Metafizikë krijimi.


.

. Shopenhauer – “Njeriu është një kafshë metafizike“.

.
.

. Një tullë në çaçkë të kokës ! Një e tillë ndjesi m’u krijua kur një miku im më hodhi, ashtu si nëpër të, pyetjen, në pamje të parë të pafajshme : Ç’ka po t’vyen blogi ?
.
. Pas gjithë atyre gysmanetësh pa gjumë, pas gjithë atyre orësh të vjedhura nga të tjera ditë dhe netë, pas gjithë atyre përpjekjesh për të shkruar diçka që ja vlente barra – dhe pas atyre zhgënjimeve të vërteta apo të sajuara, pasi më dukej se askush nuk interesohej për shkrimet – doli më në fund njëri që me siguri s’kish marrë mundimin të lexonte qoftë edhe një fjalë nga ato që kisha shkruar, për të më bërë këtë pyetje asgjësuese. Bile dyshoj fort në se gjatë jetës së tij, ai ka lexuar qoftë edhe një faqe nga fillimi në fund. Duke dashur të fshij përshtypjen e keqe, mendova me ligësi se kontaktet e tij me fjalën e shkruar ishin këputur që nga dita kur letra higjenike zëvendësoi ato copat e gazetave ZP, të prera me aq kujdes, në një format dore…
.
. Megjithatë, edhe kjo imagjinatë s’më dha asnjë kënaqësi, pasi e pata të vështirë t’i ktheja një përgjigje bindëse. A mund t’i thuhej atij njerimiku se unë shkruaja për kënaqësinë që jep të shkruarit ? për drithërimën që provokon gjetja e një fraze të qëlluar ? për përleshjen me vetvehten ndërkohë që përzgjedh fjalën që përshtatet mes dhjetra sinonimesh apo të tjera të përafërta ? për lezetin që ndjen duke pirë cigaren e fundit të natës, ndërkohë që çon ndër mend me sytë gjysëm të mbyllur fundin aq të gjetur të shkrimit të sapobotuar ?
. Thjesht për të qetësuar vetvehten mendova se mendimi që fshihej pas kësaj pyetje ishte : a fiton ndonjë pare që po shkruan për këtë blog ? Zaten, ç’motiv tjetër – veç përfitimit – mund t’a shtynte për të më bërë këtë pyetje ? A nuk ishte ai që sikundër dhe plot të tjerë, pyetjes sime të atëhershme : a dëshiron të bëhesh antar i Shoqatës së shqiptarëve në Tuluzë ? i ish përgjigjur me kundërpyetjen : a fitojmë ndonjë gjë po të bëhemi antarë ?
.
. Disa ditë më vonë, nuk ishte një tullë por e tërë shtëpia që më ra përsipër. Kësaj rradhe, ishte ime shoqe, që në një moment rrëmbimi më qëlloi me një pyetje vrastare : Ç’po na lipset ky blog ?
. Ja pra, pavarësisht horizonteve të kithta intelektuale, pavarësisht raporteve radikalisht të kundërta me shkrimin, pavarësisht implikimeve personale të pakrahasueshme ndaj fatkeqit autor, dy persona të ndryshëm vinin pikpyetje të barazvlershme mbi të njejtin subjekt – natyrisht me ngjyrat vetiake dialektale. Por ajo çka më tërhoqi vëmendjen në sfondin e invariancës së shprehjes ishte loja e përemrave : vetor-dhanori njëjës i mikut ty, të = t’, i cili sipas gjasave vinte në pah (mos)vlerën në pare të përpjekjes intelektuale, dhe vetor-dhanori shumës i gruas ne, na që pa dyshim, theksonte shpërdorimin e vlerës kohë – të asaj kohës të paçmuar që duhej t’i destinohej familjes.
.
. Mes idealistit ëndërrimtar që s’kish kapur kuptimin e thellë të adekuacionit kohë = pare dhe egoistit horizontngushtë që neglizhonte qëniet më të shtrenjta, zgjedhja nuk ishte aspak e lumtur.
.
. * * *
.
.
. Krejtësisht i paaftë për të zgjidhur dilemën vetiake, u mundova të vetëngushëllohem nëpërmjet një procesi fort të goditur : përpjestimit të masës së « fajësisë » me numrin e « fajtorëve ». Pra, nëpërmjet mendimit se të gjithë ata që marrin guximin dhe shkruajnë – duke qenë njëkohësisht etër dhe me një familje mbi shpatulla – gjenden në të njejtën situatë. Për më tepër, bëhet fjalë për miliona individë që në këtë pikë, i ngjajnë njeri tjetrit. Mjafton t’i hedhësh një sy blogosferës.. A thua, egziston ai që ka mundur të gjejë « mesin e artë » midis investimit kohor dhe mungesës së interesit material ? Cila është ajo forcë që shtyn krijuesin anonim, për të këmbëngulur në përpjekjen e tij shprehëse, megjithëse është i bindur për mosinteresimin e plotë financiar ?
.
. Një nga shpjegimet e rralla të këtij fenomeni thuaj të pakuptueshëm është ai i dhënë kohët e fundit nga Fatos Kongoli, i cili të shkruarit e konsideron « fenomen metafizik » dhe ata që shkruajnë i kqyr si « të prekur nga virusi ». Edhe në se të shkruarit mos qoftë krejtësisht metafizik, më duhet të pranoj përmasën e tij ezoterike, egzistencën e frymës së mistershme që thyen barrierën thuaj të pakapërcyeshme të mbajtjes së penës në dorë dhe të të shkruarit të rreshtit të parë mbi letër, këmbënguljen kryeneçe për të sublimuar ndjenjën në frazë…

.
. Në të vërtetë, epiteti « metafizik » i përshtatet jo aq të shkruarit vetë se sa atij që shkruan : një gjallesë absurde dhe pakuptimtë për shumicën e vdekatarëve, pasi karakterizohet nga vetia e të menduarit dhe thuaj gjithmonë jashtë realitetit fizik dhe racional. Si mund të jetë ndryshe kur bota përqark është e prirur të kuptojë dhe të tolerojë më kollaj varfërinë e mendjes se sa pasurinë e shprehjes, shpërdorimin e pasurisë se sa mungesën e interesit për të. Pa folur më tej për të tjera principe fort të larta të natyrës shoqërore, ato në emër të të cilave, në vitin 1964 në Leningradin e tij të lindjes, një farë Josip Brodski – shkrimtar thuaj anonim në vendin e vet, u gjykua si « parazit social » dhe u internua në ato kampet e famshme të edukimit nëpërmjet punës sociale. Vetëm pas një « stazhi » të tillë kuptimplotë – dhe tashmë larg një mjedisi të tillë – ai mundi të gjente qetësinë e mendimit dhe të krijimit, si edhe kurorëzimin suprem me Nobelin e letërsisë në vitin 1987.
. Edhe pse shembulli i mësipërm nuk mund të shërbejë si alibi, të paktën ai mund të përdoret si argument. Bile edhe si nxitje, pasi ai ngroh bindjen se që të gjithë shkrimtarët – nga më i madhi Nobel deri tek më i zakonshmi fletënxirës – dikur kanë dalë nga ai mjedisi i krijuesve anonimë të nëpërkëmbur dhe të përbuzur, të atyre metafizikëve të fjalës dhe të mendimit që luhaten mes harresës dhe lavdisë, të atyre anti-alkimistëve që s’kanë mundur kurrë të shëndrojnë kohën në flori..
.
. Përsa i përket « prekjes nga virusi », jam i bindur se ajo s’është gjë tjetër veçse një figurë retorike, një eufemizëm, forca bindëse e të cilës mbetet sekret i shkrimtarëve të vërtetë – pikërisht i atyre që zotërojnë vetinë e shëndrrimit të « mikrobit » në para. Kam frikë se në rastin e zakonshëm, patologjia çfaqet në forma të tjera, më pak të frikshme por sidoqoftë, preokupuese : një farë krisjeje ose çarjeje në kontinuumin hapësirë-kohë, në errësirën çlodhëse të të cilës shkojnë dhe struken mendimet, nga ku buron imagjinata ; një dyzim i qenies, një pjesë e të cilës mundohet të qëndrojë në prani të të tjerëve – ajo që provokon ato buzëqeshjet pa lidhje dhe që kthen përgjigje disi të vonuara atyre që rrinë pranë, dhe pjesa tjetër – ëndërruese, fluturuese që ndërkohë, gjendet me qindra kilometra-vite larg. Troç, një farë idiotie e herahershme, një lloj hutimi i fajshëm dhe i pazëshëm që shkruhet në fytyrë dhe ndjell shpirtmadhësinë e turmës dhe bezdinë e të afërmve. A mund t’i kërkohet një të përhumburi të tillë që ngatërron shkëlqimin e yjeve me atë të arit, të vrapojë me ritmin e çmendur të njerëzve normalë, të zotërojë mekanizmin e stërhollë të harxhimit të kohës nëpër supermarkete ?
.
. * * *
.
.
. Ç’duhet të bëjë ai që ëndërron të jetë filozof ose artist i penës apo i furçës, apo ai tjetri, talenti i të cilit pret stinën e pjekjes, sikundër qershia në degë ? Në mos qoftë i martuar, duhet t’i ikë dashurisë që ndjell drejt vatrës familjare, Në të kundërt, duhet të planifikojë ndarjen. Në se i besojmë filozofit Gilles Deleuze (lexo : Zhilë Dëlëzë) – ai vetë i martuar – beqarnia është një « prodhues intensiteti » ndërkohë që mbetet një « nxitës i skicofrenisë ». Por, në fund të fundit, a nuk është më mirë të prodhosh intensitet dhe me atë rast, disa grimca arti sublim, gjithë duke rrezikuar skizofreninë vetiake se sa të prodhosh asgjë – dhe të ndash skizofreninë kolektive ? Duke mos patur një qendër të tillë rëndese apo komplekse zotëruese (grua, fëmijë, shtëpi, trashëgimi…), pra duke u çliruar nga një institucion i tillë ndërmjetës dhe vështirësisht i administrueshëm si familja, artisti ynë mund të përballë shoqërinë, botën mbarë – për të mos thënë Historinë. Kur nuk ka asgjë familjare për të mbrojtur, krijuesi ynë individual mund të matet me vetë Krijuesin universal.
.
. Jam i sigurt se, shumica e atyre që lexojnë këto rradhë në mos buzëqeshin, të paktën picërrojnë sytë : të shesësh familjen për një pjatë thjerza ? të braktisësh vezën e përditshme për imazhin e pulës së artë ? Fundja, asgjë nuk na pengon të imagjinojmë, të fatazmojmë vetminë që, me që ra fjala, përbën edhe gurin e themelit të filozofisë judeo-kristiane. Strategjia e Kishës dhe betimi i priftit ! Për të qënë inteligjent, duhet të përballësh vetvehten, për të qënë i përkushtuar duhet të jesh i vetëm. Veçse kur reflekton qoftë edhe vetëm, reflekton për të tjerët. Pasi, edhe sikur të vetëquhesh Zot dhe të jesh i aftë të krijosh ex nihilo, ky krijim rezikon tredhjen në se nuk nënështrohet vështrimit të të tjerëve. Me fjalë të tjera, në mos në zemër diku gjetkë, duhet të ndjesh dashuri – për të vërtetën, të provokosh ndjellje – për të bukurën, të ndash emocionet – për vetë veprën. Përfundimisht, i vetëm por për të tjerët – dhe përpara se qarku të mbyllet për t’u shëndrruar në djallëzor, në spirale pa fund – po ngutem të shtoj, me të tjerët.
.
. * * *
.
.
. Vetëm, i çartur dhe i përçartur, për të tjerët dhe me të tjerët. Një qënie e tillë psikosociale, megjithëse brehet nga dyshimet, digjet nga dëshira për t’u kuptuar dhe për t’u shprehur. Sidoqoftë, një lutje fort profane, të cilën vetëm Zoti i teknologjisë mundi t’a përmbushë duke ju hapur portën e vogël virtuale të Internetit, ndërkohë që ai tjetri i njerëzimit ju kish mbyllur portën e madhe, reale dhe të lavdishme të shtypshkronjës. Në këtë mënyrë, krijuesi anonim mund të jashtëqendërzohet, të shpresojë dhe hera herës të lumturohet nga kontakti me një publik po aq anonim sa ai vetë. Mjaftoi një fjalë magjike – blog – për të shembur hegjemoninë e botuesve, diktaturën e redaktorëve, dhunën e kritikëve dhe për të hapur erën e demokracisë pjesëmarrëse të individit të paemër, pseudonimist. Liria virtuale dhe interaktive e bazuar mbi filozofinë e ndarjes së mendimit dhe të opinionit në blogosferë i përgjigjet ëndrrës më të vjetër të Ikarit mendimtar : arratisja nga burgu i të përditshmes, braktisja e rutinës vetëvrasëse dhe budallallepsëse, largimi nga tufa.
.
. Metafizika e krijimit që piqet me metafizikën e lirisë. Liri metafizike.

3 Përgjigje te Metafizikë krijimi.

  1. ARTI NE KOHERAT E KOLERES thotë:

    cfare mund t’i shtosh kesaj analize?! shume pak gjera miku im.

    ke pershkruar pak a shume relacionet e krijuesit me turmen; te enderrimtarit me realitetin vrastar. don kishotizmin e procesit artistik, te shprehjes kreative; perballe principeve dhe tundimeve komerciale te botes se konsumit. luften e hulumtimit te vlerave shpirterore, perballe murtajes gjumendjellese te mediokritetit.

    mjaft interesant shtjellimi!

  2. altin topi thotë:

    Xixa,

    Nuk je i pari as i fundit qe do te behen pyetje te tilla. Por ndodh zakonisht qe njerezit te bejne pyetje te tilla, kur nuk jane ne kepucen tende, apo ne te njejten barke me ty. Me poshte kam shtuar nje fragment nga dicka te shkruar nga une per shkrimtarin e te shkruarin…..

    … “Befasite nuk shterren duke lexuar pergjigjet e Ismail Kadarese, te percjella pergjate bisedave me Eric Faye-ne.

    Intervista hapet me pyetjen: “Perse shkruani ju z. Kadare ?” Kjo pyetje eshte e shume e vjeter, nxjerr koke vazhdimisht e vazhdimisht qe nga lashtesia. Megjithese nuk kemi prova, patjeter duhet t’i jete drejtuar edhe endacakut, bardit te verber Homer. Edhe pergjigjet sigurisht do te kene qene nga me te ndryshmet. Kadareja instiktivisht, duke ditur mire perkatesine e vendin e tij, pergjigjet: “Sepse i perkas races te shkrimtareve, qe eshte krijuar per te shkruar. I bindem e i pergjigjem instinktit tim racor…” E pastaj ai vazhdon.. “Nese nje shkrimtar shkruan mire, e qe te vazhdoje te shkruaje me cilesi, duhet te disponoje rezerva te medha, pa te cilat nuk mund te shkruaje. Ai eshte si nje rafineri nafte, qe funksionon ne saje te rezervave te ‘arit te zi’ te grumbulluara nen toke”. Pra shkrimtari i mirefillte nuk ngjan te jete nje lojtar, xhongler apo alkimist fjalesh, por nje njeri qe kerkon e germon ne thellesite e pafund te vetes e punon si nje rafineri qe perpunon rezerven e pafund te ‘arit’ te tij. “Instinkti i races te shkrimtarit”, – te kerkuarit, te hulumtuarit, – e gjen rezerven e pare ne femijerine e vet shkrimtarit, ne token e vendin qe e lindi. Kjo ngjan te kete qene burimi i pare i te gjithe qemtonjesve, meditonjesve e gdhendesve te fjales. E si simbol mahnites, vepra merr formen e fatit te vet njeriut, te vet shkrimtarit. “….

  3. meditime-pershtypje thotë:

    Shume interesant dhe ne sinkron me problemin qe ngre,eshte kushdo qe vuan nga sindroma e te shkruarit.Sa per gjembat qe te shpojne(pa bere eufemizem!)ata ajne te permasave te ndryshme.e keqja eshte se te shpojne edhe”gjemba” brenda per brenda familjes.Dhe nuk je i vetem.Them se me mire nuk ka se si shkruhej per kete lloj”sindrome”.
    Te pershendes dhe te uroj pune krijuese te mbare!
    Perparim Hysi,11 qershor 2008

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: