Pekin – Tiranë 66’- 68’ : revolta kondër Zotërve.

. Pas atyre viteve 1961 – 1964, « vitet më të tmerrshme pas atyre të luftës » – sipas shprehjes së vetë Enver Hoxhës, ekonomia shqiptare njohu një stabilitet relativ. Sigurisht, udhëheqësit e vendi ishin të siguruar për mbështetjen ekonomike dhe financiare kineze, por megjithatë, fjala ishte gjithmonë për ndihma. Përpjekja kryesore mbetej të bëhej në vend, duke siguruar një mobilizim total të të gjitha burimeve materiale dhe njerëzore të vendit.
. Në këtë pikë, bilanci i rezultateve ishte jo gjithmonë i kënaqshëm : gjatë këtyre njëzet vjetëve, një energji e konsiderueshme ishte harxhuar për të siguruar mbijetesën e rregjimit – nëpërmjet sorollatjeve të natyrës ideologjike – si edhe për të riparuar pasojat e natyrës politike, ndërkohë që situata ekonomike dhe shoqërore e vendit mbetej gjithmonë problematike. Tablloja kombëtare tregonte kontraste të thella mes sektorëve ekonomikë apo mes qytetit dhe fshatit, një shkëputje ende të dukshme mes Veriut dhe Jugut, diferenca mjaft të theksuara mes punës fizike dhe intelektuale dhe së fundi, distanca të pakapërxyeshme mes dogmës komuniste që ushqente pararojën dhe frymës shpirtërore tradicionale që gjallëronte një popull të tërë. Në kërkim të një ekuilibri të ri, PPSH duhet të rimerrte në dorë situatën dhe të kryente një ringadhënjim të vendit, për të mos thënë një « ripushtim » të tij.
.
. Të mos harrojmë se bëhej fjalë për një detyrë, asnjëherë të kryer që nga koha e ardhjes në pushtet dhe gjithmonë të shtyrë për më tutje, në pritje të kohëve më të mira. Duke i bërë besim instiktit të tij, Hoxha mendoi t’a fillonte së pari këtë luftë në elementin që njihte më mirë : brenda partisë dhe aparateve të saj.
.
. Shtrirja e paanë e botës komuniste dhe variacioni i pafund i problematikave të saj, ka përbërë gjithmonë një minierë informacioni dhe metodash për çdo udhëheqës të mirë, detyra kryesore e të cilit qëndronte në adoptimin e duhur dhe të zgjuar të formulave, duke i kthyer në të përdorshme sipas situatës konkrete që paraqitej. Duke qenë një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve në Kinën popullore, udhëheqësi shqiptar me siguri që kish vënë re se Timonieri i Madh e kishte vijëzuar tashmë rrugën që çonte drejt të ardhmes, ndërkohë që predikonte se « ..Shoqëria socialiste shtrihet një një periudhë historike mjaft të gjatë, gjatë të cilës vazhdojnë të egzistojnë klasat, kontradiktat mes klasave si edhe lufta e klasave, në të njëjtën kohë që egziston edhe lufta mes rrugës socialiste dhe asaj kapitaliste, apo edhe rreziku i një restaurimi të kapitalizmit… ». Kështu që, mjafton të bëheshin planet e kantjerit të ri, të përcaktoheshin objektivat dhe të vendosej kryqi mbi shenjën që duhej goditur; gjithçka tjetër mbetej në funksion të shkallës së angazhimit si edhe të peshës së influencës së tij mbi njerëzit.
.
. Në 4 mars 1966, dy muaj përpara se dazibao e parë të çfaqej mbi muret e universitetit të Pekinit, Enver Hoxha botoi në faqet e gazetës së partisë « Zëri i Popullit » një letër të hapur, drejtuar të gjithë komunistëve dhe popullit, e cila u vu në origjinë të asaj lëvizjeje të gjerë të epokës të quajtur revolucioni ideologjik. Reforma e propozuar shënjonte të gjitha institucionet : ushtrinë, strukturat e Shtetit dhe të partisë dhe së fundi, ekonominë. Me një frymëzim populist dhe egalitar, ajo mundohej të bënte edhe më të frytshëm kontrollin e drejtpërdrejtë të Partisë mbi institucionet.

.
. E para që u vu në shënjestër ishte ushtria popullore të cilës ju desh të braktiste të gjitha gradat dhe dallimet ushtarake, të çlirohej nga uniformat me lajle dhe me lule apo nga mbetjet e tjera të periudhës sovjetike. Oficerat, këta « bij të popullit » tashmë duhej të jetonin në mes të trupës dhe të ndanin me ushtarët kushtet e vëshira të jetesës, nën vështrimin vigjilent të komisarit politik që bëhej kështu pjesë pandarë e çdo njësije ushtarake. Shumë shpejt, vala goditëse u përhap nëpër dikasteret dhe organet administrative. Duke luftuar mentalitetin « e jakave të bardha dhe të duarve të pastra », autoritetet partijake vendosën një nivelim të rrogave për kuadrot e larta dhe i detyruan këta të fundit të dilnin nga zyrat për të marrë pjesë aktive në ndërtimin e socializmit, me qëllim që të njihnin më mirë përpjekjet dhe shqetësimet e masave. Një sistem i tërë qarkullimi u imagjinua dhe u vu në jetë : të gjithë ata që kishin mbushur një numur të caktuar vitesh në gjirin e administratës qëndrore duhej tashmë të shkonin dhe të drejtonin në vend sektorët prodhues. Më tej, nën emrin e një rifreskimi moral dhe fizik, ata duhej të kryenin një periudhë të përvitshme pune fizike në uzinat dhe fushat bujqësore. Struktura administrative u shkund dhe u lehtësua, duke provokuar shkrirjen ose shpërndarjen e ministrive, siç ishte rasti i asaj të Drejtësisë.
.
. Gradualisht, lëvizja u çvendos drejt sektorit më jetësor të ekonomisë shqiptare, bujqësisë, e cila u nxit me këmbëngulje drejt kolektivizimit të zonave veriore dhe malore të vendit. Reforma preku njëkohësisht edhe sistemin arsimor, qoftë duke rishikuar fund e krye programet dhe tekstet mësimore, qoftë duke fshirë referencat ende të dukshme ndaj mikut të madh të djeshëm – Bashkimin Sovjetik. Në kalim, ajo fshiu mjediset disidente të kulturës dhe të artit. Të gjitha këto ndërhyrje në fushat e kulturës dhe të arsimit i shërbenin ruajtjes dhe mbrojtjes së shoqërisë nga « influencat e huaja » et forconin izolimin e Shqipërisë në lidhje me pjesën tjetër të Evropës.
.
. Në nëntor të vitit 1966, PPSH thirri Kongresin e saj të Vtë që zyrtarizoi dhe i dha zemër revolucionit ideologik, duke angazhuar kështu vendin në një rrugë të re. Partia Komuniste kineze (PKK), e zhytur në vorbullën e revolucionit të saj kulturor, dërgoi një përfaqësues të nivelit të lartë, Kan Shenin. Mes të tjerash, përgjegjësi i sektorit të marrëdhënieve ndërkombëtare të PKK, vuri në dijeni Enver Hoxhën lidhur me zhvillimet e fundit të Revolucionit të Madh Kulturor. Ky fakt, në dukje i parëndësishëm, mund të kalojë për një detaj thjesht historik, po qe se harrojmë që njëkohësisht Kan Sheni ishte patroni i plotfuqishëm i Shërbimeve Sekrete kineze, i të tmerrshmes Tevu (1).
. Jo vetëm në këtë kohë por edhe deri në ditët e sotme, pak shqiptarë e dinin që ky njeri – artizani i prishjes mes kinezëve dhe sovjetikëve dhe mik i shtrenjtë i Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos i epokës të Bukureshtit dhe të Moskës – kish dërguar ndërkohë në Shqipëri emisarin e tij Xie Fu Xhi, për të ndërlidhur aktivitetin e Tevu-së së tij me atë të Sigurimit, organin gjysëm – polici politike, gjysëm – shërbim sekret të Kadri Hazbiut. Vite më vonë, në dhjetor të vitit 1975, me rastin e vdekjes së Kan Shenit, Enver Hoxha do të përshkruajë dhimbjen e tij të thellë në ditarin e tij politik përsa i përket kësaj humbjeje të madhe të « mikut të sinqertë të popullit dhe të partisë shqiptare » si edhe të « marksistit –leninistit të shquar » (2).
.
. Viti 1967 shënoi një etapë të re në radikalizimin e revolucionit ideologjik pasi, me iniciativën e gjimnazistëve të Durrësit, një stuhi e tërë antifetare filloi të frynte mbi vend. Duke u nisur nga një konstatim i natyrës historike – pluralizmi fetar si dhe mungesa e lidhjeve të forta mes fesë dhe kombit, të rinjtë kritikonin fetë e ndryshme që praktikoheshin në vend sikur ato ishin shkaku i dasive apo i ndarjeve mes shqiptarësh. Ata shkonin ndesh veçanërisht atij aspekti të errët apo « obskurantist » të fesë e cila, në mbështetje të traditave të prapambetura, gërryente fshatin shqiptar dhe veçanërisht zonën malore të Veriut. Në të vërtetë, rregjimi komunist e kish kqyrur fenë si një armik potencial, një kundër-pushtet paralel i cili asnjëherë nuk i kish rreshtur përpjekjet e tij për të ruajtur « pronën » e tij të shumëlakmuar, atë të jetës shpirtërore të njerëzve. Feja ndikonte psikologjinë kolektive, ndërfutej mes traditave dhe bënte një presion të madh në dobi të ruajtjes së strukturave patriarkale. E gjithë kjo, në mënyrë të natyrshme, i dilte ndesh asaj politike të mobilizimit pa rezerva të popullit, të asaj bindjeje të plotë që ai duhej të tregonte dhe pjesëmarrjes së tij në planet e partisë për shëndrrimin e vendit, pasi sektorë të tërë të shoqërisë shqiptare mbeteshin të ngujuar dhe jashtë ndikimit të partisë. Sipas opinionit të udhëheqjes së partisë, kish ardhur koha që ky « opium i popullit » të çrrënjosej, me qëllim që t’i jepej fund asaj rënieje vlerash që konstatohej në gjirin e shoqërisë.
.
. Lëvizja antifetare e nisur nga të rinjtë kaloi shpejt nga faza e saj e parë e fletë rrufeve, të ngjitura mbi muret e shkollave, në fazën e manifestimeve publike nëpër rrugët e vendit dhe të pushtimit të objekteve të kultit. Megjithë protestat i izoluara që vinin nga mjedise të ndryshme, bile edhe nga vetë rradhët e komunistëve, pothuaj të gjitha xhamitë, kishat, manastiret apo edhe institucione të tjera fetare të vendit u zbrazën nga objektet që ato mbanin, që në shumicën e rasteve kishin vlera të mëdha artistik, historike apo thjesht sentimentale, dhe u shkatëruan apo u degraduan. Në disa raste të rralla, duke i shpëtuar turrit shkatërrues të njerëzve, vendet e kultit u shëndrruan në depo, në kinema apo salla sporti. Kështu përfunduan një numur i madh monumentesh të kulturës bizantine të shekujve XItë dhe XIItë apo edhe objekte të tjera të kulturës myslimane, pa llogaritur ato të periudhës së vonët romake. Gjatë gjithë vitit 1967, brigadat antiklerikale të të rinjve gjimnazisë apo studentë të flakët përshkuan mbarë vendin, duke denoncuar të këqiat e fesë dhe duke ju bërë thirrje njerëzve që të hiqnin dorë nga bindjet e tyre fetare stërgjyshore.
. Më në fund rregjimi doli nga prapaskena : gjatë një ndërhyrjeje publike, në 6 shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha justifikoi, mori në mbrojtje pozitën e të rinjve dhe i përgëzoi për iniciativën e tyre. Në vazhdim, qeveria botoi një dekret të posaçëm i cili shfuqizonte kartën e mëparshme që rregullonte mbarëvajtjen e bashkësive fetare të vendit. Kjo ishte njëkohësisht edhe pika kulmore e kësaj fushate që u udhëhoq në mënyrë shumë të vrullshme gjithandej në vend, dhe përbënte edhe bazën kryesore të pohimit të mëpastajmë që Shqipëria ishte bërë vendi i parë dhe vetëm ateist në botë.
.
. Pasi u shtyp në këtë mënyrë feja, aksioni revolucionar u çvendos në fushën shoqërore, duke prekur në mënyrë të veçantë familjen. Struktura tradicionale e shoqërisë së dikurshme shqiptare, e qendërzuar mbi familjen patriarkale dhe e udhëhequr nga një varg kodesh morale apo shoqërore si puna e Kanunit, ishte prekur ndërkohë nga shëndrrimet e reja që kishin ndodhur pas lufte si për shembull, kolektivizimi i bujqësisë, industrializimi i vendit, shtegëtimi i popullatës fshatare drejt zonave urbane apo qyteteve të reja dhe së fundi, nga shtypja e fesë. Kjo strukturë patriarkale kish marrë goditje të rënda nga ana e rregjimit që nga momenti i parë i marrjes së pushtetit ; këtij të fundit nuk i ishte dridhur dora aspak për t’a shpronësuar ose për të asgjësuar fizikisht kastën e bajraktarëve apo të kryetarëve të fisit. Tashmë, aspekti më i prapambetur i marrëdhënieve shoqërore shprehej nëpërmjet gjendjes së gruas shqiptare. Në mënyrë tradicionale, ajo barte peshën e riprodhimit dhe rritjes së fëmijëve, të kryerjes së punëve shtëpijake në gjirin e familjes dhe për më tepër, ajo kryente edhe punët më të rëndomta dhe më të rënda në fushë, pa llogaritur faktin që ajo kish mbetur pothuaj analfabete. Gjendja e grave ishte edhe më e vajtueshme pasi, sipas zakonit, pjesa më e madhe e fejesave ishin organizuar nga familja, pa marrë aspak parasysh mendimin apo dëshirën e të interesuarës dhe ç’është më e keqja, kur kjo e fundit ishte ende në moshë të mitur, për të mos thënë në djepe. Kështu, martesat shërbenin më tepër si një mjet lidhjeje mes familjeve apo edhe për të nderuar premtime të vjetra, ndërkohë qä ato ishin të shoqëruara me ngarkesa tepër të rënda financiare.
.
. Gjatë fazës së fundit të revolucionit kulturor dhe ideologjik, PPSH i nxiti gratë dhe vajzat që të mos e linin fatin e tyre në duart e të tjerëve por t’a administronin vetë. Partia kërkoi njëkohësisht që ato të luanin një rol aktiv në gjirin e shoqërisë, duke u orientuar më shumë drejt prodhimit, dhe të kërkonin të drejtat e tyre me të njejtën forcë sikundër edhe burrat. Aq më tepër që këto të drejta të barabarta ishin të shkrojtura në ligj. PPSH ju kushtoi grave një Plenum të posaçëm, në qershor të vitit 1967. Ato u ftuan të ngriheshin kundër zakoneve të prapambetura, të prishnin fejesat e tyre të lidhura që në fëmijëri dhe të mos pranonin më martesat e detyruara nga kreu i familjes. Këtej e tutje, ju takonte atyre dhe askujt tjetër që të vendoste për fatin e tyre, pasi ato ishin qytetare me të drejta të plota. Thirrja mobilizoi një pjesë të konsiderueshme të popullatës femërore të vendit dhe shkaktoi reaksionin e natyrshëm të mjediseve konservatore. Përballë një gjendjeje të tillë, Enver Hoxha u ngrit publikisht dhe mbajti një pozitë të prerë, duke kërcënuar se do t’i « priste dorën » dhe do të « hidhte në zjarr » cilindo që do të guxonte të prekte « ligjin e shenjtë të Partisë në mbrojtje të të drejtave të grave dhe të vajzave ».
.
. Revolucioni ideologjik morri një vrull të ri me rastin e fjalimit të Enver Hoxhës « Mbi revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës », të mbajtur në 7 mars të vitit 1968. Idetë qëndrore të këtij fjalimi programatik qëndërzoheshin në prioritetin absolut të edukimit ideologjik të bazuar mbi marksizëm – leninizmin, i cili duhej të adoptohej sa më parë nga shkolla si një lëndë e detyrueshme, sikundër edhe në lidhjet tepër të ngushta që duhej të krijoheshin mes mësimit; punës prodhuese dhe stërvitjes ushtarake – trekëndëshi revolucionar i famshëm i Hoxhës.
.
. * * *
.
.
. Meqënëse propozohet nga vetë epoka në të cilën ai ka ndodhur, bëhet i nevojshëm për të mos thënë i domosdoshëm një kërkim i raporteve apo i lidhjeve mes kësaj lëvizjeje ideologjike – kulturore si edhe Revolucionit të Madh Kulturor Proletar kinez : të dy vendet janë aleatë dhe partnere, të dy shtabet komuniste mbajnë lidhje të ngushta të natyrës ideologjike dhe së fundi, kronologjikisht ngjarjet pothuaj mbivendosen. Megjithatë, përtej disa paraleleve që mund të bëhen përsa ju përket aktorëve që marrin pjesë në këto ngjarje apo edhe disa inciativave të ngjashme që prekën ushtarakët, shumë pak elementë të tjerë mund të sillen në dobi të vendosjes të një analogjie të thellë. Përsa i përket njëkohshmërisë së ngjarjeve, e përmendur aq shpesh për të nënvizuar nënshtrimin pothuaj të verbër të nxënësit kundrejt Mjeshtrit të Madh apo më mirë të themi mungesën e imagjinatës të Hoxhës, mjafton të ndiqet dinamika që mbetet e veçantë për sejcilin vend ose të analizohen objektivat që sejcili kërkonte të arrinte për të kuptuar menjëherë se sa të pakujdesshme për të mos thënë të përcipta janë këto mendime të shprehura dhe sa e pabazë mbetet kjo hipotezë. Në shumicën e rasteve, gjatë pohimeve të kësaj natyre urrejtja ndaj Hoxhës dhe veprës së tij është krejt e pamjaftueshme për të maskuar injorancën e plotë të autorëve jo vetëm ndaj ngjarjeve të Revolucionit të Madh Kulturor Proletar aq të largët por sidomos ndaj motiveve dhe burimeve të atij Revolucioni Ideologjik e Kulturor, në rrjedhën e të cilit ata kanë jetuar.
.
. Motivet e brendshme të udhëheqësit shqiptar i binden logjikës së tij marksiste apo leniniste e cila është e njejta me atë që frymëzon Maon ; ky i fundit, nëpërmjet aksioneve të tij s’bën gjë tjetër veç ngroh apo ushqen veprën e Hoxhës dhe sipas rastit, i ofron njëhohësisht endhe ndihmën materiale apo financiare aq të nevojshme.
.
. Pasi pësoi një gjysëm-dështim të iniciativës së tij, të quajtur « kërcimi i madh përpara » – të ndërmarrë në vitin 1956 dhe që synonte të vendoste pavarësinë e tij ekonomike dhe teknologjike, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, Mao lëshoi një kryqëzatë të re kundër « katër të vjetrave » – ideologji e vjetër, kulturë e vjetër, zakonet e vjetra edhe veshjet e vjetra. Ishte një mënyrë e tij origjinale për t’u ndarë përfundimisht me gjithçka që kujtonte rendin e vjetër në Kinë. Me fjalë të tjera, duke i ndenjur besnik vizionit të tij marksist dhe si dialektik i përsosur që ishte, Mao donte të rreshtonte në të njejtin plan « superstrukturën sociale me infrestrukturën ekonomike socialiste » (3). Gjatë kësaj sprove të re force, ai pati rastin që të vrojtonte dhe të kuptonte që idetë e veta ideologjike binin ndesh jo vetëm me zakonet stërgjyshore por njëkohësisht edhe me praktikat e përditshme të një burokracie të panumurt dhe ç’ishte më e keqja, edhe me një pjesë të shokëve të tij të idealit që ndërkohë ishin kthyer në adeptë të një farë « rruge kapitaliste të zhvillimit ». Në këtë mënyrë, përpara tij fillon dhe merr formë një komplot i tërë : konfucianistë, intelektualë borgjezë, burokratë deri edhe komunistë të pabesë, pra gjithë pushtetet e vjetra si edhe fraksionet e reja deviacioniste kishin paktizuar së bashku me qëllim që të nxirrnin revolucionin nga shinat, që të sabotonin ndërtimin e socializmit. Vetëm një mobilizim i përgjithshëm i masave, vetëm nje lëvizje e gjerë revolucionare radikale mund të ndalonte këtë sulm të forcave reaksionare, mund të pastronte rrugën që çonte drejt suksesit, t’i jepte hov të ri reformave të thella të domosdoshme për transformimin e shoqërisë.
.
. Përtej asaj tronditjeje të thellë, përjetësisht të gëdhendur në memorjen popullore nga detashmentet e « gardistëve të kuq » që merrnin me sulm uzinat dhe universitetet, diçka më tej edhe se portretet ikonografike të Maos me atë uniformën e tij ushtarake që përshëndeste turmat duke tundur librin e kuq të citateve të tij nga ballkoni i sheshit Tjenanmen, bile dhe më tutje se ajo dhunë kolektive që shkaktoi me qindra mijra viktima, Revolucioni i Madh Kulturor Proletar kinez ishte njëkohësisht një gjest i menduar mirë – një aksion antiburokratik – dhe një anarshi gjigande popullore – një pastrim kolosal (4). Në mes të kaosit, Mao paraqitet si udhëzuesi, si frymëzuesi dhe së fundi, si arbitër. Ai çliroi këtë « lëvizje të madhe demokratike » të të rinjve për të kritikuar revizionizmin, vizatoi me dorën e vet ideogramin e famshëm « të bombardojmë shtabet », më tej ai i bëri thirrje ushtrisë së Lin Biaos për të qetësuar shpirtrat e trazuar dhe për të përmbajtur dallgën shkatërruese që kish dalë jashtë çdo kontrolli.
.
. Disa mijra kilometra më tutje, revolucioni ideologjik që zjeu në Shqipëri gjatë viteve 1966 – 1968 përfaqëson një lëvizje të gjerë dhe të koordinuar mirë, të ngjizur dhe të pilotuar nga PPSH, me objektiva të qarta të natyrës politike, ideologjike dhe kulturore. Gjatë fazës së saj të parë, kjo lëvizje u zhvillua brenda përbrenda aparateve shtetërore dhe vendosi kontrollin e plotë të Partisë në fusha të ndryshme siç ishte rasti i ushtrisë, i administratës qendrore apo edhe i kulturës, deri në atë kohë të zotëruara nga grupe profesionistësh pak të politizuar. Qëllimi i tij është shumë i qartë : të krijohej një lloj i ri kuadri drejtues, i orientuar drejt problemeve bashkëkohore, i cili duhej të bashkonte në vetvehte veti të larta profesionale, një militantizëm të spikatur dhe një nivel të lartë ideologjik – me fjalë të tjera, një ushtar i aftë dhe i bindur i Partisë, me aftësi të një oficeri të karierës. Në asnjë moment, Enver Hoxha nuk ju drejtua masave popullore për të kërkuar ndihmën e tyre ose për të vënë në jetë konceptet e tij të reja ; aq më pak, ai pati nevojë për masat për të rivendosur rendin brenda partisë së tij, siç veproi Mao për të eliminuar fraksionet rivale.
.
. Nga ana tjetër, Hoxha ju drejtua drejtpërdrejt të rinjve dhe grave të vendit me rastin e fazës së fundit që u zhvillua brenda shoqërisë shqiptare. Këto dy kategori sociale që përfaqsonin dhe përfaqësojnë më shumë se tre të katërtat e gjithë shoqërisë, tradicionalisht të harruara ose të lëna pas dore nga pushtetet e mëparshme, u vunë nën dritën e prozhektorëve dhe u ftuan të dalin në rrugë, ndërkohë që partia, e mbështetur nga levat e saj të organizatave të masave si edhe të aparatit shtypës – bënte çmos që t’i çlironte nga zgjedha e traditës. Ky revolucion i habitshëm zakonesh nuk ka asgjë të vetvetishëm apo anarqik ; ai karakterizohet nga një suazim i vazhdueshëm dhe një kontroll i rreptë të lëvizjes popullore që pothuaj asnjë herë nuk doli nga shinat – përveç rasteve kur vetë partia e dëshiroi dhe e nxiti një gjë të tillë.
.
. Revolucioni i Madh Kulturor Proletar kinez sikundër edhe sivëllai i tij i vogël shqiptar ndodhën brenda një konteksti tepër të veçantë të viteve gjashtëdhjetë. Thellësisht e ndikuar nga shkatërimi i sistemit kolonial dhe nga lindja e lëvizjeve revolucionare apo çlirimtare në vendet e « botës së tretë », nga thyerja e prodhuar brenda botës komuniste si edhe nga çfaqja e tendencave të reja kundërshtuese, kjo epokë prodhoi dhe i dha jetë një seri ngjarjesh sa të ndryshme po aq edhe të rëndësishme për kohën e mëpastajme : revolucionin à la Guevara apo Pranverën e Pragës, fenomenin palestinez apo edhe Majin e vitit 1968 në Francë.
.
. _____________________________________________
.
.
. (1) FALIGOT Roger, KAUFFER Rémi – Kang Sheng et les services secrets chinois. Robert Laffont, Paris, 1987.
.
. (2) Duke heshtur mbi « cilësitë » e Kan Shenit si antititst dhe antikroshovian i dorës së parë, si babai i padiskutueshëm i shërbimeve sekrete kineze ose edhe mbi « kontributin » e tij në zhdukjen e miliona njerëve, Hoxha tregohet tepër kritik ndaj Maos dhe Çu Enlait. Shënimeve personale të Hoxhës, të mbajtura gjatë vitit 1976, me rastin e vdekjes të Mao Ce Dunit, dhe më tej të Çu Enlait, nuk ju mungojnë as vërejtjet therëse as edhe dyshimet lidhur me vlerat e tyre të vërteta apo edhe mbi kontributin e tyre lidhur me çështjen marksiste. Shih mbi këtë çështje : Enver HOXHA – Shënime mbi Kinën, Tiranë 1980.
.
. (3) Therese HOFFMAN – The Chinese Cultural Revolution : Autobiografical Accounts of a National Trauma, Dept. Of Sociology and Justice Studies, Sylvania OH. USA.
.
. (4) Jackie SHEEHAN – The Cultural Revolution in Chinese Politics – ICCS/IAPS Research Seminar, february 2002.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: