Krimi, Mafia dhe Kanuni : (2/4) Krimi i Organizuar dhe ngulmimi terrorist.

. Pa asnjë dyshim, origjina e Krimit të Organizuar Shqipfolës (KOSH) është e vonët. Shumë shumë, sipas mendimit të atyre që janë përkulur mbi këtë problem, lindja e këtij fenomeni përcaktohet diku rreth viteve 70 – 80 dhe i përgjigjet lidhjeve të hershme të Shtetit komunist të Hoxhës me krimin e organizuar ndërkombëtar. Këto lidhje shpjegohen me vështirësitë e mëdha financiare në të cilat gjendej rregjimi i Hoxhës sikundër dhe me zhvillimet e vrullshme të trafikut të drogës dhe të cigareve në rajonin e Adriatikut jugor. Strukturimi i tij në kohë duket se kalon nëpër tre etapa të pashmangshme :
.
.
. – Pragu i parë kohor përcaktohet nëpërmjet supozimit ende të pavërtetuar se pushteti komunist kish lidhur një marrëveshje me Mafiat italjane në fillim të viteve 80 për të marrë pjesë në një trafik të gjerë cigaresh, me brigjet shqiptare si bazë nisjeje. Pa mundur të sjellin prova të prekshme, autorët e kësaj hipoteze mbështeten mbi burime italjane për të mbrritur në përfundimin se kjo gjë ishte autorizuar në mos e kontrolluar nga Sigurimi i gjithëgjendur. Vërejmë se nuk është e nevojshme të zhbirohen sekretet e Sigurimit për të pohuar se ideja e kondrabandës së cigareve përputhet me logjikën e kërkimit të burimeve financiare nga ana e rregjimit komunist të Hoxhës, veçanërisht pas prerjeve të kredive kineze – aq më tepër në kushtet kur herë pas here plazhet e Durrësit dhe të Kavajës janë mbuluar me paketa cigaresh, bile edhe me arka të tëra, që sillte dallga (1).
.
.
. – Pragu i dytë gëdhendet nga vëzhgues gjithmonë të huaj, të cilët kanë patur rastin të jetojnë në vend gjatë viteve të diktaturës dhe si pasojë, thëniet e tyre besohen pa vërtetim. Gjithmonë « (.. ) sipas disa burimeve, por pa patur mundësi të sigurohen prova, dyshohet se Shteti shqiptar – sikundër edhe Kina – të ketë transformuar kulturën e lulëkuqes për të prodhuar morfinë dhe heroinë e cila i është shitur Mafias italjane me qëllim që të përshpejtohej degjenerimi dhe kalbëzimi i Perëndimit ».
. Përsa i përket lulëkuqeve të hashishit, edhe llogaritja më elementare mjafton për t’u siguruar për natyrën thellësisht fantaziste të hipotezës. Aq më tepër që në këtë fushë vepron « ligji dhjetë me një » që karakterizon shëndrrimet e njëpasnjëshme të lëndës së parë deri në prodhimin e gatshëm : 10 hektarë kulturë = 1 ton opium brut ; 1 ton opium brut = 100 kg morfinë ; 100 kg morfinë = 10 kg heroinë ; me fjalë të tjera, për të prodhuar një ton heroinë nevojiten mesatarisht 1000 hektarë nën kulturën e lulëkuqes.

. Pra, ose na duhet të gërmojmë në arkivat e Byrosë së atëhershme Politike në kërkim të asaj sasisë së nevojshme të heroinës, e aftë të kalbëzojë Perëndimin e largët ose, na duhet të rrëmojmë kujtimet e prindërve – si edhe ato tonat – në kërkim të pamjeve aq magjepëse të atyre dhjetra mijrave hektarëve ku lulëzonte bima, që sigurisht, i kemi marë për luledielli ose për jonxhë. Ndoshta më e thjeshtë është të pranojmë që kemi të bëjmë me një përçartje në diell, një përpjekje virtuoze për të fituar titullin « ekspert i çështjeve shqiptare » ; thjesht, një emanacion i drejtpërdrejtë i skenareve të suksesshme të Kadaresë (2).

.
.
. – Pragu i tretë vendoset nga konstatimet e një specialisti të njohur evropian i çështjeve të UÇK. Ai pohon se « në shkurt të vitit 1982, militantë maoistë partizanë të diktaturës së Enver Hoxhës formuan në Turqi Lëvizjen për Republikën shqiptare të Jugosllavisë (LRSHJ), bashkim i katër gruptheve maoiste : Fronti i Kuq Popullor, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Jugosllavisë, Lëvizja Nacional- Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) si dhe nga Organizata marksiste-leniniste e Kosovës (OMLK) ». Mjafton më tutje të mësojmë se këta militantë ishin të lidhur me « banditizmin kosovar të Zvicrës » për të ngjitur të gjitha copat e mozaikut : Partizanë të Hoxhës që mblidhen në Turqi, vend « i shenjtë » i shpërndarjes së heroinës drejt Evropës, të cilët grumbullohen rishtas në Zvicër, vendi simbolik i trafikut të drogës.
. Ndërkohë, askush nuk shqetësohet lidhur me zamkën që nuk ngjit : së pari, vështirë se mund të gjesh qoftë edhe një kosovar, njëkohësisht edhe maoist edhe adept i Enver Hoxhës në vitin 1982 dhe jo më disa dhjetra për të krijuar një Lëvizje të tërë ; së dyti, nëqoftëse shërbimet e fshehta jugosllave asgjësuan militantët e OMLK dhe të LNÇKVSHJ në Gjermani në janar të vitit 1982 – mes të cilëve edhe Jusuf Gërvallën, nuk ishte për shkakun se ata ishin « bosët e drogës » por se ata përbënin « një kërcënim për sigurinë e brendshme të Federatës ». Në këtë mënyrë mbetemi në rutinën policore-gazetareske : e para vret ndërkohë që e dyta merret me vënien e etiketave mbi viktimat.
.
. Sidoqoftë, këta vëzhgues kaq të vëmendshëm harrojnë të nënvizojnë se ky « kriminalitet shtetëror » – edhe po qe se ka egzistuar – mbetet një përvojë e integruar në strategjinë ekonomike të rregjimit, pra një praktikë elitiste. E parë nën këtë prizëm, ajo nuk mund të merret si « shkollë edukimi » e masave të gjera, si një stazh përsosjeje e elementit mbarëpopullor, kaq frytdhënëse në rastin konkret të zbulimit të vonët të Evropës.
.
. Pionierët e parë të vërtetë i përkasin ose mjedisit shqiptar të vendosur në Shtetet e Bashkuara, ose diasporës së re kosovare të instaluar në Evropë. Mes të tjerash aktivitete, të të dy këto mjedise u orientuan menjëherë drejt trafikut të drogës. Por nëqoftëse të parët filluan karrierën e tyre si ndihmës të padrinove siqeljanë të Mafias italo-amerikane në të shquarën Tri-State zone (Nju Jork, Nju Xhersej dhe Konektikut)(4), të dytët përfituan nga vështrimi babaxhan i padrinove të Mafyas turke, vetë ata me origjinë të largët shqiptare (5). Sidoqoftë, ka shumë të ngjarë që këto përvoja pilote nuk do të kishin patur asnjë eko në mungesë të dy ngjarjeve madhore që tronditën fund e krye botën shqiptare : shembja e komunizmit dhe shpërbërja e Federatës Jugosllave, në kapërcyell të viteve tetëdhjetë.
. Ndërkohë që bashkësia fort e madhe shqiptaro-kosovare e Gjermanisë dhe e Zvicrës filloi të « lutej » me këmbëngulje për të pjesëmarrë në financimin e « Republikës së Kosovës » – gjë të cilën ajo e kreu në mënyra të ndryshme, me hir ose pahir, duke bashkëlidhur ekonomitë e veta dhe paranë e trafikut, shqiptarët e Shqipërisë filluan të instalohen gjerësisht në vendet e Evropës perëndimore. Nëpërmjet lidhjeve të shumta, këto dy mjedise do të krijojnë edhe themelin e KOSH-it : një rezervuar i madh njerëzor, i përbërë nga të rinj të ngeshëm, të papunë dhe të gatshëm për të fituar shuma të mëdha si dhe një bazë e gjerë logjistike, që zotëronte ndërresa dhe pika përforcuese praktikisht në të gjitha qytetet e mëdha të Evropës.
.
. Ç’është e drejta, deri këtu gjendja s’paraqitet fort intriguese pasi, përveç mjedisit shqiptar egzistonin një numër i madh mjedisesh banditeske edhe më të shtrira, edhe më të dendura – pra më të fuqishme, me origjinë nga vendet e tjera të Evropës së lindjes : ajo kroate ose tjetra serbe, një mjedis bullgaro-maqedonas, pa harruar sigurisht atë rumun ose së fundi atë ruso-ukrainas. Ajo çka tejkalon të zakonshmen përmblidhet në pyetjen e mëposhtme :
.
.
. si ndodhi që ky mjedis kriminel në belbëzimet e tij, që zotëronte një njohje rudimentare të kulturës dhe të mënyrës perëndimore së jetesës, mundi të shëndrrohet shumë shpejt në një strukturë të natyrës mafioze – për të mos thënë nË një Mafia të vërtetë, në të njejtin rang ose pothuaj të njejtin me organizata « të respektuara » si Triadat kineze, karteli i Kalit ose Mafia ruse, e aftë të sfidojë « profesionistët » e Kamorrës ose të ‘Ndrangetas në tokat e tyre jugitaljane ?
.
.
. Na duhet të pranojmë se, megjithë një farë numri studimesh të kryera dhe një dorë vrojtuesish që janë përkulur mbi këtë subjekt, përgjigja nuk ka mundur të kapërcejë stereotipet tashmë të zakonshme. Ajo çka i intereson kësaj analize – veçanërisht kur ajo kryhet nga specialistët e krimit – është fakti në vetvehte, fenomeni kriminel ; rrallë herë, ajo mundohet të depërtojë sipërfaqen e tij, për të kqyryr mekanizmin shoqëror. Bile edhe kësaj here, dija e thellë e kërkuesit mezi arrin të mbulojë injorancën e thellë të terrenit dhe të njerëzve, mospërfilljen ndaj dokeve dhe zakoneve, aq më tepër kur kjo dije zgjedhohet me paragjykimet e vjetra dhe formulat e huazuara nga të tjerë vrojtues po aq të pakujdesshëm.
. Vetëm se, kësaj rradhe objekti i kqyrjes e tejkalon së tepërmi kuriozitetin e thjeshtë pasi tema është e një rëndësie tepër të veçantë. Ajo ajo prek një nga rregjistrat më të ndjeshëm të mbarë qytetërimit perëndimor : sigurinë e jetës dhe të pasurisë private, rendin publik dhe respektin e ligjit – pra themelet e demokracisë. Nuk është i rastit që shqetësimi i krijuar dhe pështjellimi fokuson vështrimin e Evropës mbarë mbi vendin. Me fjalë të tjera, kriminaliteti është shëndrruar në kriter gjykimi të një shoqërie të tërë për të mos thënë të një populli, në të vetmin filtër nëpërmjet të cilit mediat sjellin përpara lexuesve ose dëgjuesve të rejat nga vendi i shqiponjave. Në këtë rregjistër, lufta e Kosovës përbën një nga ilustrimet më të goditura.
.
. Ndërhyrja e Aleatëve kundër Millosheviçit dhe shenjtërimi i UÇK-së si forcë ushtarake gjatë luftës dhe më tej, si bashkëbisedues dhe forcë politike në kohë paqeje, ngriti në mënyrë të pashmangshme problemin e lidhjeve të supozuara mes parasë së drogës të rrjetave kriminale shqiptare dhe financimit të organizatës. Shqetësimi në rritje i pushtetit serb dhe pështjellimi i qarqeve politiko-ushtarake të Beogradit ndaj rezistencës kosovare mundi të zgjedhohej krejt natyrshëm me preokupimin e thellë të policive evropiane ndaj aktivitetit kriminel të mjediseve albanofone. Përfundimisht, shkallëzimi i luftës së armatosur prodhoi edhe stereotipin « terrorizëm » që mundi të rrënjosej pa vështirësi në kontekstin e vështirë gjeopolitik ballkanik, evropian dhe botëror.
. Në parim, ky problemi i financimit nëpërmjet « aktiviteteve kriminele » nuk mund të kufizohet në kuadrin brendshëm të UÇK-së, pasi ai prek në mënyrë të pashmangshme të gjithë mjedisin politik të Kosovës, të gjithê burrat politikë të krahinës – nga i ndjeri Rugova deri tek demokrati mê i papërfillshëm. Bashkësia e formacioneve politike kosovare të krijuara gjatë viteve 90 u detyrua të përdornin fondet e diasporës për nevojat e organizimit të luftës së armatosur ose të infrastrukturave të kundërshtimit jo të dhunshëm. Ndërkohë, asnjë prej të interesuarve nuk çfaqi shqetësim lidhur me burimet e fondeve të përdorura. Troç, askush nuk kërkoi – krahas markave ose frangave zvicerane – edhe deklaratën e të ardhurave të « taksapaguesve » tê zellshëm.
.
. Është fort e mundshme që dinamika e konfliktit të Kosovës të ketë tërhequr vëmendjen e një pjese të mjedisit kriminel shqipfolës (KOSH) – sikundër dhe një pjesë të mjedisit kriminel serbo-malazez ; që rezistenca e armatosur kundër armikut të trashëguar serb të ketë ngjallur një ndjenjë nacionaliste edhe në rradhët e keqbërësve të KOSH-it. Është po aq e mundshme që UÇK-ja të ketë përdorur kanalet e trafikantëve për të siguruar transportin e saj të armëve, gjë e cila sugjeron një « implikim të trafikantëve të drogës në trafikun e armëve ». Në këto kushte bëhet e nevojshme të « interesohemi lidhur me ata individë, të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me lëvizjen » (6) ose më tej, të kqyrim nga afër ato grupime interesash të natyrës politike, të afërta me mjedisin kriminel. Sidoqoftë, mbetemi tejet larg nga ato deklarata bombastike të qarqeve zyrtare serbe si dhe të disa « specialistëve » të çështjeve islamo-terroriste (7) sipas të cilave, lufta e udhëhequr nga UÇK-ja ishte një ndërmarrje « ushtarako-mafioze », e drejtuar nga « narko-terroristët » myslimanë të Xhihadit anti-serb që ëndërronin « Shqipërinë e Madhe ».
.
. Mbi këtë çështje, mendimi i studiuesit mbetet krejt i kjartë : « Në qoftë se UÇK-ja është cilësuar si terroriste, kjo vjen nga fakti se ajo nuk ishte njohur si lëvizje e çlirimit kombëtar dhe kjo, pasi Shqiptarët e Kosovës ishin konsideruar si një pakicë dhe si pasojë ata ishin zhveshur nga e drejta e vetëvendosjes. Ky opinion ishte në përputhje me dallimin komb/kombësi të të ndjerës Federatë jugosllave dhe ç’është më e keqja në përputhje me të drejtën ndërkombëtare – e cila ju njeh vetëm « popujve » të drejtën për të vendosur vetë mbi çështjet e tyre me qëllim që të evitohet një coptim territorial i paadministrueshëm i planetit. Në mënyrë të ndërlidhur, principi i paprekshmërisë së kufijve bëhet parësor » (8).
.
.
. Çështja e terrorizmit doli me forcë të madhe pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit të vitit 2001, pasi bota e tërë dhe në rradhë të parë qeveritë kombëtare zbuluan lidhjet e shumëfishta mes terrorizmit dhe me krimit të organizuar. Duke ditur origjinën dhe veçanërisht fenë e kamikazeve, Shqipëria – dhe Kosova – qëndruan gjatë një periudhe në qendër të vëmendjes pasi diku, dikush u kujtua lidhur me atë « çfaqjen e beftë » në këto toka të një farë Bin Ladeni, nga mesi i viteve nëntëdhjetë. Për hir tê personalitetit të spikatur i Bin Ladenit, gjithçka lidhet me tê thuhet me zë të lartë ndërkohë që përgënjeshtrimet pëshpëriten me zë të ulët. Kështu edhe fakti i supozuar i kalimit të Bin Ladenit nëpêr Shqipëri.
. Të nesërmen e sulmit terrorist mbi Kullat Binjake të Nju Jorkut, Çosudovski, një prej kritikëve më të egër të ndërhyrjes së armatosur të Aleatëve në Jugosllavinë e Millosheviçit, bëri bilancin e lidhjeve që sipas tij bashkonin Ballkanin me Muxhahidinët, ose me ushtarët e Bin Ladenit. Lidhur me këtë të fundit, ai mbështetet mbi « Sandi Tajms » të Londrës të datës 29 nëntor 1998 për të pohuar se « Bin Ladeni vetë ka vizituar Shqipërinë. Ai përfaqsonte një nga grupet e shumta fondamentaliste që kanë dërguar njësitë e tyre për të luftuar në Kosovë… Mendohet se Bin Ladeni ka instaluar një operacion të tij në Shqipëri në vitin 1994… Burimet shqiptare pohojnë se Sali Berisha në epokën kur ishte President, ka mbajtur lidhje me disa grupe të cilat, sikundër është provuar më vonë, ishin ekstremiste fondamentaliste ». Muçshke mbetet sidoqoftë më i rezervuar kur, në rolin e tij të zv Drejtorit të Drejtorisë Sekrete Kriminele të INTERPOL-it deklaron se « Shërbimet Sekrete indikojnë që një grup drejtuesish terroristë algjerianë (të GIA-s) kanë qenë prezent në një mbledhje të mbajtur në Shqipëri dhe mendohet se ata priteshin të takonin Bin Ladenin i cili, sipas asaj që mendohej, duhej të ishte në Shqipëri në atë kohë ». Ndërkohë as njëri as edhe tjetri – por në mënyrë të veçantë zv Drejtori i INTERPOL-it, nuk gjetën të arsyeshme të shtonin se që në vitin 1998, arrestimi në Shqipëri i njërit prej togerëve të shumtë të Saudianit aq të kërkuar kish lejuar të shpërndahej misteri i dendur. I arrestuari kish deklaruar se ai ishte flakur tej nga ana e kosovarëve të UÇK-së, të cilëve ai ju kish propozuar armë në emër të Xhihadit, ndërkohë që ai shtonte se shefi i tij s’kish shkelur kurrë tokën shqiptare.
.
. U desh pra, kohë dhe shumë aplikim që përfundimisht ky mister të tretej. Çuditërisht, ndërkohë ishte harruar që, me ardhjen e tij në pushtet dhe pavarësisht etiketës prej « fondamentalisti mysliman », Berisha ishte një prej shtyllave të politikës anti-terroriste amerikane në Ballkan. Ai i hapi praktikisht të gjitha dyert e SHIK-ut të tij ekspertëve të CIA-s me qëllim që këta të fundit t’a modernizonin dhe që të stërvisnin kolegët e tyre shqiptarë me metodat e tyre. Një grup specialistësh të Agjensisë ishte vendosur në Shqipëri që prej vitit 1992, me qëllim që të survejonte aktivitetin e OJQ-ve islamike.
. Ajo që nuk dihej i takonte zbulimit të një celule të Xhihadit egjiptian të instaluar në Tiranë që prej vitesh. Pas ngjarjeve të vitit 1997, Klosi – drejtori i ri i SHIK-ut, nën shtytjen amerikane urdhëroi kapjen e antarëve të celulës. Ata u arrestuan njëri pas tjetrit nga ana e agjentëve shqiptarë duke filluar nga date 25 qershor 1998, në kushte « fare pak të justifikueshme nga ana ligjore », sipas të thënave të vetë padronit të Shërbimeve të Fshehta shqiptare.
.
. Në të vërtetë, shumë shpejt dhe pa ndihmën e kolegëve të tyre shqiptarë, amerikanët kishin vënë re prezencën në Shqipëri të një Zavahri, vëllai i vogël i të shquarit Ajman al-Zavahri dhe mê tej mêsuan se egjiptiani i ri ishte në origjinë të celulës « shqiptare ». Ata vunë në përgjim antarët e kësaj celule gjatë muajve të tërë dhe ndiqnin me kujdes të gjitha lëvizjet e tyre. Operacioni, i filluar qysh në periudhën e Berishës nuk njohu ndërprerje edhe në ditët më të turbullta të ngjarjeve të vitit 1997 dhe vazhdoi me ardhjen e socialistëve në pushtet. Ajo u morr në dorë nga Shërbimet e Fshehta të Klosit dhe u mbyll në vitin 1998.
. Nga momenti i përfundimit të operacionit shqiptar të CIA-s, një gazetë arabe e Londrës botoi një letër të datës 15 gusht 1998 të nënshkruar nga Fronti Islamik Ndërkombëtar i Xhihadit. Letra bënte thirrje për hakmarrje ndaj viktimave të anti-terrorizmit të kapura në Tiranë dhe shprehte kërcënime kundër amerikanëve « në një gjuhë që ata do t’a zbulonin shumë shpejt ».
. Dy ditë më vonë, ambasadat amerikane të Kenias dhe të Tanzanisë u hodhën në erë dhe shkaktuan vdekjen e 24 vetëve. Në fillim të vitit 1999, një grup prej 107 integristësh, pjesa më e madhe e të cilëve të arrestuar në Shqipëri, u transferua në Kajro, nën fshehtësinë e sekretit, dhe u gjykua gjatë njërit prej proceseve më të mëdha gjyqësore të organizuara në Egjipt.
.
.
. ——————————
.
.
. (1) Lidhur me hipotezën e parë, shih : Philippe CHASSAGNE & Kolë GJELOSHAJ – ibidem ; sikundër dhe : Bertrand MONNET – La Mafia albanaise: état 2007. Note d’alerte MCC. IMARISC (Institutde Ménagement des Risques Criminels, Lille – Nice 2007.
.
. (2) Mbi këtë lloj përçartjeje shih : Elisabeth et Jean-Paul CHAMPSEIX – L’Albanie ou la logique du désespoir, La Découverte, Paris 1992; sikundër dhe : Ismail Kadare – le Concert, Ed. Fayard 1989.
.
. (3) Lidhur me këtë hipotezë shih : Christophe CHICLET – Aux origines de l’Armée de Libération du Kosovo, Le Monde Diplomatique, mai 1999.
.
. (4) Në një nga artikujt e parë të shkruar mbi këtë fenomen, Xhudo përshkruan bashkëveprimin e kriminalitetit të vogël me origjinë shqiptare në Shtetet e Bashkuara me Mafian Siqeljane e cila kulmoi në çështjen e quajtur « Pizza Connection ». Shih : Gus XHUDO – Men of Purpose : the Growth of Albanian Criminal Activity, në : Transnational Organized Crime, The Ridgway Center for International Security Studies University of Pittsburgh, Pittsburgh, Pennsylvania, USA, Volume 2, Number 1, Spring 1996.
.
. (5) Thierry CRETIN – Mafias du monde. Organisations criminelles transnationales. Actualité et perspectives, Presses Universitaires de France PUF, Paris 1997.
.
. (6) Philippe CHASSAGNE & Kolë GJELOSHAJ – ibidem.
.
. (7) Me këtë rast shih : BIA (Security Information Agency) – Albanian Terrorism And Organized Crime In Kosovo And Metohija, Belgrade, September 2003 ; sikundër dhe : Alexandre del VALLE – Réalité sur l’UCK, 12.1999, dans : http//perso.cs3i.fr/do/textes/uck-par-del-valle.htm.
.
. (8) Shih mbi këtë çështje : Emeric ROGIER – Sous le signe de Sisyphe : La prévention multilatérale des conflits armés dans les Balkans (Kosovo, Sandjak, Voïvodine, Macédoine) 1991 – 2001, Institut Universitaire HEI, Thèse n° 626, Genève, 2001.
.
. (9) Mbi këtë çështje, shih : Michel CHOSSUDOVSKY – « Osamagate », Centre for Research on Globalisation (CRG), globalresearch.ca, Montréal, october 2001 ; si edhe : Ralf MUTSCHKE – The Threat Posed by the Convergence of Organized Crime, Drugs Trafficking and Terrorism, (Written Testimony), The International Criminal Police Organization – INTERPOL, December 2000. Shih gjithashtu : International Crisis Group – Bin Laden and the Balkans : the Politics of Anti-Terrorism, Balkans Report N° 119, november 2001, Belgrade/Podgorica/Prishtina/ Sarajevo/Skopje/Tirana/Brussels.
.
. (10) Shih mbi këtë çeshtje : Andrew HIGGINS & Christopher COOPER – CIA-Backed Team Used Brutal Means To Break Up Terrorist Cell in Albania, Wall Street Journal du 20 novembre 2001.

Një Përgjigje te Krimi, Mafia dhe Kanuni : (2/4) Krimi i Organizuar dhe ngulmimi terrorist.

  1. tropoja thotë:

    artikull per tu pasur ne vemendje! me duket se e pashe ne google/news ne dreke, pershendetje!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: