Lumi i marrë, njerëz të mençur.

. Përgjatë pesë ditësh, ujrat e Danubit vërshuan me vrull në shtratin e Garonës. Shëtitësit e shumtë tuluzanë u lumturuan, megjithëse nuk bëhej fjalë për ato ujrat e bukura blu të Vjenës por për ujrat e turbullta të Danubit të poshtëm ballkanik. Një vazhdimësi vorbullash muzike, një varg çfaqjesh të virtuozitetit ballkanas, një marramendje tingujsh, zërash dhe pamjesh… Një varavingo e pandërprerë turme deri në orët e vona, një buçitje ritmesh të djallëzuara, një mozaik refleksesh mbi lumë, një dehje festive kolektive… e ndezur nga ballkanikët që kishin pushtuar bregun e majtë të lumit me instrumentat e tyre, jo të luftës por të muzikës.
.
. Me atë zgjuarsinë e tyre të natyrshme – dhe për të larguar syrin e keq nga një projekt i tillë, tuluzanët menduan t’i japin lumit epitetin « i marrë ». Më tej, për të fshehur gjurmët e herezisë, zgjodhën t’ja thonë në gjuhën e fqinjëve spanjollë. « Rio Loco » – Lumë i marrë – i vrullshëm, i papërmbajtshëm, turbullues, eksitues dhe ndjellës.
.
. Projekt i marrë, ndoshta dhe i çmendur, por një marrëzi që i reziston kohës. Pasi vitin që shkoi ishin ujrat e Ebros që rridhnin në qendër të qytetit ndërkohë që Spanjollët ndiznin atmosferën me ritmet iberike ; një vit më parë ishte Senegali me Afrikanët e tij të gëzuar ; një tjetër vit ishte rradha e Amazonës së pafund që vërshonte brigjeve – dhe në kurriz të saj Brazilianët e papërmbajshëm ; një tjetër-tjetër vit ishte rradha e Papaloapanit me Meksikanët festivë; më parë ende ishte Cauto me Kubanët, Misisipi me Amerikanët, Vollga me Rusët, Gangu me Indianët…
.
. Kësaj rradhe ishte Danubi dhe Ballkanikët e marrë. Kaotikë, të dhunshëm, të përgjakshëm por edhe patetikë, emocionues, muzikantë në embrion, të çartur deri në varr. Të vendosur të luajnë dhe të këndojnë deri sa « edhe peshqit të kërcejnë në breg » – siç thonë Bullgarët.
.
.
. Vitin e shkuar, Spanjollët e Ebros, të Guadalquivirit dhe të Douros mblodhën 167.000 spektatorë. Sivjet, vetëm gjatë koncertit kryesor të ditës së parë, Serbo-boshnjakët e Kusturicës thirrën mbi 25.000 spektatorë. 3 skena mbi lumë dhe dhjetra të tjera në mjediset e qytetit, 18 koncerte gjatë « zemrës së festës » – xhaz, rok, muzikë cigane, elektronike, tradicionale – mes 50 koncerteve të programuara, 100 manifestime kulturore… 300 artistë të ftuar : Emir Kusturica & the No Smoking Orchestra, Shantel & Bucovina Club Orkestar, Fatima Spar & the Freedom Fries, Florin Niculesku & Bireli Lagrene (Gipsy Project), Taraf de Hajduks, Mahala Raï Banda, Martin Lubenov & Jazzta Prasta Quartet, Besh o Drom, Boban i Marko & Markovic Orkestar, Kal, Toni Kitanovski Quartet, Ivo Papasov & Weding Band, Balkan Beat Box, Goran Bregovic & Orkestre des Mariages et des Enterrements, Liliana Butler & Mostar Sevdah Reunion… nga Budapesti në Stamboll, nga Sarajeva në Sofje, nga Beogradi në Athinë, nga Bukureshti në Shkup.. Ballkani i tërë kish lënë takim në Tuluzë. Thuaj i tëri, pasi mungonin Shqiptarët.
.
. * * *
.
.
. Paksa i bezdisur dhe belbëzues, komisioni organizues nuk diti të japë një përgjigje racionale. Ndoshta pasi publiku francez – dhe ai evropian – ende nuk vibron nga koncertet e artistëve nga vendi, pasi disqet e tyre ende nuk kanë gjetur rrugën e tregut dhe të amatorëve, sigurisht pasi revistat dhe gazetat e specializuara ende nuk ju kanë kushtuar kolona të tëra talentit të tyre. I vetmi element kulturor shqiptar që kish tërhequr vëmendjen e organizatorëve e festës ishte filmi « Parrullat », i cili do të çfaqej në kinemanë e mesnatës, pas një ditë të lodhshme dhe të zhurmshme. Sigurisht, pasi ky film kish bërë ndërkohë xhiron e Francës. Në se marrëzia ballkanike do të vinte me dallgë dhe do të dehte trurin nëpërmjet timpanit të veshit, ajo shqiptare ishte një valëz që mundohej të prekte shpirtin nëpërmjet syve. Fundja, më mirë një se asnjë !
.
. Një s’është keq, dy ca më mirë ! Nëse hiçi material prodhon vetëm hiç, boshllëku artistik arrin të prekë telat e ndjeshëm të nacionalizmit kulturor dhe prodhon ide. Pse jo, vendin vakant të Shqiptarëve të Shqipërisë (dhe atyre të Kosovës) t’a mbushin shqiptarët e Tuluzës. Përderisa artistët grafistë nga Bullgaria apo nga Rumania do të pjesëmerrnin në festë me krijimet dhe instalimet e tyre vizive, edhe grupi i plasticienëve shqiptaro-francezë lokalë mund të sillte ato të tyret – bile, ai propozonte të realizonte një freskë me motive shqiptare aty, në vend, gjatë koncerteve. Një vepër më shumë se kolektive – masive dhe evolutive, pasi ajo do të realizohej nga vetë spektatorët, dita ditës, në mes të produkteve të tjera kulturore nga vendi – libra, revista, foto, objekte të artizanatit. Pjesëmarrja ngjall interes, interesi krijon debat dhe ky i fundit sjell përgjigje pyetjeve ndaj të Panjohurve të përjetshëm – bile edhe atyre pyetjeve që lindin nga çfaqja e filmit. Për çudi, një ide e tillë e çmëndur u pranua nga organizatorët dhe u integrua në program. Kush më mirë se i marri mund të kuptojë të çmendurin ?
.
. Një iniciativë e tillë kërkon mjete, larmi sjelljesh… dhe dikush u kujtua : po sikur të kërkojmë ndihmën e Ambasadës së Shqipërisë në Paris për të siguruar plaketa informative mbi vendin, fletë palosje mbi turizmin, foto apo afishe ? Pra, një gjurmë vizive të aktivitetit, një përzgjatje kohore të bisedës së çastit, një kujtim të takimit me vendin…
.
. Një telefonatë që duhet përsëritur disa herë rradhazi, një tog përgjigjesh standard nga rregjistruesi i Ambasadës që të informon ëmbël se ndërkohë je brenda orarit të tyre të punës dhe ja, këmbëngulja shpërblehet më në fund me zërin e një vajze, tashmë plot jetë në frëngjisht, pastaj në shqip. Iku ajo kohë kur nga ana tjetër e fillit lehte vrazhdë kafazi i Ambasadës !
. Tashmë të dëgjojnë me durim, të përgjigjen me buzëqeshje – dhe të tregojnë internetin : « Dërgojini një e-mail. Domosdo, ajo do t’ju përgjigjet. Sapo të kthehet ». Pasi sekretarja kulturore e Ambasadës ndjek ndërkohë një stazh. Sa për Ambasadorin as që bëhet më fjalë. Dikur, përgjigja ishte qenërishte por ama, sigurimsi kafaz të kalonte shefin. Tashmë të tregojnë internetin.
.
. Kontakti me internet rezervonte një surprizë të këndshme : Ambasadori i ri i Shqipërisë në Paris quhet Ylljet Aliçkaj. Babai i filmit « Parrullat » që do të çfaqet në festival. Një motiv më tepër për të kërkuar një ndihmë. Surpriza e dytë ishte se Ambasadori nuk ka adresë e-mail, pra duhet komunikuar me sekretaren kulturore, nëpërmjet një teksti që përmban prezantimin e Shoqatës së Tuluzës, informacionin bazë për festën si edhe ftesën për Ambasadorin. Me guximin e të marrit e ftonim Shkëlqesinë e tij të pjesëmarrë në këtë aktivitet si krijues-shkrimtar dhe si përfaqsues i Shtetit – me lutjen e kthimit të një përgjigjeje « po » ose « jo ». Me qëllim që të lajmërohet me kohë komisioni organizator dhe Kryetari i Bashkisë së Tuluzës. Një muaj përpara se të fillonte festa.
.
. Dy javë më pas, asnjë përgjigje. Një ditë përpara fillimit të aktivitetit, i rashë telefonit të Sekretares kulturore. Kësaj rradhe pata me të vërtetë fat. Pasi dialogu ja vlente barrën :
.
. – (pas prezantimit të rastit) ju kam nisur një e-mail, lidhur me një aktivitet që fillon në fakt nesër..
.
. – më thoni edhe një herë për çka është fjala? (edhe një shpjegim tjetër i « Rio Loco-s »)
.
. – Më thotë diçka, por unë kam qenë gjetkë dhe vetëm disa ditë kam që jam kthyer.. ( a keni parë dikë që të hapë kutinë e mesazheve personale kur gjendet gjetkë dhe jo në zyrë ? Ja pra, në Ambasadë presin të kthehen në punë për t’a hapur). Më rimerrni në telefon pas dhjetë minutash.
.
. – (pas dhjetë minutash) është gjithmonë i njejti person nga Tuluza, për atë aktivitetin..
.
. – po, tashmë jam në dijeni të plotë (natyrisht, dhjetë minuta mjaftojnë për të lexuar pesë rreshta). Çfarë kërkoni prej nesh ?
.
. – të na ndihmoni.
.
. – Mjerisht, Ambasada nuk disponon asnjë fond.
.
. – Kush ju foli për fonde ? Në se kërkojmë ndonjë gjë, bëhet fjalë për fletë palosje, për plaketa informacioni..
.
. – Mjerisht, ne nuk kemi asgjë të tillë. Por do t’ju jap adresën e një faqeje internet (gjithmonë interneti !) ku mund të telengarkoni materiale të tilla. Janë të mrekullueshme.
.
. – (as që dyshoja për këtë mrekulli të telengarkueshme por mjerisht nuk kisha as kohë për t’a parë jo më për t’i ngarkuar – dhe shumëfishuar në dhjetra kopje). Sidoqoftë, si shpjegohet që të tjera shoqata si ato kroate, bullgare.. – dhe kur them shoqata, shoh pas tyre Ambasadat përkatëse, paraqiten me paketa të tëra materialesh « propagandistike » ?
.
. – Çështje fondesh. Ne nuk kemi. Dëgjoni përse nuk lidheni direkt me Ministrinë e Kulturës, bile me vetë Ministrin. Pasi ata kanë me tonelata materialesh të tilla.
.
. – Çka duhen tonelatat në Shqipëri kur në Francë ju nuk keni as edhe një gram? Kaq e vështirë është të furnizoheni me ato tonelatat e Kulturës? Pse jo, ndoshta duhet të marr në telefon Presidentin e Republikës z. Topi dhe t’i kërkoj disa kilogram? Si mendoni ?
.
. – Pse jo. Mund t’a merrni edhe atë. Sa për Ambasadorin, t’ju them të drejtën ai s’mund të vijë dot.
.
. – Kur e mësoi Ambasadori përmbajtjen e mesazhit tonë ? Sot ?
.
. – Po, sapo e bisedova me të dhe e ka të pamundur të vijë.
.
. – Natyrisht, në se e ka mësuar sot. Ndërkohë ne e kemi nisur mesazhin që prej një muaji.
.
. – Po, por unë isha në stazh. Vetëm pak ditë kam që jam kthyer. Pastaj, po ju them se ky aktiviteti juaj qëlloi pak keq pasi Ambasada është e mobilizuar për të pritur delegacione nga vendi të nivelit të lartë.
.
. Ja pra edhe surpriza e fundit. Ambasada organizonte pritjen e personaliteteve të larta nga vendi në Paris. Me pak imagjinatë, mund të bëhej lidhja me takimin e organizuar nga Presidenti francez lidhur me inaugurimin e Bashkimit për Mesdheun. Në se ështe kështu, priten të vijnë Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha – që do të ngjiten në tribunën presidenciale të festës kombëtare të 14 korrikut.
.
. Çka më normale në këto kushte se sa mospërfillja e të marrëve nga Tuluza ? Pasi në Paris, të mençurit prisnin të urtët mes të urtëve të Shqipërisë për t’jua prezantuar të fuqishmëve të Francës. Për një çast mu fanit vargu i familjarëve seriozë që çojnë nusen e mbuluar tek dhëndurët e kollarisur – ndërkohë që diku tutje, turma e marrë dhe gazmore feston dhe hedh valle, duke pritur të bukurën. T’i lemë të mençurit mes tyre…
.
. * * *
.
.
. Ndërkohë, disa qindra kilometra më tej, të marrët festonin. Pa Ambasadë dhe pa Ambasador por ama, me nuse. Si dhe me dasmorë : një djalosh shqiptar i Gostivarit që kish lindur në Los Anxheles dhe që gjeti të tijët në dasmë ; një grup të rinjsh nga Perigori që kishin kaluar një vit në Korçë, në një projekt evropian ; një familje arbëreshe nga Kalabria që kërkonte rrënjët e saj të lashta – si edhe një fjalor të shqipes ; një tuluzane që strehonte një refugjate kosovare të përhumbur, e cila mendonte se ishte e vetmja shqiptare në Tuluzë ; një çift bullgarësh me origjinë të largët shqiptare ; boshnjakë që kërkonin sivëllezërit e tyre myslimanë ; një student në histori që nuk dinte ku gjendej Shqipëria… si edhe me dhjetra prindër dhe fëmijë, të rinj dhe të reja që kërkonin penela dhe bojra për të shtuar diçka mbi freskun shqiptar.
.
. Një drithërimë e pafund ku edhe francezët harruan se ishin francezë, ku argjentinasit i shitën empanadat e tyre për ballkanike, ku edhe haletë rreatonin ngjyrat e ndezura si ato pallatet e Edi Ramës, ku edhe shqiponja me dy krena mbi freskë – sipas shprehjes të një vizitori – ngjante me një pëllumb paqeje.

2 Përgjigje te Lumi i marrë, njerëz të mençur.

  1. Selfmaderadio thotë:

    well … nuk ka shume per te thene pervecse qe ndoshta kjo teme duhet hapur me ze te larte ne memedhe: sepse shpesh teksa kerkojne te qellojne Henen, harrojne te bejne gjerat me te thjeshta, psh, t’i pajisin ambasadat me informacione dhe materiale per t’u shperndare neper aktivitete te tilla.

  2. meditime-pershtypje thotë:

    Keshtu ka ndodhur dhe do te ndodhe.As mos i hajde anes asaj pune.E c’do bej Ylljet Alicka me teper se parardhesit dhe vici versa?Shiko kryeplakun dhe veri emrin mandej.A nuk ka ndodhur qe kur do pranohej ne Akademi Ismail Kadare(a do t’i jepej nje cmim?!) dhe per koincidence ambasadori e shkrimtar(Besnik Mustafaj),dhe po keshtu ndodhi.Nuk u gjet koheper ambasadorin dhe aq me shume per presidentin e atehershem,qe te ishin prezente.Sic ka qene do te jete…
    Perparim Hysi,25 qershor 2008

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: