Krimi, Mafia dhe Kanuni – (4/4) Zhguni kanunor i krimit.

. Nga mesi i viteve 90, Evropa zbuloi e lebetitur egzistencën e një fenomeni të ri kriminel krejtësisht të panjohur deri atëhere, të KOSH-it, i cili kish vrarë syrin e mjaft specialistëve. Nën dritën e raporteve të tyre, ky kriminalitet shumëformësh bashkonte të gjitha vetitë e një superfuqie kriminele, e aftë të shpërndante heroinën – « vdekjen të bardhë » – në të gjitha vendet e Evropës veriore (Gjermani, Austri, Zvicër ose në Vendet e Ulta), të rrënonte moralin e krishterë nëpërmjet prostitucionit në një varg vendesh që nga Italia dhe deri në Suedi ose së fundi, të terrorizonte Spanjën me ato dhjetra komandot e hajdutëve ultra-profesionelë.
. Ndërkohë, gjeneza e KOSH-it ishte kqyrur në detaje nga më të imtat dhe strukturimi i tij ishte deshifruar nëpërmjet etapave të fundit të zhvillimit të vendit dhe të rajonit. më të përmendurat mbeten : shembja e sistemit të vjetër politik që favorizoi fshirjen e të gjitha pengesave ndaj qarkullimit të lirë të njerëzve dhe të mallrave, instalimi i vështirë i pushtetit të ri demokratik si dhe antagonizmi i egër mes forcave politike në vend, mungesat në fushën juridike dhe mungesa e strukturave të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar, faktorët destabilizues lokalë (rrebelimi popullor i vitit 1997) dhe rajonalë (luftrat në ish-Jugosllavi) dhe së fundi, pozita gjeografike e vendit si urë lidhjeje mes Ballkanit dhe Perëndimit (1). Megjithatë, ndihet në mënyrë të pavetëdijshme që esenca e saj i fshihet vështrimit dhe i shpëton analizave – qoftë edhe për t’ju përgjigjur pyetjes : përse Evropa u gjend e çarmatosur përballë kësaj epidemie vdekjeprurëse ?
.
. Më këmbëngulësit e kriminologëve u munduan të kalojnë në sitën e tyre të gjithë faktorët e brendshëm, të gjitha shenjat karakteristike në kërkim të rrënjëve të mekanizmit të tij djallëzor, për të rënë në gjurmët e asaj fare që e ngjizi. Si për çudi – përpikmërisht sikundër udhëtarët e fillimit të shekullit të XXtë – ata zbuluan të njejtat « thërrmija elementare » të nënndërgjegjes kolektive : masën e kulturës arkaike, të ushqyer nga tradita të vjetra dhe nga dhuna, peshën e kodit të nderit – Kanunit (2) dhe së fundi, vlerën e familjes së zgjeruar (3) – fisi, i cili nën penën e zellshme të studiuesve të sotëm shëndrrohet në fares. Përfundimisht, shkretëtira e Saharasë ose Tibeti vazhdojnë të njihen më mirë se sa Shqipëria, sikundër në vitin 1912 në kohën e Delezit (4).
.
. Megjithatë, diferencat mbeten të thella ndërmjet këtyre dy kategorive profesionale kërkuesish. Duke përshkuar « highlands » shqiptare, udhëtarët antropologë kishin mundur të preknin misterin e njeriut dhe i ishin afruar këtij të fundit në majat e këmbëve ; ata kishin bërë atë përpjekjen elementare t’i kqyrnin malësorët në malet e tyre dhe të mësonin qoftë edhe elementët fillestarë të gjuhës së tyre për të kuptuar se ç’farë flisnin. Në kohët e sotme, kjo ndërmarrje duket krejtësisht e demoduar dhe tejet e mërzitshme. Kërkuesit e sotëm kriminologë janë të aftë të masin natyrën njerëzore pa dalë prej zyre : s’ka më nevojë të zbritet në terren, të njihet gjuha e indigjenëve ; mjafton të lexohen çka kanë shkruar të tjerët mbi këta njerëz. Pak rëndësi ka fakti që burimet e shkruara i përkasin të njejtit rrethi, që autorët përsërisin njeri tjetrin, që elementi origjinal humbet nën peshën e shifrave. Rezultati shpesh bëhet qesharak.
.
. Një sërë detajesh tërheqin vëmendjen dhe shërbejnë si argumenta lidhur me opinionin e mësipërm. I pari i takon kodit të nderit, Kanunit, i cili sipas Raufer « me përmbajtje patriarkale, raciale dhe fisnore, është në fuqi të paktën që prej Mesjetës… në malet e veriut të vendit dhe respektohet në mënyrë të rreptë.. veçanërisht nga familjet kriminele ». Diku më poshtë, eksperti shpjegon se ai « parashikon edhe rastet e aksidenteve vdekjeprurëse automobilistike (sic!) ». Mund të bëhet pyetja se çfarë « varianti » të Kanunit ka patur ndër duar autori i këtyre rreshtave, gjithmonë duke qenë të bindur se nuk bëhet fjalë për Kanunin e Lekës. Çka bën përshtypje është fakti se i njejti informacion çfaqet në gjendje të pastër tek një punim tjetër, i destinuar për një publik zanatçinjsh të Ligjit (5). Sigurisht, duke i zënë besë « specialistit » të vjetër, kriminologut të ri nuk i është dukur e nevojshme të shfletojë tekste të tjera.
. Detaji i dytë edhe më zbavitës i përket konceptit « familjeve mafioze », të cilat për një numër të madh vëzhguesish bazohen mbi fares. E marrë fjalë për fjalë – më mirë të themi germë për germë – ky neologjizëm ad hoc me origjinë të dukshme perëndimore nuk gjen asnjë ekuivalent në gjuhën shqipe. Sidoqoftë, procesi i krijimit imagjinohet thjeshtë : pa dyshim, duke u nisur nga fjala farë – fruti mbirës i bimës, substanca ngjizëse e qenies. E marrë në kuptimin e lidhjes familjare për të shprehur një bashkësi sociale të natyrës prindërore ose trashëgimore – dhe pasi i hiqet ajo shenja e pikësimit barbare – ajo shëndrrohet në fare. Në shumës, fjala pasurohet me atë germën tepër perëndimore – s – dhe përfundon në fares. I vetmi problem lidhet me kuptimin e saj : në vendin e vet të origjinës, fjala farë përdoret në një zonë gjeografike dhe etnografike disi të kufizuar– Jug – Juglindje – dhe mes të tjerash, ajo herë-herë përdoret për të treguar lidhje të vërteta dhe të ngushta gjirie, duke insistuar më tepër mbi logjikën e llojit se sa atë të njësisë shoqërore kryesore, siç është rasti me fjalën tjetër – fis, me origjinë nga Veriu i vendit. Kjo gjë duket veçanërisht në përdorimin e njëkohshëm të këtyre dy fjalëve, në neologjizmën farë-e-fis = farefis. Falë zellit dhe shkujdesjes së vëzhguesve, fjala fares çfaqet për herë të parë në një botim të vitit 1997 të Observatorit Gjeopolitik të Drogës (OGD), në rolin e shprehjes përgjithësuese për klanet e gjera të specializuara në një varg aktivitetesh të paligjshme (6). Në vazhdim, të gjithë studiuesit e përsërisin mekanikisht pa u shqetësuar aspak lidhur me kuptimin e saj. Aktualisht, fares është shëndrruar në simbolin vetë të Mafias shqiptare, me të njejtën forcë përgjithësuese sikundër triadat për Mafian kineze, familjet jakuza për Mafian japoneze ose kartelet për për atë gjysëm-mafian kolumbiane.

.
. Duke patur pra përballë një tabelë të tillë qitjeje – si dhe një mendim kaq mirë të paraprerë – a vështirë është të mos qëllohet në të. Shkurt, me një të rënë lapsi, kryeneçësia tradicionale e malësorit ndaj pushtetit qëndror shëndrrohet në mosbesim thuaj strukturor të shoqërisë shqiptare ndaj Shtetit, lidhjet e thella familjaro-patriarkale interpretohen si karakter « rrënjësisht fisnor » i popullit shqiptar dhe së fundi, kodi i nderit stërgjyshor – Kanuni – devijon pashmangshmërisht drejt botës së krimit, duke i furnizuar këtij të fundit piedestalin prej bronxi mbi të cilin ngrihet statuja e Mafias. Ja pra dhe tropizma e shoqërisë shqiptare, predispozita e saj e brendshme e favorshme ndaj depërtimit mafioz (7).
.
.
. Në imagjinarin kolektiv evropian, Shqipëria përmbledh egzotizmin dhe folklorizmin dhe çfaqet diku ndërmjet legjendës dhe realitetit, ndërmjet lindjes dhe perëndimit me një pejzazh të mbushur me male të pakapërcyeshme dhe me pyje të dendura misterioze, stofka e fundit e Lordit të Zi Voldemort, i kërkuar nga gjithë bota e magjistarëve (8). Kjo gjë përputhet edhe me një stereotip të banorit të këtyre viseve, i kqyrur si një përzierje e dhunës dhe e barbarisë, i cili egziston vetëm nëpërmjet derdhjes së gjakut – gjakmarrjes, fjalës së dhënë – besës dhe kodit të nderit – Kanunit. Në formën e tij të gjeneratorit të dhunës dhe burim i vdekjes, Kanuni shëndrrohet në këtë mënyrë si « një çelës universal që mundëson zbërthimin e pushteteve paralele kundërshtare të shtetit, e egërsisë djallëzore të piramidave ekonomike, e dhunës së bandave lokale ose e shumllojshmërisë të aktiviteteve kriminele » pa haruar aspak që ai krijon edhe « sfondin ose dekorin mbi të cilin ngrihet një strategji egzistencialiste ku, çnatyrimi si dhe ndërgjegja e keqe kanë prodhuar stereotipe aq fort të konsoliduar sa që ata vazhdojnë të qëndrojnë më këmbë edhe pas dhjetë vjetësh kontakte, familiarizim, shkëmbime ekonomike, politike dhe kulturore me të gjithë aktorët shoqërorë të Shqipërisë bashkëkohore ». Mbetemi plotësisht të një mendjeje me studiuesen kur ajo vrojton se « zbulimi i Kanunin me kodet e tij të lidhura me fjalën e dhënë – besa, me hakmarrjen, me nderin, ka dashur të thotë për një numër të madh ekspertësh perëndimorë se ata kishin gjetur shpjegimin më të thjeshtë të gjithë fenomeneve të kriminalitetit dhe të dhunës që herë pas here shoqërojnë zhvillimin e vështirë të tranzicionit në Shqipëri » (9).
.
. Cila është shtrirja territoriale e këtyre elementëve – fisi dhe Kanuni – sipas specialistëve, kaq të fuqishëm dhe të gjithëgjendur në vendin e tyre të origjinës ? Të ngjizur që në agim të kohës, ata janë të prirur të përfaqësojnë respektivisht njësinë themelore sociale dhe trupin e ligjeve që duhej të administronte bashkësinë e aktiviteve njerëzore në gjirin e një shoqërie, norma kryesore e të cilës ishte vetëadministrimi. Duke filluar nga shekulli i XIV – XVtë, nën presionin otoman, ndërkohë që një pjesë e madhe e shoqërisë i nënshtrohet ligjit të pushtuesit dhe përqafon fenë e tij, vetë shoqëria fillon dhe « civilizohet » nëpërmjet neglizhimit dhe braktisjes të praktikave saj të vjetra dhe strukturave të saj shoqërore. Në të kundërt, tradita mbijeton në gjirin e asaj popullsie që i që i reziston administratës, tashmë të instaluar në pjesën fushore dhe kodrinore, që i vidhet taksambledhësit otoman, pra në Malësitë – Highlands shqiptare. Nuk është hiç i rastit fakti që ky trup ligjesh gojore mban gjurmën bile edhe emrin e Lekë Dukagjinit ose të Skënderbeut – heronjve të kësaj rezistence.
. Në këtë mënyrë, në vigjilje të pavarësisë së vendit dhe disa shekuj pas kodifikimit të tij fillestar, Kanuni angazhonte vetëm një pjesë të popullsisë malësore të vendit të Gegëve – me fjalë të tjera, as një të tretën e e popullsisë kombëtare. Të paktën kështu i vlerësonte etnologu Carlton Coon gjatë udhëtimit të tij në malet e Shqipërisë veriore, të zhvilluar në vitet 1929 – 1930, i cili shkruante se popullsia e Gegëve fisnorë ishte rreth 250.000 vetë, nga të cilët 160.000 të fesë myslimane dhe mbetja, 90.000 të fesë së krishterë. Na mbetet të nënvizojmë se në këtë kohë, popullsia e përgjithshme e vendit mezi tejkalonte milionin e banorëve. Pothuaj të të njejtës periudhe janë edhe vrojtimet e Steiner, i cili në uniformën e oficerit austriak përshkon Malësinë e Veriut në 1918. Ai vëren ngjithashtu strukturën fisnore të malësorëve, të organizuar në vllazni, të cilën ai e vlerëson në rreth 161.000 vetë (10).
.
. Ky « Ligj i Vjetër » ushtronte juridiksionin e tij mbi një territor që sipas boshtit veri-jug shtrihej përtej lumit Drin deri në thellësi të Malit të Zi të sotëm sikundër dhe mbi territoret të gjendura mes lumenjve Drin dhe Mat. Sipas boshtit tjetër lindje – perëndim, zona e Kanunit shkonte nga malet e Dukagjinit të Kosovës së sotme deri në brigjet e liqenit të Shkodrës, sikundër dhe nga Dibra deri në malësinë e Tiranës dhe të Krujës. Rreth kësaj zone qendrore shtrihej një e dytë, e tretjes, që prekte një pjesë të Kosovës dhe të Maqedonisë perëndimore – në kontakt direkt me kufijtë e vendit – sikundër dhe territore të tjera shqiptare në veri të lumit Shkumbin. Pjesa tjetër e vendit – më tepër se gjysma e territorit kombëtar që gruponte mbi dy të tretat e popullsisë të Shqipërisë të sotme, nuk praktikonte më as organizimin tribal në fise dhe aq më pak i bindej Kanunit. Eshtë rasti i Toskërisë por njëkohësisht edhe e një pjese të kosovarëve si dhe të shqiptarëve të Maqedonisë.
.
. Ndërtimi i gjatë dhe i vështirë i Shtetit shqiptar që kulmoi me monarkinë zogolliane dhe me diktaturën hoxhiane ndikoi fuqimisht drejt zhdukjes së organizimit fisnor tradicional dhe drejt kufizimit të fuqisë juridike të Kanunit që me këtë rast u detyruan të rrudhen dhe të tërhiqen drejt zonave të thella. Por, në qoftë se fusha e manovrimit të mbretit Zog ishte mjaft e ngushtë pasi sipas metodës së tij klasike, atij i duhej njëkohësisht të kqyrte dhinë dhe lakrën, stërnipi i Skënderbeut nga Mati u mbështet gjerësisht mbi strukturat tradicionale të shoqërisë veriore siç ishte rasti i bajraqeve dhe i fiseve për të forcuar bazën politike të rregjimit të tij. Ndërkohë, ai shpallte Ligje të reja, të frymëzuara drejtpërdrejt nga praktikat perëndimore, gjë e cila cënonte drejtpërdrejt fushën e zbatimit të normave dhe të kodeve të Kanunit. Pasardhësit e tij në pushtet, autoritetet komuniste, përdorën metoda radikale për të mos thënë brutale.
. Në këtë mënyrë u zhduk krejtësisht kasta e bajraktarëve, kjo fisnikëri e maleve që luante rolin e babait shpirtëror të fisit, në këtë mënyrë u fundos edhe ajka e klerikëve katolikë, këta rojtarë moralë të Kanunit. Krejt natyrshëm, këtij të fundit ju desh të barrikadohej në kullat e fundit – më mirë të themi në kujtesën e malësorëve, të cilët as nuk mund t’a interpretonin në mes të kuvendeve të tyre tradicionale as edhe t’a praktikonin hapur për të zgjidhur problemet e tyre të përditshme. Ndërkohë, jo vetëm popullsia e vendit ishte katërfishuar por njëkohësisht, pesha specifike e popullsisë qytetare njohu një zhvillim të paparë : nga më pak se 15% të popullsisë së përgjithshme në ditën e pavarësisë, ajo tejkaloi 40% në vitin 1990 dhe arriti në 50% në mesin e viteve 90. Aktualisht, edhe sikur të identifikojmë zonë e quajtur të Kanunit me veriun e thellë të vendit, popullsia potencialisht e interesuar nuk e tejkalon një të pestën e popullsisë kombëtare.
.
. Ashtu siç mund të mendohet, Kanuni riçfaqet si një reminishencë nën gërmadhat e komunizmit. Ndoshta nga që gjurma e tij në nënndërgjegjen e njerëzve është e të njejtës thellësie sikundër dhe shpirti ; ndoshta, pasi shërben si balsam përkundrejt jetës kaotike së përditshme gjatë tranzicionit. Sidoqoftë, megjithë një varg botimesh autentike ose të rreme, ky « jus albanicae » – duke rikujtuar shprehjen e Kadaresë – tërheq gjithmonë e më pak adeptë të ndershëm dhe me sa duket, gjithnjë e më tepër laro në mjedisin e krimit.
.
. Është krejt e mundur që ky habitus sipas Burdiesë (11) të mund të zhgënjejë deri diku njerëzit, aq më tepër që bashkësia e fushave shoqërore, ekonomike, politike ose kulturore të sotme nuk përputhet gjëkund me ato tradicionalet, gjeneratorët e origjinalit. Por, që një ligj të mund të frymëzojë keqbërësit e mbretërisë së jashtëligjit, kjo gjë mbetet sidoqoftë jashtë logjikës.
. Si është e mundur që kjo përzierje eksplozive faresKanun nuk mundi të ngjizë një Mafia në fillim të shekullit të XXtë, për të mos thënë në vitet 30 të këtij shekulli ? Çfarë ju mungonte tjetër atyre dhjetra mijra emigrantëve të varfër shqiptarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të asaj kohe për të ngritur më këmbë ato farët e tyre të tmerrshme me qëllim që të terrorizonin Botën e Re dhe të rivalizonin me Al Kaponen ose të tjerë Cicero të Çikagos ? Përse kosovarëve të tretur në mjedisin perëndimor që në vitet 50 të shekullit të kaluar, ju desh të prisnin shtërzimet e fundit të Shtetit titist për të rendur drejt Mafias shpresëdhënëse ?
.
. Megjithë petkun e tij mesjetar, Kanuni – sikundër dhe pararendësit e tij të shquar (Tora e jahudinjve, Manu brahmanist, ligji romak i Dymbëdhjetë tabelave) dikton ligje dhe shpall një moral ; ai i bën thirrje respektit si dhe ruajtjes së ndërgjegjes dhe të institucioneve të saj (fe, kishë dhe prift), të jetës personale dhe të manifestimeve të saj (familje, martesë, grua dhe trashëgimtarë), të pronës private dhe të atributeve të saj (shtëpi, kafshë, truall), të punës dhe frutit të saj (zanatet, tregëti, gjah dhe peshkim), të shprehjes dhe të mjeteve të saj (fjala, dëshmia dhe betimi), të nderit dhe shenjave të tij (sjelljes vetjake dhe miku) dhe së fundi, të lidhjeve të gjakut dhe antarësisë së tyre (trungu, vllazëria dhe kumbaria). Ajo çka e ka bërë të shquar në të vërtetë është konceptimi i saj procedurial lidhur me respektin e jetës si dhe të vuajtjes së ndëshkimit, gjë e cila pa dyshim, rrënjoset në « konceptimin e vjetër të pastrimit nëpërmjet gjakut », ose e thënë ndryshe Ligji i Shpagës. Gjaku mund të fshihet vetëm me gjak – « Gjaqet i la Leka një për një; Del i miri prej të keqit dhe i keqi prej të mirit ; gjaku shkon për gjak ».
.
. Në qoftë se imazhi i hakmarrjes së gjakut si dhe respekti thuaj fetar i një procedure të komplikuar – kodi i nderit, kanë prekur thellë antropologët, frymëzuar shkrimtarët, vënë në mendime sociologët, indinjuar juristët dhe ndjesuar politikanët, këto struktura fisnore dhe legjislative arkaike, mbetje të një bote tjetër, kanë lumturuar kriminologët.
. Duke u nisur nga emanacioni kriminel i njeriut, ata kanë mundur të sintetizojnë portretin e tij robot : qenie fisnore, e mbushur me respekt ndaj traditave të vjetra, ndaj ligjit të heshtjes, ndaj kultit të shefit, e mahnitur nga armët e zjarrit, biologjikisht e dhunshme dhe mizorisht atavike. Në këtë rast, gjithçka çon drejt origjinës së tij, drejt mjedisit të tij shoqëror dhe familjar, drejt kozmologjisë së tij të marrëdhënieve : Kanuni dhe farët. Vetëm se asnjeri nuk mund të bëjë lidhjen mes farëve dhe ekzodit masiv të shqiptarëve drejt Perëndimit në fillimin e viteve 90, në ç’mënyrë hakmarrja mund të ndihmojë trafikun e drogës dhe së fundi, si interpretohet nëpërmjet Kanunit shpërthimi i prostitucionit.
. Lidhur me këtë aspekt të fundit, më të ndërgjegjshmit mes kriminologëve ndjejnë që egziston një kontradiktë e thellë mes faktit të shfrytëzimit të prostitucionit dhe respektit ndaj Kanunit. Ata vërejnë nga njera anë që strukturat tradicionale mafioze si për shembull ato të Siqelisë, nuk kanë shfrytëzuar kurrë prostitucionin si aktivitet fitimi pasi e kanë konsideruar si një diçka të pandershme dhe njollosëse dhe nga ana tjetër, që familjet tradicionale shqiptare janë të prirura të hedhin jashtë, pra të dëbojnë, ato gra dhe vajza të cilat i kushtohen ushtrimit të prostitucionit. Atëhere, këta specialistë avancojnë hipotezën që koncepti i nderit alla shqiptarçe qënka një variant special, i ndryshëm nga ai që njohin siqeljanët dhe për më tepër i ngarkuar me një kuptim të dyfishtë. Meqënëse vlera të tilla si pushteti dhe pasuria zenë vendin e parë në sferën imagjinare të shoqërisë shqiptare, në dëm të vlerave të mirëfillta të frymëzuara nga kanuni sikundër respekti, familja ose besnikëria, kjo don të thotë se ndodhemi përpara një paradoksi, tipik për KOSH-in (12).
. Por, në vend të ngrihen hipoteza dhe të shpiken paradokse përsa i përket « nderit të korruptuar » të Mafias rinoshe shqiptare përkundrejt « nderit të vërtetë » të gjyshit të tij siqeljan, në vend të ndërmerren fluturime në qëmotin historik, është e udhës të gërmohet e kaluara e afërt komuniste dhe te kqyren përvojat e saj « të inxhinierisë sociale » (12), prodhim i pastër i të cilave është kjo falangë të rinjsh që përbën KOSH-in dhe Mafian shqiptare.
.
. Mes dështimeve më të arrira të rregjimit komunist, fakti që ai nuk mundi të shrrënjosë varfërinë mbetet ai i cili damokosi gjithë epokën. Ç’është e vërteta, edhe varfëria njohu dinamikën e saj sikundër dhe parametrat e tjerë socio-ekonomikë të sistemit : në rrafshin e përgjithshëm, ajo varfëria kronike e kohës së monarkisë shëndrrohet në strukturore ndërkohë që në rrafshin individual, nga materiale ajo u metamofozua në intelektuale – pa mundur njëkohësisht të humbasë emërtimin e parë. Ky fakt asnjëherë nuk ka shqetësuar thellë pothuaj kërkënd, pasi ndërkohë që pjesës dërmuese të udhëheqësve ose të tjerëve ligjbërës politikë as që ju ra në sy – duke ditur që aftësitë e tyre intelektuale nuk e kalonin dot mesataren e përgjithshme – ata më të mprehtët mes tyre e veçuan si një dhunti dhe e integruan në të dhënat themelore të sistemit. Aq më tepër që ky i fundit synonte krijimin e një qënieje shoqërore të bindur ndaj urdhrave dhe sa më pak analitik. Në të kundërt, ata të tejmprehtit – disa shkrimtarë dhe sociologë – vepruan sipas thirrjes së zemrës dhe të ndërgjegjes : më të guximshmit heshtën ndërkohë që pjesa tjetër derdhi lot gëzimi ndaj veprës civilizuese dhe edukative të sistemit.
.
. Gjendja ndryshoi fare pak gjatë ushtrimit të pushtetit demokratik : atmosfera e vendit ishte kaq e mbushur me ndryshime dhe përplasje sa që ishte shumë më interesante të fitohej një kulturë biznesi në vend dhe më pas, të pasurohej kjo kulturë me zbulime të reja jashtë vendit se sa të tentohej çfarëdo përçapjeje që synonte vetënxënësinë. Në këtë mënyrë, mbetet vetëm të merren me mend se çfarë frutash mund të jepte shartimi i kësaj kulture të tregut mbi atë cungun gjëmbaç të përpunuar nga punishtet komuniste të destrukturimit.
. Të rinj – të cilët, përpara se të mësonin të lexonin dhe të shkruanin korrektësisht gjuhën e tyre të lindjes mundoheshin të bënin pazar në gjuhë të huaj ; të cilët, përpara se të njihnin vlerën e parasë ëndërronin të bëheshin pasanikë ; të cilët, përpara se të bëheshin qytetarë në vendin e tyre kërkonin të ktheheshin në qytetarë të botës ; të cilët, përpara se të thelloheshin në kuptimin e vërtetë të jetës bënin tregëti me jetën e të tjerëve.
. Këta lundërtarë të ekstremit, universi kozmologjik i të cilëve përfshinte Perëndimin mbarë – përveç vendit të tyre, këta eksploratorë të parë të Botës së Re, të xhveshur nga trupi dhe nga shpirti, të mangët nga përvoja, nga skrupujt, nga dija dhe nga zanati, sulmuan kështjellën Evropë, të armatosur vetëm me guxim dhe lakmi.
. Një dhjetvjeçar më pas, kontinenti i Vjetër dridhej nën hapat e tyre.
.
.
. ————————–
.
.
. (1) Shih : Philippe CHASSAGNE & Kolë GJELOSHAJ – ibidem. ose : Xhavit SHALA – Krimi i Organizuar dhe Sigurimi Kombetar, në: www.mpo.gov.al/mpo/studime/.
.
. (2) Margaret M. HASLUCK – The Unwritten Law in Albania, J. H. Hutton (ed.), London 1954

(3) Edith DURHAM – High Albania, Edward Arnold (ed.), London 1909.

.
. (4) Francis DELEZ – publicist francez i fillimit të shekullit të XXtë, i cili në 1912 në vigjilje të pavarësisë së vendit kish deklaruar frazën e mësipërme : « .. ne njohim më mirë shkretëtirën e Saharasë ose Tibetin se sa Shqipërinë ».
.
. (5) Shih : Xavier RAUFER (& Stéphane QUERE) – Une menace pour l’Europe, la mafia albanaise – Ed. Favre, Lausanne, 2000; si edhe : Franck NICOUD – La Géopolitique de l’Albanie et l’émergence d’une puissance criminelle balkanique, Mémoire (DEA) « Défense Nationale et Sécurité Européenne », Université des Sciences Politiques, Sociales et Juridiques de l’Université de Lille II, 2001 – 2002. Për ata që janë vërtet të interesuar mbi këtë çështje, rekomandohet varianti origjinal : Shtjefen GJEÇOVI – Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shtëpia Botuese KUVENDI, Lezhë 1999.
.
. (6) Observatoire Géopolitique des Drogues (OGD) – The World Geopolitics of Drugs 1995-1996, Annual Report, april 1997
.
. (7) Bertrand MONNET – La Mafia albanaise: état 2007. Note d’alerte MCC. IMARISC (Institut de Ménagement des Risques Criminels, Lille – Nice 2007.
.
. (8) Sipas Alpion, fakti që J. K. Rowlings ka zgjedhur Shqipërinë si streha e fundit e Lordit Valdemart « s’është gjë tjetër veçse një tregues i arrogancës intelektuale dhe i injorancës së saj, aq shpesh e treguar nga autorët perëndimorë kur ata shkruajnë.. lidhur me ‘popujt inferiorë’. Duke zgjedhur Shqipërinë si strehën e fundit të djallit, Rowlings tregon se sa pak e njeh ajo botën që shtrihet përtej brigjeve britanike dhe në veçanti, këtë Shqipërinë e vogël dhe modeste ». Shih : Gezim ALPION – Image of Albania and Albanians in English Literature from Edith Durham’s High Albania to J. K. Rowlings Harry Potter, dans : Besa Journal, vol. 6, No. 2, Spring 2002, Cornwall, UK.
.
. (9) Shih : Mariella PANDOLFI – Politiche della memoria e nuovi miti identitari nei Balcani contemporanei: il caso Albania, dans Bonifazi, C. (ed.), Le scienze Sociali e la nuova crisi Balcanica, Monography 11, Rome, Consiglio Nazionale delle ricerche, IRP. 2001.
.
. (10) I pari citohet në : Berit BACKER – Behind the Stone Walls Changing Household Organisation among the Albanians of Kosova, Ed. Dukagjini Balkan books, Peja 2003. ndërkohë, i dyti citohet nga : Albert DOJA – Morphologie traditionnelle de la société albanaise, Social Anthropology, 7, 1, European Association of Social Anthropologists, 1999.
.
. (11) Një nga kontributet më origjinalë të sociologut Bourdieu është koncepi i habitus, i cili shpreh mënyrën sipas të cilës strukturat sociale përpunohen dhe shkruhen në kokën dhe në trupin e njeriut, nëpërmjet një procesi brendëzimi të realitetit të jashtëm. Për shkak të origjinës shoqërore, të përvojave vetiake dhe kolektive, dhe më pas të trajektores sociale, krijohen shpesh në mënyrë të pavetëdijshme prirjet për të menduar, për të ndjerë dhe për të vepruar në një farë mënyre ; pra, bëhet fjalë për predispozim dhe dispozim i kushtëzuar për të brendëzuar një farë realiteti në mënyrë të qëndrueshme. Në këtë mënyrë, është habitusi që shpjegon riprodhimin, shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, të raporteve sociale. Lidhur me Kanunin si habitus, shih : Stéphane VOELL – The Kanun in the City. Albanian Customary Law As a Habitus in His Persistance in the Suburb of Tirana, Bathore. Dans : Anthropos (Sankt Augustin) 98 : 1.
.
. (12) Shih mbi këtë subjekt : Jana ARSOVSKA – The Way forward : Code of (dis)honour and men of (no)respect – the evolution of Albanian OC in Europe and the paradox of moral justification of criminal acts; Thesis, Catholic University of Leuven, Belgium, august 2004.
.
. (13) Eno TRIMÇEV – Organised Crime in Albania : An Unconventional Security Threat, Connections, The Quarterly Journal, Vol. 2, no. 2, june 2003.
.
. (14) Mbi motivet që shtyjnë shqiptarët të braktisin vendin e tyre për të mbrritur me çdo çmim në brigjet e Evropës – bile edhe duke e paguar me jetën e tyre, shih : Erind PAJO – Longing and Belonging : the West as Territory of Nationless in Albanian Cosmologies, Anthropologie of East Europe Review, 19(1), spring 2001.

2 Përgjigje te Krimi, Mafia dhe Kanuni – (4/4) Zhguni kanunor i krimit.

  1. Anonymous thotë:

    Pershendetje Xixa,

    ne fakt shkrimi me pjesen e katert kompletohet dhe duhet lexuar njeheresh si nje i tere.
    E kam fjalen per qe dhe kometi duhet te jete mbi te teren.
    E kalova ne PDF dhe do e rilexoj njeherazi dhe do te mundohem ta komentoj ne privat.

    Pune qe e vlen te ballafaqohet edhe me materiale te tjera.

    Pune e paqme Xixe !

    Koth

  2. xixa thotë:

    Vërejtje fort e drejtë,
    Shkrimi duhet lexuar si një i tërë, ky ishte edhe kuptimi i komenteve tê mia tê mêparshme.
    Përshëndetje Koth.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: