Paralelizëm qendërikës.

. Çka përbashkon Gërdecin me Karkasonën ? Në pamje të parë asgjë. I pari është një fshat anonim pa histori, prej disa dhjetra shtëpish, zgjatim i rastësishëm i mikroqytetit Vorë, që u bë i njohur në mbarë botën « falë » katastrofës vrastare delijorgjiane. I dyti, njihet si vendbanim që në parahistori, qytet me 44.000 banorë, i « shenjtëruar » nga UNESKO në vitin 1997, pasi i rregjistruar në trashëgiminë kulturore të njerëzimit. Asnjë ngjashmëri deri disa ditë më parë, përpara se të zhvillohej një « çfaqje » ushtarake nga regjimenti parashutist që ka zgjedhur qendrën e Karkasonës si seli të tij. Përpara një publiku të shumtë dhe të mahnitur, të përbërë nga gra dhe kryesisht fëmijë, ushtarakët profesionistë francezë provojnë armët e tyre efikase, natyrisht me fishekë mësimorë. Për të krijuar një efekt absolut, ushtarakët qëllojnë me breshëri deri 300 predha /minutë – deri në momentin kur një kapter qëllon… me fishekë luftarakë.
. Rezultati : 17 të plagosur mes spektatorëve, disa prej të cilëve shumë rëndë. Ja edhe paralelizmi fillestar mes këtyre dy ngjarjeve të dhimbshme : pakujdesia vrastare e ushtarakëve ndaj civilëve, përdorimi i materialit luftarak në mjedise paqësore. Me një qendërikje-divergjencë jo të neglizhueshme: në se ushtarakët francezë kërkojnë të krijojnë veçse efekt mbi turmën e magjepsur, sivëllezërit e tyre shqiptarë kërkojnë të bëjnë biznes me municionet duke shfrytëzuar popullatën e mjerë. Rezultati është i njejtë : të vrarë dhe të plagosur civilë.
.
. Paralelizmi i dytë : sikundër mund të mendohet, pak çaste pas katastrofave respektive, përfaqsuesit më të lartë të Shteteve përkatëse zbresin në terren dhe gjykojnë situatën. Kryeministri Berisha ngushëllon viktimat dhe premton t’i ndihmojë familjet e dëmtuara. Veçse sot, askush nuk kujton me saktësi çfarë ju premtoi pasi asgjë, absolutisht asgjë nuk dëshmon për premtimet e dhëna – përveç asaj grevës së urisë së Gërdecarëve përpara Kryeministrisë. Nga ana tjetër, edhe Presidenti Sarkozi bën të njejtën gjë : takohet me familjet dhe ngushëllon viktimat. Por ai s’premton asgjë – përveç gjetjes së fajtorëve :
.
. « reaksioni do të jetë i shpejtë dhe i ashpër. Bëhet fjalë për profesionistë dhe kjo gjë s’mund të kalojë pa pasoja… T’i quajmë sendet me emrin e tyre : ka patur një pakujdesi të pafalshme që çoi në këtë dramë që mund të ishte edhe më e rëndë. Dhe unë nuk do të pres një tjetër tragjedi që të veproj.. »
.

. Pikërisht gjetja dhe ndëshkimi i fajësisë dhe i fajtorëve përbën edhe qëndërikjen më flagrante nga paralelizmi i situatave. Në se në rastin shqiptar askush nuk e ndjen vehten fajtor – as ministri, as oficerët e lartë, as edhe kapteri më i vogël i ushtrisë, në rasti francez, kapteri përkatës – dhe superiorët e tij ju kaluan drejtësisë brenda ditës. U deshën seanca të tëra të parlamentit shqiptar, mbledhje të qeverisë, të komisioneve përkatëse dhe të grupeve të hetimit, bile edhe ndërhyrja e vetë Presidentit – si dhe rekomandimi i Kryeministrit, që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnanti Hoxha të shkarkohet nga detyra. Tre muaj pas ngjarjes!
. Vetë i interesuari reziston dhe mbrohet – edhe kur e di se katastrofa shkaktoi 26 të vrarë dhe 300 të plagosur, kur është i zhytur deri në brez në një trafik të vërtetë me municionet e depove të tij. Ndërkohë, homologu i tij francez, Gjeneral Armate Kuche, dha dorëheqjen vetë, që të nesërmen e dramës. Për shkak të një palo kapteri të papërgjegjshëm nga Karkasona.
.
. Paralelizmi tjetër i përgjigjet instrumentalizimit të çështjes nga ana e opozitave socialiste përkatëse që synojnë destabilizimin e pushtetit si edhe hijes së rëndë që si Berisha ashtu edhe Sarkoziu arrijnë të projektojnë mbi mediat. Veçse, sado të duam Berishën dhe të urrejmë Sarkozinë, asnjë element sado i rastit nuk na lejon të kqyrim ndonjë motiv përfitimi personal apo implikimi familjar të Presidetit francez në çështjen e çmëndurisë së Karkasonës, sikundër dhe atë masë treguesish apo parametrash të natyrës birësore, baxhanakore – apo thjesht interesash lekiste, që sugjeron përlyerjen e Kryeministrit Berisha në një aferë të fëlliqur dhe kriminele si ajo e Gërdecit.
.
. Sidoqoftë, çdo paralelizëm, qoftë ai qendërikës ose qendërsynues, është një rast i mirë për t’i kujtuar kujtdo – që nga kreu i Shtetit deri tek bishti i kavallit – se detyra e parë e çdo demokracie sikundër dhe e çdo partie apo grupimi demokrat është respekti i jetës njerëzore, i çdo jete njerëzore, qoftë ajo nga Karkasona apo nga Gërdeci. Në se Shteti dështon në këtë angazhim të tij të parë dhe themelor, përfaqsuesit e tij duhet të dorëzojnë mandatet e tyre popullit, atij populli që i ka zgjedhur dhe i ka besuar administrimin e fateve të tij – me po atë zell dhe këmbëngulje me të cilën ata ja kanë lypur.
.
.
. * * *
.
.
. Në një gjuhë tjetër, krejt të ndryshme nga ajo e armëve, titulli i mësipërm s’është gjë tjetër veçse një oksimorë. Një figurë stilistike që bashkon brenda një shprehjeje dy fjalë ose elementë të ndryshëm, në pamje të parë të kundërt : fatin e keq që godet paralelisht të pafajshmit, gjithësesi të gjendur në dy situata shoqërore dhe politike divergjente, qendërikëse. Por, nëse francezët e lidhin oksimorën kryesisht me letërsinë, shqiptarët nuk hezitojnë t’ja veshin realitetit të përditshëm. Në të vërtetë, cila më mirë se oksimora mund të karakterizojë absurditete të shkëlqyera të tilla si puna e Gërdecit tonë, tashmë të përvëluar nga dielli i zi i shpërthimit ? Cila më mirë se kjo figurë mund të shprehë llahtarinë sublime të demokracisë berishjane, tërheqjen e fajshme të Kryeministrit që shumëkush adhuron t’a urrejë ? drejtësinë e këtij vendi që me ngadalësinë e saj dëshpëruese karakteristike, ngutet të mbyllë procesin e kërkimit të fajtorëve ? Heshtjen shurdhuese të opinionit publik që ka rënë mbi viktimat ? Një çmënduri banale, bile normale, kur mendon se prej kohësh, ky opinion ushqehet me ëndrra që rëndojnë nga zbrazëtira e tyre, ndriçohet me ide që shkëlqejnë nga falsiteti i tyre.
.
. Zaten, nuk ka oksimorë që arrin të befasojë më këtë popull, këta njerëz, të lindur nën diktaturën e proletariatit ku edhe individi ishte kolektiv dhe të rritur në demokraci autokratike, për të cilën tjetri nuk egziston më.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: