Apostazia : preferencë individuale apo zgjedhje kolektive ?

. (Shqiptarët dhe Perandoria Otomane -3)
.
.
.
. Çfarë duhet të mendojmë pas prezantimit të të gjithë faktorëve që shoqëruan për të mos thënë lehtësuan, apostazinë e shqiptarëve ?
.
.
. Primo, islamizimi nën otomanët është një proces shumë i gjatë dhe i durueshëm i cili është shtrirë gjatë dy apo tre shekujsh. Ky vrojtim i parë përforcon idenë qëndrore që kthimi në myslimanë nuk ka bërë pjesë në një politikë volontariste, e udhëhequr me majën e shpatës nga ana e një Shteti të plotfuqishëm dhe të gjithëgjendshëm. E thënë ndryshe, edhe pse Islamizmi paraqitet si burim shpirtëror dhe ideologji e Shtetit, objektivat afatmesme dhe afatgjata të këtij të fundit nuk udhëhiqen nga ndonjë dominante e natyrës fetare.
. Megjithatë, përtej atij nderimi dhe admirimi që mund t’i shprehim atij pusi të dijes që përfaqson feja islame, asgjë nuk na pengon që të damkosim kryqëzatën e ndërmarrë nën emrin e saj nga ana e Perandorisë otomane mbi territoret evropiane, të fshikullojmë principet që motivuan ngadhënjimin e territoreve dhe skllavërimin e popujve. Pikërisht në këtë kuadër ka ndodhur që, në raste të veçanta, si pasojë e kryengritjeve lokale ose e ofensivave që vinin nga ana e fuqive të krishtera, autoritetet otomane lokale të kenë përdorur metoda të ashpra për të realizuar nënshtrimin e kryengritësve – duke i detyruar që të përqafojnë në grup fenë islame.
.
.
. Secundo, edhe sikur të ketë patur tundimin e triumfit të Islamizmit mbi botën mbarë, duke mos qenë e aftë të asimilojë masën marramendëse të të krishterëve që ka mundur të nënështrojë, Perandoria ka shtyrë projektin e islamizimit në plan të dytë bile edhe në plan të tretë. Duke mos mundur të investohet në një kantier që i tejkalon së tepërmi mundësitë e saj dhe që për më tepër, paraqitet thellësisht joproduktiv dhe tepër destabilizues, Shteti është i detyruar fillimisht të pranojë dhe më pas të administrojë bashkëjetesën. Shoqëria otomane ka jetuar dhe është zhvilluar falë përzierjes së përbërësve njerëzorë heterogjene nga pikpamja fetare dhe etnike, nëpërmjet një loje të hollë të mekanizmave administrativë, juridikë dhe kulturorë. Në këtë mënyrë, roli i Shtetit paraqitet si i pazëvëndësueshëm : nga njera anë, ai njeh dhe mbron sferën private dhe nga ana tjetër, ai kultivon dhe kontrollon sferën publike, pikërisht duke përdorur përkatësinë fetare si një barrierë.
. E parë në këtë mënyrë, përjashtimi dhe integrimi s’janë gjë tjetër veçse dy qëndrime që diferencohen nga njeri tjetri në lidhje me mundësinë dhe zgjedhjen e individit për të kaluar nëpërmjet këtij filtri, me qëllim që të pjesëmarrë në jetën publike dhe të ngjitë shkallët e pushtetit.
.
.
. Tercio, në mungesë të një politike të koordinuar dhe të një praktike të detyrueshme, fakti i braktisjes së besimit fetar të parë (të krishterë) dhe përqafimi i besimit të ri (mysliman) paraqitet para së gjithash si një zgjedhje personale. Nënvizojmë njëkohësisht që procedura është jashtëzakonisht e thjeshtë dhe e zhveshur nga çdo ceremoni : shpesh, mjafton që individi të shpallë vendimin e tij publikisht dhe t’i nënshtrohet ritit të synetit. Të gjitha arsyet e përmendura më parë mbrojnë këtë ide – dëshirë për të ruajtur pasurinë dhe titujt, lakmi për të bërë karrierë, nevojë për lulëzim të brendshëm ose për të gjetur orientime të reja shoqërore, kërkesë për të rindërtuar një identitet që po shuhet, dobi për të paguar sa më pak taksa ose tatime.
. I vetmi element i habitshëm vjen nga fakti që tendenca individuale merr përmasa kolektive.
.
. Në qoftë se problemi izolohet në këtë mënyrë në planin e etikës dhe të moralit, i identifikuar kryesisht në terma interesi ose nevoje, atëhere përgjigja duhet kërkuar në fushën e marrëdhënieve, të lidhjeve shoqërore dhe të institucioneve kolektive. Te gjitha treguesit – bile edhe ato të mbledhura disa shekuj më vonë – tregojnë që bashkësia familjare rurale mbetet elementi qëndror i shoqërisë tradicionale shqiptare përgjatë të gjithë periudhës otomane të epërme. Në se quhet agnatike në jugun e vendit, apo fisnore ose e gjakut në veri, ky grup i fuqishëm shoqëror funksionon sipas « një principi vertikal që nënshtron të poshtmin, të riun, të tashmin, djalin ndaj të sipërmit, të vjetrit, të shkuarit, atit » (1). Ndërfutja dhe puthitja progresive e strukturave socio-familjare, të lidhura nëpërmjet principeve të lidhjeve farefisnore dhe që shkojnë nga njësia shoqërore themelore (fisi) në grupin bazë (shtëpi) – duke kaluar nëpërmjet grupimeve ndërmjetëse (këmbë, vllazni) – krijon konfiguracione njerëzore, bashkësi territoriale të mbyllura në vetvehte. Nëpërmjet kësaj skeme, nga njëra anë individi « humb » identitetin e tij vetiak pasi i nënshtrohet ligjit të grupit ndërkohë që transmeton pushtetet e veta përgjegjësve të tij hierarqikë dhe nga ana tjetër, bashkësia paraqitet e kufizuar në territorin e vet dhe drejton çështjet e saj të përditshme në vetëadministrim. Nga momenti që shefllëku vendos që duhej përqafuar islamizmi për arsye që prekin egzistencën, rruga ishte e përcaktuar për të gjithë bashkësinë.
.
.
. Quarto, “populli” shqiptar i shekullit të XVIItë, si dhe ai i shekullit të XVIIItë s’ka të bëjë fare me atë trup homogjen të përshkruar nga historianët lokalë, sipas të cilëve « kontradikta kombëtare e shoqërore e popullit shqiptar me pushtuesin osman… kishte si synim të kufizonte ose të zhdukte shtypjen feudale dhe zgjedhën osmane ». Vendi shqiptar përfaqson një mozaik tërësish krahinore dhe lokale, të grumbulluara rreth njësive territoriale administrative – sanxhaqet. Në qoftë se njëjtësimet familiare ose fisnore mbeten gjerësisht dominuese, ato çka rezistojnë në shkallën e mëpastajme janë vetëm solidaritetet në bazë fshati ose grup fshatrash – shpesh të bazuara mbi lidhjet e gjakut. Më tej, bëhet fjalë vetëm për përkatësi zakonore, të bashkësisë së gjuhës dialektore, të marrëdhënieve të ndërvartësisë ekonomike dhe të marrëdhënieve politike, të cilat konkurrojnë për të përcaktuar kufijtë e krahinave në kuptimin etno-gjeografik të fjalës.
. Kështu, pothuaj të gjithë studiuesit janë të një mendjeje për të pohuar se Toskëria – vendi i Toskëve jugorë, identifikohet në katër njësi të veçanta : Lalëria – fusha bregdetare mes Shkumbinit dhe Vjosës, Toskëria e mirëfilltë – lartësia mes Shkumbinit, rajonit të liqeneve, Osumit dhe Drinos, Labëria – mes Vjosës, detit Jon dhe lumit Pavllë, Çamëria – në pjesën më jugore të vendit deri në thellësi të Epirit.
. Në të njejtën mënyrë, Gegëria (Gegnia) – vendi i Gegëve veriorë ndahej në pesë njësi të mëdha : Gegnia e mirëfilltë – në veri të Shkumbinit, Leknia (vendi i Lekës) – në jug të Drinit duke përfshirë Dukagjinin, Malcia – në veri të Drinit deri në Mal të Zi, Fusha veriore bregdetare – deri në kontakt me Masivin Qëndror dhe së fundi Kosova si dhe Maqedonia perëndimore. Ndërkohë, sejcila nga këto nënbashkësi njihte dinamikat e veta të brendshme, elitat e saj ushtarako-bujqësore, raportet e saj të forcës me pushtetin qëndror dhe së fundi pëbërjet e veta njëjtësuese në kuptimin fetar, kulturor, pa llogaritur gjithashtu lidhjet specifike me botën rrethuese. Në funksion të këtyre dinamikave dhe të raporteve ndërsjellëse me mjedisin otoman, trajektoret drejt fesë myslimane të grupeve të ndryshme familjaro-shoqërore janë po aq të ndryshme sa edhe të përveçme.
.
. Cilatdo qofshin arsyet që peshuan mbi balancë, në një moment të caktuar të historisë shqiptarët në shumicën e tyre zgjodhën fenë myslimane ose muhamedane, në dëm të asaj të krishtere. S’ka asnjë dyshim që termi « zgjedhje » i përdorur më lart i përgjigjet një realiteti socio-shpirtëror, të paktën ai është më i goditur se sa termat « preferencë » ose « detyrim » të cilat hasen mjaft shpesh në veprat ose analizat e këtij fenomeni. Të mos harrojmë që nëqoftë se gjuha përbën një vektor njëjësimi të pazëvendësueshëm që lejon të gjithë nacionalistët e botës mbarë të bëjnë dallimin mes « ne » dhe « të tjerëve », përpara se t’i vihen detyrës fisnike të përcaktimin kufijve të natyrshëm dhe t’i shpallin luftë fqinjëve me qëllim që t’i shtyjnë deri në vendin e tyre të « ligjshëm », feja nga ana e vet luan rolin e çimentos së parë shoqërore që ngjiz përzierjen heterogjene të quajtur popull dhe që i jep formën e kombit. Raca, gjuha, zakonet – ja cilët janë elementët përbërës të konceptit ballkanik të kombit, plotësimi i të cilave me elementin fe krijon bllokun solid kaq të dëshiruar nga virtuozët e politikës për të gëdhëndur veprën e tyre civilizuese. Pikërisht, ky atribut i fundit i fesë ngacmon imagjinatën e profetëve të të dy kampeve – ata të prirjes natyrore të popullit dhe dhe ata të dhunës institucionale të pushtuesit – për të cilët pyetja e mësipërme lidhur me apostazinë e shqiptarëve shtrohet tashmë ndryshe : sa kanë përfituar shqiptarët nëpërmjet preferencës së tyre islamike – ose sa shifrohet humbja e pësuar prej shqiptarëve nga detyrimi për t’u kthyer në myslimanë ? Duke ju përshtatur kohës, egzistencialistja « përse ? » u zëvendësua nga utilitaristja « sa shumë ? »; me fjalë të tjera, në vend të shqetësohemi : përse jemi kështu siç jemi ? më mirë na intereson të dimë : kështu siç jemi, sa vlejmë për të tjerët ?
.
. Të gjithë ata që janë interesuar mbi islamizimin e shqiptarëve kanë vënë re që pjesa më e madhe e kthimeve ka ndodhur rreth luginës së lumit Shkumbin, i cili përbënte njëkohësisht edhe aksin kryesor të depërtimit të otomanëve. Ultësira perëndimore mes lumenjve Vjosë dhe Drin u islamizua gjithashtu relativisht shpejt për shkak të lehtësive që ajo ofronte ndaj vendosjes së administratës perandorake civile dhe ushtarake. Një pjesë e këtyre myslimanëve të rinj mërgoi gjithandej në hapësirën otomane, nën hapat e veteranëve të devshirmes, në kërkim të një pune ose të një kariere.
. Është interesant të nënvizohet se fushat e preferuara të shqiptarëve ishin administrata dhe ushtria (2) ndërkohë që fqinjët e tyre grekë mundoheshin të shprehnin talentet e tyre në tregëti ose në politikën e jashtme. Përveç disa fatlumëve, pjesa dërrmuese përfundoi në qytetet e mëdha dhe veçanërisht në kryeqytetin Stamboll ku ushtronte mjeshtëritë e pusaxhinjve, gurgëdhëndësve, kasapëve, sheqerxhinjve ose të tregëtarëve ambulantë. Të tjerë shqiptarë më pak të ndritur, tashmë myslimanë – pronarë të rrënuar tokash dhe fshatarë të zonave të lira, braktisën malet e tyre jo fort mikpritëse për t’u vendosur në ultësirën perëndimore të vendit (mes Lezhës dhe Kavajës). Ata nuk hezituan aspak për të vërshuar edhe në rrafshin dhe fushën e Kosovës, duke zëvendësuar me këtë rast një pjesë të popullsisë të krishtere që ish larguar si pasojë e reprezaljeve turke dhe përforcuar prezencën e popullsisë shqiptare e cila ishte nga të parat që u islamizua.
.
. Në qoftë se islamizimi përfaqson tiparin dallues të zhvillimit të shoqërisë shqiptare përgjatë shekullit të XVIItë, si dukuri që prek të gjitha shtresat sociale dhe strukturat e vjetra para-otomane, një « revolucion » ende më i rëndësishëm ka ndodhur ndërkohë. Të paktën që prej shekullit të XVItë, qeverisja si dhe drejtimi i jetës të vendit kishin rënë në duart e një aristokracie të re me origjinë vendase, natyrisht të islamizuar përpara kohe. Në nivelin ballkanik, kjo dukuri nuk përbën as një rast të vetëm as edhe një lëvizje në drejtim të kundërt me tendencën e përgjithshme pasi popuj të tjerë gjatë kësaj periudhe të historisë kanë përjetuar islamizimin e shoqërisë si dhe otomanizimin e elitave të tyre. Ajo çka dallon rastin shqiptar është intensiteti i ndërfutjes si dhe shkalla e plotësimit të këtyre dy dukurive. Pa folur për një shkrirje kulturore ose një sinkretizëm identitetesh, bëhet fjalë për një proces integrimi socio-shpirtëror i cili ze vend dhe ndikon thellësisht vazhdimin e historisë së përbashkët deri në mesin e shekullit të XIXtë.
.
. Duke trashëguar fare pak tipare nga aristokracia e vjetër post-bizantine e cila ishte zhdukur gjatë betejave ose ishte larguar prej vendit për tu strehuar jashtë, kjo aristokraci e re e dalë nga rradhët e kastës së spahinjve ishte një krijim i epokës dhe kish fituar dafinat e lavdisë nëpërmjet bëmave të saj në fushat ushtarake dhe administrative. Ajo kish përfituar nga favoret e sulltanëve dhe të administratës së lartë për të grumbulluar pasuri dhe pushtet, të cilat i kishin dhënë të drejtën të merte në duart e veta edhe qeverisjen e vendit (3). Një hierarkizim i ri, kësaj rradhe sipas shkallës së pasurisë, kish prodhuar një shtresë të re të fisnikërisë ushtarako-fshatarake, bejlerët. Praktikat e ligjshme dhe të paligjshme siç ishte rasti i mukatave – që ndërkohë mund t’i kaloheshin pasardhësit duke u kthyer në të trashëgueshme (malikane), të vendosura dhe të ligjëruara gjatë krizës së Perandorisë – si edhe jetëgjatësia e privilegjeve të tyre, krijuan kushtet ekonomike dhe politike të nevojshme të një autonomie gjithmonë e më të gjerë ndaj pushtetit qëndror. Bejlerët sikundër bajraktarët e fiseve veriore, silleshin si zotër të vërtetë dhe të pavarur brenda kufijve të pronave, territoreve ose edhe të provincave të tyre. Ata mundën të krijonin kontigjente ushtarake të konsiderueshme dhe shpesh gjendeshin në grindje me fqinjët për të zmadhuar territoret e tyre.
. I gjithë vendi i vuajti mjaft këto ndeshje por pa dyshim, më të prekurit ishin fshatarët, që me kohë u zhveshën nga tokat e tyre dhe u gjendën de facto në kushtet e bujkrobit. Kjo situatë e rëndë shtyu një numur jo të vogël rajash të braktisnin fshatrat për t’u strehuar në qytete fqinje ose në ato të Perandorisë. Të tjerët, më të dëshpëruarit ose më trimat, u bashkuan me bandat e armatosura – kaçakët sipas gjuhës popullore, të cilët i binin vendit kryq e tërthor dhe që shtonin rrëmujën në një vend që ndodhej ndërkohë nën mbretërimin e anarkisë feudale. Lëvizja kaçake gjen rrënjët e veta në atë kontekst krejt të veçantë të shekullit të XVIItë dhe mbijeton përgjatë historisë ; ai bën pjesë në traditën e pastër ballkanike të hajdukëve sllavë, të kleftëve grekë ose të tjerë banditë të gadishullit.
.
.
. —————————————————————-
.
. (1) Albert DOJA – Morphologie traditionnelle de la société albanaise, Social Anthropology, 7, 1, European Association of Social Anthropologists, 1999.
.
. (2) Mjafton të kujtohet që mes viteve 1453 dhe 1623, mes atyre 47 zëvëndësve administrativë të sulltanit që njihen me emrin vezirë të mëdhenj, 37 vinin nga rradhët e të krishterëve, ndër të cilët 17 me origjinë të largët ose të afërt arbër, për të mos thënë shqiptare. Shih : Georges CASTELLAN – Histoire des Balkans (XV – XX siècle), Ed. Fayard 1991. Mbi këtë subjekt, Castellan citon veprën e Stavrianos – The Balkans since 1453. Vetëm Qyprillitë (Köprülü) me origjinë shqiptare furnizuan katër vezirë të mëdhenj mes viteve 1656 – 1710. Emri i tyre lidhet me luftën kundër korrupsionit, me forcimin e pushtetit qëndror dhe me zgjerimin e Perandorisë. Të tjerë shqiptarë të shquar bënë emër dhe karrierë gjithmonë duke ruajtur referencat e tyre të krishtera. Është rasti i Gjikave (Ghica), familje shqiptare e dalë nga mjedisi fanariot, që i ka dhënë një varg princash dhe regjentësh Moldavisë dhe Vllahisë si edhe politikanë Shtetit rumun, mes gjysmës së parë të shekullit të XVIItë dhe shekullit të XXtë.
.
. (3) Përfaqsuesit më të shquar të kësaj aristokracie, të njohur me emrin ajanë dhe në planin lokal si Oxhaqet e Mëdha ishin Begollajt e Pejës, Çaushollajt e Shkodrës, Toptanët e Krujës, Vlorajt dhe Velabishtajt e Beratit ose dhe Asllanpashallinjtë e Gjirokastrës. Atyre ju desh të ndanin pushtetin lokal me një varg pronarësh të mëdhenj tokash si Kryezinjtë e Gjakovës, Biçakçinjtë dhe Vërlacët e Elbasanit, Ngurzajt e Beratit si edhe Kokajt e Delvinës dhe Alizotajt e Çamërisë

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: