Viti i Mbrapshtë 1997 4. Një « tranzicion i dështuar » ?

30 Dhjetor, 2007
Çekuilibri mes pushtetit ligjor dhe real – mes Shtetit si bartës teorik i pushtetit politik dhe karizmatikut Berisha, vullneti personal i të cilit fillimisht u njësua me atë të instrumentit të tij PD dhe më pas me vullnetin e vetë Shtetit, shënon me damkën e saj të gjithë periudhën e tranzicionit. Ky faktor u shëndrrua gradualisht në gjenerator paqëndrueshmërie dhe frenoi zhvillimin e ekonomisë nëpërmjet rrugëve institucionale. Në një vend që kish nevojë të madhe për një mjedis ekonomik stabël dhe dinamik, kjo gjë u perceptua si një mangësi serioze nga ana e qarqeve afariste. Këta të fundit atëhere u orientuan në mënyrë krejt të natyrshme drejt aktiviteteve jo formale të cilat, nëpërmjet kapacitetit të tyre për të prodhuar përfitime tejet të mëdha, u shëndrruan në burim korrupsioni. Ky qark vicioz i dyfishtë : çekuilibër politik – gjenerator konfliktesh, dhe çrregullim ekonomik – akumulator përfitimi, shërbeu për të afruar qarqet politike dhe financiare të cilat patën tendencë të shkrihen me njeri tjetrin, duke krijuar në këtë mënyrë një « Mafia » të pushtetit nën mbulimin e demokracisë.
.
.
E parë nën këtë kënd vështrimi, as egzistenca e « piramidave » as edhe përdorimi i kallashnikovëve nuk janë frut i rastësisë ose një ndëshkim hyjnor që goditi këtë qoshe idilike
mesdhetare por praktika, të frymëzuara, të përpunuara dhe të instaluara nga ana e strukturave politike sipas një qëllimi të caktuar. Të parat zëvendësojnë ekonominë kombëtare dhe i shërbejnë pozitës për të frytëzuar, për të zbardhur shuma të konsiderueshme parash me origjina të ndryshme ndërkohë që të dytët zëvendësojnë shprehjen e lirë si edhe të drejtat e tjera qenësore politike dhe ndihmojnë opozitën për të realizuar strategjinë e marrjes së pushtetit. Dhe sigurisht, mes këtyre poleve të strukturuara dhe strukturues gjendet peng shoqëria – ajo turmë shumëfytyrëshe dhe e paemër pasi :
.
.
« pensionista, tregëtarë, policë, studentë, rrogëtarë dhe të papunë ; që të gjithë ishin njëlloj, kishin të njejtat interesa, vetëm funksioni që sejcili ushtronte në shoqëri ndryshonte…. një ushtri kreditorësh e gatshme të përleshet për të ardhurat e saj dhe të transformohet në një njësi ushtarake kryengritësish (1) ».

.
.
Zaten, të gjitha instrumentat « gati për përdorim » duket se kanë gjetur vendin e tyre të parashkruar me qëllim që ajo gjëmë e paralajmëruar (2) të mund të ndodhë, me qëllim që – duke parafrazuar Tokëvilin – « mekanizmi i vjetër të japë prodhimin e tij të ri » : ilegalizmi që vepron në gjirin e shoqërisë, egzistenca e rrjeteve – ato të partisë komuniste ose më mirë socialiste, të ish ushtarakëve të liruar, të keqbërësve dhe të trafikantëve dhe së fundi, amalgama e interesave të njerëzve – që të gjithë kreditorë-viktima-kryengritës. Megjithatë, asgjë nuk na pengon që të shtrojmë pyetjen e mëposhtme : përse ky « serializëm i grupit në shkrirje » sartrian që i vuri zjarrin dhe përgjaku Shqipërinë berishjane, nuk ndezi në Rumani në momentin e shëmbjes së Karitas-it (5 milionë rumunë të mashtruar) ose në Rusi gjatë rrëzimit të perandorisë Mavrodis (3 milionë rusë të plaçkitur) ? Cili nga instrumentat e treshes eksplozive – ilegalizëm, rrjeta, amalgamë interesash – u njom nga uji i Karpateve apo i Uralit në momentin e prodhimit të shkëndijës ? Përfundimisht, ky « përjashtim shqiptar » i pashmangshëm i reziston të gjitha analizave të natyrës esencialiste ose trajtimeve të llojit pragmatik.
.
Destrukturimi i « homo albanicus » shërben si një nga drejtimet për të thelluar kërkimin e së vërtetës. Kështu, mësojmë se ai paskish zhvilluar
.
.
« një jetë shoqërore të mbushur me mangësi dhe padrejtësi… shekuj të tërë nën sisteme politike dhe ekonomike autoritare, me zakone sociale ku mashkulli mban vendin mbizotërues, që shpurris energjinë violente në sensin e një revolte e cila vjen pas një periudhe të gjatë poshtërimi dhe servilizmi. Poshtërimi dhe violenca bashkëjetojnë shpesh nëpërmjet raportesh jo fort të kuptueshme.. »
.
.
Nga momenti që sensi i bashkësisë mbetet ende tepër i fuqishëm, duke bërë në këtë mënyrë të vështirë shqyerjen e trupit shoqëror, s’na mbetet gjë tjetër veçse të pranojmë se violenca përplaset mbi objektet, mbi sendet. Shkurt, kemi të bëjmë me një qënie e cila përdor violencën shkatërruese si një mjet presioni politik dhe, meqënëse për fat të keq, i përket ende një « shoqërie agrare në tranzicion, të rrënuar nga shëndrrimet sociale të vështira » i vetmi mjet që ai gjen për të ngritur zërin, për t’u dëgjuar në mes të kakofonisë politike është të verë zjarrin. Digj që të bëhesh i njohur !
.
.
Sidoqoftë, fshatari ynë zjarrvënës nuk i ngjan gjëkundi stërgjyshit të tij piroman, Erostratit nga Efesi, pasi :
.
.
– Primo, është e pamundur të sintetizohet një profil përfaqsues individual – një portret të tij « robot » – ndërkohë që të gjitha dëshmitë nga terreni flasin për turma, masa, grupime, banda, komitete që manifestojnë, grumbullohen, marrshojnë, sulmojnë, luftojnë dhe sipas rastit thyejnë, plaçkisin dhe së fundi djegin. Objekti ku shkarkohet urrejtja e tyre janë godinat që kanë një lidhje të drejpërdrejtë me pushtetin : bashki, prefektura, komisariate policie, gjykata, seli të partive politike dhe herë herë arshiva, kadastra apo të tjera biblioteka që shpesh gjenden brenda të parave. Në qoftë se zjarrvënësi antik kish nevojë të ndriçonte sadopak gjestin e tij të
errët, me ndihmën e tempullit të Artemisit në flakë, turma e Lushnjës ose e Vlorës nuk ishte e frymëzuar nga ndonjë shqetësim i brendshëm pavdekësie apo ndonjë nevojë për të lidhur dialogun me pushtetin, përfaqësuesit e të cilit rrihen bile edhe masakrohen disa metra më tutje. Ç’ka të bëjë shoqëria agrare me turmën qytetëse të pushtuar nga zemërimi që shkallmon bashkinë, verbëria e të cilës bëhet edhe më e plotë kur brenda saj ngrihen zëra « anonimë » që kërkojnë hakmarrje ndërkohë që duar « të padukshme » ndezin pishtarët ?
.
.
– Secundo, grupi ynë i inatosur plaçkit dhe për më tepër di të zgjedhë objektin e tiij të plaçkitjes :
banka, magazina, depo dhe kazerma, bile pa përbuzur edhe pasurinë e privatëve. Ai rrëmben çdo gjë që përfaqëson një farë vlere malli ose përdorimi, qoftë dhe shfarosëse si puna e armëve dhe e municioneve. Në krahasim me të paharruarin « vit zero » të demokracisë gjatë të cilit turma ish mjaftuar të rrënonte trashëgiminë kombëtare të epokës komuniste, kësaj rradhe ajo diti të pajisej me mjetin më të mirë të presionit që mund të egzistojë, me anë të të cilit mund të shëndrrohej një bashkëbisedues i vërtetë në dialogun politik – forcën e armëve.
.
.
– Tertio, edhe trupi social, sado i mirëformuar qoftë, nuk shpëton pa u lagur dhe numëron në rradhët e tij disa mijra të vrarë, mes të fajshmëve brutalë dhe viktimave të rastit – një « shpikje » tjetër madhore në krahasim me 1991. Pas humbjes së parave individuale, të gëlltitura në operacione të dyshimta krediti, i erdhi rradha trashëgimisë së përbashkët, mobilimit urban dhe
pasurisë së patundëshme për të përfunduar me kapitalin më të paçmueshëm, jetën njerëzore. Të mbërthyer kështu në një spirale djallëzore mes përpjekjes ndërtuese dhe misterit të shkatërrimit (3), njerëzit ndoshta kishin harruar filozofinë e vjetër ballkanike e cila, për të pavdekësuar veprën, mundohej të shtinte shpirtin në përpjekjen njerëzore. E vërteta është se shoqëria « parademokratike » e kohës së Berishës ishte tepër e zënë me problemet e veta financiare për t’u marrë me filozofi ose me shqyrtimin e shpirtit.
.
.
Kjo mënyrë filozofike për të shkoqitur fenomenin, e bazuar mbi psikanalizën e qënies shoqërore,
ndoshta është më tërheqësja por s’është e vetmja që kërkon të zbulojë një shpjegim racional të ngjarjeve të vitit 1997. Zaten, në qoftë se përmbledhja që ajo ofron është e saktë, ajo mbetet sidoqoftë e pjesshme në atë masën që kjo qënie « e vënë në lëvizje nga një ontologji individualiste, bile egoiste, që njeh dhe mbivlerëson unin e vet », ky person « që është ai vetë dhe, njëkohësisht, sipas mentalitetit autoritar të vazhdueshëm, është gjithçka » s’është gjë tjetër veçse pasqyrimi i një shëndrrimi të thellë që prek gjithë shoqërinë. Megjithë vështrimin kritik mbi tipologjinë dypërmasore të botës politike – demokratë kundër socialistëve, çjerrje pompoze antikomuniste kundër thirrjeve inatçore antikorrupsion, kriza e thellë identitare reduktohet në një lloj mospajtimi fatal ndërmjet « fjalimit ideologjizues, ndërtues i projekteve politike si dhe institucioneve që kërkojnë emergjencën e një debati të domosdoshëm social dhe politik ». Si shpjegohet që forcat kryesore politike mbeten kaq të polarizuara dhe të largëta ndaj njera tjetrës, të gatshme të bllokojnë mekanizmin e këmbimit dhe të bashkëjetesës ? Nga vjen kjo përbuzje e thellë për të mos thënë urrejtje e cila i veçon këto forca – të dala nga e njejta baltë, si dhe këta udhëheqës – të dalë nga e njejta shkollë, ajo e rregjimit komunist ?
.
.
Drejtimi tjetër i thellimit të është ai i tjetërsimit dhe i armiqësisë të elitave. Mund të jemi të sigurt se :
.
.
” Elitat e sotme shqiptare jo vetëm janë një produkt hibrid me qëllime institucionale të dyshimta por njëkohësisht ato karakterizohen nga një e kaluar mediokre si një inteligentsia thjesht aplikuese dhe jo krijuese. Elitat shqiptare vuajnë nga një kompleks inferioriteti të pashërueshëm. Sidoqoftë, ato janë treguar të paafta të çlirohen nga difektet themelore që shoqërojnë mentalitetin e një elite autoritare : paaftësia për të vepruar në kushtet e paqarta dhe marrjë vendimesh në mungesë të një praktike rutinore, të dekretuar nga një autoritet karizmatik. Duke qenë kryesisht një prodhim burokratik, tarafet e saj drejtohen një kontrolli total të institucioneve shtetërore, duke e justifikuar këtë mënyrë të vepruari me argumenta ideologjikë tërheqës për momentin.. (4) »
.
.
Nën një shtresë të tillë të tillë acidi, e ardhmja e intelektualit tonë duket fort e komprometuar dhe diagnostika paraqitet si e pashpresë. Por syri vritet edhe më tepër në qoftë se krahasojmë sjelljen e tij të papërgjegjshme me sensin e vërtetë dhe vetëkontrollin e admirueshëm që duket se karakterizon popullin shqiptar. Kjo dikotomi përbën edhe gurin e themelit të kqyrjes së qënies politike : tashmë kontradikta egzistencialiste mes forcës brute dhe veprës njerëzore i le vendin antitezës esencialiste mes paaftësisë intelektuale dhe gjenisë popullore. Përsa i përket argumentave, le t’i drejtohemi periudhës në fjalë.
.
.
Kundër çdo tundimi aq shumë të përfolur, populli nuk ju dorëzua demonëve të vjetër të luftës. Imazhet e ardhura nga pranvera e vitit 1997 flasin për një buçitje të beftë dhe të thellë qytetare, e keqadministruar nga autoritetet, e cila shëndrrohet shpejt në një çmenduri vrastare nga ana e njerëzve, të pushtuar nga gëzimi i zotërimit të armëve në sasi të panumurt. Jemi tepër larg nga fantazmat e llahtarshme etnike dhe fetare që ndërkohë kishin bërë kërdinë në viset ballkanike fqinje. Në mungesë të elementëve të domosdoshëm të analizës dhe pas hezitimeve të gjata për t’i pagëzuar ngjarjet, një numër i madh gazetarësh të ngutur si dhe të tjerë analistë evropianë menduan se kishin zbuluar stigmatët e « urrejtjes të brendshme » që ziente mes jugorëve ndaj « rregjimit të urryer malok të Berishës ».
Në të vërtetë, rrebelimi ishte i zhveshur nga çdo përmbajtje etnike. Në mes të rrugës që lidh një Greqi « etnikisht të pastër » me « mozaikun e kombësive » jugosllave, vendi përmbante një pakicë të shëndoshë helene, një përbërëse të papërfillshme maqedone, një popullatë të papërcaktuar rome dhe së fundi, një element të pavendosur vlleh protorumun. E çmuar me diçka më pak se sa një e dhjeta e popullsisë së përgjithshme, kjo bashkësi e shpërndarë nga pikpamja territoriale as nuk u linçua as edhe nuk u vu përpara ndonjë përgjegjësie nga ana e turmave të armatosura. Rastësi e lumtur, bile edhe llogaria e atyre mijra viktimave të konfliktit nuk vuri në dukje përkatësinë e tyre etnike.
.
.
Në vazhdim, askush nuk mundi të vërejë as edhe hijen e kallëpit fetar. Sigurisht, që prej rënies së komunizmit, faktori fetar kish fituar të drejtën e qytetarisë ndërkohë që vetë qytetarët e kishin ende diçka të vështirë të mund të identifikoheshin në larminë e besimeve : myslimane dhe të krishterë, sejcili i shprehur në variantet e tij tradicionale (sunite dhe shiite-bektashi për të parin apo ortodokse dhe katolike për të dytin). Që prej disa vitesh tashmë, ndërgjegja fetare kish kaluar nga faza e saj e parë rizbulimit të një identiteti të thërmuar një proces ristrukturimi shpirtëror, me Islamin si « violinë e parë ». Përpara vitit 1997, praktikisht ky proces s’kish peshuar fort mbi jetën politike të vendit : duke respektuar një traditë të gjatë laike, Presidenti demokrat Berisha me origjinë myslimane kish zgjedhur Kryeministrin e tij Meksi mes të krishterëve ortodoksë dhe Kryetarin e Kuvendit Popullor Arbnori mes katolikëve. Megjithëse në pamje të parë, kjo mund të interpretohej si një manovër e shkathët politike me thekse populiste, duhet të pranojmë se në gjirin e një Ballkani ku urrejtja fetare vazhdon të shkaktojë viktima të përditshme ja vlen barra qiranë. Si rastësisht, përvoja përsëritet me ardhjen e socialistëve në fuqi, pas trazirave të vitit 1997. Legjislatura e re i beson rolin e Kryeministrit të krishterit Nano dhe zgjedh myslimanin Mejdani si President të Republikës. Po qe se kujtohemi që kjo përzierje çeshitesh fetare të përfaqsuesve të pushtetit ishte inauguruar që në kohën e Kongresit të Lushnjës në atë vit të largët 1920, që ndërkohë ajo ishte një praktikë e zakonshme gjatë Republikës së Parë dhe më pas, e Monarkisë së Zogut – e ndjekur nga qeveritë në pushtimin e huaj gjatë Luftës së Dytë, hipoteza e lojës ose e llogarisë politike s’qëndron më këmbë. Ajo pasqyron një realitet të padiskutueshëm, atë të një shoqërie gjithëfetare e cila përshkon dhjetëvjeçarët dhe që përjetësohet në një pandjeshmëri të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ndaj dallimeve fetare, pavarësisht nga natyra e pushtetit politik. Kjo shoqëri sigurisht ka njohur çekuilibre të thella strukturore, nuk i ka bërë ballë tundimit të karizmave të diktatorëve dhe është përçarë deri edhe shqyer për arsye ideologjike ; sidoqoftë, asnjëherë ajo nuk ka rënë pre e « gëzimit » të larjes së hesapeve të natyrës fetare.
.
.
Elementi i fundit – por jo më i pakti, edhe ajo hipoteza aq ndjellëse e ndarjes tradicionale rajonale (Gegë – Toskë) u shëmb, si për inat të partizanëve të saj të flaktë. Përtej atyre dallimeve për të mos thënë pabarazive kulturore të padiskutueshme mes Jugut dhe Veriut, skenari katastrofë që mundohej të dallonte « repartet besnike gegë » që derdheshin nga malet në mbrojtje të Berishës së rrethuar nga « bandat rrebele toskë » ishte më tepër një manovër politikane se sa një realitet i prekshëm. Megjithë një mbështetje dhe shtrirje rajonale mjaft të spikatur të dy formacioneve politike kryesore të vendit – Partia Socialiste në zonat jugore dhe Partia Demokrate në zonat e veriut – ja vlen të përmendet se, ndërkohë që Vlora festonte disfatën e Berishës në korrik të vitit 1997 dhe që Shkodra e pranonte pa e prishur zemrën – i gjithë vendi kishte votuar masivisht për një qeveri, të përbërë kryesisht nga socialistët jugorë. Elementët e fundit që mbështesnin pak a shumë tezën e mësipërme u fshinë gjatë ndrrimit të dorës së pushtetit : bëhet fjalë për ata burra dhe gra, me origjinë nga viset veriore – mes të cilëve Tropoja zinte vendin e nderit – që kishin mundur të ngjiteshin në shkallët më të larta të pushtetit qëndror, sigurisht për t’i sjellë Presidentit flladin e freskët të maleve të tij. E vetmja shenjë e rregjimit tashmë të vjetër ishte ai numri i papërcaktuar – por sidoqoftë mjaft i madh – i familjeve malësore që kishin braktisur viset e tyre tepër mikpritëse por fort të ashpra për t’u vendosur në tokat e reja jo fort mikpritëse por tepër komode të rrethinave të kryeqytetit. Duke pushtuar në mënyrë ilegale terrenet bujqësore djerrë ose zonat industriale të shëndrruara në djerrina, ata kishin kontribuar në dyfishimin e numrit të banorëve të metropolit, në mospërfillje të plotë të rregullave të urbanizmit, të normave të higjenës ose të standardeve të shërbimeve publike.
.
.
Çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga ky debat ? Të kqyrur me sytë e politologut, tashmë shqiptarët janë
« politikisht të pjekur dhe të përgatitur për të jetuar nën pushtetin e ligjeve demokratike, gjë e cila përbën një arsye të vërtetë për të qenë krenarë dhe për të patur besim në të ardhmen.. ata e kanë treguar me vepra se janë të pjekur lidhur me një sistem partiak vërtetësisht demokratik dhe një sistem politik modern dhe stabël, gjë e cila mund të avancojë debatin politik të dominuar nga ndarjet e trashëguara nga Lufta e Ftohtë drejt një shprehjeje fluide dhe bashkëkohore të konceptit politik (5) »
Nga ana e tij, filozofi zbulon me habi se, megjithë fazën e tranzicionit demokratik, qenia sociale ka
«ruajtur pothuaj të paprekura traditat e veta mendore, të farkëtuara në kontekstin e tij autoritar, patriarkal, nacionalist dhe komunist »
.
.
Në të vërtetë, i habitshëm do të ishte pohimi i kundërt me shprehjen e mësipërme ; u desh një brez i tërë përpjekjesh dhe sakrificash me qëllim që praktika komuniste të mund të sublimohej dhe të gjente vendin e vet mes traditave mendore, të trashëguara nga shoqëritë tradicionale. Mos ndoshta duhet jeta e një brezi tjetër që më në fund shoqëria të quhet civile ? Si mund të ëndërrohet jetesa nën mbretërimin e demokracisë, nën triumfin e rendit liberal, pa egzistencën e shoqërisë civile (6) ? Dhe pikërisht në fushën e marrëdhënieve mes shoqërisë civile dhe Shtetit ndërhyn një interpretim tjetër, ai i institucionalistit (7).
Sipas një metodologjie të përpunuar mjaft mirë, sapo vihet re se Shteti s’ka mundur të kryejë funksionet e tij dhe të përmbushë përgjegjësitë e tij themelore : ushtrimi i autoritetit ligjor, mbajtja e rendit dhe së fundi, mbledhja e produktit fiskal, ai klasifikohet në kategorinë e « Shteteve të dështuara » – në anglisht, failed states. Duke respektuar skemën konceptuale empirike ne fuqi, të gjithë dështakët fatkeqë përzgjidhen nëpërmjet dy principeve të pagabueshme : një proces formimi shtetëror jo i plotë, si pasojë e trashëgimisë koloniale – është rasti i vendeve afrikane sikundër Somalia dhe Liberia, ose shpërbërje të strukturave shtetërore, si pasojë e problemeve të brendshme të natyrës etnike – është rasti i ish-Jugosllavisë multietnike ose i ish-republikave sovjetike të Azisë së Mesme dhe të Kaukazit. Siç mund të pritet, rasti shqiptar mbetet diku jashtë skemës dhe instikti sugjeron se shkaqet duken kërkuar në realitetin specifik të vendit. Duke vepruar në këtë mënyrë, shfaqen menjëherë para syve dy të vërteta : së pari, kjo gjë ndodh gjatë periudhës së tranzicionit nga një pushtet totalitar drejt një pushteti demokratik, periudhë gjatë të cilës funksionet tradicionale shtetërore kanë tendencën për t’u dobësuar ; së dyti, për të çrrënjosur dobësinë e tij e përkohshme strukturore Shteti tentohet nga metodat ndaluese dhe frikësuese, duke kryer në këtë mënyrë një farë « kthimi mbrapa ». Po qe se do të shtojmë ndikimin e dëmshëm të mjedisit ndërkombëtar, presioni i të cilit rritet ndërkohë që fuqia e Shtetit dobësohet, krijohet iluzioni sikur jemi duke skicuar siluetën e vagët të krizës që tronditi vendin gjatë vitit 1997. Tabloja e pikturuar në këtë mënyrë emocionon fare pak pasi nëpërmjet saj, përmes galerisë së portreteve të dala nga akullnaja komuniste, pothuaj asgjë nuk të sjell ndër mend tiparet e përveçme të Shqipërisë. I vetmi mjet për t’ja arritur qëllimit të paracaktuar është forcimi i kontrastit, vendosja e shtresave të njëpasnjëshme të ngjyrave, sipas postulateve që kanë bërë vend në kokën e artistit : dobësia e procesit të tranzicionit është në proporcion të drejtë me shkallën e totalitarizmit të rregjimit të dikurshëm, shtrirja e krizës se parashikueshme socio-ekonomike është në proporcion të drejtë me shkallën e kontrollit dhe të centralizmit të rregjimit të vjetër, autonomia e burokracisë shtetërore – sikundër edhe autonomia e shoqërisë civile – është në përpjestim të zhdrejtë me shkallën e totalitarizmit…
.
Në mënyrë të ngadalshme dhe tinëz, i afrohemi atij paneli vlerash (ose variablash) të pashmangshme që lejojnë përfundimisht të hapet debati, në pikënisje të të cilit gjenden raportet mes institucioneve dhe shoqërisë civile. Sidoqoftë, një përpjekje e fundit del e domosdoshme për të siguruar suksesin e kësaj ndërmarrjeje : të bindim dëgjuesin – ose më mirë vetvehten – që objekti ynë i studimit ka mundur të rrethohet nga të gjitha kushtet e nevojshme. Për t’a patur shpirtin në paqe, mjafton të shfletohet « literatura që trajton ish-vendet socialiste » për të zbuluar se Shqipëria është vendi « me shkallën më të lartë të depërtimit të ideologjisë (të partisë) në gjirin e aparatit shtetëror sikundër dhe me prezencën më lartë të Shtetit në jetën shoqërore ».
Në qoftë se na duhet pranojmë se, duke gërmuar nëpër togun e ngjarjeve në kërkim të logjikës, institucionalisti ynë duket se ka cekur thelbin e problemit, na duhet të pranojmë njëkohësisht që metoda e përdorur habit me guximin e saj pasi, me një ose dy detaje mangut, ajo shkruhet në vazhdën e një tjetre që dikur quhej determinizmi historik. Me fjalë të tjera, për të ditur në se një Shtet i dobësuar nga krizat dhe nga spazmat e tranzicionit do të dështojë ose jo, mjafton të sondohet e shkuara e afërt për t’ju përgjigjur pyetjeve të mëposhtme : cila është shkalla e pavarësisë së burokracisë ndaj pushtetit ? Cila është shkalla e ndarjes të shoqërisë civile nga Shteti ? Në çfarë konteksti gjeopolitik ka ndodhur ky tranzicion ? Duke kërkuar më kot vlerat e
referencës, etalonin e artë të sistemit politik tranzicional, me ndihmën e të cilit taksonomisti politolog arrin të lexojë fatin, e vetmja rrugëzgjidhje mbetet nuhatja – the feeling. Ja pra, përse është e nevojshme të vendoset Shqipëria në pragun më të ulët të shkallës ngjitëse ku janë renditur ish-vendet komuniste. Të paktën në këtë mënyrë mund t’i qajmë hallin Berishës së ngratë, i cili pa ditur dhe pa dyshuar aspak, mori në dorë komandat e një anieje të dehur, e cila shkonte drejt mbytjes së saj të « paraprogramuar ».
.
.
Pas këtij vështrimi rrethqarkullor të fundit, s’mbetet më pikë dyshimi se qoftë uni i qënies sociale qoftë qënia politike e elitave nuk mund të ngërthejnë në vetvehte edhe kuintesencën e problemit edhe çelësin që lejon deshifrimin e sistemit – edhe shkakun edhe efektin, për të vetmen arsye që ato janë produkte të vetë sistemit. Ky i fundit, i përfshirë në një dinamikë zhvillimi të njohur me emrin tranzicion, strukturohet rreth dy boshteve të pavarur – institucionet dhe shoqëria civile – aktiviteti i përbashkët dhe i sinkronizuar i të cilave përcakton mekanizmin e brendshëm të demokracisë, forcën e fushës magnetike rreth të cilës orientohen njerëzit, grupet, shtabet sikundër dhe interesat, lëvizjet, programet. Në këtë mënyrë i vjen rradha të kqyret nga afër vetë « procesi i tranzicionit », me qëllim që të ngrihet qoftë edhe qoshja e vellos të trashë të misterit që gjithmonë e ka mbuluar.
.
.
Nga momenti që rënia e komunizmit ishte kthyer në një konstatim banal, asnjeri nuk dyshonte më se e vetmja zgjidhje që i ofrohej ansamblit të vendeve ish-komuniste ishte ajo e vendeve të tjera të Evropës, pra kapitalizmi. Në të vërtetë, frazeologjia zyrtare evitonte me kujdes përdorimin e këtij termi të fundit, qoftë për shkak të një bestytnie të vjetër që rikujtonte pa dyshim atë shprehjen e dashur të Marksit lidhur me « shfrytëzimin e njeriut nga njeriu », qoftë për arsyen tjetër që dy sistemet nuk ofronin të njëjtat barazvlera, veçanërisht në termat e ideologjisë, të vlerave të pastra morale ose të idealeve sociale. Ndërkohë që pjesa dërrmuese – politikanët – preferonin të flisnin kryesisht lidhur me referenca të reja sikundër ishte rasti i tregut dhe i demokracisë, pjesa tjetër – ekspertët ekonomistë – këmbëngulnin lidhur me aftësitë e çuditshme të adaptimit të sistemit kapitalist, që e lejonte të çfaqte mes të tjerash edhe një fytyrë njerëzore.
.
.
Menjëherë pas përcaktimit të kësaj diagnoze, u duk në mënyrë të kthjellët që pas një gjysëm shekulli të egzistence të veçuar në gjirin e sistemeve politike antagoniste dhe ndarjeje me perde ose me mure, çdo sekondë që kalonte ishte e tepërt dhe që sa më shpejt të bëhej bashkimi – për të mos thënë shkrirja – aq më mirë do të ishte për të gjitha palët. Në këtë fazë fillestare, sejcila nga këto palë bënte llogaritë e veta dhe numëronte përparësitë : vendet e përëndimit mund të përgëzonin vetvehten për zhdukjen përfundimtare të kërcënimit ushtarak që vinte nga Lindja, nga perspektivat që i krijoheshin ekonomisë civile nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve të kushtuara sistemit të tyre të mbrojtjes, nga përparësitë ekonomike në drejtim të investimeve që kërkonte tregu i vendeve të Lindjes ndërkohë që kampi tjetër, ai i ish-vendeve komuniste,
mund të ëndërronte lidhur me mundësitë që do të ofroheshin për të rindërtuar ekonomitë kombëtare, për të ristrukturuar shoqërinë mbi bazën e vlerave të reja dhe së fundi, për të rritur nivelin e jetesës të qytetarëve të tyre. Duke shembur atë mur të frikshëm në fundin e viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, njerëzit e thjeshtë i kishin dhënë mundësi elitave të tyre të skiconin konturet e një porte që do t’i shpinte në parajsë ndërkohë që si kundërvleftë të hyrjes, atyre ju duhej të braktisnin çdo gjë që ju kujtonte epokën e vjetër.
.
Në planin praktik, problemi kryesor paraqitej reformimi i sistemit socialist në agoni : strategjitë më të mira që duheshin ndjekur, më të adaptuarat për të realizuar shëndrrimet e domosdoshme, në rradhë të parë në fushat ekonomike dhe politike (8). Pra mënyra e trajtimit makro-ekonomik që synonte rikapjen e vonesave, të diferencave të natyrave institucionale dhe teknologjike përbën edhe thelbin e procesit të tranzicionit. Që në përpjekjet e para ra në sy naiviteti i perceptimeve fillestare – veçanërisht të idesë bazë për t’i futur të gjitha vendet e interesuara në të njejtin thes, për t’ju vënë të njejtën etiketë :
.
.
– Së pari, meqënëse përdorimi i « normës » së tranzicionit e përpunuar nga ana e FMI jepte rezultate të ndryshme, sipas llojit të vendit të Evropës Qëndrore dhe Lindore, kjo gjë sugjeronte që kalimi nga socializmi në kapitalizëm mund të ndjekë rrugë të ndryshme – në vend të një tranzicioni standard, ishte e udhës të flitej për pluralizëm tranzicionesh (9).
.
.
– Së dyti, ky model një-përmasor, i bazuar mbi Konsensusin e Uashingtonit përshtatej fort keq me realitetin e vendeve ish-komuniste në fazën e tranzicionit. ; për të qenë konform qoftë edhe me përvojën e dikurshme të vendeve të Amerikës Latine ose të Evropës jugore, ai duhej imagjinuar si një tranzicion i dyfishtë (ekonomi e tregut dhe demokraci). Por dobësitë e institucioneve dhe shkrirja e Shtetit, aq karakteristike për vendet e interesuara, sugjeronte një përmasë suplementare – atë të shoqërisë civile – duke kaluar kështu në një tranzicion të trefishtë, bile edhe në një të katërfishtë po qe se do të marrim parasysh zgjimin e problemit kombëtar dhe etnik.
.
Ja pra, vetëm pak vite më vonë, çështja e tranzicionit çfaqet jo vetëm me kohëzgjatje të madhe,
por goxha më e shtrenjtë dhe ç’është me e keqja, mjaft më e ndërlikuar se sa dukej : në vend të një porte, kalimi drejt parajsës aq të dëshiruar kish marrë pamjen e një grille ku për të kaluar duhet të jepje prova të progreseve të kryera, sipas normave të vendosura nga të zotërit e parajsës.
.

.
Përse ky tranzicion ishte kaq i zorshëm dhe i lodhshëm për dikë ndërkohë që ecte pothuaj vetë për një tjetër ? Përtej interesit akademik, përgjigja duhet të sjellë elementë të njohjes me qëllim readaptimin e politikave të ndjekura dhe optimizimin e instrumentave të ndërhyrjes pasi, një varg treguesish konfirmonte dyshimin se ky proces mund të çonte drejt situatave vështirësisht të kontrollueshme për të mos thënë kritike. Evropës do t’i duhej të mësohej me mospërputhjen flagrante ndërmjet fjalimit zyrtar të aktorëve politikë lokalë, premtimet e të cilëve janë në proporcion të drejtë me ndihmat financiare, dhe realitetit prezent fort pak të përshtatshëm për zbatimin e vlerave, të normave dhe të praktikave demokratike (10).

.
U desh së fundi që edhe institucionalistët të zbresin në terren për të nënvizuar rëndësinë e veçantë të peshës të të kaluarës dhe me këtë rast, të propozonin përdorimin e konceptit të ndikueshmërisë të udhës, të path-dependency. Tashmë, me marrjen parasysh të veçorisë
historike hapet një kapitull i ri : ai i rolit të infrastrukturës politike publike, të Ligjeve dhe të politikave lokale. Ndërkohë që « shkenca e tranzitologjisë » fillon dhe interesohet për Shtetin pas-komunist jo sikur të ishte një karkasë e destinuar të flaket në hedhurinat e Historisë por si një strukturë në kantier (11) , institucionet evropiane ishin të detyruara të ndërronin fund e krye metodën. Sikundër ato « dadot », ata duhej të kujdeseshin nga afër për « çamarrokët » e pabindur, njëkohësisht duke ju mësuar sjelljet e mira, duke i përgëzuar për arritjet dhe duke i ndëshkuar për gabimet, bile bile duke i shtrënguar që të mos i përsërisin për të dytën herë. Ai kalimi aq përgjëruar tashmë kish katandisur në një vrimë gjilpëre, e zvogëluar me qëllim që të pengonte kalimin e gamiles pasi në të vërtetë, ajo parajsa që mezi shquhej diku larg ishte vetëm për të pasurit (12).

.
.
Në të vërtetë, Shteti pas-komunist kish fare pak gjëra të përbashkëta me modelin e llustrosur të sivëllait të tij perëndimor. As i qëndrueshëm as edhe i konsoliduar ; i tërhequr drejt një dinamike të paqëndrueshme nga forca politike, nga grupe interesi, bile dhe nga individë të veshur me pushtet ; i pompuar me direktiva që vijnë nga larg dhe që i kërkojnë njëkohësisht, korrektësi financiare, praktika ligjore transparente si dhe qëndrime të arsyeshme në planin lokal, rajonal bile edhe internacional ; në mungesë të vazhdueshme të mjeteve të veta të prekshme për të ndërmarrë aksione ekonomike ose sociale afatgjata ; i detyruar të pranojë moskokëçarjen e funksionarëve, harbutllëkun e burokratëve, kapriçot e udhëheqësve dhe pisllëqet e biznesmenëve të tij, ai segmentohet në një mori qendrash ku merren vendime ndërkohë që sejcila prej tyre për llogari të vet, ushtron autoritetin, aplikon politikat e saj dhe rrezaton ndikimin e saj. I coptuar dhe i shpërbërë në këtë mënyrë, ai shëndrrohet në një gjah i lehtë për partitë politike që ripërtërijnë papushim strukturat e tyre sikundër dhe funksionarët,
sipas ritmeve të ambicioneve elektorale dhe të praktikave të tyre partizane.
Nga momenti që Evropa kish ndezur fitilin e shpresës, kjo makinë e brishtë të cilës i tundeshin të gjitha vidat dhe rrotullat u vu në lëvizje, duke ndjekur me nuhatje erën e parave. Në rast se do të ngatërronte rrugën dhe nuk do të gjendej në hyrje të atij udhëkalimi të lumtur, ajo rrezikonte të përfundonte në të tjera « parajsa të humbura » ose do të përplasej kundër murit, siç ishte rasti i Republiës së Tretë të Berishës që u thye kundër murit të revoltës popullore.
.
.

—————————————————————–
.
.
.

(1) Artan FUGA –Albanie, pourquoi les murs tombent-ils chaque soir ? në : Transeuropéennes n° 10 – Mouvements de Rue 1996 – 1997.
.
.
(2) Shprehja është e K. Barjabës sipas të cilit «që nga Ilirët deri tek Bizantinët, nga Bullgarët deri tek Otomanët, nga revoltat turke deri tek luftrat ballkanike, nga Mbreti Zog tek Enver Hoxha, nga Ramiz Alia tek Sali Berisha, historia e Shqipërisë s’është gjë tjetër veçse historia e një gjëme të paralajmëruar ». Shih : Kosta BARJABA – Albania in Transition : Elite’s Role and Perspective, Final Report, NATO Research Fellowship Programme 1996 – 1998, Tirana 1998.
.
.
(3) Ideja vjen prej A. FUGËS i cili e përshkruan si « sindroma e Rozafës ». Bëhet fjalë për atë legjendën e vjetër shqiptare sipas të cilës, tre vëllezër mundohen pa sukses të ngrenë çdo ditë muret e një fortese – atë të Rozafës, që ngrihet mbi qytetin e Shkodrës – të cilat mure shëmben çdo natë, për shkak të një force të keqe që prish natën atë çka është ndërtuar ditën. Mesazhi që çlirohet është ai i mospërputhjes mes reales, forcave të gjalla të historisë – puna e ditës, dhe rezultatit të ngurtësuar, të shkruajtur në realitetin rrethues – institucionet, këto mure të fuqishme. Në këtë mënyrë sindroma përmbledh atë kontradiktë mes përpjekjes së tashme – kësaj force të pakryer, dhe punës të materializuar – kësaj përmbajtjeje të institucionalizuar ; ajo shpreh atë shqetësim të thellë që prek njeriun, i cili « dëshiron të njohë vetvehten në rezultatin përfundimtar të punës së tij ndërkohë që ai identifikohet vetëm dhe nëpërmjet punës së tij ». Shih : Artan FUGA –ibidem.
Përse filozofi kufizohet vetëm në dallimin e një sindrome në këtë legjendë e cila, në tërësinë e saj përçon një mesazh universal, dhe jep njëkohësisht edhe zgjidhjen e dilemës të « mureve që shëmben çdo natë » ? Le të gjykojmë vetë, nëpërmjet kësaj mënyre tjetër të lexuari : në një Vëllazëri – Shoqëri klanike, e cila nuk njeh gjëkundi babain – Autoritetin, gjërat shkojnë keq e më keq – Sindroma e Rozafës, deri në momentin e çfaqjes të gruas – Bindjes. Kjo e fundit pranon që t’a murosin për së gjalli për t’i dhënë fund mallkimit – me kusht, që njëri nga gjinjët e saj të mbetet jashtë murit për të vazhduar të ushqejë fëmijën e saj. Pas kryerjes së sakrificës, muret tashmë qëndrojnë më këmbë dhe fortesa ndërtohet pak nga pak. I shprehur në këtë mënyrë mesazhi është fare i qartë : forca brute dhe efemere sublimohet dhe fisnikërohet në punën e qëndrueshme vetëm nëpërmjet shpirtit. E thënë ndryshe, me qëllim që vepra njerëzore të mund t’i rezistojë kohës që rrjedh dhe shkon, duhet sakrifikuar një pjesë e vetvehtes me qëllim që të shtihet, të shkrihet brenda rezultatit. Vetëm nëpërmjet këtij dhurimi të vetvehtes, të këtij automishërimi, ky rezultat mund të përjetësohet dhe të frymëzojë brezat e mëpastajmë.
.
.
(4) Formula është e Shinasi A. RAMËS të cilit i përket njëhohësisht edhe shprehja « tranzicion i dështuar » Për detaje të tjera, shih : Shinasi A. RAMA – ibidem.
.
.
(5) Shinasi A. RAMA –ibidem.
.
.
(6) Ralf DAHRENDORF – After 1989 : Morals, Revolution and Civil Society, St Martin Press, N. Y. 1997.
.
.
(7) Gert GURI – The failure of a Post-Totalitarian State : the Albanian Crisis of 1997, Project proposal for a thesis, University of Trento, School of International Studies, december 2005.
.
.
(8) Është interesante me këtë rast të kqyren parashikimet e politikës ekonomike, të përpunuara nga ana e FMI, në formën e « Paradigmës standarde të Tranzicionit » ose PST. Duke rreshtuar të gjitha ekonomitë e interesuara nëpërmjet një norme të vetme – treguesi i tranzicionit – PST i është paraqitur ansamblit të vendeve në tranzicion, të cilët kishin pranuar bashkëpunimin me institucionin botëror. Modeli tranzicional mbështetet mbi tre objektiva, të konsideruara si të pandashëm nga procesi vetë i tranzicionit : « të rritet efektiviteti kompensues i aktiviteteve ekonomike, në mënyrë të të tillë që të rrisë nivelin e jetesës të popullsive të interesuara ; të mbështetet qëndrueshmëria financiare e reformave, duke realizuar një ekuilibër dinamik të bilanceve të pagesave publike dhe të jashtme sikundër dhe një inflacion të ulët ; të sigurohet qëndrueshmëria politike e reformave nëpërmjet vendosjes së mekanizmave ekonomike, që të kufizojnë rrezikun e kthimit mbrapa të reformave në kontekstin e demokratizimit të shoqërisë ». Paralelisht objektivave, janë përcaktuar tre masa të quajtura si të domosdoshme për të arritur objektivat e mësipërme : « liberalizimi, që i lejon tregut të zëvendësojë planin në shpërndarjen e burimeve dhe në përcaktimin e çmimeve relativë ; stabilizimi që kufizon shpenzimet publike dhe rritjen e masës monetare, gjithë duke siguruar stabilitetin e shkallës së shkëmbimit të monedhës kombëtare ; restrukturimi i cili parashikon privatizimin dhe shëndrrimin e mënyrave të qeverisjes së ndërmarrjeve si dhe të disa administratave me qëllim adaptimin e tyre me procesin e tregut dhe detyron aktorët ekonomikë drejt një riorganizimi prodhues, gjithë duke ndërtuar sisteme të mbrojtjes sociale të afta për të mbeshtetur të ardhurat e individit, të vëna në vështirësi nga procesi i tranzicionit ». Cituar nga : Julien VERCUEIL – La « grande transition » à l’Est, nouvel espace du capitalisme, Rue Descartes, N° 49, dans : http://www.ci-philo.asso.fr/.
.
.
(9) Petr PAVLINEK – Alternative Theoretical Approaches to Post-Communist Transformations in Central and Eastern Europe. Në : Acta Slavica Iaponica, Vol 20, 2003.
.
.
(10) Arolda ELBASANI – Albania in Transition : Manipulation or Appropriation of International Norms ? SouthEast European Politics, vol. 5, Nr. 1, june 2004.
.
.
(11) Anna GRZUMALA-BUSSE, Pauline Jones LUONG – The Ignored Transition : Post Communist State Development, Paper nr. 02 – 02, Weatherhead Center for International Affairs, Harward University, march 2002.
.
.
(12) Të gjithë ata shqiptarë që nuk i kanë harruar referencat e tyre myslimane – bile edhe të tjerët që nuk i kanë njohur kurrë – duhet të kujtohen për atë proverbën e Kuranit që shprehet diku se : « ..është me e lehtë për gamilen të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës se sa për të pasurin që shpreson të shkojë në Parajsë ».


Viti i Mbrapshtë 1997 –2. Kallashnikovët e opozitës.

29 Dhjetor, 2007
I shtyrë nga euforia popullore dhe nga shëndeti i mirë i dukshëm i ekonomisë, i llastuar nga mjediset politike dhe financiare evropiane që i ofruan vendit te tij një vend në gjirin e Këshillit të Evropës, Berisha ju përvesh punës për t‘i mbyllur gojën opozitës dhe me këtë rast, ai fshiu nga rruga të gjithë ata që nuk ndanin me të të njejtën ide të demokracisë. Ishte rasti i Zef Brozit – kryetari fatkeq i gjykatës të Kasacionit – megjithëse demokrat i orëve të para, i cili ju bashkua idesë të rishikimit të procesit Nano. Selia e tij u sulmua nga forcat e SHIK-ut, të cilat e dëbuan përpara se sa Parlamenti t’a shkarkonte nga detyra me anë të një procedure të dyshimtë. Ndërkohë, pesëmbëdhjetë « dinozaurët » e fundit të rregjimit të vjetër u nxorrën përpara gjyqit dhe u dënuan për gjenocid. Në këtë numër bënte pjesë edhe ish-Presidenti Alia, i cili ndërkohë ishte gjykuar, dënuar dhe liruar gjatë vitit 1995 ; po ashtu dhe ish-Kryeministrin Ahmeti, edhe ai i akuzuar për shpërdorim fondesh.
.
.
Në këtë atmosferë të neveritshme të « gjuetisë së shtrigave » që mbretëronte në vend, Parlamenti votoi disa Ligje që i përkisnin « Kontrollit të Figurës të Zyrtarëve » si edhe « Gjenocidit kundër njerëzimit për arsye politike, ideologjike ose fetare » ndërsa në shkurt të vitit 1996 ai ndryshoi edhe Ligjin e Zgjedhjeve. Tashmë, antarët e qeverive të dikurshme si dhe zyrtarët e lartë të rregjimit të vjetër komunist nuk mund të shkruanin emrin e tyre mbi listat e kandidatëve për Kuvendin Kombëtar as edhe të ushtronin detyra të larta në administratën publike (1). Përpara këtij realiteti të ri kushtetues, opozitës i duhej të sakrifikonte rreth 140 kandidatë potencialë, të ndaluar të konkurronin deri në vitin 2002 ndërkohë që rreth 100.000 qytetarë, të dyshuar për bashkëpunim me Sigurimin, rrezikonin të zhvisheshin nga të drejtat e tyre civile. Pas një fushate elektorale agresive, të karakterizuar nga teprime verbale të të gjitha llojeve dhe formave mes të cilave shtypi i opozitës cilësonte pushtetin si « hitlerian » që përdorte metoda të denja për Gestapon, ndërkohë që mediat zyrtare e vlerësonin opozitën si « Fronti i Kuq », zgjedhjet për deputetë – të dytat zgjedhje pluraliste dhe të lira në historinë e vendit – u zhvilluan në 26 maj të vitit 1996. Nën vështrimin e vëmendshëm të disa dhjetra vëzhguesve të bashkësisë ndërkombëtare, trembëdhjetë parti politike dhe mbi një mijë kandidatë konkuruan për ato 140 vendet e Kuvendit Popullor të Tiranës.
.
Megjithë vëzhgimet e para që theksonin klimën e qetë dhe paqësore, zhurmat lidhur me një falsifikim masiv qarkullonin gjithandej. Ato u bënë këmbëngulëse pas vendimit të papritur të qeverisë për të zgjatur edhe dy orë të tjera mbajtjen e zgjedhjeve me qëllim që qendrat e votimit të mund të pajiseshin me protokolle të reja votimi. Kjo gjë parashikonte anullimin e një pjese të rezultateve tâ arritura. Në orën gjashtë të pasdites – dy orë përpara mbylljes zyrtare të votimit – të gjitha partitë e opozitës vendosën të tërhiqen nga procesi elektoral. Njëzet e katër orë pas shpërthimit të entuziazmit të partizanëve të PD që festonin me zhurmë « fitoren » nëpër rrugët dhe sheshet e vendit, një turmë modeste prej pothuaj një mijë antarësh dhe simpatizantësh të PS mblidhej në sheshin « Skënderbej » të kryeqytetit për të manifestuar pakënaqësinë e tyre. Ata u shpërndanë me brutalitet nga forcat e policisë e cila qëlloi dhe rrahu pa asnjë dallim ish-deputetë, gazetarë dhe drejtues politikë. Pa dyshim, opozita kish gjetur një mënyrë tepër të zgjuar dhe të shkathët për të administruar një humbje të parashikuar nga të gjitha sondazhet. Ajo kërkonte tashmë të shtynte rregjimin e Berishës drejt një rruge pa krye, duke e vënë në vështirësi përkundrejt donatorëve të tij të shumtë, me të vërtet të shqetësuar përballë shkarjeve autoritare të Presidentit shqiptar.
Turi i dytë i 2 qershorit pati pamjen e një maskarade : duke qenë tashmë e sigurt me ata 95 deputetët e saj të porsazgjedhur me sistemin e drejtpërdrejtë nga 115 të mundshëm, Partia Demokratike i fitoi të gjitha mandatet e tjera. Zaten, përfundimi i zgjedhjeve njihej para kohe – pas tërheqjes së kandidatëve socialistë ose të aleancës – pasi të vetmit kandidatë të mbetur në lojës i përkisnin partive të vogla të spektrit të djathtë (2). .
Duke dominuar në këtë mënyrë jetën politike të vendit me anë të një parlamenti « njëngjyrësh », PD dhe Berisha inauguronin mandatin e tyre të dytë elektoral me një votëbesim ndaj qeverisë Meksi. Por me rënien e euforisë të fitores së paharruar, Presidentit i duhej të zbriste në tokë dhe të kuptonte shkallën e vështirësive të reja, të krijuara nga këto zgjedhje aq të suksesshme. Atij i duhej të përballej me :
.
.
.
– Një opozitë të brendshme të pushtuar nga shpirti i kryengritjes, arma kryesore e të cilës ishte bojkotimi i institucioneve dhe mungesa e saj e shënuar në debatin politik, ndërkohë që një grup jo i vogël i atyre 140 përfaqsuesve të saj më në zë kish filluar një grevë urie tejet mediatike.
.
.
– Një pakënaqsi ndërkombëtare në rritje si pasojë e zgjedhjeve, mungesa e transparencës të të cilave tashmë nuk linte asnjë dyshim. Korit të institucioneve evropiane (Parlamenti dhe Këshilli i Evropës si dhe OSBE) të cilat kërkonin ribërjen e zgjedhjeve, i ishte bashkëngjitur edhe administrata amerikane e Presidentit Klinton, e cila nuk hezitonte më të përdorte shprehjet « mashtrim » ose « falsifikim i rezultateve » dhe të cilësonte zgjedhjet si « një hap serioz prapa në procesin e zhvillimir demokratik në Shqipëri ».
.
.
– Një tentativë tjetër mosbindjeje – të kushedisatën – brenda përbrenda rradhëve të partisë të tij, aftësia e të cilës për të prodhuar skizma gjatë zgjedhjeve nuk kish më nevojë që të vërtetohej. Në të vërtetë, disa nga elementët më të spikatur të PD si puna e ish-ministrit të financave Ruli ose ish-ministri i Ndërtimit Shehi kishin paraqitur një promemorje që vinte në dukje devijimin e djathtë të partisë ose dhe organizimin e saj të brendshëm. Siç mund të pritej, ata u përjashtuan pa asnjë formë procesi dhe pa asnjë keqardhje, duke respektuar në këtë mënyrë një traditë tashmë proverbiale për PD.
.
.
– Zëra gjithmonë e më ngulmues të ardhur nga brenda vendit si dhe nga jashtë tij që theksonin rrezikun në rritje që peshonte mbi ekonominë kombëtare për arsye të aktivitetit të « shoqërive të kreditit ».
.
.
Përballë shumëfishimit të kritikave dhe të paralajmërimeve, Berisha qëndroi i papërkulur dhe përsëriti pa u lodhur aspak deklaratat e tij të mëparshme lidhur me natyrën « fair play » të procesit elektoral të porsapërfunduar në vendin e tij. Bile edhe më mirë se aq : duke zëvendësuar të gjithë antarët e Komisionit Qendror të Votimeve, ai dha një provë tjetër të shkëlqyer të fuqisë së tij. Vetëm disa muaj më vonë, zgjedhjet e reja lokale të zhvilluara në 20 dhe 27 tetor 1996 u shëndrruan në një plebishit të vërtetë për partinë e tij politike. PD mundi të siguronte 88% të votave gjatë procesit të drejtpërdrejtë dhe 52.5% të votave ndaj partive politike (29 rrethe ndaj një totali prej 36, 52 bashki ndaj 65 të mundëshme dhe 261 komuna mbi 309 gjithsej), ndërkohë që rivalja e saj e drejtpërdrejtë, Partia Socialiste – përfundimisht e bindur nga ana e evropianëve për të mos bojkotuar zgjedhjet – arriti të merrte veç 10% të votave direkte dhe 31.3% të atyre sipas listave (6 rrethe, 8 bashki dhe 27 komuna) (3). Një tjetër « test i qëlluar » për demokracinë shqiptare, sipas vlerësimeve të komisionit parlamentar të Këshillit të Evropës, megjithë disa parregullsive serioze që i ndotën deri-diku rezultatet. Duke fshirë në këtë mënyrë opozitën socialiste e cila gjatë muajit gusht, si për të nënvizuar kalvarin e saj, i ripërtperiti besimin Nanos së kryqëzuar në shtyllën e turpit, Berisha mundi të ruajë bazën e pushtetit të tij politik. Mundim i kotë për Presidentin shqiptar pasi ai braktisej nga aleati i tij i parë dhe më i fuqishëm, amerikanët.
.
.
A ishte faji i mashtrimit elektoral të maj – qershorit ? apo, nga shkaku i atij biznesi monstruoz, i mbiquajtur « piramidat financiare » që po hynte në fazën e saj terminale ? Vendi më i fuqishëm demokratik i botës – dhe miku i zemrës i PD – gjithmonë kish ditur në të kaluarën të mbyllte sytë përkundrejt shkarjeve autoritare të Berishës. Por kësaj rradhe, fjalimet e egzaltuara të Presidentit shqiptar nuk arrinin të magjepsnin askënd, aq më keq që duheshin duruar edhe për katër vjet të tjera. As ai lobi grek, aq mirë i rrënjëzuar në mjediset qeveritare amerikan edhe tejet i ndjeshëm ndaj çështjes vorio-epirote as edhe CIA, e preokupuar për të shpleksur fijet e Ballkanit postkomunist, shtatzënë me konflikte etnike të përgjakshme, nuk mund t’a toleronin më. Idili mes Shtëpisë së Bardhë dhe Pallatit të Brigadave kish marrë fund në mënyrë të papritur.
.
.
Vdekja e rregjimit Berisha kundërmonte erë paresh. Që në muajin tetor, FMI kish paralajmëruar pushtetin lidhur me përhapjen tentakulare të fenomenit « piramida » dhe në nëntor, ai kish mundur të marrë si jehonë deklaratat televizive të Presidentit që theksonin « karakterin absolutisht të pastër të parave të këtyre shoqërive të kreditit ». Ndërkohë, njerëzit kishin filluar të shisnin gjithçka kishin – apartamente, truaj apo toka dhe të tjera bagëti – për të investuar paratë në këto shoqëri që premtonin interesa mujore prej 50%, bile edhe 100%, ndërkohë që niveli vjetor i inflacionit në vend nuk e tejkalonte shifrën 20%. Vetëm se, në 10 janar të vitit 1997, Banka Kombëtare e Shqipërisë dekretonte se nuk mund të shbllokonte shuma më të mëdha se 300.000 dollarë në ditë në llogaritë e këtyre shoqërive. Një javë më pas, shoqëria « Gjallica » e ndjekur nga « Sudja » nuk ishin më në gjendje të rimbursonin kapitalin fillestar të atyre mijra kreditorëve, që kishin vrapuar në sportelet përkatëse për të verifikuar vërtetësinë e vendimit të qeverisë. Ato deklaruan se tashmë ishin në pamundësi të paguanin klientët dhe shpallën falimentimin e tyre, duke shkaktuar një sulm të përgjithshëm të të gjithë kursimtarëve të vendit drejt sporteleve të shoqërive të kreditit. « Vefa » dhe « Kamberi » reaguan menjëherë, duke shpallur synimin e tyre të mos paguanin depozitat përgjatë një periudhe prej tre deri në gjashtë muaj. Në 18 janar, policia ndërhynte në Tiranë për të shpërndarë grumbullimet e para spontane të kursimtarëve të mashtruar.
.
.
Pas disa ditësh hezitimi, Banka Kombëtare vendosi të bllokojë llogaritë e këtyre shoqërive, më mirë të themi paratë e tyre të depozuara në kasat e saj : 250 millionë dollarë, pra më pak se 40% të shumave që duheshin rimbursuar me urgjencë. Si mund të qetësoheshin ata qindra mijra vetë që filluan të kuptonin përmasat e katastrofës ? Në asnjë mënyrë nëpërmjet vendimeve të Prokurorisë së Përgjithshme që deklaronte se firmat « Xhaferri » dhe « Populli » s’ishin gjë tjetër veçse skema mashtruese të llojit Ponzi, përpara se të hapte hetimet ndaj drejtuesve të tyre ose të urdhëronte arrestimin e jevgës Sude dhe t’a dorëzonte në duart e drejtësisë. Vetëm të citoje shifrat të merrej mëndja e kokës : më tepër se një e treta e familjeve shqiptare kishin humbur krejt ose pothuaj krejt kursimet e tyre ; paret e humbura shifroheshin me më tepër se një miliard e dyqind milionë dollarë – thuaj gjysma e PBB të vendit ; asnjeri nuk dinte se ku ishin avulluar këto para, të cilat ushqenin një « llotari » makabër, volumi i përgjithshëm i të cilës llogaritej me afro gjashtë miliardë dollarë.
.
Bëhet fjalë pra për një « flluckë financiare » gjiganteske e cila plasi dhe la pa frymë një vend të tërë : ku shkuan paratë ? Kush e kishte fajin ? Qeveria, e cila nuk ka dashur të pengojë me kohë këtë katastrofë kombëtare – ja edhe pikpamja e opozitës. Si shpjegohet që edhe kjo e fundit gjithashtu nuk kish mundur të shihte gjë prej gjëje dhe si pasojë, nuk e kish ngritur zërin me kohë për të lajmëruar opinionin ? Sidoqoftë, kjo verbëri e opozitës nuk e pengoi aspak që të integronte turmën e inatosur në rrugët e Tiranës, në 18 janar, dhe të denonconte me zë të lartë vjedhjen.
.
.
Ndërkohë, vlimi kish pushtuar rrethet ; në 24 janar, dy mijë manifestues sulmonin dhe i vinin zjarrin bashkisë së Lushnjës, pasi kishin marrë peng Tritan Shehun, Presidentin e PD, i cili kish vrapuar në vend për të qetësuar shpirtrat (shih video). Në 25 janar i erdhi rradha Vlorës, Patosit, Fierit… – gjithsej nëntë qytete – për t’u ngritur në manifestime të ngjashme, të ndjekura nga përleshje me forcat e rendit. Në 26 janar, njëzet mijë manifestues marrshonin në rrugët e kryeqytetit duke bërtitur « Berisha – hajdut » ose « Poshtë diktatura (!?) ». Ata u përleshën me njësitë speciale të forcave të rendit të cilave ju desh të tërhiqen, duke bartur mbi 90 të plagosur mes rradhëve të tyre (shih video). Atëhere, i erdhi rradha Presidentit të hidhet në kundërsulm : në 28 janar, ai mblodhi dhjetë mijë partizanë të partisë së tij në Tiranë, të cilët manifestuan duke shprehur mbështetjen e tyre ndaj qeverisë, ndërkohë që policia arrestonte disa qindra opozues përpara se sa t’i rrihte sipas qejfit. Në 30 janar, gjashtë parti të opozitës, nën udhëheqjen e socialistëve deklaronin krijimin e një « Forumi për Demokracinë ». Forcat politike tashmë ishin renditur përballë njerat tjetrës në fushën e betejës.
.
.
Pas deklaratave këmbëngulëse të qeverisë Meksi lidhur me një rimbursim të shpejtë dhe të plotë të të gjithë personave të mashtruar – të ndjekura nga hapja e disa sporteleve të drojtura që fillojnë dhe paguajnë disa fatmirë, u duk se vala e parë spontane e manifestimeve filloi të bjerë. Në të vërtetë, qetësia e vërejtur ishte mashtruese pasi në 5 shkurt, u fol haptazi se « Gjallica » po falimentonte dhe do të mbyllte sportelet. Kjo firmë, selia e të cilës ndodhej në Vlorë – kryeqyteti i të gjitha trafiqeve – ishte krenaria më e madhe dhe ndoshta e vetme e këtij
qyteti. Ajo mbante me bukë disa mijra familje, të cilat kishin vënë në lojë gjithçka që zotëronin për t’u pasuruar shpejt. Përpara se sa ky lajm i tmerrshëm të zyrtarizohej, turma pushtoi sheshet dhe u lëshua në përleshje rrugësh me forcat e policisë. Përgjatë disa ditëve, Vlora u shëndrrua në epiqendrën e revoltës së çorganizuar dhe përfundimisht, në 9 shkurt, mbi dhjetë mijë vetë sulmuan komisariatet e policisë lokale. Në 10 shkurt, qeveria Meksi arriti të kuptojë se ajo nuk e kontrollonte më këtë qytet prej 70.000 banorësh – qyteti i pestë i vendit – i cili kish kaluar në duart e kryengritësve. Ndërkohë që një turmë e paanë merrte pjesë në funeralet e viktimave të para (3 të vrarë dhe afro 150 të plagosur), fillimisht mbarë vendi, dhe më pas mbarë bota filluan të ngrenë pyetjet : cilët janë zotërit e rinj të Vlorës ? Po qe se i zemë besë eruditit Berisha, bëhej fjalë për « kriptokomunistët » e opozitës që kërkonin të zhysnin vendin në kaos, ndërkohë që sipas thënieve të opozitës largpamëse, episodi i Vlorës s’ishte gjë tjetër veçse faqja e pasme e medaljes « të falimentimit të piramidave financiare, përgjegjësi kryesor i të cilës ishte vetë Berisha ». Që të dyja palët kishin të drejtë pasi ajo turma laramane e Vlorës, që kish mundur të grumbullonte të mashtruarit, të zhgënjyerit e të gjitha llojeve, terjaqinjtë e kafeve, shefa të mëdhenj dhe të vegjël mafiozë, nostalgjikët e komunizmit dhe të tjerë oficerë të liruar ose sigurimsa të papunë, ishte tërhequr me zgjuarësi nga përgjegjsat lokalë të opozitës socialiste dhe social-demokrate. Në një mënyrë si të rastësishme, këta të fundit ishin edhe drejtuesit lokalë të « Gjallicave», të « Vefave » ose të « Silvave », hallka të një zinxhiri të gjatë skajet e të cilit gjendeshin në shtabet e partive kryesore politike. Çfarë duhej bërë kundër kryengritësve ? Përgjigja përvëlonte pasi, në 14 shkurt, përleshje të tjera shpërthyen në Fier, i cili ishte duke kaluar në anën e rrebelëve. Tashmë lajmet e kësaj zone vinin me copa : në 20 shkurt, disa dhjetra studentë të Universitetit të Vlorës filluan një grevë urie për të kërkuar kthimin e parave të humbura ; në 27 shkurt, rreth 20.000 vetë marrshonin duke hedhur parrulla anti-Berisha në rrugët e qytetit bregdetar dhe së fundi, në 28 shkurt, një turmë « prej disa mijra vetësh sulmoi një kazermë të ushtrisë, duke rrëmbyer disa qindra armë zjarri, nën vështrimin e pafuqishëm të ushtarakëve ». Në të njejtën ditë, forcat e SHIK-ut kishin dështuar në mënyrë të mjerë gjatë përpjekjes së tyre për të shtënë në dorë qytetin – duke lënë mbrapa me këtë rast gjashtë persona nga rradhët e tyre – të sakatuar dhe përfundimisht të masakruar nga turma. Menjëherë, qeveria dekretoi gjendjen e jashtëzakonshme në qytet. Në 1 mars, qeveria Meksi dha dorëheqjen dhe Presidenti Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin, të shoqëruar me një ndalim-qarkullimi, nga ora 20 e mbrëmjes deri në 7 të mëngjezit. Kësaj rradhe gjendja ishte me të vërtetë tepër shqetësuese pasi, në mënyrë të befasishme, i gjithë Jugu i vendit ishte përfshirë në një ingranazh dhune dhe çmëndurie vrastare : zyrat e SHIK-ut sikundër dhe bankat, bashkitë dhe të tjera gjykata ishin sulmuar në Delvinë dhe në Sarandë ; në Gjirokastër, turma kish përmbytur Prefekturën e qarkut ; në Fier, turma kish sulmuar, plaçkitur dhe djegur depot e municionit përpara se të shpallte se do të marrshonte drejt Tiranës dhe të bllokonte rrugën kombëtare në disa sektorë të saj. Breshëritë e para të armëve automatike ishin dëgjuar në kryeqytet ku banorët, e panikuar, kishin filluar të braktisnin rrugët dhe institucionet publike. Me qëllim që të rimerrte në dorë situatën, Presidenti që tashmë qeveriste vetë shpalli mobilizimin e përgjithshëm dhe dërgoi njësitë e blinduara për të hapur rrugën e Fierit dhe më tej, në Vlorë dhe në Sarandë, ndërkohë që helikopterët e ushtrisë mitralonin Delvinën. Dështimi ishte i të njejta përmasave sikundër edhe shpresat fillestare pasi ushtarakët dhe forcat speciale u detyruan të tërhiqeshin me nxitim dhe t’i linin iniciativën rrebelëve, të cilët shpallën pavarësinë ndaj pushtetit qëndror. Lajmi i fundit ishte krijimi i « Komiteteve të Shpëtimit Publik »” si edhe i « Komunës së Vlorës » – një diçka krejt origjinale në këto ditët e para të marsit. Në të vertetë, lajmet ishin më se alarmante : një numër i madh njësish ushtarake kish dezertuar dhe ishte « vëllazëruar » me kryengritësit që tashmë zotëronin tanke, deri edhe aviona luftarakë pas pushtimit të një baze ushtarako-ajrore të qeverisë. Në këto kushte, Presidenti i porsazgjedhur Berisha (4) u mundua të fitojë kohë : në 8 mars, nën vështrimin dashamirës të Lamberto Dinit, ministrit italjan të Punëve të Jashtme, ai filloi një rreth konsultimesh me përfaquesit e partive të opozitës, e cila – që nga socialistët dhe deri tek republikanët – ishte strukur pas Forumit të saj Demokratik. Në të njejtën ditë, helikopterët e Presidentit sulmonin Gjirokastrën dhe Përmetin. Dy ditë më pas, Presidenti me shpirt të vrerosur i dha bekimin një qeverie të re të Pajtimit Kombëtar, të drejtuar nga Bashkim Fino. Mjaft që ky ish-kryetar bashkie nga Gjirokastra me fytyrë çilimiu, të mundë të mbledhë forcat politike të vendit dhe t’i verë në shërbim të vendosjes së rregullit dhe të rendit publik ! Në terren, punët shkonin keq dhe mos më keq : gjithmonë në 8 mars, nja dhjetë qytete janë shpallur të lira ndërkohë që në 10 mars rregjistrohen përleshje të reja në Berat, në Lushnje, në Kuçovë ose në Korçë. Në 11 mars, për herë të parë, turmat e inatosura sulmojnë dhe plaçkisin kazemat dhe depot e municionit në Veri të vendit – në Kukës dhe në Bajram Curri, ndërkohë që në 12 mars, revolta shpërthen në Elbasan dhe Cërrik si edhe në Shkodër. Tetëmbëdhjetë Komitete të Shpëtimit Kombëtar të qyteteve të jugut mundën të mblidheshin në Gjirokastër dhe krijuan një « Front Kombëtar të Shpëtimit Publik », një kundër-pushtet që afishonte indipendencën e tij nga çdo autoritet tjetër në vend. Në 13 mars, përleshje të përgjakshme mes bandash rivale ndodhnin në Korçë ndërkohë që plaçkitja e kazermave dhe e depove (shih videon) kish arritur kulmin në Shkodër dhe në Durrës ku, turma e eksituar kish mbajtur vrapin në depot e portit. Në Lezhë, grabitja e organizuar kish filluar në degën e Bankës së Shtetit përpara se sa të përhapej në të gjithë qytetin. Të gjitha burgjet e vendit ishin thyer dhe me qindra, bile me mijra të burgosur u kthyen në shtëpitë e tyre, ndërkohë që pjesa tjetër u bashkua me turmat plaçkitëse. Përpara faktit të kryer, Berisha shpalli faljen presidenciale për ata më të shquarit ; kështu, që të nesërmen, Nano çfaqej përpara shtabit të tij të përgjithshëm dhe një turme simpatizantësh socialistë në delir. Në të kundërt, Alia largohej nga vendi për të shkuar në Francë. Në 15 mars, plaçkitjet dhe përleshjet e rrugëve përmbytën kryeqytetin Tiranë.
.
.

Nga momenti i shpalljes së dorëheqjes të qeverisë Meksi, bashkësia ndërkombëtare u vu në lëvizje për të gjetur zgjidhje ndaj krizës e cila po trondiste themelet e vendit dhe që për më tepër, rrezikonte të destabilizonte gjithë rajonin. Më të interesuarit, Greqia dhe Italia kërkuan në 2 mars një mbledhje urgjente të ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian për të debatuar lidhur me mobilizimin e mjeteve të domosdoshme për t’i dhëne fund krizës së “piramidave financiare”. Dy ditë më vonë, OSBE dërgoi në Tiranë një mision vëzhgimi të
drejtuar nga Franc Vranicki, një ish-kancelar austriak, i cili as që u prit nga një Berishë i inatosur. Duke ju rikthyer propozimeve të veta lidhur me një përsëritje të zgjedhjeve parlamentare, Bashkimi Evropian i rekomandoi shtetasve të vet të braktisnin vendin ndërkohë që në 13 mars, të gjithë fqinjët e Shqipërisë mbyllnin kufijtë për të penguar vërshimin e një dallge të re rrefugjatësh. Në 14 mars, qeveria e re Fino kërkoi zyrtarisht dërgimin e një force ushtarake shumëkombeshe të paqësimit, pa mundur të bindë ministrat evropianë të Punëve të Jashtme të ndërmarrin një aventurë të tillë. Përfundimisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të luajnë një kartë tjetër, duke kërkuar dorëheqjen e Berishës. Përgjigja e ketij të fundit qe bubullitëse : ai deklaroi publikisht se rrebelimi komunist i Jugut ishte frymëzuar dhe përgatitur nga CIA dhe nga qarqet helenike (5) të cilat kërkonin të hiqnin qafe një fqinjë të bezdisshëm. Pas disa ditë sorollatjesh, OSBE vendosi më në fund dërgimin e një force ndërkombëtare në Shqipëri. Në të vërtetë urgjenca i kish tejkaluar kufijtë e vendit dhe kish detyruar Italinë të vinte forcat e saj të armatosura – detare dhe tokësore – në gjendje gadishmërie maksimale : brenda javës, mbi dhjetë mijë vetë të nisur nga toka përballë, kishin zbarkuar në brigjet e saj. Për më tepër, këta të ardhur rishtas nga një vend në luftë ishin të armatosur deri në dhëmbë : pistoleta automatike, armë të të gjitha kalibrave, granada sulmi dhe eksplozivë të të gjitha llojeve – bile edhe mitralozë të lehtë, të rëndë deri edhe bazuka, ja kush ishte ngarkesa e zakonshme e barkave që konfiskoheshin nga karabinierët e rajonit të Barit dhe të Brindizit, pa harruar dhe barrën klasike të kërpit indian ose të heroinës. Veç mendimi që një arsenal i tillë mund të binte në duart e rrjetave kalabreze ose puljeze të Ndrangetas ose të « Sakra Korona Unita » shkaktonte djersë të ftohta në Romë. Duke aktivizuar mburojën detare, të quajtur « Operacioni flamujtë e bardhë », qeveria Prodi kish vënë si objektiv të intercepronte dhe të bllokonte të gjitha mjetet e lundrimit që transportonin rrefugjatë potencialë jashtë kufirit prej 20 miljeve detare dhe në rast nevoje, t’i shtynte jashtë ujrave të saj territoriale. Në 28 mars, një anije e vjetër e nisur nga Vlora, e tejngarkuar me rrefugjatë, u interceptua dhe u godit nga një anije luftarake e flotës ushtarake italjane përballë bregut të Leçes : 85 vetë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin gra dhe fëmijë të mitur, u mbytën nën vështrimin e detarëve italjanë (6). Ishte një incident i panevojshëm dhe mizor, e vetmja « meritë » e të cilit ishte përshpejtimi i ngjarjeve. Që të nesërmen e katastrofës, Këshilli i Sigurimit i OKB votoi dhe aprovoi mandatin e një force mbrojtëse ndërkombëtare (FPMN), nën komandën italjane, e ngarkuar për « të ndihmuar dhe të garantojë dërgimin e shpejtë dhe të sigurt të ndihmës humanitare, të ndihmojë në vendosjen e një mjedisi të përshtatshëm për kryerjen e misioneve të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, duke përfshirë edhe ato të ndihmës humanitare ». Dy javë më vonë, ushtarakët e parë të misionit « Alba » zbarkonin në portin e Durrësit. Një ushtri e vërtetë prej pothuaj 7.000 ushtarakësh që i përkisnin një dhjetëshe vendesh evropiane (7), pjesa më e madhe e të cilëve ishin të pellgut mesdhetar, nën komandën e gjeneral Forlanit zuri hyrjet e vendit – portet e Durrësit dhe të Vlorës si edhe aeroportin e Rinasit pranë Tiranës. Kjo forcë ushtarake u aplikua kryesisht në operacione logjistike dhe të shbindjes, për të mos thënë të frikësimit dhe, në raste të rralla u morr me shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe mjeksore të kufizuar (5.500 tonë gjithsej). Mandati i saj fillestar prej 90 ditësh u rizgjat edhe për 45 ditë të tjera, pas negociatave të suksesshme të Vranickit me forcat politike. Në këtë mënyre, të gjitha palët mundën të bien dakord për të zhvilluar zgjedhje të reja legjislative, të parashikuara në 29 qershor dhe 6 korrik të vitit 1997. Megjithë refuzimin e prerë të « turistëve të armatosur » për t’u angazhuar në operacione të ashtuquajtura « policore », megjithë çorganizimin e plotë në të cilën notonte qeveria e përkohshme e Finos, gjesti më i ndritur i të cilës ishte trefishimi i rrogave të policëve, vendi ju afrua dalëngadalë afateve elektorale. Me fjalë të tjera, fantazma e luftës civile mes Jugut – socialkomunist dhe adept i Nanos, dhe Veriut – demokrat dhe besnik i Berishës, aq shumë e përmendur nga gazetarët dhe reporterët evropianë të nxituar në vend, ishte zvenitur dhe avulluar duke i lënë vendin një rrumpalle të papërshkrueshme, të prodhuar nga plaçkitës anonimë të armatosur dhe nga banda rivale keqbërësish. Kjo « luftë e ndyrë » që prodhonte mesatarisht njëzet viktima çdo ditë mes larje hesapesh të të gjitha llojeve, sulmeve plaçkitëse të armatosura, aksidenteve vdekjeprurëse dhe plumbave qorrë, përbënte edhe dekorin e çdo aktiviteti ekonomik, politik bile edhe intelektual të vendit. Nën mbrojtjen e sigurt të atyre mijra ushtarakëve evropianë dhe atyre qindra vëzhguesve ndërkombëtarë, një pjesë e madhe e shqiptarëve (73% e popullsisë) u çvendos në 29 qershor, një të djelë, drejt kutive të votimit – dhe një javë më vonë, në 6 korrik – për të zgjedhur 155 përfaquesit e popullit (8) që do të uleshin në Parlamentin e Tiranës. Rezultatet e dala nga kutitë ishin tejet të qarta : koalicioni i të Majtës, i udhëhequr nga socialistët, realizonte 61,6% të votave në planin kombëtar dhe me ata 118 deputetët e tij siguronte shumicën absolute të Parlamentit (9). Partizanët e të Djathtës, të drejtuar nga demokratët, nuk kalonin shifrën e 31% (30.8%) ose e thënë ndryshe, 30 deputetë. Epoka e demokracisë berishjane kish përfunduar dhe PD, pas pesë vjetësh lavdie, linte dorën dhe shkiste në ferrin e opozitës. Ç’është e vërteta, këto zgjedhje legjislative kishin pamjen e një marrëveshjeje të imponuar. I shtyrë drejt portës të daljes nga ana e një bashkësie ndërkombëtare, e nxituar për t’i dhënë fund një konflikti vetëvrasës në gjirin e shoqërisë shqiptare që rrezikonte t’i vinte zjarrin gjithë rajonit, Berisha kish provuar shansin e tij të fundit. Megjithë epitetet « të pranueshme duke marrë parasysh rrethanat » ose vlerësimet e llojit « ato duhet të shërbejnë si bazë për një sistem demokratik, të fuqishëm dhe të dëshirueshëm nga të gjithë Shqiptarët » (10), gjithkush ishte i ndërgjegjshëm se ato ishin përgatitur me ngut, mbi bazën e listave elektorale të mangëta dhe së fundi, në një atmosferë të përgjithshme kryengritëse. Ndërkohë, pushteti ligjor ishte në duart e një grupimi politik të quajtur « i Pajtimit Kombëtar », në lidhje me të cilin asnjeri nuk ishte në gjendje të thoshte deri ku shtrihej autoriteti i tij. Si duhet të reagonte Berisha dhe partia e tij në lidhje me rezultatet e këtyre zgjedhjeve ? Ti vinte në dyshim, për të mos thënë t’kundërshtonte ? Kjo gjë do të përbënte një akt vetëvrasjeje, aq më tepër që ishte Evropa vetë që i organizonte dhe garantonte rezultatet. T’i pranonte, të tërhiqej – dhe të priste me shpresë që ora e tij do të vinte përsëri – ja një vendim i urtë, i përshëndetur nga mbarë bota. Mjaft që të kish kurajon për të përballuar marrshimin e vetëm nëpër shkretëtirë si edhe hakmarrjen e armiqve të tij, urimi më i sinqertë i të cilëve ishte dalja e Berishës në « pension », largimi përfundimtar nga skena politike.
.
.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve të fundit ishin të kjarta të paktën lidhur me një çështje : forma e rregjimit. Në të vërtetë, zgjedhjet e qershor-korrikut 1997 pëmbanin një kapitull më vehte të natyrës të referendumit me anë të të cilit, qytetarët duhej të shpreheshin në se ata ishin për Republikën ose për Monarkinë. I nisur nga Afrika e tij e Jugut, pretendenti për fronin shqiptar Leka Zogu i ishte përveshur punës në vend që prej muajit prill 1997, i lumturuar që gjendej së fundi mes bashkëpatriotëve të tij, të cilët i kish zbuluar pas pesëdhjetë e tetë vjet në mërgim. Siç mund të imagjinohej, ideja e Monarkisë u hodh poshtë nga dy shqiptarë ndër tre. Sidoqoftë, vetë fakti që Zogu « i ri » kish mundur të bashkonte 33% të popullatës rreth një projekti tërësisht steril si ai i monarkisë (11) ishte për t’u përshëndetur dhe për t’u vlerësuar. Një sovran si Leka, partia e Legalitetit e të cilit kish mundur të çonte në Kuvend vetëm dy deputetë – dhe kjo falë proporcionales, pasi i gjithë vrulli elektoral kish prodhuar një rezultat të vajtueshëm prej 1,29%, fillimisht duhej të habitej dhe më pas të mrekullohej nga ky mister, që vetëm Shqipëria e mban sekretin. Në të vërtetë, i revoltuar nga ky rezultat dhe i neveritur nga kushtet e jetës, Leka braktisi menjëherë vendlindjen për të thelluar reflektimet e tij në veldin e tij paqësor jug-afrikan.
.
.
Përfundimisht, në 23 korrik Berisha dha dorëheqjen, i imituar që të nesërmen nga i përkohshmi Fino. Vendin e të parit e zuri profesor Rexhep Mejdani, një fizikan atomist i sferave të larta, i dalë nga lënda socialiste i cili mandatoi të pashmangshmin Fatos Nano për të krijuar qeverinë e re. Duke repektuar premtimet e bëra ndaj aleatëve dhe partnerëve politikë, Nano shpërndau disa portofole mes Demokratëve të Rinj të Aleancës, Socialistëve të shëndrruar në Demokratë dhe Bashkimtarëve të të Drejtave të grekëve dhe në këtë mënyrë në 25 korrik, qeveria e re u instalua në zyrat e saj të reja. I mrekulluari Nano rigjente në këtë mënyrë vendin e tij të dikurshëm të Kryeministrit, gjashtë vjet më vonë – një vit konvaleshence, dy vjet në opozitë dhe tre vjet në burg. Bashkë me të e Majta e Re rivinte në pushtet – dhe në biznes, pas tre turesh zgjedhjesh legjislative, nga të cilat dy të parakohshme.
.
.
I ngjitur në pushtet pas një vandalizmi primitiv, i ndjekur nga një grabitje e përgjithshme, rregjimi i Berishës largohej nga skena, gjithmonë në mes të një vandalizmi edhe më të frikshëm, të shoqëruar kësaj here me një det gjaku të llahtarshëm. Ai linte pas kujtimin e një shpërdorimi fatkeq, mes të cilit shkëlqenin një varg shifrash të gëdhëndura në memorjen e popullit : disa dhjetra parti politike në përleshje me njera tjetrën – për hir të pluralizmit politik, disa qindra pasanikë të rinj që manipulonin ekonominë kombëtare – falë zemërgjerësisë së demokracisë, disa mijra viktima – dhuratë e revoltës së armatosur, disa dhjetra mijra gra e vajza që kurvëroheshin nëpër Evropë – për të mbajtur gjallë veten dhe familjet e tyre, disa qindra mijra rrefugjatë që rropateshin në Itali dhe Greqi – për të mbajtur gjallë qytete dhe fshatra të tëra, po aq kallashnikovë në qarkullim të lirë – me anë të të cilëve shqiptarët mund të vrisnin lirisht njëri tjetrin, një milion e diçka vetë të mashtruar nga shoqëritë e kreditit – falë syleshërisë apo bashkëfajësisë të PD, një miliard e diçka më tepër dollarë të avulluar në natyrë – çmimi i biletës drejt ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së konsumit.
.
.
———————————-
.
.
(1) Për të bërë një krahasim me praktikat e çkomunizimit, të zbatuara në vendet e tjera të ish-demokracive popullore, shih : Alexander SMOLAR – Les aventures de la décommunisation – Critique Internationale, nr. 5, automne 1999 ; sikundër dhe : Kieran WILLIAMS et al. – Explaining Lustration in Easter Europe : a Post Communist Approach, Sussex European Institute, SEI Working Paper 62, mars 2003.
.
.
.
(2) Njëkohësisht u zhvillua një tur i tretë, në 16 qershor, për të zgjedhur katër deputetë në ato zona, rezultatet e të cilave u çvleftësuan që në turin e parë për çrregullime gjatë zgjedhjeve ose numërimit të votave. Përfundimisht, parlamenti i ri, i dalë prej zgjedhjeve të maj-qershorit të vitit 1996 numëronte 122 deputetë me etiketën e PD, 10 deputetë të Ps – të cilët refuzuan të merrnin pjesë në punimet e tij, 3 deputetë të PR, 3 të PBDNJ dhe përfundimisht 2 të Partisë së Ballit Kombëtar (PBK).
.
.
(3) Mbetja u shpërnda mes koalicionit të Frontit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit (1 bashki dhe 4 komuna), PBDNJ (1 distrikt dhe 8 komuna), PR (6 komuna), Bashkimit Social-Demokrat (2 komuna) dhe së fundi Partisë Kristian Demokrate (1 komune). Ajo çka mbeti i përkiste kandidatëve të pavarur. Shkalla e pjesëmarrjes në këto votime ishte rreth 70%.
.
.
.
(4) Në mes të anarkisë të përgjithshme dhe të violencës së përditshme, në 3 mars 1997, Berisha ishte rizgjedhur President i Republikës për një mandat të ri prej katër vjetësh, me 114 vota pro ndaj 118 votuesve, në gjirin e një Kuvendi Popullor ku të gjithë deputetët i përkisnin partisë së tij Demokratike. Duhet vënë në dukje që, disa ditë më parë një grup prej 14 deputetësh të PD kish depozuar një amendament ku kërkohej dorëheqja e Presidentit, sikundër dhe një kërkesë pranë Këshillit Kombëtar të partisë me kërkesën e përjashtimit të Berishës nga rradhët e lëvizjes.
.
.
.
(5) Nga të parët që përmendi hapur një skenar të destabilizimit të pushtetit Berisha, vepër e qarqeve vorio-epirote dhe të lobit helenik të Shteteve të Bashkuara ishte Gazidede, patroni i Shërbimeve të Fshehta të vendit, gjatë një sance të parlamentit të Tiranës, në 26 mars të vitit 1997. Ndërhyrja e tij, e ruajtur në arshivat e Parlamentit, përmban detaje të « Planit Lotos , të përpunuar që në vitin 1990 dhe i vënë në zbatim sipas tij gjatë rrebelimit të vitit 1997. Kjo ide fillestare u rimorr dhe u ripunua nga disa partizanë të Berishës, të shpëtuarit nga mbytja të shërbimeve diplomatike të ish Presidentit dhe të strehuar në Turqi sikundër dhe këshilltarë të afërm të asaj tepër të djathtës Albanian American Civic League (AACL). Këta të fundit flasin për një « Komplot greko-komunist kundër demokracisë shqiptare », fijet e të cilit tërhiqeshin nga burrat politikë të Athinës ose nga njerëzit e CIA-s, nga greko-amerikanë të kalibrit Xhorxh Tenet.
.
.
.
(6) Mbytja e anijes « Kater i Rades » në Kanalin e Otrantos në këtë 28 mars të vitit 1997, është pa dyshim epizodi më tragjik i një vargu të gjatë tragjedish njerëzore të zhvilluara në ujrat e Adriatikut dhe që shpesh ndodhin pa lënë gjurmë dhe bile pa rënë në sy. Kështu, në 31 dhjetor 1992, një barkë e ardhur nga Shqipëria përplaset kundër një shkëmbi të nënujshëm fare pranë brigjeve italjane. Bilanci i këtij aksidenti: 9 shqiptarë dhe 1 grek gjejnë vdekjen. Gjatë natës së 12 tetorit të vitit 1994, një barkë e lehtë gjashtë metra e gjatë, e bërë prej fibre xhami dhe rrëshire, mbytet nja dhjetë milje larg brigjeve italjane. Bilanci i aksidentit : trembëdhjetë vetë nxirren nga uji, tre gra të mbytura dhe dhjetë të tjerë të zhdukur. Pothuaj njëkohësisht dhe pak milje më larg, dy anije të tjera klandestine japin alarmin : njëzet e pesë vetë mundën të shpëtojnë nga e para ndërkohë që për pasagjerët e të dytës është tepër vonë. Numri i të humburve llogaritet në njëzet vetë. Në 11 shtator 1995, një barkë e tipit gomone merr zjarr në afërsi të brigjeve italjane. Bilanci i aksidentit : 15 vetë gjetën vdekjen, të mbytur. Në 30 nëntor të të njejtit vit, mbytet një tjetër gomone : nëntëmbëdhjetë vetë gjejnë vdekjen. Vetëm disa ditë më vonë, një gomone anonime përmbyset përballë dritave të bregut italjan : mes atyre 22 personave që bien në det, vetëm pesë mundën të shpëtojnë dhe dy trupa të tjerë dalin në breg, të tjerët shkruhen në listën e gjatë të të humburve. Disa muaj më vonë ngjarjes së tmerrshme të 28 marsit, më saktësisht në 21 nëntor të vitit 1997, dy gomone të nisura nga Durrësi mbyten në mes të detit Adriatik, vetëm disa orë pas nisjes : njëmbëdhjetë vetë mundën të dalin gjallë nga rreth tridhjetë të hipur në to. Ata që mundën të shpëtonin, pas katër ditë mbijetese në ujë, të kapur pas mbeturinave të barkave, deklaruan se disa anije që kalonin afër i kishin parë por asnjëra nuk ju kish shkuar në ndihmë. Gjatë pesë vjetëve (1992 – 1997), shifrat flasin për afro 500 vetë të mbytu , gjatë kalimit të Adriatikut. Sigurisht bëhet fjalë vetëm për persona të identifikuar, të cilët përbëjnë një pjesë të vogël të atyre të tjerëve që gjetën vdekjen në heshtje të plotë mes dallgëve, larg çdo vështrimi të rojeve bregdetare. Për detaje të tjera makabre, shih : Antonello MANGANO – Naufaghi. Cronache a sud de la fortezza. Ed. Terrelibere.org, octobre 2003. .
.
.
(7) Operacioni « Alba » është frut i një marrëveshjeje mes Italisë dhe antarëve të tjerë të Bashkimit Evropian, një koalicion ad hoc « i vullnetit të mirë » për të ndërhyrë ushtarakisht, me miratimin e OKB. Duhet nënvizuar se NATO refuzoi të dërgonte trupa në Shqipëri, me pretekst se ishte angazhuar për një kohë të gjatë në Bosnje. Sekretari i saj i Përgjithshëm Solana deklaroi se kriza shqiptare ishte një çështje e brendshme që nuk i përkishte Organizatës. Edhe OKB deklaroi se helmetat e saj të pakta blu ishin ndërkohë në territorin e Sllavonisë kroate dhe në FYROM. Shtetet e Bashkuara kishin bërë të ditur se nuk do të ndërhynin me trupa në Shqipëri : Presidenti Klinton kish deklaruar se i takonte evropianëve të zgjidhnin një çështje për të cilën ata ishin përgjegjsat e saj kryesorë, duke lënë të kuptohej se një nga shkaqet ishin kritikat e pakta pas zgjedhjeve të 1996. Pra çështja mbeti në mes të Bashkimit evropian, e tërhequr në këtë mes nga një Itali në ethe dhe nga një Greqi e paduruar. Gjermania refuzoi menjëherë të angazhonte trupat e saj, e ndjekur nga Britania e Madhe. Sigurisht qeveria e kancelait Kol nuk donte të vinte trupat e saj nën komandën italjane në një zonë fare pranë teatrit jugosllav ndërkohë që Londra ishte e zënë me ndryshime politike të rëndësishme pasi në mars, Xhon Mejxhëri përfundonte mandatin e tij si Kryeministër dhe sipas të gjitha gjasave, fuqinë do ta merrnin laburistët e Toni Blerit. Italisë ju desh të furnizonte pjesën më të madhe të trupave shumëkombëshe – mbi tre mijë veta. E interesuarja tjetër, Greqia, do të furnizonte 700 ushtarakë. E Bezdisur nga nënkuptimet e palës shqiptare lidhur me interesat e saj të drejtpërdrejta, Athina e kushtëzoi dërgimin e trupave me vendosjen e tyre në qendër të vendit, pra larg zonave jugore. Sidoqoftë, përpjekja greke u « neutralizua » nga Ankaraja që vendosi edhe ajo të dërgonte trupa si shenjë miqësie me Shqipërinë. Pa hezituar aspak, Franca ju përhgjigj projektit italjan dhe dërgoi një kontigjent prej 1.000 vetësh ; gjithashtu Spanja qe nga të parat që mbështeti idenë e një ndërhyrjeje në Shqipëri. Rumania me ata 400 ushtarakët e saj krijoi surprizën e rradhës ndërkohë që një panel vendesh evropiane – Danimarka, Austria, Belgjika ose dhe Portugali dhe Sllovenia pjesëmorrën me disa dhjetra ushtarakë. Shih : Gabriel PARTOS – Albania: Conflict Prevention and Crisis Management, The International Security Information Service, December 1997.
.
.
.
(8) Një ndryshim « i minutës së fundit » u krye nga ana e Kuvendit në fund të mandatit, gjatë seancave të tij të fundit të 13 dhe 16 majit 1997. Megjithatë, Ligji zgjedhor egzistues ishte ndryshuar dhe aprovuar në vigjilje të zgjedhjeve të mëparshme të maj-qershorit 1996. Me këtë rast, u adoptua sistemi i përzierë mazhoritar dhe proporcional, një ndarje e re e territorit në 115 zona elektorale sikundër edhe niveli i përfaqësimit të forcave politike prej 4%. Kështu, sistemi elektoral ruante natyrën e tij të përzierë. Në të kundërt, ai zgjeronte bazën elektorale – duke përmirësuar përfaqësueshmërinë dhe ulte nivelin e përfaqësimit për forcat politike – duke rritur shanset e formacioneve të vogla. Burimi i parë mazhoritar përfaqësonte gjithmonë 115 mandate elektorale, të destinuara për kandidatët e partive politike, bile edhe për indipendentët, mbi bazën e shumicës absolute, të zhvilluara në dy ture po qe se ishte e nevojshme, që korrespondonin përfundimisht me ato 115 zonat në të cilat ishte ndarë territori kombëtar. Burimi i dytë proporcional përfaqësonte 40 mandate shtesë (në vend të 25 të mëparshmëve), të destinuara për partitë politike, të paraqitura dhe të rregjistruara në procesin elektoral, dhe që kishin mundur të siguronin më tepër se 2% të votave të vlefshme në nivelin kombëtar. .
.
.
(9) Nga ana e saj, Partia Socialiste grumbullonte 52.7% të votave në nivelin kombëtar. E llogaritur në vende, kjo përfaqsonte 79 deputetë me sistemin mazhoritar dhe 22 me proporcional, pra 101 deputetë socialiste kundrejt 150 gjithsej. Kjo supremaci shëndrrohej në dërrmuese me bashkimin e forcave mes aleatëve të natyrshëm : Social Demokratët (9), PBDNJ (4), PAD (2), Partia Agrare ose PASH (1). Për një analizë të plotë të rezultateve shih : Shinasi A. RAMA – Failed Transition, Elite Fragmentation and the Parliamentary Elections of June 29, 1997 ; në : International Journal of Albanian Studies (IJAS), Vol 1, fall 2, New York, 1997.
.
.
(10) OSCE, ODHIR Election Observation – Albania, Parliamentary Elections, June 29, 1997, EL97/AL1/Ver.1 12-11-1997.
.
.
(11) Ky nuk ish aspak mendimi i Lekës, i cili menjëherë reklamoi falsifikimet, pasi kish deklaruar një moment më parë se ai kish fituar davanë e rivendosjes së monarkisë. Duke dashur t’i verifikojë rezultatet në vend, në 3 korrik 1997, ai drejtoi një kortezh të partizanëve të tij të armatosur dhe sulmoi selinë e Komisionit Qëndror të Votimeve. Përplasja me forcat e rendit shkaktoi një viktimë mes mbretërorëve. Sidoqoftë, Naltmadhënia e Tij mundi të çlirojë një imazh të paharrueshëm : atë të një kokoroçi dy metrosh, me dy dy kobure në brez, që nxiste me britma partizanët e tij në mes të Tiranës.


Viti i Mbrapshtë 1997 –3. Politika e partive dhe sjellja e elektoratit.

28 Dhjetor, 2007
Përtej konkurrencës së përjetshme mes pozitës dhe opozitës që bren shpirtrat racionalë të të gjithë demokracive të botës, një vështrim i hedhur mbi fazën e parë të ushtrimit të pushtetit në Shqipërinë post-komuniste lejon të vërehet një dukuri shqetësuese :

.

.
Praktikisht, çdo herë që zgjedhjet i rikthejnë pushtetin pozitës, atyre që e kanë ushtruar tashmë, (komunistët në vitin 1991 ose demokratët në vitin 1996), rezultatet kundërshtohen menjëherë nga opozita hupëse. Kjo e fundit gjen mjete jashtëligjore, për të mos thënë të dhunshme, për të përmbysur situatën. Pas një periudhe trazirash të vrullshme, nën presionin e rrugës, pozita epet dhe pranon zgjedhje të reja. Pozita e re, e dalë nga « kutitë e dyta » farkëton legjitimitetin e saj fillimisht me anë të pjesëmarrjes masive të zgjedhësve dhe në vazhdim, nëpërmjet rezultateve të tyre që kanë natyrën e një plebishiti popullor.
.

.
Le t’i rikthehemi fakteve : vendi organizon zgjedhjet e para shumëpartiake në vitin 1991 (31 mars dhe 7 prill). Shkalla e pjesëmarrjes : 98.9% e trupit elektoral. Partia e pozitës – PPSH – fiton 56% të votave dhe 68% të vendeve në parlament (169 deputetë nga 250) ; konkurrenti i saj i drejpërdrejtë – PD – merr 39% të votave dhe 30% të vendeve (75 deputetë). Një vit më vonë (22 dhe 29 mars 1992), nën presionin e rrugës, zhvillohen zgjedhje të reja parlamentare. Shkalla e pjesëmarrjes : 90% e trupit elektoral. Partia e pozitës në fund të mandatit – PSSH, trashëgimtarja e PPSH – arrin të marrë veçse 25.73% të votave dhe vetëm 38 vende në parlamentin e ri ; fituesi i zgjedhjeve është tashmë PD, hupësi i djeshëm – 60.08% të votave dhe 92 vende deputetësh nga 140 të mundshme, me fjalë të tjera ai merr shumicën absolute të parlamentit.

.
.
Çfarë mund të mendohet lidhur me këto rezultate ? Po qe se i bashkohemi mendimit se gjatë zgjedhjeve të rregullta të zhvilluara në vitin 1991 ka patur mashtrim elektoral, falsifikim të rezultateve, ky i fundit duhet të ketë qenë kolosal – po qe se pranojmë si « të ndershme » rezultatet e zgjedhjeve që do të zhvillohen më vonë. Në këtë rast mashtrimi shifrohet me të paktën 300.000 fletë votimesh të falsifikuara, në një trup elektoral që numëron 1.300.000 zgjedhës, votues në 80% ose edhe në 90% të tyre. Falsifikim ose jo, vendi i rikthehet kutive të votimit një vit më vonë dhe kësaj rradhe, rezultati përmbyset : jo vetëm fituesit e djeshëm kthehen në hupësit e sotëm por njëkohësisht, 60% e elektoratit të tyre i braktis dhe zgjedh kampin kundërshtar. Sipas arithmetikës më elementare, kalimi i votave nga një kamp në tjetrin tejkalon me dy herë volumin e votave që ishin supozuar të falsifikuara. Si mund të justifikohet një përmbysje e tillë e rezultateve ? Ndoshta njerëzit më së fundi u zgjuan dhe mundën të kuptojnë se kishin qenë të magjepsur nga një fuqi e keqe komuniste ; kështu, të tërhequr tashmë nga magneti blu i programit demokrat, ata ndrruan përfundimisht kampin. Ky shpjegim tërheqës nuk i reziston sprovës së kohës : vetëm katër muaj më vonë, gjatë zgjedhjeve lokale të korrik-gushtit të vitit 1992, këto dy parti politike paraqiten në të njejtin nivel (43.1% të votave për PD kundër 41.3% për PS) ndërkohë që pas dy vjetësh të tjerë, në nëntor 1994, elektorati ndëshkon rëndë të preferuarën e saj PD, duke i shkaktuar një disfatë therëse gjatë referendumit për Kushtetutën. Na duhet të pranojmë se logjika fillon dhe vuan përballë sjelljes së elektoratit, qëllimi i vetëm i të cilit me sa duket është që të pezmatojë klasën politike lokale.
Sidoqoftë, përpjekjet nuk mungojnë për të gjetur një sens në mes të këtij non-sensi dhe rezultatet e arritura mbështeten mbi një bazë, që në pamje të parë, nuk krijon asnjë dyshim :
.
.
Elektorati fshatar përbën diçka mes 60% dhe 65% të elektoratit shqiptar. Për më tepër, zgjedhjet në Shqipëri kanë dhënë rezultate gjithmonë të kontrastuara dhe radikalisht të kundërta nga një fushatë elektorale në tjetrën. Një herë, është një parti politike që merr pothuaj 70-75% të votave dhe herën tjetër, ndodh krejt e kundërta. Është partia kundërshtare që bën të njejtën gjë duke mbledhur 75% të votave « pro ». Si pasojë, qëndrimi elektoral i popullatës fshatare është lehtësisht i diktueshëm. Çdo përmbysje elektoral masiv i shoqërisë shqiptare drejt pozitave të një partie politike implikon forcërisht dhe kryesisht bashkimin e popullatës fshatare në krah të kësaj force politike. (1)
.
.
Ajo çka mbetet për t‘u shpjeguar është pikërisht arsyeja që shtyn këtë popullsi fshatare të ndërrojë kalin e betejës. Megjithëse situata që kalon vendi në pragun e zgjedhjeve të vitit 1991 mund të karakterizohet si katastrofike, një analizë e imët sugjeron se vota fshatare nuk mund të quhet as komuniste as edhe shprehje e ngujimit tradicional fshatar. Thjesht, ishte një pritshmëri ndaj të ardhmes së pasigurt, një temporizim përballë ndryshimeve radikale të premtuara nga partia demokrate e opozitës, që rrezikonin të vinin në lojë atë çka ishte më e shtrenjtë për të – pronësinë ndaj tokës, të cilën ata e aspironin pasi e kishin punuar përgjatë të paktën një gjysëm shekulli. Në këtë mënyrë, ata preferuan të favorizonin partinë më pak të rrezikshme dhe më të lexueshme lidhur me programin agrar, ish-komunistët.

Në të kundërt, gjatë zgjedhjeve në vazhdim – ato të vitit 1992 – është po kjo popullsi fshatare që voton masivisht kundër asaj partie që ndërkohë i kish dhënë pronësinë e tokës. Pasi negociatat e saj me ish-komunistët ishin mbyllur me sukses, atyre ju duhej të kryenin një seri tjetër negociatash – tashmë me PD – me qëllim që kjo e fundit t‘ju siguronte atë « homogjenizimin e hapësirës kombëtare, nëpërmjet rikrijimit të vazhdimësisë hapësinore, politike, sociale dhe ekonomike qytet-fshat ». Sipas një përllogaritjeje mjaft të thjeshtë, fshatarët kishin kuptuar se një fitore e re e socialistëve nuk do të kish asnjë vlerë, pasi përvoja e një viti të tërë kish treguar se ata ishin të paaftë të mbaheshin në pushtet. Pra, në vend të vuanin pasojat e trazirave shoqërore, fshatarët zgjodhën të sillnin në pushtet shkaktaren e këtyre trazirave, partinë e Berishës. Ndryshe, dhe kësaj rradhe me një gjuhë tipike të fshatit, kësaj i thonë « kalova lumin, të dhjefsha kalin »
Meqënëse kjo taktikë fshatare kish treguar efikasitetin e saj gjatë dy zgjedhjeve rradhazi, asgjë nuk pengon që ajo të përsëritet herën e tretë : pasi ishin siguruar lidhur me pronësinë e tokës si dhe për perspektivën e mbajtjes së pushtetit nga ana e demokratëve, ishte e udhës t‘ju jepej këtyre të fundit një paralajmërim i fuqishëm, me qëllim që ata të bindeshin për forcën e votës fshatare. Ja përse popullsia fshatare vendosi të krijojë një ekulibër të qëndrueshëm gjatë zgjedhjeve lokale të korrik-gushtit të vitit 1992.
.
.
I vetmi element refleksioni vjen nga racionaliteti homogjen i një sjelljeje të tillë, nga strategjia e grupit, eklektizmi i të cilit dallon rrënjësisht nga spontaniteti partizan i popullsisë qytetare. Me fjalë të tjera, si ka mundësi që, brenda dy vjetësh kaosi politik dhe destrukturimi ekonomik, fshatarësia të arrijë një shkallë të tillë pavarësie politike, për të mos thënë mënçurie elektorale, për t‘u çfaqur në rolin e një force manipuluese të jetës politike të vendit, ndërkohë që për dhjetëvjeçarë të tërë ajo kish qënë një trup amorf dhe pothuaj apolitik ?
Një përpjekje e fundit për të racionalizuar sjelljen e popullsisë fshatare sugjeron se ndërgjegja politike e kësaj të fundit është e aftë të nyjëzohet në një seri reaksionesh : shpresë politike ndaj reformave të pritshme nga ana e demokratëve, mbështetje politike pragmatike përkundrejt mundësive legale ose ilegale të krijuara nga PD lidhur me një pasurim të mundshëm dhe së fundi, rezistencë kundër një pushteti të cilin e kish sjellë ajo vetë në fuqi nëpërmjet mbështetjes së saj politike. Në këtë mënyrë, ajo mund të çfaqë qëndrime të ndryshme nga një periudhë në tjetrën, nga një krahinë në tjetrën, në përputhje me interesat e saj të momentit ; shkurt, strategjia e saj i përshtatet situatës konkrete, ndërkohë që « harta elektorale e zonave rurale rurale i bindet një farë tipologjie, me anë të të cilës ajo mund të bëhet e lexueshme » :
.
.
Sa më larg drejt Veriut, aq më tepër kemi të bëjmë me një popullsi fshatare që jeton në zonën malore të vendit, aq më tepër kjo popullsi përzien individët myslimanë dhe katolikë (një pjesë e popullsisë së Veriut), aq më tepër kemi të bëjmë me familje fëmijët e të cilëve kishin emigruar në qytet ose jashtë shtetit, aq më tepër mund të hasej një popullsi rurale që përfitonte nga trafiku ilegal i mallrave që përshkonte Ballkanin, aq më tepër harta elektorale përbëhej nga një elektorat që përkulej drejt sjelljes politike shpresë politike dhe mbështetje politike pragmatike.
Në të kundërt, sa më poshtë drejt Jugut, aq më tepër kemi të bëjmë me një popullsi që jeton drejt zonës fushore të vendit, aq më tepër gjendemi në krahinat e banuara nga fshatarë që kishin përfituar nga reforma agrare në fuqi, aq më tepër kemi të bëjmë fshatarë që jetojë falë aktivitetit të tyre bujqësor, aq më tepër i referohemi fshatarëve me origjinë fetare ortodokse, aq më tepër harta elektorale ngjyroset me nuancat e partisë socialiste. Eshtë një popullsi e tërë rurale që ka zgjedhur një rezistencë kundër një pushteti të cilin e kish sjellë ajo vetë në fuqi nëpërmjet mbështetjes së saj politike. (2)
.
.
Futja e konceptit tipologji është simptomatik i vështirësisë së interpretimit të sjelljes elektorale të fshatarësisë, një shkallëzim të ri në analizën socio-psikologjike të mjedisit rural. Duke qënë se tashmë ideja e bashkërendimit kolektiv dhe kombëtar të përdorimit të votës është e pamjaftueshme për të justifikuar rezultatet elektorale, forcërisht logjika orientohet nga gradientët tradicionalë të shoqërisë rurale shqiptare : Veri – Jug, mal – fushë, veriorë bredharakë dhe jugorë lë lidhur me tokën, katolikë antikomunistë – ortodoksë prokomunistë, mbi të cilat tashmë shtohet një gradient i ri politik, demokrat – socialist. Në të vërtetë, kjo mënyrë « e re » e të lexuarit të shoqërisë shqiptare sjell argumenta që justifikojnë pikërisht të kundërtën e idesë fillestare, në bazë të të cilës qëndron ndikimi vendimtar të fshatarësisë në përmbysjet e rezultatit elektoral.
.
.
– Le të pranojmë se pesha e popullsisë fshatare në vitin 1996 është rreth 56% të popullsisë së përgjithshme (1.838.000 banorë të fshatit ndaj 3.283.000 gjithsej). Nëpërmjet interpolimit, në vitin 1992-1993, kjo peshë mund të vlerësohet në rreth 60%. Le të pranojmë gjithashtu se popullsia fshatare veriore është e barazvlerëshme në numër me atë jugore. Le të pranojmë përfundimisht se struktura e elektoratit kombëtar reflekton në tërësi strukturën e përgjithshme e popullsisë së vendit. Nën hipotezën e polarizimit pothuaj të barazvlershëm Veri = démokrat dhe Jug = socialist, i bie që nëpërmjet angazhimit të fshatarësisë, sejcila nga dy partitë politike kryesore të vendit të ketë siguruar në çdo rast 30% të bazës së saj elektorale. Vërejmë se, me një luhatje prej pak përqind, kemi prekur « bazën besnike » të sejcilës, pra atë që voton për partinë e saj edhe kur ajo i humb zgjedhjet. Sipas kësaj logjike del që nuk është fshatarësia ajo që përmbys rezultatin e zgjedhjeve por pikërisht përbërësja tjetër e popullsisë, pra banorët e qyteteve.
.
.
– Duke parë numrin e madh të hipotezave fillestare si dhe shkallën e tyre të përafërsisë, ka shumë të ngjarë që përllogaritja e mësipërme të jetë thjesht një spekullim. Me fjalë të tjera, togu i arsyetimeve të mësipërme të mbështetura mbi vlerat dhe reflekset tradicionale nuk i reziston vështrimit kritik bashkëkohor dhe rezultati i përfituar s’është gjë tjetër veçse një rastësi e lumtur. Në këtë rast do të duhen argumenta të tjera edhe më këmbëngulëse për të përcaktuar natyrën e « bazës besnike » të partive politike ; forcërisht, këto të fundit duhet të braktisin logjikën e mbështetur mbi prirjet elektorale të fshatit për të analizuar me imtësi sjelljen e elektoratit qytetës pasi ky i fundit paraqitet në mos vendimtar, të paktën fort i rëndësishëm. Kështu, mbetet gjithmonë e mundshme që fshatarësia të ndikojë në përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve, por kjo gjë nuk vjen as nëpërmjet bashkimit të saj masiv me forcën politike fitimtare dhe as për arsyet e numëruara më lart, të mbiquajtura të traditës.
Këto përfundime përforcohen nga fakti që, në një interval kohe prej katër vjetësh (26 maj – 2 qershor 1996), skenari i viteve të para përsëritet. Shkalla e pjesëmarrjes : 86% e trupit elektoral. Partia e pozitës – PD – merr 52% të votave dhe 88% të vendeve në parlament (122 deputetë ndaj 140 të mundshëm), konkurrenti i saj i drejtpërdrejtë – PS – merr vetëm 25% të votave dhe 7.1% të vendeve (vetëm 10 deputetë). Pas një kryengritjeje të vërtetë të armatosur dhe një ndërhyrjeje evropiane, zhvillohen zgjedhje të reja të parakohshme (29 qershor dhe 6 korrik 1997). Shkalla e pjesëmarrjes : 73% e trupit elektoral. Pozita në fund të mandatit – PD – arrrin të marë vetëm 17.4% të votave dhe vetëm 27 vende ; fituesi i madh i këtyre zgjedhjeve është PS, hupësja e djeshme – 51% e votave dhe 79 vende : e thënë ndryshe, shumicën dërrmuese të Parlamentit të ri.
.
Çfarë duan të thonë këto rezultate ? Edhe një herë tjetër, zgjedhjet e rregullta akuzohen si të ndotura nga falsifikimi i rezultateve. Edhe një herë tjetër, ky i fundit duhet të jetë fenomenal, gjithmonë sipas kriterit që zgjedhjet që do të vinë pas janë « të drejta ». Brenda një viti, Partia Demokratike ka humbur 70% të elektoratit të saj. Kujt mund t’i dedikohet kjo përmbysje e tillë e rezultatit ? Pa asnjë dyshim se njerëzve ju hapën sytë dhe kuptuan më në fund se ata ishin mashtruar nga Berisha dhe shokët e tij, të implikuar deri në brez në historinë e « piramidave financiare » ; kështu, të tërhequr nga nuancat rozë të Forumeve ose të Fronteve ata votuan për socialistët. Si shpjegohet atëhere që, gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit 1996 – në vigjilje të shpërthimit popullor – Partia Demokratike mundi të realizojë një plebishit të vërtetë, duke fituar 58 bashki nga 64 gjithsej ose 268 komuna nga 309 ? Me siguri një « falsifikim » tjetër sipas mendimit të opozitës. Falsifikim ose jo, sjellja e elektoratit është gjithmonë e më shumë e habitshme, gjithmonë e më pak logjike.
Çfarë strategjie elektorale ka adoptuar kësaj rradhe fshatarësia jonë eklektike dhe e mënçur ? Nëqoftë se « piramidat » dhe paratë e tyre sheshit i shtynë drejt aplikimit të skemës mbështetje politike pragmatike gjatë zgjedhjeve të maj-qershorit 1996, ku qëndron mënçuria e saj kur ajo i beson rishtas votën e saj lokale demokratëve në tetor 1996, ndërkohë që bota mbarë ju ka treguar derën e daljes ?
.
.
Si përfundim të kësaj mënyre vështrimi, shpjegimi racional i sjelljes së elektoratit në përgjithësi dhe atij fshatar në veçanti bëhet gjithmonë dhe më i vështirë, veprimi i tij bëhet gjithmonë e më rastësor ; ndoshta pasi marrëdhënieve të tij me klasën politike ju mungon një logjikë e brendshme e qëndrueshme në hapësirë dhe në kohë. Me fjalë të tjera, i vetmi element i qënësishëm i këtyre marrëdhënieve është pikërisht karakteri i tyre konfliktual, divergjenca e interesave, duke filluar nga ato të individit ndaj atyre të grupit, të grupit ndaj atyre të shtresës dhe së fundi të shtresës ndaj atyre të kastës politike. Kështu, në mungesë të një racionaliteti të brendshëm, sjellja e një elektorati të shpërbërë në përbërës fluturakë dhe paqëndrueshëm, të përfshirë në një proces tranzicioni të vrullshëm që karakterizohet nga dhuna politike në të gjitha format e saj si dhe nga zhvillime ekonomike kaotike, sipas të gjitha gjasave është e natyrës emocionale.
.
.
Në dritën e këtij pohimi, elementi kryesor që del në plan të parë është strategjia e pushtetit të forcave kryesore politike të vendit (PD dhe PS) si edhe shkalla e pjesëmarrjes së tyre në lojën e pluralizmit politik – kësaj arritjeje madhore të Republikës së Tretë. A i nënshtrohen vallë këto forca politike një çfarëdo « kodi të sjelljes së mirë » mes konkurrentëve të cilët mbi letër, duket të gëzojnë barazinë e shanseve gjatë garës elektorale ? A kanë përfunduar ato mes tyre një « marrëveshje politike » e cila duhet të normalizojë raportet përpara, gjatë dhe në mënyrë të veçantë pas zgjedhjeve ? Praktika tregon në mënyrë të qartë se ato janë të paafta të njohin rregullat e lojës dhe aq më pak të parashikojnë pasojat e një gare të tillë : të mundurit nuk përkulen përpara rezultateve të dala nga kutia e votimit, pra nuk i nënshtrohen vendimit të shumicës, ndërkohë që kjo e fundit as nuk e toleron, as edhe nuk e respekton pakicën si dhe përfaqsuesen e saj, opozitën politike. Qëllimi i saj i parë dhe i fundit është marrja dhe ushtrimi i pushtetit, gjë e cila cënon vetë thelbin e ushtrimit të demokracisë që jeton dhe zhvillohet pikërisht nëpërmjet konkurrencës së ndershme dhe debatit konstruktiv mes forcave politike.
Ja përse pyetja në vazhdim i takon natyrës dhe raporteve ndërmjet elektoratit dhe partive politike gjatë kësaj periudhe, të quajtur « e tranzicionit ». Në ç’mënyrë partitë politike realizojnë ndërmjetësinë e domosdoshme mes popullit dhe ushtrimit të pushtetit të qeverisë ? A respektojnë ato të ashtuquajturën « kontratë sociale » me qëllim që të hartojnë dhe të zbatojnë një projet shoqëror, demokratik në substancë ? A janë ato të afta të ndërtojnë një Shtet ligjor, duke institucionalizuar vullnetin e popullit nëpërmjet ushtrimit të pushtetit legjislativ ? Vështirë se mund të përgjigjemi në mënyrë pohuese, duke gjykuar nëpërmjet sjelljes « emocionale » të elektoratit.
.
.
Që prej daljes së saj në skenë, Partia Demokratike ka dashur të ngatërrojë dëshirat e trupit elektoral me ato të masës së simpatizantëve të saj, të përputhë aspiratat e militantëve të saj të shumtë me interesat e burokracisë së saj udhëheqëse dhe së fundi, të identifikojë imazhin e pushtetit me atë të padronit të saj të padiskutueshëm Berisha. E parë nëpërmjet prizmit të strategjisë së pushtetit, Partia Demokratike ka patur të drejtë : në vitin 1991, ajo ishte e vetmja forcë politike e aftë të kryente shëndrrime të vërteta strukturore, të udhëhiqte një rimëkëmbje autentike të forcave të gjalla të vendit, të hapte horizonte të reja drejt Evropës dhe botës. Megjithëse ajo nuk kish mundur të mobilizonte shumicën e zgjedhësve, ajo zotëronte një energji të pabesueshme dhe një vullnet të pathyeshëm. Demokratët kishin ditur të magjepsnin rininë dhe të bindnin intelektualët.
Në të kundërt, në fillim të vitit 1997, nga magjepsja fillestare e PD s’kish mbetur gjë e madhe dhe historia e « piramidave financiare » i dha goditjen e fundit. Megjithë dobësinë e vet të dukshme dhe mungesën e ideve, rivalja e saj socialiste u shëndrrua në zëdhënëse të pakënaqsisë dhe me këtë rast, ajo u çfaq si një konkurrent i besueshëm dhe i respektueshëm. Nëpërmjet një alkimie të errët, rrjetat e saj të shumta mundën të paraprinin një elektorat të shgënjyer dhe që kish humbur torruan ; të tërhequr nga era e biznesit, militantët e saj të fshehur nëntokë dhe të shpërndarë rizbuluan prirjet e tyre të brendshme prej qeveritarësh dhe administratorësh ndërkohë që aureola prej martiri e Nanos ishte garancia më e mirë e sjelljes së tij të ardhshme dhe e urtësisë të tij të thellë. E parë në këtë mënyrë, Partia Socialiste s’bëri gjë tjetër veçse kapi shansin që ju paraqit : në vitin 1997, ajo ishte bashkëbiseduesja e vetme, ie aftë të çonte deri në fund një projekt qeveritar realist dhe në mënyrë anësore, të siguronte paqen sociale në një vend ende të zhytur në kaos. Megjithëse ajo nuk kish mundur të krijonte një dinamikë të vërtetë të pushtetit, ajo kish fituar besimin e elektoratit si dhe bekimin e mbrojtësve parallinj. Socialistët kishin mundur të siguronin botën e nëndheshme të trafikantëve dhe të zbusnin fqinjët e shqetësuar.
Duke u nisur nga vërejtjet e mësipërme mund të formulohen dy përfundime të reja :
.
.
– Dy herë rresht, gjatë periudhës 1991-1992 dhe 1996-1997, pushteti kaloi nga një dorë në tjetrën, vetëm falë lëvizjeve të pakënaqsisë popullore. Megjithë karakterin e tyre kaotik në pamje dhe përbërjes së tyre laramane, këto lëvizje u frymëzuan bile edhe u instumentalizuan nga partitë e opozitës. Këto « revolucione të çuditshme » u paraprinë nga një varg shënjash pararendëse, barometri më mirë i të cilave mbetet aksioni qeveritar që qynon të reduktojë të drejtat dhe liritë individuale nëpërmjet praktikave të saj arbitrare.
.
.
– Gjatë kësaj faze të parë të vendosjes së demokracisë, veprimet e turmave të eksituara nuk paraqesin ndonjë korrelacion të ngushtë me sjelljen e trupit elektoral, megjithë faktin se ato janë natyrisht pjesë e njëri tjetrit. Me fjalë të tjera, fillimisht individi në rolin e tij si qytetar dhe zgjedhës mund të shprehë zgjedhjen e tij politike me anë të votës dhe në vazhdim, si njeri privat i prekur në interesat e ngushta, shpreh zemërimin e tij duke ju bashkëngjitur një lëvizjeje masive e cila me veprimet e saj, mund të drejtohet kundër zgjedhjes së parë. Kjo sjellje kontradiktore në vështrim të parë – kjo kontradiktë e pakapërcyeshme arsyetimi, kjo apori « demokratike » – s’bën gjë tjetër veçse reflekton faktin se gjatë viteve të para të Republikës së Tretë, sfera publike dhe sfera private kanë shumë pak pika të përbashkëta. Nëpërmjet çinteresimit integral ndaj politikave sociale, liberalizmit të vet të shfrenuar, të mjeteve të tij të pamjaftueshme për të pajtuar antagonizmat e interesave, Shteti braktis individin në fatin e tij të mjerë ndërkohë që individi ndan veprimin e tij nga atë të Shtetit.
.
.
Nëpërmjet kësaj optike të re mund të avancohet ideja heretike që, duke lënë mënjanë parregullsitë e pashmangshme dhe kombinacionet lokale për të favorizuar këtë ose atë kandidat, ka të ngjarë që tërësia e zgjedhjeve të ketë qenë « e rregullt dhe e paanshme » për të mos thënë « e ndershme ». Sigurisht, nuk duhet harruar që gjithçka ndodh në përputhje me një farë koncepti ballkanik të paanshmërisë dhe të ndershmërisë në politikë, i cili nuk është i njejti me atë të Evropës së vjetër dhe babaxhane. Gjëkundi pra mashtrim elektoral masiv ose falsifikim gjigand të rezultateve – megjithë britmat e ngjirrura herë demokrate herë socialiste (3). Kështu, në qoftë se zgjedhësit i bënë besim Berishës dhe partisë së tij gjatë legjislativeve të vitit 1992, ata s’bënë gjë tjetër veçse ja ripërtëritën rishtazi besimin e tyre gjatë zgjedhjeve legjislative të vitit 1996. Shkaku i kësaj gjëje duhet kërkuar kryesisht në adekuacionin mes shumës së interesave private dhe politikës liberale të qeverisë demokratike e cila lejoi, ose më mirë inkurajoi, lulëzimin e iniciativës private në formën e saj më brute. Karizma personale e Berishës dhe integriteti i tij moral përbënin në dorë të fundit përbërësit e domosdoshëm, nëpërmjet të cilave mundi të vulosej « pakti i mirëbesimit ». Vetëm se, duke vepruar në këtë mënyrë, zgjedhësit u bënë dorëzënës të një pjese të klasës politike – pozitës, dhe brenda saj të një grupi të ngushtë njerëzish – e cila fillimisht rrëmbeu pushtetin nën mbulimin e ligjit dhe me këtë rast shtiu në dorë Parlamentin, përpara se hieja e saj të shtrihej mbi jetën politike të të gjithë vendit.
Duke mos gjetur hapësirën e duhur në planin e përfaqësimit, opozita u gjend e përjashtuar edhe nga debati politik dhe publik. Troç, asaj ju qep goja nën kërcënimin e sanksioneve. Por kjo mënyrë e të qeverisurit, e bazuar mbi zotërimin e plotë të të gjithë pushteteve – legjislativ, egzekutiv dhe gjyqësor – metamorfozë e konceptit të partisë unike, nuk pasqyron në asnjë mënyrë balancën e forcave politike në terren, e karakterizuar nga masa dhe pesha ndjeshmërisht të njejta. Paradoksalisht, pozitës – e fuqishme në mjete dhe në qëllime – i mungon mbështetja, baza e duhur ndërkohë që opozitës – e fshirë nga skena dhe e ndrydhur – i kërkohet që të administrojë pakënaqësinë sociale. Kështu, për t’i detyruar të tjerët që të respektojnë « të drejtat e saj » që ja garanton Ligji, e para i drejtohet metodave autoritare ndërkohë që e dyta, për t’i detyruar të tjerët që të dëgjojnë « kërkesat e saj », shërbehet nga rrugët jashtëparlamentare – pasi i mungon përfaqësimi në Parlament. Si përfundim, elektorati i nënshtrohet një sulmi të paprinciptë : i sulmuar nga shtypi partizan, i destabilizuar nga argumenta pasionalë, i tronditur nga propaganda militante, ai nxitet drejt pabindjes qytetare për të mos thënë drejt rezistencës me qëllim që të zbresë në terren dhe të vendosë një ekuilibër të ri. Ky efekt « lavjerrësi » përbën edhe shpërblimin e merituar të përçapjes së tij emocionale.
.
.
—————————————
.
.
(1) Artan FUGA – Identités périphériques en Albanie, la recomposition du milieu rural et les nouveaux types de rationalité politique, Ed. l’Harmatan, Paris, 2000.
.
.
(2) Artan FUGA – Ibidem.
.
.
(3) Në raportin e tyre përfundimtar, vëzhguesit britanikë të BHHRG mbrojnë idenë se zgjedhjet legjislative të maj-qershorit 1996 përmbushnin kriteret në fuqi të vërejtura ndërkohë në vendet e tjera ish-komuniste dhe që, përveç disa incidentesh dhe parregullsish të vogla, tre turet e votimeve ishin të lira dhe të barabarta. Ndërkohë, ideja e falsifikimeve e avancuar nga socialistët u rrimor dhe u zhvillua nga ana e një pjese të vëzhguesve ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë prej atyre të mandatuar nga OSCE/ODHIR dhe më pas nga të tjera organizma ndërkombëtarë jashtë shtetit. Sidoqoftë, rezultatet përfundimtare vërtetonin parashikimet e dala nga sondazhet e opinionit të realizuara nga ane e IRI-t (International Republican Institute) në pranverë dhe ditën e votimeve. Të gjitha sondazhet vinin në dukje se PD paraqitej si fituesja e këtyre votimeve me 56% të parashikimeve – ndërkohë që 62% të shqiptarëve miratonin aksionin e Presidentit të tyre dhe 71% ishin të kënaqur ga zhvillimet demokratike. Diferenca e konstatuar mes parashikimeve (58%) dhe rezultatit (68%) mund t’i vihej për llogari faktit se socialistët dhe aleatët e tyre u tërhoqën nga procesi i votimit mjaft përpara përfundimit, duke ju kërkuar njëkohësisht partizanëve dhe simpatizantëve të tyre të bojkotonin zgjedhjet. Shih : British Helsinki Human Right Group – Albania 1996: Democracy or Dictatorship? Country Elections report. dans : www. bhhrg.org.


Viti i Mbrapshtë 1997 –1. Piramidat e pushtetit.

26 Dhjetor, 2007

Çfarë ndodhi në vitin 1997 ?

.
Edhe pas dhjetë vjetësh pas atyre ngjarjeve të tmerrshme të atij fillimviti, kjo pyetje rivjen në kokat e njerëzve dhe rrallëherë gjen përgjigje bindëse. Një shpërthim i revoltës popullore si pasojë e shëmbjes së piramidave financiare që, nga janari deri në korrik të vitit 1997, i vuri flakën vendit dhe shkaktoi disa mijra viktima – ja një nga përmbledhjet e mundshme të atij vargu marramendësh trazirash sociale që sipas këndit të vështrimit u quajt gjithashtu « luftë civile », « komplot leninist ose kriptokomunist », « revolucion i vonuar demokratik ». Mes atyre qindra syresh, të pakta janë analizat që i rezistuan kohës, edhe më të pakta janë retrospektivat që prekin arsyet e thella të këtyre ngjarjeve që traumatizuan një popull të tërë, që tërhoqën vëmendjen e Evropës dhe të botës mbarë mbi vendin. Pasi, shumica e vëzhguesve pêrqêndrohen mbi vetë ngjarjet si dhe implikimet e forcave partiake lokale në to, ose shumë shumë mbi ndërhyrjen e forcave të huaja. Në këtë mënyrë lihen pas dore « background-i » ekonomik, trashëgimia dhe struktura sociale, përfytyrimi politik i demokracisë si dhe vetë procesi i tranzicionit – pjesë përbërëse e të cilit ishin këto ngjarje të dhimbëshme. Në fund të fundit, gjithçka vihet në defterin e një demokracie ende belbëzuese, të një klase politike ende të paformuar, të një populli ende të traumatizuar nga përvoja komuniste, të qarqeve armiqësore antishqiptare…
.
Në qoftëse urtësia popullore ka dashur të mjekojë plagët e thella me anë të balsamit që quhet «kohë », kjo « harresë » nuk duhet interpretuar nga ana e pushtetit – e pushteteve – as si « amnezi » as edhe si falje e gjynaheve pasi populli ndoshta hesht por nuk harron dhe aq më pak fal. Paralelisht me hapjen e kapitullit të përgjegjësive dhe të përgjegjësve, pjesa më e madhe të të cilëve marrin pjesë në jetën politike ose në qeverisjen e vendit, seria e pesë shkrimeve që vijojnë synon t’i japë një përgjigje pyetjes : përse ndodhën ngjarjet e vitit 1997 ?
.
.
* * * *
.
.
Që të nesërmen e aventurës marramendëse kushtetore të 6 nëntorit 1994, Partia Demokratike njohu një krizë të re : Presidenti i saj në funksion Eduard Selami braktisi kolltukun dhe përplasi derën, i mohuar nga shokët dhe kolegët e partisë pasi kish guxuar të kritikonte Mjeshtrin dhe metodat e tij. Besnikë të zakonit të tyre, demokratët flaknin tutje intektualët pas çdo fushate zgjedhjesh, qofshin ato fitimtare apo hupëse, për shkak të përleshjeve të brendshme që zjenin në gjirin e lëvizjes (1).
Për të gjithë shpirtrat e shëndoshë, ishte më se e qartë që temat e mëdha të debatit kushtetues do të riçfaqeshin me rastin e betejës së ardhshme elektorale të vitit 1996 : me siguri, Partia Demokratike do të mbronte bilancin e saj të shkëlqyer ekonomik dhe do të trajtonte temën e të ardhmes së vendit nën dritën e vazhdimësisë të reformave të ndërmarra ndërkohë që opozita do të sulmonte autoritarizmin e Presidentit dhe devijimet e natyrës arbitrare të aparateve dhe të institucioneve. Sidoqoftë, disa indikatorë makroekonomikë tregonin një farë çrregullimi të sistemit (2), një dihatje pothuaj të padukshme të makinës volontariste të pushtetit e cila e kish humbur disi frymëzimin e saj fillestar , me fjalë të tjera, megjithëse bashkësia e faktorëve të çliruar nga mekanizmi i ri ekonomik vazhdonte të peshonte fort mbi balancë, megjithëse dinamika ishte gjithmonë prezente për të prodhuar rritje të produktit ekonomik – e mbështetur në rradhë të parë nga konsumi i familjeve në përmirësim të ndjeshëm, kjo dinamikë mbetej gjithmonë dhe gjerësisht e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e Shtetit për fonde dhe ende më pak ish në gjendje për të mbështetur korrigjimin e domosdoshëm sektorial të ekonomisë.
Pasi kish kaluar një fazë të vështirë të emergjencës (1991 – 1992), ekonomia kish dalë nga faza e saj e dytë e rimëkëmbjes (1992 – 1993), e realizuar me ndihmën e privatizimeve masive, efektet e të cilës mbi inflacionin dhe papunësinë ishin ende të dukshme në vitin 1994. Një vështrim më analitik mbi rritjen – mbi këtë tregues ekonomik që kish magjepsur vëzhguesit e huaj, tregon që ajo realizohej pothuaj plotësisht nëpërmjet sektorit primar – bujqësisë. Por kjo bujqësi e privatizuar që afishon nivele rritjeje marramendëse nga një vit në tjetrin (18.5% të rritjes së PPB në vitin 1992, 10.4% në 1993, 8.5% në 1994 dhe 13.2% në vitin 1995), duke punësuar më tepër se gjysmën e krahut të punës në nivelin kombëtar dhe që realizon mbi 55% të volumit të Produktit të Përgjithshëm Brut në vitin 1994, nuk është në gjendje as dhe të barazohet me prodhimin bujqësor të 1990, vitit më të mbrapshtë që kish njohur rregjimi komunist. Çfarë përfaqëson në fund të fundit kjo bujqësi e privatizuar ? Diçka rreth 420.000
njësi prodhuese private me një sipërfaqe mesatare prej 1,4 hektarësh sejcila, të shtrira mbi dy ose tre parcela jo të bashkëngjitura, të orientuara në mënyrë të pandryshueshme drejt prodhimit të perimeve të hershme ose të tjera polikultura dhe që përbuz në mënyrë thuajse sistematike « kulturat e mëdha të industrializuara », ose që i kushtohet mbajtjes të një tufëze private prej disa kokë bagëtish (3).
Në këtë mënyrë është prekur zemra e problemit që ndikon të gjithë politikën ekonomike të vendit, me rrjedhoja të pashmangëshme mbi plane të tjerë :
.
.
përderisa ekonomia do të mbështetet mbi një sektor primar dominant nga pikpamja e krijimit të PPB, ajo do të varet gjerësisht nga kapacitetet e tij prodhuese. Por këto të fundit janë të kufizuara në mënyrë të ndjeshme nga struktura e pronës bujqësore e cila, për shkak të coptimit të saj të jashtëzakonshëm, është e prirur t’i kushtohet prodhimit të një game të ngushtë produktesh të karakterit sezonal dhe të konsumit të përditshëm. Përfundimisht, kjo bujqësi e privatizuar nuk e tejkalon cakun ekonomik të mbijetesës.
.
.
E thënë ndryshe, pavarësisht kontributit qenësor të bujqësisë lokale, vendit i duhet vazhdimisht të çlirojë mjetet financiare të nevojshme për të importuar drithrat e bukës si dhe kulturat e tjera industriale, duke krijuar me këtë rast një faktor të vazhdueshëm çekuilibri në bilancin tregëtar (4). Për më tepër, elementi bazë i bujqësisë së privatizuar shqiptare – « fermat » private – nuk disponojnë mjetet e nevojshme për mbijetesën e tyre ekonomike dhe detyrohen të çlirojnë në mënyrë sistematike krahun e tepërt të punës në një treg kombëtar të punës, të cilit gjithashtu i mungojnë zgjidhjet e punësimit. Kjo gjendje ushqen emigracionin e brendshëm, duke krijuar një presion të jashtëzakonshëm të natyrës socio-ekonomike mbi qytetet dhe veçanërisht mbi metropolin e Tiranës, ndërkohë që mban gjallë edhe rreshtin fort të gjatë të kandidatëve drejt kurbetit.
.
Për të kuptuar sadopak arsyen e një mekanizmi të tillë agrar që mbështetet mbi atomizimin e pronës private, duhet të rikthehemi disa vjet prapa dhe të ndalojmë turrin në atë vit zulmëmadh 1991 : në 19 korrik, Parlamenti i mbizotëruar nga deputetët komunistë aprovoi « Ligjin mbi tokën », i cili përveç shkrirjes së kooperativave bujqësore, dekretoi edhe fundin e pronës kolektive. Ky ligj parashikonte rikthimin e tokave të kolektivizuara antarëve të vjetër të kooperativave dhe që figuronin si të tillë deri në 31 korrik të vitit në fjalë (1991), duke kthyer në
të pavlefshëm caktimin e mëparshëm të kufijve të tokave, të kryer në vitin 1946. Ndarja e tokës duhej të realizohej pa asnjë kompensim financiar, sipas kritereve të barazisë të të drejtave të banorëve të fshatrave. Ndërkohë që parashikonte procesion e trashëgimisë së pronës, Ligji i ri i tokave ndalonte shitjen dhe linte të lirë dhënien me qira, me të vetmin qëllim për të parandaluar zhdukjen e pronave të vogla në përfitim të spekullantëve agrarë ose të investuesve privatë.
Ky Ligj madhor i tranzicionit të shoqërisë shqiptare drejt një ekonomie të tregut përfshihej në një logjikë socio-politike të riprivatizimit, i cili ndiqte vazhdën e një tjetër logjike ende më globale, ajo e të drejtës së atij që kish zënë tokën për momentin për t’u shëndrruar në pronar të saj ose të logjikës të aktualitetit, ose së fundi e logjikës së të drejtës të përdoruesit për t’u shëndrruar në pronar. (5)
Megjithë fillimet e vrullshme, programi agrar i pushtetit demokratik u detyrua të frenojë përballë një varg vështirësish : rezistencë e familjeve « autoktone » ndaj « të ardhurve rishtas » që sipas mendimit të përgjithshëm ishin duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga kjo pasuri, refuzim i kufijve të rinj të pronave pasi fshatarët kërkonin të rivinin në « sinoret origjinale » të fiksuara gjatë Reformës agrare të vitit 1946, abuzime ndaj zbatimit të Ligjit nga ana e antarëve të komisioneve lokale të cilët mundoheshin të favorizonin familjet ose miqtë e tyre… Situata u rëndua edhe më tepër kur fshatarët e lodhur dhe të mërzitur filluan të pushtonin ilegalisht terrenet pa pritur vendimet e komisioneve. Tensioni në fshatra u bë i prekshëm ; më në fund dhe pas disa hezitimesh, qeveria ndërhyri dhe premtoi të ndëshkonte të gjithë ata që pengonin mbarëvajtjen e procesit të rishpërndarjes të tokave.
.
Reforma agrare e Republikë së Tretë (1991 – 1995) realizoi një transformim radikal të tipit të pronësisë mbi tokën : 97% e sipërfaqes të tokave të kultivueshme ju rishpërndanë personave privatë dhe mbi gërmadhat e sistemit të dikurshëm të përbashkët u ngrit një luzmë pronash të vogla bujqësore. Sidoqoftë, rishikimi dhe korrigjimi i një reforme të mëparshme – ajo e vitit 1946, e kryer nën Republikën e Dytë – shtroi një problem themelor : të rikthehej toka – OK, por kujt pronari ? Vështrimi më i shpërfillur i hedhur mbi këtë çështje zbulon karakterin e saj tepër kompleks, për të mos thënë të pazgjidhshëm : ndërmjet periodës 1945 – 1991, sipërfaqja e tokës së punueshme ishte rritur me 82% ndërkohë që popullsia e vendit ishte trefishuar (6). Ndërkohë që lidhur me sipërfaqen e tokës të trashëguar që nga koha e Monarkisë së Zogut – diçka më tepër se gjysma e egzistueses – njiheshin qoftë edhe virtualisht pronarët e parë, ata që ishin shpronësuar gjatë vitit 1946, si i bëhej me fshatarësinë e lindur dhe të rritur gjatë gjysmës tjetër të shekullit, periudhës komuniste ? E thënë ndryshe, si mund të pajtohej ideja për të ndrequr « atentatin ndaj pronës private » me vullnetin për të vendosur një « drejtësi të re sociale », ndërkohë që numri i pronarëve potencialë ishte përcaktuar nga një « padrejtësi demografike » ?
Pronarët e dikurshëm ende gjallë sikundër dhe trashëgimtarët e tyre, pjesa dërrmuese e të cilëve jetonte në mjedisin urban, kërkuan – me të drejtë – të rimerrnin pronat e tyre të grabitura gjatë komunizmit. Realizimi i kësaj kërkese kërkonte para së gjithash shpronësimin e disa dhjetra mijra familjeve fshatare që kishin përfituar nga pronat e të parëve gjatë reformës agrare të 1946 dhe që për më tepër, i kishin punuar këto toka që prej 50 vjetësh. Ngatërresa juridike u zgjidh nga Parlamenti, në një klimë të rrallë konsensusi mes dy partive kryesore të vendit – Demokrate dhe Socialiste – dhe në kundërshtim me dëshirën krejt të kuptueshme të Partisë Republikane (7). Sipas këtij konsensusi, parimi bazë i reformës përmblidhej në shprehjen : « Toka i takon atij që e punon » – një zbatim origjinal i demokracisë nga ana e PD, aq më tepër që marka e tij e fabrikës ishte antikomunizmi.
Kjo fasadë populiste e krijuar me kaq mjeshtëri prej demokratëve berishjanë fshihte një aspekt tepër banal por jashtëzakonisht përfitues : ai i atyre mijra hektarëve, të zëna nga objektet industriale të ndërtuar pranë qyteteve, të cilët ishin nxjerrë në ankand që prej vitit 1991. Pronarët e rinj që kishin përfituar nga « oferta » bujare e privatizimit të këtyre objekteve, kishin përvehtësuar objektin e tyre « ligjërisht të blerë » përpara se sa Ligji vetë të njihte të drejtat e pronarëve të dikurshëm ose të fiksonte rregullat e dëmshpërblimit. Një pjesë e tyre gjendej e ulur në fronat e Parlamentit – në atë krah të sallës të rezervuar për demokratët – dhe ishin po ata që kishin përpunuar nenet e Ligjit të shumëpritur. Duke ligjëruar në këtë mënyrë « blerjet » e tyre, ata ja kishin lënë Shtetit barrën e pagesës së faturave të tyre personale : fundi i fundit, bëhej fjalë për një shërbim minimal në krahasim me meritat e tyre si dhe me kontributin e paçmuar ndaj vendit dhe popullit. Kjo shpjegon njëkohësisht edhe gjendjen e vajtueshme të infrastrukturës së informacionit që shoqëroi procesin e privatizimit, opacitetin e plotë që karakterizoi funksionimin e organizmave të caktuara për të zbatuar legjislacionin adekuat (Agjensia Kombëtare e Privatizimeve ose Ministria e Privatizimit që nga viti 1996) pa harruar së fundi, pengesat sistematike të krijuara nga lobi i « importuesve » – këta burra ose gra tepër të lidhur me pushtetin që i frigoheshin ripërtëritjes së ekonomisë kombëtare. Ky kantjer i stërmadh i privatizimit të ekonomisë ilustron në mënyrë të përsosur vendosmërinë e rregjimit demokatik për të mbrojtur dhe për të favorizuar të vetët si dhe këmbënguljen në konceptimin e anshëm të shtetit ligjor.
.
Për naivët dhe ëndërrimtarët, për të gjithë ata që shihnin veçse « raste të izoluara », koha ruante surpriza të tjera ; ajo tregoi se kjo gjë ishte pjesë përbërëse e një linje veprimi, e një metode pune që shoqëroi deri në fund ushtrimin e pushtetit berishjan : krijimi rishtas i një klase të re pasanikësh, e cila do t’a mbështeste këtë pushtet nga ana materiale dhe morale. Të përkushtuar me mish dhe me shpirt ndaj demokracisë që i nxorri në dritë, që i bëri njerëz – bile dhe të pasur, ata do të shëndrroheshin në vektorin kryesor të jetës politike shqiptare – duke shkrirë në një të vetme paratë dhe pushtetin politik, në motorin e jetës ekonomike të vendit – duke dhënë shembullin e shpirtit ndërmarrës dhe të arritjes vetiake. Si shpërblim, ata mund të përfitonin nga zemërgjerësia dhe dorëlirësia e qeverisë e cila ju ofronte pjesë të tëra nga trashëgimia kombëtare dhe njëkohësisht garancinë të mosndëshkimit përballë shkeljeve të Ligjit.
Duke u angazhuar në këtë rrugë tjetër të rrezikshme, demokracia berishjane u vu përballë disa dilemave : këta « sipërmarrës kurajozë », mbështetës të zjarrtë të demokracisë së re që nuk u dridhej aspak dora të financonin aktivitetin politik të PD, shumë shpejt u lëshuan në operacione të përmasave të mëdha, konturet e të cilave shpesh ndodheshin brenda zonave të errta të krimit të organizuar. Etja e fitimit qe e gjithëgjendur bile edhe brenda rradhëve të PD, një pjesë e funksionarëve të të cilës u bënë pre e tundimit të qarqeve paralele që sillnin të ardhura të stërmëdha, mjafton të ushtroje trafikun më elementar – atë të influencës. Klasën e re drejtuese e kish zënë sëmundja ngjitëse më e zakonshme e shoqërive të civilizuara, të ngritura mbi paranë-mbret, korrupsioni. Shumë shpejt, kjo praktikë u shëndrrua në universale dhe u pranua si « normale » ose si « e keqja më e vogël » nga e tërë shoqëria. Duke filluar nga funksionari më i thjeshtë – shembulli i policit të trafikut është ai më i përhapuri, deri në më supremin e gjykatësve, nga i zgjedhuri më i vogël lokal deri në më të fuqishmin e ministrave – duke kaluar nga mësuesja e kopshtit dhe nga mjeku i spitalit publik, të gjithë mund të « fitonin mjaft pa humbur pothuaj asgjë » ; mjafton të shpërbleheshin nën dorë për shërbimet e kryera. A kish vaksinë që mbronte nga kjo sëmundje kur rrogat ishin ibret, kur me to s’mund të mbyllje muajin, qoftë edhe vetëm për të ngrënë ?
.
E lënë në duar të « ekspertëve » të tillë, fakti që ekonomia e vendit mbetej në nivele pothuaj rrafsh me tokën nuk duhej të habiste aspak. Megjithë rezultatet e shkëlqyera të trumbetuara nga qeveria Meksi, kjo fazë e rikonstruksionit ekonomik (1993 – 1995) nuk kish mundur të realizonte objektivat e saj. Ajka e industrisë së vendit – ajo e nxjerrjes së mineraleve dhe e prodhimit të lëndëve të para – mbetej gjithmonë në pikë të vdekur ndërkohë që, duke lënë mënjanë disa ndërmarrje që shfrytëzonin krahun e lirë të punës vendas (rroba të gatshme, këpucë dhe të tjera konfeksione, lëndët e para të të cilave vinin krejt nga jashtë shtetit), firmat e mëdha perëndimore dhe amerikane vazhdonin t’a injoronin krejtësisht Shqipërinë. Pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha ende nuk kishin gjetur blerës ; bile edhe shpikja e fundit e qeverisë – « letrat me vlerë » ose kuponat, që i jepnin të drejtë çdo individi të merrte pjesë në rishpërndarjen e pasurisë kombëtare – njohu një zhvillim fatkeq : megjithë ligjin e ri mbi Fondet e investimeve, ato nuk u morrën kurrë seriozisht nga Bursa e porsakrijuar e Tiranës. Duke humbur shumë shpejt vlerën e tyre, titujt financiarë u shëndrruan në copa letre pa asnjë vlerë, një mjet i pagabueshëm për të larguar përfundimisht interesin e opinionit publik nga procesi i privatizimit.
.
Përballë këtyre pengesave që mund të tmerronin çdo qytetar evropian të arsyeshëm, shqiptari i mesëm afishonte një indiferencë pothuaj olimpjane pasi, i tejngopur me informacione ekonomike përgjatë një gjysëm shekulli komunist, ai kish humbur sensin e analizës dhe konceptet e tij mbi të ardhmen ishin ndikuar në një masë të gjerë nga propaganda qeveritare që ngjante si dy pika uji me atë të diktaturës së ndjerë. Ndërkohë, ai kish zbuluar lumturinë e konsumimit falë parave që rridhnin si « lumë » brenda vendit dhe sidomos, falë perspektivave marramendëse të ofruara nga një varg shoqërish krediti që bota mbarë do t’i njihte nën emërtimin ogurzi të « piramidave financiare ». Ekonomia shqiptare hynte në këtë mënyrë në fazën e saj të fundit, atë të spekullimit (1995 – 1996).
.
Sipas të thënave, « shoqëritë » e para të këtij lloji u çfaqën zyrtarisht gjatë vitit 1994, ndërkohë që gjurmët e tyre të para çfaqen që prej vitit 1992. Në atë atmosferën e ethshme të biznesit që mbretëronte në metropolin e Tiranës, të mbuluar nga pijetoret, kafenetë dhe të tjera kioska – shpesh të ndërtuara me katër dërrasa dhe dy tabakë teneqeje, vetëm mungesa e transparencës të operacioneve lejonte investuesit e guximshëm të realizonin aktivitetet e tyre, shpesh të dyshimta. Pothuaj tërësia e biznesit zhvillohej jashtë qarkut klasik – duke preferuar më mirë trotuaret e mbipopulluara ose birraritë e tymosura se sa ato dy-tre sallat « luksoze » të bankave të vendit. Megjithatë, nuk përjashtohet që një pjesë e këtyre institucioneve që përzienin financën dhe aktivitetin ekonomik tradicional, të kenë realizuar ndërhyrje krediti ose të investimeve në fushat që garantonin rendimente të larta si ndërtimi, shërbimet ose tregëtia me pakicë. Bile ishte sektori i tregëtisë ai që shërbeu si fidanishte e iniciativave të para të këtij lloji : duke parashikuar ngopjen e tregut lokal të aparaturave elektroshtëpijake si dhe të mallrave të tjera të konsumit, disa shoqëri i paraprinë falimentimit dhe filluan të rimëkëmbnin kapitalin e tyre nëpërmjet një rruge jo të zakonshme, pikërisht duke thithur kursimet e njerëzve në shkëmbim të interesave tepër tërheqëse. Ky kursim, tradicionalisht i pakët përgjatë periudhës komuniste, u reduktua në hiç pas asaj sprove të pamëshirshme të inflacionit të çmendur të viteve të para të demokracisë. Veçse dy – tre vitet e fundit, ai fillon dhe rimëkëmbet dhe rritet në mënyrë eksponenciale – i llogaritur në rreth 250 milionë dollarë në shkallë vendi në vitin 1995, kursimi vlerësohet në 600 milionë në vitin 1996 dhe në 700 millionë një vit më pas (8) – falë dërgimeve të emigrantëve, të zhvillimit të sektorit privat, i nxitur nga ndihmat dhe subvencionet ndërkombëtare dhe në rradhë të parë, nga shpërthimi i trafiqeve të të gjitha llojeve.
Duke propozuar interesa të papara ndonjëherë, të nivelit 8 deri 10% në muaj, përgjatë dy viteve të para (1992 – 1994) një grusht shoqërish të këtij lloji që mbanin emra prozaikë – Vefat, Gjallicat, Kamberët, Silvat dhe të tjera Cenaj & Co, Leka apo Bendo – u shëndrruan në pesha të rënda të ekonomisë kombëtare. Nën drejtimin e disa personazheve të errët – një ish magazinier i ushtrisë popullore, një çift punonjësish ambasade apo të tjerë përfaqsues të proletariatit të dikurshëm – ato u lëshuan drejt « bizneseve normale krejt të ligjshme » të mbuluara nga Ligji, më saktësisht nga Kodi Civil (?!) – një tjetër çudi e legjislacionit shqiptar – i cili njihte si të rregullt çdo transaksion huaje të realizuar mes dy ose më tepër personash fizikë ose moralë.
.
Në vitin 1995, si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjeve të Dejtonit që i dhanë fund kasaphanës boshnjake, ekonomia shqiptare pësoi një goditje sa të befasishme aq edhe të dhimbëshme : me mbylljen zyrtare të konfliktit dhe me vendosjen në vend të një force ndërkombëtare të kontrollit, ju erdhi fundi edhe një vargu trafiqesh fitimprurëse si ai i naftës, e destinuar për ish-Jugosllavinë nën embargon ndërkombëtare, i armëve në drejtim të palëve ndërluftuese si dhe i cigareve drejt Malit të Zi. Sipas asaj shprehjes të njohur, gëzimi i njërit përmbante njëkohësisht edhe fatkeqësinë e tjetrit ; paqja në Bosnje shënoi edhe fundin e ndihmave evropiane ndaj Shqipërisë pasi ato u ridrejtuan ndaj më nevojtarëve të rajonit. Për të dalë nga kjo gjendje, shoqëritë e kreditit filluan të bënin reklamë « produkteve » të tyre, nëpërmjet lidhjeve të fuqishme që ato mbanin me qarqet drejuese të vendit, dhe u investuan në jetën politike. Kjo gjë forcoi imazhin e tyre si edhe rriti besimin pranë popullsisë : kush mund të dyshonte tashmë në legalitetin e aktivitetit të Vefës ndërkohë që patroni i saj gjendej në krah të djathtë të Berishës në tribunat e nderit, kur flamujt me siglën e firmës valaviteshin në të njejtin rang me flamujt blu të PD ? Sigurisht jo ata që përfitonin nga bujaria princore e ish-magazinierit dhe aq më pak Banka e Kursimit ose Banka Tregëtare që rregjistronin hyrje të përditshme kolosale paresh të freskëta, bile pa patur kohë që të zbatonin të drejtën e vështrimit mbi librat e llogarisë së firmës ; as edhe tepër seriozja Qendra e Kërkimeve Ekonomike e cila përgëzonte principin e ndershëm « të mirëkuptimit reciprok mes huadhënësit dhe huamarrësit ». Përballë suksesit të rrufeshëm dhe entusiazmit popullor që kish ngjallur mes huadhënësve të vegjël, për më tepër të përkrahura nga një politikë financiare e çuditshme e qeverisë – në kufijtë e prohibicionit ndaj bankave dhe tejet e shkujdesur ndaj ndërmjetësve financiarë të sektorit jozyrtar – një varg i tërë « fondacionesh karitative » panë dritën e diellit. Xhaferrët dhe Populli ju bashkëngjitën legjendares Sudja – skema të vërteta « të Ponzit (9) » që propozonin pa pikë droje interesa marramendëse të nivelit 30% në muaj.
.
E parë nga larg, ekonomia shqiptare dukej në rrugën e mbarë të rimëkëmbjes së saj, aq më tepër që treguesit makroekonomikë – PPB, inflacioni, bilanci buxhetor bile edhe papunësia – luanin rolin e dëshmitarëve të pagabueshëm, ndërkohë që e parë nga afër, një varg shenjash tregonin që ajo po rendte drejt kolapsit, për të mos thënë drejt katastrofës. I përcaktuar si « paradoksi shqiptar », ky fenomen tejkalon lirisht kufijtë e vendit dhe prek pjesën më të madhe të ekonomive të vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore. Ai çfaqet si pasojë e drejpërdrejtë e politikave ekonomike dhe e vetë politikës, të destinuara për të reformuar ekonomitë post-socialiste ; një farë « sëmundje foshnjore » e vendeve në rrugën e zhvillimit drejt një ekonomie kapitaliste të tregut, e cila sulmon sistemin më të ndjeshëm dhe më delikat – atë të financave (10). Dobësia fizike dhe mungesa e « antitrupave » të nevojshëm sigurisht nxiti çfaqjen e « piramidave financiare » ose të « skemave të Ponzit » të cilat shfrytëzojnë një farë përfytyrimi naiv të njerëzve lidhur me kapitalizmin dhe mundësive të tij të fitimit, sidoqoftë pa qenë atributi i tyre i vetëm. Epifenomeni Ponzi është karakteristik i kapitalit dhe bën pjesë në historinë e vendeve kapitaliste të zhvilluara ; megjithë se ai është studiuar në të gjitha aspektet, ai vazhdon të godasë edhe në ditët e sotme dhe të rrënojë evropianët naivë – pavarësisht faktit që ata janë ushqyer me parimet kapitaliste që nga fëmijëria e tyre më e njomë (11).
.
Ajo rritja ekonomike e famshme e cila është folur dhe përfolur përgjatë vitesh, pasqyron në rradhë të parë dhe më tepër intensitetin dhe sasinë e shkëmbimeve në një treg të mbizotëruar nga importet e mallrave të konsumit se sa rritjen e prodhimit lokal, më tepër aplitudën e konsumit të familjeve ose të shoqërisë se sa volumin e eksporteve, shkurt « një rritje pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm ». E zhveshur nga indi i domosdoshëm mikroekonomik, i përbërë nga ndërmarrjet individuale, të vogla ose të mesme lokale, të afta të absorbojnë atë masë monetare të konsiderueshme që gjendet në qarkullim dhe që vjen nga burimet endogjene, me qëllim që t’a shëndrrojë në investime në shërbim të pasurisë kombëtare, ka shumë të ngjarë që ekonomia të kthehet në spekulluese. Ajo tërhiqet nga hiret e shoqërive të krijuara nga hiçi që merren me biznese të padukshme, për të mos thënë biznese mashtruese, të destinuara për të pasuruar njerëzit e padjallëzuar që zotërojnë fonde, aq më tepër që këta të fundit nuk njohin as botën e biznesit as edhe vlerën e vërtetë të parasë, të fituar pa mundime.
.
.
————————-
.
.
(1) Disa muaj përpara, Partia Demokratike kish përjashtuar nga Këshilli i saj Kombëtar deputetin Azem Hajdari lidhur me qëndrimet e tij aspak ortodokse dhe kish përjashtuar njëkohësisht nga rradhët e saj Petrit Kalakulën, ish ministrin e Bujqësisë dhe përgjegjësin e Degës të Tiranës, për ato deklaratat e tij publike skandaloze ku ai shprehte preferencat e tij ndaj rregjimit nazist. Kalakula si përfaqsues i përsosur i të djathtës ekstreme, krijoi partinë e vet demokratike te djathtë (PDD). Në vitin 2001, duke u bashkuar me formacione të tjera disidente të PD, partia e Kalakulës u shkri në gjirin e partisë Demokratike të Reformuar (PDR), e cila në krye të vititi i dha jetë partisë së Re Demokratike.
.
.
(2) Bashkësia e indekseve kryesore makroekonomike të vendit, të shqyrtuara gjatë një periudhe trevjeçare 1993 – 1995 tregojnë fare qartë një tendencë të qëndrueshme drejt një ekonomie të çekuilibruar : nga njera anë një rritje ekonomike gjithmonë pozitive (9.6, 8.3 dhe 13.3 në % ndaj PPB) si edhe një inflacion të kontrolluar, për të mos thënë të sprapsur (85.0, 22.6, 7.8 në %) dhe nga ana tjetër, një deficit fiskal kronik (- 9.3, -7.5, -7.5 në % gjithmonë përkundrejt PPB), një bilanc tregëtar thellësisht negativ (- 489.9, – 459.7, -475.0 në miliona dollarë) dhe së fundi, nje bilanc pagesash korente në dhëmbë sharre (14.7, -42.7, -14.6 po ashtu në miliona dollarë).
.
.
(3) Sipas vlerësimit të ekspertëve perëndimorë që ndoqën procesin e privatizimit, gati 35% e këtyre njësive prodhuese individuale nuk përmbushnin kushtet e gjallimit ekonomik dhe aq më pak ato të rentabilitetit. Në mungesë të një ligji mbi shitblerjen e tokës, ato ishin të destinuara të pësonin një fragmentim të mëtejshëm si pasojë e trashëgimisë. Vetëm ndërhyrja e Shtetit mund të ekuilibronte gjendjen, nëpërmjet vënies në dispozicion të tyre të mjeteve të kreditit si dhe të një sistemi subvencionesh për prodhimet bujqësore. Një tjetër rrugë e mundshme ishte grupimi i prodhuesve të vegjël në kooperativa private të cilat duhej të merrnin përsipër transportin dhe shpërndarjen e prodhimit drejt qendrave të mëdha si edhe tregëtimin e tyre. Procesi i privatizimit të pasurisë kolektive linte mënjanë dhe nuk interesohej për fatin e 155.000 punonjësve të ndërmarrjeve bujqësore që i përkisnin shtetit dhe që kishin pësuar plaçkitjen suistematike të të mirave materiale gjatë viteve 1991 – 1992. Pushteti demokratik i Berishës, duke druajtur fragmentimin serioz të terreneve rreth qyteteve dhe qendrave të tjera të banuara sikundër dhe një rënie të pashmangshme të furnizimit të tregut me prodhime te freskëta, ju kundërvu idesë të coptimit të përgjithësuar të ndërmarrjeve bujqësore të shtetëzuara. Ndërkohë, ai dha aprovimin e tij për shkrirjen dhe si pasojë, coptimin e rreth gjashtëdhjetë ndërmarrjeve të tilla që ndodheshin në zonat malore verilindore të vendit dhe që ishin thellësisht buxhetore ndaj thesarit të shtetit. Në këtë kuadër, pyjet dhe kullotat gjithashtu mbetën jashtë reformës ; ato vazhdonin të mbeteshin pasuri e Shtetit, nën shfrytëzimin komunal.
Gjithmonë sipas mendimit të ekspertëve ekonomistë perëndimorë, një pjesë e ndërmarrjeve bujqësore mund të shpëtoheshin – pra të shëndrroheshin në ekonomi rentabël – falë një sistemi joint-venture me ndërmarrjet e huaja. Një pritje e kotë u instalua kështu deri në vitin 1995, derisa më në fund qeveria mori iniciativën për të privatizuar tokat që i takonin këtyre ndërmarrjeve mbi të njejtat kritere « të barazisë », të aplikuara në rastin e kooperativave bujqësore. Sipas një dispozite ligji, të datuar në vitin 1995, punonjësit e këtyre ndërmarrjeve shtetërore shëndrroheshin në pronarë të tokave të pronës shtetërore, duke poseduar të drejta të plota të trashëgimisë, të blerjes ose dhe të shitjes. Ishtë njëkohësisht edhe rasti për të rikqyrur dhe për të korrigjuar të drejtën e shitblerjes së tokave bujqësore, operacione të ndaluara deri atëhere nga « Ligji mbi Tokën » i vitit 1991. Mbi këtë çështje, shih: Azeta CUNGU & Johan F.M SWINNEN – Albanian’s Radical Agrarian Reform, Working Paper No. 15, Policy Research Group, Department of Agricultural Economics, Université Catholique de Leuven, 1998 ; sikundër dhe : Olivier DESLONDES, Michel SIVIGNON – L’agriculture albanaise : de la coopérative à l’exploitation de survie, Revue d’Eudes Comparatives Est – Ouest, 1995.
.
.
(4) Daniele DONATI et al. – Impact of the Kosovo crisis in the Albanian agriculture and the environment. Special Relief Operations Service, FAO – UN, Septembre 1999.
.
.
(5) Lidhur me Ligjin mbi Tokën si dhe pasojat e tij mbi bujqësinë shqiptare të tranzicionit, shih : Artan FUGA – Identités périphériques en Albanie, la recomposition du milieu rural et les nouveaux types de rationalité politique, Ed. l’Harmatan, Paris, 2000.
.
.
(6) Eduard ZALOSHNJA – Analysis of Agricultural Production in Albania Prospects for Policy Improvement, PhD Thesis, Faculty of Agricultural and Applied Economics. Virginia Polytechnic Insitute US, 1997.
.
.
(7) Ky konsensus unikal në historinë e marrëdhënieve mes këtyre du partive politike, bëhet edhe më i kuptueshëm në qoftë se shqyrtojmë platformat e tyre elektorale. Qëndrimi i të porsakrijuarës PS është krejt i logjikshëm pasi ajo kërkonte t’i zgjaste jetën ndikimit të tronditur mbi bazën e saj elektorale tradicionale ndërkohë që PD nuk mund të injoronte dëshirën e shumicës fshatare të popullsisë, më se të favorshme ndaj një reforme të ketij lloji. Popullsia e fshatrave i kish dhënë besimin e saj PS gjatë zgjedhjeve të para legjislative, parrulla kryesore e të cilës ishte pikërisht kjo reformë agrare në favor të pronarëve të reformës së parë komuniste të vitit 1946. Përsa i përket Partisë Republikane dhe aleates së saj « Lidhjes së ish-Pronarëve », ata ishin të vendosur të mbronin idenë e rikthimit të tokave pronarëve të tyrë të ligjshëm parakomunistë. Kjo divergjencë në pikpamje krijoi edhe mosmarrëveshjen mes PD dhe PR gjë e cila pengoi bashkimin e forcave të të djathtës.
Praktikisht, pronarëve të vjetër, titujt e pronësisë të të cilëve datoheshin përpara vitit 1945, duheshin të kënaqeshin me një kompensim financiar : i plotë për 15 hektarët e parë, i pjesshëm për intervalin nga 15 deri në 43 hektarë dhe zero për ish pronat mbi 43 hektarë. Kompensimi mund të realizohej në vlerë – bono krediti të qeverisë – ose në shkëmbim – toka bujqësore ndaj terreneve bregdetare, për shembull. Me më pak probleme ishte rasti i trashëgimisë së kullotave që mbeteshin pronë e patjetërsueshme e Shtetit ndërkohë që kërkesat e ish-pronarëve të ngastrave pyjore u azhornuan. I njejti kompromis u aplikua edhe për terrenet që gjendeshin në zonat urbane. Mbarëtrajtimi i hapësirës urbane – ndërtimi i rrugëve dhe i bulevardeve, i shesheve publike ose i objekteve sociokulturorë – kish kërkuar një varg masash shpronësimi, nevoja e të cilave nuk vihej në dyshim nga asnjeri, ndërkohë që zmadhimi i qendrave të banuara qytetëse ishte kryer nëpërmjet pushtimit të hapësirës bujqësore të dikurshme, të shpronësuar në vitin 1946.
.
.
(8) Dirk BEZEMER– Post-socialist financial fragility : The case of Albania Tinbergen Institute and University of Amsterdam, Mimeo 1999.
.
.
(9) Të quajtura në këtë mënyrë për të kujtuar atë mashtruesin gjenial me origjinë italjane Çarls A. Ponzi i cili veproi në Boston në vitet njëzet të shekullit të XIXtë, duke çuar drejt shkatërrimit dhe fatkeqësisë me qindra mijra kursimtarë të vegjël amerikanë. Shih : Utpal BHATTACHARYA – On the possibility of Ponzi Schemes in Transition Economies. Kelley School of Business, Indiana University, 1998.
.
.
(10) Fondacioni Karitas u çfaq në Rumani në prill të vitit 1992, në gjirin e disa qindrave skemave të llojit Ponzi që vepronin në këtë vend. Në vjeshtën e vitit 1993, ai gjendej në apogjeun e fuqisë të tij : pasi kish tërhequr në rrjetat e veta mbi 4 milionë rumunë, ose 20% të popullsisë së vendit, Karitasi realizonte një volum biznesi të llogaritur në 1.4 mijë miliarda lei – pothuaj e rahasueshme me 6.6 mijë miliard të buxhetit kombëtar – ndërkohë qe ajo zotëronte një të tretën e masës monetare të vendit. Pas një vit e gjysëm jete, ky fondacion u shemb por sidoqoftë në një formë të butë, duke minimizuar ndikimin shkatërrues mbi ekonominë e vendit. Në Rusi, fondet MMM të konceptuara nga Mavrodis që në vitin 1991, tërhoqën mbi 5 milionë rusë. Duke premtuar fitime astronomike, të rendit 2.000% në vit, aksionet MMM u futën në bursë. Shembja e kësaj strukture financiare në vitin 1994, shkaktoi edhe rënien e menjëhershme të titullit : brenda javës, ai ra nga 65 dollarë në 0.5 dollarë, duke sjellë edhe shkatërrimin e atyre që e kishin blerë. Shoqëri të ngjashme vepronin në Bullgari ose në Sllovaki si dhe në Serbi ose në Maqedoni ; ato u shembën gjatë periudhës 1994 dhe 1996 duke shkaktuar shqetësime dhe çrregullime të ndjeshme të ekonomive financiare. Shih : Dirk BEZEMER – Post-socialist financial fragility : The case of Albania, Tinbergen Institute and University of Amsterdam, Mimeo 1999.
.
.
(11) Në veprën e tyre – Passions Albanaises, de Berisha au Kosovo, Pierre & Bruno CABANES sjellin shëmbullin e sistemeve piramidale të vendosura në Hollandë – mes të tjerave të ashtuquajturat Illuminati, Vanilla, sikundër dhe në veri të Francës – French Power dhe të tjera Top Stairs, të cilat vazhdonin ende të vepronin deri vonë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të shkuar.


Agim Çeku flet mbi Kosovën : « pavarësi, demokraci, pajtim »

23 Dhjetor, 2007

Le Courrier des Balkans (Korrieri i Ballkanit) – përkthyer nga frëngjishtja.
E enjte, 20 dhjetor 2007
.

Në një bashkëbisedim ekskluziv me korrespondentin e Korrierit të Ballkanit, ish Kryeministri Agim Çeku, i rikthehet mandatit të tij si dhe arsyeve të tërheqjes së përkohshme nga jeta politike. Ky ushtarak i vjetër do të mbetet në rradhë të parë si « njeriu që udhëhoqi bashkëbisedimet » për pavarësinë e Kosovës. Ai i rikthehet kësaj përvoje, premtimeve amerikane si dhe përsektivave të vendit të tij, domosdoshmërisë së ndërtimit të një Kosove « bashkë me Serbët » sikundër dhe projekteve të tij personale.
Bisedë e rregjistruar nga Gaëlle Pério
.
.
Në moshën 47 vjeç, i madh nga shtati dhe me shpatulla të gjera, me kokën thuaj tullë, Agim Ceku, ish Kryeministri i Kosovës, ndahet me vështirësi nga buzëqeshja e tij. Çeku ngjan me një dac që ka jetuar plot jetë. I angazhuar në Ushtrinë jugosllave, ky ushtarak i karrierës bashkohet me forcat kroate në vitin 1991 dhe në vitin 1995 pjesëmerr në operacionin Stuhia, qê pëfundon me rimarrjen e Krajinës. Me nënëshkrimin e marrëveshjes nga ana e vendit të adoptimit, ai kish marrë 9 medalje dhe 4 plumba nëpër këmbë. Në vitin 1998, ai i bashkëngjitet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe bashkohet me trupën pasi kish përshkuar me këmbë malet me borë shqiptare dhe maqedonase. Tre vëllezër të tij kanë marrë gjithashtu pjesë në rradhët e UÇK. Detyra e Çekut ishte të disiplinonte trupat dhe të shëndrronte guerrilasit në ushtarë.Për Beogradin, Agim Çeku është para së gjithash një kriminel lufte nën mandat arresti për « krime të kryera në Kroaci » si dhe për « gjenocid kundër Serbëve të Kosovës ». Sidoqoftë, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë nuk ka lëshuar mandat arresti kundër tij. Pas konfliktit të vitit 1999, gjatë të cilit u vra edhe babai i tij, Çeku morri komandën e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si një krah i çmilitarizuar i UÇK. Ndihmësi i tij në këtë kohë ishte Ramush Haradinaj. Në maj të vitit 2006, ai bëhet Kryeministër i Kosovës dhe do të mbetet në histori si burri që nuk mundi të shpallë pavarësinë e Kosovës por që udhëhoqi bashkëbisedimet për të. Gruaja e tij Dragica është një kroato-serbe. Familja Çeku që mban lidhje të forta në Zadar, Kroaci, jeton në periferi të Prishtinës, në një shtëpi relativisht modeste sipas standardeve të sotme kosovare. Tek ai flitet kroatisht pavarësisht se tre fëmijët e tij janë dy-gjuhësh të përsosur në shqip. Në vigjilje të kalimit të pushtetit në duart e Hashim Thaçit, Agim Çeku pranoi t’i rikthehej edhe një herë mandatit të tij, në ekskluzivitet për Korrierin e Ballkanit.
.
.
Kurrieri i Ballkanit (KiB) : Si ndjeheni ju në vigjilje të dorëzimit të funksioneve të Kryeministrit të Kosovës, funksion që ju e mbani që prej vitit 2006 ?
.
Agim Çeku (AÇ) : Po e le postin tepër i kënaqur. Kam përshtypjen të kem përmbushur misionin tim pasi që detyra ime ishtë të përgatisja Kosovën drejt pavarësisë dhe tashmë Kosova është gati. Ne e kapërcyem fazën e bashkëbisedimeve, ne duhet t’a kishim shpallur pavarësinë dhe tani ne presim njohjen e kësaj pavarësie. Ne kemi aritur të ndërtojmë një Shtet dhe jemi të gatshëm të përqëndrohemi mbi çështje të tjera tepër konkrete, siç është jeta e përditshme e Kosovarëve dhe ekonomia e vendit.
.
KiB : Çfarë do të sjellë konkretisht zgjidhja e statusit të Kosovës ?
.
: Statusi do të sjellë kjartësinë. Njerëzit do të njohin përfundimisht të ardhmen e tyre dhe do të mund të ndërtojnë këtë të ardhme. Ne do të orientohemi drejt një të ardhmërie fillimisht demokratike dhe më pas evropiane.
.
KiB : Kosova ka një PBB të njejtë me atë të Ruandës, a mendoni se vendi mund të mbijetojë ekonomikisht duke qenë i pavarur ?
.
: Kosova është një vend që mund të mbahet më këmbë ekonomikisht. Ajo ka një pozitë gjeografike strategjike, në kryqëzim të disa shteteve. Ne kemi një pasuri njerëzore të madhe dhe të re në moshë. Si dhe një krah pune të lirë në krahasim me vendet e tjera evropiane. Sektori energjetik mbetet karta jonë më e rëndësishme. Bujqësia është karta tjetër. Po, jam plot me shpresë lishur me të ardhmen ekonomike të Kosovës.
.
KiB : Çfarë do të bëni tashmë ?
.
: Në një të ardhme të shpejtë, do të shkoj për pushime me familjen në Kroaci.
.
KiB : Sipas pëshpëritjeve, ju do të shkoni për të punuar për INA, shoqëria e naftës kroate. Mund të na e pranoni ?
.
: Jo për INA-n. (Buzëqeshje). Nuk e harroj Kroacinë por ama jam prej Kosove, i përkas këtij populli dhe këtij vendi. Do të qëndroj në shërbim të popullit tim. Nuk e di ende se në çfarë mënyre, por, do të qëndroj i angazhuar në Kosovë.
.
.
Bashkëbisedimet, një shkollë e formimit politik.
.
.
KiB : Çfarë ka qenë më e vështirë përgjatë mandatit tuaj ?
.
: Bashkëbisedimet, ato kanë qenë më të vështirat. Ishte një proces mes shumë personash. Eshtë njëlloj sikur të gjendesh në karriken e pasagjerit në një veturë. Ndodhesh mes presionit të antarëve të tjerë të ekipit negociues por njëkohësisht edhe të presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Dhe kjo gjë të bën të vuash. Unë jam ushtarak. Që nga rinia ime, jam mësuar të drejtoj operacionet, të marr përsipër rreziqe dhe t’i përballoj ato. Por kur fillova të ushtroj këtë funksion politik, kuptova se duhet të mbaja përgjegjësinë edhe për veprime me të cilat nuk mund të merresha drejtpërdrejt. Dhe kjo gjë ishte një ngarkesë tepër e lodhshme, tepër vuajtëse dhe fort me stres. Sidoqoftë, ishte detyra ime të pranoja postin e Kryeministrit. Nuk e kam kërkuar këtë post, erdhën dhe më kërkuan për të ma propozuar. Jam i kënaqur pasi, gjatë gjithë mandatit tim, munda të ruaj institucionet kosovare të qëndrueshme dhe të përgatituara për më tej.
.
KiB : Cili është kujtimi juaj më i mirë ? (një heshtje e gjatë dhe më në fund Çeku ngre kokën.)
.
: Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë.
.
KiB : Përse ju nuk u prezantuat në zgjedhjet legjislative të nëntorit
.
: Sepse nuk doja. Dua të shërbej vendin tim, por nuk dua t’i futem një karriere politike. Dhe për më tepër, nuk dua të hyj në garë me burrat politikë të Kosovës. Pas pavarësisë, do të rikthehem për t’i shërbyer popullit tim.
.
KiB : Besnik Mustafaj, ish ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka deklaruar, po e citoj : « Shqiptarët e Kosovës kanë mundur të pranojnë përgjatë tetë vitesh që Serbët, shtypësit e tyre të dikurshëm, kishin edhe ata të drejta, dhe kjo gjë është e admirueshme ». Ç’mendoni ju për këtë gjë ?
.
: Jam dakord. Në këtë pikë bisedimet lidhur me statusin e Kosovës ishin shumë të dobishme pasi ato ndihmuan Kosovaret të zhvillonin një ndërgjegje politike. Na u desh të mësonim se çfarë donte të thoshte një bashkëbisedim dhe kjo gjë nuk ishte e lehtë. Ne mësuam gjithashtu të reflektonim lidhur me trajtimin e Serbëve të Kosovës, si duhej të vepronim që ata të qëndronin në Kosovë. Ishte një fillim i mirë për një pajtim. Po qe se do të nënshkruanim një traktat bashkëpunimi me Serbinë, kjo gjë do të krijonte gjithashtu një mjedis të shëndoshë për Serbët kosovarë. Por e përsëris, Serbët kosovarë sikundër dhe Shqiptarët kosovarë kanë nevojë për kjartësi lidhur me statusin e vendit në të cilin ata jetojnë për të mundur të ndërtojnë një të ardhme. Së bashku.
.
KiB : A e ndjetë vehten të tradhëtuar nga Amerikanët në muajin maj, kur ata ju garantuan pavarësinë që në korrik ? Ju personalisht edhe u angazhuat publikisht për këtë datë. (Sipas informacionit tonë, Condoleeza Rice i kish telefonuar personalisht Agim Cekut gjatë muajit maj për t’i garantuar pavarësinë që sipas saj do të fitohej përpara fillimit të verës.)
.
: Sigurisht, ishte diçka fort e vështirë për mua të mos e mbaja fjalën. Në maj, Amerikanët kërkonin që t’a shpallnim pavarësinë. Ata nuk besonin se Rusët do të ishin kaq këmbëngulës dhe kundërshtarë të çdo kompromisi lidhur me Kosovën. Amerikanët ishin të parët që u befasuan.
.
KiB : Disa thonë se do të ishte më mirë të shpallej Pavarësia në pranverën e vitit 2008 pasi është më e këndëshme të festohet një Festë e tillë kombëtare me mbritjen e ditëve me kohë të këndëshme. Çfarë mendoni lidhur me të ?
.
Agim Çeku mjaftohet me një buzëqeshje…


« Out »-o-biografia e popullit në prozë.

19 Dhjetor, 2007
Që prej vitesh, ekonomia shqiptare ecën në ekuilibër mbi tehun e thikës, e përvuajtur nga një pasiv tregëtar të rëndë dhe në rradhë të parë nga kapacitetet e saj prodhuese të pamjaftueshme. Pa asnjë dyshim, mbijetesa e saj sigurohet nga ajo masë e madhe punonjësish emigrantë, të vendosur kryesisht më Bashkimin Evropian : në 1999, Italia mban me punë dhe ushqen 300.000 të tillë, mes rezidentëve të ligjëruar dhe ilegalë ndërkohë që në Greqi, ky numër luhatet ndërmjet 450.000 dhe 500.000, më tepër se gjysma e të cilëve në gjendje të parregullt. I çliruar në këtë mënyrë nga një e treta e krahut të punës, tregu i brendshëm i punës për më tepër dinamizohet nga transferimi i devizave që vijnë nga jashtë : 450 milionë dollarë në 1998, 600 milionë në vitin 2000 – ose 15% të PPB, 60% të prodhimit industrial, dyfishi i eksporteve kombëtare ose së fundi katërfishi i investimeve të drejpërdrejta. Këto shuma, të injektuara menjëherë në qarqet e brendshme të konsumit, venë në lëvizje sektorët më aktivë të ekonomisë shqiptare – për shembull tregëtinë dhe ndërtimin – të cilat, për shkak të mungesës të ndjeshme të prodhimit lokal, shkojnë dhe furnizohen drejtpërdrejt në tregjet fqinje.
.
Megjithëse « laku financiar » ilustron më së miri energjinë jetësore të ekonomisë së tregut e cila integron pa asnjë paragjykim të gjitha nismat individuale si dhe ato të sektorit privat, duhet pranuar se ai prek thellësisht dinamikën social-ekonomike të vendit ndërkohë që redukton në mënyrë të ndjeshme fushën e manovrës të politikanëve. Në qoftëse efektet ekonomike të emigracionit janë të prekshme dhe të dukshme në rrafshin kombëtar, është tepër e vështirë për të mos thënë e pamundur të kryhet një shvendosje e thjeshtë dhe e drejpërdrejtë e këtyre rezultateve në rrafshin lokal. Aq më tepër që këto efekte s’mund të reduktohen vetëm në aspektin e tyre ekonomik. Gradualisht por në mënyrë të vendosur, gjithë shoqëria shqiptare ka pësuar një varg shëndrrimesh të thella që nga afër ose nga larg pasqyrojnë këtë realitet tashmë banal. Paralelisht me emigracionin « e jashtëm », një rrymë e fuqishme migratore, kësaj rradhe e brendshme, vepron sipas drejtimit veri – jug dhe lindje – perëndim. Ndërkohë që këto drejtime çojnë në mënyrë të natyrshme drejt vendeve pritëse sikundër Greqia ose Italia, nuk është aspak diçka e rastit që drejtimi i tyre korrespondon me drejtimin e gradientëve social-ekonomikë të vendit. Ultësira perëndimore që përzgjatet buzë detit (rrethet e Shkodrës, të Lezhës, Kurbinit, Durrësit, Kavajës, Lushnjes, Fierit, Vlorës dhe Sarandës – zonë ku mund të shtihen gjithashtu rrethet e Krujës, Elbasanit dhe Beratit) përqëndron dy të tretat e sipërfaqes së punueshme sikundër dhe 80% të numrit të ndërmarrjeve të vendit. Së fundi, 70% të të gjitha investimeve të huaja janë përqëndruar mbi aksin Tiranë – Durrës. Ndërthurja e emigracionit në dy rrafshet e tij me shumën e pasojave të natyrës sociale, kulturore ose psikologjike çojnë drejt riorganizimeve të brendshme, krijojnë dinamika lokale të ndryshme kësaj rradhe në përmasat e rrethit ose të zonave gjeografike, prekin në mënyrë të diferencuar grupet shoqërore, krijojnë psikologji dhe sjellje të reja qoftë deri në kuadrin e marrëdhënieve familjare. Me fjalë të tjera, ndryshe jetohet emigracioni në Tropojë dhe në Sarandë, ndryshe konceptohet bota e parë nga Vlora ose nga Dibra.
.
Një vështrim rrethqarkullor i lirë dhe mjaft personal mbi vendin, i ndikuar nga kritere ekonomike, sociologjike ose së fundi etnogjeografike, lejon të dallohen disa zona të mëdha.
.
E para gjendet në jug, jug – lindje të vendit dhe grupon prefekturat e Korçës (rrethet e Korçës, të Devollit, të Kolonjës – përveç rrethit të Pogradecit), e Gjirokastrës (rrethet e Gjirokastrës, të Përmetit dhe të Tepelenës), të Vlorës (rrethet e Delvinës dhe të Sarandës – përveç vetë rrethit të Vlorës) dhe së fundi, rrethin e Skraparit që i takon prefekturës së Beratit. Kurriz më kurriz me Greqinë, ajo zotëron një përvojë të thellë migratore të Botës së Re, të fituar që në fundin e shekullit të XIXtë dhe përfiton nga lidhjet tradicionale me fqinjin jugor, qoftë edhe nëpërmjet pakicës grekofone që jeton viset e saj. Megjithë mungesën e fushave të gjera sikundër dhe të maleve të thepisura, ky territor përshkohet nga lugina pjellore mjaft të përshtatshme nga pikpamja e transportit, rrafshe të begata si ai i Korçës dhe gëzon një klimë të favorshme. Kjo gjë favorizon zhvillimin e një bujqësie të afërisë, e orientuar drejt kulturave të kopshtit dhe pemtarisë (vreshta, drurë frutorë, agrume), ndërkohë që lartësitë e mesme, fort pak të pyllëzuara dhe të veshura me kullota përkrahin rritjen masive të kafshëve (dhen dhe dhi).
Megjithë llustrën e saj tradicionale, shoqëria – një shumicë e besimit mysliman por me
përpjestime të forta bektashi si dhe me një pakicë tepër të rëndësishme ortodokse – është fshatare, e hapur dhe e përshkueshme. Ajo tregon konture sociale mjaft të përcaktuara dhe është e prirë për të riprodhuar raporte të qëndrueshme me pushtetin qoftë qëndror qoftë lokal. Shumë e lidhur me zanatet e tokës dhe me aktivitetet artizanale (dru, gur, tekstile, poçeri dhe zanate të tryezës), banorët e saj karakterizohen nga një mjeshtëri e lashtë, nga një sens i admirueshëm i perdorimit të teknikave sikundër dhe një repekt i thellë ndaj punës. Falë një plejade njerëzish të shkolluar dhe të mësuar, falë shkëmbimeve intensive me botën fqinje kjo zonë ka ditur gjithmonë të paraqitet si qendra cerebrale e kombit, me një rrezatim të padyshimtë mbi të gjitha fushat e arsimit dhe të kulturës.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit (rregjistrimet e popullsisë të viteve 1989 dhe 2001), për shkak të një emigracioni masiv, të gjitha rrethet e kësaj zone njohin një diferencial demografik thellësisht negativ që i afrohet një mesatareje prej -30%. Rrethet më pak të prekura janë ato të Devollit (–9%), të Gjirokastrës (-15%) dhe të Korçës (-19%) ndërkohë që nga ana tjetër e shkallës gjenden Delvina (– 55%) dhe Saranda (-49%). Falë parave të emigracionit sikundër dhe tregëtisë aktive ndërkufitare, këto rrethe arrijnë t’a nxjerrin më mirë qimen nga qulli se të tjerët : shkallë papunësie nga më të ultat në nivelin e Republikës, sipërfaqe e punueshme për banor nga më të lartat në shkallë vendi dhe, falë shpopullimit masiv të fshatrave, një ritmikë ekonomike e favorshme për fermat iindividuale.
.
Zona e dytë gjendet në veri, veri – lindje, me një shtrirje drejt qendrës veriore të vendit. Ajo përmbledh prefekturën e Kukësit (rrethet e Tropojës, të Hasit dhe të Kukësit), prefekturën e Dibrës (rrethet e Dibrës, të Bulqizës dhe të Matit), rrethet e Pukës dhe të Malësisë së Madhe, që të dy të përfshirë në prefekturën e Shkodrës dhe së fundi, rrethin e Mirditës, që i përket prefekturës së Lezhës. Kufitare me ish-Jugosllavinë, ajo s’ka qenë kurrë e prekur në të kaluarën nga emigracione masive, ndërkohë që popullsia e saj paraqet tipare etnike tepër homogjene. Fort malore dhe tepër e pyllëzuar, ky territor përmban fare pak toka cilësore të punueshme, me përjashtim të luginës së Drinit të zi pranë Peshkopisë si dhe një zonë e kufizuar rreth liqenit të Shkodrës. Si rregull i përgjithshëm, kalimi në këtë zonë është i vështirë dhe rrugët ndjekin drejtime natyrore që jo gjithmonë përputhen me shpërndarjen e popullsisë ndërkohë që klima mbetet e ashpër : dimër i gjatë, me rreshje dëbore dhe me temperatura të ulta, një verë shkurtër dhe jo fort bujare. Bujqësia është pothuaj rudimentare, e orientuar drejt prodhimeve të malësisë si elbi, pak misër dhe po aq patate ose fasule, ndërkohë që përfaqsuesi më i denjë i pemëve frutore mbetet gështenja. Edhe blegtoria praktikohet në tufa të vogla, sigurisht për shkak të terrenit të thyer që ofron veçse pak kullota të mira – përveç rrethit të Hasit dhe kullotave verore të Korabit. Si përfundim, pak dhen, diçka më tepër dhi ndërkohë që luginat alpine të Tropojës strehojnë disa tufa të pakta lopësh.
Shoqëria që jeton në këto male është në shumicën e saj muslimane sunite me ishuj të rëndësishëm të krishterësh katolikë, në zonën e Mirditës dhe të Pukës. Historikisht, kjo shoqëri është e përmendur për shpirtin e saj fisnor : kokëfortësisht e mbyllur, ajo zhvillohet përreth bërthamave familjare, duke zhvilluar raporte dhe lidhje të mbështetura mbi afërinë e gjakut. E projektuar drejt artit të luftës, ajo ka mbijetuar gjerësisht falë « dhënies me qira » të kapaciteteve të saj luftarake, të plotësuar nga një ekonomi e pyllit dhe pak artizanat (gëzof dhe lëkurë, përpunim i drurit dhe i metaleve). Njerëzit janë të ashpër por të besës, të varfër por bujarë : bëhet fjalë për krahun e fortë të kombit, për energjinë e tij në gjendje të pastër – ajo që rend në betejë dhe që i jep jetë talentit, që ngjiz gjeninë. Nën rregjimin komunist, kjo forcë ishte orientuar drejt zanateve të minatorit dhe të metalurgut falë zbulimit të një numri të madh burimesh minerale (bakër, krom), përveç talenteve të gëdhëndjes së drurit, të vëna në dispozicion të shfrytëzimit masiv të pyjeve.
Me rënien e rregjimit të vjetër, të gjitha kantieret perënduan njëri pas tjetrit. Ndërkohë që burimet mungonin mizorisht popullsia u braktis në fatin e vet. Kështu, ajo u orientua drejt një emigracioni masiv i cili fillimisht e orientoi drejt qyteteve të mëdha të ultësirës perëndimore, përpara se të tentonte Evropën. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, diferenciali demografik mbetet ngultësisht negativ, me një mesatare prej –20%. Mes rretheve më pak të prekura është ai i Hasit (-10%) dhe ai i Dibrës (-13%), ndërkohë që në krye të listës gjendet Tropoja (-37%), Puka (-30%) ose Mirdita (-36%). Për më tepër, këto rrethe grumbullojnë të gjitha rekordet : – shkallë papunësie, shkallë e vdekshmërisë foshnjore, tregues i varfërisë ekonomike dhe së fundi shkallë e braktisjes të shkollës – më të lartat e vendit, pa llogaritur së fundi një atomizim ekstrem të pronësisë agrare.
.
Zona e tretë perëndimore, mbulon bregdetin adriatik, me Italinë përballë. Ajo bashkon rrethin e Shkodrës, prefekturën e Lezhës (rrethet e Lezhës dhe të Kurbinit – përjashto rrethin e Mirditës), prefekturën e Durrësit (rrethet e Durrësit dhe të Krujës), prefekturën e Tiranës (rrethet e Tiranës dhe të Kavajës), prefekturën e Fierit (rrethet e Lushnjës dhe të Fierit – përjashto rrethin e Mallakastrës) dhe së fundi, rrethin e Vlorës. Këtu emigracioni është një fenomen bashkëkohor, i zhvilluar në gjirin e një popullsie që krijohet dhe rikrijohet nëpërmjet prurjeve konstante dhe masive nga brendësia e vendit. Në mes të masës dërrmuese me origjinë myslimane, dallohen ishuj popullsish të krishtere : një grup katolik me origjinë të vjetër malësore jeton në Shkodër dhe Lezhë, një grup tjetër ortodoks me origjinë të vjetër jugore jeton mes Lushnjës dhe Vlorës ndërkohë që popullata të shpërndara gjithmonë ortodokse – shpesh me origjinë vlleh – janë instaluar mes Durrësit, Kavajës, Lushnjës dhe Fierit. Ky brez bregdetar prej 250 kilometrash gjatësi dhe vetëm disa pak dhjetra kilometra thellësi është i përbërë nga fusha aluvionale, dikur kënetore, dhe rrethohet nga Lindja me masive malorë. Është zona e çifligjeve, e pronave të gjera tokësore të dikurshme që krijuan famën dhe pasurinë e bejlerëve ; rregjimi i vjetër komunist i shëndrroi në një vazhdimësi fermash shtetërore, të orientuara drejt bujqësisë intensive dhe të destinuara drejt prodhimit të drithrave (grurë, misër, oriz) sikundër dhe bimëve industriale (pambuk, luledielli, duhan). Ajo përqëndron praktikisht të gjithë masën e artereve të komunikacionit kombëtar : rrjetin hekurudhor, rrugët automobilistike kombëtare, portet ose aeroportet. Bëhet fjalë për mushkërinë dhe për zemrën e vendit që ushqen dhe ritmon gjithë jetën ekonomike dhe politike – një magnet i vërtetë që tërheq të gjithë fatkeqët dhe të braktisurit e vendit, të uriturit e veriut dhe të pafatët e jugut.
Shoqëria e kësaj ultësire është e re dhe i mungojnë traditat e vërteta : e krijuar mbi gërmadhat e klasave të vjetra, ajo u modelua nga pushteti komunist me qëllim që t’i shërbente veprës. Ky agregat funksionarësh, intelektualësh të çrrënjosur dhe i « proletariatit » industrial dhe agrar shërbeu si bazë e rregjimit demokratik i cili me atë rast, i hapi horizontin e botës politike dhe të biznesit. E përshkueshme nga ndikimet e huaja dhe kozmopolite, admiruese e perëndimit, kjo shoqëri ishte e para që braktisi vendin në masë. Megjithatë, diferenciali demografik i saj mbetet gjerësisht pozitiv : Tirana mban vendin e parë me +42%, e ndjekur nga larg prej Krujës (+19%), Durrësit (+11%) ose Lezhës. Përsa i përket pjesës tjetër, nga Shkodra në Fier, diferencat janë të vogla (mes –3% dhe +3%), me përjashtim të Vlorës (-17%), banorët e të cilës me sa duket pësojnë ndikimin e kryqëzuar të ndjelljes italjane dhe të thirrjes greke.
.
Zona e katërt dhe e fundit gjendet në qendër të vendit dhe shkon nga kufiri me Maqedoninë deri në kontakt me ultësirën perëndimore. Ajo përmbledh rrethin e Pogradecit, prefekturën e Elbasanit (rrethin e Librazhdit, të Gramshit, të Elbasanit dhe të Peqinit), prefekturën e Beratit (rrethin e Beratit dhe të Kuçovës – përveç Skraparit) dhe së fundi, rrethin e Mallakastrës. Ky territor nuk ka qenë kurrë një tokë emigracioni : mes tregëtisë, bujqësisë dhe artizanatit, njerëzit kenë kërkuar gjithmonë mirësinë dhe begatinë e tyre në vend. Ata katër lumenjtë që e përshkojnë – Shkumbin, Devoll, Osum et Vjosë, përfaqsojnë po aq rrugë kalimi drejt thellësisë së vendit dhe gadishullit. Ndodhemi në një koridor të gjerë, ai lindje – perëndim, i cili pret vendin më dysh, që ndan dialektet, që veçon mentalitetet. Këtu edhe vetë natyra çfaqet pa teprica, pa shkëlqim, pa madhështi : disa male – aq sa duhet për të zënë pamjen e një perle si liqeni i Pogradecit, disa fusha – aq sa të lejojnë vendosjen e një qyteti si Elbasani, më tej kodra – as tepër të rrumbullakta për t’i punuar as tepër të thepisura për t’i mallkuar dhe së fundi, pasuri minerale – hekur dhe naftë – të mjafta për një vend si Shqipëria por asnjëherë të mjaftueshme për brezat e ardhshëm. Atëhere, njeriut i është dashur të adaptohet me mjedisin : ai rrit dhi në lartësitë e Librazhdit dhe djeg qymyr druri në Polis, mbjell ullinj mbi kodrat e Elbasanit dhe fiq rreth e qark Beratit, kultivon misër në Dumre dhe duhan në Peqin ; së fundi, gërmon Gurin e Kuq në Pogradec dhe shpon fushat e Kuçovës.
Shoqëria e lindur në këto vise është pasqyrim i vetë natyrës : ngeshmëria e saj proverbiale, një trashëgim nga e kaluara otomane, e ka nxitur që t’i largohet dhunës dhe rrëmujës. Në qoftë se konformizmi i saj i zakonshëm ka mundur të shëndrohet në oportunizëm gjatë epokës komuniste, tashmë ajo mundohet të shmangë efektet e dëmshme të një hapjeje pa kufi ndaj botës së jashtme falë palëvizshmërisë së saj. Pa dyshim nën ndikimin e lumenjve, as fort e gjatë as krejtësisht e qetë, jeta mbetet mjaft monotone çka bën që krijimtaria e njerëzve të jugut të shtanget në pasivitet, përpara se të shëndrrohet në gjest luftarak diku larg në veri ; sikundër dhe gjenia e mprehtë e shoqërisë jugore të venitet në një miqësi të gjerë grupi përpara se të metamorfozohet në shpirt të fisit në malet e epërme. Eshtë barku bujar i kombit, është vetë shëmbëlltyra e Shqipërisë të përjetshme.
Zona qëndrore duket se i shpëton obsesionit të të vrapuarit jashtë shtetit që deh rininë dhe që shpërthen familjet. Pothuaj asgjë nuk lëviz në Librazhd (+0.7% diferencial demografik ndërmjet 1989 dhe 2001) sikundër dhe në Pogradec (-0.8%). Megjithatë, i pari ngjan si dy pika uji me fqinjin e tij të Bulqizës (-15%) ndërkohë që të dytin veç një mal dhe dy kodra e ndajnë nga sivëllai i madh i Korçës, i cili për të njejtë periudhë është lehtësuar nga 33.000 banorë. Gjithmonë gjatë kësaj periudhe, popullsia e Elbasanit rritet me 6%, po aq sa rritja natyrore mesatare e popullsisë, dhe fqinji i tij i Peqinit mezi që e tejkalon (+9%). Eshtë vetëm Gramshi (-18%) që mundohet të barazojë mesataren kombëtare ndërkohë që në Berat (-6%) dhe në Kuçovë (-11%) njerëzit janë gjithmonë të pavendosur – a duhen braktisur këto toka të ndohtura deri në thellësi nga mbetjet e naftës apo duhet vazhduar shëtitja gjatë bregut të Osumit ? Së fundi Mallakastra (-2%) i ka mbetur besnike të shkuarës : mes dy kujtimeve, ai i dhenve të kohës së mbretit dhe të puseve të naftës të kohës së Enverit, njerëzit ndjekin rrugën e arsyes dhe atë të prirjeve blegtorale. Ndërkohë e gjithë zona zhytet në mizerje sociale dhe në varfëri (i).
.
Ja pra kush është Shqipëria e sotme :
.
.
ndërkohë që shpirti i pavdekshëm i kombit është zhytur në një letargji të pashpresë, mendja dhe aftësia krijuese largohen nga vendi, energjia e pastër dhe talenti gjenial shpenzohen rrugëve të botës dhe gjithçka reduktohet në biznes, në një rrethqarkullim frymëmarrës paraje dhe malli, në një luzmim njerëzish të preokupuar nga vajtje-ardhja papushim mes brigjeve.
.
.
————————–
.
(i) Kjo mënyrë e konceptimit të realitetit lokal mbështet nga një varg treguesish, të qëmtuar nga plot studime. Le të përmendim disa shembuj, të zgjedhur në këtë zonën e katërt : rrethi i Librazhdit zotëron një sipërfaqe prej 1.024 km2, pra më e madhe se mesatarja e një rrethi shqiptar që luhatet aty rreth vlerës 800 km2. Vetëm 15% e kësaj sipërfaqeje përbëhet nga tokat e punueshme, Pjesa tjetër ndahet mes pyjeve (51%), kullotave (16%) dhe tokave joproduktive (18%). Në vitin 1998, mbi këtë territor banonin 69.770 banorë nga të cilët 46.250 me një moshë mes 15 dhe 69 vjeç dhe vetëm 26.800 prej tyre konsiderohen aktivë nga pikpamja ekonomike. Por, sipas statistikave lokale, 20.200 nga këta aktivë punojnë në sektorin bujqësor të privatizuar dhe vetëm 5.100 në sektorin publik dhe privat jashtë bujqësisë, gjë e cila përcakton një shkallë papunësie të rendit 6%, pra shumë e ulët në krahasim me mesataren kombëtare (15%). Nga ana tjetër këta bujq privatë janë shpërndarë mes 14.300 fermave dhe pronave individuale që zotërojnë një sipërfaqe mesatare prej 0,57 hektarësh dhe vetëm 24% e tyre mund t’i lejojnë vetvehtes të dalin në treg për të shitur prodhimet e tyre. Të vetmet elementë që lejojnë të kuptohet gjendja e tyre tepër e vështirë është fillimisht fakti se mes 1990 dhe 1997, popullsia e qytetit të Librazhdit është dyfishuar (nga 5.100 në 9.900 banorë) ndërkohë që 70% e familjeve fshatare marrin alokacione, për shkak të burimeve të tyre materiale të pamjaftueshme. Përfundimisht, ky rreth i mbyllur në vetvehte ze vendin e gjashtë (ndër tridhjetë e gjashtë) në klasifikimin kombëtar të shkallës së ndjeshmërisë.
Shembulli i dytë vjen nga rrethi i Kuçovës, më i vogli i Republikës. Ai zotëron një sipërfaqe prej 84,1 km2, nga të cilat 65% të dedikuara bujqësisë. Pjesa tjetër është ose joprodhuese (20%) ose pyje dhe kullota. Mbi këtë territor të vocërr jetojnë gati 40.000 banorë, pra 457 banorë/ km2 – dendësia më e madhe në nivelin kombëtar. Mes tyre, 24.000 janë të moshave 15 deri 69 vjeç, nga të cilët 17 deklarohen si aktivë. Në të vërtetë vetëm 10.000 punojnë, gjysma në bujqësi dhe gjysma tjetër në sektorin privat ose publik, nga e cila rezulton se shkalla e papunësisë është 42%. Megjithë aftësitë e supozuara të atyre 4.200 fermerëve që në mesatare zotërojnë nga 1 hektar tokë dhe që arrijnë më mirë se të tjerët të shesin prodhimet e tyre pasi 67% e tyre deklarojnë të kenë marrëdhënie me tregun, e ardhmja është krejt e zezë veçanërisht për ata 28.000 banorët e qytetit të Kuçovës horizonti i të cilëve mbetet ai i vendeve fqinje. E keqja është se rasti i Kuçovës nuk përbën ndonjë rast të izoluar. Përveç disa detajeve, ai ndiqet këmba këmbës nga rrethi fqinjë i Beratit që rregjistron një shkallë papunësie prej 25% ose prej atij të Elbasanit me 22% të papunë. Këta të fundit janë të favorizuar vetëm për hir të shtrirjes së tyre territoriale. Me fjalë të tjera, ata arrijnë të fshehin papunësinë vetëm falë egzistencës në kufijtë e mbijetesës të fermave dhe pronave bujqësore. Shih mbi këtë subjekt : Eniel NINKA – Différenzazioni territoriali in Albania dalla caduta del communismo ad oggi. Associazione Alessandro Bartola, Studi et Ricerche di economia et di politica agraria, Nr. 8, gennaio 2003 ; mais également : Assessment of Social and Economic Condiitions of Districts in Albania, UNICEF – Albania, Tirana, 2000.


Shqipëria në « Zenith »…. të Tuluzës.

18 Dhjetor, 2007
Në mbrëmjen e 15 dhjetorit u ngrit sipari i festimeve të fundit të vitit në qytetin e Tuluzës. Me iniciativën e disa shoqatave lokale si « Carrefour Culturel Arnaud Bernard – Udhëkryqi Kulturor Arnaud Bernard », « Escambiar » dhe « Bleu Citron », një varg grupesh muzikore lokale dhe muzikantë të tjerë, të ftuar nga vendi dhe nga bota, gjallëruan me spektaklin e tyre Zenithin, skenën më të madhe tuluzane (3 mijë spektatorë). Festa vazhdoi deri tej mesnate dhe përfundoi në një vallzim gjigand të turmës.
Mes të tjera sishoqesh që përfaqsojnë bashkësitë njerëzore të Azisë Juglindore (Vietnam, Tailandë..), të Afrikës së Zezë (Ruanda, Kamerun..), të Afrikës Veriore (Marok, Algjeri..), të Amerikës Latine (Brazil, Kolumbi..) dhe të Evropës Lindore, shoqata « Albanie – France Pyrénées-Midi » me qendër në Tuluzë u ftua të ngrinte një stendë në hollin e Zenithit. Qëllimi i organizatorëve me origjinë katalane dhe oksitane që militojnë për njohjen dhe përhapjen e gjuhëve dhe kulturave minoritare ishte i dyfishtë : nga njera anë, të krijohet një mjedis shumëngjyrësh dhe tërheqës – përfaqsues i përzierjes etnike të shoqërisë lokale, dhe nga ana tjetër, spektatorët të mund të shijonin produkte dhe prodhime të kuzhinave nga të gjitha kontinentet.

Në ato pak metra katrorë stendë, shoqata shqiptare kish prezantuar objekte të artizanatit karakteristik, libra dhe albume me fotografi nga Shqipëria si dhe disa specialitete ushqimore tipike të vendit., të cilat u mirëpritën dhe pëlqyen. Meqënëse pak muaj ndajnë nga zgjedhjet bashkiake, ky aktivitet përfaqsonte një rast të mirë për përfaqsuesit e pushtetit lokal për të takuar zgjedhësit e ardhshëm.
Nga të parët që vizituan stendën tonë ishte Kryetari i Bashkisë së qytetit, z. Mudenk, i shoqëruar nga dy zëvendësat, i cili nuk i rezistoi thirrjes : « Zoti Kryetar, ejani të hani shqiptarçe ». Mes një qofteje dhe një dollme, ai vuri në provë njohuritë e tij për Shqipërinë dhe dalloi Skënderbeun mbi një nga fotografitë e stendës. Ai shprehu admirimin që kishte ndaj Mbretëreshës Gjeraldinë, ndoshta lidhur me faktin se z. Renaud Muselier, një nga nipat e saj francezë, aktualisht zv. President i Komisionit të Punëve të jashtme të Asamblesë Kombëtare është një nga figurat e UMP (Bashkimi për një Lëvizje Popullore) – partia e tij politike.
« Vala » republikane-goliste u ndoq nga grupi « Modem » (Lëvizja Demokratike). Kësaj rradhe, të zgjedhurit lokalë ndryshe nga të parët, u interesuan për rrjedhat e sotme politike në Shqipëri si dhe për zhvillimet e fundit, të intriguar nga dorëshkrimi i « Përjetësisht të Panjohur : një mënyrë tjetër e të kqyrurit të Shqipërisë dhe Shqiptarëve ». Sidoqoftë, takimet dhe diskutimet më tërheqëse ishin ato me njerëzit e thjeshtë, të cilët jo vetëm e njihnin Shqipërinë më mirê se sa të zgjedhurit por edhe ishin më të interesuar për vendin, për kulturën ose popullin e saj.Për shoqatën tonë, ky aktivitet shkruhej në vazhdën e bashkëpunimit me « Udhëkryqin Kulturor », i cili organizon çdo fundpranvere « Forumin e Gjuhëve të Botës » në Kapitol – sheshi qëndror i qytetit. Ky forum udhëhiqet nga deviza « Gjuhët dhe kulturat janë të barabarta mes tyre sikundër qytetarët e të njejtës Republike » dhe jep mundësinë e prezantimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të kulturës së saj si dhe një rast unik të kontaktit me publikun tuluzan.


Kombi dhe Kombtaria (për të mos e quajtur ende Nacionalizëm).

16 Dhjetor, 2007

Hezitova tepër përpara se t’i përgjigjesha një shkrimi si ai « E Majta Nacionaliste », të z. Koço Danaj. megjithë rrezatimin e tij të pazakontë, megjithë magnetizmin provokues..
Që në rreshtat e para logjika fillon dhe kërkon pika mbështetjeje, referenca të qëndrueshme që të mos humbë toruan, një bazë të mirëfilltë për të ruajtur fillin, për të mbajtur sensin. Duke mos patur autorin përballë – me qëllim që ta bëj rrezil – na mbetet teksti si bazë reflektimi, dhe në mungesë të tij mbetet koncepti, i cili në mënyrë të dukshme injoron të paktën dy aspekte :
– bazën kombëtare të nacionalizmit.
– përfytyrimin e Kombit.
Sidoqoftë, mbetet fakti që një shkrim i tillë lëndon dijen dhe fyen përvojën, shkurt provokon përbuzje. Ndoshta, përgjigja më e mirë ndaj shkrimeve të tilla është një shkrim tjetër, një bazë e re reflektimi ndaj temave të tilla…

.

* * *

.
Ndërkohë që shqiptarët shqetësohen për të kaluarën, evropianët ngrenë pyetje për të ardhmen, duke akuzuar të tashmen. Dhe pikërisht, ata gjykojnë të tjerët mbi kriterin e të sotmes. Mjafton të analizohen ato arsyet evropiane të ngurrimit ndaj pranimit të Shqipërisë në Bashkimin evropian. Të gjitha vërejtjet prekin rolin dhe funksionet e Shtetit sikundër dhe kapacitetet e tij për të ndërmarrë reformat e dëshiruara : ekonomi e tregut, institucione demokratike, liri individuale dhe të shtypit, respekt i ligjshmërisë.
Ja pra edhe mënyra më racionale për të çmbështjellë filmin e historisë : të shqyrtohet e kaluara nën dritën e të sotmes.
Pa krijuar asnjë surprizë zbulohet që Shteti ka qenë hallka më e dobët e atij zinxhiri përpjekjesh të vazhdueshme që shënon procesin e ndërtimit identitar :

.

Ai mungon krejtësisht në 1878, në momentin e lindjes së Kombit shqiptar ; ai është fiktiv në 1913, gjatë afirmimit ndërkombëtar të këtij kombi ; ai është efemer ndërmjet 1919 dhe 1925, ndërkohë që identiteti kombëtar merr vetëbesim ; ai është i pafuqishëm ndërmjet 1928 dhe 1939, ndërkohë që vendi i bashkohet koncertit të Kombeve ; ai zhduket nën pushtimin e huaj ndërmjet 1939 dhe 1944, ndërkohë që rilind ideja e « Shqipërisë së Madhe » ; ai gjendet nën serum ideologjik dhe ekonomik ndërmjet 1945 dhe 1990, ndërkohë që ndërmerret përvoja vetëvrasëse e « Njeriut të Ri » ; atij i merren këmbët ndërmjet 1991 dhe 1997, ndërkohë që Kombi bëhet i ndërgjegjshëm se i përket familjes evropiane ; ai është gjithmonë në kantjer që prej 1998, gjatë hapjes së debatit mbi identitetin kombëtar.
.
Mund të përfundojmë se në rastin më të keq, Shteti i ze rrugën këtij procesi dhe në rastin më të mirë, ai nuk arrin të ndikojë mbi të. Përse duhet të habitemi nëqoftë se nacionalizmi shqiptar nuk i thurr lavde Shtetit ? ose, që ky i fundit asnjëherë nuk është kqyrur si mishërimi i plotë i kombit shqiptar ?

Si rrjedhim i një vargu konjukturash, zgjedhjesh dhe ngjarjesh historike, Shteti shqiptar çfaqet në skenën ballkanike i pafavorizuar nga ana njerëzore dhe materiale dhe i mangët nga përvojat e mëparshme zemërdhënëse. Që prej këtij momenti, shqetësimi i tij kryesor ka qenë dhe mbetet gjithmonë sigurimi i mbijetesës ekonomike dhe politike, në një kontekst rajonal armiqësor, gje që e ka shtyrë në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të mbrojtësve të fuqishëm. Nga ana tjetër, të gjitha konstruksionet shtetërore që pushtetet kanë eksperimentuar – Republikë autoritare, Monarki kushtetore, Republikë popullore bile edhe Republikë parlamentare – janë vepër e elitave të saj ushtarake, latifundare ose intelektuale dhe paraqiten si përpjekje volontariste. Ato janë ndërmarrë sigurisht në emër të popullit ndërkohë që në të vërtetë, ato i kanë shërbyer interesave të një klani, të një kaste ose të një grupi shoqëror të ngushtë. Në këtë proces institucional, shoqëria ka munguar gjithmonë. Pa asnjë përpjekje këshillimi, asaj i është kërkuar thjesht pjesëmarrje dhe bindje. Në të shterrur të forcave, asaj i duhet të ngjizë simbole të reja ; ndërsa lidhjet sociale këputen, ajo riprodhon stratifikime të reja ; ndërsa kontradiktat e brendshme përkeqësohen, ajo sjell në jetë elita të reja.
Ndërkohë që trashëgimia e pasur në kujtime, e ardhur nga thellësia e kohrave, i shërben shoqërisë veç si orientim, pushteti përkëdhel ëndrrën e tij për të vendosur një mirëkuptim të përditshëm. Duke mos qenë në gjendje të realizojë atë të famshmen « dëshirë për të jetuar së bashku », s’mbetet gjë tjetër veç dhunës për t’a imponuar. Të bashkuar nga forca dhe nëpërmjet përdorimit të forcës, është gjithmonë e mundur të krijohet të paktën iluzioni i ndarjes së trashëgimisë, i pajtimit shpirtëror mbi principin e të paturit lavdi të përbashkëta në të kaluarën. Asnjë vullnet i përbashkët në të tashmen, asnjë kujtim i bërjes së gjërave të mëdha së bashku ; mbetet vetëm vullneti i pushtetit : ai të kryerit të gjërave të reja. Ku ndodhemi në lidhje me kushtet e domosdoshme për të qenë një popull, sipas Renanit (1) ? Si i bëhet për të bashkuar këto dy gjëra të cilat gjenden, njëra në të kaluarën dhe tjetra në të tashmen, me qëllim që të rikrijohet ky shpirt – ky princip shpirtëror – që përfaqëson Kombi ?
Ndoshta, do të kish qënë më e matur të pranohej që përkufizimi, i vënë në kornizë nga dijetari blasfemues francez, nuk na rikthen imazhin tonë dhe si pasojë, na duhet të zgjedhim një tjetër – në këtë rast, cilën ? Duke shkuar kundër rrymës, drejt burimit, mund të kërkojmë ndihmën e Herderit sipas të cilit, « falë Providencës » kombet paskëshin qenë ndarë « nga gjuhët, nga shijet dhe nga karakteret » ; ose ndihmën e Fichtes i cili ngul këmbë se « njerëzit janë formuar nëpërmjet gjuhës, më tepër se sa gjuha vetë nëpërmjet njerëzve »(2). Sidoqoftë përkufizimet e Kombit – në variantin e tij shqiptar, mund të kuptohen vetëm nën dritën e zhvillimit të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të korolares së tij, kombtarisë. Vetëm nëpërmjet kësaj mënyre deshifrimi mund të përmblidhen në një të vetme përmasat etnike, etike, kulturore dhe politike në këtë konstruksion i cili, pavarësisht thellësisë së tij reale historike, mbetet sidoqoftë i natyrës ideologjike.
Megjithë një farë vonese ndaj fqinjëve ballkanikë, lëvizja kombëtare shqiptare ndjek një rrugë tashmë të rrahur, gjerësisht të shkelur në Evropën qëndrore(3) gjatë shekullit të XIXtë : një fazë e parë e natyrës të pastër kulturore, letrare dhe folklorike, pa implikime të veçanta të rendit politik ose kombëtar ; një fazë e dytë që përjeton krijimin e një trupe pionierësh dhe të militantësh të çështjes kombëtare që investohen në një fushatë politike në favor të kësaj ideje ; së fundi, një fazë e tretë e përpunimit të programeve nacionaliste dhe fitimi i mbështetjes së masave. Sipas historiografisë zyrtare, ky proces kurorëzohet me shpalljen e pavarësisë në 28 nëntor 1912, pas një vargu kryengritjesh të armatosura që tronditën Perandorinë otomane ndërmjet 1910 – 1912.
.
Në të kundërt, dinamika nacionaliste është shumë më e pasur në mësime. Ai rikujton që mendimi nacionalist gjithmonë ka paraprirë konstruksionet shtetërore pa mundur të shëndrrohet në një ideologji dominante, as edhe të prodhojë edhe një program i vërtetë politik në shërbim të shtetit. Mjedisi nacionalist, i përbërë nga mendimtarë, shkrimtarë, nga militantë të talentuar dhe nga burra politikë të dorës së parë, nuk ka mundur asnjëherë të integrojë plotësisht qarqet e pushtetit për një arsye të thjeshtë : nacionalizmi shqiptar i bën thirrje një detyre të pakryer – bashkimin e territoreve të banuara nga Shqiptarët – ndërkohë që Shteti, i zhveshur nga mjetet, pranon dhe justifikon realitetin. Megjithë faktin që ndërmjet këtyre dy mjediseve egzistojnë fije të shumta lidhjeje, ata veçohen nga një linjë ndarëse e pakapërcyeshme : të kërkosh esencën e trashëgimisë politike të burrave të « Rilindjes », automatikisht don të thotë irredentizëm – kundërshtim i kufijve egzistues dhe veprim për të zhgjymtyruar fqinjët. Bëhet fjalë për një politikë që s’mund të pranohet nga ana e pushtetit i cili shpallet si adept i integritetit territorial dhe i vendosjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me botën ballkanike. Për këtë arsye, terreni nacionalist mbetet gjithmonë djerrë dhe shëndrrohet në çiflig të opozitës që arrin të destabilizojë pozitën, duke e vënë në një situatë të paqëndrueshme ndaj dëshirave të masave të gjera popullore.
Si pasojë e tallandive të kësaj natyre, përleshja mes pozitës dhe opozitës gjithmonë ka çuar drejt destabilizimit të jetës politike të vendit, duke tërhequr në hullinë e vet jo vetëm forcat e brendshme por edhe mjediset e jashtme – të prekuar nga larg ose nga afër prej projektimeve nacionaliste.
Ishte rasti i mjedisit radikal verior të « Komitetit të Kosovës », i cili kundërshtoi me armë në dorë qeverinë kombëtare të Zogollit në 1922 dhe në 1924. Ishte rasti i të djathtës republikane pas Luftës së Dytë që u përpoq të rrëzonte qeverinë komuniste të Hoxhës. Është rasti aktualisht i mjedisit monarkist dhe i të djathtës ekstreme që kritikojnë qeveritë demokrate ose socialiste për shitje të interesave kombëtare, në emër të stabilitetit rajonal.
Pushtimi italjan i vitit 1939, i ndjekur nga shembja e Jugosllavisë dhe e Greqisë, i ofroi opozitës republikane antizogiste tê epokës rastin unikal për të paraqitur një program politik krejtësisht nacionalist – « Shqipërinë e Madhe ». Ky konstruksion efemer – i gjeneruar nga boshllëku institucional, i frymëzuar nga coptimi i territoreve fqinje dhe i nxitur nga pushtuesit – u fshi nga vazhdimi i ngjarjeve dhe tërhoqi në rënien e saj gjithë mjedisin nacionalist shqiptar.
Përballë këtij realiteti, pushteti ligjor ka vetëm një rrugëdalje : të ngulmojë në përmasat kulturore të « Rilindjes » – hapje e shkollave në gjuhën shqipe, unifikimi i gjuhës dhe krijimi i një alfabeti të vetëm, zbutje e përçarjeve fetare me anë të formulës së famshme të Vasës. Përsa i përket përmasave politike të kësaj lëvizjeje, ai gjithmonë i shmanget skenës, qoftë dhe me anë piruetash të llojit :
.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse… nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX…. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. (4)
.
Të rrethojë Kombin me një mbështjellje konkrete të natyrës institucionale, t’i nënështrojë identitetin shqiptar projektit shtetëror – ja edhe detyra e parë e « nacionalizmit zyrtar ». E zbrazur nga përmbajtja e saj irredentiste, shqiptaria shëndrrohet në një instrument të pushtetit nëpërmjet ngritjes së miteve njejtësues tradicionalë : kërkim i stërgjyshërve, hyjnizim i historisë, zgjedhje e Heronjve kombëtare. Nga ky moment, Shteti zëvendëson Kombin : ai ushtron sovranitetin në emrin e tij brendapërbrenda kufijve kombëtarë dhe afirmohet jashtë tyre si subjekt historik në gjirin e rendit botëror, të themeluar mbi egzistencën dhe mbi marrëdhëniet mes njësive politike. Paralelisht, ai mundohet të neutralizojë « kombtarinë popullore » ndërkufitar dhe sfidëkërkues kur ai bezdis, ose t’a instrumentalizojë për të dalë nga një rrugë qorre, të imponuar nga historia. Kështu veproi monarkia e Zogut në fillim të viteve 30’, në epokën e kombëtarizimit të shkollava të huaja ; me të njejtën përmbajtje shpjegohet edhe qëndrimi i Republikës popullore të Hoxhës, në fillim të viteve 80’, pas ndërprerjes së ndihmave kineze. Rasti i fundit ishte ai i Republikës demokratike të Berishës që gjeti « kokën e turkut » të OMONIA-s për t’i kthyer kusurin shtetit grek. Çdo herë që mburoja mbrojtëse leskërohet dhe kriset, çdo herë që izolimi çfaqet në horizont, rregjimet i bëjnë thirrje bashkimit të popullit, përmendin virtytet e larta të shqiptarëve. Konceptimi i Kombit shërben si shtrati i Prokrustit një pushteti, i cili vepron mbi identitetin shqiptar në përputhje me qëllimet e tij : ai ja zgjat ose ja shkurton gjymtyrët shqiptarizmës me qëllim që kjo e fundit të mund të përputhet me standardet e tij utilitaristë.
.
Në qoftë se ju besojmë historianëve, « koncepti filozofik(!) » i Kombit është formuluar nga Abdyl Frashëri në vigjilje të krijimit të Lidhjes së Prizrenit. Në atë pranverë të largët të vitit 1878, ai ndërkohë dallonte elementët e tij përbërës :
.
gjuhën e përbashkët, territorin e përbashkët, historinë e përbashkët dhe jetën shpirtërore të përbashkët (të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve, të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta) dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar një shtet të përbashkët. (4)
.
Çka mbetet në ditët e sotme nga ky vizion fillestar ? Gjithçka ose asgjë – varet në ç’krah qëndron vrojtuesi. Po qe se i mbetemi besnikë frymëzimit të parë – ai i Abdylit dhe i shokëve të tij kosovarë ose çamë – ky përkufizim i kundërvihet egzistencës së shtetit të sotëm shqiptar. Në mënyrë kurioze, të dëshirosh të çlirohesh nga përmasat irredentiste, kjo nuk don të thotë të coptosh idenë fillestare, pasi në të vërtetë, në vend të Kombit, ajo përcakton etninë – një « konfuzion » mjaft i zakonshëm në rradhët e atyre që janë munduar të kqyrin problemin, që nga shekulli i XVIItë dhe deri në momentin e lindjes së kombit modern (6).

.
Le të gjykojmë vetë : duke hequr thelbin e polemikës, mes të tjerash, Kombi përcaktohet si « një popullsi e cila identifikon vetvehten në një histori dhe në një kulturë të përbashkët- shpesh edhe në një gjuhë të përbashkët, dhe që pretendon të njejtën origjinë, ose e thënë ndryshe të njejtën “lindje„ ».
Për dikë që kërkon një shkallë reduktimi ende më të fuqishme, Kombi mund të përcaktohet gjithashtu si « një grup njerëzor që karakterizohet nga ndërgjegja e njësisë së tij si dhe nga vullneti për të jetuar së bashku ». Gjëkundi pra nuk ka nevojë për një territor të përbashkët – i përcaktuar nga kufijtë, gjëkundi gjithashtu nuk nevojitet një pushtet qëndror, i qëndrueshëm dhe i përjetësuar – i përfaqësuar nga Shteti, gjëkundi së fundi ajo njësi morale ose politike e banorëve – e përkujtuar nga kontrata mes shoqërisë dhe Shtetit dhe e vulosur nga Ligjet. Duke ju rikthyer realitetit tonë, trupi i këtij Kombi çfaqet diku mes Shqipërisë së Parë – asaj të mirëfilltë – dhe Shqipërisë së Dytë – asaj të përtejkufirit, ndërkohë që konturet e tij shkrihen gjithandej nëpër botë, duke u ngatëruar me kufijtë e Universit.
.
Në këtë mënyrë është prekur edhe zemra e problemit : që prej « Rilindjes » dhe Mjeshtrave të vet mendimtarë, asnjeri nuk ka guxuar t’i përvishet konceptit të Kombit – njëkohësisht i shenjtë dhe tabu. Në mënyrë të ndërgjegjshme ose të pandërgjegjshme, sejcili mundohet të qëndrojë sa më larg kësaj zone të ndjeshme dhe fort të rezikshme e cila, sipas qëndrimit të zgjedhur, mund të ndezë një konflikt kufitar ose rajonal sikundër dhe të acarojë ndjenjat nacionaliste të popullsisë, duke provokuar me këtë rast çarje të thella në strukturën shoqërore. Në këtë mënyrë, preferohet më mirë të vihet theksi mbi elementët etnikë ose mbi « shenjat e jashtme të Kombit » sikundër territori, gjuha, feja dhe të kalohet nën heshtje faktori politik ose, raportet e forcës mes Shtetit dhe shoqërisë civile. Duke vepruar në këtë mënyrë, asnjëherë nuk është guxuar të përcaktohet Kombi si « një bashkësi politike e përbërë nga një grup njerëzor, i vendosur mbi një territor të caktuar ose mbi një bashkësi territoresh të përcaktuara dhe e personifikuar nga një autoritet sovran »
Ndërkohë, mjafton të hidhet një vështrim rreth e qark vehtes. Fqinjët italjanë e përshkruajnë Kombin në terma tradicionale si « një popullatë e cila praktikon, që prej gjeneratash të tëra, një bashkësi të territorit, të jetës ekonomoke, të kulturës, të gjuhës sikundër dhe një kuptim të përbashkët të ngjarjeve historike në mënyrë të tillë që, pjesa më e madhe e individëve që e përbëjnë këtë komb kanë krijuar një konceptim preciz të bazës së përbashkët, duke zhvilluar njëkohësosht një nivel të lartë lidhjeje emocionale me këtë Komb»(7). Evropianë të tjerë më lakonikë shkojnë edhe më larg dhe e përcaktojnë si « një bashkësi politike imagjinare dhe e imagjinuar si pazgjithshmërisht e kufizuar dhe sovrane » (8). Ja pra që s’paska nevojë as për gjuhë të përbashkët, as për territor të përbashkët bile as për etnicitet të përbashkët. Që në fillim të shekullit të XXtë, historiano-sociologo-antropologët Veber dhe Maus guxojnë të pohojnë se karakteristikat e përbashkëta – racë, gjuhë, kulturë – të kombëtarëve (lexo : antarët e një kombi) nuk janë shkaku por rezultat i konstruksionit kombëtar.
Sigurisht, është gjithmonë e mundshme të mbrohet një farë ideje e Kombit në emër të traditave, të vlerave të lashta dhe të një farë njëjtësie. Eshtë po aq e mundshme që të hidhen poshtë të tjera, duke i quajtur egzotike, të dëmshme bile edhe tjetërsuese, për të mos thënë të çmendura. Ndërkohë, për Evropën e sotme ku edhe përpiqemi të hymë, duke fituar besimin dhe vlerësimin e saj, këto koncepte e kanë kaluar stadin e hipotezave dhe imponohen në realitetin e përditshëm me qëllim që të zbusin « tensionin mes universalizmit të kombit demokratik dhe veçorive kombëtare dhe etnike, nëpërmjet formave të tejkalimit të vetë konceptit të kombit »(9). Elementët etnikë që mbeten në bazën e çdo ndërtimi kombëtar tashmë bëhen pre dhe absorbohen gradualisht nga institucionet kolektive të cilat, në vetvehte, shërbejnë si lëndë e parë për një shoqëri civile abstrakte.
.
Mes këtyre dy koncepteve të Kombit – lokale dhe evropiane, përse duhet të habitemi atëhere kur Perëndimi nuk arrin dot të ndjejë egzistencën e një kombi shqiptar ? përse duhet të dëshpërohemi nëqoftë se vëzhguesit, nëpërmjet instrumentave të tyre konceptuale, pranojnë se kombi shqiptar nuk përputhet me kriteret e përcaktimit, që zakonisht përdoren nga sociologët për të vlerësuar këto kategori ? përse së fundi, duhet të pikëllohemi nëqoftëse këta të fundit arrijnë në përfundimin se Shqipëria – në rastin më të mirë – përfaqson një komb pa Shtet dhe – në më të keqin – një Shtet pa komb (10) ?
.
.
———————————–
.
(1) Është rasti të citohet përkufizimi i shquar i kombit nga Ernest Renani, në fjalën e mbajtur në Sorbonë, në mars 1882 : « .. një komb është një shpirt, një princip shpirtëror. Dy gjëra që në të vërtetë bëjnë veç një, e përbëjnë këtë shpirt, këtë princip shpirtëror. Njëra gjendet e të kaluarën, tjetra në të tashmen. Njëra është të zotëruarit e përbashkët të një trashëgimie të pasur në kujtime, tjetra është mirëkuptimi i përditshëm, dëshira për të jetuar së bashku, vullneti për të vazhduar që të vihet në dukje trashëgimia që kemi marrë në mënyrë të pandashme… Të kesh lavdi të përbashkëta në të kaluarën, një vullnet të përbashkët në të tashmen ; të kesh bërë gjëra të mëdha së bashku, të duash të bësh të tjera, ja edhe kushtet e domosdoshme për të qenë një popull… Një Komb është pra një solidaritet i madh, i përbërë nga ndjenja dhe sakrificat që janë bërë dhe nga ato ende janë gati të bëhen. Ai nënkupton një të kaluar, ai përmbidhet sidoqoftë në të tashmen me anë te një fakti të prekshëm : mirëkuptimi, dëshira e shprehur në mënyrë të qartë për të vazhduar egzistencën e përbashkët. Egzistenca e një Kombi është një plebishit i përditshëm, sikundër dhe egzistenca e një njeriu është afrimimi i përjetshëm i vetë jetës.. ». Shih : Ernest RENAN – Qu’est-ce qu’une Nation, në : Discours et Conférences, Calman-Levy, 1887.
.
(2) I njejti shpirt mendimi egziston ndërmjet ideologëve të Rilindjes shqiptare kur ata pohojnë se « … gjuha është dhe shenja e kombësisë, pasi çdo komb mbahet më këmbë nga gjuha.. » Shih : Sami FRASHËRI – Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, bot. 3të Ed. Kristo Luarasi, Tiranë, 1924.
.
(3) Lidhur me strukturimin në përgjithësi të lëvizjes kombëtare dhe fazat e saj të zhvillimit, shih : HOBSBAWM Eric – Nations et nationalismes depuis 1780, Programme, mythe, réalité Paris Ed. Gallimard, 1992.
.
(4) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë – Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- Historia e Popullit Shqiptar v.I e II, Ed. Toena, Tiranë, 1994 – 2002.
.
(5) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë – Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- ibidem
.
(6) Shih mbi këtë subjekt : Dominique SCHNAPPER – La communauté des citoyens. Sur l’idée moderne de nation. Paris, Gallimard nrf essais, 1994.
.
(7) Shih : Franco DEMARCHI et al ( nën drejt.) – Nuovo Dizionario di Sociologia. Paoline éd. Roma 1987.
.
(8) Shih : Benedict ANDERSON – L’imaginaire national : réflexions sur l’origine et l’essor du nationalisme, Éd. La Découverte/Poche, Paris, 2002.
.
(9) Dominique SCHNAPPER – ibidem.
.
(10) Këto reflektime – në formën pohuese – i përkasin Lakshman-Lepain, dhe zhvillohen në studimin e saj mbi ndërtimin e identitetit kombëtar tek shqiptarët. Autori i referohet pikërisht veprës së Marsel Mausit mbi Kombin dhe në rradhë të parë, përkufizimit të tij : « ne kuptojmë me shprehjen Komb një shoqëri materialisht dhe moralisht të integruar, me një pushtet qëndror të qëndrueshëm, të vazhdueshëm, me kufij të përcaktuar, me një njësim relativ moral, mendor dhe kulturor të banorëve që pjasëmarrin në mënyrë të ndërgjegjshme në Shtetin dhe në ligjet e tij ». Pa dashur të analizojmë vlerën e këtij përkufizimi, mjafton të njihet vepra e « babait të antropologjisë franceze » për të kuptuar se përdorimi i kësaj reference merr ngjyra më tepër se ironike. Në të vërtetë, Mausi pohonte në vitin 1920 se « Shqiptarët gjenden në një stad qytetërimi gjithmonë primitiv, edhe më primitiv se sa Indoevropianët në momentin e futjes së tyre në histori ». Shih : Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – L’Albanie : une nation encore à inventer ?, në: DE WAELE J.-M. & GJELOSHAJ K. (nën drejt.) – De la question albanaise au Kosovo, Ed. Complexe, 1999. Shih gjithashtu : Marcel MAUSS – La nation. në : Œuvres. 3. Cohésion sociale et division de la sociologie, Les Éditions de Minuit, Paris 1969.


Identiteti evropian.

10 Dhjetor, 2007
Në të vërtetë, çfarë përfaqson identiteti evropian ? Duke qëndruar larg çdo pretendimi madhështor, le të përpiqemi të ndriçojmë të paktën disa aspekte të këtij subjekti që është kthyer në temë debati dhe polemikash, që ndez pasionet gjithandej në Evropë ; në mos, të mundohemi t’i rrumbullojmë qoshet.
.
Çdokush pajtohet me idenë se ky identitet duhet të jetë një cilësi esenciale e të gjithë banorëve të Evropës (Çfarë përfaqson Evropa, të paktën nga pikpamja gjeografike ? Deri ku shtrihet ajo ?) E thënë ndryshe, bëhet fjalë për një identitet ku sejcili gjen shprehjen e vet ndërkohë që grupi sheh pasqyrimin e interesave të veta, pra një identitet kolektiv bile edhe social (cilët janë kufijtë minimale të grupit për të krijuar këtë kolektiv – familja, fshati ose lagja, qyteti, krahina apo shteti ?). Sidoqoftë, për të qenë konkret, ky identitet ka nevojë të nyjëzohet në elementët e tij, ose më mirë të themi në fusha të përbashkëta : një bashkësi fati ose jetese solidare, një bashkësi e zgjedhur që lejon përmbushjen e idealeve shpresëndjellëse, një bashkësi vlerash abstrakte – pluralizëm, tolerancë, barazi, drejtësi, jo-diskriminim (1) – që në fund të fundit përbëjnë bazën e një shoqërie civile, një bashkësi ligji ose ligjshmërie (veç dy-tri shprehje mungojnë – bashkësi “bashkësish”, bashkësi interesash dhe bashkësi aksionesh – që identiteti evropian të shëndrrohet në Bashkim evropian (2). Përballë konfuzionit, mbetet të thuhet se nëqoftëse identiteti evropian ende nuk është përcaktuar si koncept, të paktën ndjehet nevoja për t’a përcaktuar si të tillë :

.
« .. ndoshta detyra më e rëndësishme që vihet sot përballë Bashkimit evropian është t’i vihet një refleksioni të ri dhe mjaftueshmërisht të qartë lidhur me atë çka quhet identiteti Evropian, një nyjëzim i ri i përgjegjesive evropiane, një interes i shumëfishuar ndaj thelbit të integrimit evropian në të gjitha implikimet e saj lidhur me botën bashkëkohore, si edhe rikrijimi i etosit (karakterit të përveçëm) të tij, ose në qoftë se preferoni, karizmës së tij » (3).

.
Dilema, përballë të cilës ndodhemi, i ngjan asaj të shën Agustinit, i cili në « Rrëfimet » e tij shprehej lidhur me kohën : « Çfarë është pra koha ? Nëqoftë se asnjeri nuk më pyet, e di shumë mirë ; në qoftë se më pyesin dhe kur dua t’a shpjegoj, nuk mundem ».

Ja pra, përse është më e thjeshtë që identiteti evropian të krahasohet me kaleidoskopin që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme, nëpërmjet përzierjes së perceptimeve të të kaluarës me kërkimin e një të ardhme koherente.. si një bashkësi shumëformëshe dhe e ndërlikuar që para së gjithash përmban një kuptim të përkatësisë ndaj një hapësire të përbashkët të ligjshme (4).
Nëqoftëse, sikundër dhe duket, të gjitha rrugët të shpien drejt asaj trashëgimie të përbashkët shpirtërore dhe morale, që konkretizohet nëpërmjet “hapësirës së përbashkët”, elementët më të qënësishëm duhen kërkuar në « kulturën evropiane ».

.

Po sikur, ky identitet evropian të ishte amalgamë e larmive që popujt e ndryshëm përfaqsojnë në vetvehte dhe që ata sjellin në gjirin e Bashkimit ? Po sikur, identiteti evropian të mund të konceptohet si një shkritore e kulturave, të bartura nëpërmjet qytetërimeve të ndryshme që kontinenti ka parë ? E kqyrur si një « dinamikë e bashkësisë që lidh të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen », kultura evropiane i ngjan atij shkëmbit konglomerat, të shtypur nga pesha e kohës, por që lejon të shihet ndërthurja e shtresave të ndryshme kronologjike : bota matriarkale e bujqve-kafshërritës neolitikë që zbuluan « civilizimin e Evropës së Vjetër » ; shoqëria mashkullore dhe luftarake e « popujve të Kurganeve » që shtyp të parën për t’i dhënë jetë indoevropianëve ; invazioni i Keltëve me ritet e mistershme të varrimit ; qytetërimi helen me Qytet-shtetet e saj, me filozofët dhe artistët e saj gjenialë ; bota romake dhe përsosjet e saj të Ligjit, të administratës, të politikës dhe të arkitekturës ; makrokozmosi gjermanik dhe got si dhe pushteti i tij regjenerues mbi një Romë në agoni ; universi bizantin me burimet e tij fetare judeo-kristiane, me mistikën e tij sllave dhe kodet e pakrahasueshme ligjore ; suvala gjigande arabo-myslimane dhe frymëzimet e saj shkencore dhe teologjike ; mërgata çifute me kapacitetet e saj intelektuale, ekonomike dhe artistike ; bashkësia latine me hierarqitë e saj mbretërore, me mjeshtërinë e saj teknologjike dhe ushtarake …
.
Sidoqoftë, identiteti evropian mund të konceptohet veçse në kryqëzimin e një vargu lëvizjesh të gjera ndërkulturore të natyrës morale, politike dhe ideologjike, të cilat kanë mundur të realizojnë këtë amalgamë të të gjitha kontributeve të veçanta. Feja e krishtere, kjo « çimento e Evropës së parë » (6), është nga elementët kryesorë të këtij vargu. Duke njohur barazinë e të gjithëve përpara Zotit, dinjitetin e personit njerëzor në kërkim të të mirës së përbashkët, ajo ndërton dhe vendos bazamentin e mendimit dhe shëndrrohet në faktor të njësimit të besimeve, të organizimeve sociale dhe të mjeteve të të shprehurit. Të këtij vargu janë edhe praktikat politike si dhe përvojat administrative sikundër Principatat, Mbretëritë dhe Perandoritë. Në këtë mënyrë vendoset rendi dhe formohet trupi social, ndërtohen aleancat dhe krijohen familjet, kështu diferencohen elitat. Paralelisht çfaqen një varg rrjetash njerëzore : zejtarët dhe korporatat, murgjit dhe pelegrinët, kalorësit dhe kryqtarët, fisnikët dhe eruditët, tregëtarët dhe udhëtarët.
.
Cili nga këto elementë i mungon hapësirës fillestare shqiptare ? Praktikisht asnjë. Ajo ka bërë pjesë me mish e me shpirt në këtë botë, duke u shkrirë në të nëpërmjet zakoneve dhe sjelljeve, dokeve dhe ligjeve, duke ndarë me të peripecitë dhe fatkeqsitë. Vetëm se aventura e vërtetë evropiane fillon në shekullin e XVtë dhe të XVItë, në atë moment kur viset shqiptare shëndrrohen në pjesë përbërëse të Perandorisë otomane. Dhe përsa i përket aventurës, otomanët nuk kanë ndarë të njejtën me Evropën, nuk kanë pjesëmarrë në të njejtat dinamika sikundër dhe evropianët e krishterë. Evropa autentike përmbledh Rilindjen, Ngadhënjimin (e Botës së Re), Inkuizicionin, Reformën, Dritëzat (les Lumières), Romantizmin dhe të tjera si puna e tyre.
Megjithatë, kapitali i gjerë i përbashkët i kulturës si dhe udha e përbashkët e popujve, shkurt historia, nuk janë gjë tjetër veçse një emërues i përbashkët, por as i mjaftueshëm dhe as ngushëllues. Duhet menduar njëkohësisht për elementë të tjerë sikundër etika politike,
qytetaria, arsimimi – pa harruar gjithashtu edhe ato « ngjashmeri mënyrash » që karakterizojnë praktikën shoqërore, sikundër dhe normat dhe rregullat e përbashkëta që racionalizojnë sistemin ekonomik. Në dorë të fundit, evropianët kanë të përbashkëta edhe projektet institucionale dhe afishojnë një vullnet përkatësie. Dhe pikërisht, janë konceptet e mënyrës së trajtimit të përbashkët si dhe të shpirtit të bashkëpunimit që përcaktojnë identitetin evropian pasi nuk mungojnë as principet që i veçojnë as edhe praktikat kundërshtuese : mjafton të përmenden identitetet kombëtare të jashtëqendërzuara, nacionalizmat agresivë, ideologjitë konkurrente, pushtetet diktatoriale ose autoritare. Këtij kapitulli të fundit i përkasin luftrat e Mëdha Botërore, shfarosja e çifutëve si dhe episode të tjera po aq të lavdishme për t’u harruar një herë e mirë.
.
Në çfarë distance, identiteti shqiptar qëndron përkundrejt identitetit evropian ? Nga një pikpamje historike, shqiptarët nuk ishin të vetmit që ju bashkëngjitën peripecisë otomane. I parë nga Evropa, gjithë Ballkani ose pothuaj i gjithi s’është gjë tjetër veçse « një rajon i ndërmjetëm, i gjendur mes Perëndimit, Lindjes dhe Afrikës, i qëndërzuar mbi Mesdheun » (6), i përthithur në një dinamikë post-bizantine dhe ish-otomane, ku identitetet lokale kanë qenë ndërtuar sipas shembullit të disa modeleve njëkohësisht perëndimore dhe lindore, sipas një « alkimie të integrimeve dhe të flakjes që ka krijuar popujt e Evropës juglindore të sotme ». Në këtë plan, ballkanikët përbashkojnë më tepër vlera se sa veçohen nga diferencat, duke frymëzuar Cvijiç dhe të tjerë antropogjeografë për të përpunuar modele të llojit homo balkanicus, të frymëzuar nga një mentalitet ballkanik i veçantë.
Elementët e parë të një diferencimi rajonal çfaqen në planin socio-politik, nga momenti i vendosjes së kufijve dhe të institucioneve të pushtetit. Në këtë mënyrë, identiteti rajonal, bile dhe kombëtar, paraqitet i pajisur me funksione të reja – individ dhe pushtet, shoqëri dhe elita, gjë e cila implikon një diskriminim të njohurive, të principeve dhe të vlerave, qëllimi i të cilave është prodhimi i stereotipeve që ushqejnë të sotmen. E kaluara shëndrrohet në këtë mënyrë në një fushë të gjerë gërmimesh dhe historia përbën atë lëndë të përpunueshme sipas dëshirës, e domosdoshme për të ngritur kufij të rinj imagjinarë mes Vetvehtes dhe Tjetrit. Ndaj kësaj prespektive, nuk mjafton më të ngrihet pyetja se ç’përfaqson identiteti kombëtar por në rradhë të parë në favor të kujt dhe kundër kujt ai është ndërtuar(7).
.
Nga momenti që instalohet dikotomia mes Vetvehtes dhe Tjetrit, bota ndrron fytyrë. Ajo ndahet ndërmjet qendrës dhe periferisë, ndërmjet progresit dhe regresit, ndërmjet modernizmit dhe arkaizmit. Pa asnjë dyshim, Perëndimi përfaqson modelin që duhet ndjekur dhe kopjuar ndërkohë që Ballkani mbetet shembulli që duhet harruar. Për evropianët, ballkanikët s’janë gjë tjetër veçse të tjerët nderkohë që për të dytët, të parët përbëjnë atë pjesë të idealizuar të vetvehtes, këtë pjesë të paprekshme që çdokush dëshiron të jetë. Le të bëhemi përfundimisht shpirtgjerë ! Evropianët e civilizuar arrijnë të pranojnë gjithashtu se edhe ballkanikët e prapambetur përfaqsojnë një pjesë të vetvehtes ; vetëm se, bëhet fjalë për atë pjesë të turpshme që çdokush dëshiron t’a fshehë, përpara se t’a fshijë përfundimisht nga kujtimi – intolerancën, pastrimin etnik, shfarosjen, barbarinë… Megjithatë, evropianët nuk mund të neglizhojnë faktin që konstruksionet identitare funksionojnë gjithandej në mënyrë analoge : në hapësirën perëndimore evropiane, në hapësirën qëndrore Mitteleuropa – bile edhe në atë ballkanike. Evropa e parë – ajo e kombeve dhe e shteteve – deri në pragun e luftës së dytë botërore, ja la vendin Evropës së dytë – thuajse të padukshme, pasi ish ndarë nga Perdja e Hekurt dhe ish tretur brenda dy blloqeve antagoniste. I vetmi zë në shkretëtirë që guxonte të përmendtte realitetin evropian si një bashkësi vlerash nga Atlantiku në Ural ishte ai i Sharl de Golit në fillim të viteve 60’. Nën frymëzimin socialist lindi një vizion i ri – Evropa si një forcë të tretë, mes kapitalizmit dhe komunizmit, e cila pas shëmbjes së Murit të Berlinit u konkretizua
në Evropën e tretë : forcë e re e integruar politike, ekonomike dhe përfundimisht kulturore në sferën perëndimore, konkurrente e denjë në tregun liberal botëror. Në këtë stad të zhvillimit, Evropa « e Re » e shtyrë nga pragmatizmi, i bëri besim intuitës dhe në rradhë të parë arsyes. Ajo ndërkohë e kish kapërcyer barrierën e « përplasjes mes qytetërimeve » të konfirmuar nga Huntingtoni (8), duke pranuar në gjirin e vet fillimisht një Greqi që i përkiste jo vetëm botës ballkanike po edhe asaj ortodokse ; ajo e përforcoi gjestin e saj nëpërmjet pranimit të një varg vendeve të « botës sllave » – Poloni, Çeki, Slloveni ose Sllovaki, ndoshta e nxitur nga referencat e tyre katolike. Përfundimisht, ajo recidivoi me rastin bullgar duke shtrirë këtë besim edhe mbi sferën ballkaniko-sllavo-ortodokse. I vetmi hap që ende heziton të hedhë është ai i pranimit në gjirin e vet të vendeve ballkaniko-myslimanë, natyrisht nëpërmjet argumentit të një demokracie ende të dobët. Cilëtdo qofshin argumentat dhe logjika e ndjekur, aktualisht Bashkimi evropian ka prekur pothuaj ekstremet e hapësirës së tij « natyrore » : kufijtë e botës ortodokse « të mirëfilltë » – me Rusinë në qendër, dhe ato të botës myslimane – me Turqinë në rolin e përfaqsuesit të denjë.
.
Projekti i institucionalizimit të identitetit evropian ka lindur nën shenjën e bashkimit. Ky bashkim i konceptuar dhe i realizuar fillimisht si një bashkim ekonomik – qymyri dhe çeliku – u shtri gradualisht edhe në fusha të tjera : kulturore, politike, ushtarake… Por para së gjithash, ideja qëndrore e këtij bashkimi ishte të ndryshonte raportet mes Vetvehtes dhe Tjetrit, në brendësi të hapësirës perëndimore, me qëllim që të tentohej t’i jepej fund mohimit fizik të Tjetrit, luftës. « Kurrë më » – don të thotë t’i bëhet thirrje kujtesës për të kuptuar se mënyra më e mirë për të tejkaluar një farë të kaluare ishte federimi rreth një ideje post-kombëtare. Bërja besim ndaj shtetit ligjor, një substance të zbrazur nga përmbajtja e saj historike për t’a shëndrruar në një normë, një institucion – ja edhe kapitali i mendimit të një Ulrik Bek kur
përcakton kozmopolitizmin proceduror si esencë të evropianizmës. Pavarësisht kësaj, asnjë kozmopolitizëm i këtij lloji nuk eshtë në gjendje të absorbojë pushtetin e imagjinarit kolektiv. Fakti vetë i të dhënit vetvehtes të të drejtës për të përcaktuar një « standard » të qytetarisë evropiane nënkupton që tashmë, egziston mundësia e të përcaktuarit të këtij kufiri imagjinar në një mënyrë të ndërgjegjshme, të qënit të aftë për t’a shvendosur, për të ridimensionuar hapësirën evropiane në termat e perëndimit-Oksident dhe të lindjes-Orient.
.
Cila prej këtyre ideve frymëzon Kadarenë dhe të tjerë shqiptarë kur shpallin identitetin e tyre të ri evropian ? Sipas të gjitha gjasave, asnjëra prej tyre – në qoftë se lemë mënjanë vizionin e tyre historik. Në nivelin e tyre, ata ndërhyjnë vetëm mbi klishetë e Vetvehtes dhe të Tjetrit : mjafton në këtë mënyrë të mohohet e kaluara për t’u shëndrruar në « evropianë të vërtetë ». Të tjerë, ata që na kqyrin nga larg, mendojnë ndryshe :
Të pretendosh të hedhësh poshtë këtë traditë myslimane, të imagjinosh që pjesa dërrmuese e popullsisë mund të heqë dorë nga feja e saj, është një iluzion i rrezikshëm. Po aq e rrezikshme është edhe dëshira për të t’ju vjedhur trashëgimisë otomane e cila, mër të mirë ose për të keq, ka formuar identitetin e sotëm të popullit shqiptar, sikundër ka bërë edhe për popujt e tjerë të rajonit. Të duash të heqësh qafe këtë trashëgimi është e njejta gjë sikundër braktisja e kulturës dhe e identitetit të vetvehtes. (9)
Pa mundur të kuptohet deri në fund mekanizmi i saj i brendshëm si dhe principet e saj themeluese, është krijuar mendimi se përfundimisht Evropa paskësh qenë e lidhur me Shqipërinë me anë të një detyrimi hipotetik të transmetimit të qytetërimit dhe të dhënies së ndihmës. Në të vërtetë, qëkur ky kontinent tashmë shumëracor paskish shprehur dëshirën për të përmirësuar imazhin e tij nëpërmjet integrimit të tre milionë e gjysëm njerëzish lëkurëbardhë ose me gjak-blu ? Me ç’rast, Evropa shumëfe paskish shpallur një ndjenjë mospranimi ndaj atyre dy milionë myslimanësh agnostikë, nga frika e rrënimit të pejzazhit të saj fetar ?
.
.
—————-
(1) Armin von BOGDANDY – The European Constitution and European Identity: A Critical Analysis of the Convention’s Draft Preamble, në Weiler and Eisgruber, eds., Altneuland: The EU Constitution in a Contextual Perspective, Jean Monnet Working Paper 5/04.
.
(2) Në lidhje me bazën e përbashkët si dhe mbi vlerat mbi të cilat ngrihet Bashkimi evropian, shih : SZAZADVEG – European values & Identity : A reflection for an indispensable discussion, Szazadveg Foundation, Austrian Institute for European Security Policy. 2005.
.
(3) Vaclav HAVEL – fjalim në Parlamentin evropian, 8 mars 1994.

.
(4) Council of Europe – European identity : a kaleidoscope undergoing constant development, « The notion of Identity », Discussions, April 17-18, 2001.
.
(5) Dominique HAMON & Yvan Serge KELLER – Fondements et étapes de la construction européenne, PUF, 1997.
.
(6) Albert DOJA – Formation nationale et nationalisme dans l’aire de peuplement albanais, Europa, Volume 3, No 2 – 2000.
.
(7) Dimitar BECHEV – Constructing South-East Europe : the Politics of Regional Identity in the Balkans, Europe and the Mediterranean Convergence, Conficts and Crisis (Working Paper Series), European Studies Centre University of Oxford, Ramses 2 paper 1/06, march 2006.
.
(8) Shih : Samuel HUNTINGTON – Le clash des civilisations, Ed Odile Jacob, Paris 2000.
.
(9) Shih : Jean – Arnault DERENS – Christianisme et identité albanaise, Religioscope, Études et analyses nr. 12, mai 2007. në : http://religion.info.


E Vërteta dhe Historia.

3 Dhjetor, 2007
Përkujtimi 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë – rihapi edhe një herë debatin tashmë publik lidhur me rishkrimin e Historisë. Sikundër dhe herë të tjera gjatë këtij viti, z. Berisha nuk mundi t’a frenojë vehten për t’ju imponuar tempon historianëve, të cilëve sipas tij « normalisht, ju takon fjala e fundit ». Veçse kësaj here ai shkon edhe më larg pasi pyetjes jo fort të pafajshme të gazetarit :
– Ju keni hedhur një tezë që duhet rishkruar historia. Historianët, por edhe historianë politikanë, thonë se politika duhet të qëndrojë larg historisë?

ai i përgjigjet si më poshtë :

– Ata që thonë se politika duhet të qëndrojë larg historisë, më duhet t’u them se nuk kanë koncepte të qarta lidhur me lidhjet e pazgjidhshme që ka politika me historinë. Në qoftë se ka dy disiplina të lidhura pazgjidhshmërisht, janë politika dhe historia, ndaj dhe të pretendosh se ata që bëjnë historinë nuk duhet të merren me historinë ose me një pjesë të historisë, është qesharake. Natyrisht, të studiosh historinë është detyrë e historianëve, por të pretendosh se politikanët nuk mund të merren me histori, është qesharake dhe naive. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që historia t’u përmbahet të vërtetave të saj.

Le të vemë menjëherë pikat mbi i : Po – historia duhet shkruar, rishkruar dhe tejshkruar rishtas, pasi asnjëherë nuk mund të pranohet se ajo e ka thënë fjalën e vet përfundimtare dhe aq më pak në rastin e Shqipërisë ; Jo – nuk i takon politikanëve t’ju mësojnë historianëve se çfarë duhet të bëjnë dhe aq më pak se si t’a shkruajnë Historinë.
Sidoqoftë, edhe sikur respekti më i verbër ndaj figurës së Kryeministrit, i zgjedhuar me dashamirësinë më të pafajshme ndaj modelit të demokracisë që ai përfaqson, të shtyjnë të mbyllësh sytë përkundrejt konceptit berishjan të historisë së politizuar, mbetet e panjohur fakti se në ç’mënyrë studiuesit dhe historianët mund të rishkruajnë këtë të vërtetë. Pra, cilat janë raportet mes historisë dhe të vërtetës ?

.
.
E vërteta historike dhe ndershmëria e historianit.
.
Pa asnjë dyshim, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në këto debate – në rradhë të parë profanët – noton në mes të një konfuzioni të plotë : kur përmendim Historinë, vallë bëhet fjalë për një realitet tashmë të shkuar apo për « tregimin » e shkruar nga historianët lidhur me të ? As që vihet në dyshim që mes këtyre « kategorive » egziston një dallim thelbësor : ai tregim i së shkuarës bëhet në të tashmen e historianit.
Pikërisht, distanca mes objektit (të shkuarës) dhe subjektit (historianit) përfaqëson edhe esencën e çështjes të të vërtetës në histori.
Elementi i dytë sqarues lidhet me faktin që, në dallim të madh nga shkenca e quajtur « e mirëfilltë », qëllimi i historisë nuk është ndërtimi i modeleve, i skemave ose koncepteve përgjithësuese, por pikërisht rindërtimi i realiteteve individuale. Pra historia merret me faktet, ajo rendit faktet – faktin që mbetet dukuri e përveçme. Në këtë mënyrë detyra e saj e parë është krijimi i një « konstruksioni historik », i cili në qoftëse nuk mund të karakterizohet nga « objektiviteti », të paktën duhet të reflektojë ndershmërinë e historianit. Me fjalë të tjera, në qoftë se është vështirë që historiani të bëjë abstraksion ndaj gjithçka që e ka formuar si njeri dhe si historian të paktën ai duhet të respektojë vetvehten dhe t’i bëjë nder profesionit të zgjedhur. Në praktikë, kjo ndershmëri reduktohet në një kompromis : ndërgjegjshmëri lidhur me kufijtë e horizontit të tij, gjerësi e shpirtit lidhur me pranimin e debatit dhe të kritikës, garanci profesionale e paraqitjes të të gjithë aspekteve të të shkuarës…
Si e gjejnë vehten në këtë skemë historianët dhe studiuesit tanë ? Në mungesë objektive të « objektivitetit », mbetet të vihet në dyshim ndershmëria e tyre. Por, çfarë kanë bërë ata më tepër se sa « interpretimin e Historisë në kontekstin e kohës së tyre » – atë të Komunizmit ? A mjafton vallë të ndrrohet konteksti – dhe me këtë rast shprehja Komunizëm të zëvendësohet me Demokraci – që produkti historik i historianëve të shëndrrohet në të vërtetë historike të politikanëve? Pra, në vend që Z Kryeministër të kërkojë rishkrimin e Historisë, është më e udhës që ai të ftojë studiuesit për t’a shkruar atë ndryshe. Në përputhje me zhvillimet e reja demokratike të vendit, fakti historik të gjejë vendin e vet të merituar – të rishkruhen emrat e patriotëve të fshira nga listat si ajo e Pavarësisë dhe me këtë rast, të fshihen me atë gomën e turpit emrat e atyre komitëve dhe kaçakëve të padenjë. Paçka se « karakteri historik nuk gjendet mes fakteve por në botën e njohjes në përgjithësi ». Me këtë rast, ata do të ndërmarrin atë hap aq të domosdoshëm – përfshirjen e faktit politik mes morisë së fakteve historike.
Me që ra rasti, le t’i hedhim një vështrim atyre raporteve të pazgjidhshme mes Historisë dhe politikës, të cilat Z Kryeministër këmbëngul t’i kqyrë sikundër raporti ndaj të vërtetës dhe lirisë. Ndërlidhja univoke që krijon barazvlerën Histori = e vërtetë dhe politikë = liri, mbetet gjithmonë për t’u vërtetuar, aq më tepër që përpara mendimtarit tonë Kryetar, të tjerë mendimtarë sikundër historiani Maurice Sartre nuk ngurron aspak të pohojë se « çdokush duhet të bjerë dakord se e vërteta në histori i përket utopisë ». Përfundimisht, është e udhës t’ju thuhet shkoqur historianëve që – për hir të ndershmërisë ndaj profesionit – nga njera anë ata e kanë për detyrë t’i rikthehen të kaluarës dhe nga ana tjetër, ata duhet të kenë guximin t’ju thonë me plot gojën Shqiptarëve se asnjë prej tyre nuk është në gjendje të sjellë të vërtetën lidhur me Historinë. Për të vetmen arsye pasi egzistojnë po aq të vërteta sa edhe mënyra të shkruajtjes të Historisë !
Gjatë këtij kërkimi utopik të të vërtetës, i vetmi element që çlirohet dhe vendoset përpara çdo kërkuesi është ai i ruajtjes së kërkesës ndaj të vërtetës, pra : përkushtimi ndaj tendencës drejt të vërtetës si dhe përdorimi i procedurave të vërteta në punën e çdo historiani. Në qoftë se Historia, në fomën e saj të sotme, përngjan me një makth, kush na garanton se rishkrimi i saj do të shënojë njëkohësisht edhe fundin e makthit ?
.
.
Historia dhe ideologjia.
.
Nga momenti që historiani është i ndërgjegjshëm për rolin e tij në krijimin e « konstruksionit historik » ai angazhohet në një proces fort delikat pasi para së gjithash, ai ve në lojë përgjegjësinë e tij. Asnjëherë, përpjekja e « rindërtimit » nuk është e paanshme. Ajo ndërvaret nga botëkuptimi i specialistit, nga formimi i tij, nga mjedisi i tij familjar – nga mbivendosja e fushave të ndryshme (ekonomike, kulturore, fetare etj.. etj) që krijojnë përfundimisht edhe përfytyrimin e tij shoqëror – nga « habitusi » sipas filozofit Bourdieu. Pra, ajo përmban një varg rreziqesh.
Duke u përpjekur të rikrijojë historinë, historiani rrezikon të « vrasë » memorjen ose të riekuilibrojë memorjet konkurruese, të mjekojë memorjet e plagosura – shpesh të verbra ndaj memorjeve të tjera. Troç, të ndreqë një gjë duke prishur një tjetër. Sidoqoftë, a kemi të drejtë të identifikojmë memorjen, këtë lëndë « të hapur ndaj dialektikës së kujtesës dhe harresës » -këtë fenomen gjithnjë aktual, me të tashmen e përjetshme ?
Është krejt e vërtetë se deri diku, debati që shpaloset në faqet e shtypit është një debat mbi memorien – për periudhën e luftës nacional-çlirimtare, për epokën e komunizmit – paçka se flasim për histori. Eshtë e vërtetë gjithashtu se një varg specialistësh arrijnë të bëjnë dallimin mes historisë së mirëfilltë dhe historisë « imediate » – pra bashkëkohore. Si njera edhe tjetra trajtojnë faktin individual, dukurinë historike paçka se kjo e fundit rrezikohet të destrukturohet – « të asgjësohet » – sipas shprehjes së historianit Pierre Nora. Por na duhet të pranojmë se ai kalim i detyrueshëm drejt historisë nëpër atë etapë të pashmangshme që përfaqsohet nga memorja nuk kërkon vetëm kohë dhe inteligjencë. Para së gjithash, ky proces mbështetet mbi njohjen dhe pranimin e principit se jo vetëm memoria jonë e periudhës së komunizmit ka qenë – para së gjithash – një instrument pushteti por edhe se historia në kuptimin e saj më të gjerë i ka shërbyer dhe i shërben një pushteti, pasi ajo është pjesë përbërëse e një ideologjie të caktuar. Le t’a quajë sa të dojë Polibi mësuese – “më e madhja e mësuesve” ! Përderisa procesi i njohjes prej nga vijmë dhe ku shkojmë programohet dhe monitorohet nga pushteti nëpërmjet shkollës dhe i shërben krijimit të një përkatësie, identiteti apo krenarie kombëtare, është e kotë te nanuriset mendimi intelektual me idenë e pavarësisë së Historisë ndaj ideologjisë.
Periodizimi i historisë kombëtare nxjerr në dukje se, krahas epokës Republikë dhe Monarki e Zogut (1920 – 1939) dhe epokës në vazhdim Republikë e Hoxhës (1944 – 1991), renditet ajo bashkëkohore – Republika Berisha – Nano – Berisha (1992 – deri në ditën e sotme). Përpara tyre, gjendet mjegullnaja historike e paanë me gjithë konstelacionet e saj : njerëzit e shpellave, Pellazgët, Ilirët, Arbërit, Skënderbeu i pafaan, halldupët myslimanë, Aliu i Tepelenës dhe i Janinës, Hasan Zyko Kamberi dhe Rrapo Hekali i xhelepeve, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemal Vlora dhe Esat pashë Toptani…
Një vështrim sado i shkujdesur mbi këtë mjegullnajë tregon se të gjitha trajtimet e historisë të lashtë dhe të mesjetës të viseve shqiptare të realizuara nga vendasit ngjasin mes tyre ; në të njejtën mënyrë që një pikë uji ngjan me një pikë tjetër uji, pavarësisht faktit që e para vjen nga burimi komunist internacionalist dhe e dyta rrjedh nga gurra nacionaliste antikomuniste.
Ky vëzhgim ka një rëndësi kapitale pasi ai sugjeron që për të njejtin objekt studimi, dy ideologji diametralisht të kundërta shpien në përfundime praktikisht analoge ndërkohë që ato frymëzohen nga tema identike, të cilat sipas rradhës quhen ndjenjë patriotike, identitet kombëtar ose lartësim i të kaluarës.
Si është e mundur që dy grupe të ndryshëm studiuesish – i pari brenda vendit, i lidhur me pushtetin dhe nga ky fakt, pa patur « tjetër horizont veç atij të pushtetit komunist», dhe i dyti jashtë vendit, kundërshtar i betuar i atij rregjimi dhe si rrjedhojë i lirë si era në opinionet e tij – të riprodhojnë të njejtat skema për të përshkruar për shembull, epopenë prej ari të kulluar të trimërisë së Skënderbeut ? Të vetmet përjashtime nga rregulli i përgjithshëm vijnë nga shprehjet e përdorura dhe nga terminologjia e zgjedhur : fakt krejt i kuptueshëm pasi bëhet fjalë për dy kultura politike të ndryshme. Si duhet interpretuar kjo invariancë e lëndës ose e dijes historike në lidhje me ideologjinë ? Ndoshta duke pranuar thjeshtësisht që historiografia dhe ideologjia s’janë gjë tjetër veçse dy aspekte të ndryshme të të njejtit thelb.
A egziston së fundi ajo histori që nuk çfaqet si instrumentalizim i të kaluarës për qëllime të sotme ? Cili është ai që mundet të pohojë – në emër të një objektiviteti që përcaktohet nëpërmjet konceptit të asnjanësisë – se është i aftë të ndajë politikën nga ideologjia, këtë të fundit nga historiografia ose të dallojë mitin në lidhje me historinë ?
.
.
Historia dhe naiviteti.
.
Ajo çka karakterizon mes të tjerash deklaratat e Z Berisha lidhur me rishkrimin e Historisë është origjinaliteti, paçka se konceptet e tij lidhur me lidhjet e pazgjidhshme që ka politika me historinë janë tashmë jo vetëm të qarta, por edhe të prera. Domosdo, në qoftë se ai e rreshton vehten në mesin e atyre që që bëjnë historinë !
Sidoqoftë, është gjithmonë e nevojshme dhe e dobishme t’i rikujtohet qoftë edhe një eruditi se historia e njerëzimit është para së gjithash histori e qytetërimeve dhe jo e perandorive, se Kongresi i Lushnjës qëndron po aq larg pluralitetit politik në kushtet e Shqipërisë të viteve 20 të shekullit të kaluar sikundër dhe Lidhja e Lezhës përkundrejt Këshillit të Ministrave, se Shqipëria e pas Pavarësisë ishte po aq demokratike sa edhe Shqipëria që ai po ndërton sot dhe se së fundi – dhe në planin filozofik – diktaturat, përpara se të jenë sisteme të bazuara mbi mashtrimin janë « rregjime politike arbitrare, të vendosura dhe të mbajtura me anë të dhunës, në të cilat, të gjitha pushtetet përqëndrohen në duart e një njeriu të vetëm, të një grupi njerëzish – shpesh të përfaqsuar nga një partie politike ». Sa për mashtrimin, ai nuk është atribut i diktaturës, megjithëse kjo e fundit e përdor gjerësisht. Edhe demokrati më i madh nuk ngurron të bëjë deklarata që qëllimisht janë të kundërta me të vërtetën ose që thjesht, fshehin këtë të fundit. Bile, kur kjo gjë bëhet rrugë, flitet edhe për demokracinë e gënjeshtrave.
Përfundimisht, dhe në përgjigje të shprehjes së tij të fundit ndaj lidhjevet të pazgjidhshme që ka politika me historinë dëshiroj të sjell këtu një pjesë të një letre të hapur të një grup historianësh, shkrimtarësh dhe gazetarësh, të botuar në të përditshmen franceze « Liberation » në 13 dhjetor të vitit 2005. E titulluar « Liri ndaj Historisë », ajo denoncon përpjekjet e pushtetit për të « disiplinuar » Historinë :
.
.
« .. të prekur nga ndërhyrjet politike gjithnjë e më të shpeshta lidhur me vlerësimin e ngjarjeve të të kaluarës si dhe nga procedurat zyrtare që prekin historianët dhe mendimtarët, ne dëshirojmë t’ju rikujtojmë principet e mëposhtme.
Historia nuk është fe. Historiani nuk pranon asnjë dogmë, nuk respekton asnjë gjë tashmë të ndaluar, nuk njeh asnjë tabu. Ai mund të bëhet edhe i bezdisshëm. Historia nuk është moral. Historiani nuk ka si rol të thurë lavde ose të dënojë, ai shpjegon. Historiani nuk i vesh të kaluarës skema ideologjike të tashme dhe nuk shtie në ngjarjet e shkuara ndjeshmërinë e sotme » (…) « Historia nuk është memorje. Historiani, gjatë përçapjes së tij shkencore, mbledh kujtimet e njerëzve, i krahason mes tyre, i përball me dokumenta, me objektet, me gjurmët dhe përfundimisht përcakton faktet. Historia merr parasysh memorjen por ama, nuk mund të reduktohet aspak në të. Historia nuk është një objekt juridik. Në një Shtet të lirë, nuk i takon as Parlamentit as autoritetit juridik të përcaktojë të vërtetën historike. Politika e Shtetit, edhe kur ajo frymëzohet nga qëllimet më të mira, nuk është politika e Historisë » (..)