Marksi, von Mises dhe Gëzimi.

. Mes të tjerë përvjetorësh, viti në të cilin gjendemi shënon 190 vjetorin e lindjes të Karl Marksit si edhe 160 vjetorit të çfaqjes së « Manifestit Komunist », veprës të tij më të përmendur. Një rast i përshtatshëm për një varg kritikësh dhe mendimtarësh nga bota mbarë t’i rikthehen njeriut dhe veprës, të analizojnë dhe të rikqyrin realitetin e sotëm ekonomik dhe veçanërisht, atë çka bashkëkohësit e filozofit dhe sociologut gjerman e quanin dikur « çështja sociale ».
.
. E pra, nëse marksizmi u strukturua dhe u zhvillua si lëvizja më influente « në kundërshtim me cenet e shumta të shoqërive kapitaliste të traditës liberale » – sipas shprehjes të filozofit polak Andrzej Walicki, ai u rrudh dhe humbi terren gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX, pikërisht pasi kjo shoqëri kapitaliste mundi të riparonte defektet dhe të zgjidhte problemet e saj. Mjafton të kujtojmë New Deal-in e Presidentit Ruzvelt pas krizës ekonomike të vitit 1929 ; mjafton gjithashtu të sjellim ndërmend rolin e Shtetit-Providencë në Evropën Perëndimore mes dy luftrave dhe pas luftës së Dytë botërore ; apo së fundi Keynesianizmin
.
. Një tjetër filozof polak, Leszek Kolakowski, mendonte se ideja komuniste kish vdekur –bile edhe ish varrosur – që në vitin 1974 : « .. të vetmet mjekime që komunizmi mundi të shpikte – zotërimi i pasurisë kombëtare nga ana e një Shteti të centralizuar që i shpëtonte çdo kontrolli social si edhe rregjimi i partisë unike – janë edhe më keq se sa ato sëmundjet që ai mendonte të shëronte ». Dhe historia duket se i dha të drejtë kur mendon kthesën e Kinës drejt kapitalizmit gjatë viteve 80’, shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989 – dhe bashkë me të, të vetë Bashkimit Sovjetik në 1991.

.
.
. * * *
.
. Në të vërtetë, kritikat ndaj socializmit u ndjenë që në fillim të shekullit të XX. Evropianët e këtyre viteve patën rastin historik të njihen me argumentat e Ludwig von Mises, ekonomist austriak vizionar për kohën, lidhur me dështimin e pashmangshëm të socializmit. Sipas Mises, në mos për gjë tjetër, socializmi do të shembej të paktën për shkak të mungesës të mekanizmave të fiksimit të çmimeve nëpërmjet tregut : « .. për shkak të shkatërrimit të sistemit të çmimeve, paradoksi i planifikimit qëndron në faktin se është e pamundur të hartohet një plan, pasi mungon çdo llogaritje ekonomike. Ajo çka quhet ekonomi e planifikuar nuk është hiç ekonomi. Ajo është një sistem provash dhe eksperimentesh me sy mbyllur ».
.
. Pakkush i vuri veshin këtij mbrojtësi të denjë të kapitalizmit dhe të liberalizmit, të cilit ju desh të braktiste Vjenën për shkak të origjinës të tij çifute dhe të jetonte i vobekët për vite të tëra në SHBA. Megjithatë, ai prej kohësh paralajmëronte se « .. bashkësia socialiste është një grupim i madh autoritar, i karakterizuar nga dhënia dhe zbatimi i urdhrave. Pikërisht kjo është edhe përmbajtja e shprehjeve « ekonomi e planifikuar » dhe « zhdukja e anarkisë së prodhimit ». Struktura e një bashkësie të tillë socialiste përmblidhet fare mirë nëpërmjet krahasimit me ushtrinë ».
.
. Është e kjartë se në shënjestrën e von Mises qëndronte socializmi që po ndërtohej në BS, por në thelb, kritika e tij prekte vetë mendimin marksist, të cilin ai e kqyrte si një « doktrinë të rreme », e mbështetur mbi konceptin e Marksit se, nga njëra anë « struktura logjike e shpirtit është e ndryshme sipas klasave shoqërore të ndryshme » dhe nga ana tjetër, « .. logjika e proletarëve nuk është thjesht një logjikë klase, pasi idetë e kësaj logjike proletare mbeten emanacion i logjikës së pastër dhe të thjeshtë ». Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një ideologji të krijuar enkas, që ja nënshtronte mjetet qëllimit të saj themelor : rrënimit të prestigjit të shkencës ekonomike dhe krijimit të strukture mendimi të natyrës utilitariste, të veshur me petkun e një ligji universal të zhvillimit historik, të aplikueshëm si në shkencat ekonomike dhe në ato sociale.
.
. « Pohimi se interesat e të gjithë proletarëve kërkojnë uniformisht zëvendësimin e kapitalizmit me socializmin, përbën një postulat arbitrar të Marksit dhe të socialistëve të tjerë. Kjo gjë nuk mund të provohet duke deklaruar thjesht se ideja socialiste është emanacion i mendimit proletar dhe si pasojë, sigurisht e dobishme për interesat e proletariatit si i tillë ».
.
.
. * * *
.
. Në se evropianët nuk arritën të bindeshin plotësisht nga argumentat e von Mises, ne kemi Gëzim Tushin, i cili na siguron se « Marksi nuk vjen më… ». Padyshim – dhe aq më tepër në përvjetorin e 125 të vdekjes të filozofit – ai e ka fjalën për marksizmin, pasi sipas tij « .. koha vërtetoi se teoria e tij ishte aksident teorik dhe historik i pakthyeshëm më në këtë botë që po ndryshon progresivisht, marramendshëm, dhe krejt në të kundërt me ato që ka lënë Marksi ».
.
. Për të bindur atë mikun e tij, « njeri i mirë, por politikisht naiv dhe ende nën influencën e kotë të ideve të vjetra » – dhe nëpërmjet tij, ne, lexuesit e tjerë, Gëzimi zotëron një argument të pagabueshëm :
.
. « .. koha moderne e ktheu përmbys ligjin historik të marksizmit, se kapitalizmi më në fund dhe përfundimisht triumfoi dhe i zuri vendin pa revolucion, por në mënyrë paqësore socializmit. Bota po globalizohet dhe po krijon një rend të ri botëror, që nuk ka nevojë për dogmat e vjetra, idetë arkaike të marksizmit. Në këtë botë të mondializuar, edhe e majta moderne është tërësisht antimarksiste dhe nuk ka asgjë të përbashkët me të. Rekuiemi për marksizmin është kënduar përfundimisht. Sepse duam apo nuk duam, kudo në botë bashkë me ne po ecim duke ndërtuar modelin kapitalist, të cilin koha e vërtetoi se ishte modeli social ekonomik më efikas i njohur deri tani. ». Kush mundet t’a kundërshtojë këtë argument të Gëzimit, aq më tepër kur ai thërret në ndihmë edhe një ekip filozofësh dhe shkrimtarësh, që nga gjermani Dahrendorf deri tek spanjolli Ramoneda – duke kaluar nëpërmjet Mishel Fukosë ?
. Megjithëse, siç e pranon edhe ai vetë, deri vonë s’kish mundur të lexonte asgjë prej tyre…
.
. Sidoqoftë, Gëzimi është i sinqertë kur thotë se nuk ishte aspak i qartë në se mundi të bindtte me të vërtetën e tij mikun e dashur. Mbetet të dihet në se ka arritur të më bindë edhe mua, lexuesin e tij – po aq të sinqertë sa edhe ai. Pasi unë i besoj po aq Dahrendorfit sa edhe Habermasit. Në se Ramoneda paskish thënë « marksizmi është aq i keq, sa dhëntë Zoti të mos kthehet më Marksi, sepse, sipas tij, herët e dyta janë më të këqija se të parat », Zhan Pol Sartri ka shtuar se « marksizmi është thjesht një shpjegim adekuat i kapitalizmit ». E pra, unë i besoj sa të parit aq edhe të dytit.
.
. Jam plotësisht në një mendje me Gëzimin kur ai thotë se : « .. dikur të gjithë kemi qenë të instrumentalizuar nga “madhështia teorike” e marksizmit dhe variantit të tij të deformuar në formë banale si enverizmi dhe mendonim se revolucioni do të ishte “lokomotivë e historisë”, apo “çështje të shtruar për zgjidhje”, ngaqë njohuritë tona ishin të karfosura me dhunë brenda kuadrit të dogmës marksiste » sikundër dhe me faktin se Enveri betohej se ishte marksist autentik, në mos i vetmi marksist i vërtetë i kohës së tij. Mirë se Enveri kish lidhje me Marksin, por nuk arrij të kuptoj se ç’lidhje kish Marksi vetë me Enverin, sikundër dhe me Leninin, Stalinin, Çe Guevarën (?) apo me Fidel Kastron.
. A mjafton të citosh Marksin për të qenë trashëgimtar i tij? Cila është përgjegjësia e Marksit për krimet e Leninit, të Enverit apo të Stalinit ? Në se e bëjmë përgjegjës për Revolucionin e Tetorit apo për Revolucionin kastrist, përse të mos bëjmë edhe Zhan Zhak Rusonë, Volterin dhe Didëronë për Revolucionin francez të 1789 – për të mos shkuar më larg ?
. Ose ndryshe : a mjafton të kesh jetuar – dhe vuajtur – nën komunizmin enverian për t’u bërë ekspert në kritikën kundër Marksit – bile edhe pa lexuar veprën e këtij të fundit ?
. Të paktën në këtë pikë, von Mises nuk mund t’i bëhet asnjë kritikë : vepra e tij prej disa mijra faqesh është ngritur pikërisht mbi leximin dhe studimin e veprës po disa mijrafaqesh të Marksit.
.
.
. * * *
.
. Fundja, çka synon ky shkrim, i cili ve Gëzimin në një plan me von Mises dhe me vetë Marksin ? Të paktën, të nënvizojë idenë se ka shkuar ajo kohë kur lexuesi shqiptar mund të merrej për bagëti, i destinuar të ripërtypë mendimet e të parit shkrues lidhur me figura ose fenomene që mbeten jo vetëm të vështira për profanin por edhe të diskutueshme për vetë specialistët. Cila është diferenca mes shkrimit të Gëzimit që bën zhele Marksin dhe marksizmin dhe ato të Enverit që shpartallonte me një të rënë të lapsit, armiqtë e tyre ?
.
. Objektivisht, të duash apo të urresh Marksin nuk pengon aspak të kesh njëkohësisht një vizion të qartë lidhur me atë çka ai përfaqson, lidhur me mendimin e tij filozofik, ekonomik apo social. Sikundër dhe t’i druhesh gabimit si edhe përgjegjësisë. Pasi në të vërtetë, sot ndodh pikërisht e kundërta e asaj që pohon Gëzimi, kur thotë se « .. bota po globalizohet dhe po krijon një rend të ri botëror që nuk ka nevojë për dogmat e vjetra, idetë arkaike të marksizmit ». Mjafton t’i hidhet një sy shtypit, që nga « Financial Times » deri tek « New York Review of Books », që nga « La Républica » e Montevideos deri tek « Asahi Shimbun » e Tokios – pa folur më tej për një « Vzgljad » të Moskës – për t’u bindur se interesi ndaj veprës së Marksit ka dalë rishtas në plan të parë.
. Do s’do analisti shqiptar, procesi i sotëm i mondializimit – një neologjizëm ende i patretur nga gjuha shqipe – ndoshta ka arritur të nxjerrë nga varfëria e tejskajshme me miliona njerëz, por njëkohësisht ka krijuar kontraste të jashtëzakonshme dhe diferenca të pamatshme mes zotëruesve të pasurisë. Mjafton të citohet OKB kur pohon se, në 2006, vetëm 2% e njerëzimit zotëron mbi 50% të pasurisë botërore ndërkohë që gjysma e popullsisë së planetit zotëron më pak se 1% të saj.
. Po qe se i shtojmë këtij konstatimi faktin e acarimit të dukshëm të konflikteve në nivel botëror lidhur me raportet e shkëmbimeve, delokalizimin e vendeve të punës në ato zona apo vende që paraqisin avantazhe ekonomike si edhe përplasjet e ashpra lidhur me zotërimin e burimeve natyrore, përse atëhere njerëzit nuk paskan më nevojë për « idetë arkaike » të Marksit ? Si shpjegohet – brenda arsyetimit të Gëzimit që në vitin 2005, dëgjuesit anglezë të BBC zgjodhën Marksin si « filozofin më të madh të të gjitha kohrave » ? Së fundi, altermondialistëve dhe ekologjistëve nuk ju intereson aq « lufta e klasave apo interpretimi materialist i historisë » se sa gjykimet e tjera të Marksit kur thotë se « natyra është burimi më i çmuar i pasurisë, bile përpara punës, dhe ky fakt fshihet me shumë kujdes nga borgjezia, e cila monopolizon pronësinë mbi tokën.. ».
. Nê të njejtën linjë qëndron edhe historiani britanik Eric Hobsbawm, i cili mendon se “Marksi mbetet pionier i mendimit modern“, sikundër dhe Zhak Attali kur publikon “Karl Marks ose shpirti i botës“.

.
.
. Mendimi i dytë, i cili i shpëton krejtësisht Gëzimit është diferenca thelbësore mes Marksit, marksizmit, socializmit dhe së fundi komunizmit. Por ai mund të ngushëllohet pasi nuk është as i pari, as edhe i vetmi. Të tjerë tërhiqen nga tundimi për t’i atribuar Marksit shprehje të cilat nuk i ka thënë kurrë – siç ishte rasti i I. Kadaresë në një prej shkrimeve të tij të fundit « Historia e Tjetrit ».
. Ndoshta për kollajllëk, ndoshta me induksion – dhe ndoshta nga një formë beninje e injorancës – konceptet e mësipërme njëjtësohen dhe treten tek njëri tjetri, siç është bërë enkas në paragrafin e parë të këtij shkrimi. Por, ndërsa injoranca nuk përbën argument, këtu nuk është as vendi as edhe qëllimi për t’u marë me analizën e diferencave, po aq problematike sa edhe të debatueshme. Ndoshta në këtë pikë, i duhet vënë veshi vetë Marksit që në pleqëri të tij i përsëriste të gjithë atyre që donin t’a dëgjonin : « Unë, nuk jam marksist ».
.
.
. Elementi i fundit dhe më këmbëngulësi përbëhet nga fakti se Gëzimi sikundër shqiptarët e tjerë njohën Marksin dhe marksizmin nëpërmjet komunizmit dhe socializmit të Hoxhës dhe të partisë së tij. Pa ditur aspak – përveç asaj çka kishin dëgjuar apo lexuar – se çka është në të vërtetë kapitalizmi. Por fati e dha « se kapitalizmi më në fund dhe përfundimisht triumfoi dhe i zuri vendin pa revolucion, por në mënyrë paqësore socializmit », pra gjithkush e pa me sytë vet – dhe u bind se ky lloj socializmi, në të vërtetë kapitalizëm i Shtetit, mund të shëndrrohet në kapitalizëm, në atë të privatit. Ndoshta për momentin, ende një kapitalizëm i tipit rrumpallë në gjirin e një shoqërie që ka humbur strukturën e saj të dikurshme, por gjithmonë në tranzicion – pa mundur të krijojë një strukturë të re, të qëndrueshme. Le të shpresojmë pra, të ndërtojmë përfundimisht atë modelin aq të lakmuar kapitalist, këtë « model social ekonomik më efikas i njohur deri tani » – sipas Gëzimit. Dhe me këtë rast, ndoshta do të arrijmë të kuptojmë më së fundi edhe mendimin e Marksit, kësaj rradhe pa marksizëm dhe komunizëm.
. Pasi, duam s’duam, përderi sa do të ketë kapitalizëm, do të ketë edhe Marks.

7 Përgjigje te Marksi, von Mises dhe Gëzimi.

  1. Anonymous thotë:

    Xixa, pershendetje! Ndoshta duhet shtuar edhe nje argument tjeter. Marksi nuk e shikonte ardhjen e komunizmit si te ndihmuar nga revolucioni, por nga industrializimi. Besonte se proletaret nuk do te ishin ne gjendje te ndergjegjesoheshin kurre perderisa i gjithe globi te hynte ne nje periudhe post-industriale, dhe industrializimi te mos i perkiste vetem disa shteteve, e disa shteteve jo, por te gjithave njesoj. Duke qene se ky industrializim mbare-boteror nuk eshte arritur ndonjehere, dhe mbi te gjitha, duke qene se revolucioni Sovjet i 17-es nuk e gjeti Rusine te industrializuar, por 95% agrare, atehere mund te konkludohet se vizioni komunist i deshtuar eshte ai i Leninit, por jo ai i Marksit.

    Gjithe te mirat
    Lulian Kodra

  2. xixa thotë:

    Përshëndetje Luljan,

    Të falemnderoj për komentin dhe për vëmendjen.
    Eshtë e vërtetë që argumenti i përmendur më sipër bën pjesë në atë grup-elementësh që duhen marë parasysh nga cilido kritik, qoftë anti- qoftë promarks. Krahas tij ka edhe të tjerë, më interesanti i të cilëve është vënë në dukje nga filozofi hungarez – ndoshta më i shquari i ditëve të sotme – Gaspar Miklos Tamas. Ky i fundit, ngulmon dhe thotë se Marksi asnjëherë nuk është shprehur se gjendja e proletariatit të shfrytëzuar përbën një ideal në vetvehte dhe për më tepër, doktrina e tij nuk i shërbente drejpërdrejt interesave të lëvizjes puntore. Ishte pra e pashmangshme që kjo lëvizje të shërbehej nga doktrina, duke e çnatyruar atë.
    I vetmi problem është se këto argumenta e tejkalojnë së tepërmi objektin dhe nivelin e shkrimit, qëllimi i dukshëm i të cilit është të krijojë një alternativë përballë shkrimit tjetër si ai i Gëzim Tushit. Eshtë bërë zakon që të tilla shkrime të mbushin gazetat më në zë të vendit dhe të « ushqenjnë » njerëzit me gjysëm të vërteta, apo edhe iluzione, ndërkohë që askush nuk merr mundimin të sjellë mendime të tjera.
    Jam dakord t’a quaj atë opinion të sinqertë të autorit – por kurrsesi një reflektim i pjekur dhe objektiv.

  3. edrus thotë:

    Marksi përdori intuitën për shumë aspekte të realitetit njerëzor dhe raporteve ndërmjet ekonomisë dhe shoqërisë, por nuk arriti të kuptonte se njerëzit kishin aspirata të ndryshme dhe që do të dëshironin ta ndërtonin jetën e tyre me një autonomi ndryshe nga ajo që i ofrohej nga modeli i ofruar prej tij.
    Njeriu i ri, do të ishte në gjëndje të prodhonte fizikisht dhe të shfrytëzonte njëkohësisht aftësitë intelektuale (dhe deri këtu nuk shikoj asgjë të keqe), por që ky njeri nuk do të ishte asnjëherë në gjëndje që të gëzonte diçka më tepër se të tjerët (Dhe këtu fillon e keqja).
    Sepse ajo që thosh Marksi që “Gjithkush sipas mundësive dhe gjithkujt sipas nevojave” do të ishte e domosdoshme në stadin e parë të krijimit të një farë mirëqënie materiale për të gjithë, por kur nevojat materiale të mos ishin më një problem… atëhere do të ishte një fatkeqësi që të vazhdohej të punohej për të mbajtur parazitët dhe për të mos mundur që të realizohej diçka më tepër në nivelin individual, gjë që me kalimin e kohës do ta zbehte vullnetin e “njeriut të ri” për të punuar dhe krijuar, gjë që do të çonte në fallimentimin e atij sistemi

  4. altin topi thotë:

    I dashur Xixa,

    Kur flasim per Maksin, duhet te pyesim veten se ne cfare sensi ishte ai nje shkencetar, apo vepra e tij shkencore. Kjo gje lyp nje pyetje pasuese: sa i perkushtuar ishte ai ne gjurmimin e zbulimin e nxjerrjen ne pah te dijeve objektive, pra aplikimin e metodes shkencore nepermjet kerkimit dhe vleresimit shkencor te te dhenave. Te gjitha biografite e tij, e kane trajtuar parasegjithash Marksin si nje studiues/shkencetar. Ne te vertete ai zhvilloi tiparet karakteristike te nje studiuesi, por te nje lloj studiuesi talmudik. Si nje studiues i tille, ai grumbulloi sasira te konsiderueshme materialesh te papertypura(ose gjysem te pertypura) e kishte plane madheshtore qe te nxirrte punime te tera enciklopedike, te cilat nuk i kompletoi kurre. Sic mund ta lexosh nepermjet rreshtave te cdo punimi te tij, ai tallej e perbuzte te gjithe studiuesit qe i citonte, apo vepren e te cileve kerkonte te rrezonte, me nje siguri e arrogance te pashoq. E gjithe vepra e tij, me teper eshte nje koment i gjate, nje kritike e vepres te te tjereve.

    Tridhjet e kater vjet te jetese se tij i shpenzoi ne Londer, e per te qene me i sakte, ne nje rutine te perditeshme, disa ore ne dite ne sallen e bibliotekes te Muzeumit Britanik, duke kerkuar materiale e mbajtur shenime rreth origjines e rolit te kapitalit. Marksi ne dukje, e kaloi pjesen me te madhe te jetese se tij si nje studiues. Te kujtojme ankimin e tij: – “Jam nje makine, e ndeshkuar te gelltise libra”.

    Tek Marksi, parasegjithash, perziheshin poeti, gazetari e moralisti. Katalizatori qe i ekulibronte keto tre komponente te reaksionit ishte nje vullnet qe nuk haset shpesh. Poeti, gazetari e moralisti, ne shumicen e rasteve rezultonte ne nje imagjinate poetike te ndezur(te kujtojme Manifestin Komunist), qe nuk kishte asgje shkencore, por qe ishte me shume i interesuar te proklamonte te verteten se sa ta kerkonte ate.

    Nuk ka gjasa se vepra e tij te kishte(apo te vazhdohet sot te interpretohet se ka) dicka shkencore, aq me teper te ndertuar mbi metoden shkencore. Po te bazohemi ne gjerat e shkruara nga ai(pra e zeza mbi te bardhe), e te leme menjane sheqerosjet e tjera post-moderne te kripto-marksisteve mbi vizionin e Marksit mbi revolucionin e industrializimin, Marksi nuk ngjan te kete kuptuar se si industrializimi,(e me te kapitali(zmi) ) punon. Sa me eficient te jete industrializimi e teknologjia, aq me shume akses do te kene kapitalistet ne kapitale, duke ofruar kushte me te mira, paga me te larta, legjislacione me te favoreshme per punonjesit e tyre. Sa me efektive te jete nje industri e tille, aq me e leverdiseshme eshte per zoteruesit e kapitaleve, sepse eviton kompeticionin hileqar. Sa me pa kontroll te ekzistoje ne menyren se si perftohen prodhimet, aq me shume kjo nxit perfitimin e paskrupullt…

    Ajo qe me befasoi ne shkrimin e juaj mbi Marksin ishte permendja qe ne titull e von Mises. Interesant, megjithese permendet ne titull, shkrimi vecse rikosheton ne “helmeten” e vepren te Marksit, e merret me shume me “keqperdorjen” e doktrines se tij ne aplikimin e utopise te socializmit nga figura te tilla si Lenini, Stalini, Hoxha, etj. Von Mises eshte marrur shume me Marksin e doktrinen e tij, e Gezim Tushes, patjeter, qe duhet t’i rekomandohet ky titullar i shkolles ekonomike vieneze per t’i dhene ngjyra me shkencore e argumenta me bindese “gazetarise emocionale” te tij, per te ndikuar keshtu sadopak cdo nostalgjik te doktrines te Marksit.

    Ka nje liber te von Mises qe mund te lexohet online(Theory & History – An interpretation of Social and Economic Evolution) botuar nga Yale University. Von Mises i kushton nje kapitull te vecante(chapter 17) Marksit e pikave kryesore te doktrines se tij. Kapitulli sic eshte edhe cdo studim tjeter i von Mises eshte iluminues.

    Nuk e di, por nese Gezim Tusha do ta njihte tashti Marksin nepermjet von Mises, jo thjesht nga regjimi i Hoxhes qe ai perjetoi, do te ishte ne gjendje te kuptonte e te shpjegonte me mire esencen e teorise marksiste, sa afer e sa larg ishte aplikimi i saj ne praktike, do te ishte ne gjendje te argumentonte me mire idene e tij se Marksi nuk mund te kthehet me…

    Gjithe te mirat,
    Altin

  5. Anonymous thotë:

    Z. Topi

    Nuk me duket se jeni i qarte ne argument. Duket se e merrni per te qene faktin se nje metode shkencore e zhvilluar nga nje shkencetar duhet te arrije rezultate nga po ky shkencetar, nderkohe qe mund te thuhet se Marksi ka perfeksionuar metoden e ideuar nga Bacon, por jo nga Descartes. Edhe sikur Marksi te mos e kete kuptuar kapitalin (megjithese me ngjan se nuk e paskeni kuptuar ju Makrsin) metoda e tij shkencore qendron tek historia materiale, materialitet per te cilin mund te thuhet se eshte gjithnje ne fluks, dhe se eshte veshtire ne mos e pamundur te kuptohet definitivisht. Interpretimi sipas Marksit i te dhenave materiale, dhe skepticizmi i tij stilistik, mbetet subjekt sa i kohes kur jetoi, edhe subjekt i vete Marksit. Mirepo nga ana tjeter, metoda e tij shkencore mbetet definitive, me e mireartikuluara dhe me e suksesshmja, me te cilen vazhdon e punohet, dhe vazhdojne e nxirren konkluzione te reja, fundja edhe konkluzione te kunderta nga ato te Marksit, si mund te jene te Von Mises, bie fjala, apo tuajat. Thua vertete do e quajne te sakte kete kuptim te kapitalizmit qe keni shtruar me siper duke perdorur metoden e Marksit, jo me shume se pas 10 vjetesh, apo vetem te sakte per kohen? Eshte interesante te pyesesh se sa i rendesishem eshte Makrsi poet, publicist dhe moralist, (ky titulli i fundit sidomos eshte komplet i mbrapshte, pervecse po te kihet parasysh se tabelat e vleres per Marksin jane vetem ne plan material) por them se forma tek Marksi duhet te drejtohet ndaj nje interpretimi skeptik, ne mos perbuzes, dhe i duhet dhene pak me teper rendesi permbajtjes, sic edhe keshillon vete Marksi per ata qe jane ne gjendje te kuptojne se cdo te thote manifest (shfaqje e jashtme e nje permbajtjeje te caktuar).

    Lulian Kodra

    p.s. “e te leme menjane sheqerosjet e tjera post-moderne te kripto-marksisteve mbi vizionin e Marksit mbi revolucionin e industrializimin.” Terror intelektual, apo mungese argumenti?

  6. xixa thotë:

    I dashur Altin,

    Isha i sigurt që shkrimi i mësipërm do të të tërhiqte vëmendjen, që ai do të çonte më tej një debat të hapur në një shkrim të hershëm, ku implikohej Marksi – nën vështrimin e I. Kadaresë (për mendimin tim të gabuar).
    Po le t’i kthehemi shkrimit – si edhe Marksit, nëpërmjet disa prej vërejtjeve të tua :
    – Marksi studiues talmudik ? Në se « talmudik » përdoret si sinonim i besimit të të parëve të tij, duhet thënë se ai e zotëronte këtë sens, përndryshe s’mund të kuptohet se si një filozof si ai mundi të vendosë « Kapitalin » në themel të teorisë të tij përfundimtare.
    – Marksi « gëlltitës i pangopur librash – dijesh » ? O.K. Por duhet rindërtuar konteksti intelektual që e çoi në këtë rrugë.
    – Marksi shkencëtar ? Megjithëse ti nuk e pranon këtë përcaktim, jam i detyruar të të kundërshtoj.
    Askush, aq më tepër ai që ka kaluar nëpër studime të thelluara dhe serioze të natyrës filozofike, sociale apo së fundi ekonomike, nuk mund të injorojë faktin se Marksi i ri ishte një nga dishepujt më të zjarrtë të Hegelit dhe si i tillë, atij i është dashur të kërkojë gjatë një bazë të qëndrueshme intelektuale për të mbështetur teorinë e Mjeshtrit, e cila veç një Zot e di sa mistike mbetet. Dhe pikërisht, duke kërkuar t’a justifikojë, ai kuptoi – si kërrkush tjetër – se dialektika e Hegelit, nëse mund të interpretohet në planin historik, kish nevojë për një tjetër frymëzim. Nëpërmjet idesë së Fojerbahut – që e ktheu për së prapi, pra me kokën lart (sipas M.). Ajo çka Marksi kuptoi për së mbari ishte fakti se forca lëvizëse e kësaj Historie ishte faktori ekonomik. Dhe ja përse ai u lëshua në fushat e ekonomisë – ku ndonëse profan, arriti jo vetëm të kuptojë dhe të zbërthejë mekanizmin (mallin, punën, vlerën, çmimin..) por edhe të shtojë në të faktorin social. Atë çka ekonomistët e tjerë nuk e kishin parë. Ja përse ju deshën ato vite gërmimesh në biblioteka – me ato disa orë në ditë. Ja përse edhe sot, nuk mund as të mohoet as edhe të injorohet kontributi i tij.
    Për mendimin tim, këtu mbyllet edhe kontributi i mirëfilltë i Marksit – dhe hapet kapitulli fort i diskutueshëm i militantizmit politik. Pasi, më tej se faktori social, ai avancoi në idenë se struktura e kapitalizmit të atëhershëm përmbante në vetvehte edhe farën e shkatërrimit të tij – proletariatin, interesat e të cilit dukeshin se ishin radikalisht të kundërta me ato të patronit.
    Po këtu hapet edhe kapitulli i debatit mes mendimit të tij dhe mendimit të ekonomistëve, duke përfshirë këtu edhe von Mises. Pa harruar se, Marksi vdiq në 1883 dhe çka rrodhi më pas, ai as e kish imagjinuar as ndoshta edhe dëshiruar. Von Mises kritikon një praktikë ekonomike – socializmin e BS, dhe forcërisht kërkon burimin për të shkulur rrënjën. Por ai, si ekonomist që është, bile i shkëlqyer, nuk i intereson as dimensioni social as edhe ai filozofik i Marksit. Këto të fundit, janë të vetmet që ju interesojnë marksistëve të llojit Lenin, qëllimi i të cilëve ishte « transformim i botës ». Pra, gjendemi në plane krejt të ndryshëm debati.
    Sa për alternativën ndaj shkrimit të Gëzimit, besoj se nuk ja vlen të zgjatem…
    Kaq për këtë rradhë, pasi komentet bëhen aq të gjata sa që nuk lexohen më. Besoj se ja vlen të merrem me një tjetër shkrim, të llojit : « Socialismus vs. Liberalism ».
    Përshëndetje dhe së shpejti.

    Xixa

  7. altin topi thotë:

    Xixa & Lulian,

    Arsyeja e nderhyrjes time ishte thjesht nje koment personal rreth shkrimit ne fjale.

    Kurrsesi nuk deshiroj te futem ne nje debat per te cilin besoj se argumentat e ndersjellta asnjehere nuk shterrojne.

    Habija ime qendron pikerisht ne permendjen e von Mises, gje qe per gjykimin tim, do te shkonte ne favor te atyre qe diskretitojne Marksin e marksizmin.

    Xixa, do te ishte me interes nese duke iu referuar von Mises do te mund te na sillje argumenta te mjaftueshme per te krijuar bindje tek lexuesi se Marksi e marksizimi eshte akoma gjalle e me te ardhme.

    Mendoj se nuk duhet te ngaterrojme citimet e botimet e pafund rreth Marksit e doktrines se tij, me aplikimet e te ardhmen e (pa)mundeshme te teorive te tij.

    Xixa, mendoj se do te ishte me interes per ne qe te lexojme, te marresh ne konsiderate von Mises kur shkruan per temen ne fjale sic eshte rasti ne linket e meposhteme.

    http://www.fee.org/pdf/books/marxismunmasked.pdf

    http://mises.org/Books/theoryhistory.pdf

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: