Kosova paslufte – Ground Zero.

Toka e Shenjtë e njërit dhe Palestina e tjetrit përbëjnë
dy faqe të ndryshme të të njejtës dhe të vetmes medalje :
ajo e marrjes së shpagës nga ana një shumice të çliruar dhe
fitimtare, e cila, në emër të historisë ju shkakton të tjerëve po
ato vuajtje që ka hequr vetë, gjatë periudhës së skllavërisë së saj.

Lufta e parë e NATO-s në Evropë kundër Serbisë së Millosheviçit mbetet ende për numër të madh evropianësh një akt i nxituar, i parakohshëm dhe me pasoja të rënda për të ardhmen e kontinentit. Të gjithë kundërshtarët e këtij akti nënvizojnê faktin se, edhe kësaj here, Evropa ju nënështrua vullnetit amerikan për të rivendosur rendin ndërkombëtar në një ekspeditë ushtarake në kufij të hapësirës të Evropës perëndimore, motivet e afishuara të të cilës ishin arsyet morale dhe humanitare.

Çfarëdo që mund të thuhet lidhur me arsyet – ose mbi mungesën e arsyeve – të këtij konflikti, mbi interesat (ose mbi mungesën e interesave) strategjike të evropianëve dhe të amerikanëve në këtë qoshe të Evropës (shënimi 1) ose së fundi lidhur me ortekun e ngjarjeve që rrezikonin të shpërthenin në Ballkan, përpara syve të shqiptarëve ishte luajtur episodi më i papritur i historisë së tyre të shkuar ose të tashme : për herë të parë, një koalicion fuqish – më i fuqishmi i planetit mbarë – kish ndërhyrë ushtarakisht në mbrojtje të të drejtave të tyre. Një Kosovë e çliruar nga sundimi serb ishte një dëshirë e madhe dhe e brendshme e kosovarëve që realiteti brutal e kish reduktuar në nivelin e një fiksioni të pastër ; breza të tërë patriotësh ishin sakrifikuar e vetëm pasi kishin guxuar ta ëndërronin. Vetëm prezenca e një ushtrie të NATO-s mbi tokat e krahinës – me ata 40.000 ushtarakët e saj – përbënte elementin që nuk lejonte të përzihej ëndrra me realitetin. Ky argument me peshë përcaktoi edhe rikthimin e atyre dhjetra dhe qindra mijra rrefugjatësh kosovarë në tokat e tyre, në hullinë e trupave aleate.

Ashtu siç mund të imagjinohej, shpërndarja e dispozitivit ushtarak ndërkombëtar mbi territorin e Kosovës – dispozitiv që nisej nga Shqipëria dhe Maqedonia fqinje, në mes të cilit marrshonte dhe UÇK-ja – kërkoi tërheqjen e menjëhershme të trupave ushtarake dhe policore serbe. Kjo tërheqje mori përmasat e një ekzodi por kësaj here drejt veriut, pasi një numër i madh banorësh serbë të krahinës, mes të cilëve paraushtarakë dhe milicë që kishin marrë pjesë në masakrat kundër civilëve shqiptarë, preferoi të braktiste Kosovën nga frika e reprezaljeve. Përpjekja e rregjimit të Millosheviçit për t’i dhënë fund një herë e mirë irredentizmit shqiptar me qëllim rivendosjen e ekuilibrit etnik në Kosovë kish prodhuar rezultate krejt të kundërta ndaj atyre të menduara : ndërkohë tejet i çekuilibruar në favor të shqiptarëve përpara luftës, tashmë ky ekuilibër u komprometua një herë e mirë dhe në mënyrë të pakthyeshme.

Pamjet e transmetuara nga mediat e botës mbarë gjatë muajve të tërë ishin ato të një pikëllimi të thellë : fshatra të tëra të djegura, gropa të përbashkëta të mbushura me kufoma, njerëz që mundoheshin të gjenin reflekset elementare të një jete nën tenda ose mes gërmadhave.

Sipas raportit të depozuar në nëntor 1999, përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Jugosllavinë, Karla del Ponte, në Kosovë kish patur 11.000 të vrarë dhe të varrosur në gropa të përbashkëta si dhe në vende të tjera të shfarosjes, ndërkohë të repertoruara. Gjatë muajve të para të anketës, ishin shvarrosur 2.100 trupa në 195 gropa të përbashkëta ndërkohë që 6.000 të tjerë prisnin që të kqyreshin në gropa të tjera ende të pa vizituara. Raportet e shtypit dhe tregimet e dëshmitarëve prezent në vendin e ngjarjeve vërtetonin tezën e një programi të shkatërrimit masiv, të menduar dhe të egzekutuar nga forcat serbe në Kosovë. Vrasja ishte një nga elementët e aksionit serb, ndërkohë që një element tjetër ishte dëbimi i dhunshëm i kosovarëve : një million persona u hodhën jashtë kufijve ndërkohë që gjysëm milioni të tjerë u çvendosën brenda krahinës. Në total, 90% e popullsisë shqiptare të krahinës u dëbua me dhunë nga shtëpitë dhe nga tokat e tyre. Me dhjetra mijra shtëpi (ndoshta 40.000) në 1.200 qytete, fshatra dhe qendra të tjera të banuara ishin shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Pamja bëhet edhe më e plotë po qe se shtojmë edhe çfaqje të tjera të aksionit të forcave serbe : vjedhja sistematike e pronës private dhe të tregtoreve, internimet dhe burgosjet e burrave kosovarë në qendrat e burgimit në Serbi, egzekutimet e menjëhershme dhe pa gjykim, shvarrosja e trupave me qëllim shkatërrimin e provave, grabitja dhe dhunimi i femrave, dhunimi sistematik i paanshmërisë mjeksore – duke përfshirë edhe shkatërrimin e disa dhjetra ose qindra qendrave shëndetsore, spitale dhe të tjera farmaci dhe së fundi, konfiskimi dhe shkatërrimi i dokumentave personale të kosovarëve – pasaporta, letrat e njoftimit, titujt e pronësisë etj (shënimi 2).

Të lënduar në shpirt, kosovarët kishin filluar të kuptonin shtrirjen e katastrofës gjenocide dhe i vetmi mesazh shprese vinte nga dridhja e dellit të tyre nacionalist, krenarë pasi ishin të lirë.

Më mirë duhej thënë që kishin hequr qafe ushtrinë dhe policinë serbe pasi bashkësia ndërkombëtare dhe shoqëria civile e porsalindur kosovare nuk ndanin të njejtat përfytyrime lidhur me të ardhmen e krahinës. Duke patur të rrënjosur në shpirt principet e shenjtëruara të Kartës së Kombeve të Bashkuara si edhe përgjegjësinë e tyre përkundrejt ruajtjes dhe sigurimit të paqes ndërkombëtare – aq më tepër në kuadrin tragjik të katastrofës humanitare që kish goditur Kosovës – Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kish përcaktuar edhe suazën e ardhshme politike, brenda të cilës do të zhvillohej vendi gjatë viteve të ardhshme. Bëhej fjalë për Rezolutën N° 1244. Ky dokument përcaktonte një autonomi qenësore për Kosovën, duke patur parasysh termat e Marrëveshjes së Rambujesë si dhe principin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Republikës Federative të Jugosllavisë – nën mbrojtjen e një force ndërkombëtare të sigurimit në vend dhe nëpërmjet administrimit të një force të dytë, kësaj rradhe civile. Me qënëse se forcat e armatosura të NATO-s ndërkohë të instaluara në vend mund të konsideroheshin si forcë siguruese, OKB dërgoi në Kosovë Serxhio Vieira de Mello, i shoqëruar nga një grup administratorësh civilë. Shumë shpejt, kjo shtyllë e parë e ndërhyrjes civile ndërkombëtare do të ndiqej nga tre të tjera : ajo e ndihmës humanitare të popullatës (nën tutelën e UNCHR), ajo e rindërtimit dhe e demokratizimit institucional (me mbështetjen e OSCE) si edhe ajo e rindërtimit material (e përkrahur nga BE). E mbështetur kështu mbi këto katër shtylla, ndërtesa OKBjane mund të ngrinte në të ardhmen pushtetet legjislativë, egzekutive dhe gjyqësore të Kosovës së re.

Më pak se tre muaj më vonë, de Mello i lëshoi vendin Bernard Kushnerit, Përfaqsuesit të ri të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, një rol i zgjedhur sipas talenteve të french doctor – babai të drejtës së ndërhyrjes në punët e brendshme për arsye humanitare. Detyra e tij e parë ishte çmontimi i « strukturave paralele », e thënë më thjesht zbutja dhe çarmatimi i UÇK-së, përpara se të « organizonte dhe mbikqyrte vënien në vend të strukturave të përkohshme për një vetëadministrim autonom dhe demokratik, duke pritur gjetjen e zgjidhjes politike, e veçanërisht përgjatë zgjedhjeve ».

Të përfshirë në zallahinë e papërshkrueshme të rrefugjatëve dhe të përmbytur nga ato qindra shoqata humanitare dhe të tjera organizata jo qeveritare (OJQ) që merrnin pjesë në rindërtimin e vendit në gërmadha (shënimi 3), KFOR-i dhe UNMIK-u mundën të shënonin një pikë të rëndësishme nëpërmjet imponimit të çarmatosjes dhe çmilitarizimit të UÇK. Përballë ngurrimit të shqiptarëve, gjenerali Xhakson dhe kolegu i tij Kushner propozuan një rrugëdalje globale : së pari, të ruhej një pjesë e vogël e efektivave në kuadrin e një force lokale ; së dyti, t’i hapej rruga shëndrrimit të saj në një formacion politik dhe së treti, të sigurohej kalimi i pjesës më të madhe të ish luftëtarëve drejt jetës civile. Të parët që e pranuan këtë marrëveshje ishin ushtarakët e vjetër, të cilët dhe e nënshkruan në 20 qershor. Të inkuadruar nga instruktorët e NATO-s, atyre ju desh të shkëmbenin rrobat laramane të luftëtarëve të maleve me uniformën më diskrete të TMK – Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, një trupë prej 3.000 ushtarakësh të përhershëm dhe 2.000 rezervistësh, e armatosur fare lehtë dhe e destinuar përgjithësisht për të kryer misione të natyrës civile. Për të pafatët mbetej një rrugëzgjidhje e fundit : gjysma e vendeve të Shërbimit Policor të Kosovës (KPS) – një trupë e re nën urdhrat e policisë ndërkombëtare të UNMIK-ut.
Përsa i përket elementëve më të politizuar të UÇK-së, ata u grupuan nën drejtimin e Hashim Thaçit dhe në tetor të vitit 1999, shpallën krijimin e një formacioni të ri politik – Partia për Prosperitetin Demokratik të Kosovës (PPDK), e cila në vazhdim braktisi anën e saj « të begatë » për tu shëndrruar thjesht në në parti Demokratike të Kosovës (PDK).

I pari forum konsultativ ndërbashkësior, i krijuar nga ana e OKB në Kosovë, qe Këshillit të Tranzicionit të Kosovës (CTK) (shënimi 4). Ai mblidhte forcat kryesore shqiptare të krahinës – PPDK (2 përfaqsues ndër të cilët Thaqi), LDK (2 përfaqsues ndër të cilët Rugova), LBD (2 përfaqsues ndër të cilët Qosja) – përfaqsuesit e pakicës serbe (2), përfaqsuesit e pakicës boshnjake (1) si dhe turke (1) dhe së fundi 2 personalitete të pavarura. Rugova këmbënguli për të mos marrë pjesë në seancat e CTK-së pasi, sipas tij, Këshilli kish injoruar egzistencën e partive të tjera sipër shembull Demokristiane. Disa ditë më vonë, ishin përfaqsuesit serbë që braktisën Këshillin në shenjë proteste kundër persekutimeve ndaj të cilat ata ishin ekspozuar. Duhej pritur fundi i muajit gusht 1999 për të parë CTK të mbledhur me të gjithë antarët e tij. Në shtator ishte rradha e Thaqit që të bojkotonte seancat për të protestuar kundër zgjidhjeve « arbitrare » të UNMIK-ut si dhe të persekutimeve kundër personit të tij. Vetëm në dhjetor, Kushneri mundi të mbledhë udhëheqësit shqiptare rreth një tryeze për t’ju njoftuar shkrirjen e CTK-së së vjetër dhe krijimin e një Këshilli Administrativ të Përkohshëm (CAI) më të ngushtë, si pjesë përbërëse e një Strukture Administrative të Përkohshme të Bashkëngjitur (SAIJ).

Ndërkohë, roli gjithnjë e në rritje i Thaçit në gjirin e Këshillit të Tranzicionit dhe në mënyrë të veçantë marrja e pozave të tij në rolin e « Kryeministrit » të përkohshëm të një qeverie të vetëshpallur, pezmatuan thellë shokët e tij të vjetër guerrilas. Duke ndjekur shembullin e Bardhyl Mahmutit, i cili ishte i pari që braktisi barkën UÇK, duke krijuar në korrik të vitit 1999 partinë e vet të Bashkimit Demokratik (PBD), dy formacione të tjera politike panë dritën e diellit. Në maj të vitit 2000, një ish-komandant i UÇK, Naim Maloku shpallte krijimin e partisë së tij të Qendrës Liberale (PQLK), dhe me këtë rast ai shprehte edhe synimin që të realizonte një afrim me të moderuarit e Rugovës dhe të maturit e Thaçit. Ndërkohë, një tjetër ish-komandant i UÇK, Ramush Haradinaj shpallte krijimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila tërhoqi me këtë rast gjithë « krahun e majtë » të PDK.

Në maj të vitit 2000, aleanca e Haradinajt përmblidhte disa parti të vogla radikale që ndërkohë kishin braktisur kampin Thaqi. Artizani kryesor i rikompozimit të « të majtës » kosovare ishte Partia Revolucionare Shqiptare (PRSH), një formacion enverist i krijuar në vitin 1992 që qëndronte në kontradiktë të hapur me UÇK-në lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë. Projekti i saj fillestar për të krijuar një hapësirë ballkanike shqiptare nëpërmjet një « Fronti Kombëtar Shqiptar i Përbashkët » u braktis përballë ngurrimit të lëvizjeve të tjera të ngjashme të cilat ishin të mendimit të krijohej një « Front i Bashkuar i të Majtës ». Keto të fundit qenë formacione të vjetra ilegale siç është rasti i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) – e rishkrirë pas vetëshpërndarjes së LPK originale në qershor të vitit 1999, Lëvizje Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), partia Parlamentare e Kosovës (PPK), Partie e unitetit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB) dhe së fundi Partia Republikane Shqiptare (PRSH) – e cila nuk duhet ngatërruar me tjetrën PRSH revolucionare (5).

Sidoqoftë kompromisi fillestar mes strukturave OKBjane dhe UÇK-së tregoi shpejt kufijtë e vet. Duke përfituar nga mungesa e qëllimshme e LDK në gjirin e instancave të qeverisjes së përkohshme të Kosovës dhe nga vetë fakti që UNMIK-ut i mungonin burimet e mjaftueshme njerëzore dhe logjistike për t’u shtrirë mbi territorin e krahinës, partia e Thaçit vuri nën kontrollin e saj ato 27 komunat ku shqiptarët përbënin shumicën absolute. Ky çekuilibër i hapur mes raportit të forcave politike dhe atyre egzekutive favorizoi mes të tjerash shpërthimin e një vargu të gjatë aktesh dhune të ushtruara ndaj shtresave më pak të mbrojtura të popullsisë dhe s’ish për t’u habitur nëqoftë se viktimat e para të kësaj fushate të ishin pakicat serbe dhe rome të krahinës. Pasoja tjetër ishte kriminalizimi i disa segmenteve të shoqërisë kosovare që, duke përfituar nga mungesa e presionit ligjor dhe nga situata politike e krijuar, u implikuan në një varg trafiqesh fitimprurëse. Përsa i përket Lidhjes së Rugovës, asaj ju desh të paguante shtrenjtë çmimin e qëndrimit të saj abstenues : një numër i militantëve të saj duke përfshirë edhe disa përgjegjës të lartë mbetën viktima të atentateve dhe të vrasjeve që nuk mundën të zbardhen kurrë.

Ky shpërthim dhune në nivelin lokal u shoqërua edhe me incidente të rënda në zonat kufitare të Kosovës. Turbulencat e para u sinjaluan që në vjeshtën e vitit 2000 në luginën e Preshevës, në territorin e Serbisë lindore -në një rajon ku jetonte një pakicë mjaft e rëndësishme shqiptare. Në të vërtetë, një formacion i ri ushtarak, Ushtria Çlirimtare e Presheves, Medvegjës dhe e Bujanovcit (UÇPMB) – deklaroi implikimin e vet në vrasjen e disa civilëve serbë dhe shqiptarë, të dyshuar për bashkëpunim, përpara se të sulmonte objektet ushtarake të ushtrisë serbe. Disa mijra rrefugjatë u hodhën në Kosovë dhe në Maqedoni – një epizod i ri i atij ekzodi të filluar në korrik të vitit 1999. Duke ju druajtur një përhapjeje të konfliktit në zona të tjera të Ballkanit, KFOR-i i cili numëronte tashmë 50.000 vetë, të ardhur nga 30 vende të ndryshme të botës, ndërhyri në mënyrë energjike dhe bllokoi kufijtë lindorë të Kosovës ndërkohë që ndërmerrte një varg bastisjesh në komunat e zonës në kërkim të armëve të fshehura. Vatëm një marrëveshje mes rrebelëve të UÇPMB dhe autoriteteve serbe, nën mbikqyrjen e forcave ndërkombëtare si dhe me ndërmjetësimin e Thaçit, mundi t’i japë fund këtij konflikti. Ndërkohë vatra e tensionit ishte çvendosur drejt Maqedonisë.

Që në janar të vitit 2001, zonat e Maqedonisë perëndimore u përfshinë në një dinamikë të re trazirash të brendshme të shoqëruar me akte dhune. Tashmë një UÇK e re (Ushtri e Çlirimit po e po por kësaj rradhe Kombëtare) u hodh në një varg aksionesh të armatosura kundër pushtetit të Shkupit, në përgjigje të « shtypjes të egër të ushtruar mbi pakicën shqiptare nga ana e FYROM-it ». Pas ndërhyrjes së ushtrisë së rregullt maqedonase dhe në vazhdim të ofensivave dhe kundër-ofensivave reciproke që shkaktuan disa qindra viktima dhe disa dhjetra mijra rrefugjatë të rinj gjatë periudhës mars – korrik 2001, NATO vendosi të ndërhyjë duke dërguan njësitë e saj në territorin maqedonas në rolin e forcës distancuese. E parë nga larg, nuk linte pikë dyshimi që zhvillimet e reja në mjedisin shqiptar të Ballkanit kishin një lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me Kosovën si dhe me UÇK-në e vjetër, që pas « shkrirjes » të saj kish nxjerrë në tregun e punës gati 20.000 veteranë të luftës të çmobilizuar.

Sipas pikpamjes të administratorëve ndërkombëtarë, kjo situatë ishte rrjedhim i egzistencës të « strukturave paralele », të trashëguara nga e kaluara dhe tepër aktive në territorin e Kosovës : fillimisht ishte « Qeveria e Përkohshme e Kosovës » e PPDK me « Kryeministrin » e vetëshpallur Thaçi ; pastaj vinte « Parlamenti i Republikës së Kosovës » i kontrolluar nga LDK me « Presidentin » e saj Rugova, pa llogaritur më tej « këshillat bashkiake», të zgjedhura në zonat homogjene serbe. Sejcila prej tyre dispononte infrastrukturën e saj, fonde të vetat deri edhe milici të vetat. Por, pika që mbushi dhe derdhi gotën ishte mbajtja e një sesioni të « Parlamentit të Kosovës » në Prishtinë, në 31 janar 2000, në të njejtën ditë kur UNMIK-u deklaronte vendimin e tij për të shpërndarë të gjitha « strukturat paralele ». Kjo instancë që nuk ish mbledhur kurrë që prej krijimit të saj në vitin 1991, pati rastin të kqyrë « paradën » e Presidentit të tij Rugova dhe të dëgjojë një raport pune të « Kryeministrit » Bukoshi, i shoqëruar nga të gjithë antarët e « qeverisë » së tij në mërgim. Sigurisht, ky manifestim i forcës legjislative të LDK-së u kritikua me zjarr nga antarët e CAI, ndërkohë që Përfaqsuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (RSSG) u detyrua të ndërpriste punimet e CAI-së dhe të SAIJ-së për të detyruar Rugovën dhe Bukoshin që të hiqnin dorë publikisht nga titujt e tyre respektivë. Përsa i përket fondeve të « Republikës së Kosovës », Bukoshi nuk pranoi t’i vinte në dispozicion të UNMIK-ut deri në krijimin e një Fondacioni, i cili përfundimisht u ngarkua me administrimin e tyre.

Duhet zhbërë e kaluara me qëllim që të ndërtohej sa më mirë e tashmja – ja edhe metoda UNMIK, e cila mbështetej në riekuilibrimin e pushtetit egzekutiv ndërkohë që shpallte pavlefshmërinë e sistemit ligjor të vulosur nga Millosheviçi, si pasojë e anullimit të statusit të dikurshëm të Kosovës. Me fjalë të tjera, nga pikpamja ligjore, Kosova rikthehej prapa – në gjendjen që ndodhej në atë vitin e paharruar 1989. Ishte një veprim i guximshëm dhe i domosdoshëm pasi nga njëra anë kjo strategji tërhiqte vëmendjen – dhe mirënjohjen e forcave politike shqiptare – ndërkohë që nga ana tjetër, ajo vendoste kushtet e nevojshme ndaj funksionimit të Strukturave Administruese të Përkohshme të Përbashkëta. Këto të fundit, të përbëra nga personeli ndërkombëtar dhe ai kosovar, duhej të vepronin sipas parimit të bashkëpërgjegjësisë. Arbitrariteti i plotfuqishëm ndërkombëtar i linte kështu vendin dualizmit administrativ.


———————————

(1) Shih : Ignacio RAMONET – Raisons et déraisons d’un conflit, në : La nouvelle guerre des Balkans, Le Monde Diplomatique, mai-juin 1999. Nënvizojmë mes të tjerash që sipas Ceroviç, ndërhyrja ushtarake e forcave të aleancës pasqyron një vullnet të hegjemonisë amerikane mbi Evropën nëpërmjet NATO-s, sipas një mendimi tipik të revanshit të çliruar nga personalitete të tilla politike si Brzhezinski ose Ollbrajt. Shih : Stanko CEROVIC – Dans les griffes des humanistes, Éd. Climats, Castelnau-le-Lez, 2001..

(2) Për detaje të tjera shih : Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting, U.S. State Department Report, December 1999.

(3) Sipas shifrave të publikuara nga Kombet e Bashkuara, gjatë fazës së kthimit të rrefugjatëve dhe dimrit që vijoi, popullsia e Kosovës përfitoi 160.000 tonë ndihmë ushqimore, 60 tonë rroba të ndryshme, 87.000 m3 dru për ngrohje, 55.000 montazhe strehimesh urgjence ose tenda, 45.000 soba ngrohjeje si edhe 4.200 strehime me çati të vërtetë, pa llogaritur përpilimin e një programi të tërë të rindërtimit që duhej të lejonte rikthimin në të banueshme të shtëpive të dëmtuara (120.000 shtëpi të prekura, 50.000 të pariparueshme dhe 50.000 të dëmtuara mbi 50%) Shih : Eric CHEVALLIER – L’ONU au Kosovo : leçons de la première MINUK, Occasional Papers, N° 35, Institute for Security Studies, UE, mai 2002.

(4) Shih : Marcus BRAND – The development of Kosovo Institutions and the Transition of Authority from Unmik to Local-Self Government, Center for Applied Studies in International Negotiations – CASIN Mission Statement, Geneva, january 2003.

(5) Shih mbi këtë subjekt : Andrea FERRARIO – le forze politiche eredi dell’UÇK, rassegna delle forze politiche kosovare dopo le elezioni amministrative, settembre 2000; dans : http://www.ecn.org/balkan/0009kosovaerediuck.html.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: