Me presh në dorë.

. Gjithmonë më ka intriguar shprehja popullore « … u kap me presh në dorë » që në kuptimin e përditshëm kërkon të thotë : fajtori u kap në vendin e fajit, në prezencë të provës të fajësisë. Gjithësesi, intriga lind nga lidhja mes preshit (ose prasit – sipas prejardhjes së fajtorit) dhe provës, fajit. Ç’ka të bëjë preshi si objekt i botës bimore me fajin ? Si ka mundësi që dikur hajdutët të linin mënjanë të tjera pasuri dhe të vidhnin presh ?
. Edhe sikur kjo gjë të ketë qenë e vërtetë në kohë të tjera, të shkuara, sot hajdutët klasikë vjedhin vetura, banka ndërsa të tjerë, më pak klasikë, grabisin pasurinë e popullit. E megjithatë shprehja popullore ka mbetur, pasi askush nuk thotë : u zu me veturë në dorë ose me bankë në dorë – por vazhdon të thuhet « .. u zu me presh në dorë ». Thua se preshi është një objekt i tillë mitik që tejkalon edhe veturën edhe pasurinë e të shumëvuajturit popull…
. Ndoshta, kjo shprehje e pavdekshme ka lindur në një epokë të strukturuar rreth kultit të perëndisë presh. Kur ka qenë kjo epokë e panjohur nga historianët ? Në kohën e Pellazgëve ndoshta.. Ideja e Pellazgëve vjen si vetvetiu, pasi që kjo shprehje haset vetëm mes Shqiptarësh, ndërkohë që popuj të tjerë qoftë fqinjë qoftë edhe të largët as e njohin, as edhe e përdorin.
.
.

. * * *
.
. Preshi (Allium polyanthum) është një bimë me origjinë nga viset mesdhetare, i njohur që në lashtësinë greko-romake. Bile, thonë se Perandori Neron (ai që i vuri flakën Romës) i hante aq shumë – për të riparuar zërin e tij të ngjirrur, në mos për tjetër gjë – sa që bashkëkohësit e quajtën « porrophage ». Megjithë namin e Neronit, preshi mbeti disi në anonimat pasi asnjëherë nuk mundi të fitojë lavdinë e këshërinjve të tij të afërt hudhra ose qepa. Ajo çka e ka dalluar preshin nga sivëllezërit dhe simotrat e tij është pikërisht forma : i gjatë, i plotë, cilindrik – një simbol i virilitetit mashkullor, një surrogato e organit të riprodhimit. Ja përse ai ka hyrë në proverbat e popujve të tjerë mesdhetarë.
. Sa për kujtesë, italjanët dhe spanjollët thonë (natyrisht në gjuhët përkatëse) : Koka e preshit ndoshta është e bardhë, por ama bishti mbetet gjithnjë i gjelbërt. Me fjalë të tjera – dhe duke ja përshtatur figurën letrare njeriut : mos e gjyko njeriun nga koka e bardhë (flokët e thinjur), pasi diku më poshtë bishti është gjithmonë i gjelbërt (i ri). Para tyre, Romakët që me sa duket ja kishin lënë Neronit mizor përdorimin praktik të preshit, përdornin një shprehje tjetër, fort poetike : Qesja e dashnorit lidhet me gjethe preshi – pra lidhëset e qeses janë po aq të paqëndrueshme sa edhe gjethja e kësaj bime. E megjithatë, diku gjetkë, s’mund të mos nënkuptosh një lidhje më të thellë dhe më pak të dukshme mes dashnorit dhe preshit tê tij…
. Në kohët e sotme, njerëzit vazhdojnë të kujtohen për preshin dhe për vetitë e tij çudibërëse. Diku në Francë thonë : Gruaja sterile, presh me mor, barku i saj i madh, do bëhet pjellor. Interpretimi i kësaj proverbe mbetet gjithmonë i dyzuar, pasi diku-diku, lidhja mes gruas dhe preshit e tejkalon sterilitetin natyror. Por, çudi e vërtetë, askush nuk bën lidhje mes preshit dhe hajdutit, mes bimës dhe objektit të fajit. Përveç Shqiptarëve…
.
. Duke dashur të gjej këtë lidhje kaq misterioze, për një çast mendova se çelësi i saj është varfëria proverbiale e bijve të shqipes. Pra, për një shoqëri e tillë të varfër, edhe preshi më i thjeshtë përbënte një farë pasurie – një objekt lakmie për hajdutët, po aq të përvuajtur sa edhe viktimat. Por, shpejt mu desh të heq dorë nga kjo teori e varfërisë pasi të tjerë si puna e kinezëve (dhe Zoti vetë e di se sa të varfër dhe sa të shumtë janë) nuk kanë arritur të bëjnë atë lidhjen që na intereson. Bile as edhe lakrën e tyre aq të dashur s’kanë mundur ta fusin në këtë kategori. A ka dëgjuar kush një kinez të thotë : .. e zunë me lakër në dorë? Pra, normalisht, gjendja shoqërore s’ka të bëjë fare me preshin. Ndërkohë, një miku im turk më mësoi se turqit e quajnë preshin (prasin) pras. Me fjalë të tjera, shqiptarët e kanë huajtur fjalën nga turqit – sikundër dhe vetë bimën, m’a merr mendja. Dikush, mund të supozojë të kundërtën : që turqit e kanë huajtur fjalën (edhe vetë bimën) nga shqiptarët. Mua s’ma merr mendja… por jam gati të pranoj argumentat e kundërta, po qe se janë bindëse.
.
. Sidoqoftë, ky « zbulim » i fundit ishte një ndriçim i vërtetë. Së pari, ai fundoste një herë e mirë atë teorinë e varfërisë pasi në kohën e turkut, shqiptarët nuk u bënë më të varfër se në kohën e Skënderbeut dhe të Lek Dukagjinit. Përndryshe, si shpjegohet numri i madh i bejlerëve, i agallarëve, i çorbaxhinjve apo i delenxhinjve, deri përpara shpalljes së Pavarësisë? Së dyti, ai me lejoi të përqëndrohesha më mirë në atë pistën « mashkullore » të virilitetit.
.
. Dhe me të vërtetë, po t’a shohim çështjen shtruar : sipas mendimit të antropologëve, shoqëria tradicionale (për të mos e quajtur primitive) ka qenë strukturuar rreth simboleve të tilla mashkullore – falus. Shembujt janë të shumtë që nga shtyllat, trarët, totemet, gurët e lartë vertikalë.. deri tek statujat, obelisqet, kullat.. Ka të ngjarë që dikur, kjo shoqëria jonë tradicionale shqiptare t’a ketë transpozuar simbolin seksual tek preshi, sikundër të tjerë tek kastraveci. Ja pra se si mund të kenë rrjedhur punët :
. Le të imagjinojmë atë fshatarin tiranas që mbjell presh në bahçen e tij, nga ato preshët e vërtetë të Kasharit që shkojnë deri në një metër të gjatë dhe që peshojnë një kile e gjysëm copa. Një mrekulli e vërtetë e natyrës – nga ato që s’i bën më nëna, dhe që nuk i sheh më në pazar. Krenar si ai, fshatari kashars “porrophile” nuk lejon askënd t’ja prekë dhe jo më t’ja vjedhë. Dhe si për inat, një hajdut rrjepacak nga ata të qytetit vjen një natë dhe i merr preshin. Për të keqen e vet, pasi kasharsi e ze në bahçe – me presh në dorë. Tashmë kuptohet fare kjartë përse shprehja thotë me (një) presh në dorë dhe jo me (shumë) presh në duar. Pasi, ai i uruar presh kashari është kaq grandioz sa që një i vetëm dhe mezi mbahet me të dy duart.
.
. Pra, përfundimisht, hajduti u zu me objektin e vjedhjes në dorë. Çfarë mund t’i bënte aty për aty kasharsi ynë atij hajdutit të fëlliqur? Sigurisht që e dënoi, bile me dënimin më logjik që bëhet : megjithëse me keqardhje për objektin e çmuar bimor, ai ja shtiu atë preshin aty ku s’thuhet (imagjinoni vetë torturën, ndërkohë që preshi nuk ishte as i pastruar si duhej as edhe i larë – pa folur më për rrënjët ende me baltë). Dhe së fundi, ende i pakënaqur sa duhej, fshatari i dha edhe një shqelm bythëve ( duke bërë kujdes të mos dëmtonte preshin). Por, shqelmi ishte aq i fortë – shqelm kashari – saqë hajduti fluturoi në qiellin me hënë dhe me yje të fshatit. Të tërë banorët e Kasharit e panë këtë Objekt Fluturues të pa-Identifikuar (OFI), pas të cilit varej preshi. Shumica nuk ju besoi syve dhe mendoi se njeriu fluturues ishte një prodhim i imagjinatës, ose një çast ëndrre të lumtur. Sidoqoftë, me këtë rast, doli edhe ajo shprehja tjetër po aq e njohur : fluturon me presh në bythë.
.
. * * *
.
. Ja pra, njëherësh, ideja e preshit – falus, me origjinë nga Kashari, jo vetëm më ndihmoi të deshifroja dy proverba popullore, krejtësisht të pashpjegueshme më parë, por edhe më lejoi të bëja lidhjen e mëposhtme : shprehja – të kapesh me presh në dorë paraprin dhe plotëson krejt natyrshëm shprehjen – fluturon me presh në bythë. Dhe, menjëherë ky zbulim më tmerroi dhe më gëzoi njëherësh.
. Po sikur, në vijim të traditës popullore, të kapej sot një hajdut me veturë në dorë? A do të mund të aplikohej vazhdimi : fluturon me veturë në bythë? Vështirë se do të mund të gjendej dikush me forcë shqelmi aq të madhe.. Në të kundërt, më shkoi mendja në një tjetër rast, fort të përshtatshëm.
.
. Ja, arritëm dhe zumë një farë Delijorgji, një horr të fëlliqur pa ndërgjegje. Bile e zumë me predha në dorë. Po sikur t’ja shtiem ato predha nga pas – dhe t’i ndezim fitilin? Kështu të paktën, Delijorgjët e tjerë do t’i zerë frika, duke parë të ngjashmin e tyre duke fluturuar në qiellin e tymosur të Tiranës – me predhë në bythë.

8 Responses to Me presh në dorë.

  1. buli3go thotë:

    te ne i thonë “me pelë për dore”

  2. xixa thotë:

    në këtë rast, vështirë se mund të thuhet: “fluturon me pelë në bythë”, apo jo?

  3. Ervivi thotë:

    …sa me intrigoi ajo fotoja e fundit (djathtas) qe ke vene….

  4. edrus thotë:

    JO!
    Nuk jam dakord me Xixën.
    Përse vetëm Delijorgjin???
    A thua të jenë mbaruar silurët në Shqipëri dhe për të tjerët që i kishin duart në Gërdec?

  5. Selfmaderadio thotë:

    me lot kam qeshur. ajo ideja e predhes nuk eshte e keqe. Duke konsideruar qe ka kalibra te ndryshem, ka shume vend per optimizim 😀

  6. edrus thotë:

    Erviv, edhe mua më pëlqeu fotoja e fundit djathtas, “Pont Neuf”-Toulouse…

  7. Toni Milaqi thotë:

    “… Në kohën e Pellazgëve ndoshta.. Ideja e Pellazgëve vjen si vetvetiu, pasi që kjo shprehje haset vetëm mes Shqiptarësh, ndërkohë që popuj të tjerë qoftë fqinjë qoftë edhe të largët as e njohin, as edhe e përdorin….”

    ne fakt kjo analize nuk qendron. ne greqi nje nga shprehjet me te perdorura eshte : “πιάστηκε στα πράσα “; qe ne nje perkthim te lire do ta perkthenim : ” u kap me presh ne dore”.

    si duket “kulti i preshit” s’eshte vetem fenomen shqiptar.

    gjithsesi , nje shkrim teper zbavites.

    pershendetje!

  8. xixa thotë:

    Natyrisht që Pellazgët janë për hiçmosgjë në historinë tonë të preshit(pras-prasa), megjithëse jam tejet i bindur që vetë bima ka qeë e njohur dhe e konsumuar (në gjendje të egër) edhe nga këta paraardhësit tanë “hyjnorë”. Dhe kur them paraardhësit tanë, kam parasysh jo vetëm shqiptarët por edhe grekërit fqinjë.
    Sa për shprehjen vetë, mes shqiptarësh dhe grekësh nuk jemi pikërisht në të njejtën rregjistër – pêrveç atij simbolit falus, qê êshtê i njejti pêr tê dy popujt.. dhe pêr tê tjerë. Për më tepêr, megjithëse grekërit arrijnë t’a shtien prasin hajdutit ndër duar, ata ende s’ja kanë shtënë nga prapa. Ja pêrse atyre ju mungon vazhdimi i historisë tonë: “fluturon me presh në bythë” Apo jo?
    Përfundimisht, edhe në mungesë të kësaj të fundit, askush nuk i pengon t’ja shtien predhën përkatëse atyre matrapazëve dhe maskarenjve të tyre, tê viseve helene.
    Po qe se ju vjen zor, le të vijnë si mysafirë dhe të shohin atë bashkëvendasin e tyre edepsëz në qiellin e Tiranës dhe me këtë rast të fillojnë të përdorin shprehjen e re “fluturon me predhë në bythë – si puna e Delijorgjit”

Lini një Përgjigje te buli3go Anuloje përgjigjen