Letër e hapur plaçkitësve të « Shekullit ».

E nderuara Gazetë « Shekulli », i nderuar zoti Drejtor Thano,
.
.
. Falë dashamirësve të vëmendshëm dhe vëzhgues të kujdesshëm të shtypit, zbulova se gazeta juaj në linjë e datës 26.05.2008, në rubrikën e saj Kulturë, kish botuar artikullin « Vepra fillon ku mbaron historia », kushtuar takimit letrar ndërkombëtar të Lionit (Francë), ku merr pjesë edhe shkrimtari Fatos Kongoli.
.
. E lexova me shumë vëmendje, në mos për faktin se vepra e z. Kongoli ngjall admirim, për faktin tjetër se në datën 23.05.2008, po në atë ditë kur artikulli i shkrimtarit botohej nga faqja elektronike e gazetës « Le Monde » – natyrisht në frëngjisht – në blogun tim http://www.albanie-albanais.com/ botova përkthimin – natyrisht në shqip – të këtij shkrimi nën titullin : Fatos Kongoli dhe « çarja gjeografike ».
.
. Edhe të mos duash të vëresh, mjaftonte vetëm një grimë e asaj vëmendje që përdora gjatë leximit për t’u bindur se përveç titullit – si edhe atyre pesë-gjashtë rreshtave të para shpjeguese të aktivitetit – i gjithë teksti i ndërhyrjes së shkrimtarit Kongoli, pra përkthimi i tekstit origjinal frëngjisht, ngjan si dy pika uji me tekstin e botuar në blogun tim. Bile në këtë rast, edhe shprehja « si dy pika uji » përbën një eufemizëm të lumtur pasi në të vërtetë, bëhet fjalë për një kopjim mekanik, një prerje – ngjitje në gjuhën e programeve të përpiunimit të teksteve. Mjafton të themi se trupi i tekstit të z. Kongoli, i botuar prej « Shekullit » tuaj përbëhet prej 6676 karakteresh, ndërkohë që ai i botuar prej meje përmban 6672 karaktere… Zor, se dy përkthyes të cilët i ndajnë disa qindra kilometra distancë, të mund të prodhojnë tekste të tilla identike dhe që më tepër të përdorin të njejtat shprehje aq karakteristike si : trysninë e ndrydhjes ndëretnike, e plot të tjera si puna e tyre.
.
. Në se shprehja kopjim ju duket e papërshtatshme, ju propozoj një shprehje tjetër : vjedhje, dhe në se kjo e fundit plagos ndërgjegjen tuaj profesionale, le të rrimë tek shprehja plaçkitje.
. Natyrisht, nuk dua të ve në dyshim as profesionalizmin tuaj as edhe atë të gazetës që ju drejtoni. Shumë, shumë, mund të mendoj se kjo gjë përbën një veprim të ngutur të ndonjë artikullshkruesi të pacipë si edhe një vemendje të pamjaftueshme të ndonjë redaktori të shkujdesur.. Megjithatë, është gazeta « Shekulli » që mbulon me hijen e saj këto përgjegjësi dhe prezanton përpara atyre dhjetra mijra lexuesve të saj të lumtur pasqyrën e ndershmërisë së bashkëpuntorëve të saj.
.
. Sidoqoftë, nuk arrij të kuptoj se çfarë e pengon gazetën tuaj të kontaktojë një individ, një faqe interneti dhe t’i kërkojë këtij të fundit lejen për të botuar në faqet e saj, një artikull, në rastin tonë një përkthim, i cili sipas edukatës duhet të përmbajë edhe referencat e autorësisë.. Personalisht, do të ndjehesha i lumtur nga një kërkesë e tillë, e ardhur nga një gazetë e tillë si « Shekulli » dhe do t’a kisha dhënë lejen me gjithë dëshirë. Por, me sa duket, një praktikë e tillë e tejkalon me papërfillshmërinë e saj etikën profesionale të gazetës suaj që preferon të plaçkisë, dhe jo të kontaktojë, të mospërfillë dhe jo të citojë… Edhe në se kjo etikë diku është e mangët, të paktën duhet të kujtohemi se egzistojnë ligje që mbrojnë shprehimisht të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale!
.
. Jam i ndërgjegjshëm se të tilla letra nuk janë aspak të këndëshme, si për të adresuarin edhe për shkruesin e saj, por ngushëllohem nga fakti se një e tillë letër ndoshta do të tërheqë vëmendjen qoftë edhe një grimë më tepër ndaj një shkrimtari si z. Kongoli, ndaj veprës së tij të admirueshme si edhe bashkëbisedimit të tij me lexuesit në linjë, që zhvillohet sot në orën 16. Ngushëllohem gjithashtu nga fakti se ata dhjetra mijra lexuesit e gazetës suaj – sikundër edhe ata dhjetra lexuesit e blogut tim – meritojnë plotësisht respekt dhe përkujdesje, transparencë dhe sinqeritet.
.
. Me shpresë se apologjia publike bën pjesë në atë panel vlerash që karakterizojnë stafin drejtues të gazetës suaj, ju lutem të pranoni e nderuar Gazetë dhe i nderuari z. Drejtor, shprehjen e përshëndetjeve të mia më të sinqerta.
.
. Gjergj XEXO (xexo.georg@gmail.com)
.
.
. P.S : Përkthyesve tuaj të talentuar ju rekomandoj të rishohin titullin e artikullit « Vepra fillon ku mbaron historia » pasi ky i fundit, në formën aktuale, shtrembëron idenë e vetë shkrimtarit që diku brenda tekstit, shprehet në frëngjisht: “.. l’œuvre littéraire commence là où finit l’histoire racontée”, pra : vepra letrare fillon aty ku përfundon historia e treguar. Po qe se i lejojmë vehtes të fshijmë epitetin letrare dhe plotësin e treguar, vepra mund të fillojë bile edhe më përpara se sa të mbarojë historia – sikundër edhe ndershmëria që përfundon vetvetiu, pikërisht aty ku neglizhohet respekti.

Voici la suite – Ja edhe vazhdimi

5 Përgjigje te Letër e hapur plaçkitësve të « Shekullit ».

  1. Selfmaderadio thotë:

    nuk je i pari. Shpresoj te jesh i fundit!

  2. Drita thotë:

    Turp per gazetarucin-perkthyes,si edhe per gazeten Shekulli.

  3. Anonymous thotë:

    Gjergj !

    Nuk di bera mire apo jo , po une e bera . Ja cova per ta botu kesaj :

    http://www.albtoday.com

    Koth

  4. xixa thotë:

    Koth,
    Aq mirë bëre sa të lumtë dora..
    Po të them vetëm se të njejtin shkrim ja kam dêrguar me postê redaksisê sê gazetês “Shekulli” si edhe e vura si koment nên shkrimin e F. Kongolit në faqet e saj.
    S’ma merr mendja se mund t’a botojnë.
    Po qe se Redaksia nuk më dërgon një pêrgjigje, do tja nis Thanos në e-mailin e tij dhe me atê rast, nja 500 e-maileve tê tjera që kam në bazën time tê adresave.
    Njëkohësisht, e lëshova pêr lexim në Alb-Cafe..

  5. Ornela thotë:

    Kjo gje me ka ndodhur me shekullin.
    Ju dergova per botim nje artikull te cilin e pata shkruar vete duke bere kerkime dhe duke marre referenca te ndryshme por pas ca kohesh ata a postuan nen emrin e tyre.

    E njejta gje i ka ndodhur dhe nje shoqes time.

    shekulli eshte gazete e mbajtur me artikuj te vjedhur

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: