. L’Orient Politique, Paris 2002. Shih gjithashtu : Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë – Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- Historia e Popullit Shqiptar v.I e II , Bot.. Toena, Tiranë, 1994 – 2002.
.
. (3) Shprehja rum e përkthyer në grek që i bashkëngjitet bashkësisë ortodokse të Ballkanit nuk ka asnjë tipar etnik, aq më tepër që në vetvehte ai don të thotë – latin. Ai tregon thjesht lidhjen fetare të të krishterëve të ritit lindor ndaj Kishës të Konstandinopojës. Paralelisht me Rum milet, dy milete të tjera organizohen në gjirin e Perandorisë otomane : ai i armenianëve – millet-i ermeniyan (që përfshin njëkohësisht edhe jevgjit koptë si edhe monofizitët e Sirisë dhe të Egjiptit) nën përgjegjësinë e Kryepeshkopit të Brusës si edhe ai i çifutëve – yahudi millet, i cili përmbledh dy bashkësitë e mëdha sefardim (çifutët e Perëndimit, të Magrebit dhe të Lindjes së Mesme) dhe askenazim (çifutët e Evropës së lindjes dhe të Ballkanit). Mileti i fundit që u njoh si i tillë ishte ai i vllehëve, në vitin 1905. Në periudhën e fundit të Perandorisë, mileti merr tipare laike, emancipohet dhe shkëputet pak nga pak nga autoriteti strikt i hierarqisë fetare.
.
. (4) Megjithë lidhjet e dobëta, Papati asnjëherë nuk e harroi vendin e shqiptarëve si edhe pakicën katolike. Në ballë të përpjekjeve kishtare u vunë arbëreshët e Italisë të cilët, pas Koncilit të Trentos të vitit 1563, mundën të ngrinin disa seminare për formimin e priftërinjve si ai i St Atanassio në Romë (1572) dhe ai Ilirjan në Loreto, pranë Ankonës (1572). Që prej vitit 1622, drejtimi i propagandës kishtare drejt Arbërisë kaloi nën urdhërat e “Sacra Congregatione De Propaganda Fide” e cila krijoi institucione të reja në Fermo, në Romë si edhe në jug të Italisë. Në nivelin lokal, organizmi i Vatikanit rihapi disa misione françeskane në Shkodër, në Pult, në Pukë, Lezhë ose Zadrimë si edhe në Mirditë apo në Krujë. Ofensiva katolike drejt Shqipërisë mori një hov të ri në vitin 1700, me rastin e ngjitjes në fronin papal të Gianfrancesco Albani, alias Klementi i IXtë. Arritja e tij më e madhe ishte mbledhja e Koncilit të peshkopëve të Shqipërisë, i njohur me emrin “Koncili i Arbërit”. Në planin politik, bashkësia katolike shqiptare fillimisht gjeti një njohje dhe një mbështetje tek Franca e cila, nëpërmjet ndikimit të saj mbi Portën e Lartë, fitoi të drejtën e protektoratit mbi të krishterët katolikë të Perandorisë, të zyrtarizuar me anën e Kapitulacioneve të vitit 1673 si edhe ato të vitit 1740. Gjatë shekullit të XVIIItë, ky protektorat u nda me Austrinë e cila gradualisht u afishua si fuqia kryesore mbrojtëse e kësaj bashkësie nëpërmjet nënshkrimit të “Kultus Protektorat” me Perandorinë otomane. Vlera e kësaj marrëveshjeje bëhet edhe më e ndjeshme gjatë shekullit të XIXtë ndërkohë që Rusia kish marë rolin e fuqisë mbrojtëse të bashkësisë së besimtarëve ortodoksë në gjirin e Perandorisë.
.
. (5) Një nga të rrallët që mundohet të hedhë vështrimin mbi këtë aspekt pothuaj të panjohur të historisë së zhvillimit të fesë në Shqipëri është murgu Faveyrial, dëshmia e të cilit është edhe më interesante duke patur parasysh jo vetëm kohën kur është shkruar vepra e tij por edhe formimin e tij si prift. S’ka asnjë dyshim që Ballkani jo vetëm i ka shërbyer si urë kësaj herezie të vjetër për t’u përhapur në Evropë gjatë shekujve të XItë – XIItë, por edhe si terren zhvillimi. Eshtë fakt i njohur që adeptët e manikeizmit ishin të shumtë në Bullgari, në Maqedoni, në Serbi ose në Bosnje – pra në territoret fqinjë të Arbërisë, ndërkohë që Fayverial nënvizon faktin që « në Itali, ata që përhapin manikeizmin quheshin Arbër ». përpara se të citojë Egomnenin e Shën Naumit, i cili jo më vonë se në gjysmën e dytë të shekullit të XIXtë, banorët e krahinës fqinje të Mokrës i quante Bogomilë. Shih : Jean – Claude FAVEYRIAL – Histoire de l’Albanie. Robert Elsie ed. Dukagjini Balkan Books, Pejë 2001.
.
. (6) Përveç personazhit legjendar të Sari Salltikut, hierarqia hyjnore e Bektashinjve përfshinte enigmatikun Haxhi Bektash, themeluesin e urdhërit si edhe Balim Sulltanin që viq në vitin 1516. Doktrina e predikuar nga ky i fundit mbështetej mbi trinitetin e shenjtë të Allahut – kuintesenca hyjnore, të Muhameti – Drita dhe të Aliut – Princi i të gjithë Shënjtorëve, të cilat sipas Bektashinjve përbëjnë të njejtin dhe të vetmin person.
.
. (7) Aristidh KOLA – Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve, Vështrim Historik – Folklorik – Politik – Gjuhësor, Shtëpia Botuese 55, Tiranë 2002.
.
. (8) Në veprën e tij të kushtuar Shqipërisë, të zbuluar dhe të botuar vetëm vitet e fundit, prifti Faveyrial sjell një mori faktesh të mbledhura nga autorët e kohës që flasin lidhur me apostazinë e shqiptarëve. Kështu “Kurveleshasit, të shtyrë nga një uri e tejskajshme, paskëshin dërguar disa priftërinj për t’i kërkuar Peshkopit të Delvinës lejen për të përzierë lakrat dhe miellin me qumështin dhe me djathin. Meqënëse Peshkopi i kish kërcënuar me Ferrin dhe me mallkimin e tij po qe se ata do të bënin këtë lloj përzierje, banorët atëhere u shprehën: vendimi që ne të vdesim nga uria është një vetvrasje, si pasojë një krim i cili meriton Ferrin. Edhe që të na vrasin, është një krim që meriton Ferrin. Përpara se të shkojmë kështu në Ferr, nga çdo anë që të nisemi, më mirë ja vlen që të shkojmë aty më vonë dhe të ruajmë jetën tonë. Me të thënë e me të bërë: ata u kthyen qe të gjithë në myslimanë”. Akti i kurveleshasve nuk ishte një akt i izoluar por ai shkruhet në një varg apostazish kolektive që prekën jo vetëm viset e Shqipërisë por njëkohësisht edhe viset e Maqedonisë dhe të Bullgarisë. Shih: Jean – Claude FAVEYRIAL – ibidem.

Një Përgjigje te Islamizimi i Shqiptarëve.

  1. wegas thotë:

    zgjidhni rruget: lart – poshte, majtas – djathtas, perpara – mbrapa, drejt – shtrember, sot-kurre, liri dhe jete – ne burg i vdekur..
    Ju ftojme te shihni : http://zeitgeistmovie.com/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: