Mesdheu i Bashkuar : kur ëndrra piqet me utopinë.

. Pas një heshtjeje të gjatë, më së fundi, kancelaritë e Republikës shpallën lajmin aq të mirëpritur :
.
. « Kryeministri Sali Berisha ka marrë një ftesë nga presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy, për të marrë pjesë në Samitin e vendeve të Mesdheut dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky Samit zhvillohet më 13 korrik 2008, në Paris. »
.
. Përse kjo heshtje e dyshimtë deri në mes të qershorit – krahasuar me zhurmën shurdhuese të pranimit në NATO – lidhur me këtë takim kaq të rëndësishëm që do të mbahet vetëm tre –katër javë më pas ? Pasi, deri në momentin e marrjes së ftesës së shumëpritur asgjë nuk ishte e sigurt : as pjesëmarrja e Berishës në këtë takim, as edhe pjesëmarrja e vetë Shqipërisë në këtë Samit. Prova më e mirë është pasaktësia flagrante e kreut të Shtetit, kur vlerëson këtë « projekt », nga tribuna e Forumit të Krans Montana-s që zhvillohej në Monako, nga 26-29 qershor (Rilindja Demokratike) :
.
. « … Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi rëndësinë e një iniciative të tillë, të drejtuar nga Presidenti francez Nikola Sarkozy dhe e mbështetur plotësisht nga vendet europiane, veçanërisht Gjermania, për ridimensionimin e procesit të Barcelonës. Berisha e konsideroi këtë iniciativë si një projekt të rëndësishëm historik. “Unioni Mesdhetar paraqet në fakt një realitet historik që duhet respektuar dhe nxitur për të zgjeruar marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve mesdhetare, si dhe bashkëpunimin e vendeve mesdhetare me vendet europiane”… Berisha përshëndeti rëndësinë e krijimit të këtij Bashkimi Mesdhetar, për të mundësuar realizimin e projekteve të propozuara në fushën e shfrytëzimit të potencialeve të energjisë diellore, të zhvillimit të infrastrukturës detare, të bashkëpunimit në mbrojtjen kundër ndotjes së brigjeve detare të vendeve mesdhetare, të sigurisë së vendeve mesdhetare, si dhe të rëndësisë së bashkëpunimit universitar ndërmjet vendeve të Bashkimit Mesdhetar [..] Bashkimi Mesdhetar, një projekt i iniciuar si një iniciativë europiane nga Presidenti Sarkozy, do të kontribuojë jo vetëm në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, por synon të japë kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe në veçanti të konfliktit izraelito-palestinez. Ky projekt synon gjithashtu të jetë një mbështetje e fuqishme në luftën kundër terrorizmit. »
.
.
. Kur qëllimi francez justifikon mjetet sarkoziane.
.
. Bota mbarë si edhe vetë vendet mesdhetare dëgjuan për herë të parë shprehjen Bashkimi Mesdhetar në korrik 2007, ndërkohë që nga Tuloni jugor Presidenti i sapozgjedhur francez Sarkozi bënte të njohur planin e tij ambicioz për vitet e ardhshme. Ideja kish lindur në mjedisin e afërt politik euroskeptik të kandidatit Sarkozi, që kërkonte një zgjidhje globale lidhur me një sërë konstatimesh shqetësuese :
. – dështimi i plotë i të ashtuquajturit Proces i Barcelonës (Projekti EUROMED i parashikuar për të ndihmuar zhvillimin e vendeve të rrethqarkut mesdhetar) ; rivendosja e një dinamike politike franceze jashtë kuadrit të Bashkimit Evropian ; oferta e një alternative serioze dhe ndjellëse ndaj Turqisë, pasi Sarkozi është një nga kundërshtarët më të vendosur ndaj pranimit të saj në Bashkimin Evropian.

.
. Gjatë serisë së gjatë të vizitave në vendet e Mesdheut jugor – të quajtura të Magrebit – por dhe gjatë takimeve në Francë me udhëheqësit e këtyre vendeve, Presidenti Sarkozi çfaq elementët përbërës të këtij projekti :
.
. « Bashkimi Mesdhetar do të jetë para së gjithash një bashkim projektesh. Por me një qëllim : të shëndrrojë Mesdheun në laboratorin më të madh ne botë të bashkëzhvillimit, ku zhvillimi të vendoset bashkërisht dhe të mbikqyret bashkërisht, ku liria e qarkullimit të njerëzve të ndërtohet dhe të kontrollohet bashkërisht, ku siguria të organizohet dhe të garantohet bashkërisht. ». (Tanger, 23 tetor 2007). Por, gjithmonë sipas Sarkozisë :
.
. « Bashkimi mesdhetar nuk ka të njejtën qëllim si Bashkimi Evropian. Nuk bëhet fjalë të realizohet bashkimi politik i Mesdheut por të organizohet një bashkëpunim sa më i ngushtë për të themeluar kushtet e pajtimit ». (Tunis, 230 prill 2008).
.
. Në se nuk do të jetë një Bashkim politik si ai evropian, për çfarë bashhkim bëhet fjalë ? Eshtë Sekretari i Shtetit francez për bashkëpunimin evropian që saktëson idenë dhe deklaron përpara Parlamentit francez në dhjetor 2007 :
.
. « Përse ky projekt ? Pasi [..] Mesdheu përbën zonën tonë të dytë të solidaritetit pas Evropës. Por kjo zonë mbetet e vetmja në botë pa organizma shumëpalëshe dhe pa bahkëpunim rajonal. Duhet pra të përdoret përçapja që përbën edhe origjinën e ndërtimit të Evropës për të zhvilluar solidaritete konkrete dhe për të përpunuar projekte federuese ».
.
. Bashkim i ri shumëpalësh konkurrent i Evropës së Bashkuar, nën udhëheqjen franceze, apo strukturë federative, e bashkëngjitur me Bashkimin egzistues ? Përfundimisht, këshilltari lidhur me çështjet mesdhetare pranë Presidentit Sarkozi është edhe më i sakti :
.
. « .. Bashkimi mesdhetar mbështetet mbi një parim : të mbushet hendeku mes një Veriu të pasur dhe një pellgu mesdhetar shumë më të varfër. Qëllimi ? Rivendosja e ekuilibrit duke siguruar një hapësirë të paqes dhe të sigurisë. Troç, ne kërkojmë të përmirësojmë dialogun mes dy brigjeve ».
.
. Nevojë riekuilibri gjeostrategjik apo dialog miqësor mes të interesuarish ? Ndoshta, para së gjithash një partnership :
.
.
. « të bindur nga fakti se Mesdheu, shkritore kulturash dhe qytetërimesh, duhet të rimarrë rolmin e vet si zonë paqeje, begatije dhe tolerance, Presidenti i Republikës franceze, Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë dhe Presidenti i Qeverisë së Spanjës, mblidhen në Romë në 20 dhjetor 2007 për të menduar së bashku lidhur me drejtimet kryesore të Bashkimit për Mesdheun. Ky Bashkim ka si synim të mbledhë Evropën dhe Afrikën nëpërmjet vendeve kufitare të Mesdheut dhe të themelojë një bashkëpunim mbi baza të barabarta mes vendeve të rrethqarkut mesdhetar ». (Romë, 20 dhjetor 2007).
.
. Në se është kështu, përse drejtimet kryesore të këtij Bashkimi vendosen gjatë dialogut tripalësh Francë-Itali-Spanjë, në mungesë të plotë të të interesuarve të tjerë ? Në ç’masë vende të tilla të pasura evropiane të bregut verior janë në gjendje të përcaktojnë atë çka ju intereson të varfërve afrikanë të bregut jugor ?
.
. Në këtë botë të pamëshirshme ku jetojmë, e vënë në lëvizje vetëm nga interesat ekonomike, ku të mëdhenj dhe të vegjël udhëhiqen nga objektiva financiarë dhe gjeostrategjikë, shprehje të tilla ngjallin buzëqeshje – pasi është fort e vështirë të besosh në filantropinë e vendeve evropiane ose të Evropës së Bashkuar. Ajo çka fshihet pas këtyre rradhëve është vullneti për të krijuar një zonë të tërë të shkëmbimeve të lira – si ai MERCOSUR i Amerikës Latine ose ASEAN i Azisë, me qëllim zgjerimin e Tregut të përbashkët dhe zgjidhjen e krizës energjetike. Sikundër dhe nevoja për të kontrolluar flukset migruese, nëpërmjet programeve të zhvillimit të vendeve nga vijnë flukset, duke orientuar dhe përzgjedhur krahun e punës së përshtatshëm për një Evropë tashmë të plakur.
.
. Në një gjuhë krejt të kuptueshme mes specialistësh të zanatit, ku pragmatizmi ka zëvendësuar plotësisht diplomacinë, një nga përgjegjësit e Institutit të Perspektivave Ekonomike të Mesdheut shprehet se :
.
. « .. është krejt e natyrshme… ne duam të afrojmë dy brigjet e Mesdheut nëpërmjet ekonomisë… sipas parrullës të njohur – ekonomia afron, politika përçan dhe kultura diferencon. Ekonomia është një gjuhë universale dhe Evropa vetë, fillimisht është ngritur në këtë mënyrë.. interesi është reciprok ».
.
. Ndoshta më mirë duhet shtuar « .. dhe nga ky interes reciprok, Evropa del veçse e fituar, pasi bregu jugor do të verë në kandarin e shkëmbimeve krahun e lirë të punës, naftën dhe gazin, tregjet. Pra gjithçka ka nevojë Evropa e sotme ». Krejt i natyrshëm ky afrim mes brigjesh. Diçka si marrëdhëniet aktuale të Shteteve të Bashkuara me vendet e ALENA-s.
.
.
. Nga Bashkim Mesdhetar në Bashkim për Mesdheun.
.
.
. Projektet mesdhetare të Francës sarkoziane hasën në kundërshtimin e vendosur të Evropianëve të tjerë dhe në rradhë të parë, të partnerit të saj të parë, Gjermanisë së Kancelares Merkel. Kjo e fundit i kundërvihet me forcë idesë së krijimi të një zone influence franceze në Mesdhe, në qendër të të cilës do të ndodhen ish-kolonitë franceze në Afrikën veriore – si kundërpeshë e zonës së influencës gjermane në Balltik. Sikundër dhe idesë tjetër se, ngritja e një kati të tillë shtesë mesdhetar do të trondisë themelet e brishta të godinës evropiane. Aq më tepër që projekti fillestar propozonte një bashkëpunim shumëpalësh dhe shumëformësh, pa marë parasysh faktin se mes të interesuarve mesdhetarë gëlojnë rregjimet autoritare dhe thuaj-diktatoriale, të cilat as që venë ujin në zjarr për të drejtat e njeriut – këtë parametër konstant të politikës së jashtme evropiane.
. Me një vendosmëri të paparë ndonjëherë, në mars 2008, nën frymëzimin e Angela Merkel, Këshilli i Evropës ratifikoi projektin francez por arriti t’a shëndrojë rrënjësisht : ambiciet, drejtimet e ndërhyrjes dhe objektivat, pjesëmarrjen financiare.. Tashmë, ai paraqitet si një kopje e zbehtë e Protokollit të Barcelonës, në një « Barcelona bis » – sipas shprehjes së zyrtarëve të Brukselit.
.
. – së pari, u ndryshua emërtimi. Tashmë Bashkimi mesdhetar do të quhet Bashkimi për Mesdheun. Bile, saktësisht – Protokolli i Barcelonës : Bashkimi i Mesdheut. Një detaj mes të tjerash që i ka shpëtuar krejtësisht Kryeministrit tonë Berisha. Nuk është fjala thjesht për një saktësim terminologjik, por për ripërmasim rrënjësor të dispozitivit përbërës. Ndërkohë që në projektin fillestar, ky Bashkim shihej si një klub i mbyllur i 22 vendeve që lagen nga Mesdheu, tashmë ata mund të jenë 44 (27 vendet e Bashkimit Evropian dhe 13 vendet e Procesit të Barcelonës (bashkë me Shqipërinë) si edhe disa vende të tjera të bregut lindor si Kroacia ose Bosnja). Me një masë të tillë vendesh, që e tejkalon atë të inercisë, vetëm mrekullia mund të prodhojë martesë interesash dhe qëllimesh mes një Suedie dhe një Finlande « mesdhetare » dhe një Mauritanie dhe Jordanie « pothuaj evropiane ».
.
. – së dyti, u rishikua me themel çështja e buxhetit. Në asnjë mënyrë, ky Bashkim për Mesdheun nuk do të kërkojë fondet e tij në arkën thuaj të zbrazur të Bashkimit Evropian, i cili mezi arrin të financojë projektet për vendet e pranuara rishtas nga Evropa lindore. Pra, nuk do të ketë « Plan Marshall » për Mesdheun, pasi subvencionet do të mbeten po ato të Procesit të Barcelonës. Veçse, nëqoftë se investitorët privatë fillojnë dhe magjepsen nga projekti dhe venë fondet e tyre në shërbim të Bashkimit ! Bile edhe ideja e një Banke euromesdhetare nuk arrin të enthusiazmojë antarët, të cilët këshillojnë fillimisht « një ridimensionim të hapësirës egzistuese financiare rajonale ».
.
. – së treti, Evropa i vuri një fren ambicjes franceze të kryesimit të këtij Bashkimi. Kështu Sarkoziu nuk mund të shpresojë të bëhet President i këtij Bashkimi për vitin 2008, megjithë zemërgjerësinë e tij pak të zakonshme kur propozoi të ndajë Presidencën me një prej udhëheqësit e bregut jugor. Për shembull, me egjiptianin Husni Mobarak. Në të vërtetë, në përputhje me Traktatin e Lisbonës (pikërisht ai që u hodh poshtë nga Irlandezët), presidenca e një strukture të tillë i besohet Presidentit të ardhshëm të Bashkimit evropian, Presidentëve të Komisioneve si dhe Përfaqsuesit të Lartë për Politikën e jashtme të Evropës. Një objekt tjetër debati krijoi edhe përcaktimi i selisë së këtij Bashkimi, fillimisht e menduar të gjendej në Tunis. « Të paktën të zgjedhim Marokun për seli, pasi është më i prezantueshëm » – pohojnë eurokratët e Brukselit.. Vështirë të gjesh kandidat më të përshtatshëm në mes të atyre vendeve jugore mesdhetare ku, përveç Izraelit asnjë tjetër nuk i përmbush normat e demokracisë alla evropiane.
.
.
. Një ëndërr e vjetër, një utopi e re.
.
. Një nga shprehjet më domethënëse në fjalën e mësipërme të Kryeministrit Berisha është « realiteti historik… i Unionit mesdhetar ». E dalë nga goja e një eksperti të tillë historian, i specializuar në rishkruarjen e historisë, ajo humbet përmasat e një lapsusi të thjeshtë dhe paraqitet si sinteza më e goditur e utopisë mesdhetare. Pasi, në të vërtetë ky Bashkim mesdhetar kaq i dëshiruar ka egzistuar që prej kohësh të lashta.. në formën e Perandorive. Veçse perandoritë e dikurshme zotëronin mjete të tjera bindjeje dhe nënshtrimi, pasi vepronin mbi të tjera logjika – ndërkohë që ju mungonte retorika evropianizuese si edhe hipokrizia institucionale.
.

. Stërgjyshërit helenë të Grekëve të sotëm ishin të parët që e konceptuan si hapësirë qytetesh-shtete tregëtuese, të shpërndara mbi brigjet mesdhetare. Nga Athina në Marsejë, nga Dyrrakiumi në Aleksandri, nga Hellesponti në Kartagjenë. Paraardhësit romakë të Italjanëve e quajtën Mesdheun « Mare Nostrum » dhe patën kurajon politike t’u jepnin qytetarinë romake të gjithë banorëve mesdhetarë. Në të tjera kohë, Spanjollët e Filipit të IItë u munduan të ripërtëritnin idenë e vjetër të Bashkimit mesdhetar. Pa sukses dhe kryesisht për shkak të Otomanëve që – edhe ata – arritën të institucionalizojnë hapësirën mesdhetare nën flamurin e Islamit dhe nën autoritetin e Sulltanit.
.
. Lirizmi mitologjik që shtyn drejt njohjes së Mesdheut si « djep i qytetërimit njerëzor », për më tepër, i krijuar nga vetë Veriorët, fsheh keq realitetin e sotëm të një rajoni që shquhet për gjithçka, përveç fuqisë dhe bashkimit. Të një iluzioni që karakterizohet nga përçarja, rivaliteti dhe nga dhuna. Mjafton të vihen ballë përballë parametra të tillë si fuqia e saj demografike – i vetmi që veçohet nga tufa – dhe fundosja e fuqisë së saj ekonomike – nga 20% të PIB botërore në fundin e shekullit të XIX, në më pak se 11% në ditët e sotme. Pa harruar edhe « minën me sahat » që e pret në të ardhmen : ky diferencial demografik, në kuadrin e pabarazive të theksuara ekonomike e shoqërore, të rrallimit dramatik të burimeve ushqimore, ujore apo energjetike, që frymëzon konflikte etnike, fetare ose kulturore dhe që gjeneron rrezikun e ballkanizimit të krejt rajonit.
.
.
. Për të matur shkallën e utopizmit të projektit mesdhetar të rradhës, mjafton të kqyren reaksionet e vendeve jogore të rrethqarkut – à priori, më të interesuarit.
.
. Libia e kolonelit estravagant Kadafi është deklaruar menjëherë kundër këtij projekti. Sigurisht, pasi një ide e tillë nuk përputhet aspak me kontrastin flagrant mes rezervave të saj të stërmëdha të naftës dhe të gazit si edhe potencialin e neglizhueshëm njerëzor. Përveç humbjes, Libia nuk sheh asnjë interes tjetër në ëndrrat mesdhetare të Sarkozisë. Për t’i rritur vlerën vehtes, Kadafi flet në emër të Lidhjes së Vendeve të Magrebit dhe të Bashkimit të vendeve Afrikane : « .. ne nuk jemi as të uritur as edhe qenër që të na hedhin kocka të tilla.. nëpërmjet një projekti të tillë poshtërues ».
. Entuziazmi i egjiptianit Mubarak dhe i tunizianit Ben Ali ftohet disi nga pavendosmëria e algjerianit Buteflika që vazhdon të shprehë rezerva të thella për pjesëmarrjen në Samitin e Parisit. Sebepi i hapur është prania e Izraelit, me të cilin Algjeria nuk mban asnjë marrëdhënie. Ai i fshehur ngjan me atë të Libisë fqinje. Ndërkohë, prania e Mauritanisë dhe e Marokut krahas Algjerisë ngjall konfliktin e vjetër të Saharasë perëndimore.
. Turqia gjithashtu, rezervon përgjigjen për takimin themelues. Ajo nuk është e bindur as për vendin që i takon në një bashkim të tillë as edhe për rolin që duhet të luajë. Ndërkohë, është e vështirë të pranohet një projekt i tillë kur vjen nga ana e një Presidenti si Sarkozia.
.
. Libani nuk di si të sillet ndërkohë që mësoi se në tribunën e nderit do të gjendet siriani Bashir Al Assad. Bile jo vetëm Libani por edhe të gjithë të pranishmit evropianë që nuk dëshirojnë të kenë asnjë marrëdhënie me rregjimin sirian. Prania e Izraelit dhe e Palestinës që ende s’ka krijuar dot shtetin e saj, gjithashtu krijon një problem për të pranishmit arabë, të cilët kërkojnë « sqarime » dhe « kjartësim të situatës » përpara se të shprehen për pjesëmarrje.
.
. Fundja, përse duhet të habitemi nga shprehje të tilla pakënaqësie ndaj një projekti fort të mjergullt që paraqitet krejtësisht i paaftë për të konturuar kufijtë « gjeografikë » të këtij Bashkimi, ndërkohë që karakterizohet nga varfëria e tejskajshme e përmasave politike ? A ja vlen barra të mblidhen 44 kryetarë shtetesh në Paris për të diskutuar energji diellore apo bashkëpunim universitar, autostrada mesdhetare apo kuota peshkimi ?
.
. Utopia e projekteve si ai i Bashkimit për Mesdheun kujton thënien e filozofir Rikër (Paul Ricoeur), i cili shprehet diku :
.
. « Utopia bazohet mbi përçmimin ndaj logjikës së aksionit [..] si dhe paaftësinë themelore për të përcaktuar hapin e parë që duhet bërë drejt realizimit të saj duke u nisur nga realiteti egzistues [..]. Logjika e metodës « ose asgjë ose gjithçka » zëvëndëson logjikën e aksionit ».
.
.
. * * *
.
.
. Pavarësisht motiveve ëndërruese ose përmasave utopike, jam i bindur se prania e Shqipërisë në këtë Bashkim dhe veçanërisht, prania e z. Berisha në Samitin e Parisit, përbën jo vetëm një nevojë por edhe një domosdoshmëri. Jo thjesht pasi Shqipëria është një vend mesdhetar si të tjerët, megjithëse ky element esencial arriti dhe u bë i dukshëm vetëm para pak kohe, kur më në fund Shqipëria ju bashkëngjit Protokollit të Barcelonës, tashmë të cofur. E thënë më saktë, kur e pranuan në një projekt të tillë.
.
. Kur mendon se në horizontin 2020, axhenda e Bashkimit për Mesdheun përmban iniciativa të tilla vitale si shfrytëzimi i energjisë diellore, ndërtimi i autostradave mesdhetare që sipas shprehjes së Presidentit Sarkozi « mund të lidhin mes tyre porte të mëdha si Port Saidi, Pireu, Tunisi, Algjeri, Tangeri, Barcelona dhe Marsejë », ose hapja e një agjencie mikrofinance për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, menjëherë të shkon në mendje se e kundërta do të ishte një fatkeqësi e vërtetë për vendin, një katastrofë ekonomike me përmasa të papara.
.
. Mbetem pra plotësisht i një mendjeje me studiuesen Ilda Mara kur thotë se «.. Shqipëria me pozitën e saj gjeografike dhe me ambicien e saj evropiane duhet të sigurojë me çdo kusht një vend çelës në këtë ndërmarrje të re të udhëhequr nga Franca [..] pasi, Bashkimi për Mesdheun ështe një urë e re për të mbërritur më shpejt në Bruksel.. ». Vetëm se dyshoj fort se vlera të tilla si kultura e saj, apo trashëgimia shekullore mesdhetare mund të jenë në lartësinë e ambicieve të saj evropiane apo të përbëjnë parametra të mjaftueshëm për të siguruar çelësin e artë mesdhetar.
.
. Fundja fundit, edhe sikur t’i besojnë vetëm kyçet e kashtës, edhe në mos qoftë një urë drejt Brukselit për Shqipërinë, të paktën do të jetë një urë e re drejt Francës për Berishën. Një rast i papërsëritshëm për heroin e Kryengritjes popullore të 1997 për të integruar klubin selekt të burrave të shtetit evropiano-mesdhetarë, të mbledhur në meshën solemne pariziane. Pikërisht ata që hezitonin t’i shtrëngonin dorën burrërisht pas kthimit të bujshëm në pushtet, në 2005. Sidoqoftë, është një shans i madh të pozosh mes grupit aq piktoresk të demokratëve dhe autokratëve nga Evropa dhe Mesdheu, të puthadorëve dhe të diktatorëve të nxirë nga dielli aq bujar i këtyre viseve. Sa për atë kockën aq të dashur të Kadafit, jam i mendimit se duhet të tregohemi sa të matur aq edhe relativistë. Pasi, ajo çka mund të duket e pamjaftueshme dhe e pangrënshme për kolonelin, mund të jetë e bollshme dhe e shijshme për ushtarin e thjeshtë. Aq më tepër që i pari, mund të gabohet lehtë nëpërmjet syzeve të tij të zeza, veçanërisht kur shqetësimi i tij i përditshëm është numërimi i milionave të fuçive të naftës dhe i miliardave të dollarëve.
.
.
. Nuk mjafton të bësh pjesë në një pellg që bashkimi të krijojë një masë të qëndrueshme, gjenerator stabiliteti dhe begatie. Shembulli më flagrant janë karavidhet, që kur vihen së bashku në një shportë japin një shportë karavidhesh.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: