Viti 68’ : një botë në vlim.

 

Maji 68 ngërthen në një të vetme dy rryma të fuqishme paralele : një protestë sociale dhe një lëvizje shoqërore. Një shpërthim i paparë proteste në një botë në krizë të thellë kuadriptique : krizë sociale, krizë identitare, krizë politike, krizë ideologjike. Një botë që ende s’ka riparuar dëmet e Luftës botërore, që ende s’ka mbyllur hesapet e kolonializmit, që ende s’ka zgjidhur kontradiktat mes sistemeve shoqërore të kundërta, që ende s’ka shëruar plagët e ndërgjegjes kolektive.
Një botë e ndarë në blloqe, e kufizuar me mure, e ideologjizuar dhe gjithmonë e armatosur ku ndjehet zhgënjimi intelektual, ku jetohet katastrofa morale, ku preket mizerja raciale, ku pësohet shtypja autoritare, ku kqyret mospërfillja sociale. Një botë në kërkim të një ideali ende në embrion. Një botë protestuese që i kundërvihet diktaturës ushtarake në Spanjë dhe në Greqi, që kërkon të çlirohet nga pushteti i Partisë të vetme në Çekosllovaki, që mbron çështjen palestineze në Egjipt, që entuziazmohet nga guerrilja guevariste në Kolumbi, që identifikohet me Revolucionin Proletar në Kinë, që proteston kundër luftës në Vietnam…
Por gjithashtu, një botë në lëvizje, në ndryshim, në kërkim të teorive të reja, të forcave të gjalla.
Një botë e re, studente dhe puntore, e tërhequr nga kultura dhe politika, e ngopur me frymë heroike, e frymëzuar nga muzika dhe erotika – nga herotigzotika. Gjithandej në Evropë debatohet mes leninistëve dhe lenonistëve, maoistëve dhe markuzistëve, gevaristëve et hoshiministëve. Gjithandej në botë flitet revolucion, rock, liri, seks, demokraci, drogë, barazi…. dhe përfundimisht njerëzit dalin në rrugë, përgjaken me forcat e rendit, ngrenë barrikada, pushtojnë universitete dhe uzina. Një uragan njerëzor që ka për parrullë « soyons réalistes, demandons l’impossible » (le të jemi realistë, të kërkojmë të pamundurën).
. Paralelisht me përleshjet në rrugë, mendje të ndritura përleshin mendimet : egzistencializëm kundër strukturalizmit, subjekti kundër konceptit, aksioni kundër fjalës… Jean-Paul Sartre kundër Jacques Lacan, Herbert Marcuse kundër Louis Athusser, Milan Kundera kundër Vaclav Havel, Martin Luther King kundër Tariq Ali… Nëse një Rajmond Aron e quante Majin 1968 një « psikodramë », nëse një Roland Barthes deklaronte se « strukturat nuk dalin në rrugë », një Sartre shpalte formulën e tij të famshme : « grupi është fillesa e mbarë njerëzimit ».
.

. Ndoshta maji 68’ në Francë mbetet simbol i asaj epoke, ndoshta për shkak të forcës goditëse shoqërore, implikimit njerëzor masiv dhe sigurisht falë mediatizimit të pashoq. Por ky maj nuk është as i pari as edhe i vetmi, në Evropë ose në botë, gjatë atij viti të stuhishëm 1968.


.

.
. Berlin – Frankfurt : revolta kundër Etërve.
.
. Maji gjerman u mbars nga të shtënat e armëve : në qershor 1967, policia ndërhyn brutalisht për të shtypur një manifestim paqësor kundër vizitës së Shahut të Iranit dhe vret një student. Në prill 1968, një student ekstremist i djathtë qëllon me armë dhe plagos rëndë udhëheqësin e studentëve, radikalin Rudi Dutschke. Disa ditë më vonë, Gjermania e tërë pushtohet nga revolta studentore.
. Baballarët – ata që kishin mundur të shpëtonin gjallë nga Lufta e Dytë Botërore – zbulojnë me llahtari që fëmijët e tyre përbuznin thellësisht gjithçka : sigurinë që ju jepte pasuria, qethjen e tyre shkurt, faqet e rruara përditë, barkun e tyre të dhjamur, kohën që kalonin duke pastruar veturën, konformizmin e tyre karakteristik, të shkuarit në kishë çdo të djelë, pushimet familjare në bregdet.. Në një vend që mundohej me ngulm të harronte çdo gjë që kish të bënte me nazizmin, ku sejcili e mbante vehten për viktimë, mënyra më e mirë ishte heshtja, mbyllja në vetvehte, harresa nëpërmjet punës – nëpërmjet mirëqënies materiale. Të tillë prindër, nga njera anë ishin të bindur ndaj Shtetit, ndaj disiplinës – struca që fshihnin kokën e fajshme, dele që ripërtypnin fraza – dhe nga ana tjetër ata ishin vetë autoriteti, profesorë që jepnin nota, diploma, karriera. Ata ishin vetë pushteti.
. Revolta pra ishte shumëformëshe : kundër heshtjes, kundër harresës, kundër moskuptimit dhe mbylljes emocionale të prindërve, por edhe për rikrijimin e një morali të ri politik, të një dialogu social, për një formim më të përshtatshëm, për modernizimin e vetë shoqërisë. Sikundër thotë edhe një dëshmitar i asaj kohe : « për të gjetur gëzimin e jetës ».
. Hap pas hapi, të rinjtë zbuluan se kish intelektualë që shkruanin të tjera idera, që mbronin të tjera çështje – por që shoqëria ose i mbulonte me heshtje, ose i syrgjynoste jashtë. Ata zbuluan Markuzen dhe Adornon, rizbuluan Marksin dhe Leninin, riformatuan socializmin, u pasionuan për Vitnamin, për Kubën… Ata provuan drogën dhe dëgjuan muzikën, shijuan seksin dhe jetesën e lirë.. dhe natyrisht u revoltuan kundër prindërve. Dhe pikërisht, ishte « indiferenca kriminele » e masave, e njerëzve të rrugës që i hodhi benzinë zjarrit të revoltës.
.
.
. Romë – Milano : revolta kundër Autoritarizmit.
.
. Ajo çka e bën të ndryshëm « Majin » italjan nga ai i vendeve të tjera është kohëzgjatja – un « Maggio rampante », që ka filluar që në nëntor 1967 me pushtimin nga studentët të Universitetit Katolik të Milanos, të ndjekur nga Fakulteti i Shkencave Sociale të Torinos, i cili kulmon në shkurt 1968 me pushtimin e Universitetit « La Sapienza » të Romës dhe me betejën e Valle Giulia, me forcat e rendit. Edhe pse ai nuk mundi të mobilizojë me miliona studentë dhe puntorë, të shkaktojë me qindra apo mijra të plagosur në të dy kampet si në Francë, ai vazhdoi deri në vjeshtën e vitit 1969… ai u radikalizua deri në ekstrem për të shërbyer si shtrat social i « Viteve të plumbta » dhe i atentateve të Brigadave të Kuqe.
. Pakënaqsi ndaj zvarritjes së një sistemi politik që s’arrinte dot të modernizohej, që shpërfillte kapitalin demokratik të luftës antifashiste dhe të Rezistencës, ndaj një shoqërie tejet katolike dhe konservatore, ndaj një sistemi ekonomik që vazhdonte të prodhonte varfëri krahas « mrekullisë së konsumit », ndaj një sistemi arsimor që i konsideron studentët me një « thes për t’u mbushur, me koncepte të gatshme nga maja e katedrës ». Përballë sistemit autoritar dhe mospërfillës gjendet rinia, gjithmonë më e etur, më kërkuese, më e politizuar, më e ideologjizuar, më e ndërgjegjshme, që interesohet « për Çe Guevarën që lufton në Kolumbi, për çështjen e të zinjve në Amerikë, për Vietnamezët, për gjendjen në Indi, për mbarë botën dhe varfërinë në të… »
« Kundër autoritarizmit akademik, pushteti studentëve » ja edhe manifesti i studentëve që pushtuan Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Torino
.
.
. San Francisko – Çikago : revolta kundër Qënies.
.
. Amerika e viteve 60’ i përngjante një kazani të mbushur deri në buzë, ku era e mirë e supës në vlim përzihej me erën e shkrumbit të zjarrit nxehës. Nga njera anë mirëqënie ekonomike, bollëk material, naivitet provincial, besim i pafund në forcën e Kombit dhe të Zotit, thjesht « american way of life » dhe nga ana tjetër, Amerika e getove të zeza, e pakicave, e segregacionit racial, e varfërisë shtrydhëse… Një ekulibër i vështirë që injorohej nga moskokëçarja proverbiale popullore, që mezi reflektohej nga një inteligentsia mediokre, që harrohej nga shumica e të vdekshmëve « zarzavate nga trutë, por ama zarzavate të etur për liri » – sipas shprehjes së një ish-hipi. Përvoja revolucionare « Sex and drogue and rock’n’roll » e tribuve rinore u pavdekësua në Summer of Love të San Francisco në verën e vitit 1967, nëpërmjet atyre 3 milionë të rinjsh të dehur me Rolling Stones dhe me Beatles, me Iggy Pop, me Doors, me Velvet Underground et me Mamas and the Papas.. dhe natyrisht me alkohol, me hashish dhe me majijuana.
.
. Vetëm se disa hapa më tej ishte lufta e Vietnamit me ata dhjetra mijra të vrarët e saj amerikanë dhe ato qindra mijra viktimat vjetkonge, me napalmin dhe B52, me fëmijët dhe gratë e masakruara të Mylait… se disa lagje më tej, vepronin militantët e Black Panther Party, përfaqsuesit e black people, të mbushur me black pride, të dehur me black nationalism të të ndjerit Malkolm X.. vetëm se disa rrugë më tej, në Memphis, u vra pastori i zi Marin Luter King, ai që kish ndjerë atë ëndrrën e pamundur por aq të bukur.. « A negro killed in Memphis » titullon kryeartikullin New York Times i 29 marsit 1968.
. Dhe befas, West Side i Çikagos ndizet i tëri : 2.500 policë kundër 300.000 të zinjve të zemëruar. Ndërkohë që qeveria shpejton të dërgojë 4.000 roje kombëtare dhe kryetari i bashkisë urdhëron policët e tij « të qëllojnë për të vrarë kryengritësit », përleshjet i venë zjarri Washingtonit. Në 170 qytete amerikane getot e zeza ngrihen në përleshje. « Java më e zezë e Amerikës » psherëtin jo pa humor revista Newsweek »..
.
.
. Varshavë – Pragë : revolta kundër Sistemit.
.
. Sikundër dhe bashkëmoshtatarët e tyre të Parisit ose të Berlinit, të rinjtë çekë ose polakë pushtoi rrugët e Pragës ose të Varshavës por jo për të shprehur solidaritetin e tyre me Vietnamin ose me Kubën, jo për të thirrur « Ho, Ho, Ho Shi Min » por për të mbrojtur kulturën dhe letërsinë, thjesht lirinë e shprehjes, kundër një pushteti komunist shtypës deri në palcë. Mjaftonte Muri, Perdja e Hekurt që edhe shprehjet e të rinjve të ishin të ndryshme, që edhe aspiratat divergjente. Në se për francezët ose gjermanët e keqja quhej imperializëm amerikan, « xhelat i popullit vietnamez » dhe në shenjë kundërshtimi ata përqafonin çështjen e të majtës ekstreme, për të polakët, çekët apo hungarezët ai kish fytyrën e komunizmit sovjetik dhe ata ëndërronin demokracinë, plurimendimin, lirinë e ndërmarrjes liberale. Në se të parët mendonin revolucionin, të dytët dëshironin mbretërinë e Ligjit të vërtetë. Në se në Paris studentët digjnin vetura, në Pragë studentët digjnin gazetat. Pra, çështje pikpamjeje… Në se në Berkeley ose Sorbonë, studentët nxirrnin jashtë profesorët dhe mbyllnin fakultetet, në Pragë ose Budapest, studentët kërkonin integrimin e profesorëve të përjashtuar..
. Në mars 1968, studentët e Universitetit të Varshavës manifestuan në masë kundër përjashtimit të dy shokëve të tyre, të akuzuar për aktivitet subversiv. Ndërhyrja e policisë ishte sa brutale aq edhe e shpejtë.. Studentë të rrahur, të arrestuar, të përjashtuar, të burgosur.. Një pjesë e tyre përfundoi në ilegalitet dhe krijoi kuadrot e ardhshme të « Solidarnosc ».
.
. Në Çekosllovaki, janë intelektualët që treguan me gisht censurën dhe tronditën tërë sistemin. Le të kujtojmë Kunderën dhe shkrimin e tij « T’i japim letërsisë cilësinë dhe dinjitetin » në Kongresin e Shkrimtarëve në vitin 1967. Shkrimtarët lanin hesapet me të kaluarën, me vehten e tyre… Më tej është Partia që i hap derën reformës dhe zgjedh në krye të saj Dubçekun, i cili nuk hezitoi të tregojë me gisht problemet e vendit : rradhët për ushqime, fshatarët e rraskapitur dhe të varfëruar, hipokrizinë e kuadrove, në emër të « socializmit me fytyrë njerëzore ». Në atë të largëtin vit 1968, ky aparatçik sllovak 45 vjeçar guxonte thënien « demokracia nuk është vetëm e drejta dhe mundësia e të shprehurit të opinionit të çdokujt, por edhe marrja parasysh e këtij opinioni nga pushteti, mundësia për sejcilin të marrë pjesë realisht në marrjen e vendimeve ».
Disa muaj më vonë, në gusht 1968, tanket e Traktatit të Varshavës shtypën me zinxhirat e tyre « pranverën e Pragës » dhe kësaj rradhe një rini e tërë doli në rrugë, u përlesh, u përgjak.. bile edhe u vetëndez me benzinë për të protestuar kundër « vëllezërve rusë » të idealit të përbashkët.
.
.
. Tokio – Meksiko : revolta kundër Rendit.
.
. Edhe periferia e botës perëndimore njeh llokoçitjet e veta, trazirat sociale, frekuencat dhe amplitudat e të cilave mbeten funksion i politikave të brendshme, i krizave politike. Por, kur vala rinore e ardhur nga Perëndimi interferon me atë lokale ndodh që arrihet rezonanca aq e frikshme..
.
. Që nga koha e Luftës së Koresë, Japonia shërben si bazë e dytë, si prapavijë e ushtrisë amerikane që nis avionat e frikshëm B52 për të bombarduar orizoret e Vietnamit të Jugut dhe qytetet e Vietnamit të Veriut. Në janar 1968, disa mijra studentë të lidhjes Zengakuren bllokojnë portin Sasebo për të penguar hyrjen e avionmbajtëses USS Entreprise. Në shkurt, ata sulmojnë bazën e Okinawës. Në prill lëvizja studentore japoneze merr format e simotrave perëndimore : studentët bllokojnë mbi 200 universitete dhe kërkojnë uljen e taksave të pranimit, kundërshtojnë seleksionin e hyrjes dhe refuzojnë sistemin arsimor. Në tetor, Zengakuren hidhet në sulm të Tokios : gjatë tre ditëve me rradhë, studentët bllokojnë parlamentin, ambasadën e SHBA dhe stacionin qëndror hekurudhor të Tokios. Rezoltati : disa qindra të plagosur nga të dy palët dhe 300 qytete krejtësisht të paralizuara. Përballë shtypjes policore, më të vendosurit mes studentëve barrikadohen në qytetet universitare të Tokios që merren me sulm nga forcat e rendit në nëntor të vitit 1968.
.
. Në Meksiko, lëvizja studentore ziente që prej muajve të parë të vitit 1968 dhe kërkesat e studentëve morën ngjyra gjithnjë e më politike : « abrogimi i Neneve 145 dhe 145b të Kodit Penal (kërcënimi i rendit publik nga grumbullimet e tre personave), shpërndarja e grenaderove (një repart taktik i policisë), lirim i të burgosurve politikë… ». Në shtator, sulmi i ushtrisë ndaj qytetit universitar dhe arrestimi i 500 studentëve dhe profesorëve ngriti gjithë vendin më këmbë. Në 2 tetor një manifestim i madh i studentëve protestues u bllokua nga policia në sheshin e Tlatelolcos : « no queremos olimpiadas, queremos revolucion » ishte parrulla e demonstruesve. 5.000 ushtarë dhe 300 tanke ju rrinin përballë.. dhe befas filluan të shtënat e mitralozëve. Disa hapa më tej, qyteti vazhdonte jetën e tij dhe asnjë veturë nuk ndalej për të asistuar skenën. « Një normalitet i përbindshëm, fyes, nuk arrija të kuptoja këtë qetësi » kujtohet një nga gazetaret e epokës. Të nesërmen, gazetat lokale shkruanin për përleshje mes terroristëve dhe ushtarëve që kish bërë 28 të vrarë dhe 80 të plagosur nga të dy kampet. Burime të tjera jashtëqeveritare shpallën se numri i të vrarëve ishte mbi 250, disa mijra të plagosur, dy mijë të arrestuar.. mes indiferencës së përgjithshme. Vetëm dhjetë ditë më vonë, Meksiko hapte me bujë Olimpiadën verore, të XIX e erës moderne, në prezencë të 112 vendeve dhe 5516 atletëve…
.
. * * *
.
.
. Kjo pasqyrë e shpejtë e botës së ngërthyer nga ngërçi i ndryshimit, e frymëzuar nga afshi i lirisë dhe e shkrumbosur nga revoltat e rinisë, sidoqoftë mbetet e mangët pa pasqyrimin e dy momenteve të tjera aq domethënëse : Pekin – Shangai : revolta kundër Udhëheqësve dhe Tiranë – Durrës : revolta kundër Zotit.
. Por, duke respektuar këshillën e një mikut im blogist nga Italia, i cili më shkruan diku : « .. është me të vërtetë kënaqësi për mua kur lexoj artikujt [tuaj].. sidomos kur nuk janë shumëëëëë të gjatë », mendova t’i le për shkrimin tjetër të rradhës.
 

2 Përgjigje te Viti 68’ : një botë në vlim.

  1. ET thotë:

    Tiranë – Shqipëri : dëgjonim Hipareun🙂
    PS :informacion i vyer.

  2. ET thotë:

    🙂
    s’paskam pas pat lexue Suite-n..
    paske shkrujt dhe per Tironen🙂

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: