Kosova paslufte – Dilemat e politikës.

Toka e Shenjtë e njërit dhe Palestina e tjetrit përbëjnë
dy faqe të ndryshme të të njejtës dhe të vetmes medalje :
ajo e marrjes së shpagës nga ana një shumice të çliruar dhe
fitimtare, e cila, në emër të historisë ju shkakton të tjerëve po
ato vuajtje që ka hequr vetë, gjatë periudhës së skllavërisë së saj.
« Kosovarizimi » i strukturave administrative – krijimi i rreth njëzet departamenteve qeverisëse si dhe i rreth tridhjetë administratave komunale – zgjoi fërkimet dhe kontradiktat mes forcave politike lokale, ndërkohë të përfaqsuara në CAI. Ideja e investimit të njerëzve të tyre në përgjegjësitë egzekutive donte të thoshte vendosja e gurëve partiakë në fushën të shahut të pushtetit të ardhshëm, ndikimin e vendimeve në drejtimin e pëlqyer të partive politike. Por raportet aktuale të forcës ishin mbështetur në rradhë të parë mbi forcën e pastër, atë të armëve, në vend që ato të ishin raporte të ndikimit politik. E vetmja rrugë e arsyeshme në këtë stad zhvillimi të shoqërisë kosovare ishte rivendosja e ekuilibrit të forcave politike, fort i komprometuar pas depërtimit të partive « nacionaliste », pjella të UÇK-së. Vetëm një ekuilibër i dalë nga kutitë e votimit zotëronte fuqinë për të emancipuar bashkëbiseduesit politikë – duke i i rikthyer sejcilit peshën e tij reale. Kështu mund të diferencoheshin bartësit e një projekti politik afatgjatë, në përputhje me pikpamjet ndërkombëtare dhe të ndjeshëm ndaj problemit të pakicave kombëtare. Si përfundim, të përcaktoheshin ata më përfaqsuesit e shoqërisë kosovare, që zotëronin njëkohësisht frymën e bashkëpunimit si dhe lakueshmërinë e nevojshme ndaj kërkesave të kohës.
Një hap drejt kthimit në ekuilibër në nivelin territorial ishte hedhur me rastin e zgjedhjeve lokale të tetorit 2000, gjatë të cilave kishin dalë në pah tre forcat më të rëndësishme politike të krahinës. Me 58% të votave, LDK tashmë kontrollonte plotësisht 22 komuna nga 30 që llogariste Kosova ndërkohë që, me 27,3% të votave, PDK mundi të kontrollonte vetëm 5 komuna. Përsa i përket, AAK, megjithë ato 7,7% të votave të fituara, nuk kish mundur të merrte asnjë komunë. Ndoshta ishte suksesi i zgjedhjeve lokale, ndoshta euforia e pasluftës… sidoqoftë, e interesuara kryesore, LDK, s’mundi të bënte një bilanc të egzistencës së saj dhjetëvjeçare dhe, ç’është më e rëndësishmja, të krijonte një vizion të ri të jetës politike të Krahinës, tashmë jashtë kontrollit të Serbisë dhe, deri diku, jashtë kontrollit të vetë Lidhjes dhe Rugovës.
Në vigjilje të goditjeve ajrore aleate mbi Jugosllavi, Lidhja Demokratike administronte praktikisht e vetme skenën politike kosovare. Megjithë përpjekjen e dukshme të lëvizjes së Rugovës për të krijuar një imazh pluralist të « parlamentit » fantomatik të Kosovës, nëpërmjet aplikimit të ndarjes së « pushtetit » me partitë e tjera minoritare – partia Social-Demokrate (PSDK), Demokristjane (PDK) dhe liberale (RLK), politika mbetej gjithësesi çështje e personaliteteve të fuqishme të tipit Rugova, Qosja ose Demaçi. Personazh kyç i skenës politike të Kosovës, Demaçi zotëronte një vështrim të ndryshëm të të ardhmes së Kosovës si dhe të Ballkanit, veçanërisht duke predikuar krijimin e një konfederate ballkanike. I afërt me UÇK, përgjegjës politik i të cilit ai mbeti deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, Demaçi u bashkua përfundimisht me partinë Parlamentare të Kosovës (PPK). Partizan i « Shqipërisë së Madhe », Qosja u ngjit në krye të lëvizjes së opozitës të brendshme të LDK dhe krijoi Lëvizjen e Bashkimit Demokratik (LBD), në 6 tetor 1998, gjë e cila shpjegon edhe qënien e triptikut LDK-UÇK-LBD gjatë bisedimeve të Rambujesë. I detyruar nga rrethanat dhe i bindur nga amerikanët që të merrte pjesë në Rambujé, Rugova tregoi një profil tepër modest : ai pranoi njëherësh që t’i linte vendin e parë Thaçit në këto bisedime si dhe të merrte pjesë në gjirin e një « qeverie » provizore, gjithmonë nën drejtimin e UÇK-së. Paradoksalisht, ndërhyrja në shkallë të gjerë e trupave serbe në krahinë rrënoi plotësisht politikën tradicionale të LDK : ndërkohë që « Presidenti » ishte i detyruar të qëndronte në arrest shtëpijak dhe Qosja largohej nga krahina në mes të një kolone rrefugjatësh, një pjesë e bashkëpuntorëve të tij mes të cilëve edhe Hydajet Hyseni u futën në rradhët e UÇK-së. Mbështetja tashmë e vështirë e Rugovës u dobësua edhe më tej pas vrasjes së bashkëpuntorit të tij më të afërt Fehmi Agani, që ndodhi disa ditë pas ikjes së Presidentit kosovar në Romë. Zhdukja e këtij konstitucionalisti të aftë që kish punuar me intensitet drejt bashkimit të rrymave të ndryshme politike kosovare thelloi edhe më tepër hendekun mes LDK-së dhe UÇK-së. Pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, Rugova hezitoi disa javë përpara se të ndërmerrte udhëtimin e kthimit. I brohoritur nga partizanët e tij por i kritikuar rreptë nga shtypi kosovar, i cili e cilësonte si « një baba i mirë por një President i keq », ai u largua rishtas nga vendlindja veçse disa orë më vonë (shënimi 1).

Vetëm tre komunat veriore të kontrolluara nga serbët (Leposaviq, Zubin Potok et Zveçan) i shpëtuan « valës shqiptare ». Meqënëse rezultatet nuk ishin quajtura të vlefshme për shkak të një pjesëmarrjeje të pamjaftueshme të zgjedhësve, UNMIK-u kish ndërhyrë në rrugë administrative për të caktuar këshillat komunale.
Kalimi i autoritetit drejt organeve lokale vetëqeverisëse ishte edhe kantieri i fundit i ndërmarrë nga Kushneri i cili, me sa duket i lodhur dhe i konsumuar, u largua nga Kosova në janar të vitit 2001. Sidoqoftë përpara se të largohej, Kushneri kish vënë në shina një kantier tjetër tepër të rëndësishëm : përpilimin e projekt Kushtetutës, elementin kyç të procesit të vetëqeverisjes së Kosovës. Dokumenti duhej të mbështetej mbi parimet e përputhjes së plotë me Rezolutën 1244 : respekti i standardeve demokratikë, të të drejtave të njeriut, të barazisë mes shtetasve dhe të pakicave etnike dhe së fundi, të mbretërimit të Ligjit. Sipas Kushnerit, ky « pakt »– OKB preferonte t’a quante « kontratë » ndërkohë që për kosovarët mbetej gjithmonë « Kushtetutë » – synonte të vendoste në vend pushtetin legjislativ dhe të përcaktonte kufijtë e pushtetit egzekutiv. Zgjidhja e kësaj çështjeje delikate, e udhëhequr nga një komision i përbashkët mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe atyre kosovarë, u prit me padurim nga UNMIK-u, nga forcat politike të krahinës dhe nga shoqëria civile kosovare, nga qeveria e Beogradit dhe nga « Grupi i Kontaktit » pasi sejcili mundohej të impononte pikpamjet e tij.
Mbrritja e administratorit të ri të krahinës, danezit Hans Hakerup hodhi një hije të ftohtë mbi këtë aventurë aq pasionante : çështja kaloi në duart e një grupi tepër diskret këshilltarësh të cilët mënjanuan çdo mundësi « infektimi » nga ana e të interesuarve të drejpërdrejtë. Në këtë mënyrë, propozimet e kampit kosovar që frymëzoheshin nga koha e « Kushtetutës së Kaçanikut » u refuzuan me dashamirësi ; po ashtu edhe vërejtjet që vinin nga Beogradi kaluan në sitën e grupit të punës. Përfundimisht, Hakerupi nënshkroi në 15 maj 2001 variantin përfundimtar të projektit (shënimi 2), duke hapur në këtë mënyrë rrugën drejt zgjedhjeve legjislative të nëntorit 2001. Ndërkohë, departamentet administrative ishin shëndrruar në departamente të tranzicionit – nga njëzet ato kishin përfunduar në gjithsej dhjetë – të gatshme për të pritur titullarët e tyre lokalë. Nga ana tjetër, UNMIK-u ruante kompetencat e tij pothuaj të plota në fushat e administratës lokale, të çështjeve juridike, të medias sikundër dhe në atë të marrëdhënieve me jashtë.
Zgjedhjet e para legjislative të pasluftës shënuan një sukses « të padiskutueshëm » sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtares sikundër dhe një sukses « të madh » për LDK e cila morri pothuaj 46% të votave (shënimi 3). Sidoqoftë, partisë së Rugovës ju desh të zbriste pêrfundimisht në tokë – dhe të harronte rezultatet e saj të paapelueshme prej 90%, të arritura gjatë zgjedhjeve klandestine të vitit 1998 – ndërkohë që vetë Rugovës ju desh të kalonte nëpërmjet aleancave për t’u zgjedhur President. Në të vërtetë, asnjë kombinacion politik – përveç një aleance krejt të pamundur me partitë serbe – nuk i lejoi që të realizonte shumicën prej dy të tretash të deputetëve, të kërkuar nga Kushtetuta e Përkohshme ; ai s’mundi të realizonte as edhe shumicën e thjeshtë gjatë dy tureve të zgjedhjes në parlament, në janar 2002. Rugovës i mbetej vetëm një rrugëzgjidhje : kompromisi. Pas muajsh të tërë sorollatjesh dhe i vënë nën presionin e administratorëve të paduruar OKBjanë, u lidh një deal mes tre forcave politike kryesore të parlamentit – LDK, PDK dhe AAK – e ashtuquajtura, Marrëveshja mbi Presidentin dhe qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje lejoi të zgjidhej një Kryeministër që i përkiste PDK, i cili si shpërblim duhej të mbështeste zgjedhjen e Rugovës në postin e Presidentit. Përfundimisht, në 4 mars 2002, Kuvendi zgjodhi Presidentin e parë të pasluftës dhe caktoi si Kryeministrin Bajram Rexhepin, mjek dhe ish-kryetar bashkie i Mitrovicës – një i moderuar nga rrethi i afërt i Thaçit. Me caktimin e ministrave, UNMIK-u kish realizuar dhe transferimin e « përgjegjësive administrative » por jo të « autoritetit egzekutiv ». Me fjalë të tjera, administrimi i krahinës ende notonte në një mjergull artistike, të ushqyer nga njëra anë nga Rezoluta e famshme 1244 dhe nga ana tjetër nga vullneti i OKB-së për të ruajtur të drejtën e « vështrimit ndërkombëtar mbi kapacitetet e drejtimit » sikundër dhe kontrollin e saj mbi « disa funksione ». Dualizmi administrativ i kish lënë vendin tranzicionit qeveritar.
Ndërkohë, Hakerupi i thirrur gjetkë, i kish lënë vendin amerikanit Çarls H. Brejshou, i cili shumë shpejt i kaloi stafetën gjermanit Majkëll Stejner. Edhe klasës politike kosovare ju desh të rishikonte planet dhe të vihej me hapin e kohës pasi nga njera anë mjedisi politik i Beogradit kish ndrruar dhe nga ana tjetër, të dhënat fillestare në terren ndryshonim me një shpejtësi marramendëse. Zgjedhjet lokale të tetorit 2002 dëshmonin për një çinteresim gjithmonë në rritje nga ana e zgjedhësve sikundër dhe një gërryerje të bazës elektorale të LDK, veçanërisht në ato zona ku lufta kish bërë dëme më tepër se gjetkë. Gjatë përballjes me PDK, formacioni politik i Rugovës dilte fitimtar me shumicë absolute vetëm në 11 komuna ; në 7 të tjera ajo arrinte të siguronte pushtetin vetëm nëpërmjet koalicioneve të rastit – bile të ngritur me partitë e pakicave kombëtare. Si përfundim, gjatë periudhës 2000 – 2002, LDK pësonte disfatë të rëndë në 9 komuna dhe humbiste terren – nga 10 deri 19 pikë – në 26 komunat shqiptare (gjithsej 30). Rivali i saj i drejtpërdrejtë PDK ruante 6 komunat e zonë së Drenicës, djepi historik i UÇK ; në 4 komuna, ajo përbënte shumicën absolute ndërkohë që dy të tjerat i ruante falë gjëndjes së saj si forcë kryesore. Zaten, në rang krahine PDK realizonte rezultate të ngjashme me ato të zgjedhjeve të mëparshme – 30% përkundrejt 27% në vitin 2000 – ndërkohë që avanconte dukshëm në shtrirjen e saj territoriale – në 15 komuna, ajo realizonte deri 10 pikë më tepër. E papritura vinte nga AAK, e cila realizonte rezultatin e saj më të mirë – një prezencë të fuqishme në 3 komunat e rajonit të Dukagjinit që përbënte edhe bazën e saj zgjedhore. Por fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve ishin partitë e pakicave që në bllok realizonin 15% të votave, duke përfshirë edhe zgjedhësit serbë që morrën pjesë për herë të parë në zgjedhjen e përfaqsuesve të tyre në 5 zonat e mbrojtura ku përbënin shumicën e popullsisë (duke shtuar edhe Novo Brdon et Strpcen në numrin e komunave të tyre). Në mënyrë të dukshme, procesi i demokratizimit, i vendosur me rastin e zgjedhjeve të para vendore të vitit 2000, kish filluar të jepte frutet e tij : nëpërmjet riekuilibrimit të forcave në terren, ai i hapte rrugën konkurrencës mes formacioneve politike në gjirin e pushtetit lokal.
Beteja elektorale në të cilën partitë politike shqiptare ishin hedhur me forca të shumëfishuara mezi fshihte një realitet të hidhur që bezdiste, një pyetje që shqetësonte cilindo : Cili do të ishte statusi i ardhshëm i Kosovës ? Edhe më teveqeli i zgjedhësve mund të shihte kjartë që lidhur me këtë subjekt, të gjitha partitë politike shqiptare afishonin ambicje analoge, të cilat shprehnin dëshirën e përgjithshme të shumicës dërrmuese të trupit elektoral. Nëse çfaqeshin tendenca qëndërikëse, ato motivoheshin nga mënyrat e ndryshme të perceptimit të këtij realiteti, nga llojshmëri të natyrës doktrinare të lidhura me të kaluarën, nga variantet e kulturës politike që dominonte në rradhët e tyre dhe së fundi, nga imperativa të natyrës materiale. Në këtë stad të zhvillimit të jetës politike, çfaqja e mosmarrëveshjeve mes partive i bindej një logjike partizane, e udhëzuar që prej kohësh dhe që synonte veç në mënyrë indirekte rimëkëmbjen e vlerave të tilla sikundër demokracia, qytetaria ose respekti i diferencave – që gjithmonë i kanë munguar botës ballkanike që është e tyrja. Ndërkohë që realiteti i përditshëm kërkonte që të propozonin zgjidhje ndaj problemeve tepër të prekshme dhe të përditshme si papunësia, pasiguria, kriminaliteti ose edhe degradimi i kushteve të jetesës, që të gjitha partitë politike – pa asnjë përjashtim – tregonin me gisht këtë status si përgjegjësin kryesor të të gjitha të këqiave. Asgjë s’mund të zgjidhet pa një status të përcaktuar, askush nuk ngutet për të zgjidhur çështjen e statusit – kjo strategji tepër komode, e adoptuar nga aktorët politikë kosovarë i vendoste këta të fundit jashtë realitetit konkret dhe i pajiste me një përmasë profetike.
Ndërkohë, popullsia e Kosovës, e mbytur nga akumulimi i vështirësive të përditshme, e përhumbur nga mungesa e perspektivave ekonomike në horizont, e zhgënjyer nga ngadalësia dhe nga dualizmi i institucioneve, e shastisur nga shpërthimi i pabarazive sociale dhe nga akumulimi i pasurisë në duart e disa « fatlumëve » u vu në kërkim të dashit të kurbanit. E shtytur nga një rini e shumtë dhe e ngeshme – e mëkuar që në djep me mitin e UÇK – krahina i ngjante tenxheres me presion, gati për të shpërthyer me goditjen më të vogël. Mjaftoi një zhurmë, disa dyshime dhe pak shenja që dhuna të frymëzojë turmën në mars të vitit 2004, duke prodhuar një goditje të tmerrshme : 11 të vrarë mes shqiptarësh dhe 8 mes serbëve, 950 të plagosur, 935 shtëpi dhe ndërtesa publike të dëmtuara ose të djegura, pa llogaritur ato tridhjetë kisha, 4.000 serbë dhe romë të çvendosur drejt zonave të mbrojtura nga forcat e KFOR-it (shënimi 4). Përballë valës së indinjatës të ngritur në mbarë botën, burrat politikë lokalë ndoshta mundën të kuptonin se sa e rrezikshme ishte të manipulonin një lëndë të tillë plasëse.
Megjithatë, ishte rasti që ata të kqyrnin në sy realitetin : atë të një krahine të banuar në 90% të saj nga shqiptarët, ku banojnë gjithashtu – me hir ose pahir – pakica kombëtare serbe dhe malazeze, romë dhe ashkalinj, turq dhe boshnjakë ose dhe goranë, të cilët së bashku bëjnë apo nuk bëjnë 10%. Sipas logjikës së shifrave, pakicat nuk paraqisin asnjë rrezik – bile krejt e kundërta, ato veçse mund të përforcojnë trashëgiminë kombëtare e cila pasurohet me kontributin e larmisë dhe të diferencave, në vend që të mbyllet brenda uniformizmit « të pastër » të etnisë. Asnjë vend evropian dhe ende më pak ballkanik nuk i shpëton prezencës së pakicave – ato historike vendase, të tjera të sjella nga emigracioni ose të krijuara në vend për shkak të pabarazive sociale, të pangjashmërive të rendit moral ose të natyrës fetare. Këtë përvojë të pakicës, kosovarët e njohin mirë si brenda dhe jashtë krahinës së tyre, ndoshta më shumë se dikush tjetër. Së fundi, dinamikat e ndryshme demografike të grupit dominant dhe të pakicave, tepër të favorshme për të parin, sjellin një garanci shtesë dhe një përmasë qetësuese kohore.
Nga momenti që konstatohet një deficit në zemërgjerësinë e njerëzve, një pasiv në lëminë e tolerancës të grupit, një borxh ndaj qytetarisë të komunitetit ose së fundi, një mungesë vlerash të shoqërisë – edhe sikur të jenë vepër e individëve të plagosur nga e kaluara, të shtypur nga dhimbja, të verbuar nga urrejtja ose të asgjësuar nga humbja e njeriut të dashur – i takon atij më të të vetëdijshmit, njeriut politik, që të shmangë tundimin për t’i shëndrruar në një motiv fushate, në një kapital të thjeshtë elektoral. Eshtë gjithashtu në detyrën e këtij njeriu që të ruajë qartësinë e vështrimit dhe të arsyes dhe kur t’i vijë rradha, t’i bëjë thirrje edhe logjikës elementare : pas gjithë atyre çka kish pësuar Kosova, pas atij gjesti të pashembullt të bashkësisë ndërkombëtare që nuk hezitoi të hidhet në luftë të vërtetë për t’ju dhënë mundësi atyre 850.000 kosovarëve të rifitonin nderin, pasurinë deri edhe krahinën e tyre – të vinin në vend dinjitetin, fati i pakicave etnike përbën një referencë. E thënë ndryshe, sipas standardeve të vendosura në Evropë, të cilës jemi krenarë që i përkasim, aftësia e gjithë shoqërisë për t’u demokratizuar dhe për të administruar çështjet e përbashkëta gjykohet në lidhje me shkallën e tolerancës ndaj pakicave, ndaj vullnetit që ajo tregon për të integruar grupe të ndryshme nga pikpamja etnike ose fetare, ndaj forcës të saj për të respektuar të drejtat e njeriut. E parë nëpërmjet këtij prizmi, asgjë nuk është më e rëndësishme se sa e ardhmja e një vendi dhe e një populli.

Zaten, edhe një fije gjykim i shëndoshë mjafton për të vëzhguar kushtet e vështira të jetesës të pakicave. Rikthimi i rrefugjatëve shqiptarë u shoqërua nga një valë dhune të natyrës etnike e cila preku jo vetëm pakicën serbe që ndodhej ende në vend por njëkohësisht edhe pakicat sllavofolëse (goranë, boshnjakë ose rome – shënimi 5), pa mundur të kursejë as edhe popullatat shqipfolëse (ashkalinjtë), shqiptarët katolikë dhe së fundi turqit. Aktualisht, pakica serbe e Kosovës e cila jeton e përqëndruar në territorin e tre komunave të veriut dhe në një pjesë të qytetit të Mitrovicës (rreth 75.000 vetë), në dy komunat e juglindjes (Strpce et Novo Brdo) si dhe në disa zona të izoluara (Kosovo Polje, Graçanica – pranë Prishtinës), nën mbrojtjen e forcave të KFOR-it numëron rreth 130.000 vetë. Në të kundërt, ajo mungon thuaj tërësisht në qytetet e mëdha të krahinës. Vazhdimisht nën presion, herë herë e agresuar por kryesisht tepër mosbesuese ndaj institucioneve të krahinës si për shembull UNMIK-u, ajo është vetëizoluar në një politikë tejflakjeje pasi, megjithë nismat ndërkombëtare, ajo përballon me vështirësi tejet të madhe ndjenjën e saj të të qenit e pambrojtur. Kjo gjë e shtyn të shohë gjithmonë e më tepër drejt Beogradit, të cilin e konsideron si mbrojtësin e saj të natyrshëm dhe të vetëm gjë e cila, natyrisht, nuk lehtëson aspak dialogun në planin lokal.
Bashkësia rom/cigane, dikur fort e madhe në numër (43.000 sipas vlerësimeve evropiane, 60.000 sipas OJQ dhe 200.000 sipas burimeve të saj) është një nga më të dendurat e mbarë Ballkanit – në atë pikë saqë shpesh merrej si shembull kur flitej për integrim, dhe jeton një gjendje tepër të vështirë. Ndërkohë e fragmentuar në disa përbërës – rom, ashkali si dhe egjiptiane – për shkak të interesave të saj të ndryshme, e shpërndarë në një varg zonash të mbrojtura ose në kampe rrefugjatësh, ajo shket drejt mizerjes, fundoset në harresë dhe ëndrra e saj e vetme është të ikë sa më larg, drejt perëndimit për t’u rrënjosur gjetkë.


————————


(1) Shih mbi këtë subjekt : Kolë GJELOSHAJ – La question du Kosovo : instrumentalisation et lutte interne, Confluences Méditerranée N°30 Été 1999. sikundër dhe : Fred COCOZZELLI – Political parties in Kosovo, 2003, Quarterly 11 (Winter 2004).

(2) Përveç Hakerupit, teksti u nënshkrua edhe nga dy përfaqsues kosovarë të CAI-së, Rugova dhe Haradinaj. Thaqi nuk pranoi të vinte nëshkrimin e tij mbi këtë dokument pasi, sipas tij, ai nuk shkonte aq larg sa duhej në vendosjen e mjedisit shtetëror në Kosovë. Duhet theksuar se, jo vetëm se CAI nuk zotëronte pushtet legjislativ dhe si pasojë – nënshkrimet e antarëve të tij ishin të zhveshur nga çdo vlerë juridike, por njëkohësisht kjo procedurë nuk bënte pjesë në praktikat e UNMIK-ut përsa i përket aprovimit të rregulloreve dhe direktivave të veta.

(3) Sipas Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSCE), zgjedhjet legjislative të 17 nëntorit 2001, rregjistruan një pjesëmarrje globale të 64% të zgjedhësve (65% për bashkësinë shqiptare të Kosovës, 46% për bashkësinë serbe – një elektorat që përfaqsonte 1.249.987 të rregjistruar në listat zgjedhore). Ndërmjet 26 subjekteve elektorale, vetëm 4 formacione politike tejkaluan nivelin e 2% : LDK e Rugovës që morri 45,7% të votave, PDK e Thaçit me 25,7%, Koalicioni për Kthimin e Serbëve Povratak me 11,3% dhe së fundi, AAK e Haradinajt me 7,8%. Formacionet e tjera grumbullonin 9,5% të numrit të votave. Projeksioni në vende në gjirin e Kuvendit të Kosovës (120 vende në total nga të cilat 20 të rezervuara paraprakisht për pakicat kombëtare – 10 për serbët, 4 për romët dhe ashkalinjtë, 3 për boshnjakët, 2 për turqit dhe 1 për goranët) dha shifrat e mëposhtme : LDK 47 vende, PDK 26 vende, AAK 8 vende, LKÇK 1 vend, LPK 1 vend, Partia e të Drejtës PD 1 vend, Partia Shqiptare Demokrate e Krishterë PSHDK 1 vend, Koalicioni Povratak (serb) 22 vende, Vatan (boshnjakë/goranë) 4 vende, Partia Boshnjake e Aksionit Demokratik BSDAK 1 vend, Partia Turke Demokrate e Kosovës KTDP 3 vende, Partia Demokratike Ashkali Shqiptare e Kosovës PDASHK 2 vende, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës IRDK 2 vende, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës PREBK 1 vend. Nëpërmjet këtyre shifrave dalin fare qartë përmasat e koncesioneve të bëra ndaj pakicave etnike : me vetëm 5% ose 6% të popullsisë të krahinës, pakica serbe gëzon më tëpër se 18% të vendeve të Kuvendit ndërkohë që gjithë pakicat së bashku (rreth 10% e popullsisë) marrin 35 vende, ose 29% të hapësirës legjislative dhe parlamentare të krahinës.

(4) Lidhur me detajet e ngjarjeve të marsit 2004 në Kosovë si dhe për të kuptuar dinamikën e këtyre ngjarjeve, shih : James PETTIFER – Kosovo Mars 2004- The Endgame Begins, Conflict Studies Research Centre, Balkan Series 04/04, mars 2004.

(5) Numri i të shpërngulurve është çmuar me mbi 200.000 vetë sipas UNCHR, ndërkohë që burimet serbe flasin për 280.000 vetë. Grupi i parë i këtyre të shperngulurve (230.000 vetë) përfaqson ata që jetojnë ende në Serbi ose në Mal të Zi. Bëhet fjalë kryesisht për persona të origjinës serbe dhe malazeze por njëkohësisht edhe romë, goranë ose boshnjakë. Anketat e kryera tregojnë se një pjesë e tyre ka filluar një jetë të re dhe nuk dëshiron të rikthehet prapa (një e treta), një tjetër e tretë prët me padurim krijimin e kushteve për t’u rikthyer në Kosovë. Përsa i përket mbetjes, ata i përkasin kategorisë të të pavendosurve. Grupi i dytë jeton në kampet e Maqedonisë, kryesisht romë, ashkalinj ose egjiptjanë nga të cilët vetëm 3.000 janë të shkruar në listat e UNCHR. Një grup i tretë përbëhet nga persona të çvendosur brenda përbrenda Kosovës ; sipas UNHCR këta të fundit janë 22.500 dhe jetojnë gjithmonë larg vatrave të tyre (serbë, romë, ashkalinj, goranë sikundër dhe shqiptarë). Mbi këtë çeshtje, shih : International Crisis Group (ICG) – Retourn in incertainty ; Kosovo’s Internally Displaced and the Retourn Process, Balkans Report N° 139, Prishtina/Brussels, december 2002

Lini një koment