Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit (2)

Gjeneza e Ilirëve, Trakëve, Getëve dhe të tjerëve si puna e tyre.
Përpara se të bëjmë edhe një hap të vetëm në trojet e lashta parahistorike, le të përcaktojmë që në fillim si limit të sipërm njerëzit e shpellave. Është e sigurtë se në qoftë se do të aventurohemi më përpara në kohë, do të ndeshim me hominiden Luçie (Lucy) të Ethiopisë, e familjes së primatëve – më saktësisht të Australopitekëve. Fundja, duhet t’i vemë fre vehtes, pasi me kêtê vrull do tê pêrfundojmë tek amiba protozoare e oqeanit primar.
Pa asnjë dyshim, banorët primitivë të hapësirës së sotme shqiptare si dhe popullsia protohistorike e këtyre territoreve ishte po ajo e vendeve të tjera fqinje ose të pellgut të Mesdheut : popullsi të shpërndara të tipit neandertale – banorë të shpellave – që kishin ditur të zhvillonin industri të formës musteriane. Ata zhduken nga fundi i paleolitit të mesëm (40.000 – 35.000 vjet p.e.s) për arsye që ende nuk njihen mirë, për t’u zëvendësuar nga njerëzit e Kromanjonit (sipas shembullit të orinjacienëve dhe të magdalenianëve pa harruar që 15.000 vjet ndajnë të parët nga të dytët). Njerëzit e paleolitit të lartë janë gjuetarë të shkathët dhe peshkatarë të zotë, që dinë të shfrytëzojnë veglat e strrallit të gëdhendura mirë si edhe bririn apo kockën e drerit.
Sipas mendimit të përgjithshëm, jeta paqësore prej gjuetari – mbledhësish frutash e këtyre aborigjenëve të epokës së gurit të ri (neolitit) u ndërpre nga shtrirja graduale e popullatave të reja bujqish dhe rritësish kafshësh rreth viteve 6.000 – 5.500 vjet p.e.s. Këta të fundit, nëpërmjet shkeljes përsipër, përzierjes, përthithjes për të mos thënë asgjësimit të aborigjenëve, u imponuan në një zonë mjaft të gjerë gjeografike. Mendohet se kjo zonë fillimisht kufizohej në Ballkan dhe në rajonet fqinje danubiane, përpara se të përhapej mbi gjithë kontinentin evropian ose dhe më tej.
Lidhur me bujqit–kafshërritës tanë neolitikë, pothuaj që të gjithë studiuesit dhe kërkuesit (historianë, gjuhëtarë apo të tjerë arkeologë), lenë të nënkuptohet bile edhe arrijnë të shprehen se ata janë me origjinë ose nga vetë rajonet ballkanike ose ata kanë ardhur nga zonat fqinje të Azisë të Vogël. Falë kapaciteteve të tyre të reja – gjenetike, morfologjike dhe intelektuale – ata bëhen jo vetëm shpikës të teknikave të reja bujqësore por njëkohësisht edhe krijues të « kulturës danubiane », e quajtur ndryshe edhe « kultura e Evropës së Vjetër » – kjo « bashkësi e gjerë që gjen burimin e vet gjatë neolitizimit të Ballkanit (mijëvjeçarin VIItë p.e.s.) dhe që vazhdon përmes gjithë periudhës kalkolitike deri në epokën e bronzit ». Meqënëse kosheres ju gjet kështu origjina, debati përqëndrohet mbi motivet e roitjes së kësaj bashkësie, mbi shkaqet e shpërndarjes në të gjithë gadishullin evropian të popullatave që paraqisin një varg treguesish të përbashkët të natyrës materiale, gjuhësore dhe kulturore.
Një pakicë studiuesish ka shprehur një tezë të quajtur « anatoliane », sipas të cilës të gjithë fermerët e parë të Evropës kanë dalë nga vatra e tyre e origjinës, diku në pllajat e Anatolisë, rreth 7.000 vjet përpara erës sonë. Ky difuzim njerëzor është i pandashëm, për të mos thënë pasojë direkte, e mënyrës së re të prodhimit bujqësor që shkakton një rritje të vazhdueshme të popullatës. Me të arritur ngopjen e saj nga pikpamja numerike – gjë të cilës i duhen disa shekuj – kjo e fundit, zgjidhjen e problemit të saj demografik e kërkon në mënyrë krejt të natyrshme nëpërmjet çvendosjes progresive. Duke prekur fillimisht brigjet lindore greke, dhe më tej thellësitë e gadishullit Ballkanik rreth 6.000 – 5.500 vjet p.e.s, këtyre bujqve neolitikë ju desh gati një mijëvjeçar për të arritur në viset e Gjermanisë së sotme dhe një mijëvjeçar tjetër për të mbrritur në Angli ose në Skandinavi. Krahasimi i të dhënave arkeologjike dhe të studimeve gjenetike vërteton atë fakt pothuaj të pamohueshëm që në këtë rast bëhet fjalë për mërgimin e proto-indoevropianëve, të cilët imponuan teknikat e tyre bujqësore në një zonë gjeografike që përputhet me zonën e përhapjes së gjuhëve indoevropiane. E parë nën këtë kënd vështrimi, gadishulli ballkanik, ky skaj i Evropës më i afërti me Anatolinë, paraqitet si një vatër dytësore e shpërndarjes së proto-indoevropianëve, segmente të tëra të të cilëve difuzojnë pak nga pak drejt zemrës së Evropës – dhe më tej, drejt zonave të tjera perëndimore.
Nga pikpamja teknologjike, futja e ekonomisë bujqësore u ndoq nga një revolucion i vërtetë, që i lejoi paleolitikët e vonët të përkryejnë veglat e tyre të gurta, të lëshohen në rritjen e specieve të para të kafshëve ndërkohë të zbutura, të shpikin teknika të reja të poçerisë dhe të thurjes së pëlhurave dhe së fundi të zbulojnë egzistencën dhe përdorimin e metaleve. Duke u shpërndarë fillimisht me ritmet e shpejtësisë së çvendosjes së njerëzve, këto përparime teknologjike ndihmojnë në krijimin e artefakteve – ose kulturave të dallueshme një një epokë më të vonshme, sipas zgjedhjes së popullsive të ngulura në vend për t’ju kushtuar aktiviteteve të qëndrueshme të natyrës artizanale. Rasti i poçerisë dhe i keramikave është ndoshta shembulli më i mirë.
Thellësisht antillogjike dhe me sa duket e keqinformuar : ky është opinioni i një numri të madh partizanësh të asaj teze mbizotëruese, e quajtur ndryshe edhe « e kulturës se Kurganeve », të cilët kritikojnë të parët për një përdorim të paarsyetuar të ndërlidhjes krejtësisht të gabuar mes bujqve neolitikë dhe proto-indoevropianëve. Thellësisht të bindur, këta studiues ngulmojnë në tezën e tyre që përcakton vatrën e origjinës të proto-indoevropianëve diku mes stepave që shkojnë nga Vollga deri në malet Ural. Me fjalë të tjera, paralelisht me kulturën neolitike danubiane – që ju përket bujqve – një kulturë e re lind dhe zhvillohet : ajo e pushtuesve të stepave – bujq të pazot por kafshërritës të shkëlqyer. Kjo kulturë e re, e ndihmuar nga fuqia e luftëtarëve të saj të paepur, nga shpejtësia e kuajve të tyre si edhe nga vullneti i përhapjes jashtë territoreve të njohura, fillimisht përmbyt dhe me tej transformon Evropën, duke sjellë me këtë rast edhe gjuhën proto-indoevropiane. Kështu me sa duket, indoevropianizimi i Evropës fillon në mijëvjeçarin e Vtë p.e.s. Duke demaskuar në këtë mënyrë përgjegjësin e shpërndarjes së gjuhëve indoevropiane – qoftë përhapjen e ngadaltë të bujqësisë, qoftë shtrirjen e papërballueshme të Kurganeve, sejcilës prej teorive i mbetet nderi të çmontojë mekanizmin e ndërlikuar të ndryshimeve gjuhësore, të diferencimit të një gjuhe të përveçme duke u nisur nga trungu i përbashkët i gjuhës primitive – veçori e indoevropianëve të parë, bile përpara se sa t’i përvishet problemit ende më të ndërlikuar të formimit të grupimeve njerëzore të llojit etnos që dallohen nga njeri tjetri pikërisht me anë të përdorimit të gjuhës. Cilidoqoftë hipoteza, në të perënduar të neolitit të lashtë për të parët apo në lindje të kalkolitit për të dytët, në gjirin e këtyre proto-indoevropianëve që banojnë në gadishullin ballkanik fillojnë dhe ngjizen popullsitë arkaike lokale, në pamje të parë vështirësisht të dallueshëm. Sipas të gjitha gjasave, duhet pritur fundi i eneolitit dhe fillimi i epokës së bronzit per të « dalluar » elementët përbërës të proto-helenëve të parë, bashkë me të ngjashmit e tyre, që do të quhen me tej jonianë, eolianë ose arkadianë, të proto-maqedonasve dhe të bashkëngjiturve me ta, dhe së fundi ky trup shumëformësh i përbërë nga proto-thrakët, proto-getët si edhe proto-iliro-dardanët, në hapësirën kontinentale të gadishullit. Po vetë Ilirët ku janë në këtë mes ? Cila është origjina e tyre dhe si mundën të çfaqen në këto toka ? Bashkësia e këtyre pyetjeve përbën si të thuash atë shkëmb të nënujshëm ku vazhdon të përplaset mendimi shkencor – historik dhe gjuhësor, i përmbledhur nga termi shkencor ilirologji – pjesë përbërëse e albanologjisë tê shquar, detyra e parë e të cilës është pikërisht të njësojë djepin e ilirëve. Pikërisht, në lidhje me këtë djep të famshëm, ky mendim ndahet mes dy tezave të ndryshme. E para, e mbështetur nga një numur i madh studiuesish evropianë të shekullit të XIXtë dhe të gjysmës së parë të shekullit të XXtë, shpreh mendimin që ilirët janë një popullatë indoevropiane që vjen nga rajonet e Evropës Qendrore për të mos thënë të Veriut – sidoqoftë përtej Danubit të mesëm – dhe që ka marrë pjesë në atë dyndjen e madhe të popullsive dorike, egjeane ose panono-trake, që ka ndodhur në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. Teza e dytë, e formuluar nga shkolla shqiptare bashkëkohore, e çmon kulturën ilire si « një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit ». Duke bërë sintezën e gjetjeve arkeologjike në një varg qendrash të përmendura si ilire, kjo teori e dytë predikon se « zhvillimi i pandërprerë i kulturës, jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik ». I zhdërvjellë në këtë mënyrë, problemi i ndërlikuar i gjenezës së ilirëve paraqitet me një thjeshtësi emocionuese dhe imponohet si një shpjegim i shëndoshë, koherent dhe llogjik, të paktën për atë pjesë të publikut lokal që kënaqet me shpjegime të shëndosha dhe llogjike. Përtej këtyre tezave dhe në hapësirën mes tyre çfaqet një tezë e tretë, e formuluar prej kohësh por që çuditërisht, kohët e fundit ka gjetur një frymëzim krejt të ri. Në kundërshtim me mendimin e përgjithshëm, ajo mbron me forcë egzistencën e një vazhdimësie ose të një “akulturimi” – gjithmonë jetësor dhe të ruajtur në një formë te mrekullueshme – që shkon nga Homo Sapiens-ët e parë të shpellave deri tek pellazgët, nga këta të fundit tek proto-ilirët ose edhe ilirët, ndërkohë që prodhimi i fundit mbetet të jenë shqiptarët e sotëm.
Ja pra se si dalin përpara nesh edhe Pellazgët hyjnorë !
Duke fshirë çdo gjurmë të indoevropianëve që, sipas Matjë Aref – një prej autorëve të fundit të kësaj teorie, s’përfaqsojnë gjë tjetër veçse « një neologjizmë të krijuar nga hamëndja, nga imagjinata ose nga fantazia e disa filologëve dhe gjuhëtarëve të shekullit të XIXtë », ajo sulmon botën mbarë me anën e një instrumenti – hapës universal, gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë, ajo jo vetëm pretendon të ketë zbuluar hallkën lidhëse të atij vargu kolosal popujsh tashmë të zhdukur ose ende të gjallë të Evropës por njëkohësisht, edhe esencën që ju ka munguar kërkimeve dhe studimeve të deritashme « që shpesh shmangen për mungesë këmbënguljeje ose saktësie ose përfundimisht, devijojnë nga përzierja në to e elementëve ideologjikë, mashtrues ose tendenciozë ».

Do të detyrohemi të mbajmë një distance nga këtë teori të fundit, për shkak të pohimeve dhe përfundimeve të saj që tejkalojnë cakun e guximit të thjeshtë dhe shpesh kthehen në paradoksale. Kështu Arefi nuk heziton të gërmojë në burimet e veta për të na kujtuar herë herë që « .. pjesa më e madhe e ilirëve u strehua .. në malet e tyre të pamposhtur, duke ruajtur në këtë mënyrë fondin e tyre gjuhësor… », herë herë që « stërgjyshërit e tyre mundën të mbijetojnë ndaj asimilimit të plotë dhe mundën të ruajnë kulturën e tyre, si dhe zakonet ose gjuhën duke u strehuar në vende të paarritshme, të egra ose malore ». Nuk është e vështirë të konstatohet se masivet malore shqiptare janë nga më të thepisurit e Ballkanit por nga njera anë, jemi ende shumë larg nga dekori himalajan dhe nga ana tjetër, mbetet shumë e vështirë të pranohet që kemi të bëjmë me një popullatë Jeti ballkanike e cila, që nga epoka eneolitike e pelazgëve “..ka qenë mësuar me këtë topitje që e ka shtyrë t’i dorëzohet mënyrës së jetesës si luftëtare në strofkat e saja të paarritshme” dhe “që ajo zgjohej vetëm për të zbritur nga fortesat e saja malore me qëllim që të luftonte kundër pushtimeve sporadike dhe sulmeve të ndryshme“. Ndërkohë, analiza e dy teorive të para lejon të shihet menjëherë se origjina veriore e ilirëve tashmë duket e vjetëruar dhe në mospërputhje të plotë me interpretimet bashkëkohore të mërgimit të popullsive proto-indoevropiane në kontinentin tonë. Përsa i përket « të vetmes » që mbetet më këmbë – ajo e shkencëtarëve shqiptarë – asaj i duhet të mbrohet kundër një varg sulmesh dhe kundërtezash, të zhvilluara nga historianët ballkanikë.

 

  

 

 

(vijon)

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: