Krimi, Mafia dhe Kanuni – (1/4) Tipologjia e krimit të organizuar shqiptar.

. Gjatë viteve 1999 – 2000, në vigjilje të Mijëvjeçarit të Tretë, përfundimi i Agjensive ndërkombëtare të krimit të organizuar është i paapelueshëm : në Shqipëri veprojnë në mënyrë aktive disa dhjetra, bile një qindëshe, grupesh kriminele që bashkojnë 500 deri 2.500 vetë (1). Këto struktura kriminele të cilat në origjinë s’ishin gjë tjetër veçse « ringjallje e qelizave të para të Mafias kalabreze, jo të hierarqizuara dhe të grumbulluara rreth lidhjeve të natyrës familjare » me kohë u shëndrruan në « struktura hierarqike, të mbështetura kryesisht mbi vlerat etnike » të cilat funksionojnë mbi bazën e « besnikërisë, të nderit dhe të tjerave zakone fisnore ». Pra diçka e modës së vjetër, sipas mendimit të shumicës së specialistëve, në vazhdën e Mafias italjane të dyzet vjetëve më parë.
. Megjithatë, të tjerë nënvizojnë lulëzimin e strukturave më të sofistikuara, të lakueshme dhe të ndryshueshme sipas llojit të aktivitetit kriminel me të cilën merren, me antarë jo të përhershëm dhe që zëvëndësohen vazhdimisht. Një varg rrjetash krijohen në vazhdimësi sipas kësaj mënyre në territorin kombëtar, me ngulitje të fuqishme lokale, të cilat kanë pika kontakti – bile edhe zona kontakti të përbashkëta. Kjo mënyrë veprimi bën që të identifikohen me shumë vështirësi individët dhe veçanërisht shefat e grupeve drejtues (2).
.
. Mendohet gjithashtu se këto grupe që kontrollojnë praktikisht të gjithë vendin, mbledhin në gjirin e tyre kryesisht qytetarë shqiptarë, mes të cilëve gjenden disa të huaj tepër të rrallë : italjanë dhe grekë, gjermanë dhe të tjerë belgë. Aktiviteti i tyre kriminel tashmë i ka kaluar gjerësisht kufijtë e vendit dhe shtrihet në teritorin e Bashkimit Evropian (Itali, Greqi, Gjermani, Belgjikë, Spanjë ose Angli) ndërkohë që degëzime janë vrojtuar në vende të tjera evropiane (Turqi, Republikë Çeke, Bullgari, Kroaci, Hungari…) (3). Megjithë obsesionin për të ruajtur rrënjët kombëtare, këto organizata kriminele bashkëpunojnë ngushtësisht me simotrat e tyre maqedone, greke, serbo-malazeze, moldave ndërkohë që kanë mundur të krijojnë lidhje me kolombianët e lagët ose dhe me kinezët.
.
. « Tregu » kombëtar i krimit të organizuar paraqet një panel aktivitetesh ilegale sa të ndryshme po aq dhe të shumëllojshme, nga të cilat kemi zgjedhur më pêrfaqsueset :
.
.
. 1. Trafiku i drogës. Megjithë tendencën në rritje të përdorimit të brendshëm (sipas shifrave të qeverisë bëhet fjalë për 30.000 përdorues të rregjistruar), vendi mbetet një pikë e rëndësishme e tranzitit të heroinës. Sigurisht, me origjinë nga « gjysmë-hëna e artë » afgane, malli i ndaluar përshkon Turqinë nga lindja në perëndim dhe depërton territoret ballkanike ku transportuesit përdorin të gjitha rrugët e mundshme, sipas konceptit « mjafton të arrijë në destinacion », ose ndryshe në Evropën perëndimore. Duke ndjekur zhvillimet e fundit të gjeopolitikës rajonale (bllokazhi ndërkombëtar ndaj ish-Jugosllavisë, lufta e Kosovës), gjithçka len të kuptohet se një pjesë e madhe e kësaj substance, çmimi i të cilës është dhjetë herë më i lartë se ai i arit, transportohet nga individë me origjinë shqiptare për llogari të organizatave turke dhe kurde që kontrollojnë pjesën e sipërme të trafikut. Malli përfundon në një zonë të ngushtë, të quajtur jo pa frymëzim « trekëndëshi i artë » i Ballkanit. Ky territor mund të asimilohet me një « trekëndësh », kulmet e bazës të të cilit gjenden mbi bregdetin malazez (Tivar ?), mbi atë shqiptar (Vlorë ?) dhe kulmi i fundit në thellësi të gadishullit (diku mbi kufirin serbo-maqedon – Veliki Trnovac- Tërnoc ?). Në vija të përgjithshme, kjo zonë përfshin një pjesë të Malit të Zi bashkë me liqenin e Shkodrës, me pak elementë mangut, të gjithë territorin e Shqipërisë, pjesën më të madhe të Kosoves dhe Maqedoninë Përndimore ; pra, gati të gjithë hapësirën shqipfolëse (4).
.
. Trafikantët shqiptarë që me sa duket kontrollojnë tashmë 60% të tregut ballkanik të heroinës, sigurojnë rishpërndarjen qoftë në drejtim të Italisë – nëpërmjet Adriatikut – ose të Greqisë, qoftë me anë të klaneve shqiptaro-kosovare në drejtim të Evropës qendrore (Republikë Çeke, Austri). Sipas INTERPOL-it, aktualisht më tepër se 80% e heroinës të destinuar për tregun evropian kalon nga rruga e Ballkanit. Në rajonin në fjalë, rruga tradicionale për një kohë të gjatë e ndërprerë nga konflikti jugosllav, u zëvendësua nga dy rrugë të reja : e para veriore përshkon Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë, ndërkohë që e dyta më jugore, bigëzohet drejt Maqedonisë, Kosovës për të mbrritur në Shqipëri. Në mesatare, rreth një ton heroinë dhe mbi 10 tonë hashish kapen rregullisht çdo vit nga forcat e rendit ballkanikë dhe të tjera ndërkohë që, sipas vlerësimeve të DEA-s, çdo muaj një sasi heroine e vlerësuar mes 4 dhe 6 tonësh del nga Turqia dhe niset drejt Evropës, nëpërmjet Ballkanit (5).
.
. Kohët e fundit, një substancë e re është dukur në tregun lokal, kokaina. E ardhur drejtpërdrejt nga vendet prodhuese si Kolombia ose Venezuela – ose duke tranzituar nëpërmjet Greqisë ose Italisë, ajo ndalet në Shqipëri për t’u rifutur në Evropë. Ndërkohë në një numër rastesh, autoritetet shqiptare kanë sinjalizuar gjurmë të plantacioneve të bimës së kokës në vend. Vështirësitë në rritje të tregut spanjoll të kokainës si dhe situata konfuze në Shqipëri kanë tërhequr kartelet e Amerikës së Jugut në Ballkan, i cili paraqitet tashmë si një nga platformat kryesore të futjes së produktit në kontinent.

.
. Përveç transportit, Shqipëria është shëndruar në një vend prodhues i « barit ose i gjethes » dhe konkurron me Vendet e Ulta (Holandën) për vendin e parë në kontinentin evropian (6). Rritja e kërpit indian ose dhe e marijuanës, të destinuara për eksport, është shëndrruar në një çështje rutine për fshatarët e Beratit, të Fierit ose të Vlorës – pa harruar dhe Tepelenën ; një biznes me të ardhura të mëdha, kultivimi i të cilit s’ka të krahasuar me kulturat e tjera bujqësore. I trajtuar në punishte rudimentare, produkti shpërndahet në vazhdim në Greqi ose Itali – vendmbrritja e tij kryesore – ndërkohë që kohët e fundit, janë çfaqur të tjerë tregje interesantë– siç është rasti i ish–Jugosllavisë, nëpërmjet Kosovës.
.
. Përsa i përket substancave të sintezës – amfetamina ose metamfetaminat, dyshohet se janë ngritur punishte të fabrikimit lokal për të siguruar konsumin e vendit (7). Ndërkohë, stoqe të mëdha të prodhuara në Bullgari ose në Poloni, vijnë në vend përpara se të futen në rrjetin shpërndarës të kontinentit.
.
.
. 2. Kontrabanda dhe trafiku i qënieve njerëzore. Që nga fillimi i viteve 90 dhe falë afërisë gjeografike, Shqipëria mbetet një prej portave kryesore të ndërfutjes në Evropë të një fluksi njerëzor klandestin të rëndësishëm. Ky fluks përbëhet nga emigrantë ekonomikë ose politikë si edhe nga viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, të destinuar të ushqejnë rrjetat e prostitucionit dhe fusha të tjera të shfrytëzimit njerëzor. Në këtë mënyrë, vendi pozicionohet njëkohësisht si origjinë dhe vend tranziti drejt Greqisë ( kryesisht me rrugë tokësore) dhe Italisë (nëpërmjet detit).
. Përsa i përket volumit të këtij transporti, vetëm vendasit të nisur dhe të mbrritur në Evropë janë mbi 700.000 vetë, nga të cilët rreth 300.000 në Itali – pa llogaritur në këtë mes tentativat e dështuara ose kalimet e shumëfishta të një pjese të tyre. Megjithatë, llogaria nuk mbetet në këtë pikë pasi duhen përmendur disa dhjetra mijra kosovarë, romë dhe të tjerë ballkanikë, ata mijra kinezë, srilankezë, kurdë, pakistanezë dhe të tjerë irakienë që kanë shkelur tokën shqiptare. Gjithë kësaj mase njerëzore i është dashur të paguajë « biletën » e udhëtimit në ofiçinat e Vlorës ose të Durrësit – me qëllim që të mbrrinte në parajsën e Perëndimit, po qe se nuk përfundonte ndërkohë në fund të detit. Çmimi gjithmonë është luhatur sipas periudhës dhe në funksion të rrezikut për skafistët ose për gomonistët : ndërmjet 300 dhe 1.500 dollarë për person – 900 euro mesatarisht kalimi (9), bile edhe dyfishin po qe se bëhet fjalë për të huajt.
.
. Fatkeqësisht, ky lloj trafiku përbën një pjesë të ansamblit kriminel që tërheq në hullinë e tij aktivitete të tjera të ndaluara si për shembull, trafiku i dokumentave fallco ose prodhimi i parave fallco, ndërkohë që shërben si vektor për trafikun e drogës. Ndërkohë, ai ndihmon në vendosjen dhe lulëzimin e tregut të zi të punës në vendin që pret klandestinët dhe ushqen rrjetat e prostitucionit me elementë të rinj. Shqiptare në pjesën dërrmuese por edhe mjaft bullgare, rumune, moldave, ukrainase dhe të tjera ruse, masa e vajzave përfundon në Durrës ose në Vlorë, përpara se të paguajë shërbimin e transportit të ndonjë skafisti. Ato që vijnë nga Lindja vuajnë peripeci të panumërta në duart e trafikantëve që i shesin tek njëri tjetri gjatë udhëtimit, etapat e të cilit quhet Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Tetovë ose Prizren. Me kalimin e kohës prostitucioni, krejtësisht i panjohur në epokën e komunizmit, është shëndrruar në zanat për disa dhjetra mijra vajza të reja shqiptare të papuna të cilat, me hir apo pahir çapiten trotuareve dhe parkingjeve perëndimore, sikundër dhe një kapital i vërtetë për trafikantët e të gjitha kategorive që vërtiten rreth e rrotull « puntoreve të industrisë së seksit » : rrufjanë, kodoshë dhe të tjerë përfitues.
.
. Megjithë bollëkun e studimeve të kryera mbi këtë çështje, shifrat globale janë gjithmonë fluide për të mos thënë që mungojnë krejtësisht. Sidoqoftë, duke kryqëzuar shifrat dhe veçanërisht dëshmitë, numri i grave dhe i vajzave me origjinë shqiptare që kurvërohen në Evropë rrotullohet rreth shifrës 100.000, nga të cilat 30.000 me origjinë kosovare. Mund të ngushëllohemi duke ditur se numri i tyre mbetet gjithmonë më i vogël se sa ai i Rumuneve ose i Bullgareve ; po ashtu, në gadishullin Apenin i cili mban dhe ushqen pjesën më të madhe (30.000), ato nuk ngrenë kandar përpara Nigerianeve dhe të tjera afrikane. Sidoqoftë, studimet tregojnë se në vitin 1994 – gjithmonë në Itali, prostitutat shqiptare zinin vendin e parë mes vajzave të vendeve të Lindjes, me mbi 40% të numrit të përgjithshëm. Pas këtij viti, pesha e tyre specifike shkon në rënie : 25,6% të paktën, gjatë periudhës 1996 – 2003, të ndjekura nga Rumunet (22%) ndërkohë që, në 2003, ato përbëjnë veçse 15% të tregut të prostitucionit, tashmë të tejkaluara nga Rumunet (33%) bile edhe Moldavet (19%). Shpjegimi i kësaj rënieje duhet kërkuar në zhvendosjen e tyre drejt vendeve të tjera të Evropës si Gjermania, Holanda, Belgjika, Franca ose dhe Spanja.
.
. Edhe mjetet dhe mënyrat e përdorura prej trafikantëve për të rekrutuar prostitutat e ardhshme ndryshojnë me kohën. Në qoftëse, në fillim të viteve 90, vajzat e para seleksionoheshin mes atyre që ndodheshin ndërkohë në territorin italjan, gjatë periudhës 1994 – 2000, pjesa më e madhe e tyre vinte drejpërdrejt nga vendlindja, pasi ishin rrëmbyer, kërcënuar ose dhe abuzuar me to. Të tjera ishin « shitur » nga të afërmit ose të tërhequra nge premtime të rreme martese ose pune në territorin italjan. Që prej vitit 2003, numri i vajzave « që pranojnë vetë », ose e thënë ndryshe të ardhura në Itali për të punuar si prostituta është në rritje të vazhdueshme. Sidoqoftë, në grumbullin e vajzave dallohen tre profile prostitutash :
.
. · vajzat « nën detyrim » – ato që janë rrëmbyer ose të detyruara me forma të tjera dhune ;
.
. · vajzat « e bindura » – ato që ndjekin një ëndërr si puna e martesës, një punë e paguar mirë ose thjesht të jetojnë jashtë shtetit ;
.
. · vajzat « që pranojnë vetë » – ato që shkojnë jashtë shtetit për të ushtruar prostitucionin me qëllim që të fitojnë mjetet e jetesës ose thjesht të detyruara të punojnë në këtë mënyrë për shkak të mungesës së mundësive të tjera në vendin e tyre. Shtojmë së fundi se problemi i prostitucionit prek në një shkallë tjetër edhe mjedise të tjerë sikundër ai i fëmijëve ose i homoseksualëve (10).
.
. Eshtë rasti të nënvizohet diferenca mes këtyre dy aktiviteteve ilegale siç është ai i kontrabandës dhe i trafikut të qënieve njerëzore. Protokollet e Kombeve të Bashkuara përcaktojnë zyrtarisht kontrabandën e qënieve njerësore si « realizimi, me qëllim përfitimi në mënyrë direkte ose indirekte, i një përfitimi financiar ose material, i ndërfutjes ilegale të një personi në territorin e një Shteti duke mos qenë as shtetas i të cilit as edhe rezident i përhershëm ». Në këtë kuptim, kontrabanda e personave shkel ligjet kombëtare të Shtetit në fjalë. Në të kundërt, trafiku i qënieve njerëzore përcaktohet si « rekrutimi, transporti ose transferimi, strehimi ose pritja e personave të cilët, nëpërmjet kërcënimeve ose mjeteve të tjera të dhunës, të shkuljes, të frikësimit, të zhgënjimit, të abuzimit të pushtetit ose të një situate dobësie ose edhe nëpërmjet mjeteve të pagesës dhe të tjerave marrje të hollash sikundër dhe të tjera përfitime me qëllim që të realizohet pëlqimi i një personi të varur nga një person tjetër, duhet t’i nënshtrohen shfrytëzimit ». Format më të zkonshme të trafikut janë prostitucioni, puna e detyruar, skllavëria ose dhe heqja e organeve. I përcaktuar në këtë mënyrë, trafiku i qënieve njerëzore bie ndesh dhe prek të drejtat e njeriut.
.
.
. 3. Trafiku i armëve. Në këtë fushë aktiviteti, Shqipëria pozicionohet si vend i origjinës, i tranzitit dhe i destinimit të një lëvizjeje të gjerë municioni dhe armësh, kryesisht të lehta. Origjina e këtij trafiku mund të vendoset rreth viteve 90 ku flukset kryesore ishin orientuar drejt Kosovës dhe Maqedonisë, dy krahina të përziera në trazira ndëretnike ; më tej, ai morri përmasa të mëdha me përgjithësimin e konfliktit jugosllav dhe përfundimisht eksplozoi në vitin 1997, pas rrebelimit të armatosur.
. Kujtojmë që në atë periudhë, disa qindra mijra armë të lehta automatike, disa dhjetra miliona granata dhe disa qindra miliona fishekë ranë në duart e njerëzve, ose të grupeve kriminele. Sipas specialistëve evropianë, sasia e armëve në qarkullim të lirë në Shqipëri pas ngjarjeve të vitit 1997 ishte si më poshtë : 750.000 deri 1.000.000 armë të lehta nga të cilat 200.000 automatikë AK-47, 350.000 pushkë gjysëm automatike M44/SKS, 40.000 pistoleta automatike TT, 2.500 granatahedhës kundërtanke, 700 mortaja (ose 80% i stokut kombëtar) et 1.500.000.000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 3,5 milionë granata dhe një milionë mina. Humbjet e shkaktuara pasurisë kombëtare me këtë rast ishin rreth 800 milionë dollarë.
.
. I gjithë ky material ose të paktën një pjesë e madhe e tij, zbriti në tregun lokal të armëve i cili paraqiste çmime tepër tërheqëse : një AK-47 shitej mes 50 dhe 80 dollarësh, shpesh edhe më lirë. Blerësve kosovarë ju duhej të paguanin deri 300 dollarë për të njejtin AK-47 dhe deri në 1.500 dollarë për një mitroloz të lehtë (12). Ndërkohë që lufta e Kosovës absorboi sasi të konsiderueshme armësh, sasi të tjera kësaj rradhe të ardhura nga ish-Jugosllavia dhe nga Evropa hynë në vend për të furnizuar luftëtarët e UÇK-së. Megjithë përpjekjet e qeverisë për të mbledhur këtë « plaçkë lufte », bollëku i armëve në vend nxiti trafiqe të reja me Greqinë ose me Italinë, paralelisht me trafikun e drogës (13).
.
.
. 4. Kontrabanda e produkteve dhe e mallrave me rritje të lartë vlere (cigare, naftë). Përveç naftës, kontrabanda e të cilës ishte në lulëzim gjatë luftës së Bosnjës dhe të embargos ndërkombëtare kundër ish-Jugosllavisë, kontrabanda e produktete të tjera si cigaret, kafeja ose pijet e ndryshme është pjesë integrale e qarqeve paralele që realizojnë evazione fiskale spektakulare (deri në 70%) të të ardhurave të ekonomisë kombëtare (14). Duke parë natyrën e mallit dhe volumet e transportuara, degët e specializuara nuk mund të veprojnë pa bashkëfajësinë e zyrtarëve si doganierët, policët ose të tjerë nëpunës të financës. E njëjta gjë mund të thuhet lidhur me trafikun e sendeve të vjedhura (vetura, audio-video dhe pajisje informatike) për të cilat vendi mbetet një destinacion i rëndësishëm.
.
. Falë fijeve të shumëfishta që lidhin vendin me diasporën e saj të gjerë, bashkësia e aktiviteteve kriminele dhe ilegale që peshon mbi shoqërinë dhe ekonominë kombëtare shtrihet mbi të gjithë rajonin dhe mbi kontinentin mbarë, duke krijuar kështu Kriminalitetin e Organizuar Shqiptar ose shqipfolës (KOSH).
. Ndërkohë që poli-kriminaliteti (prostitucioni, grabitja, vjedhja..) si dhe dhuna që shoqëron këto aktivitete ndikojnë në shkallën e dukshmërisë e saj, vendosja dhe përhapja e gjerë gjatë një kohe të shkurtër – në më pak se një dhjetëvjeçar, si dhe lidhjet e saj të fuqishme me mjedisin e drogës e tregojnë me gisht si një fenomen të pashmangshëm në Evropë (15).
.
.
. ——————————————————
.
.
. (1) European Comitee on Crime Problems (CDCP), Group of Specialists on Criminal Law and Criminological Aspects of Organised Crime – Report on the Organised Crime Situation in Council of Europe Members States, Council of Europe, Strasbourg, december 2000.
.
. (2) UN Office on Drugs and Crime – Results on a Pilot Survey of Forty Selected Criminal Groups in Sixteen Countries, september 2002.
.
. (3) Ernesto SAVONA B. & Federica CURTOL – The Contribution of Data Exchange Systems on the Fight against the Organised Crime in the SEE countries, Final Report, Transcrimine (for the Office of the Special Coordinator of the Stability Pact for the South-Eastern Europe), Regional Center for Combating Trans-Border Crime, november 2004.
.
. (4) Shih : Xavier RAUFER (& Stéphane QUERE) – Une menace pour l’Europe, la mafia albanaise – Ed. Favre, Lausanne, 2000.
.
. (5) Shih mbi këtë subjekt : Ralf MUTSCHKE – The Threat Posed by the Convergence of Organized Crime, Drugs Trafficking and Terrorism, (Written Testimony), The International Criminal Police Organization – INTERPOL, december 2000.
.
. (6) Conseil de l’Europe – Organised Crime situation, Report 2005 – focus on the threat of the economic crime, Octopus Programme, december 2005.
.
. (7) Shih mbi këtë subjekt : Ralf MUTSCHKE – ibidem.
.
. (8) Maria CARELLA et al. – Les émigrations internationales de l’Albanie : une étude comparée des estimations locales et internationales, AIDELF (Association Internationale des Démographies de la Langue Française), annales du 13ème Colloque du Budapest, septembre 2004.
.
. (9) Bertrand MONNET – La Mafia albanaise: état 2007. Note d’alerte MCC. IMARISC (Institut de Ménagement des Risques Criminels, Lille – Nice 2007.
.
. (10) Shih mbi këtë subjekt : Enzo CICONTE (nën drejt.) – I Flussi e le Rotte della Tratta dall’est Europa, Progetto WEST , ref. No. 2A071, Ravenna, giugno 2005 ; sikundër dhe : LEHTI Martti – Trafficking in Women and Children in Europe, The European Institute for Crime Prevention and Control, HEUNI Paper no. 18, Helsinki 2003 ; ose : Francesco CARCHEDI – Considerations of Foreign Prostitution in Italy, a background picture, Papers 60, 2000 ; ose gjithashtu : Marko HAJDINJAK – Smuggling in SouthEast Europe : the Yougoslav Wars and the Development of the Regional Criminal Networks in the Balkans, Center for the Study of Democracy, Sofia 2002.
.
. (11) Shih mbi këtë çështje : Raymo VÄYRYNEN – Illegal Immigration, Human trafficking and Organised Crime. World Institute for Development Economic Research (WIDER), United Nations University, Discussing Paper N° 2003/72, october 2003.
.
. (12) Shih : Chris SMITH – Illegal Arms in Albania and the European Security, Presentation – Seminars in Contemporary Arms Control and Disarmement, september 1998.
.
. (13) Përsa i përket trafiqeve të kryqëzuara të armëve dhe të drogës si dhe implikimin në të mjedisit kriminel shqiptar shih : Glenn E. CURTIS et al. – The nexus among Terrorists, Narcotic Traffickers, Weapons Proliferators and to Organized Crime and Organised Crime Networks in Western Europe, The Library of Congress, december 2002.
.
. (14) Lidhur me përhapjen dhe shtrirjen e kontrabandës në Ballkan, dhe veçanërisht në Shqipëri, lexo : Marko HAJDINJAK – ibidem., sikundër dhe : Nicolas MILETICH – Trafics et crimes dans les Balkans. Criminalité Internationale, PUF, Collection Criminalité Internationale Paris 1998.
.
. (15) Philippe CHASSAGNE & Kolë GJELOSHAJ – L’émergence de la criminalité organisée albanophone, dans : Cemoti, n° 32 – Drogue et politique, mai 2005. http://cemoti.revues.org/.
.
.

5 Përgjigje te Krimi, Mafia dhe Kanuni – (1/4) Tipologjia e krimit të organizuar shqiptar.

  1. edrus thotë:

    Punë e paqme Xixa, komplimenti!
    Megjithëse do të më pëlqente që të shikoja dhe diçka më tepër, si p.sh: efektet e aktivitetit kriminal në ekonominë Shqipëtare, implikimet ose jo të shtetit në këto trafiqe si dhe përpjekjet që mund të jenë bërë prej tij për parandalimin e tyre si dhe, nëse janë fenomene që e kanë zanafillën edhe më herët se periudha që ju analizoni apo janë fenomene të lindura, rritura e lulëzuara falë mundësive të pamjaftueshme të shtetit, që punon dhe sakrifikon për ndërtimin e demokracisë, për ti përballuar siç duhet (gjithmonë nëse ka tentuar)?

  2. xixa thotë:

    Përshëndetje Edrus.
    Ndoshta ja vlen të presësh pak..
    Pasi bëhet fjalë vetêm për pjesën e parë. Mendo që janë edhe tre pjesë të tjera.. dhe ndoshta, do tê sjellin pêrgjigje ndaj atyre pyetjeve tê tua.
    Përshëndetje.

  3. Anonymous thotë:

    Xixe,

    e lexova dhe po pres si do besh nderlidhjen vetem se mendoj qe disa te dhena jane te zmadhuara.
    Duhet te jete me e qarte ne shkrim kur behet fjale per shqiptaret e Shqiperise dhe ata te Kosoves.

    Mos harro shpesh here UCK eshte quajtur organizate mafioze edhe nga burime qe ne i kemi quajtur te besueshme. E kam fjalen per te dhena qe qarkullojne ne net per shume arsye.

    Megjithate do ta komentoj shkrimin kur te jete i plote.

    Koth

  4. xixa thotë:

    Përshëndetje Koth,
    Siç mund t’a imagjinosh, më mungojnë instrumentat matës për të verifikuar numrin e prostitutave shqiptare në Evropë, numrin e armëve në qarkullim pas ngjarjeve të vitit 1997, çmimin “mesatar” të biletës së udhëtimit Vlorë – Itali me gomone apo së fundi, sasitë e drogës që niset nga Afganistani dhe që tranziton nëpêr Shqipëri. Megjithatë, jam munduar të kqyr me vëmendje literaturën e pêrmendur ( si edhe të tjera artikuj tê pacituar) pêrpara se tê ve shifrat e mêsipërme. Nuk i njoh motivet e brendshme të artikullshkruesve por nuk mendoj se që të gjithë janë paguar nga UDB apo nga ASFALIA pêr tê shpifur kundër Shqiptarëve. Aq më tepêr kur bëhet fjalë pêr autoritete tê INTERPOL-it, apo pêr studiues nga Institute të Evropës mbarë.
    Sidoqoftë, mendoj se kryesorja nuk janë shifrat – që shpesh mbeten vlerësime të pêrafërta, por vetë fenomeni si edhe shqetësimi i Agensive, kërkuesve apo policëve evropianë.
    Sa pêr lidhjen – dhe tê tjera aspekte tê ndjeshme si puna e UCK – mendoj se duhet tê bêsh pak durim dhe të presësh pjesët e tjera të shkrimit.
    Pritje – dhe lexim – të mbarë.

  5. ujku i zi thotë:

    Xixa,
    Pershendetje per shkrimin! Kur po lexoja paragrafin per trafikun e armeve me erdhi ne mendje Gerdeci, dhe pyetja qe ka ngelur pezull: A ishte i ligjshem ai aktivitet?. Nese jo, a behet me e organizuar se aq nje veprimtari kriminale?
    Dje po lexoja kete shkrim ne NYT:
    ketu i cili flet per krimin e organizuar ne Meksike, dhe sa e veshtire, apo e pamundur, eshte ta cmontosh ate kur ka kapur shtetin. Kam frike se ky eshte edhe problemi Shqiptar me krimin e organizuar; qe gradualisht po behet pjese e kultures se shtetit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: